AKR: BEHGJETI KANDIDAT PËR PRESIDENT, ZGJEDHJET SIVJET
E Djelë, 05.20.2012, 08:29am (GMT+1)
PRISHTINË - Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë se duhet të respektohet marrëveshja e arritur për zgjedhjen e presidentit të vendit, mes Thaçit, Pacollit dhe Mustafës.
"AKR-ja si parti politike e përgjegjshme edhe në këtë rast i qëndron besnike marrëveshjes së arritur", - deklaroi Makolli për mediat.
"Ka rrethana të jashtëzakonshme të cilat edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës i parasheh. Pra, në rrethana të jashtëzakonshme mund të shtyhen edhe zgjedhjet. Por, tani ne po flasim për një gjendje normale të një procesi që do duhet të ndodhë. Ndaj, nuk ka asnjë arsye që të mos respektohet marrëveshja e arritur mes tri partive politike"- theksoi ai.
Makolli deklaron se AKR-ja për president të vendit do ta ketë kandidatin e njëjtë, Behgjet Pacollin. "Mendojmë se Pacolli ka treguar një përkushtim shumë cilësor dhe unik për ato ditë sa ka qenë president i vendit", - tha Makolli. (bw)
www.voal-online.ch
|