VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - RETROSPEKTIVË: IBRAHIM RUGOVA, NJË NJERI QË DO T'I MUNGOJË KOSOVËSNga BERNARD KOUCHNER

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 03:10am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

RETROSPEKTIVË: IBRAHIM RUGOVA, NJË NJERI QË DO T'I MUNGOJË KOSOVËS

Nga BERNARD KOUCHNER


E Mërkurë, 07.28.2010, 06:17pm (GMT+1)

Ibrahim Rugova, 61 vjeç, i mbiquajtur "Gandi i Ballkanit", ka vdekur. Tymues i madh cigaresh në një vend ku të gjithë pinë duhan, ai është dorëzuar nga një kancer mushkërish. Në këtë drejtim, kisha dështuar për ta bindur. Rrinte i veshur gjithmonë me një kostum të errët, kafe ose gri, këmishë të bardhë dhe kollare, dhe në qafë mbante gjithnjë një shall mëndafshi. Në tërë rrafshin e Kosovës dhe në malet përreth, ky njeri ishte unik. Ai mendonte dhe shprehej si një intelektual dhe ndjente neveri që ta nxirrte veten përpara. I urrente mbledhjet publike në të cilat shprehej pa karizëm, me zërin e butë dhe arsyetimin e një profesori të formuar në Sorbonne. Iu ngjitej si me përtesë atyre viseve të ashpra dhe fshatrave pa ndonjë hir të veçantë, duke pëlqyer më tepër zyrën e shtëpisë së tij të madhe në lagjet e pasura të Prishtinës. E urrente dhunën dhe mendonte se diskutimi, e vetmja udhë e suksesit, mbetej gjithmonë i mundshëm.


Në Ballkan, trimëria në gjendje bruto, guximi heroik apo shtazor, shprehja masive, fizike e angazhimit shprehen në çdo lëvizje të njerëzve. Për të shkuar në treg apo parkuar makinën e tyre, ata ecin njëlloj sikur të shkonin në flijim. Në Kosovë, thuhet se fëmijët mësojnë të njohin vetëm një frikë : frikën për të treguar frikë. Njerëzit e Ballkanit, me psikizmin e modeluar nga shekuj të tërë betejash, përpiqen ta tregojnë gjithmonë këtë guxim dëshpërues që shtyn për ta kërkuar rrezikun apo për ta krijuar atë me sfida të pakuptimta. Në këtë kontekst burrërie, teoria e jo-dhunës, ajo të cilën Ibrahim Rugova e zbatonte qetësisht dhe papushim, shfaqej si një strehë qesharake, në mos zhvleftësuese. "Ibrahimi", siç e quanin të gjithë kështu, ishte një pacifist i paepur dhe koka e tij prej profesori Nimbus, me një buzëqeshje aq të sjellshme sa do të thoshim në turp, e rëndonte rastin e tij. Në Kosovë, një hendek i tërë i ndan ata që morën armët dhe të tjerët që përdorën metoda më të buta, më moderne, më mediatike. Hashim Thaçi, shef i UçK së ngelur në opozitë, ushtari Ramush Haradinaj, i bërë kryeministër, dhe plaku Ibrahim Rugova simbolizonin zgjedhje të cilat, për një kohë të gjatë, qenë të pathjeshtueshme tek njëra-tjetra. Ky dallim mbetet shumë i madh sot, në çastin kur nën kujdestarinë e Finlandezit Martti Ahtisaari, po fillojnë diskutimet ndërmjet Serbëve dhe Kosovarëve në lidhje me statusin përfundimtar të provincës.


I zgjedhur president i Kosovës, ai rrinte në zyrën e madhe staliniane me orendi prej druri të kuqërremtë që kishte qenë e imja, pas asaj të qeveritarit serb, në "government building". Por ai i priste gjithmonë vizitorët e tij në shtëpinë e madhe të familjes që mbizotëronte në rrugën Germë. Kopshti dhe kati i parë ishin të zënë nga rojet e sigurisë. Ibrahim Rugova i priste miqtë e tij në katin e dytë dhe iu printe në një dhomë pritjeje, nën shqiponjat dykrenare të flamurit të Kosovës, të përpunuar nga vetë ai për të shmangur ngjashmërinë me flamurin shqiptar, përpunim që askush nuk e donte. Dy foto të mëdha e paraqisnin me Madeleine Albright dhe me presidentin Clinton. Dhoma ishte e mbushur plot me trofe. Drejtori i tij i kabinetit, i zgjuari Skënder Hyseni, ishte gjithmonë aty. Pinim një gotë, dhe buzëqeshnim për kohërat e bukura të shkuara, atë të vizitës sime të parë, më 1991 në kohën e klandestinitetit dhe të rezistencës pasive ndaj Slobodan Milosheviç, kur Ibrahim Rugova, për shkak të këmbënguljes, kishte arritur të sajonte një administratë shqiptare të nëndheshme, shkolla nëpër bodrume dhe klinika nëpër parkingje. Përmendnim vendimet politike që do të merreshin për provincën, dialogun e nevojshëm me Serbët, partizan i së cilit ishte Ibrahim Rugova dhe, çështje thelbësore kjo, kushtin e Serbëve të mbetur në Kosovë, gjithmonë të kërcënuar në mos të dhunuar. Ibrahim Rugova ishte në një mendje me zemërimin tonë. Ai që qe për aq kohë të gjatë një shënjestër, që kaloi disa orvatje vrasjeje, pranonte gjithmonë për t'iu shkuar tek koka e shtratit viktimave serbe dhe të mbante qëndrim për respektimin e të drejtave të njeriut. Sigurisht, kjo nuk ishte e mjaftueshme për t'i ndaluar teprimet e dhunës.


Pas hyrjes së shkurtër të fillimit, Ibrahim Rugova e shoqëronte rregullisht të ftuarin e tij në zyrën ngjitur, me tavolina të mbushura me minerale në ngjyra të ndezura të nxjerra nga toka e Kosovës, në minierat e Trepçës. Ai dhuronte një copë shkëmb, një gjurmë argjendi në gur, simbol të këtij vendi të ashpër dhe masiv, pa butësi as ngrohtësi, ku këngët heroike zëvendësonin gjithmonë këngët e dashurisë.


Bashkësia ndërkombëtare nuk bashkohet asnjëherë më mirë sesa përballë fatkeqësisë. Ne e kishim harruar paksa Kosovën, përpjekjet diplomatike, vuajtjet e shkaktuara nga regjimi i jashtëzakonshëm i vendosur nga Milosheviçi dhe që ngjante me aparteidin. Ne i kishim humbur nga vështrimi qindra mijërat e Shqiptarëve të dëbuar nga rajoni nga partizanët e Slobodan Millosheviçit, luftën ajrore që ne bëmë atje, rindërtimin e filluar, fitoren e demokracisë, zgjedhjet e suksesshme dhe luhatjet e vetë Shqiptarëve. Kosova nuk ishte më në qendër të vëmendjes. Vdekja e Ibrahim Rugovës, president pa pallate dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një njeri këmbëngulës dhe vetmitar i cili e përcolli popullin e tij drejt një së ardhme që nuk mund të jetë tjetër përveç më e mirë, na kujton zotimin dhe premtimet tona.


Pa atë, pa ngulmimin e tij të lëmuar, pa këmbënguljen e refuzimit të tij, sot nuk do të kishte as Kosovë as shpresë lirie për këtë provincë serbe. Ai ishte një erudit, një autokrat me dëshirë, i paparashikueshëm dhe i epshëm njëkohësisht, një njeri dialogu, një luftëtar i vendosur, mjaft popullor dhe megjithatë i veçuar, gjithmonë i sjellshëm, që ndrojtja, kultura e thellë dhe vetëpërmbajtja e tij e bënin nganjëherë mjaft kokëlartë. Kjo ngaqë pranë tij kalonte butësisht Historia.

* Kouchner është sot Ministër i jashtëm i Francës (Le Monde, 24.01.2006)

BERNARD KOUCHNER


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GJERMANIA JUSTIFIKOI BESIMIN E SHQIPTARËVE - PORTRET I PIRRO TREBICKËS (07.25.2010)
ARBËN XHAFERRI: FITOI E DREJTA PËR LIRI (07.23.2010)
TËRMKOLLI: PËR RIGJYKIMIN E HARADINAJT, E INTERESUAR SERBIA (07.22.2010)
QEVERIA SHPREH BRENGOSJE PËR RIGJYKIMIN E HARADINAJT (07.21.2010)
MBI KRIMET E KOMUNIZMIT NË SHKODËR E MALËSINga FRITZ RADOVANI (07.19.2010)
POEZI E FRESKISË DHE DRITËS ROMANTIKENga Prof SADIK BEJKO (07.17.2010)
"DUA TË BËJ PAQE ME SHQIPËRINË" - ARTISTJA ELDA SORRA (07.15.2010)
BUJAR ALIKO: ËNDRRËN GJERMANE MUND TA PËRJETOSH EDHE NË SHQIPËRI (07.14.2010)
HYSENI: BALLKANI - JO PENG I SERBISË (07.09.2010)
KRYEMINISTRI BERISHA PRET CHERIE BLER (07.08.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]