E Djelë, 05.19.2024, 12:39am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
BRUKSELI NDERON ISH KOMANDANTIN MUHARREM BAJRAKTARI
Ceremoni zyrtare në komunën Skarbek të Brukselit për ish-funksionarin e lartë të Mbretërisë, në 25-vjetorin e vdekjes. Kreu i PLL Sulejman Gjana dhe kryekomunari belg zbulojnë pllakën

E Enjte, 05.01.2014, 09:44am (GMT+1)





-Brukseli nderon Muharrem Bajraktarin, ish-Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë shqiptare gjatë periudhës së qeverisjes së Zogut. Në një ceremoni zyrtare të organizuar në komunën Skarbek të Brukselit, ku Bajraktari jetoi si mërgimtar deri në vitin 1989 kur dhe ndërroi jetë, është zbuluar një pllakë përkujtimore në nder të tij. Pjesë e kësaj ceremonie tw organizuar me rastin e 25-vjetorit tw vdekjes, ishte dhe djali i Bajraktarit, Genci Bajraktari i ardhur posaçërisht nga Amerika. Ceremonia është përshëndetur nga kreu i Komunës Skarbek, Bernard Clerfayt i cili vlerësoi Bajraktarin si njeriun që përfaqëson luftëtarin për lirinë, identitetin dhe kulturën e vendit të tij. Ndërsa kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana si nismëtar i këtij aktiviteti, ka falënderuar kryetarin dhe kolegjin e komunës Skarbek për nderimin e figurës së Bajraktarit ndërsa ka kritikuar politikën shqiptare që po reabiliton figurat e komunizmit.-

Ceremonia përkujtimore


Ceremonia përkujtimore në nderim të Bajraktarit ka nisur me një vizitë në varrezat ku ai prehet prej vitit 1989. Pas vendosjes së një buqete me lule, zëvendëskryetari i komunës Skarbek, Bernard Guillaume dhe kreu i PLL-së, Sulejman Gjana kanë përcjellë dhe fjalën e rastit. Nderimi për Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë shqiptare gjatë periudhës së qeverisjes së Zogut dhe udhëheqësit të Rezistencës Antifashiste të popullit shqiptar vijoi në komunën e Skarbekut. Fjalën e hapjes e mbajti këshilltari i komunitetit shqiptar, Burim Demiri. Ndërsa kreu i komunës, Bernard Clerfayt theksoi në fjalën e tij se: "Bajraktari përfaqëson luftëtarin për lirinë, identitetin dhe kulturën e vendit të tij, dhe ne i ndajmë këto vlera. Liria dhe respekti për komunitetin e njerëzve, që vendosin për fatin dhe për atdheun e tyre, janë vlera të përbashkëta dhe, me respektin për këtë personazh të madh të historisë shqiptare, e të Skarbekut ku ai jetoi gjithashtu, ne i bëmë këtë homazh". Kreu i PLL-së, Sulejman Gjana theksoi në fjalën e tij se Kolonel Muharrem Bajraktari ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. "Gjatë LDB-së dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, dhe pastaj nga Gjermania naziste, ka qenë një prej organizatorëve kryesorë të rezistencës në Shqipërinë e Veri-lindjes dhe ka zhvilluar aksione të shumta dhe të fuqishme për çlirimin e Shqipërisë. Roli dhe aksioni i vet në rezistencë i kishin kushtuar që armiku të kërkojë me çdo çmim asgjësimin e vet. Mund të themi pa ekuivokë se ishte një ndër figurat e nacionalizmit shqiptar dhe se synonte lirinë dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve', - tha ai. Për këtë arsye, shtoi Gjana, komunistët që synonin pushtetin pas luftës dhe që i konsideronin të gjithë nacionalistët si rivalë të mundshëm, i shpallën një luftë të pamëshirshme Kolonel Bajraktarit dhe çetave të veta. Kreu i PLL-së pohoi më tej se duke akorduar zyrtarisht një pllakë përkujtimore në kujtim të Kolonel Muharrem Bajraktarit nderohet një komunitet i tërë por provohet dhe se sa e drejtë ka qenë lufta e shqiptarëve për liri dhe kundër çdo lloj sundimi ideologjik si fashizmi, nazizmi apo komunizmi. "Duke nderuar dhe vlerësuar një personalitet antifashist, antinazist dhe antikomunist, ju po tregoni se sa pak kanë kuptuar politikanët shqiptar nga vlerat e lirisë dhe demokracisë kur vazhdojnë të nderojnë njerëz që kanë shkaktuar krime në popullin shqiptar siç ishte rasti i para disa ditëve me dekorimin e Rrahman Parllakut si "nder i kombit" dhe siç po projektojnë të bëjnë me reabilitimin e diktatorit Enver Hoxha me rastin e 70-vjetorit të të ashtuquajturit çlirim të vendit", - tha ai. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë ambasadori ynë në Bruksel, Ilir Tepelena, ambasadorja e Kosovës Mimoza Ahmetaj, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Ylli Shehu, përfaqësues të bashkisë së Kukësit dhe të komunitetit shqiptar në Belgjikë e Holandë por dhe familjarë dhe të afërm të familjes Bajraktari.

Pllaka përkujtimore pranë bustit të Skënderbeut

Ceremonia zyrtare dhe pllaka përkujtimore për nder të Muharrem Bajraktarit është miratuar nga kryetari, kolegji dhe këshilli i komunës Skarbek sipas iniciativës dhe kërkesës të kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana dhe dekanit të Universitetit të Lirë Ndërkombëtar në Bruksel, Ramadan Gjana, në bashkëpunim me këshilltarin nga komuniteti shqiptar i Brukselit në atë komunë, Burim Demiri. Kjo pllakë përkujtimore do të mbahet në ambientet e komunës Skarbek deri në 28 Nëntor, kur këshilli komunal parashikon ta vendosë atë pranë statujës së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, në Bruksel. Këshilltari shqiptar i komunës Skarbek, Burim Demiri është aktualisht edhe kandidat për deputet në parlamentin e Brukselit në zgjedhjet që do të zhvillohen më 25 maj 2014.

I biri i kolonel Bajraktarit kujton momentet e ndarjes me të atin

Djali i Muharrem Bajraktarit i pranishëm në ceremoninë përkujtimore në nder të babait të tij, ka falënderuar komunën Skarbek për nderimin e Muharrem Bajraktarit por dhe ka kritikuar politikën shqiptare që edhe pse e ka njohur historikisht atë, sipas tij, nuk e ka vlerësuar sa duhet. "Kemi 23 vjet që është bërë demokracia dhe ka ikur sistemi i vjetër por gjërat nuk kanë ndryshuar plotësisht. Ndërkohë që Brukseli është një vend demokratik, me të vërtetë demokratik dhe është një rast i rrallë që vlerësohet një figurë e një shteti tjetër. Jam shumë i kënaqur për këtë. Nuk më bëhet vonë nëse e lançon ata apo nuk e lançon Shqipëria edhe pse e ka njohur historikisht",- shprehet ai. E ndërsa nga babai i tij një nga momentet që ka ngulur në kujtesë është momenti i ndarjes, kur ai largohet për të mos u kthyer më. "Ajo që mbaj mend kur ka ikur për herë të fundit është takimi me nënën time dhe familjen, nuk kemi qenë në katundin tonë por në një vend tjetër dhe nëna ime i tha - më lerë fëmijët dhe vetë shko nga të duash"- kujton Bajraktari ndërsa shton se pas kësaj ka nisur dhe kalvari i gjatë i internimeve. Djali i kolonel Bajraktarit kujton internimin 45-vjeçar të familjes por dhe 10 vitet e kaluara në burgjet e Shqipërisë nga ku mundi të dalë në vitet '90 për t'u larguar në Amerikë ku dhe jeton aktualisht. "Nëna ime ka qenë në internim 52 vjet. Ka qenë një kamp që mund të krahasohet me kampet e Hitlerit, Tepelena. Pastaj më vonë ka ndryshuar por gjithmonë të internuar. Kam qenë që në mars të '45 në internim dhe jam liruar 1990, kur ra Muri i Berlinit. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në Apel, duhet të paraqiteshim çdo ditë në organet kompetente. Në burg kam qenë 10 vjet kurse në kampet e internimit koha tjetër. Duke filluar nga Shkodra kur na kanë marrë në fillim, na kanë çuar në Berat, në Urën Vajgurore në Kuçovë, në Shijak. Gjithmonë duke punuar, gjithmonë natën. Më pas në Kazmë të Tiranës, jemi kthyer prapë në Berat, në Tepelenë, pastaj kemi qenë në Lushnjë kohën më të madhe, në Savër, Gjazë dhe në Grabjan nga jam liruar. Ky është kalvari i vështirë i një jete të tërë", - pohon ai. Lajmin për vdekjen e të atit e kishte marrë kur ishte i internuar në Grabjan të Lushnjës nga dhe më pas u lirua. Ai kujton komentet aspak miqësore të zyrtarëve të asaj kohe edhe pse ai kishte humbur njeriun e tij të dashur. "Më çuan një telegram që të ka vdekur babai, isha në Grabjan në atë kohë. Operativi e kishte marrë vesh se ishte telegram në postë. Unë më pas u bëra telegram atyre që nuk kishin frikë, për t'u treguar se më kishte vdekur babai. Dhe këtë e kishin marrë vesh se unë telegramin e çova sërish me postë, jo në mënyrë të fshehtë. Operativi duke folur me mua më tha: "të ka vdekur babai dhe ti ke bërë dhe telegram për të lajmëruar njerëzit por babai yt është tradhtar". Për ty - i thashë - se për mua jo", përfundon rrëfimin Genci Bajraktari ndërsa i emocionuar nxiton më pas të bëhet pjesë e ceremonisë në nder të babait të tij.

SUELA TOPI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
“ITAKA” E ALI AHMETITNga RAMIZ LUSHAJ (05.01.2014)
NJOFTIM - KËRKESËPër pasurimin e Bibliotekës “San Nilo”, Grottaferrata-Romë (04.30.2014)
INFORMACION PËRKITAZI ME WEB-FAQEN E SHSHASHS-së (04.30.2014)
NJË SHTET QË SYNON T’I MBYLLIN UNIVERSITETET KA MARRË RRUGËN E DJALLITNga RAMIZ LUSHAJ (04.28.2014)
MËSONI HISTORINË E SHQIPËRISË, ZOTËRI BLUSHINga SKËNDER DUSHA (04.27.2014)
RAMIZ MERKO NDEROHET ME ÇMIMIN “KONICA” (04.27.2014)
GJYSHIT TIM BAHRI TUFINANga MARSIDA NAJDENI (04.25.2014)
MBYLLET KONSULLATA E PËRGJITHSHME NË NJU JORK - MINISTRIA E JASHTME: SHKURTIM I SHPENZIMEVE (04.25.2014)
PREZANTIM DINJITOZ I ARTISTËVE SHQIPTARË NË PARISPOEZITË E POETES MIMOZA EREBARA PËRZGJIDHEN NË AKADEMINË EUROPIANE TË ARTIT NË PARIS. POEZIA “KU JE?” MERR VENDIN E NDERITPIKTORI LEK RROTANI MERR ÇMIMIN E KESAJ AKADEMIE (04.24.2014)
GURRAT E ALI PASHËSPoemë nga GJON MARKOKAJ (04.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]