VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Intervistë me yllin e këngës shqiptare Adelina IsmajliADELINA ISMAJLI FLET PËR HERË TË PARË: NË KOSOVË NDIHEM E SHANTAZHUAR Intervistoi: Elida Buçpapaj

                                                                                      

E Mërkurë, 05.08.2024, 08:20pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

Intervistë me yllin e këngës shqiptare Adelina Ismajli

ADELINA ISMAJLI FLET PËR HERË TË PARË: NË KOSOVË NDIHEM E SHANTAZHUAR

Intervistoi: Elida Buçpapaj


E Premte, 06.26.2009, 11:16am (GMT+1)

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Adelina, klikova në "Google", dhe emri yt kishte një milion e treqind mijë zëra, domethënë, në krahasim me artistët e tjerë dhe me figurat publike të Kosovës dhe Shqipërisë, zini një nga vendet  e para, midis Ismail Kadaresë dhe Nënë Terezës. Kujt i dedikohet kjo dashuri nga publiku ?

ADELINA ISMAJLI: Fillimisht faleminderit që po e bëni publik këtë fakt. Edhe unë u çudita kur e dëgjova, nuk e kam ditë. Është diçka që e ka ëndërr çdo personalitet shqiptar. Mund të them se, përveç familjes dhe miqve, që janë shumë të caktuar dhe shumë të rrallë, kjo i dedikohet Adelina Ismajli më së shumti. Punës sime, sakrificës time, shkollimit dhe talentit, guximit që e kam pasur deri më sot dhe gjithë sukseseve të mia. Besoj që populli nuk mund të gabojë dhe ta dojë një njeri që nuk meriton me e dashtë. Unë e di që më duan, sepse i kam dashtë gjithmonë dhe ua kam falur një jetë. Kjo gjë m'u dëshmua vetem gjatë 2008-2009 që nga Prishtina e Tirana deri në Zürich e New York. Vërtet jam afër Nënë Terezës ? Nuk di çfarë të them.

 

Elida BUÇPAPAJ : Që nga kënga "Do të bëhem milionere" deri tek albumi yt më i fundit që titullohet "Feniks", çfarë ka rrjedhur gjatë kësaj kohe ?

ADELINA ISMAJLI: Po  përpiqem që t'i bie shkurt, edhe pse janë 24 vite në pyetje, pra është gati e pamundur për t'i rënë shkurt. Kam qenë një fëmijë, kam lindur në një familje mesatare në Prishtinë, isha fëmija i një nane biliotekiste dhe i një babai, inxhinier teknologjie.

 

Nga mosha pesë vjeçare, kam ndjekur dhe mbaruar shkollën në dy drejtime, shkollën  e ulët të muzikës dhe shkollën fillore. Pastaj ka ndodhur, unë gjithnjë e them në thonjëza "aksidentalisht" që profesoresha ime e pianos e ka zbuluar talentin tim për këngën, dhe më ka orientuar në atë kohë tek Radio Prishtina. Që t'i bie sa më shkurt, kam kaluar shumë filtra, çka nuk ishte aspak e lehtë në atë kohë të kaloje nëpër filtra, postkomuniste ose komuniste. Kam marrë pjesë në shumë festivale ballkanike e më tej, si fëmijë, Çekosllovaki, Poloni, Novi Sad, Sarajevë në tre festivale, Kosovë,  tek "Akordet e Kosovës" etj, gjithmonë është fjala deri  në moshën e adoleshencës.

 

Nuk është një vetëlavdërim, por është një fakt, sepse jam shpërblyer me vendet e para kudo ku kam marrë pjesë. Atëhere kjo ka qenë një privilegj i madh, edhe pse tash nuk vlerësohen çmimet, sa janë vlerësuar në atë kohë, por për të shkuar deri në ato çmime është dashur mund i madh dhe jo sikur sot, permes të hollave apo krevatit. Isha femija i parë me 4 disqe të botuara, me videoprojekt dhe moderoja emision timin 4 herë në javë tek Radio Prishtina. Dikur nuk flisja për këto gjëra nga modestia, por tashmë çdo gjë është publikuar në internet.

 

Pastaj fillon koha e adoleshencës time, ku rrethanat në të cilat jetonim, normalisht kanë ndikuar në zhvillimin tim, por besoj edhe të gjithë gjeneratës time. Kemi qenë nën një regjim serb, ajo dihet, kemi qenë fëmijë të cilët nuk kemi guxuar me e zhvillue jetën ashtu siç e ka zhvilluar jetën çdo fëmijë tjetër në botë. Atë kohë u shkatërrua çdo institucion, çdo televizion, çdo radio, çdo shkollë, gjithçka.

 

Në mua mbillej një aversion ndaj regjimit serb, gjë që ishte normale. Çdo shoqe e shok imi po përjetonte terrorin serb. Prindërit po jetonin tmerrin, ne e ndjenim atë tmerr. Kisha fatin që jetoja në një familje ku kombëtarja gjithmonë ka qenë hyjnore, dhe me kohë kishin mbjellë tek ne partiotizmin real.

 

Më pas fillon një etapë e adoleshencës, ku unë kam edituar shumë disqe, ku të gjitha kangët kanë tematikë sociale edhe politike. Unë thjesht e kam thënë atë, që besoj se seicili adoleshent e seicili fëmijë i asaj kohe e ka menduar. E ndjej veten me fat qe isha e popullarizuar që nga fëmijëria, dhe këtë popullaritet e shfrytëzoja për të treguar dhembjen dhe mllefin e fëmijëve kosovarë, me shpresën qe një ditë do na dëgjojë dikush.

 

Pastaj fillon, po shkoj pak kronologjikisht, një etapë tjetër, kur jam pak më e rritur. Atëherë filluam të vinim në Shqipëri.Ka ndodhur që të shkonim me gomone, ku në anën tjetër ishin ushtarët serbë me automatikë që shtinin në gjithkend e në gjithçka, por dëshira për të marrë pjesë në atë Festival dhe për të treguar, ka qenë enorme.

 

Aty ndodh edhe një përplasje në mua. Shihja njerëz që rrahnin gjoksat, e kishin gojën plot moral e patriotizem, kurse në hotele i shihja duke thithur droge, duke lënë nënat në një dhomë e në tjetrën me dashnoret e vet mbi 50 vjeç, duke pirë rakinë me policë serbë (kur ktheheshim në Kosovë), pastaj, pse ta fsheh, klanet e caktuara të Festivalit na përçmonin ne kosovarëve, kurse këngët e tyre ishin qesharake krahasuar me atë që ne e kishim bërë prej kohësh në Kosovë.

 

Po flas edhe për artistët nga Kosova, edhe njerëz të caktuar të Festivalit në Shqipëri. Dhe prapë u zhgënjeva. E mendova gjatë çfarë të bëj.Do të zhvishesha.Unë kam mundur të zhvesh këta njerëz, duke treguar me foto se çfarë bëjnë, por vendosa të tregoj se morali nuk është në dukje, por në shpirt.

 

Tirana më ktheu tre herë në bis, duke mos ndaluar duartrokitjet për afër 15 minuta gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në atë festival, gjë që gjatë ritransmetimit u këput në TVSH. Dhe po, tregova që femra shqiptare nuk është ajo në dimi e mantele, nuk është skllave siç na paraqitnin serbët para botës, por është pasardhëse e Afrodites mitologjike, me të gjitha bukuritë fizike e mentale që ia ka falur natyra. Po të mund ta beja edhe një herë, do zhvishesha e tëra. Shqipëria e kuptoi mesazhin.Tjerat janë legjendë.

 

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Kur keni shkuar për herë të parë në Shqipëri?

ADELINA ISMAJLI : Hera e parë në Shqipëri ka qenë viti 1991.

 

Elida BUÇPAPAJ : Sa vjeç ishit ?

ADELINA ISMAJLI :  Unë isha dymbëdhjetëvjeçare dhe kisha një prezantim në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. Kënga ime titullohej "Mos ma gjuaj diellin me gurë".

 

Elida BUÇPAPAJ : Unë e kam ndjekur performansën në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe ka qenë e jashtëzakonshme.

ADELINA ISMAJLI: Faleminderit, nuk besoja që dikush e mban mend. Në atë Festival kam qenë e lajthitur nga gëzimi se po merrja pjesë, sepse ka qenë një ëndërr e bukur që e kishin të gjithë artistët që kanë qenë shumë më të mëdhenj në moshë se unë.

 

Elida BUÇPAPAJ : Unë mund të them me plot gojën se performanca juaj në atë festival ishte e një ylli të sapolindur.

ADELINA ISMAJLI: Faleminderit shumë! Përformansa ime ishte një dashni që të afrohesha sa më shumë me publikun. Prandaj edhe u hodha në publik, edhe pse isha njëmbëdhjetë-dymbëdhjetëvjeçare. Unë u hodha në publik që të jem sa më afër, që ta shoh publikun edhe ta shpreh gjithë atë dashuri që e kam, të shijohet nga afër. Më vonë e kam kuptue që kjo ka qenë interesante dhe simpatike për njerëzit. Unë e kam bërë këtë shumë spontanisht, sepse skena m'u ka dukë shumë e largët nga publiku, edhe pse nuk ishte asnjë gjysmë metre larg. Unë doja ta shijoja publikun. Unë si fëmijë, doja ta ndjej atë ngrohtësi dhe ta shoh nga afër dashninë që po ma falte publiku në Shqipëri.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Adelina, artistët e mëdhenj janë zakonisht edhe patriotë, patriotë në kuptimin modern të fjalës. Dhe unë e kam konstatuar që në fillimin e karierës tuaj se ju jeni edhe një artiste e madhe edhe një patriote.

ADELINA ISMAJLI: Përveç faktit që, ma merr mendja, të gjithë artistët e mëdhenj botërorë krenohen fillimisht me kombësinë e vet, edhe tek ne shqiptarët e vertetë kjo është e pashmangshme që të jesh patriot, për shkak të gjithë historisë tonë, të gjitha atyre që kemi kaluar. Natyrisht që nuk do t'i gjeneralizoj gjërat, sepse nuk jemi të gjithë patriotë; nuk guxoj të flas në emër të të gjithë këngëtarëve. Kemi edhe këngëtarë që janë spiunë mbi spiuna. Dashnia enorme harronte frikën për ardhjen, shkuarjen tonë në Shqipëri, ilegale për atë kohë.

 

Elida BUÇPAPAJ : Artistët e Kosovës kanë qenë të parët që e kanë kaluar kufirin.

ADELINA ISMAJLI: Faktikisht po. Ne kalonim kufirin me ato gomonet. Ishim gjithmonë në rrezik.Rrezik që ushtria serbe do të shtinte mbi ne, rrezik që do të mbyteshim në ujërat e Shqipërisë. Por ky rrezik ishte shumë i bukur.

 

Përballoheshim edhe me policinë serbe në momentin që ktheheshim, kishte burgosje pse vizituam Shqipërinë, rrahje brutale,etj. Por kënaqësia dhe ajo që ishte ushqyer gjithnjë ne mua nga familja, nga prindërit që Shqipëria është qeliza e emni dhe mbiemni i gjithë asaj çka ne jemi dhe çfarë ne ekzistojmë (e qenies sonë dhe ekzistencës sonë) ka qenë e pamposhtur.

 

Po flas për veten time. Kam qenë në gjendje me rrezikue, pse jo, edhe jetën, vetëm një herë me e prekë Shqipninë, andrrën e prindërve të mi dhe, pse jo, edhe të gjyshes teme, vajzes se Nasuf Balshes nga Shkodra,e cila e ka pasur në gojë gjithmone dhembjen për Shqipërinë, krenarinë për Shqipërinë.

 

Prandaj ka ndodhur kjo edhe në Festival, ajo hudhja në publik si vjazë dymbëdhjetëvjeçare. Unë ndjeja një dashni te pashpjeguar,doja edhe fizikisht te afrohesha me njerëzit, t'i shikoja, t'i analizoja edhe ta kuptoja se përse prindërit e mi e donë kaq shumë Shqipërinë. E kuptova.

 

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Si t'u dukën për herë të parë shqiptarët e Shqipërisë, kur i ke parë për herë të parë ?

ADELINA ISMAJLI :, E ndjeja veten si në shtëpinë time. Kjo ka qenë ajo më e bukura.Por tmerri më i madh për mua,posaqerisht per nanen time ka qenë kur kemi kuptue çka ka ndodhë në Shqipëri, për regjimin enverist. Ajo ka qenë një tmerr, një zhgënjim i madh, ma merr mendja, për të gjithë.

 

Ndoshta jo për të gjithë kosovarët, për ne po. Ka qenë një tmerr çka ka ndodhë në kohën e enverizmit, një zhgënjim i madh, pse kanë besue në disa gjana, u thye një ideal i kosovarëve që e donin me zemër Shqipërinë.

 

Mirëpo asht rikuperue në momentin që jemi takue me shqiptarët e Shqipërisë, me njerëzit në Shqipëri, me familjaret tone ne Shqiperi. Në fillim ishte paksa interesante të përballeshe me një dialekt tjetër shqiptar, dhe kjo me gëzonte.

 

Unë jam rritë me atë ideologji që Shqipëria është gjithçka për ne. 

 

Elida BUÇPAPAJ : Adelina, në repertorin tuaj kanë zënë një vend të posaçëm këngët patriotike, me anë të të cilave ti i ke ngritur peshë zemrat e shqiptarëve, kudo, në çdo moment, edhe në momentet më të vështira, për shembull, kur regjimi i Milosheviçit kishte nisur spastrimin etnik dhe në Kosovë kishte nisur lufta.

 

ADELINA ISMAILI: Ndoshta nuk është e bukur që të vetëlavdërohem, por qysh në moshë tepër të re, pa dashur ti mendoj pasojat, e kam ba këtë sepse ma ka ndie shpirti,sepse shpirti po kërkonte lirinë.

 

Krijimtaria ime reflektonte realitetin që po jetonim.U intensifikua edhe gjatë kohës së luftës. Janë realizue kangë shumë të bukura. Por nuk e kuptoj pse janë ba përpjekje nga grupacione, individë të ndryshëm që të shkatërrohen, që të ndyhen, dhe fatkeqësisht në kohën kur serbët kishin ikur nga Kosova ?

 

Nuk merzitesha shumë, kënga është universale, e dija që një ditë do të dëgjoheshin edhepse dikush donte t'i shkatërronte. Në momentin që do të dëgjoheshin e dija: njeriu e dëgjon dhe i ngelet në shpirt e në mendje përherë. Për mua ishte e rëndësishme të shpëtoja e gjallë që një ditë të tregoj.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Cila është njëra prej këtyre këngëve ?

ADELINA ISMAJLI:  Për mua kënga më e dashur mbetet "Lavdi ushtari im".Këtë këngë e kam kënduar gjatë luftës. Unë kam qenë refugjate në Maqedoni. Është kënduar gjatë luftës e, natyrisht, edhe pas luftës pastaj. Mbetet si kënga më e dashur e imja, për shkak se ishte bërë biznes që t'iu këndohej komandantëve. Tmerr apo jo? Unë i kam kënduar e para komandanteve legjendar Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, Luan Haradinajt.

 

Natyrisht, edhe këto këngë nuk transmetoheshin në mediumet tona dhe njerëzit nuk kishin haber që unë e para kisha kënduar për këta heronj. Mirëpo, një moment të caktuar kam menduar : « Po ata ushtarë që janë në vijën e parë të frontit? Kush iu këndon atyre?"

 

Kisha një zhgënjim të vogël në vitin 1998 kur ika në Shqipëri të bëja një klip për familjen Jashari. Në mars u masakrua familja Jashari.Menjëherë në prill unë ika të bëja një klip, edhe një këngë në Shqiperi. Nuk e imagjinoni çka përjetova në Shqipëri duke u përpjekur të bëj këngën dhe klipin. Nuk e dija pse nuk lejohesha ta bëj ! E kuptova më vonë. Ajo ide m'u vodh. Edhe është këndue nga tjetërkush. Edhe ka mbetë një nga këngët më të preferuara të asaj kohe.

 

Por ka njerëz që e dinë këtë gjë, ndër ta dhe një regjisor ne Shqiperi i cili në fund më tha: "Adelinë, ik nga këtu, je e re nuk po e kupton në çfarë rreziqesh po futesh." Nuk do t`ia përmend emrin për momentin. Ka kohë. Dhe e di që nuk do ta flasin këtë edhe për një kohë të gjatë. Por unë do t'ia lë kohës dhe nuk preokupohem shumë për këtë, sepse dalin të vertetat.

 

Pas këtij, do të thoja, zhgënjimi të vogël, e kam bërë këngën « Lavdi ushtarit tim ».

Mirëpo edhe gjatë interpretimit unë nuk kam mundë me e ndalë të qajtunit, edhe gjatë realizimit të klipit. Patriotizmi është i mbjellur tek unë, unë jam mbesë e Nasuf Balshajt nga Shkodra. Unë nuk kam si t'iu ik rrënjëve të mia.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Adelina, ju keni dy këngë që ia keni kushtuar Rugovës. A mund të më tregosh për rrugëtimin e këtyre këngeve. Ku lindën si lindën ?

ADELINA ISMAJLI: Unë isha 14 vjeçare kur në familjen time, me motrat dhe me nanën, ne u takuam me Presidentin Rugova në Shoqatën e Shkrimtarëve në Prishtinë. Nuk e harroj kurrë në jetën time. Ai kishte kërkue me u takue me një vajzë që po këndonte aq shumë kundër një regjimi të tmerrshëm, të cilën edhe ai me elitën e tij politike dhe intelektuale te Kosoves po e luftonin ne paqe, faktikisht. Ftesa na erdhi përmes shefit të tij të Protokollit të atëhershëm. Dhe unë isha komplet e fashinuar me atë njeri. Sikur të gjithë që ishim të fashinuar dhe që ishim të mobilizuar, sepse kishim Serbinë mbi kokë dhe rrezikoheshim të mos flisnim më shqip, rrezikoheshim të mos ekzistonim më. Ishte shpëtimi ynë i vetëm.

 

Dhe unë u fashinova nga elokuenca e tij, nga afërsia e tij me një fëmijë 14 vjeçare, dhe nga të gjitha ato që m'i tha, dhe mënyra e afert e bisedës. Ai ishte shumë elokuent dhe shumë i afërt, gjë që më bëri përshtypje të madhe.E imagjinoja ndryshe: të pasur, mendjemadh, të ftohtë dhe injorant.Vetem i tillë që nuk ishte. Nuk gjasonte me asnjë politikan tjetër.

 

Dhe me kalimin e kohës unë po shihja produktet që jepte politika pacifiste rugoviste. Pa marrë parasysh se ishim shumë të reja me moshë. Po flas jo vetëm për vete, por edhe për motrat edhe për gjeneratën time, shoqet e klasës, shokët e klasës, rrethin tim. Mirëpo shihnim frutet e asaj që po ndodhte.

 

Në Kosovë kishte filluar një frymë e re, ku ne do të gjenim shpëtimin edhe guximin që të kemi jetë në Kosovë, d.m.th. pas helmimeve masive, dëbimeve nga shkollat, institucionet e ndërtuara me djersën e prindërve tonë, pas gjithë atyre gjanave që ndodhën, që, ndoshta, dikush i ka harruar, unë nuk harroj dot.

 

Dhe vazhdoi miqësia jonë, me insistimin tim të një shqiptareje kokëfortë që kishte krijuar një idhull të bazuar në gjëra reale.

 

Në moshën 15 vjeçare unë e kam shkruar këngën "Ushtrinë time do ta bëj". Në moshën 16 vjeçare, ajo është publikuar, e kam kënduar dhe e them me plot gojën, që unë kam qenë, jam dhe do të vdes një rugoviste e përbetuar.

 

Ia kushtova Rugovës edhe këngën ``MUNDUS EVERSUS``e cila është vepër e Pjetër Bogdanit, e shkruar qindra vjet më parë. E kam modifikuar pak, se ka mjaft tekst latinisht dhe hoqa të zitë e ullirit derisa e kam përkthye ha ha ha.

 

Ia kushtova Presidentit tash në albumin e fundit. Teksti është çuditerisht shumë aktual edhepse i shkruar qindra vite me pare, i shoqëruar me një rock të pastër, që, mund ta them shumë sinqerisht se janë të rralla këngët rock në gjuhën shqipe që janë të bukura. Unë kisha kitaristin më të mirë per mendimin tim, Valon Gashin, i cili qau kur e dëgjoi tekstin, edhe këngën, për shkak të aktualitetit. Mundus Eversus.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Unë e kërkova këtë këngë në You Tube dhe nuk e gjeta.

ADELINA ISMAJLI: Vështirë se do ta gjeni këtë këngë. Është shumë e bukur. Zakonisht këngët e mia të bukura censurohen. Ato nuk gjinden.

 

Kam pasur pjesëmarrje nëpër fushatat, ku unë kam pasur rastin ta shoh për së afërmi Presidentin Rugova. Çdo ditë e më tepër më fashinonte afërsia e tij me çdo gjë të bukur. Ishte njeri me shpirt artisti. Mjaft politikanë tjerë mundohen ta kopjojnë, por kot.

 

Elida BUÇPAPAJ : Tek albumi Fenix cila këngë të pëlqen më shumë ?

ADELINA ISMAJLI:  Te albumi Fenix më pëlqen kënga "Sepse je ti". Më pëlqen kjo këngë, sepse, për herë të parë në jetën time, unë kam guxuar t'i tregoj aftësitë e mia dhe përvojën time vokale. Për herë të parë unë guxova të bëj diçka ndryshe, ishte diçka që e kam dashur tërë jetën, e kam pasë fshehë në vetvete, sepse rrallëherë kompozitorët më lejojnë te këndoj ashtu si dua.

 

Për herë te parë doja të këndoja si ma ndjen zemra, dhe jo si duan kompozitorët. Këtë herë vendosa të mos pyes askënd dhe të mos mendoj për asnjeri, të lë vetëm ndjenjën. Dhe ta këndoj një këngë për qejfin tim. Dhe aty përdora të gjitha eksperiencat e mia, të shkollimit, - besa - të praktikës nëpër koncerte dhe të vokalit tim. Prandaj mbetet më e dashura. Mos të flas për tekstin i cili është nje mrekulli.

 

Elida BUÇPAPAJ : E kalova të gjithë albumin "Fenix", por asnjë këngë nuk e mban këtë titull.

ADELINA ISMAJLI: Është bërë me qëllim. Unë i përcjell trendet botërore,.Tek ne gjithmonë pritet që të ketë një këngë me titull të njëjtë me atë të albumit. Kohët e fundit në këto trendet më të reja botërore praktikohet që albumi të titullohet ndryshe, ndërsa asnjë këngë të mos e mbajë këtë titull.

 

Elida BUÇPAPAJ : Po ju e përmendni "Feniksin" tek kënga Diva pastaj.

ADELINA ISMAJLI: Është një këngë që ka për porosi faktin që, ato që publikut ia shpall Diva në një moment të caktuar, ai (publiku) nuk e di që kanë kaluar nëpër shumë dhembje, nuk e di sa herë artistët vdesin në vete, dhe sa herë duhet të ngrihen nga pluhuri i vet për të dhuruar atë fat apo fatkeqësi që ua kanë mbjellë në shpirt Perënditë: Artin. Adelina nuk dorëzohet para dhembjes. Jam gjak ilir, nuk pranoj viktimizimin për qëllime të ulëta. I thash vetes:``Vdis, por lind prapë! Mos përbuz dhuratën e Zotit!``

 

Elida BUÇPAPAJ : Kënga "Na jena na" është e mrekullueshme.

ADELINA ISMAJLI: Faleminderit nga zemra. Po !"Na jena na". Po, dhe e kompozuar Flori, e bëri gegnisht. E bëri "Na jena na". Jam kosovare unë dhe i dhashë urdhër të prerë, që fjalët të jenë në gegnisht.

 

Elida BUÇPAPAJ : Po kush janë këta "na".

ADELINA ISMAJLI:  Unë dhe publiku jena na, jemi ne.

 

Elida BUÇPAPAJ : Po publiku juaj është i madhe Adelina.

ADELINA ISMAJLI: Publiku im është një ushtri e tërë. Në asnjë koncert nuk kam pasur më pak se një mijë fansa, përveç në rastet kur dështon organizimi, marketingu,etj, gjëra të cilat nuk kanë të bëjnë me mua. Po guxoj të them që tashmë kam një ``armatë`` fansash të të gjitha moshave, të të dy gjinive. Ushtrinë time unë e kam bërë...

 

Elida BUÇPAPAJ : Jemi në periudhë fushate. Në Shqipëri për pak ditë mbahen zgjedhjet. A të kujtohet periudha e zgjedhjeve kur ka qenë Rugova gjallë, sepse ti ishe fanse e Rugovës, por edhe Rugova ishte fansi yt dhe nuk i bënte fushatat pa ty.

ADELINA ISMAJLI : Ka qenë i vetmi person që Presidenti e ka përqafue dhe gjithmonë është ngritur në këmbë kur është performuar kënga ime. Kjo ishte bere nje ritual, por une gjithmone kisha te njejtat ethe te emocionit, normalisht, ishte nderi më i madh që ka mujtë me m'u ba gjatë interpretimit. Këto momente kanë mbetë të fiksuara edhe nëpër shumë foto që janë botuar nëpër faqet e gazetave.

 

Kur jemi te zgjedhjet në Shqipëri, tashti dua të zbuloj diçka që nuk e kam zbulue, sepse ka mbetë e harrueme.

 

Në vitin 1997 kam qenë e vetmja kosovare që ka marrë pjesë në zgjedhjet për Doktorin, i them unë, për Sali Berishën.

Dua me e shfrytëzue rastin në këtë intervistë që t'ia uroj, që qeveria aktuale e Shqipërisë ka arritur që ta anëtarësojë Shqipërinë në NATO dhe uroj që kjo qeveri ta anëtarësojë edhe në BE.

 

Po ashtu, dhashtë Zoti, të vazhdojë kjo lidhje fizike që ai po e bën mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu siç na ka bashkue me autostradën Durrës-Prishtinë. Këto janë urime nga zemra, sepse bashkimi fizik mes shqiptarëve është diçka që e kemi ëndërruar me shekuj. Prandaj kam arsye të plotë kur i bëj këto urime.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Ç'ishte Pavarësia e Kosovës për ty, 17 shkurti 2008 ?

ADELINA ISMAJLI : Realizimi i çdo ideali që jemi lindë e rritë, që është bartë me gjenerata tek ne, posaçërisht për mua si Adelinë ka qenë kulminacion, kulmi i kulmeve. Gjithë karrierën time unë ia kam kushtue kësaj dite: Ditës së Pavarësisë.

 

Mbrëmjen e asaj dite që u shpall pavarësia kisha fatin që të këndoj në sheshin Skënderbe në Prishtinë dhe, pse ta fsheh, jam këngëtarja që u prit më së miri nga një masë e madhe që arrinte milionin.

 

Imagjinoni që unë këndoja Ditën e Pavarësisë së Kosovës, diçka që e kemi pritur me shekuj. Pavarësia ishte realizimi i çdo ideali. Unë isha  e ekzaltuar atë ditë, sa që mund të them se ishte hera e parë që e kisha humbur kontrollin në skenë. Dhe e humba nga ajo dashni e madhe e popullit.

 

Atë ditë kam thënë sot po ta mbaroj karrierën time ose të gjitha që kanë të bëjnë me mua, unë prapë jam njeriu më i lumtur në botë, edhe si qytetare e Kosovës, por edhe si artiste që e kam përjetuar atë ditë.

 

Elida BUÇPAPAJ : Adelina, keni një publik tepër të gjerë, që iu vlerëson kaq shumë. A reflektohet ky vlerësim i publikut shqiptar për ty në mediat e Kosovës në përgjithësi ?

ADELINA ISMAJLI: Edhe këtu mund të guxoj të them se ka diçka paradoksale. Nga njëra anë unë shoh nje dashuri te madhe te publikut ne vendet qe nuk kontrollohen ende nga grupacione ose individe te caktuar.

 

Në anën tjetër, botërisht dihet që unë në media jam shumë, shumë, në mos them e censuruar, e anashkaluar. Dua të shprehem sa më butësisht që kjo të mos tingëllojë një intervistë e vrazhdë. Ma merr mendja që në Kosovë duhet të ndryshojë shumëçka.

 

Qeveritë, përkundër zbukurimeve që i bëjnë përmes zëdhënësve të tyre, ata patjetër duhet ta ndryshojnë raportin ndaj fjalës së lirë, ndaj mediumeve, të cilat dihet se janë të kontrolluara, siç ishte për shembull emisioni i Jeta Xharës, do ta përmend. E posaçërisht duhet të ndryshojë qasja ndaj artit e artistëve që janë në gjendje të mjerë. Unë guxoj të them, se i kam kolegë dhe e di. Janë në gjendje të mjerë, sepse patjetër duhet t'i takojnë kësaj apo asaj partie që të mund ta sigurojnë ekzistencën e vet.

 

E thashë edhe më herët. Meshkujt ose duhet të jenë shërbëtorë të një individi apo të një partie, femrat duhet ta kenë një rol tjetër, ekstrem denigrues. Këngëtaret më aktuale momentalisht, ose kanë familjarët në pushtet ose janë dashnore të pushtetarëve.

 

.

Elida BUÇPAPAJ : Po ju keni patur një përkrahje të Presidentit të Kosovës, që vinte nga LDK. Kjo parti, që pretendon të jetë vazhduese e Rugovës, a nuk duhet t'i japë mbështetje një artisteje të madhe si ju, që kishit edhe lidhje shpirtërore me Rugovën ?

ADELINA ISMAJLI :Ouuu, Presidenti asnjëherë nuk ka ushtruar kontroll mbi mediat. Kjo gjë dihet botërisht. Mediat kontrolloheshin edhe atëherë por fshehtas. Tash bëhet haptas. Mbështetjen e tij morale e ka pasur çdo artist, pa marrë parasysh çka propagandonte. Shikoni këngën ``Call for Peace `` të realizuar më 1998.

 

Nuk është përkrahur vetëm Adelina Ismajli, por është përkrahur çdo artist. Nuk ka ushtruar presion dhe dhunë në mediat, edhe pse e ka pasur mundësinë. Por këtë ai nuk ia ka lejuar vetes kurrën e kurrës. Rugova ka qenë pacifist shumë i moderuar dhe ka qenë kundër këtyre gjërave. Edhe vet Presidenti shumë herë është deformuar në masën ekstreme, në media të caktuara. Asnjëherë nuk i ka luftuar.

 

Unë dhe shumë artistë kemi pasë, mos them përkrahje, por faktikisht kemi pasë lirinë e shprehjes pa marrë parasysh a kemi kritikue a jo,vetëm të kritikojmë ato që kishin të bëjnë me të djathtën. Unë e kam pasë këngën "Fuck the Government" në kohën kur qeveria ishte e djathtë. Ju e dini si përkthehet kjo. Nga LDK-ja nuk kam pasur mbështetje asnjëherë dhe as që e kam kërkuar. LDK-ja është nocion i gjerë. Aty ka gjithçka. Po flas për Presidentin Rugova.

 

Momentalisht, unë mendoj që Rugova, s'po flas Rugovizmi, si ideologji për të cilën e thashë mendimin, nuk ka përkrahje as nga vetë LDK-ja. Është vetëm mendimi im, dhashtë Zoti të jem gabim.

 

Dua të fokusohem në aktualitet.

 

Unë besoj se qeveritarët kanë punë më të mençura sesa të merren me Adelina Ismajlin, të montojnë raste të rrejshme në gjyqe, të më ndalojnë vizat, të më lëshojnë në qafë gazetarucë të frikësuar, të më terrorizohet familja saherë që kanë nevoja administrative, të më rriten faturat telefonike, të paguaj rrymën sa për gjysmën e Mitrovicës,etj. Nuk dua më që njerëzit e rëndomtë të rrudhin krahët kur ankohem, dhe të më thonë: ``O Adelina, kemi urdher nga lart``.

 

Kanë raste shumë më interesante sesa të shantazhojne, cenzurojne, bllokojne artistët. Gjithmonë po flas në kuadër të lirisë së shprehjes, censurimit të fjalës së lirë, e cila është e domosdoshme në Shekullin XXI.

 

Le t'i zbardhin rastet, po e perifrazoj Hashim Thaçin, "Dosjet që i ka mbulue pluhuri", për shembull. Që nga vrasja e gazetarit Ali Uka në Tiranë e vrasjet gjatë luftës e pas luftës. Po e marr vetëm një shembull me çka mund të merren ata, e të mos merren me Adelina Ismajlin. Nuk po bëj dallime LDK-PDK, në asnjë mënyrë,.

 

Fundja opinioni e di që shumë dosje i ka mbulue pluhuri. Unë e bëra një gjeneralizim të asaj çka po ndodh jo vetëm me mua.

 

Tash që po e marr guximin me folë, ajo është diçka tjetër. Gjithmonë e kam marrë guximin me folë atë çka të tjerët e mendojnë, e flasin me shushurimë e asnjëherë nuk e thonë publikisht. Unë do ta them publikisht dhe e mbaj çdo përgjegjësi për këto çka po flas, sepse nuk kam ku të shkoj më tej.

 

Është deformuar komplet imazhi i Adelina Ismajlit. Unë e di saktësisht, këta njerëz kanë qasje në mediume, duke filluar nga shtypi, pastaj televizionet e ndryshme, edhe në internetin madje ne mase ekstreme.

 

Nëse pretendojnë të jenë shtet demokratik, siç i thonë vetes, ata domosdoshmërisht duhet të demokratizohen edhe në këtë aspekt.

 

Edhe po e them sinqerisht, kjo duhet të shihet në praktikë, jo të mbeten fjalë boshe, të cilat fliten një herë, në një seancë të mërzitshme parlamentare, edhe nuk bëjnë asgjë. Jo, jo, duam ta shohim në praktikë, ku është fjala e lirë e një gazetari, ku është shprehja e lirë e një artisti ose e një këngëtari, një piktori.

 

 Unë  e respektoj gjyqin deri në pikën e fundit. Mirëpo këto gjëra që po më ndodhin mua, ndodhin si cirkuse për mediume. Për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet e tmerrëshme që ka Kosova. Përmende Adelinën, do harrojnë tmerret.

 

Unë dhe familja shqetësohem dy-tri herë në javë nga policë të paidentifikuem, që vinë në banesën time dhe nuk dijnë as vet pse janë aty.

 

Nëse unë paraqes rrezik kaq të madh për pushtetarët, atëherë unë mund të ndjej vetëm lajka për vetveten.

 

Sepse, nëse ata njerëz krahasohen deri në këtë masë me mua, atëherë mua po më detyrojnë të bëhem nesër, mbasnesër një konkurente e tyre. Sepse po ma lënë bindjen se unë kam me fitue kundër tyre. Edhe po, mund të ndodhë edhe kjo. Po e them këtë shumë sinqerisht.

 

Unë ndihem e shantazhuar nga media që janë të shantazhuara.

 

Këtë të gjithë e dinë. Tash dihet botërisht, posaçërisht pas atij emisioni që ndodhi dihet botërisht. Dua të them se ka qenë një nismë e cila iu ka hapur rrugë shumë njerëzve të flasin.

 

Edhe unë kam marrë guximin të flas. Sepse unë kam telashe që më ndodhin tash e sa kohë. Është hera e parë që po prononcohem për këto gjëra. X raste më ndodhin pandërprerë. Shqetësohem pa kurrfarë baze ligjore. Kam avokat ne Zvicer, i cili nuk është kontaktuar asnjëherë nga asnjë organ ligjor.

 

Jam thirrë nga zotëri Dritan Musliu, zëdhënësi i EULEX-it. I kam thënë ta kontaktojë avokatin tim.Sepse janë publikuar deklaratat e mia të imagjinuara, që s'kanë qenë deklaratat e mia. Janë publikuar biseda telefonike të miat të imagjinuara. Janë përgjuar telefonatat e mia, mes meje dhe nanës sime dhe motrës sime, ku ndoshta ka diçka intime, të cilat janë deformuar në masën më të skajshme. Vetëm në Kosovë ndodh që Prokuroria të bëjë krime, siç është bërë me mua dhe familjen time. Prandaj tani kam përfaqësues ligjor dhe, nëse vazhdohet me këto krime ndaj meje dhe familjes sime, do të bëj përpjekje mbinjerëzore që rasti im të arrijë në Këshillin e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Strassburg.

 

Unë kam duruar tash e 11 vite. Edhe kam heshtë. Nuk duroj më.

 

Po kaloj tash në vetën e parë, sepse i bëra disa gjeneralizime.

 

Unë po e them: ata që fshihen pas këtyre akteve, e kanë më mirë të merren me dashnoret e veta, kryesisht këngëtare, që opinioni i sheh çdo ditë, prej Sllovenisë e Portorozh deri në Greqi, për shembull.

 

Këngëtare që e kanë vallëzuar qyqekun dikur në tavolinat e LDK-së, tash në tavolinat e PDK-së.

 

E kuptoj mbijetesën edhe tendencën për të mbijetuar, por duhet të zgjidhen mjetet, që të mbijetosh.Nuk ka nevoje te behen kurva aman!

 

Më mirë do të flas për këto gjëra, sesa ta ndjej veten të rrezikuar. Jo, nuk ua jap dorën dhe nuk iu them "mirëdita" këtyre njerëzve, mos ta shohin në ëndërr se mund t'iu afrohet Adelina Ismajli ndonjëherë. Këta njerëz që personalisht i konsideroj të frustruar. Seksualisht. Le ta harrojnë atë film. Këtu po ua them sepse po flas për gjëra që i di tash e sa kohë.

 

Nuk po e shoh normale të deformohet gjithçka që unë e deklaroj. Është hera e parë që e them këtë. Sepse kam besim që këtu nuk do të deformohet asgjë.

 

Këto gjëra përdoren për nevoja politike. Këto ia kam dëshmuar vetes. 11 vite kam qenë në dyshime me vetveten, për çka po përdorem, pse mediumet shtrembërojnë gjithçka që ka lidhje me mua. Një moment të caktuar, disa momente të caktuara unë e kam kuptuar se këto po përdoren për nevoja politike. Si duket te porositura .

 

Po e them, suksesi im në Kosovë është minimal në krahasim me mundin, shkollimin,jetegjatesine,sakrificat, përpjekjet, e mia, duke e krahasuar me suksesin që kam jashtë Kosovës, duke filluar nga Shqipëria e duke kaluar nëpër Malësi, e  Maqedoni,  deri në Zürich, Nju Jork e Kanada.

 

Jam e vetmja këngëtare që është quajtur "simbol ballkanik" nga një gazetë zvicerane frankofone, që përfshin edhe një pjesë të Francës.

 

Mediumet tona nuk kanë guxuar - ose nuk e shohin të arsyeshme, nuk e di si është e vërteta, nuk e kam verifikuar ende, që të mburrem jo pse jam Adelina Ismajli, por vetëm për faktin se jam kosovare ose pse jam shqiptare me te arriturat e nje shqiptareje ne Europe. Mediumeve tona nuk u bën aspak përshtypje që një këngëtare shqiptare paska arritur të etiketohet nga një medium europian "simbol ballkanik".

 

Unë e shoh përkundër përpjekjeve të mia mbinjerëzore, gjithë sakrificën time që e kam bërë në Kosovë, edhe gjithë sukseseve që i kam pasë në Kosovë, nuk më është shpërblyer, as një për qind, sa jam shpërblyer për disa vajtje-ardhje në Zvicër, Francë, Nju Jork, Kanada, Amerikë, Gjermani,Suedi në vende ku kam turnè, ku në asnjë koncert nuk kanë qenë nën 1 000 njerëz të mbledhur. 1 000 njerëz t'i mbledhë sot nuk mundet asnjë lider. Si duket këto po i xhelozojnë. Po le të flasim. Fundja e fundit kënga ime është më e bukur se çdo fjalim i tyre. Edhe jam unë më e bukur ha ha ha.

 

Edhe prapë po kthehem tek rezultati i këtij disproporcioni,  midis dashurisë të madhe të publikut dhe mediumeve. Kam 24 vite karierë, kam kënduar në Kosovë, qysh nga fëmijëria ime, kam qenë e orientuar sikur te gjithe,suksese si asnjeri. Se këtë ma dëshmon dashnia e atyre njerëzve që vinë në koncerte e më përkrahin, qofshin nana, qofshin fëmijë, qofshin baballarë, të vjetër, të reja e të rinj.

 

Ka dashtë Zoti, kemi internet, kemi mjete të tjera të informimit ku tash shihet kush jam. Publiku im është në konfuzion. Në internet,aty ku nuk ka cenzura, shihet një dashuri ekstreme ndaj Adelina Ismajlit, një dashuri enorme e publikut. Në anën tjetër në mediume propagandohet diçka krejt tjetër. Pra ka një konfuzion.

 

E shoh me një sy tepër kritik këtë disproporcion: kur mediumet propagandojnë diçka tjetër nga realiteti, ku shtrembërohet e manipulohet, tash e një dekadë, e vërteta. Kjo ka më shumë se një dekadë që bëhet. Pse? E di pse, dhe po e them me plot gojën: I qëndroj prapa kësaj deri në vdekje.

 

E tëra që mund të them për ta përmbyllur këtë deklarim ose këtë intervistë, që nuk dyshoj që do të jetë një nga intervistat e jetës sime, pavarësisht se çka e ku do të më çojë jeta.

 

Unë kam shpresuar se çdo njeri që ka sakrifikuar shumë për vendin e vet dhe për atë hyjnorin që ne i themi komb, kam shpresuar që në Kosovën e lirë do të jetë gjithçka bukur, do të kemi së paku lirinë e fjalës, do të kemi lirinë e të shprehurit, do të kemi së paku artin, ku arti do të lulëzojë, sepse arti është një ndër gjërat që historikisht  kombi im i  ka dhe i ka pasur gjithmonë.

 

Sepse jemi një komb i lashtë. Datojmë prej pellazgëve te ilirët. Dhe arti ka qenë diçka që ka mbijetuar duke ndikuar në mbijetesën e kombit. Më është dashur që të lexoj me një frymë çdo vepër të Aristidh Kola-s që të bindem që dikush tjeter po gabon.

 

Kam shpresa dhe prapë vazhdoj të shpresoj, edhe pse di të jem e vrazhdë, edhe di t'i akuzoj njerëzit që duhet akuzuar, edhe guxoj ta them atë që të tjerët e mendojnë e nuk e thonë. Unë prapë se prapë shpresoj edhe lutem që të vijë një ditë kur njerëzve që quhen artistë të mos ua cënojnë lirinë, që ne të jemi një popull i kultivuar, me art që na takon nga Zoti dhe na e dëshmon historia që e kemi.

¨

Vetëm të na lejohet të jemi ata që kemi qenë. Domethënë të japim  kontributin tonë në lëmin e kulturës, artit, këngës, shkrimit, të gjithave. Pa demokratizim, pa liri ne nuk mund të jemi në gjendje që të quhemi nesër pasnesër popull i kulturuar.

 

Lutem dhe shpresoj që kjo një ditë të ndodhë. Të mos censurohen veprat, kushtimisht po them, tonat. Sepse ka edhe artistë që nuk e kanë vendin e merituar për ato që i përmenda deri tash. Dhe këta propagandohen. Mirëpo ka edhe artistë që kanë vlera të panumërta dhe ato vlera fshihen.

 

Prapë se prapë shpresoj që të na jepet shansi që një ditë fëmijët tanë, nipat tanë të mburren përpara popujve të tjerë me ato çka ne duam të bëjmë dhe çka mundemi të bëjmë. Vetëm të na jepet liria. Po flas nga aspekti i artit. E di që ka shumë aspekte të tjera shumë më të rëndësishme në Kosovë, të cilat janë të censuruara, po unë guxoj të flas nga prizma artistike. Fundja kam arritur bagazh dhe karrierë që kam dhënë dhe me takon të shprehem. Nuk dua të jem më primitive për të më kuptuar primitivët.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Ku do t'ju shohim. Në çfarë skene do të jeni këtyre ditëve, Adelina?

ADELINA ISMAJLI: Aktivitetet e mia janë përqëndruar më shumë në Europë. I falem Zotit që sukseset nuk po më mungojnë. Turneu në Amerikë ka mbaruar me nje sukses fantastik, mirëpo kam aktivitete të tjera, ca kenge,nje album, klipe  etj,natyrisht jashte Kosoves per momentin. Nëse më prin fati dhe shëndeti, që do të jem më shumë në Europë, për shkaqe të cilat tashmë i fola.

 

Kam pasur fatin që të kem sukses e do të vazdoj me këtë intensitet, por pa e harruar Kosovën dhe Shqipërinë.

 

Kosovën për momentin do ta lë derisa ti hapen dyert artit.

 

E përsëris edhe një herë, kam qenë, jam dhe do të mbetem një Rugoviste e përbetuar, do të vdes një Rugoviste e përbetuar, e cila nuk i ikë asnjëherë pacifizmit dhe asaj që nuk eshte diktature.

 

Elida BUÇPAPAJ : Pyetje: A do t'ju shohim një ditë në skenën politike të Kosovës, sepse ju e keni me vete publikun...

ADELINA ISMAJLI: Nuk përjashtohet mundësia që një ditë te themeloj partine time.

Guxoj të thyej edhe një tabu. Të ketë Kosova edhe një femër, e cila do të krijojë parti të vetën. Kam aq fansa sa për ta bërë një parti shumë më të madhe se LDK-ja, PDK-ja a ku ta di unë.

Ky sinqeritet i imi të më shpërblehet edhe në fushën politike. Edhe atëherë besoj që do të jem një konkurente e fortë për këta njerëz që e quajnë veten pushtetarë, qeveritarë. E përse të mos e them:  një diapazon te pergjithshem shumë më të madh se atë që po e shoh në seancat parlamentare.

 

Do ta shfrytëzoj edhe dukjen time për të fituar elektorat ha ha ha. Kjo e fundit është shaka, për ta bërë këtë bisedë relaksuese, sepse natyrisht nuk e shfrytëzoj dukjen time. Ka të tjera që po e bëjnë atë.

 

 

Elida BUÇPAPAJ : Dukja juaj është një dukje që nuk fshihet dot. Dhe dukjen e keni, ashtu si talentin, prej Zotit.

ADELINA ISMAILI: Jam pasardhëse e Afroditës së pellazgëve. Mburrem me hiret e mia.Ashtu siç duhet te mburret çdo shqiptare.

  

Elida BUÇPAPAJ : Në përrmbyllje të kësaj interviste, më lejo Adelina të të falenderoj si gazetare, sepse ndihem tepër e nderuar që ma ke dhënë këtë intervistë, por edhe si njëra prej fansave të tua midis milionave fansave që ti ke në botën shqiptare.

ADELINA ISMAILI: Ndërsa mua më lejoni që ta bëj publike ndjenjën e krenarisë që kam të intervistohem nga gazetarja të cilës çdo ditë ia lexoj kolumnat dhe kur ju takova isha në konfuzion: A të komplimentoj së pari dukjen apo mençurinë, apo guximin tuaj. Ndjehem me fat që ju njoha.

 

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kadare merr Çmimin spanjoll Princi Asturias për Letërsinë (Shqip dhe anglisht) (06.24.2009)
Ismail Kadare kandidohet për çmimin Princi Asturias për letërsinë (06.23.2009)
Intervistë me Kristaq Turtullin autor i një libri të ri në anglisht (06.21.2009)
"Shqipëria miqësore" e dy autorëve gjermanë (06.21.2009)
I shquari ndër filozofët, Jürgen Habermas mbush 80 vjeç (06.20.2009)
Ndriçim Xhepa më i vlerësuari me çmime në historinë e kinematografisë shqiptareNga Agron SEJAMINI (06.18.2009)
Suzën Bojl shkon në Amerikë (06.17.2009)
Botohet në Itali "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (06.16.2009)
Jodhaa Akbar fitoi trofetë e Bollivudit (06.14.2009)
Sandra Bullok: Sa të jem në formë fizike nuk do t'iu fsheh gjë shikuesve (06.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]