E Hënë, 05.06.2024, 07:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 
E KALUARA SI MIMOZA LASTICA-PROJEKTET E ARDHSHME TË ZHAKLINA DHIMOJANITKujtimet për Shqipërinë,Himarën,jetën në Zvicër-Më 23 Shkurt më Katedralen e Bernës një koncert elitar me Klaidi Sahatçi,Dhurata Lazo,Gjergj Bejko e Zija Bejlerin
E Hënë, 02.17.2014, 02:00pm (GMT+1)

  • Zhaklina Dhimojani tregon kujtimet e saj pas 24 vjetësh për Shqipërinë, për vendlindjen e saj Himarën, por edhe për jetën që bën në Zvicër   
  • Mbetem ende e dashuruar me kinemanë dhe në përgjithësi me jetën nën prozhektor
  • Mundohem që vajzës t'i qëndroj pranë. Nuk është e thjeshtë të jesh nënë e një adoleshenteje 

Valeria Dedaj

Zhaklina Dhimojani, ajo që ne e njohim si Mimoza llastica u largua nga Tirana në vitin 1990. Sot pas 24 vjetësh rrëfen për jetën e saj, kujtimet që mban mend nga fëmijëria, punën që ka bërë si përkthyese pranë zyrës Federale të Refugjatëve, por edhe për përkushtimin ndaj familjes.

Pas largimit të herës së parë me vizë të rregullt u rikthye në Shqipëri pas dy vjetësh për të festuar Vitin e Ri me familjen që kishte lënë pas. Erdhi në datën 23 dhjetor dhe ndenji vetëm tre ditë, kur pa se Shqipëria që gjeti nuk i ngjate me atë që kishte lënë. 

Në vendlindje rikthehet shpesh. Rikthehet me dëshirën për të takuar miqtë e vjetër dhe këdo që e mban mend se dikur ka interpretuar si Mimoza llastica dhe jo vetëm. Sot jeton në Bern të Zvicrës me bashkëshortin, Stefanin dhe me Alexi-n, vajzën 18 vjeçe.Ka shumë projekte të cilat është duke i realizuar në Shqipëri, pavarësisht se prioritet i saj në jetë është vajza. Në një bisedë për "Shekullin" thotë se: "Alexi deri sa të marrë një drejtim në jetë do të më ketë mbas".

 Zhaklina, riktheheni përsëri në Tiranë...

Rikthehem shpesh në Tiranë edhe pse këtu kam familjen. Për herë të parë jam larguar nga Shqipëria në tetor të vitit '90 me vizë. U riktheva më 23 dhjetor të vitit '92 për të festuar Vitin e Ri dhe kam qëndruar vetëm tri ditë dhe u largova përsëri. Kur ika, Shqipëria ishte një vend normal, kur u ktheva jam shokuar nga ajo që kam parë. Nuk kishte drita, kudo kishte baltë, njerëzit nuk dilnin nga shtëpia se kishin frikë nga ajo që po ndodhte jashtë. Kështu që deri në fund të vitit "˜99, për shtatë vjet radhazi nuk kam ardhur më. 

Çfarë kishit dëgjuar për Shqipërinë gjatë kësaj kohe? 

Mendoja se Shqipëria ishte vetëm një vend ku provohej vuajtja, mashtrimi, e shumë gjëra të tjera. 

Në punën që bënit, çfarë panorame të sillnin emigrantët? 

Kur kam punuar si përkthyese në zyrën Federale të Refugjatëve dëgjoja çdo ditë të flitej për Shqipërinë. Natyrisht që emigrantët ma sillnin Shqipërinë atje, me histori të sajuara ose jo, unë e kisha prezente. Por kur jam kthyer për herë të parë në vitin 1999 e ndjeva veten të karikuar, sepse rigjeta identitetin tim, njerëzit nuk më kishin harruar.

Nuk mendoja kurrë që një person që ka interpretuar diçka, apo që kishte pasur një aktivitet artistik, jo në kuptimin e mirëfilltë profesionist, vazhdonte të ishte në sytë dhe në kujtesën e të tjerëve.

Kur shihje se çfarë vlere kishte një artist në vendin ku unë jetoja, në Itali, dhe të shikoje se e njëjta gjë ndodhte edhe në vendin tënd, kjo nuk ishte pak. Këtë e them sepse vërtetë e kam shijuar dhe jo sepse kam nevojë për protagonizëm, pasi këtë nuk e kam për natyrë.

 Si e shikon tani Shqipërinë?

Shumë gjëra kanë ndryshuar në të mirë, kjo duket në sytë e të gjithëve, por ka edhe gjëra që janë ekzistonte, gjëra që i përkasin jetës që bëjnë shqiptarët, kjo është e dhimbshme. Për shembull kudo shikon kafe-loto, loto-kafe.

Është njëlloj si të thuash vesi është vënë në piedestal. Për nënën e një adoleshenteje siç jam unë, nuk është aspak për t'u   pëlqyer fakti që të rinjtë vrasin kohën përpara një kafeneje, të dhemb shpirti kur mendon se çfarë bëjnë të rinjtë pas studimeve, është drithëruese...

Njoh njerëz që kanë ardhur për të jetuar këtu përfundimisht, por janë larguar përsëri nga Shqipëria. Ky është një emigrim i dhembshëm, një emigrim edhe më i rëndë se i pari, sepse ti je shkatërruar brenda përfundimisht. 

Me origjinë nga Himara. A i mbani mend udhëtimet që keni bërë për të shkuar atje?

 Kur isha fëmijë Himarën gati-gati e urreja, sepse sapo vinte data 31 maj, të nesërmen së bashku me familjen niseshim në një udhëtim që zgjaste 12 orë derisa arrinim atje. Dëgjoje gjithmonë kur thoshin se Himara ishte një vend i bukur, por ti nuk e dije nëse ishte i tillë vërtetë, apo këtë e thoshin të tjerët. Këtë dyshim e kisha deri në moshën 16-17 vjeçe, kur fillova të zbuloj edhe bregdete të tjera.

Himara ishte në të vërtetë një vend i bukur. Por këtë e kuptova edhe më tepër pas udhëtimeve që bëra. Kështu dalëngadalë brenda meje u rizgjua ajo bukuri e egër e atij vendi. Për këtë ka dhënë kontribut edhe im shoq, që pas udhëtimit të parë që kemi bërë bashkë, ngeli i mahnitur.

Më kujtohet udhëtimi i parë, kemi qenë në "Qafën e Llogorasë", kur im shoq filloi të fliste me superlativa për këtë mrekulli, që sipas tij, jetonte në atë vend. Këtë e ka thënë jo sepse ishte i dashuruar me mua, por sepse në të vërtetë ai ishte i dashuruar me atë mrekulli. 

Më 23 shkurt organizojmë koncertin me muzikë klasike në Bernë   

Aktualisht po organizoni një koncert me muzikë klasike me pianisten Dhurata Lazo?

Muzika klasike i pëlqen shumë bashkëshortit tim.

Ai është jurist, por thotë se nëse nuk do të ishte bërë jurist do të ishte bërë dirigjent orkestre. Nga im shoq mora spunto për ta bërë këtë koncert. Ndërsa për Dhuratën mendoj se është artiste e mirëfilltë.

Po hasim vështirësi në organizimin e koncertit, vështirësi që jam e sigurt që  nuk do t'i hasnim nëse do të bënim një program me këngëtare kafenesh, gjysmë të zhveshura. Kam frikë se ndoshta do të ketë pak publik në datë 23 shkurt pran Katedrales së Bern-it, por ky koncert do të bëhet dhe mesazhi do të kalojë pranë artdashësve zviceranë.

Projekte të tjera keni në duar?

Përveç koncertit për talentet e vegjël, kam edhe një për njerëzit në nevojë. Është e vështirë ta bësh këtë në Zvicër, sepse fondet janë thithur nga organizatat shtetërore shqiptare. Fal përkushtimit tim dhe ndihmës së bashkëshortit tim, shpresojmë që të arrijmë të realizojmë disa projekte për njerëzit në nevojë.

Këtyre projekteve u bashkëngjiten edhe disa të realizuara në Himarë.Kemi mundur të japim ndihmën tonë për anën teknike dhe logjistike të Bashkisë së Himarës, për përforcimin e policisë. Vjet në verë për të ndihmuar qytetarët përfunduam me sukses dërgimin e dy makinave zjarrfikëse, që shpresojmë të shuajnë sadopak "zjarret Himarjote".  

 Fëmijëria ishte e veçantë, pa e kuptuar isha bërë person publik 

Nëse rikthehemi në kohë. Çfarë mbani mend nga fëmijëria juaj? 

Fëmijëria ime ka qenë e veçantë. Ajo nuk ishte vetëm e imja atëherë, sepse pa e kuptuar unë isha bërë një person publik. Nga çfarë kishte shënuar roli i Mimozës, fëmijëria ime do të linte tek unë një impakt të pashlyeshëm për tërë jetën.

Një llasticë në film, por në familje si ishit? 

Zhaklina që në film ishte llasticë, në shtëpi nuk ishte aspak e tillë. Si më e madhja e fëmijëve që kam qenë, në realitet isha komplet ndryshe. Zhaklina nuk ka të bëjë me Mimozën. Prindërit i kam pasur intelektualë dhe kam pasur një jetë të mirë, por më kujtohet edhe kur më duhej të vija guriçka për të zënë radhën sepse duhej të bëja pazarin.

Dihet se një nga njerëzit më të dashur për ju ka qenë Xhanfize Keko. Pasi u larguat nga Shqipëria e keni takuar më? 

E kam takuar dy herë. Për herë të fundit e kam takuar në vitin 2001, në 50-vjetorin e krijimit të Kinostudios. Tani është realizuar një libër për të. Aty kam bërë një shkrim në të cilin tregoj kujtimet e mia. Më pas jemi dëgjuar shpeshherë në telefon. 

Si i mbani mend?

Unë e kam njohur qysh fëmijë, por nuk e mbaja mend si një njeri normal, prej mishi dhe kocke, por e shikoja si një njeri që bënte mrekullira për sytë e shqiptarëve. Ndihesha e mbrojtur pranë saj, sepse të transmetonte një qetësi të madhe shpirtërore. 

Keni marrë pjesë edhe te "Qorimet e vjeshtës", me Tinka Kurtin... 

Ka qenë një film pothuajse me meshkuj. Atëherë kam qenë 17 vjeçe, në të njëjtin film merrte pjesë edhe Tinka Kuri, por bashkë nuk na lidhi roli. Nëse një aktore e madhe si ajo nuk kishte një rol kryesor, edhe për mua nuk ishte problem nëse do të kisha një rol joprotagonist.

Çfarë ndodhi më pas. Studimet i vazhduat?

Unë i vazhdova studimet për ekonomi. Rasti im ka qenë ai i zgjedhjes klasike, ku prindi vendos për profesionin që do të zgjedhë fëmija i tij. Ndërkohë filmin e shikoja të largët, sepse përzgjedhja e aktorëve bëhej brenda skemës së profesionistëve. Edhe pse në vitin 1987 bëra një rol dytësor te "Babai i studentit". 

Keni qenë edhe prezantuese në televizion?

Kam qenë prezantuese te festivali i interpretuesve të këngës, kam prezantuar ajkën e këngës shqiptare, Luan Zhegun, Parashqevi Simakun etj. Kam qenë edhe prezantuese në emisione për fëmijë. 

Mbaj mend se asokohe kam marrë pjesë në një konkurs për të prezantuar programacionin që do të vijonte në televizion. Unë nuk u përzgjodha, pasi kandidatura ime nuk kishte si të ishte e duhura, mjaftonte fakti që unë isha nga Himara. Atëherë çdo gjë kontrollohej nga byroja. Por unë mbetem ende e dashuruar me kinemanë dhe në përgjithësi me jetën nën prozhektor. Jo për të qenë në qendër të vëmendjes, por sepse di ta bëj aq mirë, sa nuk di të bëj asgjë tjetër.    

Duhet të them se jam krenaria e mamasë

 Cila është ajo histori që ju ka ngelur në mendje gjatë punës suaj si përkthyese? 

Duhet të them diçka. Shpeshherë e dija se shqiptarët ishin të detyruar të gënjenin. Ndoshta kishin marrë shkas nga diçka që u kishte ndodhur apo jo, por kështu duhej të bënin...

Deri para pak kohe ishte e vetmja rrugë për të marrë statusin e azil-kërkuesit, nëse nuk do të kishin persekutime të natyrës politike nga vendi i tyre, ata nuk do t'i pranonin. Shpeshherë më është dashur të përkthej situata të ndryshme. Por më ngelnin në mendje rastet e dhembshme të femrave, që tregonin për vuajtjet e tyre. 

Fillimisht përfshihesha edhe vetë në këto ngjarje, aq sa kur shkoja në shtëpi i konsideroja si të vërteta.

Ndoshta ndonjëherë kam përkthyer edhe histori të sajuara, por ata që arrinin të krijonin një histori të tillë, e bënin nga nevoja, ndoshta edhe më e rëndë sesa është dhunimi vetë. Për këto që dëgjoja kam bërë edhe terapi te psikologu, në mënyrë që të mos përfshihesha emocionalisht.

Më ka ngelur në mendje historia e një nëne që nuk ishte më normale, por që me pjesë tregonte historinë e fëmijës së saj sesi ia kishin futur brenda në një kazan. Jam një person që përfshihem shumë emocionalisht.

Im shoq më thotë: "Të dua për sytë e bukura, por ajo që më ka bërë të dashurohem me ty është altruizmi yt".Është diçka më e fort se unë. Shpeshherë për këtë njerëzit edhe mund të të përdorin. E këtë e di mirë, por unë i sfidoj duke u dhënë besimin tim. 

Sa e lidhur jeni me familjen tuaj?

Me familjen jam shumë e lidhur. Duhet të them se jam krenaria e mamasë. Sa herë që unë ndihem bosh brenda meje, mendoj për të. E di se për të jam më e mira, më e bukura etj, kujtoj se asaj kjo gjë nuk do t'i pëlqente dhe bëj bum.   

Çfarë raporti ke me vajzën? 

Kam pasur një angazhim shumë të madh pas vajzës. Mbaronte flautin e çoja në kitarë, mbaronte kitarën në balet, pas baletit vrapoja në Shqipëri, e përsëri kthehesha atje. Janë shumë udhëtime, aq sa nuk kam pasur kohë të ndalem. Tani që ajo mbaron maturën fillon jeta ime, edhe pse unë do të jem kudo pas saj. Kjo është e paktë, por e sigurt. Nuk dua të them se jam një nënë konservatore. 

Më është dashur të vishem si çupëlinë e vogël kur ajo shkonte në diskotekë dhe të qëndroja në një cep tjetër që ta kisha nën vëzhgim. Tamam si teto Ollga, por çfarë teto Ollge, Ollgë me xhinse kauboj (Qesh). Këtë e bëj sepse është shumë e çiltër si person dhe nuk e di anën e keqe të gjërave. Sot të jesh nëna e një adoleshenteje nuk është e lehtë, nuk është lehtë, sidomos kur ti rrit një fëmijë kaq të mrekullueshëm siç është kjo imja, aq sa edhe mësuesit e kanë smirë për mirësinë që ka. 

Tani vajza është në finale të "Miss Bern".

 Vajza po përjeton një eksperiencë që në moshën e saj e dëshiron çdo femër. Ajo është maturante dhe në ditët finale të "Miss Bern" ka për të dhënë provimin e parë, për frëngjishten. 

Ka menduar se çfarë drejtimi do të zgjedhë?

Deri tani kishte përparësi mjekësinë, por gjatë një dite praktike iu desh që të pranojë se është delikate përballë gjakut. Dhe po kështu të nesërmen shkoi te një veteriner, sepse që e vogël i dashuronte kafshët, por edhe atje ndodhi që operuan një mace dhe tha: 

"Mami sa gjë e dhembshme". Ndonjëherë mendon të studiojë juridik si im shoq, nganjëherë thotë mami unë nuk e di, ndoshta dua që të studioj diçka që të ketë të bëjë me artin. Prandaj meqenëse është ende konfuze i kemi sugjeruar që të bëjë një pushim të përbërë prej udhëtimesh, përpara se të vendosë se çfarë do të bëjë.  

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AVIONI ETIOPIAN ULET NË GJENEVË - ARRESTOHET PIRATI I AJRITShëndosh e mirë të gjithë udhëtarët, të cilët sot vinin nga Adis Abeba për në Romë (02.17.2014)
“Sonntagsblick” - ZVICERANËT DUAN TË RUHEN MARRËVESHJET EKZISTUESE ME BASHKIMIN EVROPIAN74% e të intervistuarve është kundër prishjes së këtyre marrëveshjeve, 54% nuk duan që Blocher të jetë në diskutimet me Brukselin (02.16.2014)
RADIO SUISSE ROMANDE 'HAJDUTËT KOSOVARË' - REAGON AMBASADA E KOSOVËS (02.15.2014)
SOÇI 2014, MEDALJET E ARTA - ZVICRA E DYTA NË KLASIFIKIM, PAS GJERMANISË (02.15.2014)
DIDIER BURKHALTER - ZVICRA ËSHTË NJË VEND I FORTË (02.14.2014)
DARIO COLOGNA PËRSËRITËS - MERR NJË TJETËR MEDALJE TË ARTË (02.14.2014)
FUTBOLL - ZVICRA E GJASHTA NË BOTË (02.13.2014)
DIDIER BURKHALTER PËR VOTËN E SË DIELËS - 'NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS' (02.12.2014)
CATHERINE ASHTON FLET PËR MARRËDHËNIET ZVICËR-BE"Zvicra ka marrë një drejtim të veçantë," ka thënë Ashton (02.11.2014)
BE DO TË RISHIKOJË MARRËDHËNIET ME ZVICRËN (02.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]