VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ESMIANA JANI - BALERINA SHQIPTARE NË TRUPËN E UASHINGTONIT

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 09:21pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
ESMIANA JANI - BALERINA SHQIPTARE NË TRUPËN E UASHINGTONIT

E Djelë, 09.22.2013, 03:55pm (GMT+1)



Javët e fundit trupa të shumta baleti në Shtetet e Bashkuara kanë nisur punën për sezonin e ri 2013-2014. Një ndër më të njohurat prej tyre është trupa e baletit të kryeqytetit, The Washington Ballet. Balerina shqiptare Esmiana Jani është prej dy vjetësh pjesë e kësaj kompanie dhe në një intervistë me kolegun Julian Zyla ajo flet për punën dhe jetën e saj.
 
Dy vjet më parë, në moshën 18 vjeçare, Esmiana Jani iu bashkua grupit të "Studio Company", pjesë e trupës së Baletit të Uashingtonit, ku balerinë të rinj përgatiten për karrierën profesioniste. Trupa e Baletit të Uashingtonit interpreton disa shfaqe në vit, në skena të njohura të kryeqytetit si Qendra Kennedy, Teatri Warner apo Teatri Shakespeare.

Esmiana u zhvendos në kryeqytetin amerikan nga Filadelfia në shtetin e Pensilvanisë, ku jetonte me familjen.  Në mjediset e "The Washington Ballet", një nga trupat më të njohura të baletit në Shtetet e Bashkuara, tashmë ka nisur puna për sezonin e ri dhe Esmiana na tregoi se përvoja aty i pëlqen shumë.

"Së pari më pëlqejnë njerëzit këtu, ata të ndihmojnë dhe janë shumë frymëzues. Nëse sheh secilin prej tyre të interpretojë mëson gjithmonë gjëra të reja, pasi ata kanë pasur eksperienca të ndryshme nga e imja dhe kanë stile të ndryshme. Pra përbëjnë frymëzim për t'u përmirësuar çdo ditë.  Gjithashtu më pëlqen që drejtori ynë artistik Septim Webre na jep sfida të reja çdo ditë. Kjo na bën të përmirësohemi dhe e bën këtë përvojë të mrekullueshme."  

Esmiana Jani ka studiuar balet që në moshë të vogël, në Shqipëri, në Greqi e më pas në Shtetet e Bashkuara. Rreth ardhjes në trupën e Baletit të Uashingtonit ajo tregon:

"Isha në shkollën e mesme dhe sapo kisha nisur të kërkoja kompani që do të ishin të përshtatshme për mua si dhe për teknikën dhe stilin tim. Gjatë asaj kohe, rreth tre vjet më parë, mora pjesë në një konkurs baleti në Orlando në të cilin David Palmer, zv/drejtor artistik i trupës së baletit të Uashingtonit, ishte në juri. Mendoj se ajo provë shkoi mirë për mua, përderisa gjendem këtu. Ai erdhi të më takonte dhe më pyeti nëse do të doja të bëhesha pjesë e seksionit Studio Company të trupës. Unë u përgjigja PO dhe kjo është mënyra se si erdha këtu."

Ashtu si zëvendësi i tij, edhe drejtori artistik Septime Webre tashmë e vlerëson lartë Esmianën.

"Esmiana është një talent i jashtëzakonshëm. Ajo ka një fizik shumë të mirë, është një vajzë e bukur. Me një trup që vërtet e pranon teknikën e baletit. Në veçanti ka dy gjëra që më pëlqejnë tek Esmiana: e para është se ajo ka një lloj fiziku shumë ekstrem, këmbët e saj janë shumë të gjata dhe të bukura. Ndërsa gjëja e dytë është se shpesh i pëlqen të bëjë shaka, është argëtuese. Mendoj se është gjë e mirë që disa herë edhe të qeshim me sfidat dhe prania e saj është e këndshme. Pra, ajo i shton humor atmosferës dhe unë e vlerësoj shumë këtë. Përveç kësaj, ajo sjell dhe një prani poetike mes nesh. Pavarësisht humorit të saj gjatë pushimit kur muzika është e fikur, mendoj se natyra e saj është ajo e një pranie poetike. Tani ne po punojmë me disa lëvizje abstrakte por ajo është në gjendje t'i japë përvojës ndjenjë."

Zëri i Amerikës: Esmiana, ti ike nga Shqipëria në një moshë të vogël, 5 vjeç. Cili është kujtimi yt më i fortë nga vitet e fëmijërisë atje?   

"Është kujtimi i dëshirës për t'u bërë balerinë në Shqipëri. Një ditë isha në një park në Tiranë me mamanë dhe një grua u afrua dhe e pyeti nëse unë isha balerinë. Arsyeja e pyetjes ishte se kur isha e vogël unë ecja vetëm mbi majat e gishtave. Mamaja më qortonte shpesh duke thënë se nuk ecja si njeri normal. Pra kjo grua në park e pyeti nëse unë isha balerinë dhe ajo iu përgjigj "jo". Por kjo i dha asaj idenë se ndoshta unë duhet të filloja baletin. Gjithçka filloi prej atij momenti. Më pas shkova në Greqi, ku ndenja për rreth katër vjet dhe ku gjetëm një mësuese shumë të mirë. Më pas erdha këtu në Amerikë dhe vazhdova studimet më tej. Pra, unë e dashurova atë dhe që e vogël dhe nuk kam rreshtur kurrë së dashuri baletin."  

Esmianës i kujtohet mirë dhe eksperienca e saj e parë mbi puante.

"Ndjeva dhimbje të madhe. Por pasi u mësova me dhimbjen, që është diçka me të cilën të gjithë balerinët përballen, më pëlqenin më shumë se këpucët e sheshta. Mendoj se ato e bëjnë një balerinë të duket më elegante. Edhe pse ndoshta nuk më duken aq të rehatshme sa këpucët e sheshta, tani më pëlqejnë puantet. Megjithatë, u desh pak kohë që të më pëlqenin, pasi ato ta bëjnë teknikën shumë më të vështirë dhe kalimi nga këpucët e sheshta tek puantet është sikur të jesh duke mësuar baletin nga fillimi. Por me kalimin e kohës këmbët mësohen."  

Karriera e një balerine është e mbushur me sfida, thotë Esmiana. Për të, një nga ditët më të vështira ishte fillimi i punës këtu pranë trupës së Baletit të Uashingtonit.

"Para se të bëhesha pjesë e kësaj kompanie nuk kisha qenë asnjëherë në një trupë profesioniste baleti dhe nuk e dija se si funksiononte. Prandaj dita e parë e mësimit këtu ishte një përvojë që ndryshoi gjithçka për mua. Kalimi nga një studio në një kompani përbën një ndryshim shumë të madh dhe m'u desh të mësoja çdo gjë që në fillim, që herën e parë, ndryshe nga se isha mësuar në Filadelfia ku kisha studiuar deri atëherë. Ishte një ditë jashtëzakonisht e vështirë e cila edhe më trembi pak, por më pëlqeu fakti që më mbajti të përqëndruar dhe mësova shumë prej asaj përvoje."  

Përveç vështirësive, baleti i jep Esmianës dhe shumë kënaqësi dhe emocione.

"Zakonisht kur jam në skenë bëhem një person tjetër, shndërrohem në personazhin që luaj. Dhe kjo është pjesa ime e preferuar në gjithë përvojën e baletit. Momentet në skenë janë arsyeja pse unë punoj aq shumë."

Por disa emocione janë më të forta e të bukura se të tjerat, si për shembull kur sheh nënën e saj mes publikut.

Zëri i Amerikës: Si përgatitesh para interpretimeve në skenë, fizikisht dhe psikologjikisht? Çfarë i thua vetes para interpretimit?   

"Më parë mendoja për mamanë meqënëse ajo është arsyeja që unë jam balerinë dhe i thoja vetes që çdo gjë do të shkojë mirë. Por nuk më pëlqen të kërkoj që gjërat thjesht të ndodhin, pasi në fund të fundit varet prej meje. I jap vetes kurajo të dal sa më mirë, megjithatë preferoj të mos mendoj shumë pasi kur filloj të mendoj shumë shpesh humbas në mendime."

Esmiana thotë se ka shumë dëshirë të vizitojë vendin e lindjes së shpejti.

"Nuk kam qenë në Shqipëri që kur isha pesë vjeç. Kam parë shumë foto të miat kur isha atje si dhe fotografi të qytetit tim. Është një vend shumë i bukur. Gjithashtu gjyshërit e mi ndodhen në Berat tani por ata do të kthehen. Mendoj se verën e vitit që vjen ose një verë më pas mund të shkoj të vizitoj gjyshërit si nga ana e babait ashtu dhe të nënës. Tashmë e kam diskutuar dhe me mamanë dhe të dyja jemi dakord se ka kaluar tepër kohë dhe se duhet të kthehem ta vizitoj vendin. Mezi pres ta shoh".

Ndërkohë, Esmiana Jani thotë se është mjaft e kënaqur me jetën e saj në Uashington, duke punuar me koreografë e kolegë të cilët ajo i vlerëson dhe prej të cilëve përpiqet të mësojë sa më shumë.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GJITHË FRYMËZIMIN TIM E KAM PËR VENDLINDJEN, TOKËN SHQIPTARE…-Bisedë me piktoren e talentuar Lule Bajraktari, emigrante në Suedi-Nga Prof. Dr. MURAT GECAJ (09.21.2013)
ADRIANA BANI - SHQIPTARËT KANË AFTËSI TË INTEGROHEN NË KULTURËN E VENDEVE KU KANË MIGRUAR POR AMA PA MOHUAR KULTURËN DHE ORIGJINËN E TYREIntervistoi: SOKOL DEMAKU (09.20.2013)
FORTESA HOTI NË ROLIN KRYSOR TË FILMIT TRILLER SUEDEZ 'ORION' (09.20.2013)
SHKB 'Sali Çekaj" përkujtoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë të KosovësZYRTARIZIMI I DEKLARATËS TË PAVARËSISË - OBLIGIM HISTORIKNga IDRIZ ZEQIRAJ (09.18.2013)
NGA DURRËSI DHURATA PËR FËMIJËT SHQIPTAR NË SUEDIFotoreportazh nga SOKOL DEMAKU (09.15.2013)
EKSPOZITË E SKULPTORIT KRESHNIK XHIKU (09.14.2013)
FATOS BAXHAKU - HISTORI TË VEÇANTA TË SHQIPTARO-AUSTRIAKËVE (09.13.2013)
PËR FYERJE RACISTE NDAJ SHQIPTARES SË KOSOVËS - 6 MUAJ BURG (09.12.2013)
KA NDËRRUAR JETË JAKUP BIÇAKAJ - MËRGIMTARI MË I VJETËR I KËSAJ ANETë moçmit kanë thënë vendi-dheu i huaj është i ftohtëNga XHAFER LECI (09.10.2013)
DHIMITRI ÇIKA - NJË MIKELANXHELO SHQIPTAR NË KISHAT AMERIKANE amerikane (09.06.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]