1.
Proklamata e mbretit Nikolla i Malit të Zi e 9 tetorit 1912, me gjithato
thirrje shovene drejtue popullit malazez dhe forcave të tij ushtarake në
mësymjen luftarake për pushtimin e spastrimin etnik të trevave veriore
shqiptare në dy brigjet e Drinit deri në lartësitë alpine të Limit, shënon edhe
filimin e Luftës së Parë Ballkanike. Ai iu apelon forcave ushtarake malazeze të
"vringëllojnë shpatat pa u tutë" si dikur etërit e tyre në Nikshiq, Tivar,
Ulqin.
Drejt kazasë së Plavë-Gucisë u nis një nga tri grupimet ushtarake malazeze:
Grupimi i Verilindjes, i drejtuar nga gjeneral agjutant, brigadieri serdari,
Janko Vukatiq, me rreth 10.000 ushtarë të inkuadruem në Divizionin IV (21
batalione, 6 bateri artilerie, me 28 topa). Perandoria Otomane, Komanda e Përgjithshme
e saj, hodhi në frontin e luftës forca të Korpusit VII si Divizionin XXIV në
Pejë, disa batalione kufini, regjimente rezervistësh e vullnetarësh në Prizren,
Pejë, Plavë, Guci.
Përballë njani-tjetrit: 49 batalione me mbi 53.000 forca ushtarake otomane,
kryesisht shqiptarë efektiv e vullnetarë dhe 34.000 forca ushtarake malazeze,
pjesërisht edhe shqiptarë vullnetarë. Ushtria otomane në kufi apo në kazerma
nuk ishte aq qëndrestare ndaj malazezëve në Plavë-Guci, ashtu sikurse kundër
malazezëve në kryeqytetin e vilajetit të Shkodrës, kundër serbëve në Kumanovë
në vilajetin e Kosovës, etj.
Forcat ushtarake të Grupimit Lindor (me tri brigada kambësorie e një brigadë
vullnetare serbe) u dislokuan në tri pika gjeo-strategjike: Zhabjak, Kolashin e
Andrejevicë, me objektiv luftarak gjeo-strategjik të marshonin deri në
Sanxhakun e Tregut të Ri për ta ndarë këtë krahinë etnike shqiptare ndërveti me
Serbinë dhe, mbasandejna, të kalonin përtej Pejës e Gjakovës, me ëndrren e
vjetër e të re të mbretit Nikolla I për ta shpall Prizrenin shqiptar "kryeqytet
të Malit të Zi".
Divizioni Lindor i Malit të Zi sulmoi më 9 tetor 1912 kufinin turko-malazez në
dy krahinat etnike shqiptare: në Bijello Pola dhe në Mojkovac, në afri
gjeografike me kazanë e Plavë-Gucisë, të cilat i morën me disa luftime të
shkurtëra dhe u vërsulen egërsisht mbi popullsinë e atyshme shqiptare dhe mbi
shqiptarë të asimiluar në boshnjakë, duke kryer krime të rënda, plaçkitje të
mëdha, djegie të pasurive të tyne, etj..
Brenda dy ditëve, me vendosjen e diktaturës ushtarako-policore malazeze në dy
zonat e pushtuara, Grupimi i Lindjes u nis drejt Beranës, nga rradhët e të
cilit 8 batalione me forca ushtarake në mesditën e 11 tetorit 1912 vijuan
përgjatë rrjedhës së Limit për nënshtrimin e Plavë-Gucisë, ndërsa 13 batalionet
e tjera më 16 tetor 1912 do të merrnin rrugën e luftës për në Pejë. Ushtrisë
malazeze iu shtuan edhe grupe me vullnetarë serbë, etj., nga Bijello Pola,
Mojkovac, Beranë, etj.
2.
Mbi kullën e Bajram Hysit (Hysenit) të Mekulëve të Nokshiqit, në një kodrinë,
ngrihej katër katëshe e lartë "Kulla e Nizamit", nga kryelartja e të cilës
shihej Plava me rrethina, krejt Velika deri në Qafën e Çakorrit e në Murinë.
Aty rrinin në vrojtim e gadishmëri luftarake 35-40 nizamë otomanë. Në mes tyre
kishte edhe ndonjë shqiptarë nga trevat përrreth të punësuar aty.
I riu atdhetar Mujë Bajrami, djali i madh i luftëtarit hero të Luftës së
Nokshiqit, Bajram Hysi, më 9 tetor 1912 pikasi me sy se andej nga "Kulla e
Nizamit" kishte lëvizje të pazakonta, ndryshe nga çdo herë tjetër. U ngjit deri
atje dhe foli me nizamët. Ata po donin me u çue andej e me hy në kazermë, në
përgaditje për me shkue nga kanë ardhë, drejt Stambollit, kryeqytetit të
Perandorisë Otomane. Nuk hupi kohë e u rikthye tek kulla e vet, ku i kallxon
gjithçka të atit.
Ky luftëtar i sprovuar nuk kishte kohë me mendue e fjalnue gjatë, po thirri
vllazninë e vet: Hajdar Hysenin e Selim Hajdarin e Mekulëve, mori përkrah
djemtë e vet: Mujën e Balinë, të dy të martuem asaj kohe, dhe iu ngjitën
kodrinës me armë në duar tue nxanë pozicione luftarake. I rrethuan nizamët dhe
iu kërkuan me u dorëzue pa astenji rezistencë.
Shtatlarti trupmbushun, 52 vjeçari i mendjes e i pushkës, Bajram Hysi i
Mekulëve, iu vikati jehonshëm në shqip e në osmanisht:
-O nizamë, për hajr iu koft rruga e kthimit në vendet tuaja. Po na leni vetëm në luftë me shkijet. Po na tradhtoni.
Merrni kuaj, ushqime e çka të doni vetëm me na i dorëzue pa luftë armët e
juaja, në dy anët e derës të"Kullës së Nizamit".
Pushka e trimave mekulas nuk linte rrugë të dytë. Nizamët panë se nga poshtë
fshatit po i ngjiteshin kodrës edhe të tjerë nokshiqas, edhe të rinj e të
moshuar. Nuk lanë me zgat shumë fjalëthaniet e shqiptarëve nga llogoret. I
lëshuan përtokë armët, tue i mbështetë me grykë poshtë në murin e jashtëm të
"Kullës së Nizamit" dhe morën rrugën në ecje për kah Qafa e Diellit me ra drejt
e në Pejë, në qëndren e Korpusit VII të ushtrisë otomane.
Tre djemë trima të rrallë, Mujë Bajram Hysi (Mekuli) me kusherinjtë e tij, dy
vllaznit: Selimi e Arifi të Hajdar Mekulit, ua nxorën shpatat nizamëve, të
cilët ua dinin trimëritë e tyre në betejat me shpata, pasi iu kishte shkue zani
deri përtej Andrejavicës e Kolashinit, Beranës e Rrozhajës, Pejës e Malësisë së
Gjakovës.
Kur i mblodhën armët burrat e Mekulëve e nokshiqas të tjerë që mbrrinë aty e
kuvenduan me i nda ato tek xhamia e vjetër në qendër të fshatit, po veçse
paraprakisht banë një përjashtim: ia dhanë Mujë Bajram Hysit një "revole turke"
si lajmës i parë i ikjes së otomanëve nga "Kulla e Nizamit",të cilën e mbajke
të ngjeshun në brez si kujtim të veçantë. Muja, kur e lëshoi Nokshiqin i
përndjekun familiarisht me plumba e zjarr nga malazezëte mshefi shpatën në një
qarrishte në vijë të kufinit, e cila nuk u gjet ndonjëherë, pavarësisht se e kanë
kërkue njerëzit e tij edhe në vitet e rikthimit, në "Kohën e Shqipnisë".
Me atë revole Muja qiti për herë të parë kur ranë tek xhamia. E dha sinjalin me
u mbledh në log të kuvendit të Nokshiqit nga një mashkull për shtëpi. Aty i
ndanë armët e armatimet e nizamëve dhe e caktuan rendin ditor të vrojtimit tek
"Kulla e Nizamit": për çdo vllazni nokshiqase nga dy-tre mashkuj pushke.
Luftëtari me trimni të njoftun, Bajram Hysi Mekuli u caktue përgjegjës
kordinator i tyne, pasi kishte dëshmue aftësi të larta ushtarake, e kishte
kullën e tij aty afër, ishte luftëtar aktiv me çetën që rrinte atyne rrethinave
e mbronin nga sulmet e malazezëve fshatin e Nokshiqit, krahinën e Plavë-Gucisë,
etj.
"Kulla e Nizamit", derisa e dogji ushtria malazeze më 14 tetor 1912, i mbeti
Nokshiqit e vllaznive të tij, e cila sot ka mbetë një gurnajë e haparavtë.
3.
Mbi 3.000 forca vullnetare shqiptare nga bajrakë të vilajetit të Kosovës,
kryesisht nga kaza e Gjakovës: Krasniqja, Gashi, Shipshani, Bytyçi,
Nikaj-Mërturi (një pjesë e tyre), Dushkajë, Rekë e Keqe, etj. i ngjeshën armët
e kushtrimit e shkuan në ballë të luftës.
Forcave shqiptare iu prinin Bajram Curri e Riza Beg Kryeziu (të dy morën plagë
të lehta në këto beteja luftarake) si dhe përfaqësues krahinor si Zeqir Halili
i Binak Alisë të Krasniqes, Halil Brahim Bajraktari i Gashit, Tahir Bek
Bajraktari i Shipshanit, Kadri Zmajli i Dragobisë, etj. Luftime të ashpra u
zhvilluan në Visitor, mbi Velikë, Majën e Liqenit të Plavës, etj., Komandanti i
Divizionit, gjeneral J. Vukotiq, më 21 tetor 1912, nga Gucia e pushtueme nga
malazezët, i raporton mbretit Nikolla i Parë se "3 mijë shqiptarë të nahijes së
Gjakovës ...ata sulmonin çdo ditë batalionet tona...".
Forcat vullnetare shqiptare të Gjakovës e malësive të saj u përqëndruan në vijën
e frontit Visitor Qafë Xhami (Pepaj)-Arzhanicë-Çakorr dhe me 15 tetor 1912 ua
krisën luftën me sulme strategjike guerilase e frontale që zgjatën mbi tre
ditë. Një pjesë e këtyne forcave vullnetare shqiptare, bashkë me dy grupe të
vogla të garnizionit turk në Plavë e Guci (që po banin jetë kazerme e në
përgaditje për ikje) u përqëndruan në vijën Vermosh-Greben-Zeletinë-Visitor.
Në këto luftime në mestetorin 1912 mori pjesë edhe Bajram Hysi i Nokshiqit,
bashkë me disa nokshiqas të vllaznive Mekuli, Selimaj (edhe ata të Gucisë),
Mehaj e Buçaj, të cilët iu bashkangjiten me vullnetin e armatimet e veta
forcave të kazasë së Gjakovës, duke qënë aktiv në luftime, ndihmës në
udhërrëfime dhe në ndërtimin e strategjisë së luftës në Ultinën e Sirme të
Limit, përreth liqenit të Plavës, etj.
Në luftimet mbi Velikë fituan shqiptarët kundër sulmeve të malazezëve, ku një
kontribut meritor pati edhe Bajram Hysi i Mekulëve me udhëzimet e tij
teorike-praktike për vendosjen e trupave luftarake shqiptare në topografinë e fshatit
Velikë, etj.,sepse edhe kullat e veta mekulase në Nokshiq i kishin në kufi me
velikët (shumica shaljanë të asimiluar, serbë, etj.).
Forcat e pakta ushtarake turke, si ato të stacionuara në Plavë dhe në Guci, nuk
patën ndonjë kontribut luftarak aq të veçantë dhe e lëshuan vendin shpejt,
qyshse me 18 tetor 1912, të cilat ikën bashkë me Riza Beg Kryeziun e me
gjithato forca vullnetare shqiptare të kazasë së Gjakovës, ndalën në Bogiqe,
një pjesë e tyne qëndroi në Pejë, ndërsa pjesa tjetër shkoi në Gjakovë me
rrethina. Patrioti Bajram Curri me forca të tij marshoi për në fshatin Valbonë
e, mbasandejna, në Krasniqe të Malësisë së Gjakovës (Tropojë).
4.
Në sydritë të 13 tetorit 1912 forcat malazeze iu turrën pabesisht dhe egërsisht
Nokshiqit historik me zjarr e me hekur, pasi i thirrke urrejtja e përjetshme
bio-politike e humbjes në dy betejat e Nokshiqit në fundvitin 1879 e
fillimvitin 1880, ku humbja e krajl Nikollës ishte fatale, e pazakontë, që nuk
ia mundësoi mbi tri dekada pushtimin e krahinës së Plavë-Gucisë, këtij vendi
gjeo-strategjik "çelësi" për të hyrë drejt Malësisë së Gjakovës e krejt Kosovës
dardane.
Luftëtari trim Bajram Hysi i Mekulëve kishte dalë tek "Kulla e Nizamit", sepse
e thirri njani nga vrojtuesit që i kishte parë të vinin forca ushtarake
malazeze drejt Nokshiqit. U ngjit në katin e katërt të saj, prej nga e lëshoi
kushtrimin:
-O bini burra se shkjau e mësyni Nokshiqin...po ngjitet në kaza të mymlyqetit të
Plavës e të Gucisë...!
Kulla e Nokshiqit, e thirrun ndryshe edhe "Kulla e Qelit", ua përcillke zanin
kushtrimtar kullave të tjera të tilla nëpër ato rrethina si Kulla e nizmave mbi
Pepaj, Karatobrakut (Kulla e Zezë e Rogave), Kulla e Vogël (Merxhes Kulla),
Razdokulla, Kulla e Madhe (Bajram Kulla në Mokën) e kullë mbas kulle fjala shkoi
në derë të Stambollit, në kryeqëndren e Portës së Lartë. Ky ishte një komunikim
i veçantë i kohës, një lloj telefoni përcjellës i zanit në kulla vrojtimi të
veçanta.
Ky kushtrim i Bajram Hysit të Mekulëve befasoi ushtrinë malazeze të gjeneralit
kriminal, Radomir Veshoviq, pasi ata po synonin të kapnin në befasi njerëzit e
pasuritë e tyne. Menjëherë 45 familjet nokshiqase po largoheshin nga fshati i
tyne drejt kodrinave e maleve përrreth për mos me ra në dorë të malazezëve e të
serbëve gjakatarë e plaçkitës.
5.
Malazezët kërkonin veçanarisht luftëtarët fitimtarë të Luftës së Nokshiqit.
Bajram Hysin e Mekulëve e shihnin si një nga triumfalët e saj. Ai, në moshën 20
vjeçare, bashkë me vllaznit e vet dhe me Sadri Metë Mekulin, e shkatërruan
"Urën e Nokshiqit"pranë trojeve të kullave të tij, çka i pengoi forcat e Mark
Milanit të kapërcenin Limin.
Në Lidhjen Shqiptare të Pejës, Bajram Hysi i Nokshiqit ishte një nga
pjesmarrësit e saj aktiv në Kuvendin Themelues të 23-29 janar 1899, pasi i
kishte çue fjalë vet kryetari i saj Haxhi Zekë Byberi, pasi ia njihte trimëritë
qyshse në Luftën e Nokshiqit, Mekulët kishin tregue fuqi drejtimi strategjik e
akte heroizmi të mëdha si Hysen (Hysi) Syku, Adem Smajli me vllazën e kishtë
shpall motren e tij, Hyrë Hysi Mekuli si "Heroina Shqiptare", sepse iu shpëtoi
jetën 100 burrave shqiptarë të ngujuar në kullën e familjes së saj, të cilët
sllavët po i digjnin të gjallë.
Mbas vrasjes së Haxhi Zekës (1902) aktivizohet në çeta të lirisë shqiptare për
mbrojtjen e sigurinë e kufinit e jetës të shqiptarëve në krahinën e
Plavë-Gucisë, etj. Merr pjesë në disa nga kryengritjet shqiptare të prag
Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, si në Kryengritjen e Përgjithshme të Vilajetit
të Kosovës të udhëhequn nga ideologu e strategu Hasan Prishtina, etj. duke
shkue deri në Shkup në gusht të vitit 1912. Ndër vite, veçmas në shtator-tetor
1912, lufton kundër provokacioneve e sulmeve të malazezëve në vijën e kufinit
të Kongresit të Berlinit, ku si e përjetëson edhe kanga historike - shquhet
për trimërinë e tij:
Bajram Hyseni burrë shqiptar.
Ju del shkijeve ballë për ballë
Për me mbrojt kufijt' shqiptar.
Luftëtari mekulas, Bajram Hysi Nokshiqi, mori pjesë në Kuvendin e Junikut
(21-25 maj 1912), kuvend i cili e çoi Kryengritjen Shqiptare drejt Shkupit dhe
Flamurin e Pavarësisë drejt Vlorës.
6.
Malazezët e armatosun, që sytë iu shkëndijonin nga urrejtja ndaj shqiptarëve,
gjithata banorë të Nokshiqit që i nxunë në kullat e veta, po i tubonin me
detyrim forcërisht në qendër të fshatit, aty tek xhamia e vjetër, tek logu i
kuvendeve historike të fshatit.
Komandanti malazez në Plavë, gjeneral Radomir Veshoviqi, në letrën e 28 tetorit
1912 që ia çon komandantit të Divizionit, Vukotiqit, i ban me dije se "ushtria
ime është krejtësisht e zbathur dhe e uritur". Gjatë asaj dite u lëshuan në
plaçkitje të gjithçkaje që gjenin në kullat malësore, duke ngarkuar kuajt,
çantat, xhepat. Disa prej tyne, nga uria e tepërt, kishin hangër aq shumë
mjaltë e bylmetna në vatrat nokshiqase saqë ishin ma shumë se të trullosur në
qëndrim e në ecje, villnin rrugës e në rrjedhat ujore, etj.
Komandanti malazez Milija Nikoliq ishte i çakërdisun. Dukej se e kishte nxanë
gjaku i pafajshëm i shqiptarëve të Bijello Pole, Beranës, të fshatnave
kryerrjedhës së Limit, si në Arzhanicë - kryeqëndren e bajrakut të zonës, Pepaj
e Murinë. Masakrimet e malazezëve e serbëve nuk do të kenë të ndalun deri në
fund të pranverës 1913, që njihen në histori si "Masakra e Previsë" me rreth
700 shqiptarë të vrarë në mënyra nga ma kriminalet nga shovenët sllavë.
Burri i fortë mekulas, Bajram Hysi, duarlidhun, aty në qendër të Nokshiqit,
qëndronte i pathyeshëm, dinjitar, heroik. Ishte i futun në një darë rrethimi
nga shovenët jetëmarrës malazez. Banorët nokshiqas po e shihnin me dhimbje e
dashuri dhe ndiheshin krenarë për qëndrimin e tij. Ai e mbante kryet lart.
Thonë se shihte nga malet. Atje i kishte bashkëluftëtarët e vet nokshiqas,
plavë-gucias, të ardhun nga kazaja e Gjakovës, etj. Me ata po kuvendonte edhe
në distancë, sepse ata i kishte në zemrën, mendjen e në vizionet e tij, ata i
jepnin forcë për qëndresë sfidante, e bënin sfinks të rrallë. Ai po qëndronte
si mal, biles teksa shihte ashtu tej horizonteve dukej sikur po matej me malet.
Ai është epik, ai krijon epopenë e tij, përmasohet e lartësohet në kohën
shqiptare e vargjet popullore:
" Çka Nokshiqi që po dridhet?!
Bajram Hyseni gjallë nuk lidhet.
Çka Nokshiqi që gjëmon?!
Bajram Hyseni po lufton.
Bajram Hyseni burrë shqiptar,
Ju del shkijeve ballë për ballë..."
7.
Kur gjeneral Radomir Veshoviqipo vinte drejt qëndres së fshatit, aty tek
xhamia, në mes të malazezëve jehoi një kangë e hershme e kasnecuar nga krajl
Nikolla I qysh në shek. XIX, e cila ishte kthye tashma në një hymn të popullit
malazez e bandave shovene të Malit të Zi. Atë kangë e këndonin masivisht të
rinj e të reja, pleq, gra e fëmijë, edhe në rrugët e Çetinës në ditët e para të
tetorit 1912, e cila bante thirrje për të marshue drejt Alpeve Shqiptare,
kundër shqiptarëve, për pushtimin e aneksimin e trevave etnike shqiptare:
-Atje, atje, përtej atyre maleve!
Përjashta xhamisë së Nokshiqit rrinte edhe një prift ortodoks në pritje të
kryerjes së riteve të kthimit të Bajram Hysi Mekulit në fenë ortodokse, një
ushtar malazez që po skuqte një kryq ortodoks hekuri në një zjarr prush e flakë.
Përballë pushtuesve kriminelë malazezë, Bajram Hysi Mekuli, ky luftëtar i
rrallë i lirisë, që prej vitesh mbante në shpatull të majtë një plagë shpate në
luftë me otomanët në Gjakovë në prill 1912, rrinte qëndrestar si sfinks.
Komandanti malazez, Milija Nikoliq, i hakërrehej mekulasit trim:
-Bajram Hysi ndrroje fenë! Ktheju në ortodoks! Bëhu malazez !...
-Feja ime është Shqiptaria, si e ka thanë Pashko Vasa i Shkodrës, që e kam
takue në Guci e në Plavë ...- iu përgjigjej "trimi i trimave" e "i pari i fisit",
Bajram Hysi i Mekulëve të Nokshiqit, burrë i ditun dhe i shetitun.
8.
Kriminelët malazezë e lidhin të pathyeshmin Bajram Hysi Mekuli në një shtyllë.
E lidhin kambë e duar dhe për mesit.
Veshoviqi e thirri malazezin "farkëtar" të vinte me kryqin e hekurt të skuqun.
Ia vuni në ballë Bajram Hysit të Nokshiqit. I mbeti gjurma e madhe dhe e thellë
e djegjes. Dhimbja e jashtëzakonshme. Qëndresa e papame. Prapë kundërshtoi me
tanë forcën e shpirtit të tij të pamposhtun për kthimin e identitetit të tij në
malazez ortodoks.
Malazezi Nikoliq, komandant batalioni, nuk donte me mbet mbrapa komandantit të
brigadës së tij. I thirri dy ushtarë malazezë dhe i urdhnoi t'ia çveshin trupin
në mes e nelt, për pa ia dit' aspak se aty kishte edhe çika e gra, fëmijë të
vegjël e pleq të moshuar.
Thirri prapë malazezin "farkëtar" me kryqin e skuqur dhe e merr e ia vnon
Bajram Hysit në të djathtë të krahnorit të tij muskuloz. Gjurmët e këtij krimi
makabër i mbesin në trup, e damtojnë, e lodhin fizikisht.
-Le ta dijnë edhe Nikolla i Çetinës, mësojeni edhe ju o bijtë e shkinës, se
Bajram Hysi e pret vdekjen në kambë po nuk mundet kurrkush me më ba malazez me
kapicë të zezë mbi krye në vend të shallës së bardhë. Kam gjak shqiptari në
brezni. Jetoj si shqiptar. Kam me vdek si shqip...
Dy ushtarakët malazezë nuk e mbajtën veten. E thirrën prapë malazezin "farkëtar
me kryqin e skuqun. E kapën të dy për duarsh mashën e iu çuan në të majtë të
krahrorit. Bash tek zemra e tij e zjarrtë në atdhedashuri kombëtare.
Prapë i mbeti gjurma e tretë e kryqit ortodoks.
Ata kryenin krimin e pashembullt e Bajram Hysi tregonte qëndresë të pashoqe.Tek
fjala "shqip" i pushoi zemra. Ai nuk mujti me thanë: "Kam me vdek si
shqip...tar".Sot, pas 101 viteve, dua të them se "Bajram Hysi ka vdek si shqipe".
Jeta e qëndresa e tij janë emblematike edhe në kohënat e sotme moderne.
Komandanti Milija Nikoliq doli nga xhamia e kapi unën e ndezun të zjarrit duke
ia fut flakën xhamisë së Nokshiqit. Shqiptarët u larguan përjashta dhe larg
oborrit të saj. Disa prej tyne e morën me vete trupin e pajetë të martirit
Bajram Hysi Mekuli. Ia hapën shpejt vorrin dhe ia kryen me nderime të larta të
rastit varrimin.
Nokshiqi u mbulue nga flaka e tymi i kullave shqiptare. Kulla e Bajram Hysi
Mekulit ishte hera e pestë që digjej nga shkijet, qyshse nga viti 1852-1854, në
kohën e luftërave nga Plavë-Gucia deri në Moraçë, të cilin e kishte ringritë
katër herë me oda e kulm alpin. Gjenerali Veshoviq në ditën e nesërme (14 tetor
1912) lajmëronte me telegram komandatin e Grupimit Lindor, gjeneralin Vukotiq:
"Me rastin e pushtimit të djeshëm të fshatit Nokshiq komandanti Milija Nikoliq
ua vuri zjarrin të gjitha shtëpive të fshatit në ç'mënyrë më solli kokëçarje të
madhe dhe ndoshta u bë shkaktar që nokshiqasit nuk erdhën të dorëzohen".
Mbi trupin vital të Bajram Hysit të Mekulëve të Nokshiqit gjeneralë e ushtarak
malazez kryejnë tortura çnjerëzore, saqë tanësia e elementëve thyen rekord
ndërplanetar: vështirë të ketë ndodhë ndonjëherë e ndokund tjetër, si motivimi
politik e racial, mjete të tilla si kryqi ortodoks hekurskuqun me tri gjurmë
vdekjeprurëse në ballë e në dy anët e gjoksit (edhe mbi zemër), kryerja e aktit
genocidial në xhami e në oborr të saj, veprimi makabër në sy të njerëzve të
afërt të pragut e të fshatit, urrejtja e hakmarrja raciale, politike e fetare,
etj. Familja e tij u detyrue të shpërngulej nga Nokshiqi në Llugaj të Malësisë
së Gjakovës, të cilët u rikthyen prapë në vitin 1941 dhe u larguan përsëri nga
malazezët më 1944, kur ua dogjën për të gjashtën herë kullën e tyne në lagjen
Mekuli të Nokshiqëve në breg të Limit. Djemtë e Bajram Hysi Mekulit, Muja
Bajrami e Bali Bajrami ishin në nëntor 1912 në "Dërgatën e Pavarësisë" për në
Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, ndërsa Brahim Bajrami e Bali Bajrami ishin
luftëtarë aktiv të çetave për mbrojtjen e tokavë etnike shqiptare të
Plavë-Gucisë, etj. Martiri Bali Bajrami, komandant kufini, luftoi kundër
ushtrisë malazeze, gjersa dha jetën më 6 gusht 1944 në Shekullar. Nipin e tij,
Islam Bali Bajrami i Nokshiqit u pushkatua nga udbashët sllavë më 5 prill 1947
në Mulliq të Gjakovës.
Bajram Hysi Mekuli më ngjan si titani Prometeu i antikitetit klasik, figurë
mitologjike që ngjallte shpresë për lirinë e progresin e njerëzve, ishte
qëndrestar përballë torturave çnjerëzore, etj. Ai është"Prometeu Shqiptar" i
Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i kohëve moderne.