VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË VËSHTRIM MBI TË FOLMEN SHQIPE NË ZVICËR

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 03:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
NJË VËSHTRIM MBI TË FOLMEN SHQIPE NË ZVICËR
E Djelë, 03.15.2009, 08:47am (GMT+1)

Nga Nexhmije MEHMETAJ

 

Ngulimi i shqiptarëve në Zvicër është themeluar, në valë të ndryshme, në një hark kohor që kap mbi 40 vjet. Dihet se në Zvicër banojnë disa grupe të popullsisë shqiptare: Shqiptarët nga Shqipëria, shqiptarët nga Kosova, shqiptarët nga viset shqiptare në Maqedoni, shqiptarët nga Kosova Lindore, shqiptarët nga viset shqiptare në Malin e Zi. Pra vendi prej nga janë dyndur shqiptarët janë më shumë nga Kosova. Deri në vitet '90 të shekullit që lëmë pas vlerësohet se në Zvicër nuk kishte më shumë se 120 mijë shqiptar, kurse sot mendohet se janë rreth 200 mijë shqiptarë. Numri i madh i mërgimtarëve kanë përtëritur dhe shtuar dukshëm elementin shqiptar e gjuhën shqipe në Zvicër. Krahas kësaj shtrohen pyetjet që i përkasin një trajtimi kryesisht sociolinguistikë.                                                                                                                                                   

1. Kush flet shqip në Zvicër, cila është gjendja e sotme gjuhësore e tyre dhe a ka shqiptarë që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë as njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës ?                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                            

2. Kur flitet shqip dhe kur frëngjisht nga shqiptarët e Zvicrës?

3. Në ngulimet shqiptare në Zvicër a ka dygjuhësi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve do të mbështetemi në gjykimin tonë të formuar nëpërmjet kërkimeve dhe anketimeve rreth të folmeve shqipe në kantonin Jura të Zvicrës . Kërkime të pjesshme e, sidomos, plotësime të materialeve e verifikime kam bërë disa herë edhe gjatë periudhës dy vjeçare 1995/ 97, duke mbledhur nga nxënësit fjali me përzierje shqip frëngjisht.

Ana tjetër shumë e rëndësishme për njohjen e situatës gjuhësore të shqiptarëve të Zvicrës është bërë në kuadër të një ankete në vitin 2005 nëpër fshatrat dhe qytetet në Jura. Tani së fundi kërkimet e bëra përmes informatorëve shqiptarë rreth problemeve të bilinguizmit të mërgimtarëve.                                                                                                                                                         

 

1. Kush flet shqip në Zvicër, cila është gjendja e sotme gjuhësore e tyre dhe a ka shqiptarë që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë as njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës ?

Pyetja e parë, që shtruam më lart, lidhet me zanafillën e numrin e ngulimeve shqiptare të Zvicrës, me kohën e vendin e shpërnguljes së tyre, si dhe me numrin e sotëm të banorëve të këtij komuniteti. Sipas të dhënave më të fundit të studiuesit të shquar zviceran Prof Dr Basil Shaderit popullsia shqiptare në Zvicër përfshin nja 160'000 175'000 njerëz (Basil Shader, Shënime statistikore dhe historike për mërgimin shqiptar në Zvicër, faqe 25). Në shkrimet e vetë shqiptarëve ky numër na del më i madh. Është vështirë për t'u përcaktuar me saktësi numri i shqiptarëve në Zvicër, dokumentet heshtin në këtë pikë. Porse dihet prejardhja e tyre nga vende të caktuara shqiptare. Mendimi i përgjithshëm i studiuesve është se nuk ka qytet as fshat në Zvicër që nuk ka shqiptar.  Shqiptarët që sot jetojnë në Zvicër kanë mbetur të lidhur fort me atdheun, nuk i këpusin lidhjet shpirtërore me vendlindjen e tyre. Është e kuptueshme, prandaj, pse ata nuk i fillojnë herët përpjekjet për një jetë më të organizuara politike dhe kulturore në mërgim. Deceniet e para janë kohë e zgjimit të kërshërisë politike, shënojnë, po ashtu interesimin e tyre të shtuar për atdheun e robëruar, vihet në shërbimin e lidhjes kombëtare dhe të çlirimit të shqiptarëve prej pushtuesve shekullorë. Aktiviteti politik, kulturor dhe arsimor i shqiptarëve, ndërkaq, do të marrë hov mbas çlirimit të vendit, Kosovës. Kështu diaspora e Zvicrës ka rëndësi për gazetarinë shqiptare edhe të shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe por nuk mungon edhe zhvillimi i letërsisë. Të folmet shqipe të shqiptarëve në Zvicër përbëjnë një grup të folmesh, mjaft të afërt me njëra tjetrën, por tiparet kryesore  janë ato të gegërishtes, kryesisht me gegërishten veriore dhe veriore- perëndimore.                                                                                                                                                           Proceset migruese e kanë ndryshuar dukshëm strukturën demografike të mërgimeve tradicionale shqiptare. Një numër i mirë shkrimtarësh, mësuesish dhe veprimtarësh shqiptarë njohin, zotërojnë dhe, sipas rastit, përdorin me shkrim ose me gojë edhe gjuhën letrare shqipe.  Gazetat dhe revistat e tyre, që tani janë gjithnjë e më të shpeshta, ushtrojnë një ndikim të dukshëm në jetën politike, kulturore, shkencore, por edhe letrare të shqiptarëve.  Shqipja e diasporës shqiptare në Zvicër është kryesisht një idiomë e folur, e mësuar dhe e shkruar në shkollat e vendlindjes. Kurse te brezi i dytë i mërgimtarëve shqipja është kryesisht idiomë e folur, e mësuar nëpërmjet rrethit  familjar, në shtëpi. Dhe vetëm një numër i vogël nxënësish vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Të gjitha këto tregojnë se shqipja vijon të jetë një gjuhë kulture e folur dhe e shkruar, tri gazeta shqipe dalin dhe botohen prej shqiptareve në Zvicër. Kultura shqiptare është një element konstituiv i bashkësive të sotme shumë kulturore të Zvicrës në gji të së cilës po integrohen shqiptarët.                                                                                                                            Pavarësisht kësaj në mjedisin zviceran , gjuha shqipe tek shqiptarët e Zvicrës vijon të jetë vetëm gjuhë e vatrës, e familjes, ndonjë herë rrallë edhe e punës ( është fjala për firmat e vogla shqiptare ku janë të punësuar pjesëtarët e të njëjtit  komunitetit). Për shembull në firmën "Era " në Cyrih  janë të punësuar 67 shqiptarë etj..                                                                                                   Ã‹shtë rasti të kujtojmë këtu që është vënë re, kontrastet ndërmjet  mërgimtarëve shqiptarë dhe popullsive vendase. Shqiptarët për arsye  të gjuhës  që nuk e kuptonin si dhe për arsye të lidhjes së fortë që ata kishin me zakonet dhe traditat amtare (niveli i ulët arsimor dhe kulturor i pengoi të lidhen me normat e vlefshme shoqërore t'i përvetësojnë e t'i zbatojnë), shqiptarët u dukën si të "pamirë" popullsive autoktone zvicerane, që nuk munguan edhe shkrimet tendencioze ndaj shqiptarëve. Takimi e afrimi shoqëror midis dy grupeve, nga të cilat është i kushtëzuar kontakti gjuhësor, erdhi më vonë.                                                                                                                  E megjithatë këta ardhës nga Kosova apo vise tjera shqiptare, dalëngadalë po pësojnë njërën nga këto dy fate: Një pjesë po " treten " duke harruar gjuhën shqipe, një tjetër, pavarësisht nga pësimet arritën të krijonin pak a shumë qendrat e tyre  kompakte shqiptare dhe shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.                                                                                                                                              

Deri para disa vjetësh, një numër i madh  mërgimtarësh shqiptarë në Zvicër nuk dinin të shkruajnë e të lexojnë as shqip e as njërën nga gjuhët e shtetit përkatës. Ata nuk dinin të flisnin ndryshe përveç shqip. Shqiptarët që kishin vuajtur nën shtypjen më të madhe sllave  edhe nga ana gjuhësore dhe izolimin e tyre  të njohur kishte ndikuar edhe në vlerat e tyre kulturore dhe shoqërore. Gjuha është njëra nga shfaqjet kryesore të jetës së një populli. Është thënë shumë herë  edhe me të drejtë se historia e gjuhës është njëkohësisht historia e popullit që e ka folur dhe e flet. Gjuha është bashkudhëtare me popullin që e flet nëpër të gjitha rrugët dhe dallgët e historisë. E historia e gjuhës është edhe historia e vet atij populli që ka folur dhe e flet. (Gj. Shkurtaj, Gjebilinguizmi shqiptaro-sllav, f.195).                                                                                                                                     Për ta mësuar një gjuhë të huaj duhet ditur së pari gjuhën amtare, mërgimtarët  duke mos e ditur mirë as gjuhën shqipe nuk arritën dot ta mësojnë një gjuhë tjetër. Brezi parë i mërgimtarëve i paarsimuar kanë mbetur po ata që kanë qenë. Kjo situatë ia vonoj diasporës shqiptare përparimin dhe integrimin në rrjedhat e kulturës zvicerane, por ndihmonte dukshëm mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe.  Duke u hedhur në një vështrim të këtillë , e rrugës do të ishte sikur t'i hidhej një sy edhe së kaluarës historike të shqiptarëve të Zvicrës. Ndarja e shqiptarëve dhe e etnisë së tyre në dy shtete, në njërin prej të cilëve shqipja (në ish Jugosllavi) nuk e gëzon statusin e gjuhës së shtetit, e për pasojë i është shtruar një trysnie shumë intensive sllave i ka vështirësuar proceset e natyrshme evropiane me kufizime të jashtme po edhe me rritjen e nevojave për mbrojtje nga rrezikimi i thelbit. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë para se të vinin në Zvicër ata ishin kryesisht dygjuhësh shqip- serbisht, shqip- maqedonisht: d.m.th. krahas shqipes ata flitnin edhe serbishten apo maqedonishten. Në Zvicër  krahas këtyre mësojnë edhe frëngjishten apo gjermanishten njërën nga gjuhët zyrtare të vendit përkatës, varësisht ku janë të punësuar dhe të sistemuar përfundimisht.                                                                                                                                             

Megjithatë, ne theksojmë se njëgjuhësh vetëm shqipfolës ka, mund të përcaktohen si         njëgjuhësh këto shtresa e grupe shqiptarësh: analfabetet e moshuar, në ketë shtresë, duhet të themi, kanë qenë gratë ato që nuk kishin kontakte me frëngjishten, prandaj mbeten               njëgjuhësh vetëm shqipfolës. Në vijim, mund të përmendim,  ndër të tjera njëgjuhësh, vetëm shqipfolës, janë edhe një pjesë e mirë e fëmijëve shqiptar, derisa hyn në shkollë është          njëgjuhësh: ai flet vetëm shqipen e mësuar nga prindërit.                                                                                Por me gjithë shkallën përherë në rritje të degradimit nën ndikimin e gjuhës së mjedisit të huaj, shqipja mbetet ende mjeti i parë i komunikimit në ngulimet shqiptare shqipfolëse. Struktura demografike shqiptare është masive  dhe shqipja dëgjohet kudo, në sheshe, në rrugë, në dyqane shpesh mendon se je diku në vendlindje.                                                                                                                                                                      

Tani, sidomos këtë dhjetëvjeçarin e fundit, gjendja gjuhësore ka ndryshuar. Frëngjishtja mësohet më mirë nga shqiptarët, kurse për shqipen as që mund të shpresohet. Nder

mërgimtarët shqipfolës të nxënit e gjuhëve përkatëse fillon që nga kopshtet shkollore.         Këta janë kryesisht brezi i tretë i mërgimtarëve të  cilët do të jenë më të përgatitur për shkollë.                                                                                                                                                                           Faktorëve të mësipërm u duhet shtuar edhe një tjetër dukuri. Ka disa vite, ku më shumë e ku më pak, në diasporën  shqiptare po shtohet numri i familjeve që, edhe pse nuk janë të përziera, enkas, u imponojnë fëmijëve të flasin vetëm frëngjisht, pa u interesuar fare për gjuhën shqipe.                                                                                                                                                                                        

 

2. Kur flitet shqip dhe kur frëngjisht nga shqiptarët e Zvicrës?                                                                   

Banorët shqiptarë të Zvicrës  kanë prejardhje të ndryshme. Ata i gjen të grumbulluar në fshatra të tërë dhe lagje të veçanta të qyteteve të mëdha, po edhe të shpërndarë në tërë Zvicrën.  Familja shqiptare është mjedisi më i përshtatshëm për ruajtjen e shqipes, kurse shkolla ku mësohet vetëm frëngjishtja apo gjermanishtja përbën një mjedis ku ushtrohet dhe kultivohet një tjetër model gjuhësor, ai i frëngjishtes zyrtare. Ndërsa gjuha frënge realizohet si gjuhë në të katër funksionet gjuhësore themelore: dëgjim dhe lexim, të shprehjes: gjuhë e folur, gjuhë e shkruar, shqipja ushtrohet vetëm gojarisht . Edukimi njëgjuhësh, në mënyrën se si ushtrohet në shkollën publike midis pakicave gjuhësore, nuk bën tjetër veçse t'i nënshtrojë një strukturë gjuhësore tashmë të formuar në vitet e para të jetës, një tjetre, të imponuar nga sistemi shkollor, pa marrë parasysh të parën. Kapërcimi i kësaj vështirësie në bashkësitë shqipfolëse është i mundshëm vetëm nëse praktikohet mësimi dygjuhësh, d.m.th, nëse përdoren të dy gjuhët.                                                                                                                                 Një ndikim të fuqishëm në ruajtjen e shqipes ushtron edhe forma e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Vite me radhë  LAPSH-i në Zvicër ka bërë përpjekje që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë ta mësojnë gjuhën amtare. Hullia e tradita e shkrimit të gjuhës amtare, shqipes jo në përmasa të kënaqshme për shkak se kanë munguar kushtet e favorshme,(institucionale)  vijon edhe tani. I vetmi mjet kundër asimilimit është mësimi i gjuhës shqipe: që çdo shqiptar të bëhet një dygjuhësh i përsosur. Krahas gjuhës dhe kulturës zvicerane ai duhet të zotërojë në masë e nivel të barabartë edhe gjuhën e kulturën shqiptare.                                                                                                                                                           Pas çlirimit të Kosovës, mësuesit dhe prindërit shqiptarë i drejtuan sytë dhe shpresat kah Kosova, për t'i ndihmuar që mësimi i shqipes të merr kahe institucionale, por, kot deri sot nuk u realizua asgjë, përveç plan programit.                                                                                                                                                  Natyrisht që gjendja po ndryshon në rrjedhë të kohës, duke vërejtur dy faza të ndryshme nga njëra tjera:  Në fazën e parë, që i përket periudhës së shkuar, që te mërgimtarët duken shenjat e dy gjuhësisë : shqip- frëngjisht duke qenë shqipja ende në pozicionin zotërues dhe me marrëdhënie të pakta me popullsinë anase.                                                                                                   Faza e dytë pas vitit 2000, me shtimin e komunikimit  si dhe me njëfarë përmirësimi të kushteve ekonomike e kulturore, ngulimet shqiptare zunë të hapeshin më shumë në marrëdhëniet e shkëmbimit me qendrat zvicerane. Frëngjishtja filloj të bëhet gjuhë e folur dhe shqipja në bjerrje e sipër.  Duam apo nuk duam, shqipja sot në diasporën shqiptare në Zvicër është kudo një gjuhë që po humbet që në brezin e dytë. 

 

3. Në diasporën shqiptare në Zvicër a ka dygjuhësi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

Një studim i të folmeve shqipe të Zvicrës në gjendjen e tyre të sotme nuk mund të jetë i plotë, pa një njohje të thelluar të proceseve të dygjuhësisë. Do të kujtojmë këtu edhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhën frënge si gjuhë në kontakt. Takimi dhe bashkëjetesa shumëvjeçare me gjuhët e mjedisit ku u vendosen shqiptarët në Zvicër po lënë gjurmë të thella edhe në të folmet e tyre. Për këtë na dëshmojnë huazimet leksikore të frëngjishtes  në të folmet shqipe të Zvicrës.  Ndikimi i një gjuhe në tjetrën është një fenomen shoqëror, një pasojë e pashmangshme e takimeve në mes të dy bashkësive që nuk flasin gjuhë të njëjtë."Ai është i lidhur medoemos me prestigjin që gëzon gjuha ose populli i cili e flet atë , ose me urrejtjen që shfaqet ndaj njërit apo tjetrit . Më së shpeshti ky është një fenomen reciprok; por në rastin tonë konkret kemi të bëjmë me një gjuhë të prestigjit më të lartë siç është frëngjishtja në krahasim me shqipen e cila, deri më 1908 s'kishte alfabet definitiv të njësuar.                                                                                                                                                                                   Në qoftë se para katër dhjetë vjetësh në Zvicër  kishte mërgimtarë që dinin vetëm shqipen (pra, ishin vetëm një gjuhësh shqipfolës ), sot pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare di mirë frëngjishten dhe përherë e më keq shqipen.  Në ditët tona, shqiptarët, së paku nga mosha tridhjetë vjeç e poshtë, kanë mësuar në shkolla të shkruajnë e të lexojnë frëngjishten, por janë të paktë ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë edhe shqip, prandaj edhe dygjuhësia e tyre është "kurrë fare".  Dygjuhësia frëngjisht shqip tani është normë për të gjitha grupet sipas moshës, por ka shumë situata kur folësit e vjetër përdorin shqipen, ndërsa folësit e rinj frëngjishten. Duket sikur shqiptarët më të vjetër përdorin shqipen për shumicën e qëllimeve, përveç për ato më formalet. Folësit e moshës mesatare dhe të rriturit e rinj favorizojnë bukur shumë transferimin e kodit varësisht nga faktorët siç janë formaliteti, vendi, objekti, prania e të jashtmëve dhe aftësia gjuhësore e bashkëbiseduesve.                                                          Varfërimi i vazhdueshëm i leksikut të shqipes sigurisht, bën që dygjuhësia frëngjisht shqip brezi i ri të jetë e çalë,  kështu që, edhe fushat e përdorimit të tyre vijnë duke u ndarë e duke u dalluar: shqiptarët flasin shqip në shtëpi, në festa tradicionale, por në disa raste edhe në punë, kur është e vështirë të shprehen në gjuhën shqipe, përdorin frëngjishten. Për herë e më të shpeshta janë situatat dhe rastet e bisedave të përziera shqip dhe frëngjisht.                                                                                                                                                                                                                                                                                            Ditë për ditë po shtohen martesat e përziera: djemtë shqiptarë po martohen me vajza zvicerane ( nder 84 nxënës të mësimit plotësues të gjuhës shqipe 8 fëmijë janë me prindër të përzier )  por numërohen në gishta martesat e vajzave shqiptare me djem zviceran. Kështu, dalëngadalë, krahas dygjuhësisë shqip- frëngjisht që vinte vetëm nëpërmjet shkollës dhe medieve gjithnjë po thellohet edhe dy gjuhësia frëngjisht shqip. Në rastet kur zënë martesat e përziera, burrat shqiptar tërhiqen krejtësisht nga shoqëria shqiptare. Ndërsa gratë zvicerane të cilat kanë lidhje martesore me burra shqiptarë kohëve të fundit janë më tepër të interesuara që tek fëmijët e tyre të ruhet dygjuhësia frëngjisht- shqip.  

Vjen fjala a krijohet dygjuhësia me mësimin plotësues? Nga përvoja ime mund të themi se  nxënësit të cilët kanë arritur në shkollime të mesme gjimnaze apo tjera dhe që kanë vijuar mësimin plotësues të gjuhës shqipe janë edhe dy gjuhës. Në përgatitjen e temës  së  maturës ata përdorin edhe literaturë shqipe do të thotë kanë njohuri të mira të gjuhës amtare që i bëjnë të jenë ata dy gjuhësor të mirë, disave që u kam dhënë edhe vetë intervista në shqip, pyetjet që m'i kanë parashtruar në shqip me shkrim apo me gojë ( që kishin të bëjnë me kulturën shqiptare apo shqiptarët në Zvicër)  pa vështirësi i kanë përkthyer në frëngjisht duke i  futur në temat e maturës si të tilla.  Por duhet të shtojmë se jo të gjithë nxënësit e kanë këtë aftësi dy gjuhësore. Kur shtrojmë këtë problem, kemi parasysh edukatën gjuhësore të fëmijëve në moshat e vogla. Edukata gjuhësore në  moshën shtatë veç shprehia e të folurit merr trajta pak a shumë të plota. Përvetësimi i rregullave të drejtshkrimit dhe mësimi i gjuhës letrare është një nga problemet e para që hasim në procesin mësimor të gjuhës shqipe. Një numër i fëmijëve që vijnë në mësimin plotësues kanë shumë të meta në shqiptimin e fjalëve, në përvetësimin e fjalëve si njësi të plota të të folurit, në përdorimin e trajtave gramatikore shqipe etj. Kjo gjendje e keqe gjuhësore e fëmijëve lidhet me dy faktor; të folmet krahinore në familje, shqiptimi i shtrembër nga të tjerët si dhe mungesa e mësimit institucional arsimor në kopshte shkollore, mësimi nuk zhvillohet në gjuhën amtare ku do të mësohej gjuha me program mësimor institucional. Edukata gjuhësore e brezit të ri, përcaktohet nga drejtshqiptimi në të folur në komunikimin me fëmijën pikërisht në fazat më të hershme. Edhe në diktime  gabimet e nxënësve janë kryesisht të karakterit fonetik, mospërputhja e shqiptimit me grafinë.  Pra ndikimet fonetike dialektore e krahinore janë pengesë serioze në sistemin tonë mësimor për përvetësimin e gjuhës letrare në përgjithësi. Zgjidhja e këtij problemi nuk mund të arrihet vetëm përmes mësimit një javor të gjuhës amtare. Në mësimin e gjuhës shqipe problem në vete paraqesin disa tinguj dallues që nuk i ka frëngjishtja  si: c, ç, dh, gj, ll, q, rr, th, x, xh.  Një numër  nxënësish edhe pas mbarimit të shkollës së mësimit plotësues nuk arrin  drejt shqiptimin e as drejtshkrimin e këtyre tingujve.  Mbetet të bëhen studime të mirëfillta gjuhësore në ketë drejtim.                                                                                                                                                                  Në anën tjetër, asnjë përkthyes i denjë nuk ka arritur të përkthejë së paku një libër nga letërsia shqipe në frëngjisht a gjermanisht apo anasjelltas. Vlen të përmendet studiuesi Driton Kajtazi që ka përkthyer në shqip antologjinë "Hënore e Zvicrës".   Do të përmendim edhe mësuesit në diasporë janë të rrallë ata që kanë arritur ta përkthejnë bile një përrallë në gjuhët e vendit përkatës, kjo për shkak të njohurive të dobëta të gjuhëve të huaja.

 

Courgenay, 14.03 2009                                                                Nexhmije Mehmetaj

Nexhmije Mehmetaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Ëmbëlsia e trishtimit berlinez (03.13.2009)
Shuhet "Dielli" (1909-2009) (03.10.2009)
La Repubblica: Shqiptarët në Itali të mrekullueshëm (03.08.2009)
Në projektin "Kamishibai" është përfshirë edhe letërsia shqipe për fëmije - Nga Nexhmije MEHMETAJ, Mësuese në Jura-Zvicër (02.28.2009)
ASHA në Uashington feston njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës (02.22.2009)
Sonte manifestim në Shtutgard për pavarësinë e Kosovës të pritur me shekuj (02.21.2009)
Arbëreshi Pino Kakoca nderohet me Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Krijimtarinë 2009 (02.20.2009)
25 vjetori i vdekjes së fotografit të madh shqiptaroamerikan Gjon Mili Nga Besim Fusha (02.15.2009)
Në Gjermani një matematikan i talentuar nga Kosova (02.07.2009)
Kryeministri Berisha takohet me diasporën e Amerikës (02.05.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]