VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NDIHMESA E SELMAN RIZËS NË ZBULIMIN E SHENJAVE LETRARE TË LETËRSISË SË HERSHME SHQIPENga BEHAR GJOKA

                                                                                      

E Martë, 04.30.2024, 01:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

NDIHMESA E SELMAN RIZËS NË ZBULIMIN E SHENJAVE LETRARE TË LETËRSISË SË HERSHME SHQIPE

Nga BEHAR GJOKA


E Djelë, 10.24.2010, 07:41am (GMT+1)

Historia e shkrimit të gjuhës shqipe, natyrisht me libra sinkretik dhe të mirëfilltë, tashmë i kundruar edhe si fakt tërësor dhe i ndërthurur ndërmjetshëm, pra si faktologji gjuhësore dhe historike, fetare dhe letrare, madje njëherit edhe duke hedhur piketat e përfaqësimit dhe të shenjimit të periudhës së parë të ligjërimit të saj, është formuluar shkencërisht dhe në të gjitha këto rrafshet njëherësh, madje edhe në thellësinë dhe në gjithanshmërinë e vetë, posaçërisht aty nga viti 1964, në një libër universitar, nga Prof. Selman Riza. Kjo reference fondamentale, e plotë dhe tejndriçuese, e fillesave të shkrimit të gjuhës dhe të letrave shqipe, po kaq edhe e themeleve të garantuara të lavrimit të tyre, me vlera sot e gjithë ditën, pamëdyshje që duhet shqyrtuar edhe në marrëdhënie me trajtimet e mëhershme, të njëkohshme me fushëpamjet gjuhësore dhe letrare që sugjeron Riza, por detyrimisht edhe pas këtyre viteve, për të prekur shenjat e arritjes që shënon interperetimi i shkencëtarit të thekur të gjuhës dhe letërsisë, pjesë e plejadës së ndritur qysh me K. Krisotoforidhin, S. Frashërin, A. Xhuvanin, E. Çabejn etj. Etapa parake e letrave shqipe, ku gjithsesi përfshihen tekstet e Gjon Buzukut, Lek Matrëngës, Pjetër Budit, Frang Bardhit dhe Pjetër Bogdanit, pra që ngërthejnë autorët e parë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilët hyjnë në këtë histori të shkrimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, tanimë me libra, gjithnjë simbas shqyrtimeve të ngahershme të Selman Rizës, e cila emërtohet letërsi e vjetër, shënon formanten e lavrimit dhe lëmimit zanafillor të shqipes, gjithsesi edhe të ligjërimit letrar të saj, të paraparë dhe sugjeruar prej tij me disa terma, (si përkthim, përshtatje, rikrijime ose edhe si vepra origjinale), dëshmi kjo e larmisë ekzistenciale të literaritetit të fillesave letrare. Kjo etapë, fillimtare e ligjërimit të shqipes me libra, ka zënë fill në vitin 1555, që përkon me botimin e Mesharit, monumentit më të moçëm të shkrimit të gjuhës shqipe, do ta ulë siparin e vetë si periudhë dhe mendësi shkrimore, tipologji dhe lloje letrarë, arritje dhe mungime të prekshme të lavrimit të saj, veçmas me botimin e Çetës së Profetnëve, në vitin 1685. Pra, letërsia e vjetër/e hershme, siç është emërtuar më herët, e ku papërjashtimisht përfshihet ky hark kohor, me shenja dhe dëshmi të prekshme shkrimtarie, të cilat gjellijnë në tekstet e përkthyera dhe origjinale të shkrimtarëve të periudhës, përpos dëshmive dhe shqyrtesave të gjithëpranuara gjuhësore dhe historike, prej albanologëve të huaj dhe shqiptarë, ngërthen brenda vetes një shtrirje kohore prej rreth njëqind e tridhjetë vjeçare, porse me ndikim të dukshëm në të gjitha hapësirat shqiptare, sidomos për atë kohë, por edhe me një vijimësi ndikese edhe pas atyre moteve të ekzistencës së qenies iliro-arbënore, padyshim në të gjitha rrafshet ekzistenciale të kulturës shqiptare. Ndikimi fillestar erdhi, kryesisht edhe për shkak të ushtrimit të detyrave përiftënore, shpesh edhe të një niveli të lartë, të secilit prej këtyre autorëve, por pandarazi me të edhe të gadishmërisë së tyre për t'u përfshirë në sipërmarrje atdhetare dhe priftënore, kulturore dhe arsimore, por gjithashtu edhe në emër të gjuhës dhe letërsisë, i cili e vijojë procesin e vetë gjatë gjihtë shekujve, me përplot pengesa dhe mangësi, me ledhe dashakëqinjësh dhe pengojca të shumta dhe nga më të ndryshmet. Megjithatë, nëpër shtjellat e kohës, ndaj letraritetit të saj, pra vlefshmërisë së prurjeve dhe pranisë letrare, gjurmëve dhe shenjave artistike, të stilit dhe shprehësisë letërsishkrimore, ka patur qëndrime të ndryshme, të cilat përgjithësisht konvergojnë në përpjekjen për të ndriçuar shenjat dhe kahjet që bart ajo, ku si më tipiket, do të veçonim:

A Zbulimi, identifikimi dhe vlerësimi i përgjithshëm i periudhës së hershme, e cila e nis udhën e vetë, pothuajse menjëherë pas përfundimit të vetë kësaj periudhe shkrimore:

- Gjetja dhe lajmëtimi për librin e Buzukut prej Gj. N. Kazazit, si dhe përdorimi i librave të Budit dhe Bogdanit nga ana e K. Kristoforidhit për hartimin e fjalorit Shqip-greqisht, po ashtu edhe nga S. Frashëri për fjalorin enciklopedik të turqishtes.

- Shqyrtimet e Dhimitër Kamardës, Zef Skiroit, Faik Konicës etj. , për praninë e një sërë vlerash të letërsisë së vjetër (të hershme), me adresim më tepër të vlerave gjuhësore, por edhe me mëtesa dhe rrekje të prekshme, kinse për të ndriçuar dhe shpalosur edhe shenjat letrare.

- Trajtimi tërësor i kësaj periudhe, më vete dhe me të gjitha përmasat, si fakt historik dhe gjuhësor, letrar dhe fetar, madje në një situatë të plotë dhe të thelluar, nga albanologu francez Maroi Rok në librin Rechercher sur les ancins textes albanais, 1932.

- Vështrimi i detajuar dhe në të gjithë elementët e vetë përbërës të letërsisë së hershme, pra i librave të botuar në shek. XVI - XVII, e cila përkon më së shumti me mesjetën e vonë, padyshim në të gjitha aspektet e veta, historik dhe fetar, gjuhësor dhe letrar, madje edhe si epokë tërësore dhe në marrëdhënie me të gjithë realitetin ekzistencial të letrave shqipe, mbi autorët dhe tekstet e shkruara, si dhe me një qasje të plotë studimore, kryekëput me parametra shkencorë të mirëfilltë, për herë të parë dhe në të gjithë formatin e kësaj letërsie, por duke e parë atë edhe në nivelin e ndihmesës së dhënë prej saj mbi të gjithë zhvillimin letrar në gjuhën shqipe, deri në momentet e botimit të këtij shqyrtimi, realizuar nga studiuesi italo-arbreshë, Gaetano Petrotta, në librin Popolo, Lingua e Letteratura Albanese, qysh në vitin 1932.

B Zbërthimi, gjithaq edhe më i thelluar i vlerave gjuhësore, historike dhe letrare, kryesisht si një nevojë dhe dobi e pranisë së dëshmisë së vlerave kulturore të kësaj periudhe, në këto rrafshe:

- Në vendosjen në rrjedhat historike të periudhës së parë të letrave shqipe, sidomos dhe më e thelluar, të pranisë së vlerave gjuhësore, por edhe të çasteve të tjera, mjaft të veçanta dhe të përgjithshme të zhvillimit dhe tiparve të kësaj letërsie, nga Justin Rrota.

- Në zbërthimin e plotë të vlerave gjuhësore, një kontribut i vyer dhe jo shumë i njohur nga lexuesit dhe studiuesit e kohës kur po flasim, në rrafshin e prurjeve leksikore të autorëve të kësaj letërsie, nga ana e Kol Ashtës, një praktikë e shqyrtimit shkencor, që megjithatë ka mbetur pa u thelluar më tutje si dëshmi e një periudhe të caktuar të lëvrimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

- Në analizën e përveçme dhe tejet të thelluar të vlerave letrare, të poezisë së P. Budit, nga Henrik Lacaj, një vështrim mjaft interesant dhe i domosdoshëm për të përndritur shenjat shkrimore poetike të autorit, e padyshim edhe të poezisë shqipe të kohës, por edhe të përqasjeve të befta me poezinë europiane, që ende mjerisht nuk është botuar, andaj edhe nuk është bërë pronë e leximeve dhe shqyrtimeve të mëvonshme, si një mënyrë krejt e veçantë e verifikimit të poetikës dhe vlerave të shkrimit poetik të poetit të parë të letrave shqipe.

- Në ribotimin e transliteruar të Mesharit të Buzukut, shoqëruar edhe me një parathënie të gjatë dhe të plotë për kohën dhe autorin, si jetëshkrim dhe vlera gjuhësore, por edhe letrare, që shkon dhe formatohet më tepër në caqet e një studimi të mirëfilltë shkencor për autorin e parë të letrave shqipe, prej Eqerem Çabejt.

- Në studimin unik dhe tërësor, të prirjeve dhe prurjeve gjuhësore, të dëshmive dhe mangësive letrare, të kahjeve dhe risive shprehëse, të faktorëve historikë dhe fetarë, shenjave dhe pranisë së literaritetit, që mundësuan përlindjen e letërsisë së vjetër shqipe, siç e thekson vetë Selman Riza në parathënien e librit kushtuar kohës dhe pesë shkrimtarëve më të hershëm të letrave shqipe, me një lartësynim të shpallur qysh në krye të herës, që ... të pasqyrojë vehtësinë tërësore, pra si fakt gjuhësor dhe historik, atdhetar dhe fetar, por pa harruar këtu edhe praninë letrare, të periudhës dhe autorëve, të kahjeve të shkrimit të shqipes, tashmë si gjuhë e kishës, e kulturës dhe pamëdyshje (pa lënë asgjëmangut - një term i Rizës) edhe i letërsisë, realizuar në punimin e papërsëdytshëm shkencor, së paku gjer më tash, të titulluar Pesë autorët më të vjetër të letërsisë shqipe, ndonëse ky tekst u shkrua për nevojat e universitetit si dispensë mësimore.

C Shenjimi dhe zbërthimi në mënyrë të posaçme, tashmë vetëm i vlerave letrare, si shkrim i poezisë dhe shkrim i prozës, veçmas në tekstet thelbësore të shkrimtarëve të periudhës, si dhe thellimi i mëtutjeshëm i interpretimit dhe shqyrtimit të vlerave gjuhësore:

- Punimet e Dhimitër Shuteriqit si vështrim historik i periudhës dhe teksteve, të hartimit të antologjive të asaj periudhe, si dhe i ndikimit që pati mbi gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe, ky çast i shkrimit dhe lëvrimit të gjuhës shqipe, tashmë me libra, e padyshim edhe me dëshmi letrare.

- Zbërthimi, transliterimi dhe analiza e plotë e Pasqyrës së të Rrëfyemit, si dhe e Ritualit Roman, librit të dytë dhe tretë, ku është përfshirë edhe teksti i katërt i Budit, titulluar Kush thotë meshë këtë kafshë ( këtë gjë, libër-B. Gj) i duhet me e shelbuom, madje edhe duke ia zbërthyer dhe përveçuar nga shkrimtarët e tjerë të periudhës, morinë e vlerave gjuhësore dhe letrare, nga albanologu danez, Gunar Svane.

- Analiza mjaft e thelluar e veprës tërësore, tashmë e bazuar edhe në arritjet e analizës së tekstit letrar dhe të interpretimeve strukturaliste dhe semiotike, si një shans dhe gjasë e vlertë dhe e domodoshme për të prekur dhe shijuar edhe vlerat e letrares së autorëve të hershëm, në rrafshet shkencore, teologjike, filozofike dhe letrare të Çetës së Profetënve nga Ibrahim Rugova.

- Botimi i gjithë poezisë së P. Budit në vitin 1986, pra i vargjeve të Doktrinës së Kërshtenë, Pasqyrës së të Rrëfyemit dhe Ritualit Roman, shoqëruar edhe me një tekst parathënës, madje që është në kufirin e një studimi të plotë shkencor, të pranisë së vlerave poetike dhe në shkrimin e prozës së shkrimtarit, si dhe thellim i shqyrtimeve tërësore dhe komplomentare (përbashkuese), të periudhës dhe rolit të saj mbi gjithë arealin e gjuhës shqipe, të jetëshkrimit dhe veprës së autorëve të letërsisë së vjetër, shenjave gjuhësore tejet të larmishme, kuadrit historik dhe letrar, madje edhe duke i përndriçuar shumë nga hijedritat dhe pikëpyetjet e pranishme rreth kësaj periudhe, të kahjeve dhe dëshmive letrare, posaçërisht në librin Tekste të Vjetra nga Rexhep Ismaili.

- Analiza e vlerave letrare, stilistike dhe vjershëruese, të figurave dhe shprehësisë, të llojeve dhe nënllojeve letrarë, porse edhe të prozës së asaj periudhe, veçmas dhe disi më të thelluar të krijimtarisë së Budit dhe Bogdanit nga Sabri Hamiti.

- Shqyrtimi i poezisë së Pjetër Budit, porse vetëm në nivelin e shenjave letrare, natyrisht i poezive të Doktrinës së Kërshtenë, madje e kundruar më tepër edhe si një zgjatim i barokut europian, prej Zeqirja Nezirit.

- Analiza e teksteve poetikë, padyshim e të gjithë vargjeve të shkruara në gjuhën shqipe, në të tre librat e Budit, poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, madje duke përveçuar edhe një numër vargjesh origjinale të P. Budit, posaçërisht në librin Poetika e Budit, me autor Behar Gjokën.

E paraqitëm panoramën shkurtimore të trajtimeve dhe interpretimeve të kryera gjer më tash rreth dhe përmbi letërsinë e vjetër/e hershme shqipe, pra të librave/teksteve, shenjave gjuhësore/letrare, fakteve fetare/historike, pranisë së letrares në poezi dhe prozë, të shkruara në shekujt XVI dhe XVII, si pasojë e hapësirave të krijuara prej Kundërreformacionit të Papatit, por padyshim edhe si aspekte jetëshkrimore të secilit prej autorëve, por njëherit edhe të mbarë epokës së letrave shqipe, të zanafillës së dokumentuar tashmë edhe me libra, për të prekur dhe zbuluar realisht ndihmesën e dhënë prej Prof S. Riza për këtë epokë fillimtare, por edhe themelvënëse të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të kulturës dhe mbijetesës së qenies arbënore në hapësirat e gadishullit, ku ende gjallojmë. Ta tërheq vëmendjen, në punimin studimor të Rizës, fakti i një konceptimi modern të epokës dhe librave të saj, të autorëve dhe teksteve, si të vështrimit metodik edhe të atij shkencor mbi këtë letërsi, e parashtruar nga studiuesi, jo rastësisht me tre pjesë kryesore, pra posaçërisht me emërtesën Studimi ose pjesa e parë e punimit shkencor, Krestomacia apo fragmente të zgjedhura nga tekstet e autorëve, që përbën pjesën e dytë dhe me vlera të rëndësishme të njohjes dhe shqyrtimit të saj, sidomos për të prekur tekstet e autorëve të parë të letrave shqipe, si dhe e treta pjesë, e cila emërtohet Komente, që ka vlerë të veçantë në krahasim me dy pjesët e para të studimit për të pesë autorët më të hershëm të letrave shqipe sepse siç thekson vetë studiuesi, ato janë të shoqëruara... me komente herë vetëm gjuhësore, herë edhe letrare, ku edhe shpalosen qartësisht mëtimet diturake dhe shkencore për periudhën, rrethanat që e sollën atë hark gjuhësor/letrar në skenën e trojeve iliro-shqiptare, autorët dhe tekstet, në shumicën e anëve që ato përfaqësojnë, me pikësynimin e qartë për zbardhur prodhimtarinë e tyre gjuhësore dhe letrare. Nga ana tjetër sugjerimi i studiuesit më të thekur të kësaj periudhe, gjuhëtarit të shquar të sa e sa fushave, se janë Pesë studime të një karakteri njëherazi introduktiv e kritik, e pasuron dhe zgjeron gamën e vështrimit të hedhur mbi letërsinë e hershme të gjuhës shqipe, si dhe mbi faktologjinë e pranisë së literaritetit të prekshëm në këtë formante. Pra, në këtë libër mirëfilli shkencor, kemi pesë studime të ndërlidhura, metodikisht dhe shkecërisht, megjithatë edhe si të ndërlidhura në një studim të vetëm dhe përfundimtar, sa i përket epokës dhe shenjave që bartin tekstet e shkrimtarëve të hershëm të gjuhës dhe letërsisë shqipe, çka e përplotëson aspiratën e një mëtim shkencor unik dhe adekuat, madje me vlera të posaçme edhe tani, që buron dhe shërben si gjykim metodik/shkencor nga koncepti real i tekstit të studimit, se kemi njëherësh një punim shkencor për secilin autorë, eventualisht dhe në mënyrë po kaq të thelluar edhe për etapën e parë, të paraparë po ashtu shkencërisht edhe si dhëniemarrje e autorëve dhe teksteve, por edhe si mëvetësi e secilit shkrimtar të letërsisë së mesjetës së vonë, pra të literaritetit të shekujve të XVI dhe XVII. Ky moment thelbësor i një projekti studimor të qartë dhe të përfunduar si aspekt kërkimor dhe shkencor prej shkencëtarit të gjuhës dhe letërsisë, vjen e thellohet nga emërtimi tjetër autorial, po kaq me vlerë, se ky studim padyshim për secilin autorë dhe për etapën e parë të letrave shqipe, ka karakter indtroduktiv, pra si një hyrje, kryesisht e një paraqitjeje shkurtimore. Faktikisht, në marrëdhënie me të dhënat e thelluara historike, për kohën dhe jetën e secilit autorë, interpretimet e spikatura dhe më të plota gjuhësore, madje duke vënë re edhe të metat grafike, sintaksore dhe leksikore të shkrimtarëve të asaj periudhe, por edhe shqyrtimet letrare, të pamunguara dhe herë - herë të përplotësuara edhe me një tejqyrë të hollë të analizës së tekstit, si shenjë gjuhësore dhe letrare, çka në lidhje me letërsinë e hershme shqipe ngjet për herë të parë, pra duke e tejkaluar realisht mëtesën autoriale, me karakter të prekshëm erudicional të trajtimit dhe interpertimit të çështjeve dhe problematikës së ndërlikuar të letërsisë së hershme shqipe. Ky punim i mirëqenë shkencor, si nivel dhe metodikë, si shqyrtime dhe interpretim i dukurisë shkrimore të letrares së hershme, zanafillore dhe me shenjëzime të shumëfishta, madje edhe i përbërë nga pesë kapituj të zgjatur dhe të përplotësuar me shqyrtime të argumentuara, porse gjithashtu edhe të shoqëruara shpesh edhe me ngjyresat e një polemike të mirëfilltë shkencore, natyrisht me shqyrtuesit e këtij formati gjuhësor/letrar, historik/fetar, veçmas në bashkëkohësinë shkrimore të librit universitar, për secilin autorë dhe për të gjithë tekstet e tyre, e shpërfill dhe tejkalon në të gjitha kuptimet idenë emërtuese si një hyrje, pra thejsht dhe vetëm si nivel paraqitjeje dhe prezantimi, i periudhës dhe teksteve/autorëve që trashëgojmë prej saj. Libri, kushtuar letërsisë së hershme shqipe, në strukturën dhe hallkat përbërëse, në rrafshet dhe shtjellat e qëmtuara, në thkellinat e hapura për studimin dhe vlerësimin e prodhimit gjuhësor dhe letrar, të etapës së parë të letrave shqipe, përbën një qasje të plotë dhe krejt të thelluar, qoftë në nivel formal, por më tepër e sidomos nga shkalla e verifikimit dhe shqyrtimit të teksteve të shkrimtarëve të periudhës, po ashtu edhe të trajtimit dhe interpretimeve argumentuese, të dukurisë që emërtohet si letërsi e vjetër/e hershme, po kaq edhe të vlefshmërisë së secilit tekst të këtyre shkrimtarëve, duke shënuar kështu një punë shkencore të mirëfilltë dhe tërësore, madje në shumicën e piketave të shpërfaqura, si analizë e teksteve në rrafshet gjuhësore dhe letrare, të patejkaluar ende prej historiografisë së gjuhës shqipe. Pesha e të qenit një punim shkencor dhe krejt i përveçëm, në marrëdhënie me letërsinë e hershme shqipe të shekujve XVI - XVII, rritet ndjeshëm veçmas me formulimin dhe vizionin e plotë shkencor, teksa punimet përmbi tekstet dhe autorët e periudhës parake të letrave shqipe, studiuesi i zellshmë i sheh dhe shpalos edhe me një atribut cilësor si trajtesë shkencore, pra me karakterin kritik të studimit. Përcaktimi i vetëdijes autoriale pikërisht me këtë qasje, do të thotë se prof. Riza ka operuar kryekëput me një optikë të verifikimit të plotë dhe mjaft të thelluar të vlerave dhe mungesave, sprovave dhe arritjeve, prurjeve dhe dështimeve shkrimore, madje pa kursyer asnjë prej dobësive të pranishme në tekstet e autorëve të letërsisë së hershme, por edhe të pranisë së vlerave gjuhësore dhe letrare të tyre, duke shënuar kështu njërin nga të paktit punime shkencore të ekuilibruar dhe pa asnjë paragjykim dhe pasgjykim, në trajtimin e periudhës së parë të letërsisë shqipe, si dhe të ndihmesës së dhënë dhe të faktologjisë së secilit autor të kësaj letërsie në prurjen dhe zbërthimin e shenjave letrare. Madje, në kuptimin e mirëfilltë shkencor, patjetër studimi përmbi letërsinë e hershme, më tepër shënon një konceptim bashkëkohor, sepse sidomos verifikimi me sy kritik i teksteve të shkrimtarëve të kohës, dëshmon edhe për hapjen prej tij të një hullie të re dhe krejt të përveçme, tashmë të verifikimit dhe shqyrtimit të gjuhës dhe letërsisë në një trajtim objektiv dhe shkencor, pra kryesisht të një trajtimi në nivelin më të lartë të përfaqësimit të formatit letrar të letërsisë së hershme, ndonëse pothuajse të ngecur në fillesat e shqyrtimit të këtij aksi për shumë kohë. Me mjaft interes, në studimin/studimet e Rizës, është edhe formulimi i shenjave përfaqësuese të secilit prej autorëve/teksteve të tyre, gjithnjë në rrafshet e pranisë së kreatives gjuhësore dhe letrare, çka në fakt vetëm sa na bën që të kuptojmë dhe të prekim nivelet shkencore të këtij punimi, si analizë dhe verifikim i teksteve të shkrimtarëve të kohës, si prani dhe mosprani e arritjeve të kësaj periudhe shkrimore, veçanërisht në linjat e pranisë së letrares.

Sa i përket Buzukut, në pikëpamje të literaritetit, përveç theksimit të funksionit kryesor të shprehur në cilësimin domethënës, siç edhe është shënuar qartësisht nga studiuesi, kombëtarizimi gjuhësor i jetës së kishave të shqiptarëve, si e përcakton vetë Riza, ka vlerë të posaçme, në kuptimin letrar, sugjerimi se edhe ai më i përvujti përkthim i botës përbën asgjëmangut një lloji rikrijmi, si qëmtim dhe vlerësim i autorit të parë në punët e shkrimtarisë në gjuhën shqipe, një ide që rimerret dhe përforcohet ca më tepër në pjesën Komente, ku studiuesi shprehet: Vende-vende Buzuku ka marrë lirinë që të bëjë punën jo të përkthyesit ose të përshtatësit por të komentuesit, një ide që e zgjeron dhe pasuron figurimin e autorit të parë të letrave shqipe, si lëvrues i gjasave letrare. Për Matrëngën, të dytin shkrimtar të letërsisë së hershme, përveçse duke ia shënuar shenjën kryesore që bart, studiuesi nënvizon se me këtë vepër ( E mbasme e Kërshtenë B. Gj), botuar në vitin 1592 zë fill historia e toskërishtes së shkruar, porse ky akt, themelor dhe vijues i traditës së shkrimit të shiqpes, i kundruar në dritën e fakteve dhe dëshmive, dokumentave arkivore, interpretimeve dhe shqyrtimeve më të plota të kryera gjatë kësaj ndërkohje, shënon edhe fillesat e dokumentuara të shkollimit në gjuhën shqipe, ndonëse jashtë trojeve iliro-arbënore, si dhe për nevojat e arsimimit fetar. Budin, nga ana tjetër dhe me të drejtë e sheh si poet dhe prozator, megjithatë pa harruar pasionin e ndriçuesit fetar në gjuhën amtare, si dhe faktin e lavruesit të gegrishtes jugore, ndonëse në konsideratat për shkrimin letrar të këtij autori, Riza shprehet qartësisht Si për nga risia e temave dhe gjinive, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t'i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues frymëgjatë të poezisë letrare shqipe, por njëherit edhe e të parit poet shqiptar, të pajosur më një ndieshmëri fetare-kombëtare të pasionuar, çka zbulon vlerësimin e përveçëm ndaj pranisë së letrares tek shkrimtari i tretë i letërsisë së hershme shqipe, të mesjetës së vonë. Një pohim tepër i vlertë për poezinë e Budit, sërish tek fragmenti Komente, shpaloset teksa nënvizon Në mbarë letërsinë shqipe të vjetër Budi është i pari vjershërues i një frymë të gjatë: ciklin poetik, botuar si shtojcë e Doktrinës së krishterë, e përbëjnë 14 poema prej gjithsej jo më pak se 1884 vargjesh; një pohim që nuk është marrë ende në shqyrtim nga studimet letrare, me seriozitetin e duhur shkencor, natyrisht për t'i dhënë përgjigje të argumentuar dhe përfundimtare. Për Bardhin, pasi ia numron vlerat dhe mungesat e botimit të Fjalorit Latinisht- Shqip dhe të Apologjisë së Skënderbeut, studiuesi shkruan fare qartësisht Mund të pohohet me siguri se gega verior Frang Bardhi mjeshtërinë e të shkruarit shqip do ta ketë nxënë duke studiuar veprat e gegës jugor Pjetër Budit, pra duke e kundruar dhe formatuar si vijim logjik i tij. Po ashtu për Bardhin gjejmë edhe pohimin Zelli fetar për t'u ardhur në ndihmë gjithë atyre priftërunjve vendas. Bogdanit, të fundmit të autorëve të zanafillës gjuhësore dhe letrare të gjuhës shqipe, përpos shenjës gjuhësore të dukshme dhe thelbësore, teksa shkruan që bashkëkombasit katolikë t'i pajoste me njohuritë themelore mbi Shkrimet e shenjtë, rreth shenjave letrare të librit të tij, nënvizon qartësisht se proza shkencore e Pjetër Bogdanit është e rangut europian dhe traditës klasike, çka merr vlerë dhe rëndësi jetike për zhvillimet e ligjëratave letrare të mëvonshme të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe. Tërheq vëmendjen edhe përqasja e Rizës kur shprehet ndërsa proza e Budit si rregull është fryt i frymëzimit të atypëratyshëm, përkundrazi proza e Bogdanit është rezultat ripunimesh të njëmasnjëshëm. Po ashtu, për poezinë e pranishme të këtij autori, studiuesi shprehet qartazi Kankët e Sibilave janë përshtatje aq të largëta prej tekstit latinisht saqë mund të thuhet se ato edhe për nga brendia përbëjnë rikrijime të mirëfillta të autorit tonë, ndonëse rreth shenjave letrare të kësaj poezie, më herët Gaetano Petrotta në librin e tij kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe, bën me dije se Pjesa më e madhe e mbishkrimeve dhe poezive latine e italiane janë të fisnikut dalmat Mateo Tomozeu.

Prej këtij shqyrtimi, të domosdoshëm dhe të gjasshëm, në përqasje dhe kundërshti, vështruar edhe në dhëniemarrje me dy etapat, e njohjes dhe vlerësimit të letërsisë së hershme shqipe, shqyrtimit dhe interpretimit të saj, ka gjasa që të preket dhe shijohet ndihmesa e dhënë prej Rizës për këtë hark kohor, me rëndësi jetike për kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe, mbase edhe për vetë ekzistencën e popullit dhe të kombit shqiptar. Kështu, në situatën e qëmtimeve studimore, madje tashmë edhe të thelluara në disa rrafshe, padyshim në marrëdhënie me të dyja etapat e tjera njohëse dhe interpretuese të letrares së pranishme, mund të prekim disa veçanësi të trajtimit dhe verifikimit të Selman Rizës:

- Vlera e studimit/studimeve për periudhën edhe tekstet e autorëve të shekujve XVI dhe XVII, qëndron në faktin e verifikimit dhe interpretimit, më tepër si njësi unike dhe e mëvetësishme, natyrisht duke e parë dhe trajtuar atë në të gjitha aspektet ekzistenciale të formatit kulturor, historik dhe fetar, gjuhësor dhe letrar.

- Lirimi prej paragjykimit të dyfishtë dhe veprues ende në mjediset tona si optikë verifikuese, të jo pak prej shqyrtuesve të letërsisë së vjetër/ të hershme, por shpesh edhe institucionale, se kjo periudhë, fillimtare dhe thelbësore jo vetëm për shkrimin e gjuhës shqipe, kryesisht ka vetëm vlera historike dhe gjuhësore, megjithatë mbetet një tezë e pranishme edhe tani, madje në një masë të konsiderueshme edhe me po atë zell veprimtarie në etiketimin e saj vetëm me vlera gjuhësore dhe historike. Përkundër situatës së paragjykimit dhe pasgjykimit, madje edhe të shpallur botërisht dhe me të madhe, sipas interpretimit dhe analizës së plotë të S. Rizës, ai hark kohor dhe shkrimor ka edhe vlera të prekshme dhe të plota letrare, veçmas ato duken dhe shpërfaqen në poezinë dhe prozën e Budit dhe Bogdanit.

- Verifikimi tërësor, i epokës dhe rrethanave historiko-fetare, që e mundësuan ekzistencën dhe funksionimin e saj, por edhe i jetëshkrimit të secilit autorë, madje në shumicën e vetë të shoqëruar edhe me dëshmi të argumentuara, e padyshim edhe i vlefshmërisë së gjithë teksteve të letërsisë së hershme shqipe, mbase duke e thelluar aktin e verifikimit dhe shqyrtimit të këtillë, të kryerë me po kaq përgjegjësi dhe maturi shkencore në vitet '30 nga G. Petrotta, njëherit duke hapur hulli dhe shtigje të reja, për plotësime të mëvonshme, si qëmtim dhe thellim i pranisë së vlerave gjuhësore dhe letrare, nga R. Smajli.

- Formulimet e gjetura dhe shkencore, mbi shkrimtarinë e autorëve të vjetër/të hershmë të shqipes, pra mbi praninë e shenjave të literaritetit, si ripërkitje ose si rikrijme, përshtatje dhe komente autoriale, përsa i përket natyrës krijuese të Buzukut dhe Matrëngës, si dhe veçmas komentet dhe vlerësimit mbi shenjat letrare origjinale në poezinë dhe prozën e Budit dhe Bogdanit, pa harruar këtu edhe ndihmesën e Bardhit në lëmin e leksikologjisë, i shpien natyrshëm, dhe me fakte tanimë të verifikuara dhe të zbërthyera, fillesat e literaritetit të gjuhës shqipe tek krijimtaria e shkrimtarëve të shekujve XVI-XVII, e jo duke mbetur në tezën e ngurosur përmbi zanafillën e letrares së mirëfilltë me De Radën dhe poemin Këngët e Milosaos, që më tepër për gur sinori dhe përndarjeje, duket se ka laicitetin, pra antifetaritetin, ndonëse të pashpallur kështu, përpos shenjave letrare të mirëfillta.

- Vështrimi në mënyrë kritike dhe shkencore i faktologjisë gjuhësore dhe letrare, po ashtu i rrethanave fetare dhe historike, pra duke e vënë në pah praninë dhe mospraninë e vlerave, arritjet dhe dështimet e autorëve të periudhës, mbase pikërisht kjo mënyrë e shqyrtimit dhe verifikimit shkencor përbën edhe ndihmesën më të vyer të S. Rizës për ta vënë trajtimin e periudhës së parë të letrave shqipe mbi shina metodike dhe shkencore, ku mund të ecet për hartimin e një historie të gjuhës dhe letërsisë shqipe, pra të një maketi përfundimtar për letërsinë e hershme, posaçërisht për krijimtarinë e shek. XVI-XVII, që në fakt përkon me mesjetën e vonë.

Me studimin/studimet e pesë autorëve të vjetër/ të hershëm, në nivelet gjuhësore dhe letrare, historike dhe fetare të rrethanave që e nxorrën në dritë si format, thelbësor i kulturës së shqipes, në një kuptim etapa e parë e letrave shqipe si histori e saj është e gatshme, madje edhe e përfunduar në shumicën e rrafsheve të përfaqësimit të vetë. Megjithatë për nivelin ku ka arritur analiza strukturore dhe ajo e tekstit, qoftë edhe si interpretim semiotik/shenjues, strukturor/kompozicional, tashmë do të duhet sugjeruar edhe leximin dhe rileximin e teksteve të shekujve XVI-XVII edhe përtej kufizimeve ideore, pra duke e mos vijuar thjesht dhe vetëm leximet fetare dhe antifetare, dy mënyra mbizotëruese në shqyrtimin e periudhës, autorëve dhe kohës, veprave/teksteve, shenjave/mungesave të tyre. Në trajtimin e letrares së fillesave të saj, që si fakt historik/shkrimor, gjuhësor/letrar, pra me libra dhe me tekste në poezi/prozë, do ndjekur edhe udha që ka sugjeruar Kroçe më herët në librin Poezia antike dhe moderne, teksa shkruante Veçse ne nuk ngurojmë të shkojmë për ta vizituar poezinë aty ku gjendet dhe aty ku fshihet... (1998: 48), si një thirrje për të depërtuar prapa vellosë fetare të kësaj letërsie, si dhe për të verifikuar dhe interpretuar tekstet, me jo pak shenja letrare, së paku siç edhe i ka kundruar dhe shqyrtuar S. Riza. Midis letërsisë së hershme shqipe dhe punimeve shkencore të Prof. Selman Rizës, ka një lidhje organike dhe të dyfishtë, aq sa letërsia e hershme shqipe njihet në këto nivele si faktologji gjuhësore dhe historike, si dhe është bërë pjesë e pandarë e prodhimit letrar të gjuhës shqipe, fal zbulimit dhe ndihmesës shkencore të dhënë pa kursim prej Rizës.

BEHAR GJOKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
IU DHA DJE LAMTUMIRA E FUNDIT MR. JETISH CUFË KADISHANIT (10.23.2010)
U HAP EDHE GALERIA VERIORE E KALIMASHIT (10.22.2010)
Nënë Tereza, një shembull unikal i qytetërimit-Të varfërit janë dhurata më e çmuar për ne;prania e fshehtë e Jezusit. Nënë TerezaNga Petrit Nika (10.22.2010)
"IMPERIALIS" IA JEP ZHANI CIKOS ÇMIMIN "YLLI I ARTË AKADEMIK" (10.20.2010)
NË BUJANOC THEMELOHET QEVERI TEKNIKE (10.19.2010)
ARISTIDH KOLIA - "RRËNJËT TONA JANË NË ARBËRI"Nga KOLEC TRABOINI (10.18.2010)
THESARI I ALI PASHËS: TË VENDOSË GJYKATA NDËRKOMBËTARE (10.18.2010)
FEMRAT SHQIPTARENga UK LUSHI (10.18.2010)
HISTORIANI BEQIR META ZBARDH NJË TJETËR NGJARJE QË E IMPLIKON DREJTPËRDREJT UDHËHEQJEN KOMUNISTEShteti komunist nuk veproi për pengimin e Masakrës së Tivarit (10.17.2010)
MAQEDONI: SHQIPTARËT PROTESTOJNË PARA AMBASADËS SERBE NË SHKUP (10.16.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]