VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POEMA E VIOLINËS SË FLORIAN GASHIT

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 03:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
POEMA E VIOLINËS SË FLORIAN GASHIT

E Mërkurë, 02.12.2014, 06:03pm (GMT+1)



Janë të shumta aktivitetet muzikore dhe koncertet recitale që violinisti shqiptar, Florian Vlashi, ka dhënë në skena të ndryshme të botës. Të shumta janë edhe çmimet ndërkombëtare që ka marrë, sa për stilin  unik në intepretim aq edhe drithërues, Florian Vlashi,  i përzgjedhur në100 historitë e suksesit të shqiptarëve në botë, me rastin  e 100 vjetorit të Pavarësisë nga Albanian Excellence dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicisë (OSG) në Korunja Spanjë dhe drejtues i "Grupo Instrumental Siglo XX", artisti Florian Vlashi, me një edukim instrumental e muzikor të vendit të tij, Shqipërisë, vlerësohet nga kritika botërore "për mënyrën profesionale dhe aftësitë e mëdha në interpretimin e tij, sa të butë dhe të mahnitshëm".

Në Spanjë, ku prej vitit 1992 është pjesë e Orkestrës Simfonike të Galicisë, Florian Vlashi është një nga protagonistët më të njohur të muzikës bashkëkohore spanjolle të dhjetëvjeçarëve të fundit, ku ka spikatur për bagazhin artistik të jashtëzakonshëm. Vitin 2013 e konsideron të suksesshëm për karrierën e tij artistike, ku veçon koncertin në skenën e famshme George Enesku të Universitetit Kombëtar të Muzikës në Bukuresht. Në atë koncert interpretoi një repertor bashkëkohor të shekullit te XX dhe XXI, me vepra pak të njohura në Rumani, kushtuar piktorit francez Mark Shagalit.

Në një artikull dedikuar performanës së artistit shqiptar në Bukuresht,  violinistja Dr. Luminica Virgina Burca shkruan se artisti Florian Vlashi e rrëmbeu publikun e përbërë nga muzikologë, violinstë, piktorë, shkrimtarë, me teknikën e  pagabueshme  dhe bukurinë  e tingullit, nga të cilat dilte në pah talenti i tij.

"Veprat e interpretuara  ishin shumë të vështira, por Florian Vlashi di ta zotërojë shumë mirë vetveten, di të kontrollojë harkun duke lënë mbresa të mëdha tek publiku. Gjatë koncertit, Floriani  dëshmoi se meditonte me pasion mbi misterin e muzikës", shkruan dr. Burca.

Nga mënyra si e përballonte muzikën, violinisti shqiptar shprehu rëndësinë që artisti i jep një bote të zbuluar nga një këndvështrim tjetër, më të lirë, më të hapur sesa ai që praktikohet zakonisht. "Shpirti i tij i kultivuar dhe drejtpeshimi i brendshëm, zbuloi një talent të fortë, të aftë për të kuptuar botën e muzikës së re, si dhe rrugën e domosdoshme në artin interpretativ modern", vlerëson ndër të tjera Dr. Luminica Virgina Burca.

Për vitin 2014, koncertet e tij nisin në prill në Festivalin e Muzikës Fetare në Konservatorin superior të Muzikës në Korunja, në maj në Festivalin Xornadas de Música Contemporanea, në shtator  në Santiago de Compostela, në nëntor në konservatortin  Superior të Muzikës në Granada.

Si çdo fund korriku Florian Vlashi do të jetë në qytetin e tij të Lindjes, Durrës, me veprimtarinë "Netët e muzikës klasike", e një aktivitet të cilin e ka krijuar vetë si një udhëtim në botën muzikore koncertale, duke u ndalur në stacionet e muzikës baroke dhe asaj klasike, të muzikës moderne dhe impresioniste.


Violinisti Florian Vlashi

Violina e tij e parë ka qënë një instrument çekosllovak që ua jepte shkolla e muzikës. Ishin instrumente me të cilat punohej shumë, ndaj edhe ishin të dëmtuara, të gërvishura, por për çudi, tingëllonin mirë. Florian Vlashi thotë se violina e tij e fundit është një instrument francez i mrekullueshëm i shekullit XVIII, të cilën ia ka dhuruar kompozitorja spanjolle, Maria Dolores Malumbres. Është një histori prekëse që ndodh vetëm në libra...Tashmë, një violinist me një karrierë brilante, përdor një instrument francez të 1700-ës nga Jacques Boquay, ndër të parët që futën liuterine italiane në Francë. Ishte shkurti i vitit 1992 kur Florian Vlashi u bë pjesë e një orkestre ndërkombëtare me instrumentistë nga mëse 16 vende të botës në La Korunja të Spanjës. Nga gjithë puna e tij ai veçon në këtë intervistë krijimin e "Grupo Instrumental Siglo XX", një nderim për shekullin kur ndodhi ndryshimi kolosal në muzikë, kur ajo u kthye siç kishte lindur, e lirë. Në 15 vite ky grup ka luajtur 103 vepra premierë, ka në repertor mbi 200 vepra të autorëve bashkëkohorë nga Stravinski, Ravel, Bartok e deri tek Ligeti, Xenakis etj. Në rreth 180 koncertet e realizuara deri tani, "Grupo Instrumental Siglo XX" ka interpretuar veprat emblematike të këtij shekulli historik.

Si dhe pse një artist shqiptar u bë pjesë e një orkestre në Perëndim, në La Korunja të Spanjës?

Në muajin shkurt të vitit 1992 fitova konkursin në Shtutgart dhe m´u propozua kontrata në Orkestrën Simfonike të Galicias. Një juri lëvizëse kishte organizuar konkurse të tilla në 5 vende të ndryshme të botës: San Petersburg, Bratislavë, Nju Jork, Shtutgart dhe Londër. Unë u bëra kështu pjesë e një orkestre ndërkombëtare me instrumentistë nga mëse 16 vende të botës.

Në përgjithësi keni shkuar ju te repertori që interpretoni apo ka ardhur ai tek ju?

Në fillim kam shkuar unë tek ai. Tani vjen ai tek unë. Gjithmonë më ka tërhequr arti modern e për pasojë muzika moderne bashkëkohore dhe i jam afruar asaj me kërshëri, siç i afrohesh një aventure, rrezikut, së panjohurës...Por tani shkruhet shumë muzikë për mua dhe për "Grupo Instrumental Siglo XX" që drejtoj, sa që më krijohet një gjendje paniku se a do t´ia dal mbanë apo jo...

Cila është gjeografia e koncerteve tuaja?

Kjo gjeografi është më tepër e shtrirë sesa e ngjeshur, më shumë horizontale sesa vertikale. Fillon nga pika më lindore në sallën Filarmonike në Odesa dhe mbaron në Universitetin e Montevideos. Megjithatë, aktiviteti im kryesor është i përqëndruar kryesisht në Spanjë.

Shumë herë jeni konsideruar një fenomen muzikor nga media spanjolle...

Më duket vlerësim i tepruar që, natyrisht, nuk e meritoj aspak. Mua më pëlqen të ndjek këshillën e Churchill-it që thotë se problemi i kohës sonë është se njerëzit duan të jenë të rëndësishëm dhe jo të nevojshëm. Kur kompozitori dhe Presidenti i ACG (Asociación de los Compositores de Galicia), Paulino Pereiro, më dedikoi Sonata para violin solo op. 118, me titullin Vlashiana, u gëzova pa masë. Por kur deklaroi se "...ia dedikoj një personi pa të cilin muzika e re në Galicia nuk do të ishte ajo që është..." u ndjeva vërtet i lumtur sepse kam përmbushur një detyrim moral ndaj muzikës dhe kompozitorëve të këtij vendi. Ky nuk është kurrëfarë fenomeni. Është një shërbim, një bashkëpunim i domosdoshëm ndërmjet krijuesit dhe interpretit. Një lidhje e vjetër kjo sa vetë muzika.

Violinat tingëllojnë më pak kur kalojnë vitet apo me kalimin e tyre dëgjohen edhe më mirë, siç është puna e verërave...?


Me kalimin e viteve violina ndryshon. Çdo violinist që luan me të lë diçka aty nga jeta e tij, nga zëri i tij i brëndshëm. Një instrument i vjetër është i mbushur plot histori e fantazma. Menuhin tregon se nuk mund të blinte violinën Guarneri del Gesù të Ysaye-s sepse shihte gishtat e tij në tastierë. Po ashtu Accardo dëgjonte zërin e Francescati-t kur bleu Stradivarin e tij. Jemi pra brënda misterit... Verat, po ashtu, kanë jetën e tyre. Me kalimin e viteve ndryshojnë e pasurohen. Dikush e krahason një verë të mirë me një poemë. Baudelaire ka një varg të bukur ku thotë "Një natë, shpirti i verës këndonte brënda shisheve". Ka shumë gjëra që violina të kujton verën. Koka e violinës është një imitim i majës së vreshtit. Ngjyra e vërnikut të saj kalon nga tonet e çelta, disi të verdha, e deri tek ato më të errtat në të kuq. Secila ngjyrë korrespondon me një verë të bardhë, rozë apo të kuqe. Fjalori që përdoret për përshkrimin e karakterit të violinës është shumë herë i njëjtë me atë të verës- e dashur, e thellë, penetruese, plot mister, e fortë, e pasur me nuanca, harmonioze...Tingulli i një violine të re është po ashtu i ngjashëm me verën e re. Me shumë kurreshtje kam provuar verat që pëlqenin muzikantët e mëdhenj. Bach dhe Haydn preferonin Bourgogne-n, Mozart verën robuste spanjolle, Beethoven verën e Rhin-it, Strauss Bordeaux-n, Brahms, Wagner dhe Liszt Champagne-n, Puccini Chianti-n, Verdi verën që prodhonte vetë nga vreshtat lambrusco...Duke shijuar këto vera më krijohej përshtypja se zbuloja diçka më shumë nga esenca e muzikës së tyre. Edhe kur vizitova vilën Sant´Agata të Verdit, në Busseto, hyra tek qilari i verave dhe m'u duk se u futa në pjesën sekrete të jetës së tij.

Cila ka qënë violina juaj e parë dhe ajo e fundit...?


Violina e parë duhet të ketë qënë një instrument çekosllovak që na jepte shkolla e muzikës. Ishin instrumente me të cilat punohej shumë. Për këtë arsye ishin të dëmtuara, të gërvishura, në disa raste të thyera e plot shenja dhune. Por, për çudi, tingëllonin mirë. Ndërsa violina e fundit është një instrument francez i mrekullueshëm i shekullit XVIII, të cilën ma dhuroi kompozitorja spanjolle, Maria Dolores Malumbres, pas koncertit tim në Logroño. Është një histori prekëse që mendoja se ndodhte vetëm nëpër libra. Aktualisht përdor një tjetër instrument francez të vitit 1700 nga Jacques Boquay, nga të parët që futën liuterine italiane në Francë. E bleva tek koleksionistët e Rue de Romewne në Paris. "Musée de la musique" në Francë ka dy violina nga Boquay në koleksionin e saj.

Në vitin 1996 ju themeluat Grupin Instrumental të shekullit të XX-të, me instrumentistë nga 11 vende te botës. Cili është repertori dhe arritjet e grupit?

"Grupo Instrumental Siglo XX" është projekti më i rëndësishëm dhe më me jetëgjatësi i imi. Zgjedhja e emrit është një nderim për shekullin kur ndodhi ndryshimi kolosal në muzikë. U shemb "tirania" gati 300 vjeçare e tonalitetit, bashkë me të gjitha tabutë formale estetike mbizotëruese, dhe më në fund muzika u kthye, ashtu siç kishte lindur, e lirë. GISXX u krijua për dy objektiva: T'i ofronte publikut veprat më të mira të muzikës së dhomës nga fillimi i shekullit XX e deri në ditët tona dhe të mbështeste krijimtarinë e kompozitorëve bashkëkohorë. Në këto 15 vite kemi luajtur 103 vepra premierë, shumë prej te cilave janë porositur nga grupi; kemi në repertor mbi 200 vepra të autorëve modernë e bashkëkohorë nga Stravinski, Ravel, Bartok e deri tek Ligeti, Xenakis etj. Në rreth 180 koncertet që kemi realizuar deri tani janë interpretuar veprat emblematike të shekullit si Histoire du soldat (Stravinski), Pierrot Lunaire (Schoenberg), Le quatuor pour la fin du temps (Messiaen), Black Angels (Crumb). Është një punë e vështirë deri në sakrificë. Ajo që shikon publiku është vetëm maja e ajsbergut.

Pse ndiheni i lidhur pas muzikës shqiptare? Çfarë ka të veçantë dhe çfarë ju jep?

Ndihem i lidhur me muzikën shqiptare sepse jam i lidhur me vendin tim. Ajo është pjesë esenciale e tij. Është si parfumi që të kujton një person të dashur, mungesën e të cilit e ndjen përditë e më shumë. Megjithatë jam përpjekur të tregohem realist. Kam lënë mënjanë nostalgjinë dhe kam përzgjedhur me kujdes veprat shqiptare që luaj në Spanjë, të cilat janë pritur mjaft mirë. Duke dëgjuar këtë muzikë, publiku ka njohur dhe ka kuptuar diçka më shumë për realitetin shqiptar.


Florian Vlashi, gjatë një koncerti në Spanjë


Në vitin 1999, keni mbështetur luftën në Kosovë. Madje, ju edhe të ardhurat që keni nxjerrë nga një CD ia keni dërguar popullit të Kosovës.  Çfarë kujtoni nga ajo kohë dhe ç'marrëdhënie keni tashmë me Kosovën...?

Gjatë luftës së Kosovës, nuk e di pse, u ndodha papritur nën fokusin e mediave spanjolle. Ato kohë dhashë shumë intervista në shtyp e TV si dhe bëra një debat televiziv me futbollistin Mijatoviç, në Canal+. Gjatë muajve  të verës, kur shkova në Durrës, vizitova kampet e refugjatëve dhe spitalin që kishte ndërtuar Kryqi i Kuq spanjoll dhe u preka shumë. Pas kthimit në Spanjë kalova të ardhurat e CD time në llogarinë e Kryqit të Kuq. Nuk ishte asgjë më shume se një xhest falenderimi dhe mirënjohje. Në Kosovë kam dhënë disa here koncerte, i ftuar nga Remusica. Në këtë mënyrë u njoha nga afër më muzikën e kompozitorëve kosovarë dhe mbeta i befasuar për nivelin e lart. Sinqerisht, më erdhi turp që e kisha njohur aq pak deri në atë kohë. Në edicionin në vazhdim të Bienales së Durrësit "Netët e Muzikës Klasike" krijuam menjëherë një hapësirë të quajtur "Nata e Muzikës Kosovare", ku kompozitorët bashkëkohorë të Kosovës prezantuan krijimet më të fundit. Në fund, gjatë falenderimit, prof. Akil Koçi tha se ishte e para herë që organizohej një aktivitet i tillë në Shqiperi në këto 60 vite. Nuk e di nëse më gëzoi apo më trishtoi ky fakt...

Çfarë është për ju shkolla "Jan Kukuzeli"?

Aty kam pasur kontaktin e parë me violinën, me notat, me gërmat... Profesorin tim të parë të violinës e arrestuan dhe vdiq në burg. Ky ishte kontakti im i parë me diktaturën. Akoma e kujtoj ditën që e pashë për herë të fundit duke u futur në sallën e gjyqit. Nuk i fola...dhe kjo gjë më ka mbetur si një gur brënda meje edhe sot e kësaj dite... Një mikja ime nga Shkodra, studente për drejtësi në Stokholm, më shkruan në një letër se nuk ishte bërë violiniste, me gjithë dëshirën e saj, sepse midis shtëpisë ku banonte dhe shkollës se muzikës së qytetit, ishte një rrugë plot rreziqe ku kalonin shumë makina. Edhe shtëpinë time me shkollën e muzikës e ndante një rrugë e tillë, që unë e kapërceja përditë me violinën në dorë. Me sa duket çdo gjë fillon duke kapërcyer një rrugë e vazhdon duke kapërcyer stacione, aeroporte, shtete e kështu deri në udhëtimin e fundit që të kthen tek rruga e parë. Për çudi, karriera e një muzikanti ka formën e sonatës.

Shtëpia juaj në Korunja kthehet herë pas here në galeri ku ekspozohen punimet e piktorëve shqiptarë...

Kam ftuar kryesisht miqtë e mi piktorë. Ekspozonim kuadrot në sallonin e shtëpisë dhe organizonim festa me gjithë shoqërinë e artëdashësit spanjollë. Kemi kaluar shumë mirë. Mes miqësisë, pikturave, muzikës dhe verave të mira krijohet një atmosferë e përkryer...atë që grekët e vjetër e quanin hyjnore.

Ju jeni edhe një koleksionit i veprave të autorëve më të mirë bashkëkombas...


Kam në koleksionin tim vepra të artistëve shqiptarë nga klasikët si Kodra, Stamo, Shijaku dhe deri tek me të rinjtë, Taso, Shabani etj., pa harruar artistët e qytetit tim apo ato nga Kosova. Pjesën me të madhe të tyre i kam njohur personalisht. Nuk i harroj bisedat për muzikën me Ibrahim Kodrën, Gjelosh Gjokajn, Maks Velon. Thuajse për çdo pikturë kam një kujtim dhe kjo gjë i jep veprës tjetër ngjyrim emocional. Kështu, shtëpia jonë në breg të oqeanit nuk ndihet bosh dhe e vetmuar... Puna e fundit që solla në Spanjë ishte një portret i imi, kur isha 7 a 8 vjeç. Jam aty me violinë në dorë. Është e piktorit Nikolet Vasia, i cili u nda nga jeta verën e kaluar. Rastisa të isha në Durrës atë ditë dhe me lot në sy, bashkë me Redianën, luajtëm në ceremoninë mortore në nderim të tij. Tani rri e shoh pikturën dhe mendoj: E ku ta dinte ai atëherë që ky fëmijë, pas 40 vitesh, do të luante arien e Bahut në lamtumirën e tij. Më kujtohen fjalët e tij kur përfundoi portretin "Çfarë don të vë në sfond?"  "Kuaj!" "Kuaj?! Nuk don një partititurë a pentagramë?" "Më pëlqejnë më shumë kuajt!" Në sfond pikturoi dy kuaj, një i kuq dhe tjetri i bardhë...

Besoj se një nga projektet tuaja të dashura është festivali "Netët e Muzikës Klasike", që organizoni në Durrës nga viti 2003. Si lindi kjo iniciativë dhe në çfarë niveli ka arritur?

Ndryshe nga GISXX, projekti i Bienales së Durrësit është më "familjar", më intim. Mblidhemi mes miqsh për të bërë së bashku muzikë, për të luajtur për një publik ku njihemi të gjithë. Nuk ka gjë më të bukur. Në fund të fundit kjo është esenca e muzikës së dhomës. Mbi këtë natyrshmëri është ngritur edhe ngrehina e Bienales. Janë shtatë netë dedikuar një tematike dhe një periudhe muzikore: Nata e Muzikës Baroke, Klasike, Romantike, Moderne Shqiptare, Konkursi "Yjet e Rinj" dhe Carte Blanche. Çdo koncert shfaqet në ambiente të ndryshme të qytetit si Katedralja Shën Luçia, Muzeu Arkeologjik, Jozef Galery, Teatri "Aleksandër Moisiu", shkolla e muzikës "Jan Kukuzeli" e deri tek një fabrikë e braktisur në rrethinat e qytetit...Janë luajtur vepra madhore të historisë së muzikës, disa prej të cilave vinin për herë të parë në Shqipëri si "Arti i Fuges" i Bahut apo "Historia e ushtarit" e Straviskit. Për çdo edicion porositet një vepër e shkruar enkas për Bienalen, ndërsa fituesi i konkursit të të rinjve ftohet në Spanjë për disa koncerte.

Ju jeni djali i Gjergj Vlashit, shkrimtar, regjisor teatri dhe përkthyes. Çfarë rëndësie ka pasur kjo në formimin tuaj?


Nga im atë mësova, siç thonin grekët e vjetër, se në Republikën e Artit nuk ka perandorë dhe se muzikantin e mirë nuk e bën numri i notave që luan në sekond, por formimi i tij intelektual dhe ndjeshmëria ndaj artit të vërtetë. Këtu ka qënë roli i tij thelbësor; në radhë të parë sepse unë u rrita në shtëpinë me bibliotekën më të madhe të qytetit. Ishin aty të gjithë, që nga klasikët, modernët e deri tek autorët e ndaluar. Po ashtu edhe shumë albume pikture e disqe. Biblioteka ishte një univers magjik, një botë paralele me atë jashtë shtëpisë. Ishte i vetmi shpëtim nga mediokriteti që na rrethonte. Se dyti, im atë, si në një përrallë të Andersenit, me merrte prej dore në këtë rrugë.  Ajo "shëtitje hipnozë", plot dashuri dhe krejt e natyrshme, ishte çelësi sekret i formimit tim; pa dhunë, pa ankth, pa tepri e për pasojë pa drama.

Mendimi juaj për iniciativën e AE-së?


Më duket një projekt i mrekullueshëm dhe i nevojshëm. Ndihesh shumë mirë kur të vlerësojnë në vendin tënd. Ne që jetojmë e punojmë jashtë Shqipërisë e ndjejmë veten të huaj dy herë: një herë kur ikim dhe një herë kur kthehemi. Kur ikim sepse shkojmë në një vend tjetër, në një realitet ndryshe. Kur kthehemi sepse as ne nuk jemi ata që ishim dhe as vendi ai që lamë. Iniciativa AE e bën më të lehtë pjesën e dytë. Mendoj se 100 personazhe janë pak. Ka shumë e shumë të tjerë që punojnë në Perëndim dhe që nderojnë Shqipërinë në heshtje, pa zhurmë, pa bujë, duke ulur kokën e duke punuar nga mëngjesi deri në mbrëmje, qoftë në një teatër, në një fabrikë apo në një furrë buke. Intuita më thotë se shumica e shqiptarëve kanë diçka nga "sindroma e Skënderbeut" mbrojnë kështjellën nga jashtë.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PASAPORTA E ORIANA KURTESHIT ËSHTË CURRICULUM VITAE E SAJ- Në një intervistë eskluzive, sopranoja e njohur shqiptare tregon projektet për vitin 2014- (02.10.2014)
AKTIVI I LDK NË STARNBERG - SHEMBULL UNIK AKTIVI I IBRAHIM RUGOVËSNga IDRIZ ZEQIRAJ (02.08.2014)
SUEDI - GRUPI I NJË SHQIPTAREJE SYNON EUROVIZIONIN (02.03.2014)
TË QENIT NË MËRGIM TË OFRON NJË ARMË TË FORTË, SEPSE ATËHERE VENDIN KU U LINDE E VAJTON DHE GJYKON MË OBJEKTIVISHT-thotë poeti dhe mërgimtari elbasanas me qëndrim në Holandë Rezart PalluqiIntervistoi: SOKOL DEMAKU (02.02.2014)
REPUBLIKANËT NË KONGRES DISKUTOJNË MBI REFORMËN E EMIGRACIONIT (01.31.2014)
ANITA LATIFI - KONKURENTE E FOTË NË 'DEUTSCHLAND SUCHT DEN SUPERSTAR' (01.28.2014)
PËRUROHET NUMRI I RI I REVISTËS 'PEGASI'Revista përgatitet nga një redaksi e emigrantëve shqiptarë, në AthinëReportazh nga MURAT GECAJ (01.26.2014)
IBRAHIM MAKOLLI - PAVARËSISHT SE NE, SI KOMB, JEMI TË NDARË NË DISA SHTETE, MËRGATA SHQIPTARE KA QENË E DO TË JETË NJË MËRGATË SHQIPTAREBashkëbisedoi: AJET NURO (01.25.2014)
ETLEVA NALLBANI - ARKEOLOGIA SHQIPTARE NË AKADEMINË FRANCEZENga LUAN RAMA, studiues (01.23.2014)
KRYESIA E LDK NË ZVICËR ORGANIZON TUBIMIN PËRKUJTIMOR KUSHTUAR TETËVJETORIT TË NDARJES NGA JETA TË PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVA (01.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]