VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Shkrim i Elida Buçpapajt botuar më 31 dhjetor 2001 - ribotohet pa asnjë ndryshim, bashkë me poemën e Carl Sandburg  - KULTI I AMERIKËS DHE KULTI I KOSOVËS -    Nga Elida Buçpapaj

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 02:50am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

Shkrim i Elida Buçpapajt botuar më 31 dhjetor 2001 - ribotohet pa asnjë ndryshim, bashkë me poemën e Carl Sandburg  -

KULTI I AMERIKËS DHE KULTI I KOSOVËS -    Nga Elida Buçpapaj
E Enjte, 05.21.2009, 12:47pm (GMT+1)

Në kohën kur Sandburg e ka shkruar poemën e tij "Good Morning, America" (Mirëmëngjes, Amerikë), Amerika ishte një kult, një besim, gjithëpërfshirës, për qytetarët e saj, për Amerikanët. Sandburg ishte i pari që e konfirmoi këtë besim poetik, këtë besim qytetar, pra Amerikanizmin e Amerikanëve, besim poetik të themeluar më herët nga Walt Witman-i i famshëm, i pari, patriarku i poetëve të Amerikës, nga pozitat e një idealizmi  hyjnor për Demokracinë Amerikane, vlerën e parë të mirëfilltë që Amerika ia jepte në atë kohë Njerëzimit.

Si çdo besim, edhe Kulti i Amerikës, edhe Amerikanizmi, edhe mënyra Amerikane e jetesës u përhapën në gjithë globin tokësor në masë dhe në cilësi të ndryshme, pra edhe besimtarët e Amerikës janë shtuar anembanë globit tokësor. Në ndryshim në kultet e trashëguara nga kultura e njerëzimit, Kulti i Amerikës e ka më të theksuar përmasën tokësore sesa atë qiellore, në të njëjtën kohë përmasa tokësore duke qenë e realizuar në kontekstet kozmike tokësore.

 

Kur e shkroi poemën Sandbergu, Amerika ishte më tepër një Kult i Amerikanëve, i përkatësive Amerikane. Më vonë, kur Sandburg ishte ende gjallë, Amerika u bë Kult i Njerëzimit të Sotëm, u bë mishërim i arritjeve të Njerëzimit të Sotëm, mishërim i arritjeve të Qytetërimit të Sotëm. Në këtë kuptim Kulti i Amerikës mori një kuptim mbireligjioz, pra duke përfituar nga të  gjitha arritjet e kulturave dhe kulteve të Njerëzimit të derisotëm. E sanksionuar në poezi, kjo dukuri planetare, e ka zanafillën në poezinë e Sandburg-ut, posaçërisht në poemën e tij "Good Morning, America" (Mirëmëngjes, Amerikë ), ku ndjehet ndërthyrja e rrafshit solemn të shkrimit, pra edhe e pikëtakimeve dhe pikëzhvillimeve të tokës me qiellin, ose të tokës me qiejt, të tokësores me hyjnorën, me rrafshin e realitetit të vrazhdë tokësor të shkrimit, në një mënyrë që vetëm Sandbergu mund ta arrinte.

 

Dhe, në këtë kontekst, nuk është aspak e rastit që një senator Amerikan, siç është kryetari i Senatit të SHBA, Joseph Biden, pak ditë më parë, në një takim me Shqiptarët e Amerikës, ka thënë: Kosova është Amerikë ! Në të vërtetë, këtë e kishin thënë më parë, nga këndi i tyre Shqiptarët: Kosova është Amerika jonë. Këtë ne e kishim thënë duke u nisur nga dashuria për Kosovën, nga përkushtimi për Kosovën, që ne duam ta shohim si Amerikën. Andaj më 11 Shtator, të gjithë Shqiptarët u ndjenë të sulmuar prej terrorizmit. Andaj më 11 Shtator të gjithë Shqiptarët shpallën se ishin të gatshëm që krahas popullit Amerikan të mbronin Amerikën, sepse e dinin se bashkë me Amerikën, ata do të mbronin dhe mbrojnë Kosovën, Botën dhe Njerëzmin.

 

Por kur këtë e thotë një Amerikan, aq më tepër një personalitet, madje i rëndësishëm, Amerikan, si Zoti Biden, kjo ka një kuptim shumë herë më të madh. Senatori Amerikan e ka kuptuar se filozofia e Lirisë, filozofia e ndërtimit të së ardhmes që ka përqafuar Kosova, që e ka prirë Kosovën në rrugën e saj të qëndresës, të sakrificave, të flijimeve, pra në rrugën drejt ardhmërisë, që ka zgjedhur Kosova, ajo, pra Kosova shëmbëllen pikë për pikë me

Amerikën.

 

Dhe kur kemi thënë më parë Kulti i Amerikës, nuk mund të mos tingëllojë fare natyrshëm edhe kur themi Kulti i Kosovës. Pra, besimi në Kosovën, ku qytetarët e saj shndërrohen në besimtarë të Kosovës, po ashtu dashamirët e saj, miqtë e saj, kudo, pra edhe në Amerikë, sidomos në Amerikë, shndërrohen në besimtarë të Amerikës.

 

Nuk është pra as e rastit që Kosovës i është puqur (takuar ) ylli me Amerikën, sepse si Amerika, edhe Kosova, kjo hapësirë ilirodardane, ka Yll Polar Demokracinë, atë që e ndërtuan George Washington-i, Thomas Jeffersoni, Abraham Lincolni, F.D.Roosevelt, Reagan e deri tek George W.Bush e më pas, atë që e ndërtuan edhe Walt Witmani apo Carl Sandburg, atë që e ndërtuan qytetarët, poetët, konstruktorët, politikanët, shtetarët dhe shtetasit Amerikanë. Pra, krahas Kultit të Amerikës nuk çudit askënd fakti që ne Shqiptarët kemi Kultin e Kosovës. Thënia e dikurshme e Vaso Pashës Feja e Shqiptarit është Shqiptaria ka treguar se pragmatizmi Shqiptar është po  aq proverbial dhe i hershëm sa edhe pragmatizmi Amerikan. Dhe, për Shqiptarët Kosova ka qenë gjithmonë mishërim, simbol, yll i Shqiptarisë dhe i Shqiptarizmit.

 

CARL SANDBURG

(6.01.1878 22.07.1967)

 

GOOD MORNING, AMERICA MIRËMËNGJEZ AMERIKË

 

1

 

Në mbrëmje ka një sonatë perëndimi që bie mbi qytetet.

Ka një marsh të ushtrive të vogla me daulle dhe tam-tame të rralluara.

Rrokaqiellet e hedhin shtatlartësinë e tyre sipër, pingul mbi fortifikatat e zeza që bien mbi

perëndimin e kuq.

Rrokaqiellet e mbërthejnë alfabetin e tyre perpendikular larg përtej duke ndryshuar trekëndëshat e argjendtë të yjeve dhe rrugëve.

 

Dhe kush i bëri ato ? Kush i bëri rrokaqiellet ?

Njeriu i bëri ato, ai gaztori dy-këmbësh, Njeriu.

Prej mendjes së tij, prej ëndërrimeve të tij, duke projektuar copaqielli,

Duke skicuar skema të vogla dhe krenare që hidhnin valle lehtas në kokën e tij Njeriu i bëri rrokaqiellat.

Me të dy duart e tij, me lopata, çekanë, karroca dore, makina, konvojerë, sinjale bilbilash; me me projekte, duke kalëruar skelat dhe bërë akrobaci ajrore dhe duke thirrur, Jepini, djem

                                        Njeriu i bëri rrokaqiellet.

......

3

 

Faktet qëndrojnë të mbërthyera; faktet janë hije, fantazma.

Një kalë i vjetër që lëron tokën është një fakt.

Një traktor i ri ferme është një fakt.

Faktet qëndrojnë të mbërthyera; faktet fluturojnë me krahë zogjsh.

Gjaku dhe djersa janë fakte, dhe

Zotërimi i imagjinatës, përfytyrimit, të parët prapa dhe përpara,

Spiralet, boshti i rrutullimit, pistat e zbritjes që shuhen, treten

Sinjalet e dritave dhe yjet e errësuar të qytetërimeve.

 

Tani koka e një njeriu, sytë e tij janë fakte.

Njeriu sheh në kokën e tij, si në një pasqyrë,

Një katedrale, anije, urë, rrugë hekurudhore një rrokaqielle-

Planet janë skicuar, projektet janë fiksuar,

Vizatimi dhe linjat, kanë marrë shtjellë të kjartë

Kështu fakti lëviz nga fakti tek fakti, duke u ndëthurur dhe ndërprerë.

Pastaj vjen më e shumta, pastaj vjen djersa dhe gjaku ...

.....

 

 

 

5

 

 

Unë kam parë figura heronjsh të ngritur nëpër memoriale, si dëshmitarë të faktit-

Leif Ericson 1) prej bronxi të fortë  të flaktë, qëndron si një hije e ngrirë, e përkulur, me sy kërkimtarë, mbi një kodër në Uiskonsin, duke soditur Liqenin Miçigan-

Kolombi prej bronxi është në qendër aty ku trafiku që vjen prej fundit të botës është më i rrëmujshëm duke u grumbulluar në Ishullin e Manhatenit-

Washingtoni qëndron në mermer duke pasur një shtjellë jete, mbi një tempull Romak në Kapitol Hill, në Riçmond, Virxhinia, me një të qeshur të ashpër dhe të zemruar, i rrethuar si në unazë prej rrokaqiellave-

Andrew Jackson 2)  i bronxtë mbi një kalë bronxi, një kalë i vertetë shkëmbor me këmbët dhe putrat e parme në ajër, me bishtin përpjetë, sikur Gjenerali që heq nga koka e tij kokardën  për të përshëndetur qytetarët dhe ushtarët e Republikës-

Ulysses S.Grant 3), serioz dhe i zymtë qëndron mbi një kalë të vogël bronxi duke dëgjuar pafundësisht hingëllitjet e kuajve të bardhë të Liqenit Miçigan që dëgjohen deri në

Ilinois-

Robert E.Lee 4), i shtrirë prej guri të bardhë, fle një gjumë fushimi në paqe midis njerëzve si ai të nderuar në Luginën Shenandoah 5)-

Memoriali i Linkolnit qëndron në një pikë nevralgjike, shumë të gjallë, ku kryqëzohen rrugët që të çojnë nga njëri breg tek tjetri, duke murmëritur, Bëhuni të mira me njëra-tjetrën motra; mos luftoni me njëri-tjetrin, vëllezër.

-------------

1)      Leif Ericson, lundërtar i shekullit të 10-të, pas Krishtit.

2)      Andrew Jackson, presidenti i 7-të i SHBA (1767-1845)

3)      Ulysses S.Grant, presidenti i 18 i SHBA (1822-1885)

4)      Robert EdwardLee, Gjeneral i Konfederatës (1807-1870)

5)      Luginë dhe Parku Nacional Shenandoah  ndodhet në Shtetin Virxhinia.

 

 

 

Por a mund të pyesim ne   është lulja një fakt ?

Bima e brishtë që vyshket shpejt a do të

                Mbijë në tokën e atdheut

                Duke i dhënë frymën e saj gjetheve

                Për një kronikë të fiksuar në pak ditë,

                Për një simbol të mbajtur prej bletëve dhe erës ?

                A do të mbjellë secili shtet lulet e tij më të dashura, që i do më shumë

Duke thënë Kjo lule jam Unë, Ne, kjo vjen nga toka e shkrifët, pjellore, kjo

                do të thotë mikpritje e ngrohtë shtëpie për sytë tanë, këto gjethe prekin

                rrënjët tona, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Lulja e kaltër e misrit përgjatë hekurudhës i ka gjurmët në Ilinois

Nepërka e kuqërreme fshihet në pyjet e dëndur të Minesotës

Preritë e trëndafilëve të egër kacavaren përgjatë udhëve të Ajovës

Lulëkuqet e arta të Kalifornisë, kaktuset gjigande të Arizonës

Lule-mollët e Miçiganit, pjergullat e Kentakit

Shqopat e Uashingtonit dhe Virxhinias Perëndimore në çdo stinë të gjelbra

Luletrumëzat Indiane të Vajoming-ut, rrënjët e panxharit të kuq të Montanës

Luledelet e pafundme nëpër të gjithë Nebraskën

Zambaku dhe tulipani i Utah-ut, lulet e pashkëve të Dakotës së Jugut

Luleshqerrat sy-demi të Karolinës së Veriut, lulet e portokallit të Floridës

Manjola e Luizanës, Lulepjeshka e Delauerit

Përshëndetjet e heshtura dhe gazmore të lulediellit të Kansasit

Bizoni i vjetër, tërfili dhe papagalli fytyrërremtë i Teksasit

Pishat konike dhe xhufkat e kallinjve të misrit të Shtetit të vetmuar Main

                A do të jenë të gjitha këto, midis fakteve tona fantazma, hije ?

 

 

7

.......

Kombet lindin të vegjël si foshnjet.

Kombet pijnë gji dhe stërmundohen shumë; deri sa  ata rriten;

Kombet sfiliten, luftojnë, qeshin, vuajnë, vdesin.

Kombet iu binden gjurmëve që lë trajektorja e hënës.

Ata ndjekin rendin kohor të natës, mëngjezit, mesditës, mrëmjes

dhe natës përsëri.

Kombet qëndrojnë në këmbë dhe e kanë ditën e tyre në pavionin e Katër Erërave.

Yjet e qiellit të natës i vëzhgojnë ata në fillimin e tyre, kur kapiten, kur shuhen,  

veniten përpara atyre që posa kanë mbërritur, përpara heshtjes, përpara boshësisë së pavioneve.

Kombet lënë flamurët, sloganët, alfabetët, numrat, veglat e punës, rrëfenjat gjithë zjarr që flasin për ekzistencën e tyre; Kombet lënë kujtesën e grirë nga mola, dorëshkrimet, ditaret.

 

Dhe kështu, në pavionin e katër erërave

Erdhi në dritë edhe foshnja e vogël të cilën ata e thërritën Amerikë,

Amerika pinte gji, sfilitej, mundohej, qeshte dhe rritej.

Amerika e filloi jetën e saj njëlloj si foshnja.

Republika e re e vogël në fillim ishte në pelena,

Pastaj veshi një këmishë fëmije, me përpjekjet e saj për të bashkuar eshtrat.

                Dhe kush mund të lexojë qarkun e hënës të saj tani ?

                Dhe kush do t'i tregojë  së pari sekretet e

kripës dhe gjakut të saj ?

 

.....

Po, ka pasur një ndërkohë,

                Diçka ndodhi, gjithmonë diçka ndodh.

Historia është një kalë i gjallë që qesh me një kalë prej druri.

Historia është era që fryn atje ku dëgjohet.

Historia nuk të lejon që të vësh baste.

Historia është një kuti mashtrimesh që i ka humbur çelësi.

Historia është një labirint dyersh me pasqyra rrëshqitëse, një libër shifrash me

                kodin e fshehur në një shpellë në detin e Saragozës,

Historia thotë, duke u lutur, Falmëni mua, Unë ju kërkojë ndjesë, unë kurrë më

                nuk do të përsëris veten nëse unë do ta ndihmoj atë.

 

Po, ka pasur një ndërkohë,

Kur fantazmat lanin këmishët e tyre të bardha

Përsëri e përsëri në kovat e gjakut-

Dhe fantazma më e pikëlluar prej të gjithave qëndronte në këmbë në Gettysburg 6)

Duke u përpjekur që të ndante atë që duhej bërë nga ajo që s'duhej duke e lënë

të shumtën të pathënë, nëpër ajër.

 

----------

6)      Beteja e Gettysburg-ut, një nga më të shënuarat gjatë Luftës Civile,

      e cila u zhvillua më 1-3 Korrikun e vitit 1863. Më 19 Nëntorin e 1863,

      kjo fushë-beteje u nderua  prej Presidentit Linkoln si varrezë nacionale.

      Atë ditë Linkolni në Gettysburg mbajti një fjalim të shkurtër disa minuta,

      që mbeti i përjetësuar.

........

         

 

 

14

 

 

 

Tani është Xhaxha Sami 7) duke u ulur në kulmin e rruzullit.

Jo shumë kohë më parë në kulmin e botës ishte Xhon Bull 8) dhe, pak më herët, ishte            

 Napoleoni dhe shqiponjat e Francës që i tregonin botës nga të nisej.

Spanja, Roma, Greqia, Persia, me topat e tyre, heshtat,

katapultat, anijet, e kanë pasur rradhën e tyre për të

udhëhequr qytetërimet e kësaj toke -

Një nga një ata e kanë hequr qafe njëri-tjetrin, ia kanë zënë vendin njëri-tjetrit, e kanë

mashtruar dhe lënë prapa njëri-tjetrin; ata vdiqën, humbën ose mbetën si relike, kjo s'është fort mirë, s'është fort mirë.

Njëri pas tjetrit, ata nuk janë më në kulmin e rruzullit tani i Ardhuri

i Ri është Xhaxha Sami, është Amerika, andaj kënga thotë, "Yjet dhe

vijat përgjithmonë!", edhe sikur kjo "përgjithmonë" do të jetë një

kohë e gjatë...

---------

7)      Uncle Sam, Xhaxha Sami, simbolizon SHBA

8)      John Bull, simbolizon Britaninë e Madhe, sepse është krijuesi i Hymnit Kombëtar               

15

 

Tek Zoti ne besojmë; kështu është shkruar.

"Tek Zoti ne besojmë" është shkruar edhe në çdo dollar të argjendtë.

Fakt: është se Zoti i Gjithfuqishëm na ka krijuar që të gjithëve.

Ne është ju dhe unë dhe të gjithë ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe të besosh Zotin do të thotë se ne i flijohemi,

të gjithë ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Zotit, të Madhit Zot.

Po...ndoshta... a është kështu ?

 

.......

 

18

 

Dhe ne, ne populli,

Ne të cilët, natyrisht, nuk jemi somnambul, jerm

Ndoshta ne mund të murmurisim

Ndoshta ndërsa pilotët shkasin në palltot e tyre të lëkurta,

Duke rrezikuar, me kohën që skadon përpara, dhe që i ngjan kafkës

të kryqëzuar me kocka, që do të thotë rrezik-vdekje,

Duke kalëruar me thasët e postës mbi shpinë përmes portokalleve gjatë lulëzimit,         

shkretëtirave të kaktusit, Maleve Shkëmbore, Rrafshinave të Mëdhaja, Lumit Misisipi, atje ku mbillet dhe korret misri, Maleve Apalashe,

Kalëruar me thasët e postës mbi shpinë, duke mbërthyer me mish e shpirt timonin

nëpër sulmet me luftëthirrjen kalimtare, "Fat të Bardhë dhe Zoti ju bekoftë,"

Ndoshta, ndërsa ata kalërojnë dhe rrezikojnë nëpër rrugëtimin drejt qiellit përtejkontinental,

                ndoshta ne mund të përshëndesim duke murmuritur

                                Mirëmëngjez, Amerikë,

                                Mirëmëngjez, Zotëria Kush, Cili, Çfarë,

                                Mirëmëngjez, le të themi që të gjithë ne,

                                emrat tanë të vërtetë.

                                Mirëmëngjez Zotëri Dikushi, Askushi,

                                Kurrëkushi-që është Kurrëkushi krejt.

                                Mirëmëngjez, ju Larvat në Pluhur, Shqiponjat

                                në fluturim, dhe ju Pushtuesit e Kulmit të

                                Qiellit.

 

19

 

Ju i keni dhënë puthjen e lamtumirës një shekulli, një albumi të vogël të paçmueshëm.

Ju keni për t'i dhënë puthjen e lamtumirës dhjetë, njëzetë shekujve që do të vijnë. Ah ! ju

                keni për të pasur kaq shumë albume !

Nëna juaj, Amerika ka punuar dhe ka mbledhur të korrat, frytet e gjeneratave

Përtej kaskadës, vijnë të korrat e reja, gjenerata të reja të zhurmëshme,

                të ardhur të rinj, që thërrasin, "Ja ku na keni ! Ne i përkasim Amerikës !

                Shikona ne !"

MIRËMËNGJEZ, AMERIKË !

 

.......

                                                                           E shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

 

Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Portret - Xhoe Bajden misionar i pavarësisë së Kosovës (05.21.2009)
Mesazhet e Bajdenit (05.20.2009)
Shkupi ngurron edhe më tej të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën (05.19.2009)
Shënim: SHBA kërkon një fillim të ri diplomatik në Ballkan    Nga Adam Tanner (05.18.2009)
Xhejms Huper: Bajdeni do të jetë njeriu kryesor për Balkanin (05.16.2009)
Zyrtari amerikan: SHBA po e rikthejnë vëmendjen te BallkaniNë vend të editorialit (05.16.2009)
Daniel Server: Vizita e Bajdenit është riafirmim i mbështetjes së pavarësisë (05.14.2009)
Struktura paralele barrë si për Kosovën ashtu edhe për Beogradin (05.14.2009)
Bën betimin presidenti i ri maqedonas (05.13.2009)
Zgjedhjet e zhvilluara mirë do t'i tregojnë Europës dhe SHBA-ve se Shqipëria po vazhdon të ecë në rrugë të mbarë dhe se demokracia juaj është e fortëNga Eliot ENGEL (05.12.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]