VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Jeta e emigrantit - sinonim i mbijetesës së vështirë

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 03:14pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
Jeta e emigrantit - sinonim i mbijetesës së vështirë
E Shtunë, 11.07.2009, 09:07am (GMT+1)

 

 

 

 

Jeta e emigrantit është sinonimi i mbijetesës së vështirë. Kështu ndodh edhe me emigrantin shqiptar Agim Basha, të mërguar që në vitin 1997. Arsimtar në Shqipëri, punëtor ndërtimi në Greqi. Në rrëfimin e tij, ndërkohë, në bisedën me korrespondentin tonë në Athinë Niko Anagnosti, Basha shprehet i përmalluar për atdheun por edhe optimist për jetën duke parë nga e ardhmja dhe integrimi në shoqërinë ku jeton.

 

Historia e tij, edhe pse pa elementin dramatik, me natyrshmerinë që e tregon me fytyrën e tij prej babaxhani, është gjithsesi pjesë e historisë së imigracionit shqiptar. Një siguri të tillë sikur përcillte gjatë gjithë rrëfimit të  tij, që nga prezantimi i shkurtër fillestar, në zyrat e gazetës "Tribuna" të imigracionit shqiptar:

"Agim Basha, nga Lekdushi i Kurveleshit". Por ç'erë e solli në Greqi?

 

"Unë kam ardhur në vitin 1997 në Greqi. Lashë vendin, pa e dëshiruar një gjë të tillë. Ishte një vit i trazuar, një vit i zi i rebelimit. Më nxiti që të ikja, se nuk doja të bëhesha edhe unë pjesë e atij trazimi. Ika me mendimin që të stabilizohesha përkohësisht në Greqi, me të parë e më të bërë, ashtu si të gjithë që ikën nga Shqipëria".

Në Greqi e priste fati i vështirë i mbijetesës. Iu desh të harronte punën e arsimtarit të gjuhë-letërsisë dhe më vonë të gazetarit në vendin e tij dhe t'i hynte ndërtimit ku punoi si punëtor, karpantier në ndërtime banesash, por edhe veprash, si trami i Athinës dhe tani së fundi si ndihmës-topograf.

"Fillimisht punova në ndërtim, ashtu siç bëmë të gjithë".

 

Punët e vështira për mbijetesë, siç tregojnë edhe duart e tij të argasura, jo vetëm që nuk i lanë asnjë fije pezmatimi për kalvarin e përditshëm të mërgimtarit, por nuk munden t'i zbehin aspak edhe optimizmin për jetën. "Jeta jonë tani është normale. Jemi integruar në jetën këtu. Punoj normalisht edhe unë edhe bashkëshortja ime. Kemi fëmijët që po rriten, janë nëpër shkolla, nëpër kurse. Jemi të detyruar që t'i mbështesim për të ardhmen e tyre".

 

Akoma edhe orët dhe ditët e pafundme nëpër sportelet e legalizimit, makthi  i furgoneve policore të deportimit dhe sidomos përçmimi dhe fobia ndaj të huajit dhe imigrantit "kriminel", që i provoi edhe ai në kurriz,  nuk munden të helmojnë shpirtin e tij. "Fenomenet e racizmit natyrisht që i kemi ndjerë, po kështu edhe represionin e policisë. Kam disa raste që më kanë kapur dhe kontrolluar për dokumenta. Shkak ishte burokracia dhe jo neglizhenca ime. Unë dhe familja ime kemi vendosur që të jemi korrekt me ligjet, me normat se në këtë shoqëri jetojmë. Kjo ka qenë shtysa ime".

 

Duke preferuar të tregojë  më shumë anën e ndriçuar dhe jo të errët të jetës së tij në emigracion, flet për solidaritet dhe miq të shumtë. "Nuk do ta kuptoja dot veten në qoftë se nuk do të kisha miq. Janë poetë, janë gazetarë, janë njerëz me nivel kulturor. Në vitin 2004 e pësova aksidentin, në dërtimin e tramit. Gjeta menjëherë përkrahjen e ndërmarrjes. Nuk besoja se do të më jepej".

 

Fjalët e tij japin shkas që t'i kujtojmë thënien e Papandreut këto ditë në Forumin Botëror të Athinës për Migracionin, që sipas tij duhet të jetë një "shkollë" për të gjithë ku popujt njohin njëri-tjetrin.

 

"Është e vërtetë kjo. Për zotin Papandreu duhet të flas me respekt se është nga ata politikanë që ka sjellë risi jo vetëm në politikën greke por edhe në atë evropiane. I trazoi vërtet ujrat e politikës greke," thotë për premtimet e tij për të drejtën e votës dhe nënshtetësisë për fëmijët e brezit të dytë. Për Raikristin, djalin e tij të madh 14 vjeç dhe të voglin Marinon 9 vjeç.

"Janë plotësisht të integruar. Miqtë i kanë këtu, se kanë ardhur shumë të vegjël. I vogli ka lindur këtu. E njohin gjuhën greke me themel, unë ndikoj që të mësojnë gjuhën shqipe". 

Biseda shkon kështu vetvetiu dhe të ajo "Shqipëria e vogël" që Agimi mbart me vete si gjenë më të çmuar.

"Gjithnjë mbartim më vete një copë atdhe, një copë Shqipëri" . Por aq, siç plotëson me mençuri, që të mos e pengojë "për të ecur përpara,  se kemi edhe një atdhe të dytë këtu".

Në këtë moment nxjerr nga çante e tij alpine dy libra, dy vëllimet e tij poetike "Ekuinoksi i dhimbjes" dhe  "Je në rrëfimin tim" dhe lexon për dëgjuesin tonë vargjet kuptimplote të vjershës "Në kufi":

"...Në kufi drita zbardh njëlloj/por s'di pastaj nëse hyj a dal.../si fundi i një kapitulli që mbyllet/me "vijon"/ylberët, grindja e mërzisë, kufiri që pritet,/brenga pse iki, rrijnë/në skaj...".

Një emigrant, që përgjërimi për atdheun nuk e pengon të shkikojë nga e ardhmja dhe që fjala "integrim", ashtu si mbijetesa e vështirë nuk e tremb, por e bën të shikojë me optimizëm nga e ardhmja.

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Publikohet strategjia kombëtare për parandalimin e emigracionit ilegal (11.04.2009)
Kryetari i Degës së LDD në Nju Jork ka dhënë dorëheqje të parevokueshme (11.02.2009)
Përurohet libri i personalitetit të shquar Lekë Gojçaj (11.01.2009)
Berna emëron Drejtorin e ri të Zyrës së Emigracionit (10.30.2009)
Greqia jo më një vend tmerri për emigrantëtNga Shpëtim Zinxhirija (10.27.2009)
Shoqata "Scanderbeg" në Parma dhe nisja e mësimeve të gjuhës shqipeNga Anila Kadija, Itali (10.25.2009)
Evropa e Lirë: Pse emigrojnë kosovarët? (10.24.2009)
Arbneshi i Zarës, fshati i shqiptarëve të Kroacisë ku jetohet si në 1400Nga Dr. Musa Ahmeti (10.21.2009)
Vajza shqiptare lufton me grabitësin në banesë, ia dorëzon policisë (10.16.2009)
Të bëhemi njësh për ta mbrojtur dinjitetin e shqiptarit dhe të figurave tona të shquara si Ismail KadareNga Alfred Papuçiu (10.14.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]