E Hënë, 05.20.2024, 01:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 
JAVA E MADHE E PASHKËVE DHE KUPTIMI I SAJ!
E Premte, 04.22.2011, 09:46am (GMT+1)

 


Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë fillojnë Javën e Madhe të Pashkëve. Po çfarë kuptimi ka kjo javë e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e vitit liturgjik?

Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Ai na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e Ngjalljen e tij.

Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe të Pashkëve. E dimë se kremtimi Eukaristik i Meshës Shenjte është ri-paraqitje e mistereve shëlbimpruese të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e ri-jeton këtë flijim, e kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t'i lexuar e kuptuar ritet, para se të niset drejt Kishës, për t'i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me përshpirtëri. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Krishtin përmes Kishës.

Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt. Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën - ne e kremtojmë si ditën e Zotit. S'kemi jetë pa të dielën kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës.

Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave të Pashkëve, është e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para televizorit.... Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në Kishë.
Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin.

Kujtojmë edhe hiret e posaçme që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe. Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë.

Udha e Kryqit: simbolet, historia e aktualiteti.

Ungjijtë tregojnë ngjarjet e shumta që ndodhën në udhën drejt varrit të zgavruar në zemër të shkëmbit, mbi të cilin kryqtarët ngritën bazilikën vigane të Varrit të Shenjtë. Të shumta edhe shenjat simbolike që flasin për kuptimin e mbinatyrshëm të kësaj udhe e të përfundimit të saj.

Kujtojmë velin e zi të errësirës që mbështjell gjithë tokën nga mesdita deri në orën tre të pasdites' (Mateu 27, 45), shenjë e gjykimit hyjnor, parafolur nga Amosi profet (8,9): "Atë ditë do të bëj të perëndojë dielli në mesditë!". Në këtë mënyrë shpjegohet edhe grisja e papritur më dysh e tisit të tempullit, shenjë e "˜zbulesës' së misterit të Zotit në Krishtin e kryqëzuar. Edhe varret e hapura, prej nga dalin të vdekurit e ringjallur, për të cilat na flet Mateu (27, 52-53) "˜pas ngjalljes së Tij', janë simbol i ngjarjes së lumnueshme të gjyqit të mbramë e i cakut të fundit të njeriut e historisë njerëzore.

Fakte të tjera, të treguara nga ungjilltarët, reflektojnë për torturën që provoi Jezusi në orën e tmerrshme të kryqëzimit, kur gozhdat përshkonin mishin e thyenin kockat, plagë që shkaktonin dhimbje përtej durimit njerëzor, në sa shqyheshin nga pesha e trupit që vdiste dalë-nga-dalë.

Simbolik edhe përshkrimi i "˜poskës' që në latinisht ka kuptimin e pijes së përgatitur duke përzierë verë me vrer, ose, siç e përshkruan Marku, me mirrë, që ia dhanë Krishtit, kur pati etje e kërkoi të pinte diçka, për të njomur buzët rreshkura nga tmerri i kryqëzimit. Por tradita vë, me të drejtë, theksin mbi fjalët e fundit të Jezusit. Në kundërshtim me çka pohon një nga vargjet e lutjes së famshme të përshpirtshme afro-amerikane: "E gozhduan mbi kryq e nuk pëshpëriti asnjë fjalë", përdorur si titull i romanit të Hainrih Bëlit: "E nuk tha asnjë fjalë të vetme" (1953) në të cilin tregohet historia e një çifti të kryqëzuar, sipas Ungjijve Jezusi në Kryq shqipton shtatë fraza, të cilat i shërbyen kompozitorit të famshëm Hajden (1787) për t'i muzikuar "Shtatë fjalët e Shëlbuesit mbi kryq".
Ja edhe fjalët:
Kryqëzuesve: "Fali, o Atë se nuk dinë ç' bëjnë!".
Nënës dhe nxënësit të tij më të dashur, Gjonit: "˜Grua, qe yt bir!'; "Qe nëna jote".
Keqbërësit të penduar, ndoshta ndonjë kryengritës kundër Romës, gozhduar përkrah tij: "Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në Parajsë".
Pastaj: "Elì Elì, lemà sabachtani?" -që do të thotë: "Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?".
E akoma: "Kam etje".
Së fundi: "Gjithçka u krye" dhe "O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim".
Të gjitha këto fjalë meritojnë një studim tepër të kujdesshëm, siç është bërë në ekzegjezë. Ne mjaftohemi të shënojmë se ato zbulojnë gamën e larmishme të ndjenjave të Jezusit e të temave teologjike që përmblidhen në këto fraza të shkurtra, herë të pëshpëritua e herë të klithura.
Nga njëra anë realizmi i kryqëzimit për Ungjijtë është provë e fuqishme e mishërimit: Krishti vuan pikërisht si çdo njeri.

Tek "Krishti në kryq", Borges na e përshkruan kështu Jezusin: "Mjekrra e zezë i varet mbi kraharor./ Fytyra e tij s'është fytyra e piktorëve. / Është e rreptë fytyra e tij, fytyrë hebreu. / Po unë atë nuk e shoh./ Vijoj, prandaj, me ankth ta kërkoj/ deri atë ditë, / kur hapat e mi të heshtin mbi tokë".

Nga ana tjetër, të gjithë mbeten të prekur thellë në shpirt nga heshtja e Atit qiellor. Shën Luka, siç dihet, e zbut këtë mungesë pikëlluese me një lutje plot besim që del nga buzët e shkrumbuara të Jezusit, kur thotë fjalën e shtatë e të fundit.

Por Mishërimi duhet parë edhe si kalim përmes errësirë shpirtërore, përmes përvojës së Jobit, figurë biblike që shpesh lexohet me sy kristologjik. Këtë mendon e shpreh Turoldo në një nga "˜Këngët e fundit': "Jo, të besosh në Pashkët / s'është fe e vërtetë: / tepër mirë ndjehesh për Pashkë./ Feja e vërtetë / Është tek e Premtja e Madhe!"

"Judenjtë kërkojnë shenja, grekët, dije: ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenjtë, marrëzi për paganët". Pali, duke u shkruar Korintianëve (I, 1, 22-23) me shprehje lapidare vë në qendër të krishterimit Krishtin e Kryqëzuar, ashtu si është edhe në qendër të Kishave e të një numri të jashtëzakonshëm ikonash. Që të bindesh për këtë, mjafton të soditësh "˜Të Kryqëzuarin' e Mathias Grynevald në muzeun alsasian të Kolmarit "kryevepër në të cilën gjen shprehjen e vet më të thellë ankthi i pafund i shpirtit" siç shkruan në "˜Atje' (dmth në Kalvar)(1891) Joris-Karl Huismans.

Ne po zgjedhim një figurë që i përmbledh të gjitha të tjerat: figurën që e gjejmë te Gjoni Ungjilltar: shporimin me heshtë të kraharorit të Krishtit, prej nga del gjak e ujë: Për ungjilltarin, uji është simbol i tempullit të ri hyjnor, në të cilin hyhet për t'u larë me ujin e pagëzimit e për të pirë gjakun eukaristik. Uji e gjaku janë Shpirti që do t'i japë jetë njerëzimit të vdekur e mëkatar.

Historia e rikujtimit të Mundimeve të Zotit, duke përsëritur skenat tragjike të së Premtes së Madhe, është shumë e lashtë. Nis që në shekullin XII, kur kryqtarët dhe shtegtarët që ktheheshin nga Toka Shenjte, të tronditur nga ç'kishin parë e kishin dëgjuar, nisën të rikrijojnë në lutje skena të gjalla nga orët e fundit tokësore të Jezusit. Në shekullin XIV, dominikani spanjoll Alvaro di Kordoba e organizoi këtë kremtim kaq dramatik kishtar në 6 stacione apo pushime. Por apostulli i vërtetë i Udhës së Kryqit është Shenjti françeskan Leonardo di Porto Mauricio (1676-1751), predikatar i famshëm në të gjithë Italinë. Nën ndikimin e tij u ngritën 572 Udhë Kryqi, e edhe kjo e Koloseut në Romë, ku sonte kremton Papa së bashku me besimtarët e ardhur nga mbarë bota.

--

E Premtja e Madhe kulm i Mundimeve të Krishtit.

E Premtja e Madhe e Pashkëve përkujton Mundimet dhe Vdekjen e Zotit tonë, Jezu Krisht mbi Kryq. Por, si duhet ta kuptojmë vdekjen e Krishtit në kryq?
Vdekja e Zotit mbi kryq është një mister aq i madh, sa s'ka fjalë që mund ta shpjegojë. Nuk mjaftojnë shekujt për ta shpjeguar, sepse është një paradoks që tregon dashurinë e Zotit. Në të vërtetë Jezusi thotë: "Gjithçka u krye...", sepse në këtë çast përmbushet e gjithë historia e shëlbimit - e Gjoni thotë: "Duke i pasë dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit". Kryqi, vdekja e Jezusit, flet pikërisht për këtë dashuri, që arrin deri në një kulm të padëgjuar...

Shumë është folur këto më se 2000 vjet për flijimin e Krishtit në kryq, madje ka lindur edhe pyetja: A nuk mund të përmbushej shëlbimi në një mënyrë tjetër, ndoshta më pak të dhunshme?


Po, është e vërtetë; por pikërisht në ditët tona, një studiues i madh ka vënë në dukje se vdekja e Krishtit, gjaku i Krishtit, nuk është pjesë e kësaj dhune, sepse flijimi i Jezusit është flijim i viktimës së pafajshme, që u ngarkua me mëkatet e botës, ndryshe nga zakoni njerëzor për t'i ngarkuar mëkatet e veta mbi shpatullat e të tjerëve. Jezusi bëri të kundërtën e asaj që bëjnë zakonisht njerëzit. I ngarkoi mëkatet e të tjerëve mbi shpatullat e veta. Prej këndej vdekja e Jezusit ka këtë kuptim të thellë: shpesh fenë duhet ta pranojmë, më shumë sesa ta arsyetojmë.
Gjithsesi e keqja mbetet një mister i thellë, që vijon të na shkandullojë. Pse nuk na e shpjegoi Zoti?
Zoti bëri diçka më të mirë, sesa ta shpjegonte të keqen, domethënë nuk erdhi të na japë, në Krishtin, shpjegime diturake mbi të keqen këtë mund ta bëjnë edhe filozofët, madje edhe e kanë bërë por erdhi për ta marrë mbi vete gjithë të keqen e botës e për të fituar mbi të me të kundërtën, që është dashuria, prandaj Zoti ka dhënë një shenjë të gjithëpushtetit të tij, të cilin ne nuk do të kishim mundur kurrë as ta përfytyronim. Gjithëpushteti i Zotit nuk qëndron në dëbimin e së keqes përjashta kufijve të botës, por në diçka shumë më të madhe, në shndërrimin e së keqes me të mirë, e pikërisht këtë bëri Krishti në kryq: e shndërroi nga brënda të keqen në të mirë, shndërroi urrejtjen në dashuri e padrejtësinë në shenjtërinë e në drejtësinë më të lartë.
Shumë nuk e kanë kuptuar, madje edhe janë shkandulluar, nga britma e Jezusit në Kryq: "Zoti em! Zoti em! Pse më ke lëshue doret!... ç'kuptim ka kjo britmë?
Mbi të gjitha, duhet të kujtojmë se ky është fillimi i një Psalmi, e kur një hebre intononte një Psalm, kishte parasysh gjithë psalmin, prandaj ky Psalm përfundon edhe me lumni, përfundon duke folur për Shërbëtorin që ka vuajtur! Sigurisht kjo britmë që Shpirti Shenjt e vuri në buzët e Jezusit, tregon se Krishti, si njeri, provoi atë që mistikët e quajnë prova e skëterrës, dmth mungesën e Zotit.
Jezusi si njeri deshi të bëhej solidar me ne deri në kulmin e dhimbjes. E kulmi i dhimbjes nuk është fizik, kulmi arrin kur Zotit hesht, kur Zoti të lëshon dore! Sigurisht e dimë se në këtë ças Ati qiellor e shtrëngonte Jezusin ndër krahë më fort se asnjëherë tjetër gjatë jetës së tij, por Jezusi, si njeri, provoi edhe largimin e Zotit, dmth dënimin e atyre që e kanë bjerrë shpirtin!

 

--

 

Udha e Kryqit - Udhë feje

Në Jezusin e dënuar me vdekje,
do të njohim gjyqtarin universal;
në Të, ngarkuar me Kryq, Shëlbuesin e botës;
në Të të kryqëzuar, Zotërinë e historisë,
Birin e vetë Zotit.
Natë e së Premtes së Shenjtë,
natë e vaktë, e dridhshme e hënës së parë të plotë të pranverës.
Jemi mbledhur në emër të Zotit,
Ai është këtu, me ne, ashtu si na pati premtuar.
Me ne është edhe Shenjta Mari.
Ajo ishte në majë të Golgotës,
si Nënë e Birit që vdiste.
Nxënëse e Mësuesit të së vërtetës
Evë e re rrëzë drurit të jetës.
Grua e dhimbjes,
pranë "Njeriut të dhimbjeve", që e di mirë ç'është vuajtja;
Bijë e Adamit, Motra jonë, Mbretëresha e Paqes.
Nënë e mëshirës, ajo përkulet mbi bijtë e vet
që rishtas janë në rrezik, e janë plot ankth
për t'ua lehtësuar vuajtjet,
për të dëgjuar rënkimet që ngrihen nga mjerimi i tyre;
për t'i ngushëlluar e për të ngjallur shpresën e paqes.
Nga kraharori i shporuar i Shëlbuesit gufon ende gjak;
gjak derdhet e shtohen viktimat
e urrejtjes, të luftës, të terrorizmit.
Bëj, o Zot, që ngjarjet e botës
të rrjedhin sipas vullnetit tënd, në drejtësi e paqe,
e Kisha jote t'i kushtohet me besim të plotë,shërbimit tënd e çlirimit të njerëzimit!

--

Ngadhnjyesit të Dekës


Me dy krahë arit u pershkue nji Êjell
e preku drandofillet, çilë porsa,
e u tha: "Tash hapnie gjethin t'uej kah dielli
e veshniu n'njyme t'gjalla e t'erës s'mirë
perhapnie gjith visarin".
E kaloi Êjlli prej njaj dege m'tjetren,
e me krahë t'vet çerdhet e reja preku,
e u tha: "Sa jeni zogj, t'aguemen dielli,
keni per t'kndue vallet qi u don zêmra,
per Krishtin Mbret të Njallun."
E n'at pershkim agimit desht t'i lête
nji dritë krejt t' ré e valle qi ishin qielle...
Kumbonët e të gjitha kishve aj i preku,
e u tha; "Largonie dhimben, qi pa zâ
u la; sot brohorija.
prej jush t' shperthejë, njashtû si u a lypë natyra".
Mandej flutrim kthei Êjlli prap kah qiella,
E aty punoi n'kunoren e ngadhnjimit,
Tue pritë, nder mija çetash t' Êjve tjerë,
Zotin e vet të Njallun.
E agon, qe dita e re, shperthen hareja,
lule, erë t'kandshme, harmonì qiellore,
gjithkah veç valle zogjsh e ushtimë kumbone:
me gjith lumín e vet, qe Krishti njallet
e mbushë zêmrat me gzime.

Primula Veris ( pseudonim i Imzot Vinçenc Prennushit)
Marrë nga revista "˜Zâni i Shna Ndout".

-

TË KRYQZUEMIT

In fide vivo Filii Dei, qui dilexit
Me et tradidit semetipsum pro me.
(Ad Gal. II. 20)

Qiella âsht muzë e shkimë âsht dielli;
Dridhet toka tue gjimue;
Rruzullimit trandet shtielli;
Gjâmen t'dekunt kanë vezhgue;
Shkambîjt tmera po i pershkon.

Tisi i tempullit âsht shkye,
Rrebtë ka shekllin trandë thellimi.
A natyra âsht tu' u shperthye
E rroposet rruzullimi,
Ase Zoti diku pson.


Jo; pson Zoti! T'Izraelit
Bijt e prujtun m'mal t'Golgotit
Mbi nji t'ashper drû zabelit
Kryqzue paskanë t'Bir'n e Zotit:
Krejt e paskanë lá me gjak.

N'atë shemtim, n'atë mizorí
Kqyrë i Ati nalt prej qiellet;
E, kah sheh atë kob të zi,
Idhshem mnija xên e i pshtiellet,
Edhe mshirës i vên ai cak.

Rrebtë mbi shekull vrâ ka ftyren,
Edhe kapë rrufén njifillit
Me turshî gjithmbarë natyren.
Struken Engjutj hijes s'qiellit,
Heshtë natyra n'mjerim t'vet.

Hikni popuj, hikni fise!
Hikni, po, jashta ktij sheklli;
Pse mbi t'eprat, m't' poshtrat vise,
Prej ksi kobi, prej ksi mreklli,
Mnin e Zotit gjâ s'e pret.

Hikni vrap, po; kah kujtoni
Se nji Zot, Krijuesi i Empirit,
Qi i fuqís e i s' Drejtës âsht froni,
S'do t'perligjë gjakun e t'Birit
Qi po derdhni me poshtnim?

Mnershem qiella, qe, u kercnohet;
Per nen kambë don me u hikë bota;
Rruzullimi âsht kah zhgatrrohet;
Janë kah shuhen stinë e mota:
S'bân, jo, Zoti kaq shemtim!

Veç nji fjalë i Biri t'flase,
Veç nji ankim t'a bâjë mbi jue,
Se krijimi do t'humbase
Se edhe jeta ka me u shue:
Lesker shekllit kund nuk jet.

E qe i Biri pre' atij drûni
M' t' cillin ju mberthye e kini,
M' gozhda shtatin Aj e xûni,
Edhe kryet kah qiella ngrini,
Dishka Atit per ju i flet:

"Fali, o Át, deh! Njerzt Ti fali!
Pse shka bâjn nuk jane tue dijtun:"
Oh! Pse tash s'po trandet mali...
Pse xên dielli prap me shndritun...
Persè u kthiell si moskurraj....

Shka? a vetë dashka i Biri i Zotit
Mnín e vetë me zbutun,
Ke, m' drû pezull, m'shkam t'Golgotit,
Per anmiq âsht tuj u lutun
Qi m'u a falë mâ t'randin faj?...

O dashtnija e Fjalës s'mishnueme
Po a edhe m'kryq per bij' t' Adamit
Fjalët Ti i paske t'ambeltueme...
E me i pruejtë Ti dashke damit...
E me i pá me lumnì plot?

Ah! ktû. Popuj, ktû ju fise!
Ktû, po, ktheni m'shesh t'Kalvarit!
S'kênka droje, jo, n'kto vise,
Kû vete Flija n'sŷ t' Gjyqtarit
Gjaksve t'vet u dalka zot.

S' paska kênë, jô i vrashtë Rromaku,
Qi per dekë gjikoi t'Amshuemin;
E Judeut as etja e gjakut
Njitë s'e paska m'kryq te Lumin:
Dashtunija Atê e kryqzoi!

Dashtunija me flakë t' veta,
Po, ato gozhda i paska prehun,
M't'cillat pezull randon Jeta,
Si Davidi "˜i herë pat shprehun,
Nder vegime ka' i skjyrtoi.

M' faj t' Adamit dheu perlye
Velej Hy'it n'shatorre t'kthiella:
Por, të randë atë faj me shkmbye,
Gjak nji Zoti lypte qiella,
Gjak t'paçmuem, shka nierzt nuk kan.

N'dashtuní ndezun per né,
Qe atë herë Fjala e Perendís
Bâhet nieri e zdrypë mbi dhé;
E p'r atë faj të rrokullís
Flîje vehten Ajo e bân.

Sod njai gjak, qi u lyp prej t'Lumit
Çmim perdlimit per rod t'nirit,
Gurrë prej varrvet rrjedhë t'amshuemit
Gurrë mishriret edhe hirit
Per gjith t'bijt e mnís s' Tynzot.

Sod, po, âsht shue mnija hyjnore,
Edhe deka âsht mujtë e mnershme;
Preja ferrit dalë ka dore;
Shtypun krejet hidra e hershme
Kján trathín e vet me lot.

Qiella e toka, bashkë pajtue,
Nji besë t'ambel vên dashtnije;
Qiella e toka pse vllaznue
Janë n'per Gjak t's' hynueshmes Flije,
Qi per tokë mbi Kryq rekton.

Kohë e ré, po nisë m'u endun
Rruzullimit prej kso bote,
Si profeta e pat permendun:
Kohë mishriret, qeti-plote,
Kû dashtnija veç mbretnon.

Shue, prá, kjoftë kushdo bir deket
Ngroftë në zêmer mni mbas sodi;
Dielli dheut, pse kahdo rreket
Sot t'tânë popujt janë nji rodi:
Gjaku i t' Lumit i vllaznoi.

O Ti Gjaku i Flîs s'hyjnueshme,
Fise e popuj qi vllaznove,
Deh! "˜dhe n'dritë të jetës s'lumnueshme,
Me çmim t'And qi na fitove,
Fise e popuj Ti bashkoi.

Atë Gjergj Fishta

 



(http://www.radiovaticana.org)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
COTILLARD E GORDON-LEVIT NË "BATMAN" (04.21.2011)
PËRSËRIPoezi nga ILIR DEMALIA (04.20.2011)
SKËNDER BUÇPAPAJ, POET JO VETËM I ATDHEUT"Frika nga Atdheu", një lartësim i poezisë shqipe Nga ÇERÇIZ LOLOÇI (04.18.2011)
ORA SHQIPTARE NË TËRGAJË TË MALËSISË SË TUZITNga VIOLA SHKËMBI (KOKA) (04.17.2011)
FJALË TË ËMBLA QË E SHNDRISIN ERRËSIRËNNga LUCIAN GRUIA (04.16.2011)
RRUGËVE TË JETËSNga ILIR DEMALIA (04.15.2011)
NJË TRILLER I RI PËR REGJISORIN ROMAN POLANSKY (04.13.2011)
KARLOS KRUZ-DIEZ, NJË ARTIST QË PËRDOR DRITËN PËR TË MAHNITUR VIZITORËT (04.11.2011)
FILMI MIRAL NDAN HEBRENJTË NË SHTETET E BASHKUARA (04.11.2011)
TINA FEY SHTATZËNË DO TË DREJTOJË "SATURDAY NIGHT LIVE" (04.09.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]