VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - EsseHAVELI, IKONA E LIDERIT ME INTEGRITETI I LE ZHVESHUR POLITIKANËT PA INTEGRITET SHQIPTARËNga ELIDA BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Martë, 03.19.2024, 09:20am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

Esse

HAVELI, IKONA E LIDERIT ME INTEGRITETI I LE ZHVESHUR POLITIKANËT PA INTEGRITET SHQIPTARË

Nga ELIDA BUÇPAPAJ


E Djelë, 12.25.2011, 10:28am (GMT+1)

Vaclav Haveli vdiq pas një sëmundjeje të gjatë të mushkërive, shkaktuar nga një duhanpirje kronike, si një "chain smoker", që do të thotë t'i ndezësh cigaret njëra me tjetrën, ta ndezësh cigaren që vjen pas pa e shuar ende cigaren që ia ke thithur nikotinën deri në fund, ashtu si kolegu i tij Ibrahim Rugova. Të dy, duket, e patën cigaren si një shok që nuk i la kurrë në vetmi dhe mendimet e meditimet i ndanë bashkë.

Njeri i vuajtjeve, i sakrificave, përfaqësues i elitës europiane, i burgosur nga regjimi komunist i vendit të tij nën thundrën e pushtimit sovjetik, antikonformist, antikomunist, asnjëherë nuk bëri koncension me regjimin totalitar në shkëmbim të rehatisë personale, Havel nuk u bë informator i shërbimit të fshehtë të Çekosllovakisë si pseudoelita e Tiranës që vazhdon të na shesë dëngla nga pozicioni "ex catedra" kur do të duhej më mirë që t'i hiqeshin nga sytë opinionit publik, sepse janë të neveritshëm, herë si puthadorë të Enverit, herë si lakej të Ramiz Alisë, e tani si ashikë të rrejshëm të demokracisë, sepse në fakt nuk janë të tillë dhe nuk kanë qenë kurrnjiherë, veçse kanë përfituar në diktaturë të mbrojtur prej sistemit antinjerëzor dhe në postdiktaturë të mbrojtur nga klasa e politikanëve pa integritet, ku asnjë prej të cilëve nuk mund të krahasohet me Vaclav Havelin.

Vaclav Haveli nuk ishte as 8 vjeç kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore dhe kur Europa u nda në dy sisteme nga Lufta e Ftohtë e Perdja e Hekurt e vendi i tij, ashtu si Shqipëria, do të katandisej satelit i BRSS-së dhe fati i tij lodër në duart e regjimit komunist, që nuk e lejoi të frekuntojë rregullisht shkollën, ashtu si i qindra mijë fëmijëve që do të mbeteshin fare pa fat këtej në Shqipëri, pas vendosjes të komunizmit.

Vinte nga një familje e pasur, fakt të cilin çinovnikët e shtetit të tij do ta shpërdornin edhe në grahmat e fundit të regjimit, atë herë kur për ta binin "zilet e fundit", siç kujton ish-sekretarja e shtetit amerikane Madeleine Albright kur: "Më 24 nëntor 1989: Sheshi i mirënjohur i Pragës Wenceslas, u mbush me demonstrues duke brohoritur parulla dhe valëzuar shenja që lexojnë "Posledni Zvoneni," "zilja e fundit". Aktivistët tundin çelësat në xhepat e tyre, duke imituar tingujt e një zileje tingëlluese për të shënuar fundin e katër dekadave të sundimit komunist."

Në prag të theqafjes së tyre, kur Vaclav Havelin e burgosnin për herë të fundit, çinovnikët e regjimit përhapnin helmin e fundit të propagandës të tyre çnjerëzore se "familja e Havelit kishte bashkëpunuar si kuislinge me nazizmin". Këtë e bënin në vitin 1989, por jo sot në dritë të diellit, ashtu si po vepron Arben Puto, historiani më famëkeq i Enver Hoxhës, kunati i Manush Myftiut, xhelatit të inteligjencies shqiptare, duke akuzuar "Fishtën dhe Konicën si kuislingë dhe bashkëpunëtorë të fashizmit italian" !

Populli çekosllovak ua dha përgjigjen e merituar çinovnikëve komunistë duke e përmbysur sistemin dhe duke e kthyer Vaclav Havelin nga liderin e tyre shpirtëror në liderin e tyre politik, ndërsa në Shqipëri populli shqiptar vazhdon të jetojë në tunelin e manipulimeve të historisë nga pseudoelita posttotalitariste, e cila me ndonjë retushim të vogël është pseudoelita e superstrukturës së regjimit totalitarist, diçka e papranushme dhe e patolerueshme për një vend sot anëtar të NATO-s, e cila nuk bën gjë tjetër veç vazhdon shplarjen e trurit të popullit shqiptar përmes spekulimeve dhe duke fshehur të vërtetën.

Në Shqipëri, edhe sot, dy dekada pas rrëzimit të sistemit totalitarist, ekziston një shtet paralel që drejtohet nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit që vazhdon t'i torturojë dhe persekutojë viktimat e diktaturës dhe të gjithë ata politikanë apo intelektualë me integritet që u përfshinë në proceset demokratike, vazhdon t"˜i ekskomunikojë me mënyrat më perfide, sidomos përmes "brain drain" - largimit të trurit, kapitalit njerëzor nga Shqipëria, atij më të aftit për ta mbajtur sa më larg politikës. Censusi më i fundit tregon për këtë plagë dhe është akuzë për klasën politike.

Po të hapësh faqet e shtypit të Tiranës do të lexosh se si ish-eksponentë të nomenklaturës sot qahen se kanë qenë viktima të diktaturës, ndërsa tallen me krimet dhe viktimat e vërteta të regjimit totalitarist dhe të gjitha këto bien në vesh të shurdhër sikur në Shqipëri të mungojnë shqisat dhe ndërgjegjia kombëtare.

Vaclav Havel do të sillte erën e re përmbysëse jo me dhunë por me Revolucionin Kadife, jo me hakmarrje por duke iu falur "dashurisë dhe të vërtetës". Jo duke u shndërruar brenda natës në lider, por si vijues i rrugës së tij, si njëri prej bashkautorëve të Charta 77, ku që më 1976 i kërkohej qeverisë komuniste të respektonte traktatet ndërkombëtare për të drejtat civile të cilat i kishte nënshkruar vetë ajo. Nënshkruesit e Charta 77 e pësuan prej kësaj dhe Haveli u dënua me 3 vjet e gjysmë burg, nga ku shkruan "Letra Ollgës", ku parashtronte në mënyrë të përditëshme teoritë e tij politike, filozofike e estetike në letërkëmbimin me gruan e tij të dashur Ollgën.

Ndërsa në Shqipëri këta njëzet vjet tranzicion Havelizmi as nuk ekzistoi dhe u pëmbys edhe shpresa, sepse parulla "bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës" u përdor për të ricikluar politikanët dhe pseudofigura publike të tipit të Fehmi Avdiut të cilët ka 20 vjet që kanë pushtuar jetën politike dhe publike të Shqipërisë, duke prodhuar një model dhe një shembull shumë të keq për Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e trojet e tjera shqiptare të cilat sot janë pjesë e shteteve të Europës Juglindore.

Personaliteti i Vaclav Haveli në jetën e tij nuk pësoi metamorfozë, nuk u konvertua, personaliteti i Vaclav Havelit nuk kishte "dvojnikun", -"binjakun, nuk kishte Haveli jetë paralele, një jetë private me familjen dhe një tjetër me regjimin, një jetë të fshehur private të ashtuquajtur disidente dhe një jetë tjetër publike. Vaclav Haveli ishte një, disidenti i përhershëm në regjimin autoritar, i burgosur, intelektuali rebel antikomunist, shkrimtari antikonformist që me veprën e tij mbajti syçelë popullin e tij.

Në Shqipëri ne nuk patëm Havelë. Ismail Kadare është një fenomen sui generis, shkrimtari që u personifikua me identitetin kulturor të kombit, i cili në veprën e tij nuk e pranoi dogmën komuniste dhe pa të cilin ne do të ishim mjeranë. Kadare do të luante një rol vendimtar më 25 tetorin e vitit 1990 dhe do të jetë shumë konstruktiv gjatë postdiktaturës por pa fuqi tek politika.

Tani të merr gazi kur sheh ish-përfaqësues të elitës komuniste të marrin rolin e përmbysësave të regjimit diktatorial, kur në fakt ishin vetëm tastiera dhe instrumenta në duart e nomenklaturës përbërë prej dallkaukëve më të mëdhenj të historisë shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk dëshmoi asnjë shenjë disidence, sepse ata kishin frikë pasi sistemi totalitarist në Shqipëri ishte më i egri, më hakmarrësi, më gjakpirësi, më krimineli, sepse sistemi totalitarist në Shqipëri kreu genocid ndaj popullit të vet dhe elitës.

Kishin frikë dhe rrinin me gojëmbyllur, ndërkohë gëzonin të gjitha privilegjet si krahu i djathtë i sistemit, por sot përse vazhdojnë të kamuflohen, të konformohen dhe të bëjnë indiferentët, dhe për më tepër e ku e gjejnë atë kurajo civile të marrin skeptrin e liderëve të elitës demokratike. Mjaft me kllounë dhe kllouniada. Mjaft me xhonglerë dhe dordolecë. Sepse jeni e kundërta e Vaclav Havelit, antiteza e Vaclav Havelit. Dhe ajo që ju bën të dukeni më mjeranë është se kohën e lirisë, në vend që ta përdornit për të medituar e ndryshuar, e përdorët me stilin e vjetër. Pra mbetët me dy apo me tre, katër a pesë fytyra, me dy, tre, katër apo pa shpirt fare. Mjerë ju.

Vaclav Havel ishte fryma rilindëse e politikanit të ri të Europës Perëndimore tashmë të plakur dhe të dembelosur nga koniunkturat, e cila kishte bërë gjumin letargjik ndërsa MiIlosheviçi e ktheu në kasaphanë ish-Jugosllavinë. Ndarja paqësore e Çekosllovakisë dhe mbështetja që i bëri ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë flet qartë për dimensionet e liderit humanist. Le të mendojmë një çast, sikur ish-Jugollavia në vend të Milosheviçit të kishte patur Vaclav Havelin, apo liderët e Ballkanit të kishin patur si model Havelin. Me liderin çek mund të krahasohet vetëm Rugova, por Ibrahim Rugova mbeti i izoluar nga klasa politike shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Mendoni se prej 1997 nuk e shkeli Shqipërinë për vite të tëra kur Rruga e Kombit ishte një projekt i ëndërrave dhe idealeve të tij!

Vaclav Haveli ishte si do të duhej të qe fytyra e politikanit pro-SHBA dhe pro-Perëndimit e vlerave e parimeve të tij, pro-NATO-s dhe pro-BE-së, pra fytyra pa mëdyshje, pa dilema sepse ishte politikani pa dritë-hije, pa hipoteka, pa skeletë nëpër dollapë, nuk ishte spiun i KGB-së, nuk ishte informator i regjimit kukull në Çekosllovaki, nuk ishte anëtar i partisë komuniste, ishte inletektual, ishte dramaturg, ishte elitë, ishte ai që ishte, i burgosur i ndërgjegjes, shkrimtar, filozof i lirisë, ishte Vaclav Havel, qytetar i Europës dhe Botës e luftëtar i paepur i të drejtave të njeriut, krejt ndryshe nga klasa politikane dhe pseudoelita shqiptare, ku lufta e klasave dhe terrori i kuq ishte i përmasave të tilla monstruoze, depersonalizuese, shkombëtarizuese, antishqiptare.

Nuk ishte naiv Haveli, ishte strateg i lirisë, nuk ishte pragmatist vulgar si klasa e politikanëve të Shqipërisë, por ishte ikonë e vlerave dhe politikanit me integritet të mileniumit të ri. Nuk ishte demagog Haveli që të llapte si megafon i prishur, por ishte njeri i ideve dhe veprave, atë që thoshte e bënte, jo më kot Çekia u anëtarësua nga vendet e para të Europës të ish-Bllokut Komunist në NATO dhe BE.

Haveli filozof synonte rrëzimin e sistemit totalitarist sepse komunizmin e konsideronte manipulim ndaj qenies njerëzore, ndërsa në Shqipëri ne shohim se manipulimet vazhdojnë, ne shohim se historia dhe e vërteta vazhdon të mbetet peng i manipulimeve, se të vërtetat vazhdojnë të mbeten peng i klaneve. Ose duhet të jesh pjesë e oborrit, klanit, të bëhesh violinë, duarrrahës, dajrexhi apo daullxhi, ose klani të përndjek si të jetë Ku Klux Klani në kohët e tij më të lulëzuara, pra të kthen në kokë negri dhe nuk të le vend që të ulesh as në autobusin që ai e ka bërë pronën e tij këta njëzet vjet marrëzi të tranzicionit barbar.

Vaclav Haveli mbeti ikona e liderit dhe intelektualit me integritet i cili me jetën e tij dhe me veprën e tij tregon se gjithnjë ka mundësi, gjithnjë ka mënyra dhe gjithnjë ia vlen, sepse " shpresa është besimi se liria dhe drejtësia kanë kuptim ... dhe se liria është gjithmonë vlerë për të cilën ia vlen të luftosh".

Lirinë dhe dashurinë Haveli i kishte arsyet dhe moto të jetës së tij prej shkrimtari, disidenti, intelektuali të burgosur, filozofi, politikani dhe lideri humanist i tranzicionit paqësor dhe i shtetit anëtar të NATO-s dhe BE-së: "E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë ndaj gënjeshtrave dhe urrejtjes".

Ndërsa në Shqipëri shohim për çdo ditë se si triumfojnë rrenat dhe gënjeshtrat dhe se si dashuria e morali është kthyer në mall pa asnjë vlerë.. « Dje ishit të armatosur me frikën, po sot përse jeni totalisht të çarmatosur nga brerja e ndërgjegjes dhe për këta njëzet vjet vazhdoni t'ingrini piedestal antimoralit, gënjeshtrës dhe antivlerës ? » do t'i pyeste klasën politike dhe pseudoelitën sot Haveli.

Vaclav Haveli ishte ikona e gjallë e liderit me integritet, të ndershëm, humanist i cili nuk i mashtroi dhe përdori për hesape personale miqtë, përkrahësit dhe popullin e tij. Ai u mbështet tek ata dhe ata e besuan dhe e mbështetën atë, besim reciprok, mbështetje reciproke, pa zhgënjime, tradhëtira, pabesi, stërkëmbsha, jetë të disafishtë, personalitet të dyjëzuar, paskuinta, intriga ballkanike, indiferencë, shtrydhje si limon të mikut, shpërdorim të përkrahësit apo venien në përdorim të kriptostalinizmave, çka kemi njëzetë vjet që e shohim në skenën politike të Tiranës - që tashmë janë bërë kaq demode paçka se vishen me kostumet dhe fustanët e Armanit, Valentinos, Cavallit apo Hugo Bossit.

Tani që Vaclav Haveli iku, ne jemi më të varfër se kurrë, sepse sot ndërgjegjes të Europës dhe botës së përgjakur nga revolucionet arabe i duhet më shumë se kurrë heroi i "Charta77", i cili e gjunjëzoi pushtetin me demonstrata paqësore dhe tekste të përhapura në mënyrë klandestine të cilat himnizonin revolucionin e padhunshëm, ku përfshihej edhe esseja e tij më famshme, e përkthyer në të gjitha gjuhët e botës e titulluar, "Pushteti i të papushtetshmëve", ku oqeani paqësor i popujve i kthen në dordolecë diktatorët.

Vaclav Haveli, ikona e liderit me integritet, disidenti, i burgosuri, i persekutuari që në fëmijëri, që i provoi hekurat çnjerëzore të regjimit totalitar në të gjitha format e represionit e persekutimit, nuk e pranoi kurrë rolin e viktimës apo të konformizmit me të keqen dhe tek liria dhe demokracia pa arsyen për të jetuar e luftuar antiarsyen e regjimeve totalitariste.

Pasuesi i tij Vaclav Klaus me sy të errësuar nga xhelozia nuk e kuptoi asnjëherë Vaclav Havelin, sepse në fakt figura e dritëshme e Havelit e ka lënë atë vazhdimisht në hije, paçka se është i veshur me pushtet. Figura e dritëshme e Vaclav Havelit i le në hije klasën politike në Shqipëri. Ky është çmimi që paguan gjithësecili kur shansi i jepet në dorë. Lum kush e përdor pushtetin dhe këtë shans në mënyrë qytetare dhe humaniste për të mirën e shoqërisë dhe vlerave.

Vaclav Haveli u largua e na la si në titullin e dramës së tij tij fundit "Leaving"-"Largimi ", ndërkohë jeta dhe vepra e Vaclav Havelit të krijon shpresë dhe optimizëm sepse ai iu mbijetoi me dinjitet të gjitha vuajtjeve, furtunave e privimeve të një regjimi antinjerëzor, produkt i sistemit totalitarist duke arritur tek qëllimet e tij të mëdha që ishin liria dhe demokracia, për ta ndryshuar vendin e tij: "Shpresa është një ndjesi se jeta dhe puna kanë kuptim."

Autoportretin e tij Haveli e kishte përkufizuar me disa rreshta: "Unë vërtet i përkas një sistemi ku fjalët janë në gjendje ta tundin krejt strukturën e një qeverie, ku fjalët mund të tregohen më të fuqishme se dhjetë divizione ushtarake."

Amanetin e Vaclav Havelit e kam zbuluar tek njëri prej deduksioneve të tij filozofike se "Shpëtimi i kësaj bote njerëzore nuk ndodhet tjetërkund veçse në zemrën njerëzore, në fuqinë njerëzore për të reflektuar, në butësinë njerëzore dhe në përgjegjshmërinë njerëzore."

Ndërsa në jetën time si gazetare gjithnjë i kam dhënë të drejtë Havelit kur thoshte se "Ka gjithmonë diçka dyshuese kur një intelektual merr anën e fituesve", dhe se "Kur së vërtetës nuk i jepet liria e plotë, liria nuk është e plotë." Prandaj nuk rresht së kërkuari të vërtetën.

Kjo Esse është e përfshirë në librin e Elida Buçpapajt "Tirania e Tranzicionit", Botim i ONUFRIT, 2013

©

 

ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VACLAV HAVEL: HEROI I LIRISË"E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’ --Vaclav HavelNga FRANK SHKRELI  (12.22.2011)
BAROMETRI DIPLOMATIKVERIU I KOSOVËS NUK ËSHTË "TERRA NULLIUS"!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (12.22.2011)
KA ARDHUR KOHA E RADIKALIZIMIT TË ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI, ish deputet në parlamentin e Malit të Zi (12.21.2011)
EDHE UNË JAM SHQIPTARNga VACLAV HAVEL (12.20.2011)
VACLAV HAVEL, PRESIDENTI PARIMORNga MADELEINE ALBRIGHT, Washington Post (12.20.2011)
VOTA E EMIGRANTËVE SHQIPTARË - E PAMERITUARNga ARTUR VREKAJ (12.18.2011)
KUJDES NGA "NDIHMAT HUMANITARE" RUSENga FRANK SHKRELI (12.18.2011)
OPORTUNIZMI I INTELEKTUALËVE DHE POLITIKANga XHELAL ZEJNELI (12.18.2011)
LËVIZJA E DHJETORIT ME MANIPULATORË DHE PLOT KONTRAVERSITETPluralizmi qe solli Dhjetori 1990, data më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisëNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.15.2011)
KA DOKUMENTUAR RACIZMIN ANTISHQIPTAR NË MAL TË ZI DHE SHTYPJEN E SHQIPTARËVEFjala në promovimin e librit të Xheladin Zenelit "Diaspora dhe Vendlindja"Nga SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI (12.15.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]