VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Prona te i zoti jo vetëm për zonën turistike të bregdetit, por kudo ku është shkelurNga Rrapo Hajredin Danushi

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 07:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Prona te i zoti jo vetëm për zonën turistike të bregdetit, por kudo ku është shkelur

Nga Rrapo Hajredin Danushi


E Shtunë, 08.29.2009, 09:04am (GMT+1)

 

Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve "Pronësi me Drejtësi" mbështet plotësisht kërkesën e shoqatës "Bregdeti" që kërkon publikisht që Partia Socialiste të ndërhyjë për kthimin e pronave tek i zoti. Në fakt, si Partia Demokratike dhe ajo Socialiste që kanë ardhur në pushtet në këto 18 vjet, në marrëveshje të heshtur e kanë penguar dhe ngatërruar problemin e pronës për të përfituar vota dhe për të përvetësuar trojet në bregdet dhe kudo ku kanë mundur. Në fakt, anarkia e pronës i ka shërbyer oligarkisë së politikanëve, si të majtë, dhe të djathtë. Është kërkesë e drejtë që kryetari i PS që do të zgjidhet nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i socialistëve i datës 29 gusht 2009 të shprehet, jo vetëm për kërkesat e shoqatës "Bregdeti" për zonën turistike, por edhe më gjerë dhe të bëhet faktor për zgjidhjen e drejtë të respektimit të së drejtës së pronësisë konform detyrimeve kushtetuese, kërkesave të përsëritura të komisionerëve të KE dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kërkesa këto që politika shqiptare deri më sot i ka shumëzuar me zero. Në këto 18 vjet kuptuam se mentaliteti komunist nuk ka se si ta transformojë diktaturën në demokraci. Mëkatarë janë kryetarët, si prej të majtëve dhe të djathtëve, ndonëse nga të dy krahët në parlament ka pasur njerëz të aftë, patriotë dhe të ndershëm, që e kanë thënë fjalën e duhur në kohën e duhur.

 

Anarkinë e pronës shoqata "Pronësi me Drejtësi" e ka kundërshtuar. Në Kuvend, që në fillim deputeti Abdi Baleta dhe Dritëro Agolli e kanë kundërshtuar të parët Ligjin antikombëtar 7501, për faktin se ky ligj nuk respekton të drejtën e pronësisë dhe e trajtonte pronën e shtetëzuar pa të drejtë nga diktatura si pronë të qeverisë, e cila mund ta ndante për frymë, sipas normave që ajo do caktonte nga një komision i emëruar. Këtu është fillesa e së keqes bolshevike - leniniste dhe antishqiptare, që nuk është shkulur dhe po e shkatërron Shqipërinë në themel dhe në shumë drejtime. Sipas këtij ligji vëllezërit që jetonin në fshat morën një sipërfaqe toke që iu dha ligji 7501, por sipas ligjit, aty ku ju jepte komisioni dhe jo detyrimisht aty ku e kishin tokën e trashëguar dhe që iu ishte marrë padrejtësisht nga diktatura, ndërsa trashëgimtarët që jetonin në qytet duhet të lëpinin gishtin dhe të presin kompensimin!! Le të justifikojmë për momentin se kjo ishte papjekuria dhe mungesa politike e Sali Berishës. Sot me statistikat zyrtare mbi 50% e tokës bujqësore nuk punohet. Kryeministri Berisha me bindjen patologjike për të mos pranuar gabimin e tij në 2009 për të mbrojtur Ligjin 7501 propozon projektligjin që tokat e papunuara të rimerren nga shteti dhe pronarët të shpërblehen me 10% të të ardhurave nga vënia në shfrytëzim e pronës. Këtu ai kupton pronarët e rinj sipas Ligjit 7501, që kanë ikur dhe punojë në emigracion, ndërsa pronarët e ligjshëm, të shpronësuarit që qëndrojnë në Shqipëri, të vazhdojnë të mbajnë gishtin në gojë dhe të presin si lëmoshë kompensimin. Sipas këtij plani pronari i fundit do të kompensohet pas 1000 vjetësh, prandaj ne e kemi denoncuar publikisht këtë ëndërr në diell që mashtron vetëm instancat ndërkombëtare që pëlqejnë të mashtrohen. Ky proces absurd shkel çdo parim të së drejtës dhe këtë e ka argumentuar qartë Av. Agim Tartari në shkrimin botuar datë 17.08.2009 në gazetën "TemA".

 

Në 1993 shoqata "Pronësi me Drejtësi", pasi mblodhi 25.000 firma, kundërshtoi Ligjin 7501 dhe paraqiti projektligjin e saj. Idenë e respektimit të së drejtës së pronësisë dhe kthimit të pronës tek i zoti e kanë mbështetur vazhdimisht deputetët Abdi Baleta, Dritëro Agolli, Manuel Heba, i ndieri Petrit Kalakula dhe Limoz Dizdari, Ndre Legisi etj., deputetë të majtë dhe të djathtë, por klani i deputetëve të komanduar për të penguar kthimin e pronës tek i zoti deri sot ka fituar duke shkelur betimin për zbatimin e Kushtetutës, dhe parimin e të drejtës mbi pronën e trashëguar që përbën parimin bazë të demokracisë dhe të lirisë së një vendi.

 

Jo vetëm bregdetasit, por të gjithë shtetasit shqiptarë kanë të drejtë të ankohen se veprimtaria e shtetit shqiptar vazhdon të shkelë nenin 181/2 të Kushtetutës dhe shoqata "Bregdeti" duhet t'i drejtohet, jo vetëm Kryesisë së PS dhe z. Edi Rama, por në radhë të parë Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi dhe kryeministrit, z. Sali Berisha. Çfarë e pengon kryeministrin Berisha për zbatimin e ligjit 8053 të vitit 1995 dhe ligjin 9948 të vitit 2008, për të cilët deri sot praktikisht nuk është bërë asgjë? Shkaku kuptohet. Nëse zbatohen këto ligje, çfarë do të përfitojnë dhe çfarë do të fusin në xhepat e tyre politikanët dhe pushtetarët?

 

Duke pasur parasysh faktin se nën presionin e FMN dhe Bankës Botërore më 24 prill 1998, parlamenti i Maqedonisë miratoi me urgjencë një ligj, sipas të cilit pronat iu kthehen pronarëve të shpronësuar nga diktatura. Ne kërkojmë nga Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, si garanti për zbatimin e Kushtetutës, të ngrejë zërin dhe ndërmjet të tjerash të sensibilizojë dhe instancat ndërkombëtare që ato ta detyrojnë qeverinë dhe politikanët të zbatojnë nenin 181 të Kushtetutës, përndryshe kriza e pronës do vazhdojë të ndërthuret me krizën sociale, me krizën e territoreve dhe atë ekonomike.

 

Për zgjidhjen e problemit të pronave në zonat turistike nëpërmjet zbatimit të ligjit 8053 dhe 9948 kryeministri ka pengesë vetëm vetveten ose ata që e drejtojnë. Shoqata "Bregdeti" duhet t'i drejtohet kryeministrit Berisha dhe kryetarit të LSI, Ilir Meta, ndërsa zgjidhja e problemit të pronës në gjithë vendin kërkon vullnetin politik të kryeministrit Berisha, të LSI si pjesë jetike e mazhorancës, por dhe të PS si opozitë dhe të gjithë kryetarët duhet të korrigjojnë pozicionin e deritanishëm.

 

Në shkrimin e botuar më datën 13.01.2009 në gazetat "TemA" dhe "SOT" dhe në datën 14.01.2009 në gazetat "Republika", "Koha Jonë", "Telegraf" dhe "Metropol", ne kemi argumentuar se kompensimi është i domosdoshëm, por pas përfundimit të procesit të kthimit dhe duhet bërë në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Procesi i kthimit që akoma nuk ka përfunduar dhe ai i kompensimit duhet të jenë detyrime për shtetin dhe të tilla i përcakton dokumenti nr. 11115 i dt. 20 dhjetori 2006 i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që në pikën nr. 191 thotë: "Autoritetet shqiptare duhet të shpejtojnë procesin, në mënyrë që të përfundojnë regjistrimin dhe kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist dhe po ashtu dhënien e kompensimeve në përputhje me të drejtat kushtetuese për pronën, si dhe Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut."

 

Kërkesat e pronarëve për kryeministrin, qeverinë dhe Kuvendin e porsazgjedhur është prona tek i zoti, ashtu siç është kthyer në pjesën në të madhe të Shqipërisë. Kjo është sot sfida më e madhe para kryeministrit, z. Sali Berisha. Kthimi i pronës është i thjeshtë, nëse qeveria dhe Kuvendi do të dëgjojnë zërin e arsyes, do të respektojnë betimin se "do respektojnë Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën" dhe se nuk do të mbrojnë më tej përfitimet e paligjshme të "Borgjezëve të rinj" dhe oligarkisë postkomuniste duke propaganduar kompensimin dhe paratë në vend të kthimit.

Korrigjimi i politikës së papërgjegjshme dhe dëmprurëse të derisotme me pronën kërkon konsensusin politik Sali Berisha - Edi Rama (mazhorancë-opozitë), që pronarëve t'iu kthehet fizikisht, prona e tyre e poseduar padrejtësisht nga shteti i diktaturës, duke respektuar të drejtën pronësisë. Platforma e deritanishme është dështim dhe falimentin i programuar. Situata kërkon seriozitet nga kryeministri, Sali Berisha, qeveria dhe Kuvendi dhe mund të zgjidhet drejt dhe shpejt duke hartuar një ligj të ri që marrë parasysh këto kërkesa:

1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e Këshillit të Evropës, detyrimet kushtetuese dhe sipas titujve të pronësisë të pranohet me ligj si detyrimi i shtetit dhe të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.

2. Qeveria me instrumentet e saj (Kadastra, Arkivi i Shtetit, Dokumentet e shtetëzimit etj.), duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë dhe cilat janë prona që shteti i diktaturës iu grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet t'u kthehen fizikisht të zotëve. Në pronat që duhen kompensuar qeveria duhet të përcaktojë ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit.

3. Të përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik sipas dokumenteve para vitit 1945. Kthimi t'i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm (kthim fizik pavarësisht nga zëri kadastral dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat). Faza e kthimit me ndihmën e shoqatës sonë, të shoqatës AK "Bregdeti" dhe të komunitetit të pronarëve të çdo fshati, nëse do të ketë vullnet politik, mund të realizohet brenda pak javëve, duke mbyllur këtë burim kryesor të korrupsionit pushtetar dhe burim të konflikteve midis pronarëve të ligjshëm dhe pronarëve fals e të përkohshëm, që ka krijuar politika e pas vitit 1991 .

4. Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet, me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë.

5. Pronarëve të vërtetë t'u kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga qeveria sipas interesave klanore.

6. Zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim financiar, personave të tretë, që këto 16 vjet i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm.

7. Pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52% të pronës.

8. Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe mund të bëhen vetëm pas përfundimit të kthimit. Kompensim të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem, sepse shteti është pronar i ligjshëm për 52% të pronave dhe me këtë pasuri që duhet çliruar nga grabitja, qeverisë i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale, pa krijuar deficite financiare, për të cilat i gjithë buxheti i shtetit nuk mjafton për disa dhjetëra breza.

 

Zbatimi i këtyre parimeve është e vetmja alternativë që shmang krizën financiare dhe atë sociale që i kanoset vendit nga kjo politikë e verbër antipronar. Respektimi i së drejtës së pronësisë, edhe pse me vonesë 18-vjeçare, e justifikon anëtarësimin në NATO dhe plotëson një nga parakushtet që Këshilli i Evropës ka vendosur për qeverinë dhe kjo është në dobi të demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri. Në këtë proces demokratik janë të vlefshëm dhe kanë përgjegjësi historike të gjithë përfaqësuesit e popullit në Kuvend, si të djathtë edhe të majtë.

 

Sqarojmë publikisht edhe për përfaqësitë diplomatike të akredituara në Shqipëri se faza e kthimit fizik të pronës tek i zoti, nuk kërkon fonde dhe është proces i thjeshtë që me ndihmën e shoqatës "Pronësi me Drejtësi", të shoqatës "Bregdeti" dhe të komunitetit të pronarëve të çdo fshati, nëse do të ketë vullnet politik, mund të realizohet brenda pak javëve, duke mbyllur këtë burim kryesor të korrupsionit pushtetar dhe burim të konflikteve midis pronarëve të ligjshëm dhe pronarëve falsë e të përkohshëm, që ka krijuar politika e pas vitit 1991.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kejnsianizmi "edhe" i Berishës "edhe" i Metës fitues përballë "përtej" të Majtës së Edi RamësNga Altin Goxhaj, drejtor i ZMK-së (08.28.2009)
Maqedonia dhunon shqiptarët, Tirana e Prishtina heshtinNga Kim Mehmeti (08.28.2009)
Prof Dr Hektor Çoçoli me fat ai që e ka mjek e pedagogNga Agron SEJAMINI (08.27.2009)
Vath Koreshi, një nga emrat më origjinalë të letrave shqipe (08.26.2009)
Një prift shqiptar fiton superllotarinë italiane (08.26.2009)
Fenomeni Ndrek Luca, madhështia e thjeshtësisë (08.25.2009)
Zjarret në Greqi, Shqipëria ofron ndihmë (08.25.2009)
Gjilan: Xhandarmëria serbe sërish provokon banorët e brezit kufitar (08.24.2009)
Shoqata e Veteranëve të Luftës të UCKsë: Të burgosurit shqiptarë në Maqedoni dhunohen (08.24.2009)
Shqiptarët e Tuzit dorëzojnë tek ndërkombëtarët planin e ndarjes nga Mali i Zi (08.23.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]