E Hënë, 04.29.2024, 02:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

KUNDËRREVOLUCIONI EGJIPTIAN

Nga SHABAN MURATI


E Martë, 06.19.2012, 06:27am (GMT+1)

Jo gjithmonë e kanë fituar bastin ata, që besojnë se regjimet autokratike rrëzohen vetëm me kutinë e votimit. Maksima e vjetër politike se revolucionet janë të lehta të fitohen, por janë shumë të vështira të mbahen, po provohet me një qartësi të dhimbshme në Egjipt, vendi më i madh dhe më i rëndësishëm i Lindjes së Mesme, që ishte lokomotiva e revolucioneve demokratike, që shpërthyen vitin e kaluar në Lindjen e Mesme, duke fshirë nga pushteti një koleksion udhëheqësish klasikë autokratë dhe diktatorë. Më 14 qershor Gjykata Kushtetuese e Egjiptit vendosi shpërndarjen e parlamentit të ri të zgjedhur në janar të këtij viti, që është parlamenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, pas zgjedhjeve të para të lira dhe demokratike në 60 vjet sundimi të regjimeve ushtarake në atë vend. Në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike çoi revolucioni demokratik dhe popullor i vitit të kaluar, i cili dëboi nga pushteti presidentin autokrat Hosni Mubarak dhe imponoi një faqe të re në historinë politike dhe parlamentare të Egjiptit dhe të rajonit. Por Gjykata Kushtetuese, me një karton të sajin e fshiu votimin dhe vullnetin e popullit të shprehur në kutitë e votimit, ndonëse ajo nuk ka autoritetin të shpërndajë parlamentin.

Gjykata shfuqizoi edhe ligjin e miratuar nga parlamenti i ri demokratik egjiptian në muajin prill, sipas të cilit zyrtarët e lartë të regjimit të ish-diktatorit Mubarak, nuk lejohet të marrin pjesë në funksione shtetërore dhe në jetën politike. Në këtë mënyrë ajo ligjëroi që një nga kandidatët për president, i cili ishte kryeministri i fundit i regjimit autokratik shtypës, të marrë pjesë në zgjedhjet e balotazhit presidencial, duke i dhënë mundësinë të vijë prapë në drejtimin e pushtetit. Kjo të përfytyron një situatë, sikur në Shqipëri të lejohej tani të vinte prapë në krye të qeverisë ish-kryeministri i regjimit komunist Mehmet Shehu, Adil Çarçani, apo ndonjë kryeministër tjetër i fundit i regjimit komunist. Sepse nuk ka ndodhur në asnjë shtet tjetër ish-komunist të Europës Lindore, që kryeministri i fundit i regjimit të rrëzuar komunist të vijë prapë në pushtet dhe të lejohet të drejtojë qeverinë. Popujt vërtet të civilizuar i marrin të gjitha masat që të mos lejojnë restaurimet e kryeministrave dhe të regjimeve shtypëse të përmbysura.

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, forcat ushtarake vazhduan zbatimin e skenarit të restaurimit të regjimit të vjetër, duke rrethuar me trupa parlamentin dhe duke mos lejuar asnjë nga deputetët e zgjedhur demokratikisht të hyjnë në të, dhe duke dislokuar 200 mijë forca policore dhe 200 mijë forca ushtarake në kryeqytet, për të shtypur protestat e një zemërimi të pritshëm të masave popullore. Ligji ushtarak, i hequr nga revolucioni popullor, u rifut në fuqi, dhe policia kriminale dhe ajo ushtarake rimorën fuqi të pakufizuara që të arrestojnë pa mandat civilët, që "prishin rendin apo trafikun".

Kemi karakteristikat klasike të një grushti shteti ushtarak, por me ndryshimin se këtë grusht shteti po e realizojnë në publik anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë të gjithë të emëruar nga ish-presidenti autokrat Mubarak dhe kanë qenë pjesë e regjimit të tij. Me shpërndarjen e parlamentit, Egjipti ka mbetur pa pushtet legjislativ, dhe këtë pushtet tani e ka marrë junta ushtarake e gjeneralëve, e cila quhet Këshilli Suprem Ushtarak, dhe që përfshin komandantët e forcave të armatosura egjiptiane, të cilët janë gjithashtu që të gjithë të emëruar nga ish-presidenti i rrëzuar Mubarak. Këshilli Suprem Ushtarak mori autoritetin legjislativ, ndonëse nuk ka asnjë ligj apo legjislacion apo Kushtetutë, që t'ia akordojë këtë kompetencë këtij Këshilli. Egjipti është pa Kushtetutë dhe parlamenti i ri demokratik kishte ngritur edhe një asamble përfaqësuesish për të hartuar Kushtetutën. Vendi është pra pa parlament dhe pa Kushtetutë. Me një fjalë, junta ushtarake ka aktualisht pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, duket zhvleftësuar me aktin e grushtit të shtetit "juridik", gjithë sakrificat e mëdha të revolucionit 18-mujor egjiptian, që përmbysi Mubarakun, dhe ku u vranë me qindra të rinj e të reja në kërkim të lirisë, demokracisë dhe shporrjes së pushtetit të diktatorit.

Grushti i shtetit i juntës ushtarake, të përbërë nga gjeneralë të ish-presidentit Mubarak, mishëron qëllimin që të vazhdojë pushteti i të njëjtit regjim ushtarak, tani pa Mubarakun. Jo rastësisht ky hap u ndërmor në prag të dy ngjarjeve. E para është balotazhi i zgjedhjeve presidenciale i datave 16-17 qershor, dhe ku marrin pjesë kandidati i "Vëllazërisë Myslimane" dhe kandidati i regjimit të vjetër. Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli Suprem Ushtarak i hapën dritën jeshile pjesëmarrjes në garë të kryeministrit të fundit të regjimit të përmbysur, Ahmed Shafik, dhe afishuan kështu mbështetjen e tyre për të. Ahmed Shafik është gjithashtu gjeneral dhe ish-komandant i forcave ajrore të Egjiptit, dhe kryeministri i zgjedhur nga Mubaraku për të shpëtuar pushtetin e vet, kur shpërtheu revolta popullore demokratike në fillim të vitit të kaluar. Ngjarja tjetër është data 30 qershor, kufiri kohor kur Këshilli Suprem Ushtarak kishte premtuar se do t'i kalonte pushtetin një qeverie civile. Por tani duket e qartë se junta ushtarake, jo vetëm nuk ka ndërmend të lëshojë pushtetin, por po e rimerr atë me hapa të karakterit ushtarak dhe policor, siç është shpërndarja e parlamentit.

Kundërrevolucioni egjiptian nisi kështu startin e tij publik dhe situata e re po krijon një shqetësim ndërkombëtar. Zëdhënësja e departamentit të shtetit, Viktoria Nulend, në 15 qershor shprehu shpejt qëndrimin e qeverisë amerikane, duke deklaruar se "Ne jemi të shqetësuar nga ky vendim i gjykatës, që efektivisht shkrin një parlament të zgjedhur demokratikisht". Është naive të mendohet, dhe aq më e rëndë është të justifikohen veprimet antidemokratike të juntës ushtarake me frikën se në parlamentin e ri egjiptian, të zgjedhur në mënyrë demokratike, partia e "Vëllazërisë myslimane" kishte fituar shumicën e vendeve, dhe se gjoja gjeneralët po mbrojnë karakterin sekular të shtetit. Rinia dhe masat e revoltuara egjiptiane i kanë provuar në kurriz gjatë 60 vjetëve shtypjen dhe represionin e regjimeve ushtarake dhe të gjeneralëve, të cilët nuk i ka zgjedhur populli. Revoltat popullore shpërthyen pikërisht kundër këtyre klikave ushtarake. Juntat ushtarake dhe gjeneralët e regjimeve antidemokratike nuk mundet kurrë të marrin misionin e mbrojtjes apo të garantëve të demokracisë, të lirisë dhe të të drejtave të njeriut apo të sekularizmit. Junta ushtarake po kërkon që të maskojë grushtin e saj të shtetit me etiketat e sekularizmit dhe të qetësojë perëndimin se gjoja ajo po merr masa për të parandaluar që "Vëllazëria myslimane" të marrë pushtetin në Egjipt. Por strategjia e kundërsulmit të gjeneralëve është që të ruajë vazhdimësinë e regjimit dhe të pushtetit të tyre në atë vend.

Kundërrevolucioni i juntës ushtarake pritet të ketë pasoja negative, shumë më të mëdha nga sa mund të mendohet në vështrim të parë.

Ai pritet të ketë pasoja të mëdha negative brenda në Egjipt, duke thyer dhe shuar shpresat dhe sakrificën e masave shumëmilionëshe të njerëzve të thjeshtë, që u bashkuan nën idealin e lirisë dhe të demokracisë dhe guxuan të pushtojnë rrugët dhe sheshet për përmbysjen e pushtetit të korruptuar të Hosni Mubarakut. Populli egjiptian arriti një fitore të madhe me shporrjen nga pushteti të autokratit, që kishte tejmbushur kupën e durimit popullor, dhe pas dënimit të tij, arriti fitoren tjetër të madhe me organizimin e zgjedhjeve të para të lira dhe demokratike në historinë e Egjiptit, duke hapur rrugën e një zhvillimi të ri dhe plot shpresa për liritë, parlamentarizmin dhe të drejtat e njeriut. Revolucioni demokratik dhe popullor në Egjipt bashkoi për herë të parë në atë vend shtresa dhe grupe shoqërore nga më të ndryshme, që nga vëllazëria myslimane e deri tak koalicioni i rinisë revolucionare dhe jobesimtare, që nga majtistët e laikët e deri tek komuniteti kristian, sepse të gjithë vuanin nga shtypja e regjimit ushtarak dhe të gjithë mendonin se liria dhe demokracia janë çatia e përbashkët e një shoqërie të vërtetë të lirë.

Kundërrevolucioni egjiptian është një kthim prapa dhe një goditje për gjithë situatën dhe zhvillimet demokratike dhe përparimtare në botën arabe. Egjipti, si shteti më i madh dhe më i rëndësishëm në Lindjen e Mesme, ka një ndikim të madh dhe të gjithanshëm në zhvillimet në vendet e tjera arabe. Zhvillimet negative dhe kthesat regresive mund t'i japin një nxitje politikave, regjimeve dhe forcave represive, që drejtojnë shtete të ndryshme arabe. Kjo që po ndodh në Egjipt, është një inkurajim për regjime autokratike si ai i Bashar El Asadit në Siri, i cili njëlloj si Mubaraku, po vret e gjakos mijëra e mijëra vetë në protestat dhe revoltat popullore, vetëm e vetëm për të mos lëshuar pushtetin. Ajo që po bëjnë gjeneralët egjiptianë është një nxitje për gjeneralët sirianë apo të shteteve të tjera me regjime autokratike për të mbytur me çdo mjet kërkesat dhe protestat për liri e demokraci.

Kundërrevolucioni egjiptian është një goditje ndaj vlerave dhe idealeve demokratike perëndimore dhe ndaj gjithë asaj ndihme dhe kontributi kolosal, që SHBA, BE dhe shtetet e tjera demokratike u dhanë revolucioneve arabe dhe revoltave të masave të popullit egjiptian në luftën për përmbysjen e pushtetit autokratik. Erërat e lirisë dhe të demokracisë, që u ngritën stuhishëm në shtetet arabe, që nga Libia, Tunizia, e deri në Egjipt dhe Siri, kanë qenë dhe janë një zhvillim historik i pashembullt për atë rajon dhe angazhimi i shteteve perëndimore në përkrahje të revolucioneve arabe përbën një nga kontributet më të mëdha të Perëndimit në zhvillimin demokratik botëror. Kundërrevolucioni egjiptian po tenton ta zhvleftësojë këtë kontribut historik të Perëndimit, duke bllokuar revolucionin egjiptian dhe rezultatet e tij. Kjo që po bën junta ushtarake në Egjipt, në planin gjeopolitik është në rezonancë me interesat dhe strategjinë e shteteve si Rusia dhe Kina, të cilat iu kundërvunë revoltave popullore në vendet arabe dhe dolën në përkrahje të regjimeve të satrapëve arabë.

Në të njëjtën kohë, kundërrevolucioni egjiptian duhet të shërbejë edhe si një kambanë alarmi për revolucionet e tjera demokratike, që kanë ndodhur, po ndodhin dhe pritet të ndodhin në kontinente të ndryshme, nga Europa e deri në Azi. Restaurimi i regjimeve dhe i pushteteve të përmbysura nga revolucionet demokratike është një mundësi, që nuk duhet neglizhuar. Sepse, ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga revolucionet demokratike antikomuniste në Europën Lindore, nostalgjitë dhe politikanët restaurues janë të gjallë dhe në disa raste edhe në pushtet në disa prej vendeve ish- komuniste. Kundërrevolucioni egjiptian duhet të shkundë kujtesën e forcave demokratike dhe të popujve se restaurimi është një fenomen negativ, shumë më i afërt dhe më i rrezikshëm nga sa mendohet.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PUNË TË MBARË ZOTI PRESIDENT(Urime edhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan)Nga FRANK SHKRELI  (06.17.2012)
A PO ZBATOHET "KATOVICA"Nga RESHAT KRIPA (06.15.2012)
FJALIMI QË I DHA FUND LUFTËS SË FTOHTËTHIRRJA QË NDRYSHOI BOTËN: "ZOTI GORBAÇOV, SHËMBE KËTË MUR’’Nga FRANK SHKRELI (06.14.2012)
SHQIPTARËT E MAQEDONISË, PRIORITET I ÇËSHTJES KOMBËTARENga SHABAN MURATI (06.12.2012)
NJË PËRVOJË ORGANIZIMI E KOMUNITETIT SHQIPTAR TË WORCESTER, MA TË SHBANga ARTUR VREKAJ (06.12.2012)
50 VJETORI I LIDHJES KATOLIKE SHQIPTARO-AMERIKANEFjalim nga FRANK SHKRELI* (06.11.2012)
Pesëvjetori i vizitës së Presidenti amerikan në ShqipëriXHORXH W BUSHI NË TURIN EUROPIAN HISTORIK TË KOSOVËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ, shkruar më 11 qershor 2007 (06.11.2012)
Barometri diplomatikTURP DHE NONSENS, SERBIA NË KRYE TË AP-SË SË KOMBEVE TË BASHKUARA!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (06.10.2012)
Barometri diplomatikPRESIDENT I MERITUAR I SHQIPËRISË, ISMAIL KADARE!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (06.07.2012)
MALI I ZI KUSHTËZON KOSOVËNHapja e Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë ,si kusht i realizimit të të drejtave të pakicës malazeze në shtetin e tyre fqinj!Nga XHELADIN ZENELI (06.05.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]