Në fund u bë një marrëveshje mes palëve: Tre vjet e gjysmë dhe katër
vjet e tre muaj heqje lirie duhet të vuajnë dënim burrat nga Siçilia,
kështu vendosi Gjykata e Rrethit në Këln (09.04.2014). Lënda penale:
Mbështetje për evazion fiskal dhe privim nga paga e punës. Katër të
akuzuarit, që e kanë pranuar akuzën, kanë mashtruar shtetin gjerman dhe
arkat e sigurimit social duke përfituar një shumë prej gjashtë milionë
eurosh. Me ndihmën e 14 firmave fiktive u janë paraqitur fatura
falso sipërmarrjeve të tjera të ndërtimit. Këto të fundit faturat
fiktive ia kanë paraqitur zyrës së tatimeve për të paguar kësisoj më pak
taksa.
Interesi i medias për vendimin
në këtë proces ishte mjaft i madh, sepse pas marifeteve të të të
akuzuarve mendohet të ketë një sistem - pra sistemin e mafies. Ndaj ky
rast kishte marrë edhe emrin si procesi i "mafies së ndërtimit". Por nga
këndvështrimi i drejtësisë ky supozim nuk qëndron, thotë për DW
zëdhënësi i Gjykatës së Rrethit në Këln, Achim Hengstenberg. Nuk mundi
të gjendet një lidhje me mafien. Madje në proces nuk kanë luajtur rol as
"veprime të tjera", që rëndom janë tipike për mafien, thotë
Hengstenberg.
Gjykata e Rrethit në Këln
"Në fakt është zhgënjyese që është konstruktuar një sistem
i tërë firmash fiktive dhe në fund jepen dënime kaq të buta", thotë për
DW Anna Neifer, gazetare dhe bashkëautore e dokumentarit të ARD-së
"Kujdes mafia - Si e kërcënojnë bandat kriminale Gjermaninë". Për
realizimin e filmit dokumentar, ajo ka xhiruar dhe hulumtuar intesivisht
edhe lidhur me procesin në Këln. "Sipas dokumenteve, që ne kemi
verifikuar, ka mjaft të dhëna, që disa prej të dënuarve kanë pasur kontakte
me ish-mafiozë." Sidoqoftë, thotë ajo, një vendim të tillë në Këln
pritej. "Ka pasur fare qartë një marrëveshje për ta shkurtuar procesin."
Mafia si problem global
Mafia në Gjermani: Për një kohë të gjatë një gjë e tillë konsiderohej si
e paimagjinueshme. Por kohët kanë ndryshuar, për këtë janë të sigurtë
ekspertët. "Mafia ka kohë që nuk është më një dukuri specifike italiane,
por ndërkohë një problem global dhe ndërkombëtar", vëren André Schulz,
kryetar i Lidhjes Federale të Nëpunësve gjermanë të Kriminalistikës
(BDK). "Nëse për një kohë të gjatë Gjermania shihej si një vend, ku
mafia italiane tërhiqej për të gjetur qetësi, sot ne e dimë, që grupime
të ndryshme mafioze thuajse të patrazuar janë mjaft aktivë në bizneset e
tyre." Fushat e veprimit të tyre sipas BDK-së janë: tregtia me
narkotikë dhe armë, gjithnjë e më intensivisht edhe sektori i ndërtimit,
ai bankar dhe i lojërave të fatit.
"Mafiozët marrin pjesë - të kamufluar si sipërmarrës legalë - në jetën
ekonomike tek ne dhe depërtojnë në sektorin publik, duke aplikuar p.sh.
në tendera kryesisht të sektorit të ndërtimit me oferta dumping, gjë që i
merr frymën konkurrencës së ndershme", thotë Schulz. Zyra e
Kriminalistikës në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, sipas mediave,
posedon një dokument, sipas të cilit mafia italiane përfshihet fort në
sektorin e ndërtimit në Renaninë Veriore - Vestfali. "Nuk ka thuajse
asnjë kantier të madh ndërtimi këtu në vendin tonë, në të cilin të mos
fitojë mafia", citohet nga ky dokument, ekzistencën e të cilit Zyra e
Kriminalisitikës së landit as e pranon dhe as e përgënjeshtron.
Nga një raport sekret i BKA-së mësohet, se në Republikën Federale të
Gjermanisë jetojnë të paktën 460 persona të dyshuar si mafiozë, shkruan
revista Spiegel Online. Prej tyre më shumë se gjysma i përkasin klanit
kalabrez Ndrangheta, 88 Camorra-s nga Napoli, 77 Cosa Nostra-s siçiliane
dhe 14 klaneve të Puljas. Kryetari i degës së BDK në landin e Renanisë
Veriore-Vestfalisë, Sebastian Fiedler, i tha revistës Spiegel, se nuk ka
pothuajse asnjë vend tjetër, në të cilin mafia ta ketë kaq të lehtë sa
në Gjermani.
Mohimi i eksistencës së mafies
"Problemi më i madh lidhur me këtë temë në Gjermani është, se gjermanët
gjithmonë thonë: Ne nuk kemi mafie", thotë gazetari Marko Rösseler, i
cili gjithashtu ka bashkëpunuar për dokumentarin e ARD-së. Rösseler dhe
kolegët e tij kanë investiguar në të dy vendet dhe kanë folur me
prokurorë e hetues. Hulumtimet në Itali kanë ecur ndryshe nga ato në
Gjermani. "Duhet theksuar, se në Itali njerëzit flasin me më shumë
kurajo hapur lidhur me mafien e madje edhe e luftojnë atë, gjë që në
Gjermani nuk ndodh kështu."
Gjermania ua bën të thjeshtë strukturave mafioze, ky është mesazhi i
protagonistëve të dokumentarit. "Në Gjermani mafia mund të veprojë
thuajse e patrazuar", thotë në film Roberto Scarpinato, prokuror i
Palermos. Gazetari Rösseler mendon se përgjegjës është edhe
juridiksioni. Ndërsa në Itali tani mund të arrestohet edhe dikush, që ka
kontakte me organizatat mafioze, në Gjermani mund të mbeten të
pazbuluar madje edhe ata, të cilëve u provohet antarësia në një
organizatë mafioze italiane, thotë autori i dokumentarit. "Mungon një
juridiksion i përshtatshëm", vë në dukje edhe autorja Neifer. Sipas saj
"autoritetet gjermane dhe ato italiane duhet të bashkëpunojnë më fort
midis tyre. dw