VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 2 KORRIK 1990, SHQIPTARËT NGREJNË KRYE KUNDËR IZOLIMIT21 vjet nga ngjarjet dramatike të ambasadave, fundi i nënshtrimit ndaj regjimit stalinistNga MUJË BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 02:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

2 KORRIK 1990, SHQIPTARËT NGREJNË KRYE KUNDËR IZOLIMIT

21 vjet nga ngjarjet dramatike të ambasadave, fundi i nënshtrimit ndaj regjimit stalinist

Nga MUJË BUÇPAPAJ


E Shtunë, 07.02.2011, 10:46am (GMT+1)

Ndërsa jehonat e rënies së përdes së hekurt dhe shkërmoqjes së regjimeve komuniste në Europë ishin dëshpëruese për kastën staliniste të Tiranës, për miliona shqiptarë ato po shiheshin me një farë shprese për ndryshim. Padurimi i shqiptarëve për të parë vendin të dalë nga izolimi gati 50-vjeçar si dhe dhënë fund degradimit të jetës ekonomike dhe sociale, kishte arritur kulmin. Dredhat politike të Ramiz Alisë dhe dilemat e tij për reforma të vërteta ishin mëse zhgënjyese për popullin shqiptar, i cili në fillim të vitit 1990 i kishte parë me shpresë masat gjysmake të tij në drejtim të një farë liberalizimi të jetës politike dhe ekonomike të vendit. Alia kishte shitur lirë premtimet për ndryshime i preokupuar më shumë për t'i dëshmuar besnikëri klanit që e kishte ngjitur në krye të Piramidës gjaksore të dinastisë, se sa interesave të vendit, të cilat duhet të ishin për instalimin e pluralizmit politik si dhe vendosjen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave themelore të njeriut.

Më 2 korrik 1990 shqiptarët ishin të bindur se, premtimet e Alisë për demokraci ishin false, se reformat e tij të tufëzave dhe arëzave ishin poshtëruese, se premtimet e tij për lëvizjen e lirë dhe përshtatjen e rregullave të tregut ishin vetëm mashtrime.

Pasardhësi i Hoxhës, ndërsa fliste për liberalizim të lëvizjes dhe zbutje të regjimit të kufirit në të vërtetë masat shtrënguese nuk ishin hequr, biles as vrasjet në kufi. Sipas të dhënave të qeverisë së kohës "Deri më 25 maj 1990 kishin ndodhur dhjetë vrasje në kufi, tre në Shkodër, tre në Ersekë dhe nga një në Sarandë, Korçë, Librazhd dhe Peshkopi për të gjitha vrasjet nuk janë njoftuar asnjë nga familjarët e viktimave". (Letra e Qemal Lames drejtuar Simon Stefanit, 28 maj 1990. Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme). Rast tipik i terrorit shtetëror mbi qytetarët e tij të pafajshëm ishte edhe ai i vrasjes së 17-vjeçarit koplikas, Pëllumb Pëllumbi. "Vrasja e tij u bë më 16 qershor 1990. Pas vrasjes makabre të riun Pëllumbi e lidhën me tela me gjëmba dhe e tërhoqën zvarrë pas makinës ushtarake nëpër të gjitha rrugët e qytetit verior" ("Albania" 19 prill 1998, redaksional). Gjatë kësaj kohe, mendohet të jenë vrarë rreth 200 të pafajshëm, për të cilët mbahej heshtje e plotë, ose flitej nën zë.

Ankthi i një jete të pasigurtë, mizerabiliteti i pandërprerë dhe bindja për të kërkuar lirinë me çdo çmim, padyshim kanë qenë shtysa të vërteta për disa mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët më 2 korrik 1990 thyen kangjellat e ambasadave dhe u dyndën atje. Ata kryen një gjest kuptimplotë, të ngjashëm me një kapërcim historik. Ilir Demalia, tek ambasada gjermane i shoqëruar nga një grup njerëzish kurajozë, pas gati 50 vjetëve diktaturë dha një dëshmi se populli shqiptar nuk e kishte humbur krejt identitetin e tij nën kërbaçin stalinist, se jetonte dhe kishte vendosur t'i kundërvihej sistemit.

Demalia kreu me durim rolin e organizatorit dhe të trimërimit të refugjatëve që kishin thyer regjimin e diktaturës. Dialogjet e tij publike me krerët e Sigurimit të Shtetit janë të famshme. Ato kanë brenda edhe humrin e zi edhe kërcënimin, edhe paralajmërimin për atë që do të gjente regjimin më 8 dhjetor 1990 nga studentët e udhëhequr nga Azem Hajdari.

Gjatë 50 vjetëve të fundit të shoqërisë së kazermës nuk kishte ndodhur një refuzim kaq i hapur, kaq masiv dhe i vendosur ndaj diktaturës komuniste si ai i 2 korrikut. Ata njerëz kishin lënë pas një jetë ferri, për t'u gjendur në një situatë, e cila mund t'u jepte lirinë ose burgun. Hamendja se do të thyenin regjimin, duke u mbështetur edhe tek presionet ndërkombëtare, natyrisht ka qenë një shpresë e vërtetë.

Presioni ndërkombëtar, sidomos ai amerikan, ishte shumë i fortë ndaj regjimit të Tiranës. Ambasadat perëndimore, sidomos ato gjermane, italiane dhe franceze, duket se po vëzhgonin situatën, duke kundërshtuar çdo masë represioni ndaj zërave oponentë antiqeveritar, por edhe regjimi i përgjonte ditë e natë, duke shkelur shpesh edhe ligjin ndërkombëtar. Më 2 qershor 1990, 12 ambasdorët e Tregut të Përbashkët Europian (TPE), lëshuan një deklartë publike, kundër shkeljes të të drejtave të njeriut dhe dhunën zyrtare mbi trupin diplomatik". (Radio "Europa e Lirë", 3 qershor 1990).

Shqipëria staliniste, e falimentuar ekonomikisht dhe e pashpresë për të mbijetuar ndodhej në një rrethim të fortë ndërkombëtar. Pushkatimi i Çausheskut në dhjetor 1989 si dhe rënia e regjimeve komuniste në Europën Lindore e kishte lënë të vetëm regjimin represiv të Tiranës. Edhe vetë Moska tashmë ishte dorëzuar, duke ua hequr mbrojtjen regjimeve satelite të Lindjes. Doktrina antikomuniste, Regan kishte dhënë rezultate. Kur Mihail Gorbaçov erdhi në fuqi në vitin 1985, ekonomia e Bashkimit Sovjetik ishte në gjendje të vështirë. Presidenti Regan e shfrytëzoi këtë rast dhe në vitin 1986 u takua me zotin Gorbaçov. Dy udhëheqësit më në fund nënshkruan traktate që ndalonin raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi dhe kufizonin armët strategjike. Natyrisht, Presidenti Reagan do të mbahet mend si presidenti që fitoi Luftën e Ftohtë".

Më 1987, Presidenti Reagan kishte vizituar Murin e Berlinit, i cili për një kohë të gjatë kishte qenë simbol i komunizmit dhe i dominimit të perandorisë sovjetike. Prej atje, ai i bëri thirrje Gorbaçovit, "për të prishur këtë mur". Një vit, pasi Reagan u largua nga Shtëpia e Bardhë, Muri i Berlinit ra, si një shenjë e sigurtë se, Lufta e Ftohtë po merrte fund. Kishte mbetur vetëm Muri i Berlinit shqiptar, i cili pësoi një të çarë serioze më 2 korrik 1990.

Shqipëria e udhëheqësit komunist Ramiz Alia ishte në agoni. Retorika e Byrosë Politike sipas të cilës ngjarjet në Europën Lindore nuk do të prekin regjimin e Tiranës, ishin bërë ofenduese për miliona shqiptarë, të cilët nuk gjenin në treg as qumësht, aq sheqer, as vezë, as vaj dhe as artikujt e tjerë të konsumit të përditshëm. Qeveria komuniste nuk linte rast pa deklaruar se nuk kishte ndërmend të përkrahte reforma që do të preknin në thelb sistemin njëpartiak, nga ana tjetër në Europë kishte zëra që e përfytyronin edhe më tutje vendin e shqiponjave si një Kubë të Adriatikut. Por nuk mendonin kështu SHBA-të, të cilat kishin ndjekur një doktrinë të nënshtrimit të perandorisë të së keqes.

Megithëse SHBA-të dhe Perëndimi kishte shtuar presionet ndaj qeverisë staliniste të Tiranës, Alia deklaronte më 1 janar 1990 se, "nuk kemi lejuar dhe as nuk do të lejojmë askënd që të na diktojë ligjet e veta dhe normat e veta". (ZP 3 janar 1990). Më 14 janar 1990, protestues antikomunistë në qytetin e Shkodrës rrëzuan dhe poshtëruan statujën e Stalinit në qendër të këtij qyteti. Më 20 prill 1990 u mbajt gjyqi komunist kundër pjesëmarrësve në demonstratën e 14 janarit. U dënuan Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monjaka, Kolec Ulbina, Kolec Daka, Aldo Ferizi, Flamur Elbasani, Nikolin Malgjini, Zef Kasneci, Franko Kasneci. Këta të burgosur dhe të internuar u ridënuan përsëri më 26 shtator 1990 nën akuzën për agjitacion dhe propagandë, në një kohë që regjimi e kishte shfuqizuar këtë nen prej disa mujash. Veglat e regjimit u mobilizuan përsëri për të sulmuar mediat e huaja përfshirë "Zërin e Amerikës" dhe shefin e seksionit në gjuhën shqipe Elez Biberi se, "po destabilizonin situatën në Shqipëri. Gazeta e Partisë Komuniste "ZP" botoi një shkrim të drejtpërdrejtë me sulme banale kundër tij.

Më 2 prill në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" Tiranë, disa të panjohur kishin vënë eksploziv tek Busti i Stalinit. Më 16 prill 1990 ishte vendosur eksploziv edhe tek busti i diktatorit Enver Hoxha në Shkodër.

Ndërsa era e hapjes dhe ndryshimit po frynte kudo në Lindje në Plenumin e 8-të, të KQ të PPSH, Alia kishte bërë thirrje për ngritjen e vigjilencës kundër rrezikut të revizionizmit dhe rivendosjes së kapitalizmit në Shqipëri. " Kurrë nuk do të heqim dorë e nuk do të lejojmë dobësimin e rolit udhëheqës të partisë tonë marksiste-leniniste për hir të së ashtuquajturit pluralizëm që na servir borgjezia dhe rivendosjes së kapitalizmit në Shqipëri", deklaroi ai. ("ZP" 29 shtator 1989. Menjëherë pas tij, Foto Çami e akuzoi Gorbaçovin se po punonte kundër socializmit. Drejtues të lartë të PPSH deklaruan se, në takimin e Maltës Bush-Gorbaçov "të dy udhëheqësit ishin marrë vesh për destabilizimin e Shqipërisë". Ramiz Alia vetëm pak ditë para rënies së Çausheskut deklaroi se, "ngjarjet që po ndodhin në Europën Lindore nuk kanë të bëjnë fare me Shqipërinë". ("ZP" 12 dhjetor 1989). Megjithatë, koka e prerë e Çausheskut ishte një torturë e pafund për komunistët e Tiranës, një presion politik.

Në plenumi e 9-të të KQ të PPSH mbajtur 30 janar 1990, udhëheqësi komunist Alia vlerësoi se, në Lindje kishte ardhur në fuqi borgjezia ndërkombëtare dhe reaksionarët. Ai publikoi postulatin e njohur se "Shqipëria nuk është as Lindje dhe as Perëndim", etj. Sipas Alisë "thirrjet që bëhen nga jashtë shtetit për ndryshime në vendin tonë për t'u larguar nga rruga që kemi ndjekur deri tani, nuk gjejnë mbështetje në vendin tonë.

"Plenumi i prillit të vitit 1990, vendosi që shqiptarëve t'u njihej e drejta për udhëtime jashtë shtetit, u shfuqizua ndalimi i propagandës fetare, u hoq dënimi me vdekje për të arratisurit, u vendos Ministria e Drejtësisë. Udhëheqësi komunist Alia, siguroi se do të miratoheshin ligje që do të lejonin qeverinë të pranonte investime të huaja. Në këtë kohë, Shqipëria kërkoi që të pranohej në KSBE (Konferencën e sigurimit dhe bashkëpunimit Europian), si të rivendoste marrëdhëniet diplomatike me dy supërfuqitë. Ramiz Alia po ndiqte një politikë me dy standarde. Shqiptarët po prisnin rastin për t'u ndeshur me regjimin stalinist, ndërsa Perëndimi dhe SHBA-të ishin të vendosur që të mos linin shqiptarët pa mbështetjen e duhur për të hequr qafe kastën staliniste të Enver Hoxhës.

Në pranverë të vitit 1990, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Javer Perez de Cuellar, vizitoi Tiranën. Më 16 maj 1990, regjimi dha pëlqimin për nxjerrjen jashtë shtetit të famijes Popaj, e cila ishte futur aty qysh prej 12 dhjetorit 1985, duke bërë kështu një lëshim në prag të vizitës së Javer Perez de Cuellar. Siç shkruan analistët e huaj, këtë vizitë regjimi u përpoq ta paraqiste si mbështetje ndërkombëtare dhe vetë Alinë si një partner të besueshëm të Perëndimit. Por, Perëndimi i njihte mirë dredhat e Alisë dhe pavendosmërinë e tij për të çuar reformat deri në fund. Javer Perez de Cuellar kërkoi thellim të reformave, dhe pluralizmin politik, njohjen e të drejtave të njeriut, lirimin e të burgosurve politikë, pranimin e parimeve të Helsinkit.

Në maj 1990, Ramiz Alia takon kongresmenin Tom Lantosh. Në intervistën që Lantosh i dha "Zerit të Amerikës" theksoi se, "ne presim që Shqipëria të zbatojë po ato reforma që kanë zbatuar edhe vendet e tjera të Europës Lindore dhe të lejojë zhvillimin e opozitës politike.

Më 21 maj 1990 kemi një shkëmbim letrash mes R.Alisë dhe shkrimtarit të shquar Ismalil Kadare. Alia shpreh bindjen se, Shqipëria nuk do të kthehet kurrë në Rumani, Poloni, Hungari etj.

Disa intektualë të besuar të regjimit në unison me Alinë thanë për gazetarët e huaj se, "Shqipëria nuk ishte gati për pluralizmin, se nuk do të ndodhte si në vendet Lindore etj. Ata përjashtonin mundësinë e lejimit të pronës private dhe të ekonomisë së tregut. (E.Biberaj "Shqipëria në Tranzicion).

Reformat e Alisë të filluara me vrull në fillim të vitit, në maj ato ishin bllokuar. Në qershor të vitit 1990, qeveria lëshoi urdhërin që "të gjithë qytetarët të merrnin pashaporta për jashtë shtetit", ndërsa në kufi i priste vdekja. Njerëzit shkuan nëpër rajonet e policisë për të bërë kërkesat për pashaporta, por nuk ju dha asnjëherë përgjigje pozitive. Njerëzit u zhgënjyen edhe nga ky premtim i Alisë dhe zgjodhën një rrugë tjetër.

Në pranverë të vitit 1990, qeveria komuniste vendosi të lejonte lidhjet telefonike ndërkombëtare përfshirë edhe SHBA-të. Në maj 1990, mjeku dhe intelektuali i njohur Sali Berisha dha një intervistë tek gazeta "Drita". Berisha bëri thirrje që, "autoritetet të lejonin shprehjen e mendimeve ndryshe. (Gazeta "Drita" 20 maj 1990). Me gjithë premtimin për të lejuar lëvizjen e lirë dhe për të dhënë pasaporta ndërkombëtare shumë njerëz po vazhdonin të vriteshin në kufij. SHBA shtoi presionet ndaj regjimit të Tiranës.

Dukej se SHBA-të dhe Perëndimi po ndiqnin ndaj Shqipërisë politikën e kërbaçit, por edhe të kulaçit. Si një farë nxitjeje për Shqipërinë, në mbledhjen e Kopenhagenit (qershor 1990) vendit tonë ju dha statusi i vëzhguesit në KSBE. Të drejtat e njeriut dhe pluralizmi politik u vunë si kushte të forta për t'u bërë anëtarë me të drejta të plota.

Udhëheqësi komunist kërkoi ndihmën e SHBA për të avancuar statusin e Shqipërisë në KSBE, duke deklaruar dëshirën e shtetit të tij për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin. "SHBA-të, ju përgjigjen ofertave të Alisë, duke shprehur gatishmërinë për të hapur dialogun, por theksuan se vazhdonin ta shikonin Shqipërinë si regjim shtypës.

Duke dëshmuar para komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit, Sekretari i Shtetit, James Baker tha se, SHBA do të kushtëzojnë vendosjen e marrëdhënieve me pranimin e pluralizmit politik nga Shqipëria dhe me lëvizjen e saj drejt ekonomisë së tregut.

Shtetet e Bashkuara po ndiqnin dredhat politike të regjimit të Tiranës, duke rritur presionet për pranimin e pluralimit politik. Një organizatë amerikane e të drejtave të njeriut, Komiteti Ndërkombëtar i të drejtave të njeriut i Juristëve të Minesotës, botoi një raport që dokumentonte shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist në Shqipëri. Në parathënien e këtij raporti shumë të përmendur, Walter F. Mondale, i quante Shqipërinë "kështjellë të represionit ndërkombëtar dhe të izolimit të vetkërkuar".

"Komisioni i SHBA mbi Sigurimin dhe bashkëpunimin në Europë që njihet edhe si Komisoni i Helsinkit paraqiti kushtet që Shqipëria duhej të plotësonte për t'u pranuar në bashkësinë e kombeve. Në një deklaratë të bërë nga senatori Dennis De Concini dhe përfaqësuesi Steny H.Hoyer, përkatësisht kryetar dhe bashkryetar i Komisionit të Helsinkit të SHBA-ve, thanë: ".... Shqipëria duhet të pranojë konceptet e pluralizmit politik dhe të shtetit ligjor dhe për këtë qëllim të shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndërmarrë reformat ligjore të domosdoshme". (U.S Comission on Security and Cooperation in Europe, CSCE News Relase, Washington D.C, 10 maj 1990.)

Më 30 qershor, një i ri hyn në ambasadën franceze, duke shfrytëzuar pavëmendjen e policit të shërbimit. Polici hyn brenda dhe e nxjerr me forcë qytetarin, duke ia marrë nga duart diplomatit të huaj. Ambasada franceze proteston pranë Ministrisë së Jashtme.

Papritur 6 persona hyjnë në ambasadën turke, e cila i strehon tek Hotel "Arbëria". Ngjarja merr dhenë në të gjithë Tiranën. Rruga e ambasadave u blindua. Rojet civile dhe ato me uniformë u shtuan. Strukturat e PPSH-së dhe të Sigurimit të Shtetit, të mbledhura me urgjencë thuhet se u porositën të ishin vigjelente, duke ndjekur ngjarjet hap pas hapi.

Më 2 korrik rreth 150 shqiptarë hynë në ambasadat italiane, franceze dhe gjermane. Fillimisht, rreth orës 19.00 një automjet i rëndë me 34 persona sulmoi nga ana perëndimore ambasadën gjermane, duke hyrë brenda. Rreth orës 20.00 tek ambasada greke një automjet tjetër prishi murin rrethues nga ana e prapme e ndërtesës dhe 2 të rinj hynë brenda. Ngjarje të tilla u shfaqën edhe tek ambasada italiane, çeke, polake, biles edhe tek ajo kubane. Kjo e fundit refuzoi të prononte refugjatë. Në shenjë hakmarrjeje, të nesërmen në oborrin e kësaj ambasade u hodh një bombë artizanale, por pa pasoja njerëzore apo materiale.

Në ditët në vazhdim, vetëm në Ambasadën gjermane kishin hyrë disa mijëra vetë. Gjendja atje ishte rënduar së tepërmi, mungonte uji, ushqimet dhe bataniet. Policia për të terrorizuar refugjatët hynte herë pas here me forcë dhe qëllonte me armë brenda territorit të selisë diplomatike. Regjimi i kishte ndërprerë çdo furnizim ambasadës gjermane përfshirë edhe postën diplomatike. Në këtë ambasadë zhvillimet qenë shumë dramatike. Një i ri u qëllua për vdekje nga policia, bile në duart e ambasadorit gjerman. Refugjati u dërgua në spital, ku për rreth 2-3 ditë i bënë roje punonjësit e ambasadës gjermane deri sa ai ndërroi jetë nga plagët e marra. Ngjarja e mbajt e fshehtë për opinionin, ashtu si edhe shumë vrasje të tjera në kufi, apo siç thuhej në Malin me Gropa.

Megjithatë, goditja kishte qenë fatale. Prestigji i regjimit do të varej nga mënyra se si do të zgjidhjen kriza më të rënda, në të cilën ishte përfshirë gjatë gjithë jetës së tij.

Gazeta "The Guardian" e datës 4 korrik 1990 shkruante se: "Tirana zien"

Një lloj urtësie bërë si zakon, deri më tani na thoshte versionin se, shqiptarët ishin kaq të nënshtruar, saqë vendi i tyre mund të mbeste një shtet socialist edhe për disa dekada të tjera. Tanimë këtë nuk e beson më askush.

"Die Welt", më 5 korrik 1990 komentonte: "Ora e stalinizmit mori fund!" "Zëdhënësja për politikën e jashtme të fraksionit të CDU/CSU në Bundestag, Michaela Geiger i kërkoi Tiranës të pranojë më në fund se "ora e stalinizmit edhe në Shqipëri ka marrë fund!"...Një avion civil do të dërgojë nga Gjermania krevatë dhe mallra humanitare për refugjatët. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Cobog hodhi poshtë zërat, sipas të cilave, Boni po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të një avioni ushtarak drejt Tiranës".

"Neue Zürcher Zeitung", 7 korrik 1990, lidhur me ngjarjet në Tiranë, shkruante: "Presion ndërkombëtar ndaj Shqipërisë për t'i lënë të lirë të lëvizin refugjatët e ambasadave" Bashkësia Evropiane, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Cuellar dhe ministri i Jashtëm gjerman, Genscher, kanë kërkuar një zgjidhje humane për burrat, gratë dhe fëmijët në të dhjetë përfaqësitë diplomatike, ndër to edhe ambasada gjermane në Tiranë. Edhe të enjten vazhdoi eksodi. "Dera e ambasadës është ende e hapur", u tha në Bon. Bashkësia Evropiane ka kërkuar mosprekjen e refugjatëve dhe të familjeve të tyre dhe është shprehur e shqetësuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri".

Më 7 korrik, Ramiz Alia shpalli një dekret që siguronte se ata që kishin hyrë në ambasadat e huaja nuk do të përndiqeshin, por do të pajiseshin me pasaporta ndërkombëtare për ata që do të dëshironin të largoheshin nga vendi. Gjithsej 4 797 shqiptarë lanë Shqipërinë, kryesisht në Gjermani. Nga numri i përgjithshëm vetëm 155 ishin nëpunës, ndërsa rreth 70% ose 3407 ishin punëtorë.

Pas largimit të refugjatëve pati një valë sulmesh banale të shumë intelektualëve të Tiranës, të cilët u përfshinë në një retorikë pa asnjë të ardhme ndaj emigrantëve të rinj të Shqipërisë. Në të vërtetë, intelektualët ishin akoma të papërgatitur për t'u ballafaquar hapur me regjimin, ndërkohë që shumë prej tyre në prononcimet për gazetarët e huaj, dolën në mbrojtje të politikave ekonomike dhe të kundërshtimit të pluralizmit që ndiqte regjimi komunist dhe Ramiz Alia.

Më 9 korrik nëpërmjet linjës ajrore me një aeroplan siç thuhet personal të Presidentit çek Havel, u larguan nga Shqipëria për në Çekosllovaki 51 qytetarë, më 13 korrik 816 refugjatë u nisën për në Itali me 5 tragete, 3199 për në Gjermani, 549 për në Francë dhe pak për në Greqi.

Në plenumin e KQ të PPSH mbajtur më 6 korrik 1990 udhëheqësi komunist Alia i quajti refugjatë "huliganë". Ai bëri thirrje për luftë të re klasore kundër forcave reaksionare. Ai u shpreh për reforma graduale. Më 12 korrik PPSH dhe qeveria mbajtën një tubim në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, ku u dënuan ashpër refugjatët. Më 17 korrik 1990 pas një sulmi policor forcat e sigurimit qëlluan mbi protestuesit paqësorë, duke lënë të vdekur Josif Budën në Kavajë. Në gusht të vitit 1990, udhëheqësi komunist Alia organizoi një takim me intelektualët. Që në fillim të takimit, ai përjashton mundësinë e pluralizmit politik. Alia denoncoi edhe sulmin e Perëndimit ndaj Shqipërisë socialiste, duke sulmuar hapur "Zërin e Amerikës" të drejtuar nga Elez Biberaj. Në këtë takim, Alia i kundërshtoi kërkesat për reforma të Dr. Sali Berishës.

Megjithë pengesat, ishte e qartë se vala antiqeveritare sapo ishte nisur për t'u mos ndalur deri më 22 mars 1992, kur do të merrte fund regjimi komunist në Shqipëri.

MUJË BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HUMBËSI I TIRANËS TË MARRË SHEMBULL NGA AL GORENga JAMES A. BAKER, Foreign Policy (07.02.2011)
SOKOL SOKOLI, TOMË NDOJA DHE VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI"Një kujtesë kundër Harresës"Nga FRANK SHKRELI (06.30.2011)
TEKI DERVISHI PROFESIONIST I JASHTËZAKONSHËM DHE GAZETAR I KLASIT TË PARËNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.30.2011)
DISA IDE PËR ORGANIZIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE NË ZVICËRNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.29.2011)
AMERIKË, ZGJOHUNga ROGER COHEN, New York Times (06.28.2011)
MIRË SE VJEN NË TROPOJË- Shënime për veprën kolanë « Tropoja, Malësia e Mirë » (Dardania Alpine, Pult, Altun, Malësia e Gjakovës –Nga ISA HALILAJ, Mësues i Merituar, Historian (06.28.2011)
SIRIA DHE FQINJËT E SAJNga Dr. ALBAN DACI (06.28.2011)
MBI NJË MILIARD EURO NË VIT SJELLIN MËRGIMTARËT SHQIPTARË NË "MAQEDONI"!Nga ERMIRA MEHMETI (*) (06.27.2011)
VEHBI SKËNDERI, NJË MIK E POET I NJË NDJESHMËRIE TË PAZAKONTËSIZIFIANI I POEZISË SË FEMRËS DHE DRINIT TË DRITËSNga Dr. KOÇI PETRITI (06.25.2011)
DEKLARATA E SHTËPISË SË BARDHË NË LIDHJE ME SIGURINË NË BALLKANIN PERËNDIMORNga FRANK SHKRELI (06.25.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]