VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MAGJIA SHQIPTARE SHFAQET MREKULLISHT NË SALLËN E KATEDRALES SË BERNËS - Ky event u organizua nën kujdesin e çiftit Dhimojani - Blättler Nga ELIDA BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 06:24am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 
MAGJIA SHQIPTARE SHFAQET MREKULLISHT NË SALLËN E KATEDRALES SË BERNËS - Ky event u organizua nën kujdesin e çiftit Dhimojani - Blättler
Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Hënë, 03.03.2014, 10:25am (GMT+1)




E djela e fundit e shkurtit pati një ngjarje speciale për jetën kulturore të Bernës, kryeqytetit helvetik që përshkohet nga Lumi Aare, kalërohet nga urat e shumta aq të bukura nën pamjen hijerëndë të Alpeve. Katër instrumentistë të shquar shqiptarë dhanë koncert në Katedralen e Bernës, që është zemra e qytetit dhe njëri nga simbolet e tij. Münsteri i Bernës mban në trupin e vet një histori datuar prej fillimit të shekullit XV. Me stilin e përkryer gotik ashtu si simotrat në Këln, Strasbourg, Freiburg  etj. shfaqet  si "ogur i madhështisë dhe delikatesës" njëkohshëm, nëse do të perifrazonim një varg të Viktor Hygosë, në vend të pohimit se në Katedralen e Bernës më tepër se me vendin e kultit dhe mistikës, ndihemi të përballur me shprehjen e talentit njerëzor, ku arti është përcjellës i civilizimin Perëndimor.

Katedralja e Bernës, më e larta në gjithë Zvicrën, kryevepër e dorës dhe mendjes së njeriut, që të rrok me vete sapo e sheh, ishte vendi ku në mbrëmjen e të djelës së fundit të shkurtit dhanë shfaqjen e tyre tyre artistët Dhurata Lazo, Zija Bushi Bejleri, Klaidi Sahatçi dhe Gjergj Bejko; tre vinin nga Gjermania, ndërsa Klaidi është me qëndrim në Zvicër.

Zvicra ka lidhje shumë të forta me shqiptarët. Të gjithë kokat e Rilindjes kanë kaluar një pjesë të jetës në Zvicër. Faik Konica, Fan Noli, Mit'hat Frashëri, Anton Zako Çajupi, Dora d'Istria... Hasan Prishtina e ëndërronte Shqipërinë një Republikë malore si Zvicra. Për të mos folur pastaj për komunitetin aktual të shqiptarëve që i kalon ndofta gjysmë milioni. Shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Luginës të Preshevës, Shqipërisë.

Komuniteti i shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria është më i vogli në numur, rreth 1500 syresh, por jo më pak i rëndësishëm nga kontributet. Siç është rasti i Zhaklina Dhimojani Blättler e cila, me bashkëshortin e saj, ishin autorët e këtij organizimi të mrekullushëm, për të ftuar e mirëpritur katër instrumentistë brilantë shqiptarë.

Nuk është aspak lehtë, por çifti Blättler ia doli me sukses që t'i sjellë artistët shqiptarë të performojnë në Katedralen berneze, për të shpalosur talentin e tyre nën magjinë gotike të zbukuruar edhe më, ca nga shumëngjyrësia e mozaikëve ca nga prania e bukur e publikut zviceran dhe shqiptar.

Zvicra ka krijuar traditë në mikpritjen e elitës të artistëve shqiptarë, të cilët suksesin e tyre e kanë arritur në skenat e Europës dhe botës. Zvicra i mirëpret Artistët shqiptarë, të cilët ia imponojnë respektin publikut zviceran. Dy prej tyre si Tedi Papavrami dhe Klaidi Sahatçi punojnë e jetojnë këtu. Papavrami njihet edhe si përkthyesi zyrtar i veprave të Ismail Kadaresë.

Ndërsa Klaidi Sahatçi ishte pjesë e katërshes së ftuar në Bernë, bashkë me Dhurata Lazon, Zija Bushi Bejlerin dhe Gjergji Bejkon.

Klaidi Sahatçi, pasi mbaron Liceun e Tiranës vazhdon studimet për violinë në Konservatorin Xhuzeve Verdi Milano, për t'i vijuar pranë'Akademisë "W. Stauffer" në Kremona dhe Lion të Francës. Pasi fiton një vend në Orkestrën Sinfonike të Radio Televizionit Italian, fillon të zhvillojë një jetë shumë të pasur koncertore në teatrot më të mira të Europës. Ka qenë violinë e parë në Teatrin La Skala të Milanos dhe aktualisht është violinë e parë në orkestrën e Zyrihut në Tonhalle me një violin të Antonio Stradivarius, të njohur me emrin "Wieniawsky, Bower" e krijuar në vitin 1719 që atij ia ka ofruar Mercedes-Benz i qytetit të Zyrihut. Klaidi paralelisht jep mësim në Konservatorin e Zvicerës italiane. Ai ka bërë shumë regjistrime, ku midis tyre bashkë me pianisten Dhurata Lazo, ata regjistruan CD titulluar Albanian Memories, e cila u promovua së fundmi edhe në Tiranë.

Dhurata Lazo ka nisur të interpretojë në piano në moshën 6 vjeçare fillimisht në qytetin e saj të lindjes, të cilin do ta linte për të ndjekur Liceun Jordan Misja dhe Konservatorin. Në qytetin e gurtë ku ka lindur një diktator dhe një shkrimtar gjenial do të kthehej më pastaj vetëm si vizitore, sepse jeta do t'I merrte rrjedhë të tillë. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës, e mahnitur me pjesët Zadejës, Harapit etj, ajo bashkë me bashkëshortin e saj do të emigronin në Itali. Atje i dedikohet vazhdimit të studimeve në fillim në Konservatorin Xhuzepe Verdi, pastaj në Shkollën e Muzikës për Studime të Avancuara duke ndjekur mësimet e Maestros polak Mika Marian, në Qendrën e Padovës  "Karol Szymanowski", nga ku jo vetëm u dashurua me Chopenin, por edhe u bë një nga interpretueset e tij më të shkëlqyera duke vijuar jetën koncertore me bashkëshortin në Europë dhe Shqipëri.

Zija Bushi Bejleri është saksofonisti i talentuar nga të paktit në Shqipëri, të këtij instrumeti të muzikës black, pop e rock si dhe përbërës i muzikës xhaz, baba i të cilës është i famshmi Luis Armstrong. Megjithëse muzika xhaz ishte pothuaj e mallkuar dhe ndaluar në Shqipëri, pasi mbaron Akademinë e Arteve, Zija Bushi Bejleri nis punën si saksofonisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërkohë që me përmbysjen e diktaturës bashkë me familjen e tij persekutuar nga regjimi komunist dhe vajzën e tij të zemrës Dhurata Lazon, atë kohë studente pianoje, do emigrojnë në Itali, duke nisur gjithçka nga e para. Nuk është e lehtë. Kush nuk e beson le ta provojë po të dojë. Zija Bushi Bejleri ia doli, me shumë punë, me shumë sakrifica dhe mund si dhe në saj padyshim edhe të talentit. Pasi vijon studimet në Milano dhe Trieste e pastaj për Xhaz-Muzik në Shkollën e Muzikës në Manhatten, SHBA, ai vazhdoi karierën e tij në Itali, si orkestrant dhe mësimdhënës, duke e zgjeruar pastaj më tutje aktivitetin me jetën koncertale në Itali, Gjermani, Luksemburg, Francë shpesh herë edhe në koncerte duo me Dhuratën, ajo në piano dhe ai në saksofon. Diçka vërtetë magjike.

I katërti në grupin e artistëve që performuan në Katedralen e Bernës ishte fëmija 12 vjeçar Gjergji Bejko. Nuk dija asgjë për këtë fëmijë, por kur u ndodhëm përballë interpretimit të tij, na magjepsi menjëherë. Gjergji interpretonte pa parte dhe të gjithë të pranishmit mund të konstatonin spontanitetin e tij sikur pianoja të ishte një lodër për duart e tij prej fëmije. Pastaj lexova se Gjergji kishte marrë disa çmime në Gjermani ku jeton me familjen si l'enfat prodige, fëmijë mrekulli. Por mua, sapo e dëgjova, m'u kujtua ajo historia që tregohet për Moxartin fëmijë, i cili interpretonte në mënyrë aq virtuoze sa krijoi dyshimin se ishte një burrë xhuxh dhe jo fëmijë. E, për ta provuar në ishte fëmijë a jo, ndërsa  interpretonte, sollën në skenë një mace dhe Mozarti i vogël e la pianon dhe iu sul maces. Për Gjergjin foli në superlativa edhe Dhurata Lazo, e cila e konsideroi si simbol të muzikantit të ardhshëm. Edhe unë ashtu mendoj. Nuk ka dyshimin më të vogël që Gjergji Bejko do të jetë një Arthur Rubinstein apo Rachmaninov i ardhshëm, por me identitet shqiptar.

Në koncert u interpretua mjeshtërisht muzikë botërore dhe shqiptare. Krahas  tingujve të Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Donizetit, Bellinit  spektatori në sallë ndoqi me interes të veçantë edhe pjesë nga Aleksandër Peçi dhe Eriona Rushiti. Është diçka e rrallë të jesh një kompozitore grua siç është Eriona, pedagoge dhe njëkohësish krijuese e muzikës, që lind prej bashkimit fantazist të notave. Veprat e Peçit dhe Rushitit qendruan me dinjitet përballë mjeshtrave botërorë, edhe sepse u interpretuan nga instrumentistë virtuozë, të cilët kanë arritur të integrohen në jetën koncertale në Europë falë dimensione të tilla, ndaj të cilave Evropa mban frymën, duartroket dhe u ngre kapelën me respekt.

Ashtu si i duartrokiti edhe në katedralen e Bernës, në një koncert elitar, i cili u bë i mundur falë dashurisë dhe mirësisë së Zhaklina Dhimojanit dhe bashkëshortit të saj zviceran, të cilët sponsorizuan pothuaj gjithçka. Çifti Dhimojani- Blättler ishin ata që i kontribuan një eventi të tillë,për t'iu treguar zviceranëve se shqiptarët janë një komb i talentuar, që lind nga gjiri i tij artistë të kualiteteve të tilla. Zhaklina më tha se për të krijuar edukatën e brezit të ri si dhe për të krijuar imazhin e mirë, nevojiten pika referimi të vërteta. Dhe artistët e vërtetë janë pika referimi. Si edhe në rastin konkret.

Sa i përket publikut shqiptaro-zviceran që mori pjesë në koncert,ai padyshim u ndje i privilegjuar duke u gjendur përballë artistëve të dimensioneve të tilla.Në koncert mori pjesë edhe Ilir Gjoni,ambasadori i sapoardhur i Republikës të Shqipërisë në Bernë. Duke patur parasysh komunitetin e shqiptarëve që jeton në Zvicër do të duhet vazhdimisht që artdashësave shqiptarë t'u krijohen mundësi të tilla.Duhet të tejkalohet edhe ideja e rinisë të shqiptarëve në Zvicrës, në gjeneratën e Secondosave,të cilët besojnë se rruga e vetme e suksesit të tyre është futbolli. Ata kanë si pika referimi Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Baramin etj, por në fakt rinia shqiptare sot në Zvicër ka plot rrugë të tjera afirmimi. Arti dhe kultura padyshim që është njëra nga këto rrugë.

Organizimi i çiftit Dhimojani-Blättler të një eventi kulturor ishte si një sfidë,bërë padashje komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, të ndarë e përçarë nga politika. Ky komunitet, në vend që të tregojë interes dhe të investojë për kulturën dhe vlerat e vërteta, harxhon kohën në shërbim të partive shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Rinia shqiptare në Zvicër ndodhet në udhëkryq sepse në vend që të mirëorientohet, edhe ajo humb kohën në klube të pështira ku përçundohen vlerat dhe kultura e mirëfilltë.

Kur dy njerëz organizojnë një shfaqje elitare, siç ishte perfomanca e katër artistëve shqiptare, merreni me mend se çfarë mund të bëjnë gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Padyshim mund të bëjnë mrekullira, nëse do të jenë të organizuar. Po kur do të organizohen, lind pyetja!

Gjithsesi uroj që ky evenimet kulturor, ku u gërshetua në një mënyrë shumë elegante qytetërimi europian i Zvicrës me kulturën shqiptare, të shërbejë si shembull dhe model në të ardhmen e afërt.

Publiku zviceran dhe shqiptar mezi presin shfaqje të tilla. Zhaklina Dhimojani Blättler, e cila mbahet mend për rolin e saj kur ishte fëmijë tek filmi Mimoza Llastica, e ka gati një projekt të ri ku synon organizimin e një koncerti me fëmijët e talentuar shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe jashtë saj. Le t'i urojmë punë të mbarë dhe le të ketë në Zvicër sa më shumë projekte për kulturën, sepse sikur thoshte Albert Camus se "pa kulturën, shoqëria edhe sikur të jetë perfekte është një xhungël."












ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BERNË - NË SHESHIN FEDERAL MANIFESTIM PËR NJË ZVICËR TË HAPUR (03.02.2014)
KORRUPSIONI NË SECO - KAPITULL I RI (03.01.2014)
NJË MARRËVESHJE E RE PËR AZILIN MES ZVICRËS DHE BE - 9 SHKURTI NUK KA PASUR PASOJA (02.28.2014)
ZVICRA E MËDYSH STRASBURGUNPozicioni i popullit zviceran mbi emigracionin e ka ndarë Parlalemtin Evropian në përkrahës dhe kundërshtarë (02.27.2014)
GJITHNJË E MË SHUMË ZVICERANË BËHEN PRONARË TË BANESAVE TË TYRE (02.25.2014)
TURISTËT E PËLQEJNË GJITHNJË E MË SHUMË ZVICRËN - VITIN E KALUAR U RRITËN 2,5% PRENOTIMET (02.24.2014)
NË VITIN 2014 NË ZVICËR PRITET TË KETË 24 000 KËRKESA PËR AZIL (02.21.2014)
QYTETARËT ME PREJARDHJE NGA KOSOVA KANË RRITJEN MË TË MADHE NË ZVICËR (02.20.2014)
ANGELA MERKEL - VOTA ZVICERANE DO RESPEKTUARMerkel dhe Burkhalter duan të gjejnë 'një zgjidhje të arsyeshme' për të zbatuar nismën e SVP duke ruajtur lidhjet e ngushta me BE-në (02.19.2014)
MË 23 SHKURT, ORA 17:00, NË KATEDRALEN MÃœNSTER NË BERNË ORGANIZOHET KONCERT ME INSTRUMENTISTË TË SHKËLQYER SI KLAJDI SAHATÇI, DHURATA LAZO, GJERGJI BEJKO E ZIJA BEJLERI (02.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]