- Vështirësitë, pakënaqësitë dhe momentet delikate...
-Si e takova Sadik Bejkon në minierë për riedukim
- Nuk beson në zot, por kur është gjendur në vështirësi kërkon ndihmën e Zotit.
- Drama dhe lufta e Kosovës lë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij gazetareske.
- Kontaktet direkte me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë, përjetimet...
-Si i thamë Artur Zhejit "Poshtë drejtori!"
- Pakënaqësia ndaj drejtuesve të sotëm të RTSH dhe brengat e tij në fund të
karrierës.
--
Kur u zhvillua Festivali i 11-të unë ishte redaktor në gazetën lokale të
Gjirokastrës. Goditja që ju bë atij festivali ishte paralajmërim për të gjithë.
U habitën si mund të dënohej një këngëtar apo dirigjent, një kompozitor apo një
redaktor. Më vonë, në minierën e Memaliajt, kur ishte korrespodent i gazetës më
të madhe "Zëri i Popullit", takoi një nga redaktorët e atij Festivali, poetin
Sadik Bejko, ishte "qarkulluar" aty. E takoi përpara gjithë punëtorëve që hanin
drekë në mencën e minierës. Më vonë Sadiku e ka falënderuar Ka bashkëpunuar me
gazetarë e redaktorë si ish drejtori Virgjil Kule, me krijuesit Ylli Pepo, Azis
Gjergji, Ilir Grazhdani, Dhimitër Pecani, Petro Lati, etj. Ka qenë kënaqësi
bashkëpunimi mbasi ata të linin dorë të lirë në krijimtari, nuk ndërhynin dhe
ishin të mirëkuptueshëm. Nuk i harron netët kur ata e gdhinin në montazh sepse
emisioni duhej transmetuar të nesërmen. Ishin pasionantë dhe plot energji, e
dashuronin profesionin që kishin zgjedhur.
-Kur filluat për herë të parë punë në RTSH? Kush ishte drejtor në atë kohë?
Rrëzimi i regjimit komunist dhe triumfi i demokracisë në Shqipëri, solli
përmbysje të mëdha edhe në Televizionin shqiptar; kishte ardhur Drejtor i
Përgjithshëm poeti Skënder Buçpapaj, dhe drejtor i Televizionit sapo ishte
emëruar një kolegu im, dashamirës, Qemal Sakajeva, ndërsa drejtor i burimeve
njerëzore ishte caktuar Maringlen Shehu me të cilin kisha miqësi të hershme.
Ishte ky i fundit i cili duke shfrytëzuar dashamirësinë dhe propozimin me
shkrim të Drejtorit të TVSH, eliminoi burokracitë duke qarkulluar me shpejtësi
shkresën nga njera zyrë në tjetrën. Nuk ishte i lehtë emërimi im aty mbasi unë
prej një muaji figuroja "i shkurtuar" nga puna prej Drejtorisë së Kinostudjos
"Shqipëria e re". Mirpo stafit të ri i duhej të bashkëpunonte me njerëz të rinj,
plus që në disa media unë isha prononcuar pro ndyshimit dhe futjes së
marrëdhënieve të reja në punë, në çdo fushë të sistemin shtetëror. Të gjithë
ishim si të dehur nga era e lirisë, nga ditët që solli pranvera demokratike,
ndjeheshim të çliruar nga trysnitë politike dhe asfiksia shoqërore. Nuk e
harroj kurrë një shprehje të një zonje nga Durrësi, transmetuar ato ditë në
televizion; "Ka ardhur koha që të mos kthej kokën për të marrë vesh se kush më
dëgjoi çfarë thashë....". RTSH, i vetmi kanal elektronik, në atë periudhë, ishte
për mua një ëndërr. Jam habitur kur Geni, me një frymë ia behu po atë natë në
një kafe aty afër RTSH ku e prisnim me nja dy tre kolegë. I gëzuar na tregoi
shkresën me emërimin e cila mbante poshtë firmën e gjatë të Skënder Buçpapës. Pasi
e pashë me kujdes atë copë letër, për humor u thashë miqve të mi gazetarë: "Kjo
nuk është firmë, por vetëtimë...". Kisha filluar punë në departamentin "Bota
shqiptare" që unë e kisha aq për zemër. Ishte 16 nëntori i vitit 1992.
-Cili ishte emsioni apo lajmi i parë që keni realizuar dhe si jeni ndjerë?
Ka dy lloj punësh në Televizionin shqiptar, me rrogë dhe me honorare. Vërtetë
fillova punë si rrogëtar në vjeshtën e vitit 1992, por emri im në ekranin TVSH
ka qenë prezent qysh nga viti 1975, ahere isha korrespondent gazete në katër
rrethet e jugut, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë dhe Përmet. Nuk e harroj
bashkëpunimin tim të parë, një dokumentar për patriotin e madh të Rilindjes,
Koto Hoxhi nga Lunxheria, me skenarin tim dhe realizim të Kopi Kyçykut. Në ato
vite pak kishin apart televizori dhe programet shiheshin grupe-grupe në
shtepitë e njeri-tjetrit, madje edhe unë vetë e kam parë atë dokumentar në një
familje dëshmori, fqinj, të cilët kishin marrë autorizmim të posaçëm nga
Kryetari i Komitetit për t'u pajisur me apart marrës televizori. Prodhoheshin
në Durrës dhe mbanin emrin "Iliria". Ekrani kishte një ndjesi tjetër nga
publikimi i emrit në fund të shkrimeve të gazetës, ishte si më afër njerëzve,
ishte më popullor se sa gazeta që lexohej vetëm prej një elite intelektualësh.
Televizioni ishte magjia e kutisë së vogël që sillte para syve imazhe nga e
gjithë Shqipëria dhe pjesërisht nga bota. Ishte kinemaja në shtëpi. Ahere
informacioni ishte shumë i kufizuar, ishte privilegj të kishe televizor e jo më
të dukeshe përmes tij. Më vonë, kur u transferova në Tiranë, i pranishëm në
ekran me figurë kam qënë në emisionet e Ndue Ukcamës "Dokumenti dhe Historia".
Unë realizoja intervistat në terren, ndërsa gazetari i mirënjohur Alfons
Gurashi drejtonte emisionin në studio. Ndue Ukcama ka luajtur një rol të
rëndësishëm në rikonfirmimin e aftësive të mia televizive. I jam mirënjohës.
Kam bashkëpunuar me gazetarë e redaktorë si ish drejtori Virgjil Kule, me
krijuesit Ylli Pepo, Azis Gjergji, Ilir Grazhdani, Dhimitër Pecani, Petro Lati,
etj. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi mbasi ata të linin dorë të lirë në
krijimtari, nuk ndërhynin dhe ishin të mirëkuptueshëm. Nuk i harroj netët kur
ata e gdhinin në montazh sepse emisioni duhej transmetuar të nesërmen. Ishin
pasionantë dhe plot energji, e dashuronin profesionin që kishin zgjedhur.
-Ju vetë çfarë pozicioni kishit kur u zhvillua Festivali i 11-të dhe çfarë
ndodhi në RTSH në atë kohë?
Kur u zhvillua Festivali i 11-të unë isha redaktor në gazetën lokale të
Gjirokastrës. Goditja që ju bë atij festivali ishte paralajmërim për të gjithë
ne. U habitëm si mund të dënohej një këngëtar apo dirigjent, një kompozitor apo
një redaktor. Më vonë, në minierën e Memaliajt, kur unë isha korrespodent i
gazetës më të madhe "Zëri i Popullit", takova një nga redaktorët e atij
Festivali, poetin Sadik Bejko, ishte "qarkulluar" aty. E takova përpara gjithë
punëtorëve që hanin drekë në mencën e minierës. Më vonë Sadiku më ka
falënderuar duke më thënë se atëherë më duhej ajo përshëndetje për t'u thënë atyre
të minierës se mua nuk më kishte harruar Tirana. Merrni me mend se sa ka
vuajtur një poet kur gjen ngushëllimin pse e përshëndet një gazetar i qendrës.
Miniera ishte një varr nën tokë, me pasiguri dhe ajrim të dobët për gjithë ata
që punonin aty. Ishin të gjithë heronj dhe të internuarit aty; heronj mbi
heronjtë.
-Sa drejtorë keni ndërruar në TVSH dhe çfarë kujtimesh ruani për ata?
Nuk janë shumë drejtorët që janë këmbyer kur unë kam punuar në RTSH, por e nis
me drejtorin e parë të drejtpërdrejtë, Qemal Sakajeva. Pavarësisht se e kisha
shok të vjetër, jam munduar të jem korrekt në punë; e para sepse i tillë jam
formuar dhe e dyta; sepse nuk doja ta vija në vështirësi për marrëdhëniet
shoqërore që kishim midis nesh. Kishim krijuar një rit të përditshëm, pinim
kafet e mëngjesit së bashku tek një lokal buzë Lanës që quhej "Fontana", na
shërbente një vajzë e re që tani është pedagoge në Fakultetin e
Histori-Filologjisë. Kishim një kod, do të flisnim për gjithëçka, por jo për
marrëdhëniet në punë dhe as për Televizionin. Mirpo një mëngjes na u faneps një
shef departamenti, ai kërkonte me këmbëngulje të pushonte një nga gazetarët më
të vjetër sepse "kish njolla" në biografi. Nuk m'u durua dhe në vend të fliste
Qemali, iu vërsula unë i pari shefit. Qemali, i cili për nga natyra nuk i ka
qejf konfliktet, pavarësisht se unë u nguta të flas përpara tij, buzëqeshi, i
dha një përgjigje të rrumbullakosur propozuesit dhe nuk e pushoi nga puna
gazetarin që ishte aty që nga dita e parë që transmetoi në eter TVSH. Me Qemalin jam ndjerë më mirë se me asnjë drejtor
tjetër. Ai e liberalizoi ekranin, lejoi të flisnin njerëz të të gjitha
kategorive, u hapi rrugë të majtëve e të djathtëve, legalistëve e
nacionalistëve, bajraktarëve, kapedanëve, ish të burgosurve dhe të persekutuarve.
Ekrani i TVSH-së u bë popullor si kurrë ndonjëhërë më parë. Ndjehej kudo era e
lirisë. Mendoj se qysh ahere nuk është përsëritur më kjo marrëdhënie me
publikun. Qemali kishte koncepte të drejta për lirinë e medias.
Drejtor të përgjithshëm të RTSH unë kam pëlqyer një tjetër intelektual që edhe
sot është shumë aktiv në media. Dhe ky është Artur Zheji. Fillimisht i kam
pasur shumë të acaruara marrëdhëniet me të dhe kjo për arësyen sepse ai i
mënjanoi gazetarët e vjetër duke ndjekur politikën e lodhjes dhe humbjen e
durimit deri sa ata të vetëdorëhiqeshin, mirpo kur folëm së bashku ballë për
ballë, vura re se ai kishte një vizion shumë të qartë për një televizion publik
që t'i shërbente kombit dhe gjithë shqiptarëve. Dihet, ai zotëron disa gjuhë të
huaja, njeh mirë emigracionin mbasi vetë ka jetuar si i tillë në Itali dhe
Amerikë, është i pajisur me kulturë dhe edukatë të shëndoshë familjare, i biri
i shkencëtarit të gjuhës shqip prof. Petro Zheji dhe aktores së njohur Besa
Imami. Ai ka marrë shumë prej të dyve. Nuk e harroj kurrë një shprehje të tij
kur ne u revoltuam si sindikatë për rrogat e ulëta, mizerabël, duke menduar se
ai ishte bërë barrikadë, thirrëm; "Poshtë drejtori!". Ai tha: "E kam endërruar
të vinte ajo ditë që edhe vetë të thërrisja "Poshtë drejtori", po thërrisni ju,
hallall e paçi! Ishte një taktikë? Jo, ai mund ta shkrinte sindikatën (siç e
tretën pasardhësit e tij), mund të pushonte nga puna, por nuk bëri asnjë nga
këto. Ishte një dëshmi kjo se ai e kishte thënë me zemër atë çfarë ndjente. E
vlerësova Arturin sepse ai më kuptoi drejt kur i thashë se nuk mund të flija në
divanet e refugjatëve kur shkoja jashtë shtetit me shërbim, por duhet të
pajisesha me dieta të plota dhe së bashku me ekipin realizues, si gjithë
njërëzit pas punës, të rehatoheshim në hotel. Ai më kuptoi drejt dhe m'i
plotësoi të gjitha çfarë pretendova, prandaj e mbaj mënd si një nga drejtorët
më të mirë që ka pasur Radiotelevizioni shqiptar. Kam qenë nga të rrallët që e
kam kundërshtuar në mbledhjet e drejtorisë, por ai jo vetëm që nuk është
hakmarrë, por më propozoi për drejtor të Programit Satelitor, detyrë të cilën e
ushtrova për më shumë se sa një vit.
-Kur e keni ndjerë veten më ngushtë në RTSH dhe çfarë keni menduar?
Gazetaria është një profesion me shumë emocione, ke të bësh me komunikimin
publik që nuk mund të ta falë gafën, idiotësinë apo gabimin, qoftë edhe
njerëzor. Truri i një gazetari është gjithënjë i tendosur si një tel violine
nga ku përjeton emocione nga më të ndryshmet. Ju e filluat me emocionet
negative. Eh, çfarë të kujtoj më parë, dalja drejtpërdrejt në ekran është një
përgjegjësi e madhe për këdo, qoftë edhe për ata që kanë disa vjet që dalin on
line, por akoma, edhe sot kur e kujtoj një rast, ngjethem; ishte fillimi i
luftës në Kosovë. Kishim thirrur në studio një panel me njerëz të shquar,
historianë dhe juristë. E drejtonte emisionin një intelektual i zoti i cili për
çudi në një nga emisionet e radhës nuk u paraqit, as kishte lajmëruar se nuk do
të vinte. Për të mos dështuar, m'u desh mua të hyj për ta drejtuar, isha fare i
papërgatitur. Kisha një listë me emrat e të ftuarve, por nuk kisha titujt e
tyre shkencorë. Gjatë prezantimit, u ndjeva ngushtë, shumë ngushtë, dy prej
titujve i ngatërrova. Prof. Arben Puto më vjen në ndihmë, por kur e kujtoj gjaku
më vërshon edhe sot në fytyrë, ishte një përzjerje e inatit me drejtuesin e
munguar dhe hutimit tim; nuk isha në gjëndje të mposhtja emocionet edhe kur
kamerat vazhdonin të regjistronin e transmentonin on live. Eshtë e vështirë të
mendosh kthjellët kur të ndjekin miliona njerëz, duhet të kesh respekt në
shkallën më të lartë për shikuesin. Emisionet e drejtpërdrejta kanë shumë
përgjegjësi, por sot nuk është problem, moderatorët e kalojnë si gabim
njerëzor, ndërsa për mua, të mësuar me korrektesën, ishte një turp. Po kështu
një herë tjetër, në një emision për Kosovën, një shikues shqiptar nga Zvicra,
në një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë akuzon Ibrahim Rugovën si spiun të
Beogradit. M'u desh aty për aty t'i them se po akuzon pa fakte një udhëheqës që
tërë jetën e tij ia ka kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai këmbënguli
në idenë e tij dhe regjia me lezet ia mbylli mikrofonin, por e pata peng që nuk
i dhashë një përgjigje sa më të argumentuar...
Të gjitha sikletet e ekranit nuk i ngjajnë asnjë sikleti tjetër.
Nuk ka më idiotësi se sa kur nisesh me shërbim pa pasur mbështetje financiare.
Televizioni ynë nga kjo anë ka qenë për tokë. Drejtuesit as nuk kanë dashur
t'ia dijnë se çfarë ndodh më tej ekranit. Kam pasur privilegjin që gjithënjë,
qysh nga viti 1990 të jem i pajisur me vizë hyrëse e dalëse zvicerane. Sa herë
kërkoja, e merrja pa asnjë garanci nga që kisha qënë aty para përmbysjes së
komunizmit dhe isha kthyer gjithënjë këtu, në atdhe. Me dhjetra miq më kanë
këshilluar të kërkoja strehim politik në Zvicër, por mua gjithënjë më ka
pëlqyer vendi im, me të mirat e të këqijat e tij. Në Zvicër kisha krijuar shumë
lidhje me shqiptarët e Kosovës dhe shoqatat e tyre, por shpesh më duhet të
shkoja aty më parë për të organizuar grafikun e punës dhe siguruar ftesë për
kameramanin. Ndiqja vazhdimisht këtë praktikë; nisesha me lekët e mia të xhepit
dhe aty merrja lekët e biletës si dhe siguroja biletën për kameramanin. Një nga
ato herë, zbrita nga avioni, por ftuesi nuk doli të më priste në aeroport sipas
bisedës. Nga aeroporti, i hipa trenit local dhe u gjenda në qytetin e Zurihut.
U paraqita në një agjensi shqiptare së cilës i dija adresën, por e gjeta të
mbyllur. Ishte mbasdite vonë. Nuk kisha në xhep asnjë lloj valute të huaj. Isha
nisur me shpresë se lekët shqiptare që mbaja në xhep do t'i këmbeja në Rinas me
franga zvicerane apo ndonjë lloj valute tjetër. Kioska nuk funsiononte atë
ditë. Lekët shqiptare më mbetën në xhep, por ato nuk i pranonte asnjë bankë e
huaj. Pesë frangëshi që do të flisja në telefon u harxhua për biletën e trenit
lokal që më solli nga aeroporti. U solla vërdallë më kot bulevardit. Ku do të
flija, çfarë do të haja? Ishin dy orë të tmerrshme që po vija rrotull rrugëve
të Zurihut. Dhe errësira kishte rënë kudo. Asnjë i njohur. Iu luta zotit të më
ndihmonte, megjithëse unë nuk kam besuar ndonjëherë. Kisha ngrenë dikça në
avion dhe mund të duroja gjer të nesërmen, po ku do të flija? Duke menduar
këtë, më ra qielli mbi kokë. Po afronte mesnata. Gati po çmendesha. M'u kujtua
stacioni i trenit, mund ta kaloja natën aty, në ndonjë stol si shumë refugjatë
shqiptarë. Bobo, çfarë turpi, gazetari i televizionit shtetëror të flerë në
stacion të trenit?! E kisha humbur fillin krejt. Truri nuk më
punonte, isha si i mpirë. E vetmja gjë që më kishte mbetur ishte lutja tek
zoti. Dhe ashtu bëra. Nuk di sa kalova ashtu në atë gjëndje kllapie. Dëgjoj një
zë pas veshit, dikush më thirri në emër. Ishte një shqiptar i njohur nga
Veleshnja e Strugës, po kthehej vonë nga puna. I tregova se ftuesi nuk ishte
paraqitur. I dhashë numurin e telefonit. I bëjmë thirrje së bashku dhe telefoni
i tij dilte vazhdimisht i mbyllur. Kici, kështu quhej "shpëtimtari", i mërzitur
më tha: -Lëre, mos u merr më me të, do të shkosh në hotel dhe do ta paguaj unë.
-Jo, i thashë, kam gjithë këto lekë shqiptare, por nuk munda t'i konvertoj, ty
mund të të duhen kur vjen në plazh në Durrës.
-Jo, nuk më duhen, shkojmë në hotel, pastaj flasim. - Gjetëm një dhomë në një
nga hotelet buzë liqenit. Mora çelesin, bëra një dush dhe rashë si i vdekur në
krevat, ashtu, i pangrënë. Në frigoriiferin e vogël të dhomës gjeta ca pije dhe
ujë. Piva vetëm ujë, nuk doja ta rëndoja Kicin. U betova që kurrë nuk do të
nisesha për udhë pa pasur rezerva lekësh në valutë. Qysh ahere më është bërë
zakon që në çdo udhëtim, në këtë xhepin e vogël mbaj 500 dollarë amerikanë, të
ngrira, të fjetura, si për këtë rast. Të nesërmen, edhe pse ftuesi nuk erdhi,
dolën të tjerë shqiptarë të Kosovës të interesuar për televizionin. (Ne
shiheshim në Zvicër nëpërmjet satelitit të cilin e paguante e ashtuquajtura
Qeveri e Kosovës në mërgim dhe ekipi ynë TVSH e ka pasur gjithënjë rrugën të
lirë për të xhiruar aty, por pengonin vizat.)
Dhe i treti rast i vështirë ka qënë kur jepet urdhër nga Drejtoria e
Përgjithëshme që emisioni on line ku unë drejtoja të ndërpritej në mes mbasi
unë me "kokën time", kisha ftuar një intelektual që Kryeministri "nuk e shihte
dot me sy"?!
-Kush ka qenë dita më e gëzuar në këtë institucion gjigand të medias vizive?
Në televizion ajo që ngjan sot nuk përsëritet nesër, kjo është karakteristika e
gazetarisë në përgjithësi, por sidomos e televizionit ku publikut gjithënjë
duhet t'i servirësh ngjarje dhe dokumente të reja, të panjohura. Publiku duhet
të informohet, por edhe të argëtohet nëpërmjet asaj që ti si gazetar ke
hulumtuar, filmuar, montuar e transmetuar. Domosdo që sadisfaksioni është i
madh kur numuri i atyre që të shikojnë e të përgëzojnë është i pafund. Aty nga
viti 1994, me ide të gazetarit Ndue Ukcama, departamenti i "Botës shqiptare"
bëri bum me spektaklin "Shtatë milion në pesë shtete". Skenografia hapej me
kalanë e Krujës. Ne, dy-tre gazetarë skenaristë Taqua, Iliri dhe unë,
përpiqeshim të përfshinim sa më shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i
Zi dhe Greqia. Ishte një kohë kur shqiptarët po dilnin nga "gropat" dhe po
shihnin më mirë njeri-tjetrin, ballafaqoheshin me kulturën, zakonet dhe
patriotizmin e përbashkët në pesë shtetet. Ekrani TVSH u bë ndërmjetetësi dhe
ndërlidhësi midis tyre. Kam qënë shumë i emocionuar në emisionin e parë. Përpara
fillimit takova përgjegjësin e kameramanëve, Lulëzim Balla, i ati i gazetarit
të mirënjohur Sokol Balla, i cili kishte hipur mbi karrel dhe më tha i kënaqur:
"Do shkojë gjithëçka mirë, ndriçimi është perfekt, kemi vendosur kamera në çdo
kënd, unë vetë kam marrë përsipër planet nga lart dhe ato në lëvizje". Ishim të
gjithë të emocionuar, por ja, tre, dy, një, filloi...Jam përlotur, u emocionova
shumë. Gjithë shqiptarët po na shihnin, transmetimi ishte edhe në satelit. Por
kur pas disa minutash nga fillimi pashë në holl regjisoren Vera Grabocka, e
cila pasi kishte parë hyrjen, nuk iu durua, por u gjend menjëherë në studio, e
ndjeva se kishim goditur në shenjë. Vera nuk fal kur është fjala për spektakël.
Çfarë e detyroi të vijë në atë orë të vonët në studio?! Ne vazhduam edhe me
shumë puntata të tjera, njera më e bukur se tjetra. Alternimi i skenaristëve
ishte i suksesshëm, secili përpiqej që spektaklin e tij ta realizonte më mirë
se sa parardhësi, ishte si një lloj konkursi.
Eh, çelja e shkollës së parë shqipe në Selanik të Greqisë ishte një tjetër
event i paharruar. Më 7 mars të vitit 2001, për herë të parë, 24 nxënës do të
fillonin të mësonin shqip. Kishim dy ditë që po xhironim përgatitjet e hapjes
së shkollës dhe ja ku kishim mbrritur në orën e parë të mësimit. Një mësuese
emigrante nga Burreli, në mos gaboj quhej Valbona, një vajzë e re, bionde me sy
të bukur po niste të jepte mësim. Kamera jonë TVSH ishte ndezur. Mësuesja
filloi të fliste, por i dridhej pak zëri, e ndjeva se po kalonim një moment të
rrallë. "Nebi, i thashë kameramanit, mos e ndal xhirimin, sido që të ndodhë!".
Lotët rrëshqitën mbi faqet e mësueses. Ashtu e kemi transmetuar në ekran, të
përlotur. Ajo u emocionua sepse pas 4-5 vjetësh punëtore në emigracion, po
ushtronte profesionin e saj në gjuhën shqip me fëmijët e emigrantëve shqiptarë
në një vënd ku racizmi është i theksuar. Dokumentarin e titullova "Rrënjët e
indentitetit". Hapja e kësaj shkolle ishte një nismë e kryetares së shoqatës
shqiptare , të palodhurës Mimoza Dako e cila na ndoqi hap pas hapi duke na
krijuar mundësi të mëdha për realizimin e dokumentarit që për mua si autor
është nga më të bukurit. Në atë vepër ne, si ekip, nuk jemi vetëm autorë të
realizimit, por edhe organizatorë të hapjes së shkollës shqip. Dallëndyshja e
parë e mësimit të gjuhës sonë në tërë Greqinë erdhi në Selanik atje ku dikur
rilindasit tanë të mëdhenj shtypnin librat shqip me vjershat e Naimit e të
Çajupit, atje ku patrioti Hasan Prishtina derdhi gjakun e tij të kulluar nga
plumbi i një tradhëtari të kombit.
Kujtoj një rast tjetër edhe më emocionues se ky që shtjellova pak më sipër: Në
Drenicë të Kosovës kishte ndodhur një ngjarje e llahtarshme, ushtria serbe në
Prekaz, për 36 orë kishte rrethuar çetën e Adem Jasharit, kishte qëlluar me
mitraloz, me top, minahedhëse, por asnjë nuk u dorëzua, u vranë 53 vetë, duke
djegur të gjallë familjen prej 28 vetësh të Adem Jasharit. Brenda shtëpisë
ishin edhe gra e fëmijë. Burrat dhe gratë kishin luftuar heroikisht. Ishte 7
mars i vitit 1998. Ne duhet t'i përgjigjeshim si televizion kombëtar, duhet ta
ndërkombëtarizonim këtë masakër të pashëmbullt. Na duhej një reagim i fortë, na
duhej një këngë, na duhej një tekst. Së bashku me regjisorin Piro Vesho kërkuam
këngëtarin Arif Vladi duke menduar se ai i realizonte me pathos këngët heroike.
E pyetëm se kush mund të na kompozonte një këngë për Kosovën duke përfshirë
heroizmin e Adem Jasharit dhe maskrën në Prekaz? Edmond Zhulali me poezi të
Gjok Becit, propozoi ai. Na u desh t'i takonim të dy. Mondi e kapi në ajër
propozimin. Do ta keni shumë shpejt në dorë, premtoi ai. Gjoke Beci e solli një
tekst, por mua m'u duk disi i zbehtë. - Gjoke, duhet të flitet për bashkim
kombëtar dhe teksti duhet të ketë më shumë zjarr. - i propozova unë. Piroja e
aprovoi me kokë. - Unë mendova se ju nuk e donit aq "luftënxitës", tha ai duke
tundur kokën me sytë që i shkëlyen së brendëshmi, nesër takohemi përsëri këtu.
- Piro, duhet të bëjmë edhe diçka tjetër, i thashë, duhet të futim në studio
një vajzë vlonjate me flamur dhe një djalë kosovar, ndoshta gjejmë ndonjë
student nga Drenica. Ndërkohë që flet studenti, vajza vlonjate hyn me flamur të
çpalosur në studio dhe djali kosovar të bjerë në gjunjë e të puthë palët e
flamurit si Isa Boletini. Ndërkohë vajza vlonjate t'i thotë studentit se këtë
flamur duhet ta dorëzojë tek kulla e Jasharëve në Drenicë, të valvitet aty.
Adem Jashari ka lindur në festën e flamurit. Gjoka e solli tekstin të
përmirësuar e redaktuar, Mondi po bënte prova me Arifin, por nuk kishim shumë
kohë, duhej përgjigjur flakë për flakë. Një mbasdite nisëm emisionin. Gjithëçka
po procedohej sipas skenarit, por në studio u krijuan emocione me flamurin dhe
koha po fluturonte. Ora po shkonte 20 e mbrëmjes kur spektakli duhej të kishte
përfunduar. Ne duhet ta mbyllnim
me këngën e Arif Vladit, kështu kishim vendosur me Piron. Vazhduam, e morëm
rrezikun në sy. Bie telefoni i drejtorit të përgjithshëm Eduard Mazi i cili më
thotë i indinjuar:
- Po shtyn lajmet, do të pushoj nga puna. - E ndjeva se dikush nga lart, i etur
për të dëgjuar lajmet duhet ta kishte kërcënuar edhe atë vetë! Edi Mazi vinte
nga radhët e gazetarëve dhe kurrë nuk përdorte gjuhë të tillë, të ashpër.
-Arif Vladi u nis të këndojë fiks në orën 20, kur audienca është maksimale dhe
kënga vazhdoi katër minuta. I harruam të gjithë, jetonim me Kosovën, me Adem
Jasharin, me Azem Galicën, me Shaban Polluzhën dhe gjakun akoma të patharë në
Prekaz. Gjëmonin vargjet e refrenit:
Jam Kosova e Shqipërisë,
Njëqind vjet i thërras lirisë,
Po kurrkush liri s'po më jep, Tym e flakë po shkon kjo jetë....
Përfundonte "Qoftë mallkue kush s'na don bashkë!" Zë, tekst, melodi, të gjitha
thërrsinin për kushtrim. Kënga ishte e jashtëzakonshme. Sa mbaroi, Edi Mazi më
merr përsëri në telefon dhe më thotë: - -Ia hodhe, kënga ishte vërtetë shumë e
bukur, përgëzoje gjithë ekipin realizues nga ana ime! -U preka pa masë. Atë
natë kam qënë si i mpirë. U kthyem vonë në shtëpi së bashku me regjisorin Piro
Vesho. Kishim hedhur nga një gotë. Të nesërmen në mesditë po ndiqja një lajm
nga aktiviteti i shqiptarëve në Gjermani. U habita, kënga ishte kopjuar dhe me
melodinë e saj u çel mitingu....Gjëja e bukur shpejt merr dhenë. Kjo është fuqia
dhe magjia e televizionit. Pas nëntë ditësh Jugosllavinë e sulmoi ushtria e
NATO-s.
-A i keni takuar ndonjëherë apo i keni shoqëruar, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun,
Ramiz Alinë?
Mund të thoni detaje? -Eshtë e habitëshme sepse që të tre këta emra unë i kam
takuar, madje Enver Hoxha, gjatë vizitës së tij në shtëpinë e lindjes në
Palorto të Gjirokastrës, më ka zgjatur edhe një llokume që e zonja e shtëpisë i
nxorri atij. Mehmet Shehun e kam shoqëruar në një vizitë në shtëpinë e
Frashallinjve në Përmet. Tregonin lloj-lloj historish se si me atë udhëheqës
mund të bëheshe kurban në pak sekonda. Nuk ishte e lehtë të ballafaqoheshe me
të. Më duhet t'i jepja reportazhin për ta lexuar, kështu më njoftuan nga
redaksia, para botimit, reportazh që të nesërmen u shtyp në të gjitha gazetat.
I shkova në shtëpinë e pritjes në Përmet ku ai pushonte. Kryeministri ishte në
oborr më këmbë. Rojet as më pyetën, as më ndaluan. Ishim njohur e miqësuar me
ta nga gjithë ajo rrugë e gjatë. Kryeministri i mori fletët e daktilografuara
të reportazhit dhe po i lexonte me kujdes. Aty afër rreshtave të fundit, i
ngriti sytë i zemëruar. Gjeti një gabim orthografik. Nga shpejtësia,
daktilografistja kishte shkruar në vend të fjalës lapidar- labidar. Edhe mua më
kishte shpëtuar pa e korregjuar. Kryeministrit i hipën nervat, u zemërua, u
xhindos dhe tha: "Çfarë shkollë është kjo që nuk u mëson as se si shkruhet
fjala lapidar? Pse ma dhe mua ta shoh reportazhin, me këto punë në Byronë
Politike kemi caktuar Ramiz Alinë, është ai sekretar i propagandës e jo unë".
Më pas kam vrarë mendjen, vërtetë u zëmërua për atë lapsus?! Si ishte e mundur
që një Kryeministër të merrej me një fjalë që pas meje kushedi dhe në sa filtra
të tjerë do të shkonte ai tekst?! Kryeredaktori Agim Popa atë mbasdite më
kërkoi dy herë në telefon dhe më tha: - Më thuaj në ligjëratë të drejtë çfarë
të tha Kryeministri? Dhe unë i them se u zëmërua për një shkronjë të shkruar
gabim nga daktilografistja e Komitetit, gjë që as unë nuk e kapa, ishte shkrim
shumë i shpejtë, pas gjithë asaj rruge më duhej të shkruaja....
- Lere drejtshkrimin, vazhdo më tej!
- Pse ma dhe mua ta shoh, me këto punë Byroja Politike ka caktuar Ramiz Alinë,
është ai sekretar i propagandës e jo unë!- kështu tha ai.
Emri i Ramiz Alisë u përmend me zemërim dhe me më shumë ngarkesë se sa lapsusi
labidar. Kishte diçka tjetër, gjetkë flinte lepuri. Kryeministrit i duhej të
kapej nga diku për të thirrur në vëmendje të tij Ramiz Alinë. Dhe ashtu ndodhi.
Herën e dytë kur unë dhashë përgjigjen, veshin në receptorin e telefonit
matanë, e kishte vënë Ramiz Alia dhe jo kryeredaktori. Siç më thanë shkokët
redaktorë, kur u ktheva në qendër, Ramiz Alia kishte ardhur me ngut, i
shqetësuar pa masë dhe ishte marrë vetë me shkrimin dhe urdhërin për ta botuar
të gjitha gazetat. Kishte filluar përçarja. Gazetarët janë të parët që
nuhasin...Por konstatimet tona ne nuk duhet t'ia thonim askujt, sidomos në atë
kohë...
Ramiz Alinë e kam takuar disa herë, por për punë më është dashur të bisedoj me
të veçmas për një kritikë që duhet t'i bëhej rrethit të Sarandës. Habia ime
ishte tjetër gjë. Mua më porositi t'i mëshoja kritikës në artikull, ndërsa në
sy të përfaqësuesve lokalë konfirmoi tjetër gjë, lëvdata. Ai nuk i ka pasur
kurrë qejf përplasjet e drejtpërdrejta. Ishte dinak dhe shumë i zgjuar. Ahere
këtë e thonin shumë kuadro të larta nën zë, por unë e dëgjova dhe e pashë me
sytë e mi.
-Si e keni ndjekur modernizimin e RTSH, cilat kanë qenë kamerat e para dhe më
modernet?
-Kam
realizuar dokumentarë dhe emisione me film, me shirit elektomagnetik, bosch, me
dixhital, pra me të gjitha llojet e teknologjisë. TVSH ka transmetuar me
ngjyra, me film kodak kur pak të tillë e kishin privilegjin në Ballkan, mirpo
me daljen e televizioneve privatë, TVSH nuk mundi të bëjë ndryshime e
transformime si ata. Nuk iu përgjigj dot kohës. E para kishte një teknologji në
përdorim, ishte investim së cilës i duhej marrë produkti dhe e dyta, kërkesa për
blerje dhe ndryshim aparaturash është një betejë shkresash me qeverinë.
Personalisht jam gëzuar që nëndrejtor i përgjithshëm është emëruar Agron
Aranitasi i cili e njeh me themel televizionin, transmetuesat, kamerat,
montazhin, marrëdhëniet me të tretët, etj. Top Channal u dha një goditje të
rëndë gjithë mediave elektronike në Shqipëri, ata përqafuan dhe vunë në zbatim
teknologjinë më të fundit dixhitale duke transmetuar me shumë cilësi në mbarë
rruzullin. Televizioni shtetëror akoma vazhdon të përpëlitet me teknologji të
vjetër dhe nga njeri kalim në tjetrin, nga njera kopje në tjetrën cilësia e
filmimeve humbet duke ia ulur vlerën. Shteti duhet të pararendë dhe ta lëshojë
qesen për teknologjinë e re, ajo nuk mund të fshihet. Ballafaqohet çdo ditë me
teknologjinë më të avancuar botërore, por edhe me shikuesin emigrant i cili
jeton e punon në vendet më të zhvilluara të botës. RTSH ka mbetur si dinosaurët
që nuk iu përshtatën dot ndryshimeve klimatike dhe u zhdukën. Drejt asaj po shkon.
-Si do ta komentonit punën tuaj në RTSH?
Puna në televizion ka një të mirë të madhe, ruhet në arkiv. Kur unë shoh se
edhe pasi kam ikur prej andej të tansmetohet dokumentari për Sten Dragotin,
Grudën, aristin me famë botërore Rexhep Mitrovica, pianisten nga Tetova,
Monumentin e Skenderbeut në Michigan, portreti i piktorit të shquar Bashkim
Ahmeti në Neë Jersey, reportazhi për emigrantët shqiptarë në Zakintho, shkolla
e parë shqipe në Selanik, etj. Mendoj se kam lënë gjurmë në atë institucion dhe
veprat do të mbeten shumë e shumë kohë edhe pas vdekjes sime.
-Në punësimin në RTSH duhej miku apo niveli intelektual?
Dikur duhej biografia "pa njolla" dhe talenti, ndërsa në demokraci u ngatërrua
talenti me mikun, ose më mirë u thirr në skenë militantizmi I pështirë. Pas çdo
ndërrimi të drejtimit politik, ndërronin edhe gazetarët e talentuar, por
gjithënjë ka mbetur e paluajtshme një pjesë gazetarësh tampon do të thoshja që
janë dakord me të gjitha palët dhe tre deri në gjashtë muaj para zgjedhjeve
nuhasin se si do të munden të mbijetojnë po qe se do bëhet ndryshim politik.
Kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari e dëmton jashtëzakonisht
profesionalizmin. Konkretisht, unë shkarkohem nga detyra sepse vëndit tim ia
kishte vënë syrin miku më i ngushtë i Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi.
Kjo klimë "luftë klasash" post demokratike dëmton gazetarinë e vërtetë, godit
profesionalizmin dhe vret shpirtin e tyre liridashës. Është si të gjëndesh
brenda një tenxhereje me presion.
-Po sot pse ka mbetur kaq mbrapa ky metalurgjik i medias vizive shqiptare?
Ka dy arsye që ka mbetur mbrapa; e para paratë që paguan populli, taksa që
jepet me detyrim në faturën elektike, nuk shkon në RTSH dhe e dyta, edhe ajo që
shkon, nuk shpërndahet drejt, por bëhet pre e tenderave, hatëreve dhe
vjedhjeve. Mjafton të shihni se sa shpërblime dhe dieta ka marrë drejtori i
Përgjithshëm Petrit Beci dhe do të mësoni se si funksionon e gjitha kjo
piramidë. Petrit Beci erdhi nga "Klani" për t'i shpëtuar detyrimet financiare
që kishte kjo medie ndaj transmetuesve në Dajt (qeraja e antenave). Beci e
solli gjëndjen të atillë që juristët e tij të mos paraqiteshin në gjyq dhe
gjyqi të vendoste në favor të "Klanit". RTSH humbi kështu me dashje miliona.
Pas gjithë kësaj afere fshihet korrupsion i pastër. Të mos harrojmë, janë miliona...Nga
ana tjetër RTSH është kthyer në megafon të qeverisë. Të mos largohemi më tej,
jeni duke parë RAI, a konstatoni ju se me cilin krah politik është ky kanal? Ai
është vetëm me publikun italian, por ky yni nuk i afrohet as tek bishti edhe
pse kaq pranë si hapësirë ajërore... Mjafton të shkoni një mëngjes aty dhe do të
vreni se si shpërndahen gazetarët në terren, gjysmët shkojnë pas aktiviteteve
të qeverisë, gjysmët e tjerë pas PD-së dhe ministrave që ka emëruar PD.
Televizioni publik duhet të merrej me problemet publike, me kulturën kombëtare,
ushqimin e popullit, energjinë, ujin, rrugët, turizmin, gjakmarrjen, folklorin,
bukuritë e Atdheut, investigimin, etj. Ndodh e kundërta, është kthyer në avokat
mbrojtës të qeverisë dhe servil i pështirë i Kryeministrit. Ai
ka humbur identitetin dhe reputacionin e tij të dikurshëm. Zvarritet si një
krimb që rrugës lëshon gjurmë jargësh. Gazetarët janë kthyer në ca robotë që
bëjnë çfarë i urdhërojnë shefat e jo çfarë janë në gjëndje të investigojnë
vetë. Dhe si u arrit deri këtu?! Maxhoranca brenda një nate ndryshoi ligjet,
përbërjen e Këshillit Drejtues dhe ish stafin drejtues. Brenda një nate, edhe
atë pak pavarësi që kishte, ia reduktoi në zero. Mirpo si mund të sillesh
kështu me gjysmën e popullit opozitar i cili paguan taksat për këtë
institucion?! Përse dhe ku shkojnë gjithë ato të ardhura?
-Cili ëshët mendimi juaj për mediat vizive shqiptare sot?
Nuk ka media të lira, ato janë
ose me pozitën, ose me opozitën. Përpiquni të shkruani apo të realizoni diçka
që nuk i hyn në punë as pozitës, as opozitës, por publikut dhe do të shikoni që
jo vetëm nuk do përfilleni, por edhe mund të mos gjeni vend për botim në asnjë
nga këto media. Kjo është e trishtueshme në një vend që pretendon se ka
përqafuar rregullat demokratike. Gazetarët duhet të mbrohen nga ligji dhe të
kenë shoqatat dhe sindikata e tyre të fuqishme. Ata nuk duhet të pranojnë të
punojnë me rroga qesharake. Si mund që gazetari t'u dalë në mbrojtje të tjerëve
kur ai nëpërkëmbet nga një pronar që nuk ka as gjysmën e intelektit të tij?!
Eshtë një tallje e paskurpullt që një gazetar të punojë gjashtë muaj pa marrë
rrogën dhe kjo jo vetëm në një rast. Kurrsesi ai nuk mund të jetë i lirë e i
pavarur me një trajtim injorues. Gazetari duhet t'i sherbeje të vërtetës, publikut
të gjerë dhe jo interesave meskine të një pronari mediokër të një partie të
caktuar, ciladoqoftë ajo, e madhe apo e vogël.
-Si u ndjetë kur dolët në pesnion dhe a u vlerësuat?
Unë nuk dola në pension si gjithë të tjerët, megjithëse kisha qënë gazetar
profesionist për rreth dyzet vjet, sepse kur më duhej edhe një vit e gjysëm për
t'u shkëputur nga puna normalisht, përsëri "më zuri shkurtimi". Jam ndjerë i
fyer, jashtëzakonisht shumë i fyer, madje nuk po më transmetonin as emisionet
që sapo kisha mbyllur. Me trishtim konstatova se ishte kthyer "lufta e
klasave". Më lindën dyshime të mëdha dhe m'u lëkund besueshmëria në rregullat
demokratike që kisha aspiruar tërë jetën. Para shkëputjes nga puna m'u desh të
zbardhja një gjobë për shpenzime telefonike të cilën e kisha të dokumentuar e
të mbuluar me fatura. Pretendohej se gjoja nuk gjendeshin kopjet e pagesave.
Isha me fat që unë vetë i kisha ruajtur ato kopje. Për pushimin e padrejtë iu
drejtova gjykatës, gjyq të cilin e fitova duke vjelë me përmbarim rrogën e
vitit të fundit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur në krye të RTSH, si kurrë
ndonjëherë u vendos nga Kuvendi një llogaritar që kurrë në jetën e tij nuk
kishte bërë asnjë emision radiofonik edhe pse po shkonte tek të gjashtëdhjetat.
I paaftë si profesionist, por shumë i aftë si servil e langaraq duke hyrë nga
njera zyrë e PD-së në tjerën me pelerinën e militantit në kurriz. Petrit Beci,
që mbrapa lëshon kudo një duhmë alkoli (pijanec i njohur), po kështu si
shembëlltyra e tij i kërkoi edhe mvartësit duke e kthyer RTSH në insitucion
qokash. RTSH ka prona gjithandej të cilat gjatë këtyre vjetëve janë kafshuar
nga kumbarët e Becit e disa kanë ndërruar destinacion. Në rast se aty do të
ngulej Kontrolli Shtetëror, do të gjente abuzime të pafund dhe shpërdorim
fondesh. Po sot ai kutërbon e bie erë provincë, është kthyer në një gërdallë që
pret nga dita në ditë të bjerë. Fuqia e një televizioni matet me spektaklet, me
emisionet investiguese, filmat dokumentarë, konkurset, festivalet, etj.
Televizionet private duhet të jenë opozitë e tij e jo ai të bëjë emisione të
përbashkëta me "Klanin" siç ka bërë me këngën popullore, etj. RTSH nuk i ka të
gjitha këto, më shumë është i përqëndruar tek lajmet që ose bëjnë zhurmuesin,
ose avokatinë e qeverisë. Ai vazhdon të ekzistojë vetëm për inerci dhe jo për
vlera. Të mos harrojmë, ky televizion ka nxjerrë gazetarë, regjisorë,
kameramanë dhe montazhierë që sot janë krenaria e televizioneve private.
-A keni ndonjë peng për punën që keni bërë aty?
Po, kam një peng, nuk realizova dot një dokumentar për piramidat shqiptare, për
atë dramë që tronditi mijëra familje të varfëra dhe çoi në trazirat e vitit
"˜97-"˜98. Ajo është një ngjarje historike që duhet trajtuar hap pas hapi, ajo
është histori e popullit shqiptar e cila do të ketë shumë jehonë në të ardhmen
dhe do të kujtohet herë pas here. E meriton një dokumentar me disa seri. E kush
më mirë se sa televizioni publik mund ta bëjë këtë? Dhe e dyta, nuk realizova
dot një portret për Selam Musa Salarinë, legjendën e Luftës së Vlorës. Lufta e
vitit 1920 ishte kyçi, nyja që Shqipëria nuk u coptua nga grekët, italianët dhe
serbët.
-Cili është mendimi juaj për profesionin e gazetarit?
Mendoj se është një profesion nga më të bukurit, me rreziqe, me të papritura,
sadisfaksione, emocione dhe privacione...të jesh gazetar do të thotë të jesh i
guximshëm, kureshtar, investigues, krijues, me njohuri të gjera, studjues dhe i
talentuar. Sikur ta filloja edhe njëherë jetën nga fillimi dhe të më pyesnin se
çfarë profesioni do të zgjedhësh: gazetar do të përgjigjesha. Gazetaria është
jeta në lëvizje, është si ai oksigjeni që ushqen gjakun nëpërmjet mushkërive. (Telegraf)