VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GËRVENI, SHTETI I SË DREJTËS DHE MARRËVESHJA E DETITNga BESNIK BAKU, PhD në të Drejtën Ndërkombëtare

                                                                                      

E Premte, 05.17.2024, 03:19am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
GËRVENI, SHTETI I SË DREJTËS DHE MARRËVESHJA E DETIT
Nga BESNIK BAKU, PhD në të Drejtën Ndërkombëtare

E Premte, 03.28.2014, 08:49am (GMT+1)



Këto ditë vëmendja e opinionit publik është shpërngulur nga problemet shqetësuese të vendit dhe integrimit të tij në strukturat e BE-së dhe është përqendruar te dilema aspak hamletiane, lidhur me faktin nëse "do të largohet nga misioni ynë në NATO Gërveni apo jo?" Në këtë debat janë përfshirë nivele të larta të përfaqësimit të vendit: president dhe ish-president, ministra, deputetë, institucione të rëndësishëm si Shtabi i Përgjithshëm i FA. Por ajo që më shtangu në të gjithë këtë ofensivë deklarimesh, ishte guximi i vetë zotit Gërveni për të mos zbatuar urdhrin administrativ të ministres së Mbrojtjes "Për dorëzimin e detyrës dhe kthim në atdhe".

Ky akt, të cilit mund t'i përkufizosh lehtë kufijtë mes e krekosjes dhe mosbindjes, e vendos në një pozitë anormale përfaqësimin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke ulur ndërkaq "figurën e ushtarakut dhe përfaqësimin dinjitoz ndërkombëtar të ushtarakëve tanë në strukturat e Aleancës".

Në këtë shtet fjala "˜skandal' e ka humbur aq shumë rëndësinë, sa me të drejtë profesor Edmond Tupja, ia ka zgjeruar kuptimin në "˜s'ka ndal' dhe skandale që nuk kanë të sosur. Ndaj edhe këtë ngjarje, këtë refuzim e mosbindje të një ushtaraku të lartë ndaj urdhrit administrative të titullarit, le ta përfillim si të turpshme, në një shoqëri për të cilën edhe turpi nuk ka më kuptim.

Duke dëgjuar "arsyetimet" e z. Gërveni, i cili pa më të voglin hezitim shprehet se nuk do t'i bindet urdhrit të ministres për t'u larguar nga posti i përfaqësuesit të Shqipërisë në NATO, m'u kujtua thënia në të cilën mund të strehohet përkohësisht ky përfaqësues i lartë i vendit: "Nuk kam turp dhe nuk ke ç"˜më bën".

Por më komike bëhet problemi kur z.Gërveni na paska aplikuar për një vend tjetër pune, jo ushtarak. Epo kësaj i thonë "I zoti e jep dhe tellalli nuk e shet".

Gërveni, ky "dashnor i ligjit dhe shtetit të së drejtës", siç është cilësuar, e ka tani rastin dhe mund të shprehet publikisht se, bazuar në cilin ligj të shtetit të së drejtës e ka mbajtur gradën e gabuar (atë të admiralit) në uniformën e tij, në një takim të 170 shefave të Mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s, kur grada që ju dha (për "merita të shquara" në hartimin e marrëveshjes me detin me Greqinë) është ajo e kundëradmiralit?

E admirueshme, madje e habitshme toleranca e zonjës Kodheli ndaj tij. Në vend që të bëjë kallëzim penal në Prokurori, sipas nenit 246 të Kodit Penal për "Përvetësim i titullit ose detyrës shtetërore" si dhe të nenit 247 mbi "Mbajtjen pa të drejtë të uniformës", kërkon vetëm shkarkimin e Gërvenit.

Meqenëse si shoqëri vuajmë nga amnezia historike, dua të risjell në vëmendje shkeljet ligjore të grupit negociator shqiptar gjatë lidhjes së marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë, shkelje këto të evidentuara nga Gjykata Kushtetuese, ku admiral Gërveni ishte nga aktorët kryesorë.

Në unanimitet, kjo gjykatë e nderuar, në një nga aktet më të shkëlqyera të shprehjes së saj, në zbatim të Kushtetutës, ligjeve të Republikës së Shqipërisë dhe të parimit ad referendum të së drejtës, konstatoi se Gërveni & Co kishin shkelur ligjet e vendit në mënyrë flagrante. Detajet mund t'i lexoni në vijim:

- Mungesa e plotfuqishmërisë: Grupi negociator nuk kishte pasur autorizim nga organi kompetent, që ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për të hyrë në bisedime me palën greke dhe aq më pak për të lidhur marrëveshje mbi delimitimin e hapësirave detare.


Nga pikëpamja juridike, një përfaqësim i shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare në marrëdhënie me jashtë nga ana e qeverisë, pa autorizimin paraprak të Presidentit, sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare me natyrë politike, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës. Kjo binte ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

- Tejkalimi i mandatit për përfaqësim: Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent.

Por delegacioni shqiptar, jo vetëm që nuk kishte marrë plotfuqi nga organi kompetent për fillimin e bisedimeve e më pas nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë, por nga pikëpamja formalo-juridike, as autorizimi përkatës i lëshuar nga kryeministri nuk ishte respektuar sa i takon objektit të tij. Urdhëri nr.135, dt.23.08.2007 i kryeministrit ishte "Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje"; ndërsa marrëveshja nuk u bë vetëm përcaktimi i shelfit kontinental, por edhe "...i zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".

Pra, me kaq është mëse e qartë e në dritë të diellit që u kapërcyen kufijtë e autorizimit të dhënë për objektin e bisedimeve dhe më pas të konkretizimit të një marrëveshjeje midis dy palëve.

Ky tejkalim i objektit të autorizimit nga grupi negociator e bënte marrëveshjen të papajtueshme me parimin e shtetit të së drejtës, i garantuar nga neni 4/2 i Kushtetutës.

- Rindarja e kufirit shtetëror: Marrëveshja merrej jo me caktimin e kufijve detarë në kuptim të përgjithshëm, por me përcaktimin e kufijve shtetërore në kuptim të mirëfilltë ndërmjet dy vendeve, i cili përfshinte natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Këto ujëra konsiderohen nga e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare si pjesë ekskluzive e territorit shtetëror dhe për këtë arsye i nënshtrohen sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë.

Të çudit ende fakti se si nuk grupi negociator nuk kishte dijeni se kufijtë jugorë, tokësorë e detarë të Shqipërisë me Greqinë ishin përcaktuar në Protokollin e Firences (27.01.1925), me njohje të detyrueshme të tyre. Në këtë protokoll ndër të tjera theksohet se "...kufiri tokësor, pret detin Jon në Gjirin e Ftelias sipas një vije pingule me drejtimin e përgjithshëm të bregut, deri në kufirin e ujërave territoriale..."

Ky përcaktim në kushtet e mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe; si dhe kur Shqipëria ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve dhe Greqia, në të njëjtën mënyrë ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar dhe përcaktimin e vijës së kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit tek mesi i tij, është ende në fuqi. Këtë e mbështet dhe e fuqizon edhe fakti juridik se asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim prej Qeverisë greke, përkundrazi, kjo gjerësi është njohur dhe respektuar, madje edhe në dokumente zyrtare. Kufiri shqiptaro-grek në detin Jon është qartësisht ai që ka qenë, që është njohur dhe është respektuar nga të dyja palët.

- Moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm: Në këtë marrëveshje, si Vijë Mesi u zbatua ajo strikte, kur duhej të zbatohej ajo e Modifikuar, e cila merr në konsideratë elementët apo faktorët konkretë që duhet të mbahen parasysh për të garantuar parimin e Ekitesë. Ky parim si koncept juridik është njohur e përshkruar si drejtësi korrektive, si mundësi e korrigjimit apo plotësimit të ligjit gjatë zbatimit të tij në praktikë.

Me këtë dua të them: z. Gërveni, pavarësisht se si do të rrjedhin ngjarjet, pavarësisht faktit nëse aktualisht do i bindeni apo do të vazhdoni të mos i bindeni urdhërit të titullarit, jeni publikisht i lutur na e kurseni një gjendje emocionale: flamurin, vetëm flamurin e mbrojtësit të shtetit të së drejtës ju nuk mundeni as ta tundni as ta valëvitni më. Edhe shpirti më kristian nuk do e tolerohet këtë parodi pseudoatdhetare, së cilës i rrinë si mburojë kumbimet e vargjeve të Gjergj Fishtës, i cili, pasi nuk merr përgjigje nga njerëzit, i drejtohet Zotit me këto fjalë: "O Perëndi, a ndjeve, tradhtarët na lanë pa Atdhé. E Ti rrin e gjuen me rrfé, lisat n'për male kot!".

Keni pasur ndoshta arsye të vetiluzionoheni. Edhe ta besoni ndoshta se e drejta ka qenë në krahun tuaj. Se cilido tjetër në vendin tuaj do të ishte përgjigjur përballë ligjit për shkeljet që i keni bërë ligjit, që pretendoni se i keni shërbyer dhe mbrojtur me devotshmëri. Por ju morët vetëm shpërblime, vlerësime dhe nishane mbi spaleta për veprimet tuaja "të shkëlqyera" antikushtetuese.

E drejta nuk është me ju, z. Gërveni. Sot si zor mund të gjendet dikush me shpirt të lirë, që të jetë në një mendje me ju dhe me ata që ju shpërblyen. Sot, teksa aderojmë në aleanca të tilla si NATO dhe kërkojmë të zgjerojmë statusin dhe performancën ndaj BE, shprehja "L'État, c'est moi", të cilën ju me sa duket e pëlqeni, jo vetëm nuk përkrahet, por tingëllon anakronike.

Në një shoqëri normale, asnjë autoritet shtetëror nuk do guxonte që pas vendimit të Gjykatës Kushtuese, të firmoste 3 dekrete për promovimin tuaj (gradim, emërim, akreditim). Dikush e bëri dhe të mbajë edhe peshën, edhe turpin e përgjegjësinë. Sot, ata njerëz mund të heshtin dhe të distancohet, por të gjithë e dine vendin që zë në kujtesë Ponc Pilati.

Kur një pjesë e miqve të mi (personalitete të shquara të këtij vendi), të angazhuara publikisht dhe intensivisht kundër kësaj marrëveshjeje, kërkuan që prokuroria të fillonte kryesisht ndjekjen penale ndaj jush, unë me naivitet (duke besuar te ndërgjegja juaj kombëtare dhe profesionale) i kam qëndruar mendimit se gjithë grupi negociator, gaboi (Errare humanum est) nga padija (largqoftë nëse do të ishte me qëllim). Por megjithatë, dikush duhet të përgjigjet edhe për padijen e vet. Për këtë sugjerova dorëheqjen tuaj dhe në mosreagim, të përjashtoheshit përjetësisht nga administrata shtetërore.

Megjithatë z. Gerveni, "ju falenderoj" për mundësinë që më dhatë për t'i sugjeruar modestisht si taksapagues, shtetarëve të mi, disa mendime lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë, meqenëse kjo çështje është hapur përsëri.

Rinegocimi i çështjes së delimitimit të ujërave të detit Jon midis Shqipërisë dhe Greqisë është diçka krejt normale. Por kryefjala është që marrëveshja që Gërveni & Co përgatiti nuk ekziston, pra është nul. Nuk mund të punohet bazuar mbi të, si dhe duhen shmangur standardet e dyfishta, shfaqur në marrëveshjen e parë.

Negociatat të fillojnë detyrimisht nga një ekip i ri negociator. Askush nga grupi i parë nuk duhet të jetë pjesë e këtyre negociatave. Marrëveshje të kësaj natyre kërkojnë negociata të shumta dhe intensive, që përfshijnë grupe negociatore të mirëpërgatitur, si dhe grupe ekspertësh nga fusha të ndryshme.

Ata duhet të jenë njohës dhe praktikantë të së Drejtës Ndërkombëtare. Grupet e ekspertëve duhet të përfshijnë edhe shkencëtarë e këshillues të fushave të tilla si gjeografë, kartografë, gjeologë, hidrografë, ushtarakë dhe marinarë, sizmologë, të fushës së peshkimit, turizmit, hidrokarbureve dhe natyrisht, të marrëdhënieve politike dypalëshe.

Duhen rregulluar e plotësuar mangësitë, zbrazëtia apo mosshprehjet e qarta në legjislacionin e brendshëm shqiptar; ardhur si pasojë e shfuqizimit të ligjit "Për kufirin shtetëror" në vitin 2008 nga Qeveria shqiptare (të jetë rastësi që u shfuqizua, kur kishin filluar negociatat zyrtare me Greqinë?!).

Shteti dhe politika të qëndrojnë sa më larg procesit të negociatave dhe marrëveshjes, duke eliminuar ndërhyrjet jashtëprofesionale (natyrisht pa hequr dorë nga përmbushja e detyrimeve të tyre ligjore).

Negociatat duhen kryer në frymën e barazisë dhe besimit të ndërsjellë; ato duhet të kryhen në konfidencialitet, jo në kuptimin se palët po bëjnë ndonjë shkelje, por jashtë mediatizimit, vetëm e vetëm në funksion të ecurisë së procesit në kushte barazie, mirëbesimi dhe vullnetit të mirë; palët mbajnë parasysh në çdo rast, se mosmiratimi përfundimtar i marrëveshjes është tagër jo i negociatorëve apo i nënshkruesve, por institucioneve kushtetues sipas së drejtës së brendshme të shtetit përkatës.

Në përfundim do t'i lutesha denjësisht Presidentit të Republikës që, në respekt të detyrës, por edhe të origjinës si ushtarak, të dekretojë shkarkimin e z. Gërveni. Më mirë djepi bosh, se sa me shejtanin brenda.

BESNIK BAKIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Nga mërgimi apo:TË FALA NGA 'KOSOVA SOT'!Nga AGRON SHABANI (03.27.2014)
NEPOTIZMI TEK MAXHORANCA - DJALI I BRAHOS, RUÇIT E FINOS EMËROHEN DREJTORË TEK ANTANga ARTAN SHAHINI (03.27.2014)
FJALORI BRUTAL NË PARLAMENT - DEKADENCË KULTURORENga ARBEN BRAÇE (03.26.2014)
In memoriamUNË, NE, PRISHTINA, KOSOVA PA DR. GANI DEMOLLINNga Don LUSH GJERGJI (03.25.2014)
'SHTËPIA E KOSOVARËVE' NË VLORË - LIDHJA E VLONJATËVE ME ISA BOLETININ (Dossier) (03.25.2014)
ALEKSANDËR MEKSI - PD 22 VJET PAS 22 MARSIT (Intervistë) (03.24.2014)
VDIQ  DR.  PJETER  PEPANga FRITZ RADOVANI (03.24.2014)
MBI GRATË E FUQISHME DHE BURRAT (MBRETËRIT) E NDRYSHËM TEKANJOZË OSE KARRIERISTË...Nga AGRON SHABANI (03.23.2014)
NË PËRKËDHELITË TUA ANKORUARPoezi nga ZOG HYSENAJ (03.23.2014)
KALORËS I LIRISËNë përvjetorin e dy epopeve çlirimtareNga AZGAN HAKLAJ (03.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]