VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HELENA KADARE: KOHË E PAMJAFTUESHME, JETA ME ISMAILINNga ADMIRINA PEÇI

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 05:57am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

HELENA KADARE: KOHË E PAMJAFTUESHME, JETA ME ISMAILIN

Nga ADMIRINA PEÇI


E Mërkurë, 01.05.2011, 02:59pm (GMT+1)


Kohë e pamjaftueshme...", shkruan Ismail Kadare në një poezi të hershme të tij. Me të njëjtin titull, Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit, sapo ka botuar në Francë një libër të pazakontë, kurioz, ngacmues, të sinqertë, me dëshmi, kujtime, letra dhe rrëfime mbi jetën e përbashkët me gjeniun e letrave. Një libër kujtimesh prej saj, ngjan si ftesë për të hyrë në një botë ku gjallojnë qindra histori, këndvështrime e përjetime të panjohura, të vërteta të fshehura, por edhe fakte e dëshmi të shumëpërfolura, e njëkohësisht ende të pazbuluara deri në fund... Por çfarë është ky libër, botuar fillimisht në frëngjisht nga "Fayard" me titullin "Le Temps qui manque" (Kohë e pamjaftueshme)? Në këtë rrëfim për "Gazeta Shqiptare", shkrimtarja Helena Kadare zbulon shumë linja të tij...


Znj. Helena, nuk mjaftojnë pak fjalë për të zbërthyer një libër si ky, ndaj do t'ju pyes fillimisht si lindi kjo vepër? Kur keni nisur t'i shkruani kujtimet tuaja? Janë bazuar në ditarë mbajtur vit pas viti, apo në kujtime të depozituara në memorien tuaj që nga fillesat e njohjes me shkrimtarin Ismail Kadare?
Mendimi për të shkruar kujtime nuk më ka ardhur aspak papritur. Në kohën e sotme një tundim i tillë qarkullon në ajër, aq më tepër kur bashkëjeton me një njeri të njohur. Mjafton të hedhësh një sy nëpër librari dhe sheh se ato janë të mbushura me kujtime të tilla. Nuk e fsheh që shpesh më ka shkuar mendja, megjithatë ka një datë kur vendosa të merrem me gjithë mend me to, seriozisht dhe pa u ndalur: pesëmbëdhjetë vite më parë. Nga kjo kohë fillova të punoj rregullisht. Qysh nxënëse gjimnazi e kam pasur zakon të mbaja ditarë, të cilët i kam vazhduar nëpër vite, por jo në mënyrë sistematike, me periudha. Të gjithëve, besoj, iu ndodh një gjë e tillë, por jo të gjithë kanë durimin apo kujdesin t'i fiksojnë dikund ato. Tek unë ka qenë përherë një llambë e ndezur për t'i qëmtuar e për t'i mbledhur. E gjitha kjo, mendoj se ka qenë një ndihmë e çmuar për atë punë të gjatë që erdhi më pas.


Si ka qenë njohja mes jush? A e imagjinonit atëherë se do të qëndronit një jetë të tërë përkrah atij burri? Ç'ëndrra kishit? Ç'ndjesi?
E kam përshkruar njohjen në fillim të librit. Ka qenë disi e pazakonshme: Ai ishte student në Moskë, unë nxënëse në gjimnaz të Elbasanit, kur më erdhi fare papritur një letër e shkurtër prej tij, ku më uronte për një tregim të botuar në gazetën "Zëri i rinisë". Për këtë letër ai ka thënë vetë më vonë se "letra më e pasinqertë e jetës sime, më ka sjellë shansin më të madh". Në libër e kam shpjeguar përse letra nuk ishte fort e sinqertë. Thelbi ishte ky: motivimi për të më dërguar atë letër, siç doli më vonë, nuk ishte vërtet tregimi im i botuar, por pamja e vajzës që e kishte shkruar atë. Këtë ma konfirmoi me gjysmë shaka Dhimitër Xhuvani, që ishte bashkë me të në Moskë, por edhe ai vetë.
Edhe pse një gjeni, autor i një vepre ndër më të rëndësishmet të letërsisë botërore të shekullit XX, Kadare gjithsesi nuk është një burrë i përsosur. Për më tepër është një karakter i vështirë. Në këtë drejtim, ju e ngacmoni kureshtjen e lexuesve që në fillim tek e përshkruani vizitën e tij të parë në familjen tuaj me fjalët "...si të kishte mbartur me vete një erë të akullt, prania e tij e ngriu atmosferën..."


Znj. Helena, si do të ishte një portretizim i shkurtër por shumë përshkrues i Ismail Kadaresë përtej portretit të shkrimtarit?
Episodi i mësipërm tregon se unë nuk i kam shkruar kujtimet për t'i bërë lavdërime, gjë për të cilat, mendoj se I. Kadare s'do të kishte nevojë, por për të folur për të dhe për gjithë jetën tonë të përbashkët, për jetën në përgjithësi, në mënyrë reale dhe të besueshme. Prej tij kam mësuar, midis të tjerash, një gjë të rëndësishme në letërsi: të dish, por dhe të pranosh të bësh humor me vetveten, me njerëzit e tu të afërm. Kjo gjë nuk është shumë e njohur në letërsinë tonë. Ismaili e ka bërë shpesh në veprat e tij dhe, disa herë jam përpjekur ta bëj edhe unë në novelat e mia të para, gjë që më ka shkaktuar edhe probleme me fisin tim.
Në këto kujtime kam dashur të jap një portret të tij të saktë, me karakter të vështirë vërtet, siç e thatë edhe ju. Ky karakter, sidomos pakujdesia në sjellje, i ka krijuar shpeshherë probleme me njerëzit. Vetë profesioni i shkrimtarit, në kushtet e njohura tek ne, bëhej shkas i natyrës së mbyllur e të nervozizmit të tij. Është lehtë që kryeneçësinë apo mosvëmendjen e njeriut ta marrësh për shpërfillje, sidomos kur tjetri është shkrimtar. Nuk dua t'ia justifikoj këtë anë të karakterit, që më ka qëlluar ta provoj nganjëherë edhe vetë mbi shpinë. Ka qenë nga gjërat që bashkë e kemi folur shpesh dhe jam përpjekur, aq sa kam mundur, t'ia vë në dukje për t'ia shmangur keqkuptimet.


Ju jeni dëshmitarja më e afërt, që mund të rrëfejë sot se si janë shkruar kryeveprat më në zë të shkrimtarit. Cila prej tyre ka reflektuar më fort në marrëdhënien tuaj me Kadarenë?
Si njeriu më i afërt do të dija gjëra që s'mund t'i dinte askush, qoftë për zanafillën e veprave, qoftë për ndërlikimet e krijuara më pas. Kështu për shembull, janë përshkruar kushtet si u krijua një nga veprat e para problematike të tij "Përbindëshi", rastësia e botimit të saj, ndalimi dhe interpretimet shpeshherë të habitshme. Po ashtu ka dëshmi kurioze për vepra të tjera, sidomos ato, dorëshkrimet e të cilave ai arriti t'i nxirrte jashtë shtetit nëpërmjet botuesit të tij francez, Claude Durand, i cili bëri dy udhëtime në Shqipëri enkas për këtë gjë. Shumica e veprave kanë nga një histori të tyren të veçantë, shpesh të pangjashme nga njëra-tjetra.


Jeta e tensionuar e shkrimtarit në diktaturë pas plenumeve, kritikave, autokritikave, besojmë është një prej kapitujve që ka lënë shenja të thella në jetën tuaj familjare. Ç'dëshmi mund të sillni mbi këto raste?
Mbledhjet, plenumet, diskutimet e veprave, disa herë dënimet e tyre, kanë qenë pjesë e jetës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Pa këtë tension të vazhdueshëm as që mund të përfytyrohet ndonjë stinë e kësaj jete. Jam përpjekur ta jap këtë atmosferë, duke mos u kufizuar vetëm me atë çka na ndodhte ne, por çfarë iu ndodhte të gjithëve. Në këtë libër janë kujtuar dhjetëra e dhjetëra ngjarje e shumë personazhe të njohur e më pak të njohur. Disa nga shkrimtarët dhe artistët e dënuar kanë qenë miqtë tanë të afërt.


A kishte miq besnikë e të sinqertë në familjen tuaj në atë kohë? Paralelisht me këtë, a kishte dilema, dyshime, zhgënjime, pabesi? Kaq vite më vonë, sa prej tyre mbetën miq të vërtetë?
Një nga gjërat më të çmuara në jetën tonë kanë qenë pa dyshim, miqtë dhe besnikëria e tyre. Miqësia ishte një gjë kaq e çmuar, sa pa të jeta do të dukej si një vazo e zbrazët. Ishte pikërisht ajo që krijonte një drejtpeshim të fuqishëm, në një jetë që, në pamje të parë, dukej aq e pasigurt, aq e kërcënuar. Shumica e miqve tanë kanë qenë miq me të vërtetë besnikë dhe ky ka qenë një gëzim i rrallë dhe i vazhdueshëm, i domosdoshëm për të qëndruar në këmbë, do të thosha. Ne iu kemi qenë gjithmonë mirënjohës, deri në fund këtyre miqve dhe besnikërinë e tyre e kemi çmuar mbi gjithçka tjetër. Të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh, por edhe ata që kanë qenë disi më larg, e dinë fort mirë se sa e përkushtuar dhe e devotshme kam qenë ndaj tyre. Por, natyrisht, ka pasur edhe zhgënjime. Pavarësisht nga natyra disi e tërhequr e shpërfillëse e Ismailit, shtëpia jonë ka qenë e hapur. Shumë njerëz hynin e dilnin atje, shtroheshin në biseda me mirëbesim të plotë, shumë prej tyre ftoheshin bujarisht nëpër drekat e darkat, aq të zakonshme tek ne. Një numër i vogël, fare i vogël mes tyre, ka qëlluar që nuk kanë qenë të sinqertë. Si zonjë shtëpie nuk kam përtuar kurrë t'i pres me ngrohtësi dhe pa m'u rëndur aspak. Ndaj dhe zhgënjimin, besoj se më shumë se Ismaili, e kam ndier unë. Ai, si moskokëçarës që ishte, më duket se e ka kaluar më lehtë.


Ç'kuptim i jepet sot censurës dhe autocensurës? Nëse kthehemi pas në kohë, ç'ndodhte në tryezën e shkrimtarit sa herë ulej të shkruante? I imagjinojmë këto dy koncepte, tek shtriheshin gjithkund në hapësirat e krijimit në ato kohë... Si i kapërcente ato Kadare për të na dhuruar më tej kryeveprat e tij?
Ashtu siç e ka shpjeguar edhe Ismaili vetë, problemi kryesor në një vend të vështirë nuk është censura, por autocensura. Me censurën edhe mund të luftosh, të arrish ta shpëtosh një pjesë të veprës, kurse po të vuri poshtë autocensura, nga ajo nuk shpëton dot. Duke qenë se punoja si redaktore në një shtëpi botuese, e kam ndier se sa e lehtë ishte të bije pré e kësaj të keqeje. Kur ka qëlluar t'i bëj Ismailit ndonjë vërejtje të kësaj natyre, pra si "redaktore", nga vetë reagimi i tij jam bërë e ndërgjegjshme se sa rrezik real mund të kishte qenë infektimi prej saj. Kjo më ka ndihmuar të kuptoj shumë gjëra dhe ta shihja artin nën dritën e shenjtë që kërkonte ai.
Vetë Ismaili ka ngulur këmbë që nuk e ka njohur autocensurën dhe kjo ishte e vërtetë. Gjithë ai që quhet sot "mister", në rastin e tij, qëndron te kjo mosnjohje. Sipas tij, autocensura nuk të lejon të shkruash qoftë edhe disa faqe letërsi të vërtetë, pa le pastaj një vepër të tërë. Siç e ka thënë vetë, ai përpiqej të shkruante letërsi sikur shteti të mos ekzistonte. I kam para syve ato mëngjese të largëta kur unë nisesha në punë dhe e lija atë vetëm para oxhakut të ndezur, me fletët e bardha mbështetur mbi gjunjë. Mund të them se ishin çastet më të bukura, kur, i shkëputur nga bota që na rrethonte, ai fillonte atë punë të shenjtë, i patrazuar nga asgjë, i bindur se po bënte atë që duhej.
Në këto kujtime pra, jam munduar të përshkruaj procesin e tij të krijimit, atë që shihja unë, natyrisht: ditën e punës, oraret, gjendjen shpirtërore. Kjo e fundit për shembull, në kundërshtim me natyrën e tij, gjatë procesit të krijimit ishte e qetë dhe e ekuilibruar.


Çfarë ka ndodhur në atë vizitën e shumëpërfolur në shtëpinë e diktatorit Hoxha? Sa i vështirë ka qenë raporti mes tij dhe shkrimtarit? Si reflektonte tek ju? Si perceptohej?
Ajo vizitë është përshkruar në një shkrim të vitit 1984, një vit përpara vdekjes së E. Hoxhës. Ka qenë i vetmi takim mes tyre (pa përmendur takimet në grumbull, dhënien e dorës në plenume apo aktivitete). Të gjithë atyre që iu kishte ndodhur një gjë e tillë, iu kërkua ta përshkruanin. Pra, merrej me mend që E. Hoxha mund t'i lexonte vetë shkrimet e tyre. Përshkrimi që i ka bërë Ismaili kësaj vizite është i saktë, mund ta lexojë gjithkush. Në një emision televiziv me gazetaren E. Vasili pas rënies së komunizmit, ai e ka shpjeguar ashtu siç ka qenë atë takim. Në po atë emision ka folur për temën shumë delikate, atë që quhet raport i një sunduesi me një shkrimtar të njohur.


Përtej caqeve të kësaj jete me tension, a mund të rrëfeni çaste të lumtura, kujtime të bukura nga ajo kohë?
Duke qenë e tensionuar, jeta jonë nuk ka qenë aspak e ngrysur dhe pa gëzime. Pa llogaritur gëzimet familjare, që asnjë epokë, sado e ashpër të jetë, nuk mund t'i shuajë dot, takimet me miqtë, darkat e pasdarkat me ta, bisedat e paharrueshme, nga më të çuditshmet e më interesantet që mund të bëhen, ne kishim edhe një tjetër gëzim të madh e të pakrahasueshëm me asgjë: botimin e librave. Duke qenë i ndërgjegjshëm për vështirësitë, çdo botim të tij Ismaili e quante një triumf të vërtetë. Ai mbetej i tillë edhe kur botimi krijonte probleme më pas. Ata që kanë marrë pjesë në plenumin ku u dënua "Pallati i ëndrrave", e mbajnë mend gjakftohtësinë e tij. Ishte në tribunë, pranë Ramiz Alisë, kur ky i fundit i drejtoi haptas kërcënimin: "Partia të ngriti në Olimp, partia të rrëzon në humnerë". Fytyra e tij qëndroi e palëvizshme dhe unë që e ndiqja nga salla, e dija fort mirë arsyen. Nëse romani nuk do të ishte botuar, me siguri shqetësimi i tij do të ishte shumë më i madh. Por romani "Pallati i ëndrrave" ishte botuar dhe shitur komplet në 20.000 kopje. Dhe kjo krijonte një tjetër gjendje, një qetësi të veçantë.

A ndiheni e sakrifikuar sa i takon botës suaj të shkrimeve? Një jetë pranë një shkrimtari të madh kërkon sakrifica...Ka qenë e vështirë të jeni njëkohësisht shkrimtare, bashkëshorte e një shkrimtari të përmasave të Kadaresë, nënë, grua, intelektuale...?
Jo, nuk mund të them se ndihem e sakrifikuar. Në radhë të parë sepse herë pas here kam shkruar dhe kam botuar letërsi. Për t'i thënë gjërat siç janë, natyrisht, po të mos isha gruaja e tij, ndoshta do të shkruaja pak më tepër, por sinqerisht nuk më vjen keq për këtë. Nuk do ta ndërroja kënaqësinë e të shkruarit me atë kënaqësi që krijohej prej vetë faktit që isha e pranishme, më afër se gjithkush tjetër, në krijimin e një vepre të rëndësishme, që niste e merrte jetë, aty, fare pranë meje.
Sa për të tjerat, në preokupimet e mia si nënë, si zonjë shtëpie e të tjera, nuk mund të them që ai më ndihmonte, por kishte një gjë të mirë që nuk më ndërhynte në këto gjëra. Përgjithësisht bëja atë që mendoja dhe që kujtoja se ishte mirë ta bëja.

Ka qenë një periudhë dramatike arratisja juaj drejt Francës. Askush në Shqipëri asokohe nuk e dinte ku ndodheshit... A zë vend në librin tuaj kjo periudhë? Ç'ishte për ju Shqipëria atë kohë?
Kjo periudhë zë një vend të dukshëm te Kujtimet. Krahasuar me tmerrin e arratisjeve, s'kishte ndonjë gjë vërtet dramatike. Megjithatë ka qenë periudhë jo e lehtë. Unë kisha lënë në Shqipëri vëllain, me të cilin isha e lidhur shumë dhe, natyrisht që më hante meraku për të dhe familjen e tij. Kurse Ismaili e kishte më të vështirë. Lajmi më i hidhur që na erdhi pas disa ditësh, ishte bastisja natën e apartamentit në Tiranë, ku banonin motra dhe nëna e tij, gjysmë e verbër. Përfytyroni që dy gra të vetmuara shikonin se si po kthehej shtëpia përmbys, për të sekuestruar gjithë dorëshkrimet e tij. Për fat të mirë, dorëshkrimet nuk u dëmtuan dhe na u kthyen të plota më pas.
Ju më pyesni se ç'ishte për mua Shqipëria në atë kohë? Do të më duhej të flisja gjatë për këtë...Kjo gjithashtu zë një vend të gjerë te Kujtimet.

Pas asaj arratie, si ishte kthimi në Shqipëri? Dhe më tej, si vijojnë të jenë kthimet në atdhe vit pas viti, stinë pas stine...?
Sikurse dhe kishte deklaruar Ismaili, ne u kthyem fill pas rrëzimit të komunizmit. Emocionet e atij kthimi edhe sot i kam të freskëta... Tani ne e ndajmë jetën gjysmë për gjysmë, në Francë dhe në Shqipëri. Një gjë mbetet e pandryshueshme: edhe pse vijmë aq shpesh, emocionet e ardhjes nuk arrijnë të zbehen, ato janë përherë bashkë me mua. Kur vij, ndihem e lumtur dhe ditën e fluturimit drejt Tiranës e pres me padurim... Ismaili gjithashtu, por ai ka shumë më tepër punë në Paris.

Polemika e debate të shumta janë hapur e mbyllur, duke e lakuar shpesh emrin e shkrimtarit Ismail Kadare. Si janë përjetuar në familjen tuaj sulmet ndaj shkrimtarit, kritikat e hapura, apo edhe akuzat, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit? Ku gjendet burimi i tyre sipas jush?
Kjo është e vërtetë, por ne jemi përpjekur të mësohemi me to. Në një farë mënyre është një gjë e njohur dhe e kuptueshme, është taksa që duhet të paguajë njeriu i njohur. Ç'është e vërteta, në Shqipëri kjo taksë është tepër e lartë. Fakti që në shumicën e rasteve akuzat e kapërcejnë çdo logjikë, në vend që të na acarojë, disa here bën të kundërtën. Një mbrëmje, për shembull, rasti e solli të shohim në lajmet televizive se si në një sallë mbledhjesh promovohej një libër, titulli i të cilit ishte përafërsisht: I. Kadare kundër UCK-së dhe Kosovës. Besoj, nuk ka nevojë të shpjegoj ose të bëj ndonjë koment. Nuk po zgjatem me shpifjet fare vulgare, si ajo që gjoja ka thënë për refugjatët, e fabrikuar nga shteti, për ta armiqësuar shkrimtarin me popullin e vet, sidomos pas ikjes sonë.
Të gjitha këto njihen, siç e thashë në rastin e shkrimtarit, por, ka diçka që unë personalisht, si nënë, meqenëse po më pyesni, nuk mund ta harroj dhe nuk mund ta fal kurrë edhe sikur të kisha për të jetuar dy jetë bashkë: Është fjala për një emision televiziv, vite më parë, kur ndodhi një gjë çnjerëzore, që rrallë ndodh në botë, të godasësh fëmijën e shkrimtarit, për të dëmtuar të atin. Unë nuk e njoh ndjenjën e urrejtjes, as të hakmarrjes, por, në këtë rast, më duhet të pranoj, nuk e kapërceva dot.

Si e përjetoni muajin tetor të çdo viti, kur në Stokholm gëlojnë diskutimet për çmimin 'Nobel', kur emri i Kadaresë lakohet vazhdimisht si pretendent për çmim, e që gjithsesi nuk shpallet fitues...
Shpresova se nuk do ma bënit këtë pyetje...Janë tepër të rralla ku në intervistat që jep Ismaili, në çdo vend e në çdo kohë, të mungojë kjo pyetje. Kam vënë re se ai nuk bezdiset prej saj. Në fund të fundit një gjë të tillë e quan nder. Kur këtë vit çmimin e mori Vargas Llosa, që ne kemi pasur rastin ta njohim dhe e çmojmë shumë, Ismaili, që ndodhej në Londër, më tregoi në telefon për habitjen që kishte treguar Llosa kur mori vesh lajmin. Ngaqë kishte ca kohë që nuk ia kishin bërë pyetjen e famshme, tregoi me sinqeritet se e kishte mbledhur mendjen, ngaqë kujtonte se e kishin harruar.

Kthehemi sërish tek libri, që besoj gjithçka thamë më lart, në një formë a në një tjetër ka gjetur strehë në faqet e tij. Pse e botuat fillimisht në Francë? Si e priti botuesi juaj atje, shtypi francez, opinioni publik?
U botua fillimisht në Francë, sepse kështu ka qenë kontrata me botuesin francez, që ka të drejtën botërore për librin.
Libri është ndërkaq në të gjitha libraritë franceze dhe shtypi ka nisur të shkruajë për të pozitivisht. Nga letrat e shumta që vijnë shoh se ai po lexohet me interes. Të njëjtën pritje e kam parë edhe në takimet me lexuesit. Promovimi i këtij libri fillimisht u bë në Strasburg, në librarinë e madhe "Kleber". Ndërkaq, ditët e ardhshme do të ketë promovime të tjera në Monte Carlo, në Nice e në Bruksel.

Cili ka qenë gjykimi i parë i Kadaresë mbi këtë libër? Ju ka përkrahur, kritikuar, vlerësuar...?
Pikërisht për këtë kam folur në Hyrje të librit. Nuk ka qenë kundër dhe kjo ma ka lehtësuar shumë punën. Ky është libri i jetës dhe i kujtimeve tona të përbashkëta dhe, merret me mend se pa miratimin e tij s'do ta nisja punën. Në libër ka shumë letra të tij, sinopse veprash, që u shkruan ose nuk do të shkruhen asnjëherë, si edhe shënime të tij nga tre udhëtime të ndryshme.
Ndërkaq gjatë viteve që merresha me të kemi folur bashkë për episode të veçanta, por librin, ashtu të tërë, të përfunduar, ai e lexoi veç në fund fare, madje, për të qenë sa më i distancuar në gjykim, e lexoi pasi u krye përkthimi në frëngjisht. Më propozoi të shkurtoj rreth 100 faqe, për të cilat u mendova gjatë para se t'i hiqja. Për të cilat ende nuk jam krejtësisht e bindur...

Dhe së fundi, kur do të jetë ky libër edhe në duart e lexuesit shqiptar?
Në Shqipëri, libri do të botohet vitin që vjen. Natyrisht, prej botuesit tashmë të mirënjohur "Onufri".

--

Helena Kadare: Deklaratë dashurie një shkrimtari të zymtë

Nga Jean-Louis Gouraud

Ka deklarata dashurie që përmbajnë disa rreshta, madje disa fjalë. Ajo që Helena Kadare i adreson sot bashkëshortit të saj, shkrimtarit të shquar shqiptar, është kaq e gjerë, saqë nuk e ka të lehtë të shpalosë gjithçka, madje edhe në shtatëqind e pesëdhjetë faqet e dendura të një libri që sapo është botuar nën një titull të bukur - huazuar nga një poezi e bashkëshortit të saj - "Kohë e pamjaftueshme". (Fayard)
Është e vërtetë që ky libër nuk është thjesht një deklaratë dashurie: ai është një përjetim i gjithë jetës së një çifti - gati një gjysmëshekull - gjithë jeta e marrëdhënieve intime me një njeri të veçantë. I veçantë, që nuk do të thotë i përsosur.
Përkushtimi që ka Helena për bashkëshortin e saj nuk është i verbër. Ismail Kadare, edhe pse është një gjeni, autor i një vepre ndërmjet më të rëndësishmeve të letërsisë botërore të shekullit XX, ai nuk është pa të meta. Së pari, një karakter i vështirë: i paparashikueshëm, i çuditshëm, i mbyllur. Kur ai ia beh për herë të parë në familjen e asaj që do të bëhet gruaja e tij, për shembull, kjo e fundit dëshmon (faqe 85): "Si të kishte mbartur me vete një erë të akullt, prania e tij e ngriu atmosferën".
Shpesh i ftohtë, ai nuk është gjithnjë gazmor: por ai do të kishte një temperament të gjallë, të tillë e zbulon Helena ndërsa tregon për vitet kur i riu Kadare ndodhej me studime në Institutin 'Gorki', në Moskë.
Duke lexuar librin e saj, ne pyesim herë-herë: si ka mundur që dashuria me një tip kaq të vështirë, të vazhdojë kaq gjatë? Sepse ajo është fisnike. Ajo nuk është një viktimë mashtrimi, larg kësaj, ajo është e informuar mirë, është e vetëdijshme, por ajo fal. Inteligjente, ajo di të vlerësojë siç duhet vlerën e cilësive të bashkëshortit të saj gjenial, në krahasim me të cilat, huqet e tij të vogla e të mëdha nuk llogariten aspak.
Në këtë libër kujtimesh, Helena Kadare jep një provë jo vetëm të një aftësie të madhe për të falur, por gjithashtu edhe të një aftësie të madhe për të admiruar. Bashkëshorti i saj, natyrisht vepra e tij, mendimet, dëshirat, idetë dhe projektet e tij - madje dhe ëndrrat e tij, që ajo i mban shënim me kujdes (faqja 174, për shembull), apo skicimet e veprave të tij, që ajo i koleksionon me dashuri (veçanërisht faqja 301). Por, gjithashtu edhe botën në të cilën jeton, dhe njerëzit që ajo takon. Ajo mahnitet nga çka i ndodh asaj, një vajze adoleshente nga një qytet i Shqipërisë, e shtënë shumë pas poezisë, që do të kishte dashur të vijonte njëlloj rrugën e letërsisë, nëse hija gjigante e bashkëshortit nuk do ta kishte bindur të bëhej shoqja, bashkëshortja, e besuara e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit.
E ka bërë ngaqë iu bind zgjedhjes së saj? Jo tërësisht: e angazhuar pas një bashkëshorti të trazuar, të ndërlikuar, gjithëpushtues, Helena Kadare ka gjetur megjithatë energji për të shkruar disa libra - në të cilët një roman i bukur, që është përkthyer në frëngjisht: "Një grua nga Tirana". (Stock, 1995) Pa folur për lindjen e atyre që ajo i konsideron si kryeveprat e saj të vërteta: dy vajzat, Gresa dhe Besiana, prej të cilave na përcillen në përmbledhjen e saj të kujtimeve disa anekdota shumë të këndshme, si kjo (faqe 213): në vitet gjashtëdhjetë, për shqiptarët, "udhëtimet në një vend të huaj ishin një ngjarje kaq e pazakonshme, saqë me këtë rast, gjithë familja shkonte në aeroport për të shoqëruar udhëtarin". Një ditë, Helena dhe vajza e saj më e madhe e shoqërojnë Ismail Kadarenë, që ishte i ftuar për të shkuar në Vietnam. "Më kujtohet, tregon ajo, që duke mbajtur Gresën për dore, me kokat e ngritura për të parë avionin gjigant që ngjitej në qiell, kur ai kishte arritur lartësitë dhe dukej tashmë si një trumcak, Gresa, e tmerruar, u kthye nga unë për të më thënë: Po tani ku rri babi?".
Shihet qartë: Helena ka një kënaqësi të dukshme për të rrëfyer histori, për t'u kredhur në kujtimet e saj, dhe jep një provë të plotë të një talenti të vërtetë.
Por interesi kryesor i librit të saj nuk është në këtë grumbullim anekdotash, sado me shije e të kripura që të jenë ato. Interesi shumë i madh dhe shumë i gjerë i kësaj vepre është, që ajo na zhyt në një realitet shpesh tragjik të krijimit letrar, posaçërisht kur ai kryhet, madje - dhe ky është paradoksi i madh - kur ai lind në një kontekst kaq të tmerrshëm, siç ishte diktatura komuniste në Shqipëri, e kohës së Enver Hoxhës. Një përparësi shumë e madhe e kësaj vepre është ndihma që ajo na jep për të zbuluar një pjesë të asaj që ne e quajmë misteri Kadare. Që mendimi i tij, nëse s'është misterioz, më së paku është kompleks, këtë e dëshmon qartë e gjithë vepra e tij - një shumësi romanesh dhe esesh, më tepër se njëzet mije faqe të botuara, pa llogaritur shënimet e panumërta, sinopset dhe korrespodencën e pabotuar.
Por kësaj i shtohet një enigmë tjetër, politike, filozofike e letrare njëkohësisht, që, një eseist rus, A. J. Roussakov (cituar nga Helena në faqen 189), e ka përmbledhur në një frazë: "Kadare shpalos njëkohësisht tiparet e shkrimtarit më të madh zyrtar dhe ato të më të madhit shkrimtar disident të Shqipërisë". Është ky ambiguitet, pa dyshim që deri tani e ka përmbajtur jurinë e Nobelit, për t'i dhënë atij më në fund çmimin e famshëm, për të cilin ai ka qenë shpesh kandidat.
A ishte Kadare një shkrimtar antikomunist në një regjim komunist? Helena propozon më parë termin "a-komunist". Kundërshtarët e tij si brenda ashtu dhe jashtë, kanë besuar të bëjnë të mundur përcaktimin e Ismail Kadaresë nëpërmjet të kundërtave: kur ai botoi romanin "Koncerti", kujton Helena (faqe 214) "e qortuan atë se ishte anti-kinez. Për shkak të romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", atë e trajtuan si anti-italian. Për shkak të romaneve të tjerë si anti-turk. Për shkak të romanit "Dimri i vetmisë së madhe", si anti-rus. Anti-jugosllav, kjo vetëkuptohej për shkak të Kosovës, por ashtu siç e ka vënë re ai vetë, atë e kanë cilësuar mbi të gjitha si antishqiptar"!
Përgjigjja më e mirë ndaj gjithë këtyre akuzave është dhënë nga vetë Kadare dhe, ashtu siç rrëfen gruaja e tij (faqe 292), ai nuk e ka konsideruar veten kurrë as si një shkrimtar zyrtar e as si një shkrimtar disident, por thjesht, një shkrimtar. Kjo nuk është një piruetë e thjeshtë apo një formulë e shkathët. Kadare nuk e përdor kurrë këtë shprehje pa u thelluar. Ai ka një ide tepër të lartë për rolin e shkrimtarit në shoqëri. Ai e vendos shumë lart përgjegjësinë e këtij të fundit, dhe akoma më lart pushtetin e letërsisë.
Duke mos pasur kurrfarë dyshimi për vendin e tij personal në linjën e shkrimtarëve më të mëdhenj, Homer, Dante, Shekspir, Dostojevski, Ismail Kadare shfaq dukshëm njëkohësisht modestinë më të madhe dhe jomodestinë më të madhe, duke refuzuar, për shembull, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, që të merrte postin e Presidentit të Republikës. Atyre që ia propozuan këtë post, Kadare iu përgjigj, se ndihej i paaftë për ushtrimin e këtij posti, sepse duke qenë shkrimtar, "është mësuar të punojë vetëm, pa dëgjuar e pa u këshilluar me askënd". Shkurt, përfundon ai me një humor acid, që për të është i zakonshëm, "shkrimtari është detyrimisht i një natyre intolerante, pra, pak i pajtueshëm me demokracinë!".
Rrëfyer nga Helena (faqe 205), kjo vërejtje thotë shumë për kompleksitetin e njeriut të jetës së saj. Për ta përcaktuar më mirë këtë gjë, një anekdotë tjetër meriton të citohet ende. Gjatë një darke, një ambasador i bën Kadaresë një nga ato pyetje që ai nuk i ka fort për zemër, të llojit: "Çfarë po shkruani në këtë moment", "Çfarë po shkruaj? - përgjigjet Kadare. Unë jam duke bërë më parë të kundërtën: jam duke zhbërë një vepër". Me shijen e paradoksit që e karakterizon atë, ai deklaron, rrëfen Helena, (faqe 300) që në të vërtetë, "shkatërrimi i veprave që nuk meritojnë të jenë të shkruara është ndoshta misioni kryesor i shkrimtarit".
Duke shpalosur kështu episode zbuluese të shumta, madje zbulime të shumta, si dhe gjëra të reja, të panjohura të mjeshtrit dhe bashkëshortit të saj, libri i Helena Kadaresë është jo vetëm një dëshmi e dorës së parë mbi krijimin e një vepre me rëndësi universale, por gjithashtu një homazh i bukur për mjaft miqësi të bukura, të atilla si ajo shumë e merituar, që çifti Kadare shfaq për Claude Durand-in, i cili ka qenë për ta, shumë më tepër se një botues i mirëfilltë: një i besuar, një bashkëpunëtor, një interpretues, një përkthyes, një mik i sinqertë, kurajoz dhe pa interes.
Në këtë ansambël të gjerë qëndron sidoqoftë një pjesë e vogël e misterit. Ndërmjet ekstravagancave të sjelljes së bashkëshortit të saj gjenial është njëra, për shembull, që Helena e lë të pashpjeguar: "Gjatë një periudhe të shkurtër, Ismaili ishte i joshur mbas kuajve", shkruan ajo (faqe 705), pa shpalosur as arsyen më të vogël për këtë interesim të papritur. Unë jam i lumtur të ofroj këtu, për të përfunduar, një ndihmesë personale në sqarimin e enigmës.
Përveç Claude Durand, Ismail Kadare mund të ishte gjithnjë i sigurt mbi besnikërinë e pathyeshme të disa miqve francezë, në mënyrë të veçantë, në atë të një poeti, Anatole Bisk, i njohur më tepër me emrin Alain Bosquet (vdekur më 1998). Po ashtu, romancier, eseist, kritik, Bosquet ishte i apasionuar pas garave të hipizmit. Shumë herë ai arriti ta bindë mikun e tij shqiptar që ta shoqërojë atë në hipodrom (gjë që e konfirmon Helena në librin e saj, në faqen 574), pa mbërritur megjithatë që të nxisë te Kadareja një pasion të vërtetë.
Helena rrëfen gjithashtu (faqe 408) që një tjetër nga miqtë e tyre të mëdhenj, aktori Michel Piccoli, i ka ftuar shpesh në shtëpinë e tij në Normandi, ku "kuajt e bukur dhe madhështorë ishin kashaisur dhe ushqyer me kujdes në stallat e tyre". Por edhe atje spektakli nuk ngjalli shumë entuziazëm te Kadare.
Jo, përgjegjësi i vërtetë për maninë e tij të shkurtër hipike, është autori i këtyre radhëve! Një ditë, në fakt, Kadare më tregoi një histori të jashtëzakonshme: Në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, një kundërshtar i regjimit u arrestua dhe u dënua. Në mënyrë që dënimi të ndihej më mirë, bashkë me të deportuan dhe kalin e bukur që ai zotëronte: kafshën e degdisën në një fermë, ku iu nënshtrua gjithashtu punëve më të rënda. Kjo histori (e vërtetë) më entuziazmoi deri në atë pikë, saqë për një kohë të gjatë nuk pushova së qepuri Ismail Kadaresë, derisa ai e tregoi atë në një tekst, të cilin më pas unë e botova. E botova unë. Kësisoj arrita një përfitim nga kjo çështje. Ky tekst ndodhet në librin tim, "Kali, kafshë politike", (Favre, 2009)
Disa vite më parë pata marrë nga ai një tjetër tekst të vogël për lavdinë e kalit, në të cilin, Kadare jep edhe njëherë provën e gjenisë së tij. Në vend që të më kallëzonte konsiderata banale mbi bukurinë e kësaj kafshe ose mbi shërbimet e mëdha që ajo i ka bërë njeriut, Kadare pyet: "Çfarë do të ndodhte nëse papritur, kuajt - dëshmitarë, të qetë të të gjitha mbrapshtive njerëzore - të fillonin të flisnin? "Kjo do të ishte sigurisht një fatkeqësi shumë e madhe për njerëzimin", formulon ai me një ton epik dhe solemn njëkohësisht, ton që karakterizon një pjesë të madhe të veprës së tij.
Marrë nga revista e
përmuajshme franceze "La revue"
Përktheu Fatmir Alimani

ADMIRINA PEÇI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VARIACIONE LIRIKENga DANIEL GÀZULLI (01.04.2011)
KAM URI PËR GOJËN TËNDENGA PABLO NERUDA (01.04.2011)
KALENDARI I VEPRIMTARIVE KULTURORE TË JANARIT (12.31.2010)
BALADË PËR VAJZËN E VOGËL ME EMRIN LULE QË MBETI 5 VJEÇ (12.29.2010)
PEMA BESNIKEPoezi nga KËZE KOZETA ZYLO (12.28.2010)
NË KRISHTLINDJE Tregim nga ROLAND GJOZA (12.28.2010)
DITËLINDJANga novela "Një vjehërr amerikane" e ALBANA M. LIFSCHIN (12.25.2010)
ATË GJERGJ FISHTA: "JAM LAJMI I T'BUKRIT T'QIELLVE" (12.25.2010)
"KRISHTLINDJA E BARDHË" MBUSH 70 VJET (12.22.2010)
FAIK BALLANCA, SHKRIMTARI REALIST I TREGIMIT SHQIPTARNga ALEKO LIKAJ (12.19.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]