VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - A ka vdekur Pol Mekartni? Kërkimet ende vazhdojnë

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 04:47pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
A ka vdekur Pol Mekartni? Kërkimet ende vazhdojnë
E Enjte, 07.30.2009, 08:32am (GMT+1)

 

Për të shkruar një këngë si "Yesterday" është mirë të kesh një kafkë të rrumbullakët. Por nëqoftëse do të donim një copë më rrok, të themi Get Back, është e preferueshme që kafka të jetë më e ngushtë dhe më e gjatë. Fakti që të dyja këngët kanë të njëjtin autor të çon drejt e në zemrën e kokëçarjes, e cila prej 40 vjetësh ka një emër, bile një sigël: P.I.D. (Paul Is Dead). Poli në fjalë natyrisht që është MekKartni, i cili përveç "Yesterday" dhe "Get Back", ka shkruar dhjetëra këngë pop-rroku të suksesshme. Poli është në qendër të një prej legjendave metropolitane më kuriozë, më jetëgjata dhe më të artikuluara të çdo kohe: atë që thekson vdekjen e tij (të mbajtur të fshehtë) qysh në vjeshtën e 1966 dhe zëvendësimin me një sozi të destinuar që t'i ndiqte karrierën triumfale dhe fitimprurëse. Deri më sot, shumë sondazhe konfirmojnë se legjenda P.I.D. është ndër më të njohurat nga opinioni publik. Ndoshta nga sot sondazhe të reja mund të japin rezultate akoma më të pastra, falë zbulimeve të dy kërkuesve italianë, të cilët për të verifikuar të gjithë historinë nuk janë kufizuar që të vënë përballë gjurmë muzikore apo të bëjnë eksegjezën e një teksti, por u janë drejtuar protokolleve të ngurta që rregullojnë praktikën mjekoligjore të metodologjisë identifikuese. Gabriela Karlezi dhe Françesko Gavaceni janë një dyshe e çuditshme: ajo është anatomopatologe, kurse ai informaticien. Ajo është eksperte në njohjen cefalometrike, kurse ai i vë potencialitetet e kompjuterit në dispozicion të një disipline të lindur në mesin e Tetëqindës: kefalometrinë. Sipas fjalorit Xingareli, "kefalometria është shkenca që merret me matjet e kafkës në raport me antropologjinë dhe anatominë e krahasuar". Tani, për të identifikuar një person me siguri absolute, kemi dy prova: gjurmët e gishtave dhe ADN-në (nëqoftëse marrja e kampionëve është kryer në mënyrë korrekte, gjë që nuk ndodh gjithmonë). Në mungesë të molëzave dhe të kampionëve të ADN-së, metodologjia identifikuese i drejtohet antropometrisë dhe, në mënyrë të veçantë, kefalometrisë, e cila bazohet mbi analizën e disa pikave të caktuara. Të pranishme në fytyrën e kujtdo, të pamodifikueshme dhe të kodifikuara në Tetëqindën nga francezi Pol Broka. Cilat janë këto pika? Në terma joshkencorë mund t'i quajmë largësia midis bebeve të syrit, interseksioni midis hundës dhe harqeve vetullore, pika në të cilën baza e hundës shkëputet nga buza e sipërme, konformimi i nofullës dhe mjekrës, llapat e veshëve. Pastaj është konformimi i kafkës. Por në përgjithësi, më shumë se për pika të caktuara, anatomia topografike preferon të flasë për "rajone", pasi në harkun e pak centimetrave lëkurë mund të ketë më shumë karakteristika të dobishme për të përcaktuar ngjashmëri dhe diferenca. Megjithëse kanë një origjinë tetëqindëse, antropometria dhe kefalometria janë në bazën e biometrisë, shkencës të përdorur sot për njohjen personale nga agjencitë e inteligjencës më të sofistikuara të botës. Banga të dhënash biometrike të pafundme terroristësh dhe të kërkuarish kryqëzohen me shpejtësi dhe, në bazë algoritmesh të gjeneruara nga pikat e fytyrës, zbulojnë identitetin e vërtetë të njerëzve të kapura nga telekamerat apo të fotografuar në aeroporte. Përsa i përket Karlezi dhe Gavaceni, kryqëzojnë dijet e tyre dhe, siç ndodh nëpër telefilma, shikojnë vërtet atë që ne njerëzorët as nuk mund ta imagjinojmë. Për këtë kanë asistuar hetimet e kronikës së zezë apo të intrigës ndërkombëtare: nga përbindëshi i Firences tek atentati ndaj Gjon Palit II, nga krimi i Erikës dhe Omarit në Novi Ligure në hetimin lidhur me vdekjen e gazetares Ilaria Alpi. Çdo herë duke shtuar elementë vendimtarë si për hetimet e policisë, ashtu dhe për gjykimin e gjykatave dhe të komisioneve parlamentare hetimore. Analizat antropometrike të tyre mbi fotografi dhe filmime kanë kontribuar që të përjashtohet se ka qenë somalezi Hashi Omar Hassan ai që ka vrarë Ilaria Alpin dhe operatorin e saj Miran Horvatin në maj të 1994 në Mogadisho. Gjithmonë ata, kanë çelur një pistë të re në çështjen e përbindëshit të Firences, kur së bashku me profesor Xhovani Pieruçin, dekan i Mjekësisë Ligjore italiane, kanë demonstruar se njeriu i nxjerrë nga liqeni Trazimeno më 1985 në të vërtetë nuk ishte mjeku Françesko Narduçi, mandatar i dyshuar i vrasjeve të "përbindëshit". Vendimi që i shtyn të dy ekspertët e këtij niveli t'i kushtojnë kohë dhe inteligjencë verifikimit të P.I.D. merret një të shtunë marsi të 2006, në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Pavias. Është këtu që ka qendrën skuadra e mbledhur rreth profesor Pieruçit, titullar i katedrës së Mjekësisë Ligjore me pasionin për historinë. Dhe është këtu që po regjistrohen intervistat për një dokumentar lidhur me vdekjen e Benito Musolinit dhe të Klareta Petaçit, temë mbi të cilën Pieruçi dhe "djemtë e tij" kanë bërë zbulime sensacionale duke analizuar fotografitë e sheshit Loreto, të bëra në Milano më 29 prill 1945. Pamje të vjetra dhe dramatike të afta që të zbulojnë, falë teknikave më të fundit të analizës, veçanti të rralla dhe një dinamikë të ngjarjeve të ndryshme nga ai i pushkatimit klasik. Në praktikë: asnjë ekzekutim i dyfishtë përpara derës së damshme të Xhulino di Mecegras në orën 10 e 10 minuta të 28 prillit 1945, por dy vrasje larg nga njëra tjetra me disa orë dhe disa qindra metra. Fillimisht Musolini, ndoshta gjatë një zënke, goditet ballazi dhe papritmas, teksa është me bluze dhe pa çizme; më pas ajo, e veshur me peliçe, është kositur nga prapa. Në vijim, ai i riveshur sa më mirë dhe ajo pa peliçe dërgohen në sheshin Loreto. Atë ditë, asnjë prej fotografëve të shumtë nuk mund ta imagjinonte se çfarë do të mund të zbulonin 60 vjet më pas fotografitë e tyre. E arkivuar çështja Musolini - Petaçi, vjen për propozim për një sfidë të re: pse të mos u hidhet një sy disa fotografive të vjetra, kësaj radhe të viteve '60-të dhe të demonstrohej pabazueshmëria e një legjende metropolitane sa e përhapur, aq dhe e pabesueshme? Sfida është pranuar me gëzim dhe me një pikë vetësigurie nga Gabriela Karlezi dhe Françesko Gavaceni, sepse këtu nuk ka kufoma apo vrima plumbash për t'u analizuar. Më shumë duhen shtyrë sa më tej të jetë e mundur aftësitë e tyre për të krahasuar pamjet që të zbulohet nëse të dy fytyrat i përkasin apo jo të njëjtit njeri. Një specialitet që të dy e kishin shfaqur disa vjet më parë, kur duhej të kuptohej nëse në sheshin e Shën Pjetrit më 13 maj 1981 përkrah turkut Ali Agça që qëllonte ndaj Gjon Palit II ndodhej apo jo (dhe në realitet u zbulua se ishte) bullgari Sergei Antonov. Kryqëzimi i kefalometrisë dhe teknologjisë (që veç të tjerash lejon që të çohen në përpjestime homogjene fotografitë e të njëjtit subjekt të bëra në momente të ndryshme), ka mundësuar që të vërehet, si kurrë më parë, një seri pamjesh të Pol MekKartnit nga vitet '60-të deri më sot. Gavaceni shpjegon: "Tani është pafundësisht më e lehtë të vëresh dhe të nënvizosh gjëra të caktuara, pasi teknika e përpunimit dixhital mundëson një shpejtësi krahasimi dhe një saktësi analize jashtëzakonisht më të lartë se ato të vetëm 10 viteve më parë". Kështu. hapi i parë është të kërkohen dhe të përzgjidhen pamjet që të mund të vihen në përpjestim fotot më të mira për nga cilësia e fokusimi dhe të procedohet me matje dhe krahasime. Në fund mund të jepet vendimi, mbi të cilin në fillim as Gavaceni, as Karlezi duket se ushqejnë dyshime serioze: "Po, po, i kam thënë vetes, do të harxhojmë 2 minuta për të konkluduar se bëhet fjalë për të njëjtin njeri". "Një sy atyre që ishin në internet dukej i mjaftueshëm për ta mbyllur muhabetin: nuk dinë të operojnë me një metodologji korrekte dhe kështu që arrijnë të demonstrojnë atë që duan". Në përgjithësi, në shumë faqe ueb të dedikuar legjendës P.I.D. demonstrimi në çfarë çon?

 

Të thuash që në nëntor të 1966, MekKartni i "vërtetë" vdiq në një incident automobilistik dhe u zëvendësua nga një sozi, mëngjërash dhe muzikant si ai. Një operacion i sofistikuar (por jo në pikën sa të mos linte gjurmë), një mashtrim i nevojshëm për të mos ngecur një mekanizëm që prodhonte fitime përrallore. Aq përrallore sa t'i jepnin një frymëmarrje të gjithë ekonomisë angleze. Kështu, për shpurën e konspiratorëve, falë edhe provave të shumta që vetë Bitëllsat do të mbillnin për vite të tëra në këngët dhe në kopertinat e albumeve, e vërteta është një e vetme. Jo rastësisht, Pol MekKartni i sukseseve si solist, i tureve rekord, i fushatave vegjetariane shpesh quhet Fol. Jo Paul (Paul), por "Faul", një shkrirje fjalësh midis fake, domethënë "falls", dhe Paul. Nofka është midis pasojave të një furtune mediatike që fillon më 2 tetor të 1969 me telefonatën e një njeriu jo mirë të identifikuar të quajtur Tom (Alfred për disa burime) gjatë një transmetimi të drejtuar nga dixhej Rasëll Gib në radion WKNR të Detroitit. Tom theksonte se MekKartni kishte vdekur, se vdekja e tij ishte mbajtur e fshehtë nga Bitëllsat e tjerë dhe nga menaxhmenti i tyre, por se grupi kishte edhe vendosur që të lëshonte një seri treguesish nëpër disqe, kur akoma askush nuk kishte kuptuar gjë. Ajo telefonatë e drejtpërdrejtë i hapi rrugën një gjuetie thesari që në harkun e 40 viteve nuk duket se ka të mbaruar. "I njihnim këto histori në mënyrë sipërfaqësore, si të gjithë", thonë Karlezi dhe Gavaceni, "por sigurisht nuk ishte kjo pika jonë e nisjes. Për ne baza duhej të ishin pamjet e mira, në numër të madh dhe me një pajtueshmëri të pranueshme anatomo - antropometrike midis tyre".

 

Kërkimi kryhet në të gjithë fushën: foto të bëra përpara vitit 1966 dhe foto sigurisht të datueshme nga 1967 e këtej, si ndërsa Bitëllsat qenë akoma të bashkuar, ashtu dhe gjatë periudhës prej solisti të MekKartnit. "Nuk ka qenë e lehtë si mund të duket", kujton Gavaceni. "Për fotot e viteve të para kam vërejtur një paqartësi të përhapur lidhur me datimin, gjë që nuk verifikohet në periudhën e mëpasme. Bile disa foto të atypëratyshme kanë data të ndryshme sipas agjencive dhe fotot më të mira janë pronësi e fotografëve që nuk i dorëzojnë me shumë lehtësi". Që të mund të bëhet një krahasim midis dy periudhave të ndryshme ka qenë e nevojshme të fiksoheshin disa pika fikse, duke krahasuar pamjet më të mira të mundshme të të njëjtit subjekt dhe të realizuara në largësi të shkurtëra kohore. Si element bazë për të përcaktuar përpjestimet dhe për të mundur të procedohet në punën është sakrifikuar një aspekt i rëndësishëm në nivel identifikues: largësia midis bebeve. Në fakt, duke e zgjedhur këtë kriter si pikë pozicionimi të pamjeve, nuk është mundur të përdoret për të krahasuar fotot e ndryshme. Me fjalë të tjera, në mënyrë që gjithë pjesa tjetër të ishte në shkallë, diçka duhej të varionte. Dy pamje para 1966, të krahasuara dhe të vëna në shkallë referimi të njëjtë për t'i bërë homogjene përpjestimet, tregojnë një përkim të përsosur të pikave kyçe kryesore. Në veçanti kurba nofullore, domethënë linja që mund të hiqet në kompjuter për të përcaktuar perimetrin e poshtëm të fytyrës, të themi nga veshi në vesh duke kaluar nëpër mjekërr, zbulohet thelbësisht identik. Marzhi i gabimit është më i vogël nga 1 përqind. "Pasi që përkimi i përsosur midis dy pamjeve është praktikisht i pamundur", shpjegon Ganazzeni, "për konvencion konsiderohet i pranueshëm maksimumi 2.5 përqindëshi diferencë. Përtej këtij limiti, mospërputhja është e tillë sa të jetë e prirur për identitetin e ndryshëm midis dy subjekteve në shqyrtim. Duke parë që në këtë rast diferenca është më e vogël se 1 përqind, problemi nuk del: të dyja fotot paraqesin me siguri të njëjtin njeri". Në këtë pikë bëhej fjalë për të kërkuar foto të tjera me karakteristika të ngjashme, por më vonë "incidentit" të presupozuar. Fotografia e parë e dobishme, e bërë pas datës së "incidentit" është si të thuash një foto emblematike. Në fakt, ndodhet në brendësi të kopertinës së një disku jo vetëm të rëndësishëm për historinë e rrokut, por thelbësor edhe për zhvillimin e ndodhisë P.I.D.: Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band, dalë në qershor të 1967.

 

Prej më shumë se 8 muajsh, Bitëllsat nuk shfaqen në publik dhe tani paraqiten me një ndryshim stili dhe pamjeje, që parë nga prizmi i sotëm nuk bën gjë tjetër veçse i shton dyshimet. Efektivisht, edhe pa kefalometrinë, në të kaluarën P.I.D. ka mundur të numërojë disa anomali në gjendje që ta ushqejnë dyshimin se ndoshta diçka vërtet kishte ndodhur. Nga ana tjetër, edhe pa njohur kërkimet e Karlezi dhe Gavaceni, Glauko Kartoçi, autor i librit të vetëm italian lidhur me këtë temë, ka vërejtur se "nga njëra anë, është e padyshimtë sesi pjesa më e madhe e fakteve apo e shenjave është lehtësisht e refuzueshme, ose duket fuqimisht qesharake dhe paradoksale; nga ana tjetër, mund të pohohet se një 30 përqindësh i mirë i tyre mbeten shqetësuese dhe jo të shpjegueshme në dritën e logjikës". Vetëm tek Sgt. Pepper's janë numëruar 40 shenja të ndryshme, përfshi foton në të cilën janë përqendruar vëmendjet e Karlezi dhe të Gavaceni. Legjenda P.I.D. nuk do ta kishte pasur impaktin që ka patur, pa një sigël tjetër në pamje të parë jo më pak e errët: O.P.D. Është ajo që lexohet mbi një distinktiv kuriozë që MekKartni ka në krahun e majtë pikërisht në atë foto. Për pothuajse të gjithë, MekKartni në krye, është një zgjedhje e rastësishme, një gaxhit qesharak kanadez. Në fakt, O.P.D. qëndron për "Ontario Police Department". Sipas versionit konspirator, O.P.D. do të tregonte formulën e përdorur rëndom nga policia për të deklaruar vdekjen e një njeriu: Officially Pronounced Dead, "zyrtarisht i deklaruar i vdekur". "Në fillim kemi zgjedhur MekKartnin e Sgt. Pepper's jo sepse mendonim për domethënien e vërtetë të O.P.D., por thjesht sepse dukej një foto që bënte për rastin tonë. Sigurisht që nuk imagjinonim akoma sesa gjëra do të na ndihmonin të zbulonim", thotë Gavaceni. Ai MekKart, sigurisht i paraqitur në gjysmën e parë të 1967, shoqërohet më pas nga një foto tjetër, e ndonjë viti më vonë, e bërë midis 1971 dhe 1972. Objektivi ishte ai që të përsëritej operacioni i krahasimit i bërë tashmë me pamjet e fillimit të viteve '60-të dhe më pas të procedohej me shqyrtimin e krahasuar të të dhënave të dala nga dy grupet e fotove. Edhe në këtë rast, midis dy pamjeve të reja ka një përputhshmëri të mirë. Kështu që nuk mbetej vetëm të krahasoheshin të dhënat e incidentit të supozuar dhe ato të mëvonshme. "Surpriza ka qenë e madhe", thotë akoma Gavaceni: "Kurba nofullore midis dy grupeve të fotove paraqiste një mospërputhje prej mbi 6 përqnidësh, shumë mbi pragun e gabimit. Por kishte dhe më. Ndryshonte pikërisht zhvillimi i profilit nofullor: përpara vitit 1966 çdo anë e nofullës është e përbërë nga dy kurba të prera; nga viti 1967 duket se janë bashkuar në një të vetme. Domethënë kemi një kurbë morfologjike të ndryshme". Dhe surprizat nuk përfundojnë këtu, sepse i palodhshmi Gavaceni, si një boksier që ndjen erë nokauti për kundërshtarin nuk e lëshon prenë mbi ato fotografi në të cilat MekKartni, i pavetëdijshëm, paraqet një qeshje paksa ngurruese: "Me sy të lirë vërehet ajo që do të jetë një konstante në fotografi nga ai moment e më tej, disa rregullime fotografike mjaft të dukshme për një sy eksperti. Ka një zonë hijeje që mbulon këndin e jashtëm të syrit të majtë. Vetëm pas disa kohe nuk shikohet më dhe duke shkuar e rrëmuar në këtë pikë, kur për vite ka qenë një njollë e errët, tani vërehet një rrugë e mesme midis një çikatriçeje dhe shenjës së lëkurës të tërhequr si për një rregullim estetik. Shpjegimi më i menjëhershëm është se ka mundësi, qysh në vitet '60-të, është bërë një operacion për të ndërhyrë tek sytë, por që ka mbetur diçka jo e përsosur, që për shumë kohë është dashur të maskohet". Pastaj është dhe një detaj që ka të bëjë me konformimin e kafkës: "Bile përshtypja është se forma e kokës është bërë një çikë më shumë e rrumbullakët", thotë Gavaceni. "Këshu, e reduktuar në gjatësinë efektive, nëpërmjet një eskamotazhi në përdorim në atë kohë dhe që realizohej në fazë shtypi". Të modifikosh praktikisht konformimin e kafkës së një individi është një gjë e pamundur. Megjithatë, po të gjykosh nga fotot, është pikërisht kjo që shikohet. Gabriella Karlezi shton një element të mëtejshëm: "Respektivisht fotove të mëparshme, ajo e Sgt. Pepper's e tregon qartë se mbyllja e buzëve, domethënë linja e formuar nga bashkimi i dy buzëve, papritmas është zgjatur. Gjë që natyrisht nuk është e mundur dhe që mustaqet nuk arrijnë ta mimetizojnë". Me fjalë të tjera - dhe është fenomen shumë i shpeshtë i atyre kohërave - buzët mund të fryhen dhe të rriten në vëllim, por gjerësia e vijës së buzëve nuk mund të ndyshojë dhe aq shumë. Mund të pësojë ndryshime shumë të lehta, por nuk është ky rasti i fotos së shqyrtuar: këtu diferenca midis para dhe pas është shumë e fortë sa të mund të jetë shkaktuar nga ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Më tepër koma, gjithmonë nën mustaqet e MekKartnit të Sgt. Pepper's, ndoshta është kërkuar të fshihet një element tjetër: ai që specialistët e quajnë pika kocko-hundore ose nënhundore. Është pika midis dy flegrave ku hunda fillon të shkëputet nga fytyra: "Edhe në këtë rast bëhet fjalë për një tipar karakteristik që mjekësia kirurgjikale nuk mund ta modifikojë. Mund të ndryshohet forma e hundës, por jo pika kocko-hundore", shpjegon Gabriela Karlezi. "Dhe midis MekKartnit të grupit të parë të fotove dhe atyre të grupit të dytë kjo pikë ndryshon në mënyrë të dukshme". Të vetëdijshëm se nuk i kanë lënë asgjë rastësisë, Karlezi dhe Gavaceni, midis habisë dhe dëfrimit, fillojnë të pranojnë se janë dyzues. Thotë Gabriella: "Na pëlqente ideja e zbatimit edhe në këtë rast të një metodologjie rigoroze, të pranuar dhe të kërkuar për punë të një rëndësie të caktuar, por nuk e imagjinonim se, në një pikë të caktuar, hetimi ynë do të merrte drejtimin që po merrte...".

 

E njëjta habi që kap kë analizon në dinamikat e saj (ezoterike, komunikuese, muzikore) ndodhinë e vdekjes së supozuar të Pol MekKartnit kap edhe dy kërkuesit, dora-dorës që futen në studimin e pamjeve të konsideruara më të përshtatshme ndaj verifikimeve kefalometrike. "Sa më shumë na kërkonin një përgjigje dhe sa më shumë fitonim kohë", kujton Gavaceni. "Dukej e pamundur, por ideja se diçka nuk shkonte bëhej gjithnjë e më e fortë, ditë pas dite, foto pas fotoje". Sfida ishte bërë intriguese, duhej ecur përpara: edhe pse aspekte të tjerë të rëndësishëm prisnin të shqyrtoheshin. Duke filluar nga ai në të cilin Gabriela Karlezi shkëlqen dhe për të cilën gëzon famë ndërkombëtare: identifikimin odontologjik. Sa më shumë MekKartni këndon dhe tregohet i qeshur, aq më shumë Karlezi grumbullon elementë për të ushqyer dyshimet e saj: "Për mua prova e provave përfaqësohet nga forma e qiellzës, akoma më shumë se nga dhëmbët". Ka gjëra të pamundura dhe gjëra që janë të mundura, por me çmim operacionesh të gjata, të dhimbshëm dhe asnjëherë të përkryer, sidomos nëqoftëse janë të bërë në vitet '60-të. Tani, shqyrtimi i vëmendshëm i disa pamjeve të MekKartnit para dhe pas vjeshtës 1966, është vendi ta thuash, të lë me gojë hapur: "Parasëgjithash është dhëmbi i qenit i sipërm i djathtë", vëren Gabriella Karlezi. "Në fotot përpara vitit 1966 vërehet sesi del përpara linjës së harkut të dhëmbëve. Është rasti klasik i një dhëmbi që për mungesë hapësire përfundon për të dalë nga rreshti, të shtyhet për jashtë nga presioni i dhëmbëve të tjerë. Kurse është vërtet kurioze që i njëjti dhëmb qeni, në fotografitë nga 1967 e këtej, del gjithmonë por pa arsye të dukshme: pamjet tregojnë se e ka hapësirën për të qenë në një linjë me dhëmbët fqinjë. Është sikur është dashur të rikrijohet një detaj në një gojë ku kjo anomali nuk do të mund të manifestohej kurrë". Nyja e vërtetë e arsyetimit të identifikimit odontologjik të sugjeruar nga Gabriela Karlezi ka të bëjë me të gjithë pjesën e sipërme të gojës së MekKartnit, e cila përpara vitit 1966 tregohet e shtrënguar në pikën sa të justifikojë mospërputhje të ndryshme të dhëmbëve, ashtu dhe në forma më pak të dukshme se dhëmbi i qenit i sipërm i djathtë. Kurse pas botimit të Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band, pjesa e sipërme e gojës së MekKartnit largohet ndjeshëm, në pikën që dhëmbët e parë nuk rrotullohen më mbi aksin e tyre si më parë, me përjashtimin e vetëm, relativ, të dhëmbit të qenit të zakonshëm. "Një modifikim i formës së pjesës së brendshme të gojës", konkludon Arlesi, "në vitet '60-të nuk ishte i pamundur, por do të kishte qenë shumë traumatik, frut i një ndërhyrjeje maksilo-faciale në kuptimin e vërtetë të fjalës". Në praktikë, MekKartni do të duhej t'i nënshtrohej një operacioni që do të sillte hapjen e bashkimit gojor, thyerjen e kockës dhe, për pasojë, një trajtim të gjatë ortodontik dhe protezik. Me fjalë të tjera, për të siguruar një ndryshim kaq të ndjeshëm të MekKartnit në vitet '60-të do të ishte i nevojshëm jo vetëm një ndërhyrje veçanërisht e dhimbshme dhe mizore, por edhe përdorimi i një aparati fiks ortodontik, atëhere multibandësh, për më shumë se një vit. Gjë që nuk do të kishte qenë e mundur të fshihej dhe që do të kishte pasur pasoja të dukshme në prezantimet vokale të një këngëtari profesionist. "Por sidomos", konkludon Gabriella Karlezi, "çfarë arsye mund të kishte Pol MekKartni për t'ju nënshtruar një kalvari të tillë?". E kotë t'ia bësh pyetjen personit direkt të interesuar: Pol MekKartni, ashtu si Bitëllsat e tjerë, gjithmonë ka preferuar të rrëshqasë lidhur me pyetje të drejtpërdrejta ose i është drejtuar ironisë për ta bërë qesharake të gjithë ndodhinë. Ajo midis MekKartnit dhe legjendës së vdekjes së tij është një lojë kukafshehti.

 

Në realitet, theksojnë Karlezi dhe Gavaceni, sikur të kishte dashur vërtet t'i jepte fund gjithë kësaj historie, MekKartni mund ta kishte bërë prej kohësh. Derikur ishte në jetë, babai i tij mund të kishte bërë një provim të ADN-së për mbyllur historinë P.I.D. njëherë e përgjithmonë në botën e legjendave. Ose Poli mund t'i drejtohej vëllait të vogël, Majk. Në fakt nuk ka bërë asgjë. Bile herën e vetme që është shtrënguar të bëjë një provim të kësaj natyre ka ushqyer dyshime dhe pyetje të reja, të cilave u ka dhënë zë një grua gjermane 45-vjeçare, Betina Krishbin, e vetëquajtur vajzë e MekKartnit frut i një marrëdhënieje midis muzikantit të ri jo akoma të famshëm dhe Erika Vohlers, një vajzë bionde nga Hamburgu ku Bitëllsat bënë pjesën më të madhe të gavetës së tyre. Në vitin 1963, kur lindi Betina, MekKartni nuk deshi ta njihte vajzën, por, në mënyrë kurioze, kontribuoi në mbajtjen e saj me një derdhje mujore prej 200 dojçmarkash. Erika u kënaq, Betina jo dhe, sapo u mbushi moshën madhore, vendosi që t'i drejtohej një gjykate për të siguruar njohjen zyrtare të babait. Testi i atësisë nuk dha rezultatet e shpresuara, por Betina ka dyshimin se ka pasur një mashtrim: në test është paraqitur një sozi e të jatit, siç do ta demonstronin si fotografitë e bëra atë ditë, ashtu dhe një autograf që, sipas një këqyrjeje, do të rezultonte jo vetëm i bërë nga një mëngjërash falls, por edhe i ndryshëm nga autografët e tjerë të MekKartnit. Paqartësitë vazhdojnë të akumulohen sidomos në virtyt të kartës së fundit, të asit të fundit të pranishëm në këqyrjen e bërë nga Gabriella Karlezi dhe Francesco Gavaceni: një detaj prej pak milimetrash katrore që në gjykatë mund të jetë vendimtar. Teknikisht quhet tragus. Të gjithë kemi dy, nga një për vesh, por karakteristikat janë të ndryshme për çdo qenie njerëzore. "Në Gjermani, në një procedurë njohjeje kefalometrike, identifikimi i gropës së djathtë të veshit është ekuivalent deri me daktiloskopinë, domethënë me zbulimin e gjurmëve të gishtave", kujton Karlezi. Por çfarë është tragusi? Është ai kërc i vogël i veshur me lëkurë që qëndron sipër vrimës së veshit dhe që, njëlloj me të gjithë gropën e veshit, nuk është i modifikueshëm nga pikëpamja kirurgjikale. Atëhere, si të shpjegohen diferencat midis veshit të djathtë të Pol MekKartnit në një foto të atypëratyshme para vitit 1966 dhe një të tille të realizuar ndoshta nga fundi i viteve '90-të?

 

Nuk është vetëm treguesi që tradhton një konfirmim të ndryshëm, por edhe pjesë të tjera si, menjëherë sipër kanalit të dëgjimit, konturet e helikës dhe të antihelikës të veshit. Gjëra që njerëzve të thjeshtë mund t'u duken të parëndësishme ose pak të qarta, por që në të vërtetë çdo ditë u lejojnë ekspertëve që të individualizojnë dhe identifikojnë njerëz, trupa, fotografi. Megjithatë, edhe përballë konsideratash të kësaj natyre, skepticizmi është më i fortë sa nuk ka ku të shkojë. "Unë akoma tani nuk di se çfarë të them, bile çfarë t'i them vetes", pranon Gavaceni që deklarohet fans i MekKartnit, cilido qoftë ai. Ndërsa Karlezi kufizohet që të vërejë: "Dyshimet janë shumë të forta dhe mospërputhjet e shumta, por nuk mund të shprehesh akoma me siguri absolute. Sidomos, sepse flasim për një personazh kaq të njohur dhe, për më tepër, të gjallë. Përpara një kufome do të kisha qenë më e prerë. Të dhënat e dala do të shtynin dhe autorizonin të vazhdoja me shqyrtime të thelluara dhe sqaruese. Gjithsesi, nëqoftëse ka ndodhur zëvendësimi, kryevepra e vërtetë ka qenë ajo e gjetjes së një sozie me karakteristika antropometrike megjithatë shumë të afërta me "origjinalin"", pranon ajo. "Është për t'u thënë se analiza antropometrike domosdoshmërisht duhet shoqëruar nga shqyrtime të natyrës tjetër për të formuluar një studim të sigurtë me 100 përqind". Pa u zhbalancuar dhe pa ju nënshtruar, të paktën me fjalë, pasojave ekstreme të kërkimit të tyre, Karlezi dhe Gavaceni mishërojnë thelbin hamletian të legjendës Paul Is Dead. Dy tipa të ndryshëm arsyetimi ndeshen pa mundësinë e një të vërtete të përbashkët. Si të mos pyesësh sesi mundet një njeri, në harkun e pak muajve, të ndryshojë formën e kafkës, të qiellzës, të gojës, të hundës, të nofullës dhe të veshëve, megjithëse duke vazhduar të këndojë dhe të kompozojë muzikë? Nga njëra anë është vështirësia për të pranuar një shkëmbim njeriu pothuajse të përkryer; nga ana tjetër, kefalometria mbështet treguesit jo të paktë të futur nëpër disqet, nëpër kopertinat dhe nëpër videot e tyre nga vetë Bitëllsat. Por pyetjet që mund ta kenë gjetur një përgjigje zëvendësohen me të tjera, jo më pak impenjuese. Duke filluar nga pyetja të cilës askush, përfshi vetë të interesuarit, duket se i jep një përgjigje: kush është njeriu të cilin e quajmë Pol MekKartni?

Poli ka vdekur dhe ai album është një funeral

 

Sipas disa fansave të Bitëllsave, MekKartni ka vdekur dhe historiku Sgt. Pepper's është një album plot me prova. Ja disa prej tyre.

Më 12 tetor 1969 dikush telefonoi në radion e Detroitit (ËKNR-FM) duke thënë se Pol MekKartni kishte vdekur. Dha të dhëna të sakta lidhur me vdekjen e ndodhur: më 9 nëntor të 1966, në dritat e para të agimit, në një incident automobilistik në të cilin kufoma kishte mbetur pa kokë. Qysh atëhere, legjenda metropolitane mbi vdekjen e MekKartnit, e njohur pothuajse sikur të ishte titulli i një kënge, si Paul is Dead (apo edhe në formë sigle PID), jo vetëm që nuk e ka humbur sharmin e zi të saj, por ka ardhur duke fituar gjithnjë e më shumë kredit. Sipas fansave të Bitëllsave, treguesit se Poli ka vdekur, janë përhapur paksa kudo gjatë karrierës muzikore të grupit. Nuk do të kufizohemi të marrim në konsideratë vetëm ato të ndodhur në kopertinën e albumit Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band, i pari i Bitëllsave "jetimë" nga Poli i vërtetë, i zëvendësuar me një sozi, njëfarë Uilliam 'Bill' Kembell. Ja një analizë e albumit: kopertina, pjesa e prapme e kopertinës, fotografi dhe zarfe të brendshëm.

Kopertina

 

Fotografia në vetvete, e realizuar nga Piter Blejk dhe Jan Houtorn, me fotografin Majkëll Kuper i ndihmuar nga Robert Freizer, mik i Polit, duket se paraqet një turmë në funeral. Atë të Bitëllsave të "vjetër"?

Statuja dylli. Në të majtë të Bitëllsave të veshur si për festë, ndodhet një riprodhim i tyre në dyllë i Madame Tussaud. Statuja e Polit mbështet një dorë mbi shpatullat e një Ringo Stari me shprehje shumë të trishtuar. Sipas legjendës, statujat do të riprodhonin Bitëllsat "versioni i parë", të vdekur dhe të zëvendësuar nga të tjerët prapa daulles.

Kurora lulesh. Dikush teorizon se kurora me shkrimin "BEATLES" mund të lexohet "BE AT LESO", domethënë trupi i Polit ndodhet në Leso dhe me të nënkuptohet Lesoto, shteti i Afrikës së Jugut. Kurora e vogël, e bërë me lule të verdha ofron në të vërtetë dy mënyra leximi: a) duket stilizimi i një kitarreje bas sallaise, instrumenti i Polit; b) duke e shikuar më me vëmendje na duket se lexon "PAUL?".

Personazhe. Të gjitha fotografitë janë shtypur dhe ngjitur prapa fotografisë së grupit dhe të gjitha kanë një tipar: vdekjen. Disa personazhe janë të vdekur (disa në rrethana misterioze, si Merilina apo Edgar Alan Poe), të tjerë i janë afruar shumë.

Foto të Polit me uniformë.

 

Treguesit janë të shumtë, por le t'i marrim një e nga një:

 

1. Ndryshe nga Bitëllsat e tjerë me uniformë, pamja e Polit duket e presuar siç janë ato të personazheve prapa shpatullave të grupit.

2. Poza e Polit është ballas, ndërsa ajo e tri të tjerëve është me tre të katërtat.

3. Sipër kokës së Polit është dora e shkrimtarit Stiven Krein, i vdekur në moshën 28-vjeçare. Dora e ngritur është simbol vdekjeje për kulturën indiane dhe në kultura të ndryshme "orientale". Kjo temë do të përsëritet ne grafikat e Magical Mistery Tour dhe Yellow Submarine.

4 Ndërsa, tri të tjerët mbajnë në dorë instrumenta fryrës vezullues, Poli është i vetmi nga grupi që ka një instrument të zi prej druri, një fyell.

5 Dora e djathtë e tij është mbi zemër, tjetra mban instrumentin me tri gishta (numri i Bitëllsave të mbijetuar?).

Shiva. Një statujë e vogël e zotes shkatërruese është e vendosur në qendër, në pjesën e poshtme të kopertinës. Dy prej katër duarve të zotes mbajnë lule zymbyli të kuq (në mitologjinë greke të lidhur me vdekjen) dhe shënojnë njëra nga statuja prej dylli e Polit, tjetra nga ajo që supozohet se është sozia në mish e kocka.

Kukulla. Kukulla nga e djathta, ajo që vesh bluzën me rripa të bardhë e të kuq (ngjyra e gjakut) me shkrimin "Welcome The Rolling Stones", ulet mbi një dordolec të çuditshëm (në shënimet e kopertinës të versionit CD tregohet si "figura e gjyshes") që vesh një dorezë të spërkatur me gjak në dorën e majtë (Poli ishte mëngjërash...). Mbi këmbën e kukullës është makinë e vogël dhe duket se kemi të bëjmë pikërisht me një model të Aston Martin, me të cilin do të ishte përplasur Poli.

Daullja e madhe. Daullja me shkrimin "Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band" është midis treguesve më të cituar. Autori i dizenjos nuk është as Blejk, as Houtorn (dy artistët e kapakut), por njëfarë Xho Efgrejv. Emri duket si kombinimi i fjalëve 'epitaph' dhe 'grave' ('epitaf' dhe 'varr'), për të cilin nuk ka të dhëna. Nëqoftëse pastaj provoni të vini një pasqyrë gjatë aksit horizontal të simetrisë - domethënë duke i ndarë më dysh fjalët "LONELY" dhe "HEART", në mënyrë që të pasqyrohet pjesë e sipërme e kasës, është e mundur të lexohet "I ONE IX HE ÷ DIE". Simboli i vendosur midis fjalëve "HE" (ai) dhe "DIE" (vdekur) tregon pikërisht drejt Polit, ndërsa gërmat e tjera duket se tregojnë datën e vdekjes, 11 dhe 9, respektivisht muajin dhe ditën (me numra romakë).

Televizor. Në krah të bustit të Sergente Pepper ndodhet një televizor i shuar. Një referim ndaj mungesës së informacioneve lidhur me vdekjen e Polit?

Pjesa e prapme e kopertinës

Poli është i vetmi që është me kurriz nga kamera si për të treguar një "diversitet" të tijin në gjirin e grupit. Veç kësaj, ai ka tri butona të zinj në lartësinë e belit, të cilët mund të përfaqësojnë tri Bitëllsat në zi dhe duket se është në të njëjtin pozicion që merr në pjesën e parme të kopertinës. Por nuk është e gjitha: koka e Polit qëndron pikërisht në shkrimin WITHOUT YOU pjesë e titullit të këngës Within You Without You. Çfarë na tregon Xhorxhi? Gishti i Xhorxhit është i drejtuar nga kënga She's leaving Home, për saktësi atë që lexon: "Wednesday morning at 5 o'clock as the day begins" ("E mërkurë në mëngjes, në orën pesë, kur fillon dita", domethënë ora në të cilën Poli u deklarua i vdekur).

Lirika. Duke i lexuar nga e majta në të djathtë, duke kapërcyer kolonat, tekstet në të njëjtën lartësi duket se japin një mesazh kriptik. Duke u nisur nga "Somebody calls you, you answer quite slowly", ("Dikush të telefonon dhe t'i i përgjigjesh me ngadalë") spostohunui djathtas tek "Wednesday morning at 5 o'clock as the day begins" ("E mërkurë në mëngjes, në orën pesë, kur fillon dita") dhe pastaj "And life floës in ëithin you and without you" ("dhe jeta vazhdon të rrjedhë me ose pa ty"), deri tek "And you're on your own, you're in the street" ("dhe tani je vetëm me veten, në rrugë"). Vargu i parë i referohet kërkesës për një rrugë me makinë (shkak shiu), të cilit ai i përgjigjet në mënyrë ngurruese, vargu pasues është ai që do të zbulonte orën e vdekjes (offically declared dead), pastaj ka një referim të qartë ndaj vdekjes dhe së fundi një varg që do ta përshkruante gjendjen e tij: i vetëm, në rrugë. Që ka mbetur i mbërthyer në makinën në flakë?

Vrima. Pozicionet e duarve të Bitëllsave duket se formojnë shkrimin L_VE. Bëhet fjalë për një dashuri të paplotë për shkak të vdekjes së Polit?

Foto e brendshme

Pozicion fetal. Në foto, tri Bitëllsat e paraqitur me gjysëmbust duket se konvergojnë të gjithë nga Poli, i vetmi që është i ulur në pozicion fetal, domethënë në mënyrën me të cilën indianët varrosin të vdekurit. Veç kësaj, mban një instiktiv të zi në mëngën e majtë me germat OPD, akronim i Officially Pronunced Dead. Së fundi, shpatullat e Polit janë konturet e vetme me të zezë (zi).

Zarf i brendshëm (në fq. 2 të libërthit të CD-së)

Në pamje të parë një dizenjo psikedelike naive (vepër e grupit hollandez The Fool), në realitet duket se do të japë idenë se zarfi është i lyer me gjak. Përgatiti: ARMIN TIRANA

 
Armin Tirana


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Jackson, ja projekti tjetër i lënë përgjysmë (07.29.2009)
Zhaklinë Kenedi sot do t'i mbushtet tetëdhjetë vjet (07.28.2009)
Uilliam Gregori astronauti i famshëm shqiptar (07.20.2009)
Majkëll Xhekson 1958-2009 (06.27.2009)
Bijonsë fillon një turnè në ndihmë të të varfërve (06.25.2009)
Gjashtëdhjetë vitet e Lionel Riçit, apogjetë dhe perigjetë e tij, kulmet dhe rëniet (06.20.2009)
Portreti i gazetares Emi Gudman (06.18.2009)
Gjenerali amerikan Mekristëll mori komandën e forcave në Afganistan (06.17.2009)
Mishelë Pfaifër vë familjen mbi karrierën (06.16.2009)
Xhorxh Bush babai feston 85 vjetorin duke u hedhur me parashutë (06.14.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lartë]