VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SIKUR STEVE TË ISH SHTJEFENNga DRITAN HILA

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 07:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

SIKUR STEVE TË ISH SHTJEFEN

Nga DRITAN HILA


E Hënë, 02.27.2012, 11:35am (GMT+1)

Djali quhej Shtjefën Puna. Babai nuk i kishte dhënë atësinë, ndaj shumë njerëz e thërrisnin "kopil". Nënën e kishte me origjinë nga malësitë dhe kishte ardhur në Tiranë duke ndjekur dajat që kishin bërë shtëpi në Bathore dhe lëshuar një dhomë motrës së tyre, të cilën e shikonin me përçmim. Shtjefni nuk kish shokë. Shumicën e kohës rrinte me një moshatar të quajtur Stefan Vagoni, me origjinë nga Korça, me banim tek fusha e kombinatit të zëna nga juglindorët e ardhur në një kohë me dajat e Shtjefnit. Ishin njohur në shkollën e mesme, ku vendalinjtë i thërrisnin "katundar" apo "malok" dhe ky ndryshim nga autoktonët ishte shkaku i miqësisë që i lidhte. Të dy nuk patën mundësi të ndiqnin universitetin, pasi nuk i plotësonin kriteret, ndërsa kur u hapën universitetet private, përveçse nuk kishin para të paguanin, asnjëri prej tyre nuk kishte fakultet elektronike, por vetëm juridiku apo shkenca sociale. Pasi djemtë ishin të apasionuar pas elektronikës dhe e kishin ndarë mendjen që të ndiqnin ëndrrën e tyre. Kërkesës drejtuar Ministrisë së Arsimit për të përfituar nga "fondi i ekselencës" i themeluar nga kryeministri për studentët e talentuar, iu përgjigjën se nuk përfitonin pasi nuk kishin mbaruar universitet të huaj.

Menduan të ndiqnin shembujt që kishin lexuar në shkollë, ku talenti imponohet nëpërmjet shpikjeve dhe realizonin diçka të veçantë, pasi kishin shumë ide. Duke qenë trokë nga paratë, shkuan në disa firma që tregtonin aparatura elektronike dhe kërkuan një investim për idenë e tyre, një kompjuter i pa dëgjuar më parë. Në çdo derë, ose qeshën me ta ose ju kërkuan të shikonin një herë mallin, dhe po të donin ta linin në dyqan deri sa të shitej. Megjithatë djemtë nuk u thyen dhe pasi punuan ca muaj si kamarierë, mblodhën kursimet, e një ditë të bukur blenë materiale për të filluar realizimin e ëndrrës. Por, doli problemi se ku t'i montonin dhe Shtjefnit i lindi ideja të shfrytëzonin garazhin e dajave i cili deri para disa ditësh kishte shërbyer si qendër votimi dhe pavarësisht mrekullisë ekonomike nuk kishte parë makinë akoma. U tha u bë dhe nga ajo ditë fillonin punë pa gdhirë deri në orët e vona. Fqinjët që nuk kuptonin se çfarë bënin gjithë ditën mbyllur në një garazh, nisën të pëshpëritnin e ngacmonin kur i shikonin më të rrallë rrugës. Por, Shtjefni me Stefanin të mbërthyer në ëndrrën e tyre nuk donin t'ia dinin se çfarë bëhej rrotull. Pasi bënë kompjuterin e parë, e çuan në një dyqan, i cili ju premtoi se do t'i lajmëronte sapo të shitej. Ndërkohë të dy mbetën pa lek që të vazhdonin punën, ndaj shkuan në bankë të kërkonin kredi. Punonjësi i bankës ju kërkoi hipotekë dhe meqë Shtjefnin e strehonin për sevap dajat, të cilët edhe nëse do donin shtëpitë i kishin të pa legalizuara, kërkuan që kjo shumë t'ju jepej gjithsesi për të realizuar idenë e tyre. Punonjësi i bankës qeshi dhe kërkoi që të vinin me një hipotekë që mbulonte dy herë shumën që kërkonin si kredi ose ta harronin këtë punë.

Prindërit duke parë pasionin e tyre ju dhanë kursimet e jetës. Me paratë e gjetura, djemtë blenë pjesë të tjera dhe montuan dy kompjutera dhe po bëheshin gati të blinin pjesë për të tretin, kur ju shfaqën në derë dy burra të policisë tatimore që kërkuan dokumentet e regjistrimit të biznesit. Djemtë bënë be e rrufe se nuk ishte aktivitet prodhues, se ishte veç një eksperiment, se po punonin me lekë borxh, por asgjë nuk i thyente punonjësit e shtetit të cilët donin të sekuestronin materialet. Panë ç'panë, ju dhanë tatimorëve nën dorë ca para që ishin taksur për kompjuterin e tretë, megjithatë nuk u dekurajuan. Çuan dy kompjuterat të shiteshin, ndërkohë tregtari ju dha paratë e të parit. Të gëzuar blenë birra dhe u mbyllën në garazh që të llogarisnin se sa materiale ju duheshin për të bërë kompjuter të tjerë. Trokiti dera. Një zotëri i prezantuar si i policisë kriminale, i akuzoi se përgatisnin bomba me telekomandë. Kjo i trembi një çast, por të mësuar nga rasti i parë, i dhanë një pjesë të parave dhe polici u largua. Pa mbyllur derën, një burrë në moshë të mesme u prezantua se vinte nga inspektorati i punësimit. Kërkonte pse nuk kishin deklaruar punëtorë dhe nuk paguanin sigurime. Prapë paguan duke çuar në zero fitimet. Ra darka, ra dhe telefoni. Shitësi i njoftoi se dy kompjuterat ishin shitur sa ishin ekspozuar, ndaj donte të tjerë. Djemtë me një frymë vajtën e morën paratë, duke hamendësuar se fati nuk i kishte braktisur. E lanë që të nesërmen të blinin materiale. U çuan në mëngjes. Tek dera e garazhit, një makinë ju kishte zënë hyrjen. Ishte nga Inspektorati Mjedisor. Nuk pinë ujë betimet se nuk po punonin me materiale që dëmtonin ambientin. Të kërcënuar rishtas me sekuestrim, ju iku një pjesë tjetër e parave të dy kompjuterave. Pa kaluar ora, në derë mbijnë një grup tjetër zyrtarësh. Këtë radhë ishin nga Inspektorati Shëndetësor. Fluturoi edhe një shuk tjetër dhjetëmijëshesh. Pastaj erdhi Inspektorati Zjarrfikës dhe në fund Policia Bashkiake. Të gjithë iknin më të rëndë se sa vinin nga xhepat. Dajat e Shtjefnit duke parë varavingot e policive dhe inspektorateve, menduan se dyshja po bënte ndonjë punë me fitim, ndaj kërkuan para ose përndryshe të dilnin jashtë. Nuk vlejtën shpjegimet dhe as ftesa që të shikonin se ajo çfarë po bënin nuk kishte lidhje me punë të pista. Dajat ishin të papërkulshëm: "O paguani, ose largohuni se do ta lëshojmë me qira", bërtisnin, megjithëse gjithë rrugica kishte apo jo tre makina.

Të mbetur pa lekë, djemtë e futën ëndrrën në sirtar, me shpresën se ditë më të mira do vinin. Shtjefni u mbyll në dhomën e tij duke parë televizor bashkë me të ëmën. Lajmet jepnin se një njeri i madh i quajtur Steve Jobs kishte vdekur dhe gjithë bota po e qante. Steve e kishte filluar punën në një garazh bashkë me shokun tjetër të tij që quhej njësoj por me mbiemër Wozniak. Kishin pasur një ide që ja kishin prezantuar një biznesmeni me emër Mike Markkula, i cili ju kishte dhënë pa garanci 250 mijë dollarë. Më pas të dy ishin bërë miliarderë. Edhe Berisha, edhe Jozefina po qanin bashkë me botën dhe thoshin se sa e donin dhe admironin. Kryeministri shtonte se vendi që drejtonte ishte me ritmet më të larta të zhvillimit dhe me hapësira të pafundme për nxitjen dhe zhvillimin e biznesit. Televizionet në korr citonin shprehjen e Steve Jobs: "Jini të uritur, jini të çmendur". Ndërkohë Shtjefni, i dërmuar nga përpjekjet e tërë këtyre ditëve zhgënjyese, duke menduar se ku duhej të shkonte nesër për të kërkuar punë, kishte filluar të dremiste dhe nëpër gjumë mendoi: "Mund të jesh i uritur dhe i çmendur por nëse lind në Shqipëri, mbetesh i uritur dhe i çmendur dhe vetëm kaq".
*Inspiruar nga artikulli i Antonio Menna-s, "Se Steve fosse nato in provincia" (bw)

DRITAN HILA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"NDARJA NUK MUND TË JETË ZGJIDHJE PËR VERIUN E KOSOVËS" (02.24.2012)
GJENDJA EKONOMIKE NË MAQEDONI NDODHET NË FAZË KRITIKE (02.23.2012)
KOHA E HUMBUR E SHKUPITNga SHABAN MURATI (02.22.2012)
"SHPËRBLIMI" I BEsë PËR FUSNOTËN (02.21.2012)
REZOLUTA 12 44 SI FAKT JURIDIK (02.21.2012)
"KOSOVA KUNDËR KANDIDATURËS SË SERBISË" (02.21.2012)
DEMAÇI: QOSJA T'IA FALË SERBISË TOKAT E VETA, VERIU ËSHTË I KOSOVËS (02.21.2012)
EDI RAMA: NANO, AMBICIE PËR PRESIDENT MBI PALËTNga DESTAN JONUZI (02.21.2012)
A PO I FLET BERISHA KINEZÇE PERËNDIMIT?Nga ALFRED ÇAKO (02.19.2012)
SERBIA "TË MOS KUSHTËZOHET ME KOSOVËN" (02.19.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]