VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm (II)Nga Teodor LAÇO

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 12:11am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm (II)

Nga Teodor LAÇO
E Enjte, 11.26.2009, 09:29am (GMT+1)

 

 

 

Brenda strukturave e njerëzve influentë të vendit, po ngjizej dita-ditës koalicioni anti-Putin. Gurin e themelit të këtij koalicioni e vuri Berezovski. Oligarku idhnak e hakmarrës, në maj të 2000-it doli me një letër të hapur për presidentin, ku e akuzonte për uzurpimin e pushtetit, që lidhej me reformën e organizimit të qarqeve federale dhe projektin për reformimin e Këshillit të Federatës. Letra u komentua në fillim si një orvatje e politikanit ambicioz për të rifituar ndikimin e dikurshëm në Kremlin, por shpejt u kuptua se synimi ishte më i madh: destabilizimi i gjendjes së brendshme. Berezovski bëri çmos që të bënte për vete guvernatorët e pakënaqur, por shpejt u pa se ata, secili më vete, llogaritnin lëkurën e tyre. Atëherë ai shpalli formimin e partisë së vet, të oligarkëve e guvernatorëve dhe formoi një media-hollding të fuqishëm me kanalet televizive ORT dhe TV-6, gazetën "Njezavisimaja gazeta" dhe "Komersant", radiostacionin "Majak" etj.

 

Putini hodhi në opozitë kundër vetes, jo vetëm grupin e Berezovskit, që bashkë me ish-sekretarin e KQ-së së PK, Jakovlev dhe 7 autorë të tjerë botuan një pamflet "Adresim te populli", por edhe shumë nga krerët e rajoneve e guvernatorët e fyer prej humbjes së statutit të tyre politik, pas reformës për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës. Berezovski ia doli të rekrutojë edhe disa autoritete të inteligjencës krijuese si Aksjonov, Govoruhin etj., dhe deklaroi krijimin e një lëvizjeje antiautoritariste me emrin "Qytetërimi". Kundërgoditja i dukej Putinit mënyra më e sigurtë për të hequr qafe këtë opozitë të mbarsur deri në fyt me para. Drejtuesi i "Media-Most" Gusinski u arrestua. Gjatë pyetjeve në Prokurori doli se ai kishte marrë nga shteti 1.3 miliardë dollarë kredi dhe nuk kishte shlyer pothuajse asgjë. Më vonë, Gusinskit iu hoq arresti me garant pasurinë dhe "Gazprom-Media" i bleu aksionet e tij me gjithë 25 SMI. Nuk iu shpëtoi sulmeve as Anatoli Cubaisi.

 

Aksionerët e huaj u shprehën kundër planeve të rekonstruktimit të RAO 'JES ROSSII'. Por, oligarku iu rrëshqiti gjithë akuzave dhe përmbushjes së ëndrrës së tij për bashkimin e dy monopoleve më të fuqishme, MPS dhe RAO. Duke komanduar realisht gjithë shpërndarjen e energjisë, i ngriti disa herë tarifat, pa ndonjë investim serioz për modernizimin e tyre. Ai mbeti i paprekur. Thuhej se, qeveria mbyllte sytë për të "edukuar" rusët me konceptin se edhe energjia është një mall dhe për të duhet paguar, jo si më parë kur thuajse nuk paguhej asgjë. Synimi i Putinit për të marrë paketat kontrolluese në shoqëritë e mëdha që ishin privatizuar, u komentua nga Cubajsi si deprivatizim që minon themelet e shtetit, kurse arrestimin e Gusinskit e quajti: "Fillimi i krijimit në Rusi të një shteti gjysmëfashist". Ai u akuzua gjithashtu se kishte shkelur vendimin e Dumës shtetërore që aksionerët e huaj të mos zotëronin më shumë se 25% të paketës, duke iu lënë atyre 33%. Por për këto akuza nuk u bë ndonjë hetim e as ndonjë koment publik. Cubaisi mbetej i paprekur.

 

Një oligark tjetër, Hodorkovski, në kohën e këtyre zhvillimeve, dha një intervistë në një gazetë gjermane ku tha hapur se, investuesit e huaj nuk duhet t'i futin kapitalet e tyre në Rusinë e pastabilizuar ekonomikisht e politikisht. Lideri i partisë SPS, Boris Njemcovi, ndërhyri te Putini për një tryezë të rrumbullakët me oligarkët, për të vendosur rregullat e lojës. Ky pranoi, por tha se takimi mund të bëhej kudo, përveç Kremlinit ku oligarkët nuk do të shkelnin kurrë. Është intrigues fakti që aty nuk vajtën peshkaqenët më të mëdhenj: Gusinski dhe Berezovski si të padëshirueshëm për Kremlinin, por as Abramoviçi e Mamuti i MDM Bank si aleatë të tij. Cubaisi gjeti një arsye "diplomatike", një vizitë pune në Finlandë. Vlerësimet e "tryezës" ishin kontradiktore. Nga njëra anë u tha se nuk do të prekeshin privatizimet e bëra në vitet 1990, nga ana tjetër oligarkët nuk morën asnjë garanci për paprekshmërinë e tyre.

 

Në vitin e parë të presidencës së Putinit, por edhe më vonë, lufta e Putinit me oligarkët pati një karakter joefektiv. Nuk u bë asnjë rishpërndarje e pasurive të zhvatura me metoda banditeske. Numri i tyre erdhi duke u shtuar. Sulmi kishte thjesht karakter psikologjik. E kaluara lihej nën hije, në të sotmen ata duhej të bëheshin ortakë të bindur të shtetit. Sigurisht, nuk mund të kuptohej kuadri pa koka turku. Hodorkovski u dënua, bashkë me falimentimin e "Jukos-t", Berezovski, Gusinski, Potanini u strehuan në Perëndim, por mbetën Abramoviçi, Mamuti, Aveni, Deripaska. Përzgjedhja kishte një kriter të thjeshtë. Ata që shfaqën edhe ambicie politike, kishin hak dajakun. Të tjerët do të mbeteshin aleatë. Kur e pyetën Abramoviçin, pronarin e klubit të futbollit "Çelsi" në Londër, përse ai është aq i mirëpritur në Rusi (në atë kohë madje Putin e kishte emëruar guvernator të Kamcatkës) ai u përgjigj thjesht: "Sepse unë nuk kam ambicie politike!" Një nga arsyet e mbetjes në mesrrugë, i vishet edhe sistemit të korruptuar gjyqësor, dënimeve të papërfillshme të tij. Prokuroria e Zvicrës, bëri diagnozën më të saktë: "Në qoftë se nuk bëhet asnjë proces gjyqësor serioz për ndonjë nga oligarkët, shoqëria do të ketë të drejtë të dyshojë se Putini bën lojë të dyfishtë".

* * *

Dy muaj pas zgjedhjes së tij si president, Putini u gjend në mes të një vorbulle tjetër. Ishte një krizë parlamentare, edhe më e fortë se ajo paszgjedhore e 1999 kur Duma u gjend e paralizuar nga bllokimi i tri partive të djathta, për ndarjen e posteve brenda Parlamentit. Atëherë fitoi Kremlini. Kriza shpërtheu në Dhomën e Sipërme kur më 28 qershor Këshilli i Federatës vuri veton për projektligjin e presidentit. "Për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës", që ishte miratuar nga Duma shtetërore me 317 vota. Rregullat e reja i binin ndesh Kushtetutës, duke ndryshuar rrënjësisht principet e federalizmit. Reforma administrative e Rusisë, dukej se ishte një nga përparësitë kryesore të presidentit të ri. Ai bëri një hap që të hutonte. Në vend të 89 përfaqësuesve të plotfuqishëm të presidentit në subjektet e Federatës (Republika, krahina autonome, rajone etj.) ai vendosi të linte vetëm 7 "guvernatorë" të përgjithshëm, si i pagëzoi shtypi. Njeriu që duhej të garantonte Kushtetutën, e revizionoi atë duke krijuar rajonet federale që nuk parashikoheshin në të. Hapi dukej, nga një pikëpamje tjetër, edhe i rrezikshëm, një paralajmërim recesioni. Që në 1998, një grup politgjeografësh të Departamentit të Shtetit kishin parashikuar që Rusia do të ndahet në 8-10 shtete të pavarura. Disa përpjekje të kësaj natyre ishin dukur që në ditët e shpërbërjes së BRSS. U fol për Republikën e Uraleve, për atë të Siberisë etj. Ky qe një hap që acaronte gjendjen e brendshme. Putini rrezikonte të humbiste mbështetjen e tij politike në rangun rajonal. Por koha e ballafaqimit me nomenklaturat burokratike, ishte më e përshtatshmja që mund të bëhej. Bazës i pëlqente ky centralizim që iu vinte fshesën e madhe shumë organeve e njerëzve të privilegjuar. Veprimet e tij i mbështesnin 57% të të anketuarve. Reforma administrative ishte pjekur prej kohe në Rusi, por mënyra se si e bëri ai, jo vetëm vuri në konflikt dy dhomat e Parlamentit, por hodhi mbi të shumë dyshime se ai synonte të arrinte një pushtet presidencial të pakontrollueshëm. Dukej si një minus i reformës fakti që për çdo njësi territoriale ai emëroi dy përfaqësues të Administratës së tij dhe të mbledhjes ligjvënëse, kinse ata do të merreshin si specialistë me hartimin e ligjeve. Paradoksi ishte se një nëpunës i emëruar merrte kështu më shumë peshë sesa një deputet i zgjedhur. U bënë veprime për t'i frenuar këto hapa, duke kujtuar madje edhe vitin 1993 kur Jelcini shpërndau Sovjetin Suprem. Por tanimë, i vendosur për ta çuar lojën deri në fund, Putini guxonte të kritikonte publikisht politikën e viteve të fundit të "atit" të tij, gjë që lajmëronte shkëputjen e plotë nga ndikimi dhe urdhrat e "familjes" rreth Jelcinit.

 

Por edhe media, pushteti i katërt në duart e oligarkëve, ishte një nga rreziqet e shthurjes së shpejtë të pushtetit të tij. Ja sepse, me iniciativën e Këshillit të Sigurimit, këtë herë, iu vu hartimit të "Dokrinës së informacionit të sigurisë së Federatës Ruse". Sipas saj, pushteti dhe masmedia duhej të vendosnin midis tyre rregullat e lojës, të merrnin përsipër detyrime të dyanshme dhe t'i respektonin ato. Ky dokument, në pikat e tij kryesore, është me interes të njihet për të kuptuar shkallën e lirisë së shtypit dhe pleksjen e tij me interesat e shtetit, më troç me qeverinë e radhës, dukuri që ka përshkuar edhe tranzicionin në vendin tonë. Katër ishin pikat kryesore: 1) Respektimi i të drejtave kushtetuese dhe lirisë së individit në fushën e marrjes së informacionit. 2) Sigurimi i informacionit për politikën shtetërore të FR, dhënia e informacionit të vërtetë për Rusinë dhe pozitat e saj zyrtare për zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. 3) Zhvillimi i teknologjive moderne të informacionit, industrisë kombëtare të informacionit, telekomunikacionit e ndërlidhjes. 4) Mbrojtja e resurseve të informimit nga përdorimi i paautorizuar. Dokumenti kishte gjithashtu paralajmërime kërcënuese në rast të përdorimit në shtyp të informacionit të cilësuar. Doktrina shkaktoi një reaksion të fortë midis mediave opozitare. U fol për synimin e krijimit të një makine propagandistike qeveritare, rimarrjen nga shteti të gjigantëve televizivë ORT e NTV, intolerancën e Putinit ndaj kritikës, rifutjen e censurës, fshehja nga organet shtetërore e së vërtetës së Çeçenisë dhe katastrofës së "Kurskut" etj.

 

Me gjithë këto ndërlikime të brendshme, viti i parë i Putinit rezultoi pozitiv. Konjuktura makroekonomike ishte e favorshme në sajë të rritjes së çmimeve të naftës në tregun botëror. Një faktor tjetër që sillte të ardhura ishte rritja e kërkesës për armë nëpër tregje të ndryshme. Rusia kishte jo vetëm arsenale të tepërta, por edhe një industri prodhuese të paprekur. Faktori i tretë ishte përmirësimi i vjeljes së taksave. Në vitin e tij të parë ai mblodhi 70% taksa më shumë sesa viti i fundit i drejtimit të Jelcinit. Rritja e PPB arriti 7%, por sipas Kasjanovit vetëm 4% e saj i përkiste rritjes reale të prodhimit, të tjerat vinin nga konjuktura e favorshme e tregut të naftës.

 

Ndryshimi i kursit të politikës së jashtme, solli një pështjellim në Perëndim. Putini dha dëshmi të dukshme se po afrohej me miqtë e vjetër të epokës së shkuar, me Kinën, vendet e tjera aziatike e të Lindjes së Mesme. Madjem ministri i Mbrojtjesm S. Ivanov, deklaroi në Munih sem në rastin e një izolimi financiar, Rusia do të detyrohej të bashkëpunonte me Kubën, Korenë e Veriut dhe Iranin. Ishte një paralajmërim i nënujshëm për SHBA. Njëra kokë e shqiponjës ruse do të shikonte nga Perëndimi dhe tjetra nga Lindja. Bushi, që para shpalljes si president, nënvizoi tezën e këshilltares për mbrojtjen Kondoleza Rais, se Rusia nuk duhet të presë mbështetje financiare nga SHBA, pa mbyllur hesapet me korrupsionin masiv. Në anashkalim të këtyre sinjaleve, megjithatë në vitet e afërta, Rusia do të bëhej faktikisht anëtar i tetë i "Shtatëshes së madhe", duke e orientuar politikën e saj në kahun perëndimor.

 

 

Rusia kishte filluar të arrinte ca suksese të pjesshme. Por arritjet e pjesshme nuk tregojnë gjithmonë një tendencë të qëndrueshme. Perëndimi premtonte ndihmë, por jo pa kushte

 

Roli i faktorit aziatik në marrëdhëniet ruso-amerikane e ruso-evropiane

 

Teodor LAÇO

 

Ngjarja kryesore politike e vitit 2001 u vlerësua nënshkrimi në Moskë i Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe FR. Ky ishte traktati i katërt midis tyre në 20 vjet. I pari ishte nënshkruar që në vitet kur Kinën e drejtonte Çan Kaishi, me BRSS. Merrte fund kështu një "Luftë e Ftohtë" tridhjetëvjeçare që nga mbledhja e famshme e Moskës, e cila e ndau në dysh botën komuniste. Vëzhguesit e huaj vunë re një ndryshim cilësor midis kësaj marrëveshjeje dhe asaj të vitit 1960. Tani nuk bëhej më fjalë për një aleancë politiko-ushtarake, që nënkuptonte drejtimin ndaj SHBA, por për një bashkëpunim më pragmatik të balancuar. Marrëveshja kishte edhe një impakt të madh moral. Prej dhjetëra vitesh në tekstet shkollore kineze shkruhej se, Rusia i kishte marrë Kinës një territor prej 1 milion km2. Në epokën e re, gjithnjë e më shume shfaqej se pas fjalës, propagandës, demagogjisë, mund të pasojnë veprime krejt befasuese që i zhvleftësojnë ato. SHBA e quante Kinën "kundërshtarin kryesor strategjik", por ndërkohë ishte investitori më i madh i ekonomisë së saj. Ky ishte një nga ato përkimet e dobishme historike, sepse marrëveshja u bë në prag të samitit të G-8 në Gjenevë.

 

Roli i faktorit aziatik në marrëdhëniet ruso-amerikane e ruso-evropiane, tani nuk mund të anashkalohej. Marrëdhëniet e mëtejme të dy fuqive të mëdha do të kushtëzoheshin shumë nga synimi amerikan për t'u bërë lider i vetëm në botë. Në shkurt-mars 2001, ai ndërmori një vizitë në Korenë e Jugut dhe Vietnam. Një llogaritje e thjeshtë tregonte se gjatë kësaj kohe ai kishte bërë 7 vizita në Perëndim e 7 në Lindje. Nga këto vizita, filluan të vihen në lëvizje interesat ekonomike dypalëshe. Italia filloi të interesohej për gazsjellësin rus për 20 miliardë m3 në vit, që do të kalonte nëpër Detin e Zi e në Turqi. Kjo shkaktoi një reagim të fortë nga SHBA, për të cilët ndërtimi i naftësjellësit "Rryma e kaltër" do të rriste ndikimin e tyre në republikat e pasura me gaz e naftë të Azisë Qendrore. Vizita e Putinit në një nga dragonjtë e Azisë, në Korenë e Jugut u bë me sloganin e kohës: prioriteti i ekonomisë mbi politikën. Borxhi i Rusisë ndaj Seulit ishte 1. 8 miliardë dollarë, 700 milionë prej të cilave palët ranë dakord të shlyheshin me armët ruse, helikopterë e tanke. Kundërshtarët e afrimit të Rusisë me Kinën paralajmëronin se, fuqizimi i këtij supershteti mund të hapte orekse ekspansioniste në Azinë Qendrore e Lindore. Por kjo qe vetëm një hipotezë. Rritja e shpejtë prej 7-8% e ekonomisë kineze, do të kërkonte gjithnjë e më shumë burime energjetike që asaj i mungonin dhe që do të sillnin një vartësi në këtë fushe nga eksporti rus dhe i vendeve të Kaspikut. E vetmja pikë ku si përkrahësit ashtu dhe kundërshtarët ishin në një mendje, ishte që të kufizohej në maksimum kërkesa e Kinës për teknologjinë moderne ushtarake ruse. Ndërkohë, në Kinë po ndodhte një reformim i pangjashëm politik. Ideologjia ishte shtyrë në plan të dytë.

 

Lejtmotiv i ditës qe thënia e famshme e Den Hsiaopinit: "S'ka rëndësi ç'ngjyrë ka macja, mjafton që ajo të zërë minj". Në vigjilje të takimit në Gjenevë, Bushi dhe Putini bënë konferenca të gjera shtypi ku dhanë rezervat e propozimet e tyre për disa marrëveshje të hershme si ai i Mbrojtjes Antiraketë i 1972, protokolli i Kiotos për mbrojtjen e mjedisit që SHBA refuzonin ta nënshkruanin, gjë që u prit me kritika nga shtypi. Këshilltarët në MID (Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë) e këshilluan Putinin të bënte ndonjë lëshim me kusht pranimin në Organizatën Botërore të Tregtisë. Vendimi ishte që në Gjenevë me SHBA duhej folur fort. Në lëmin e propagandës do të përmendeshin edhe mendime të tilla që NATO ose duhej shpërndarë, meqë koha e blloqeve kishte marrë fund ose të pranohej aty edhe Rusia.

 

Të dyja ishin të pamendueshme për Perëndimin. Më 20 Korrik në Gjenevë u hap samiti i "tetëshes së madhe", nën presionin e protestave të antiglobalistëve. Rusët patën një zhgënjim të madh kur delegacionin e tyre nuk e ftuan në diskutimin e çështjeve të ekonomisë e financave botërore. Ishte diçka e pashpjegueshme. Në këtë pikë, interesat e Perëndimit e Rusisë ishin të kundërta. Liderët e 7 vendeve të industrializuara diskutonin se si duhej ndaluar rënia ekonomike që kërcënonte ta zhyste Amerikën, Evropën e Japoninë në një krizë financiaro-ekonomike. Një prej këtyre shkaqeve ishin çmimet e larta në tregun e naftës. Ky u quajt një problem i brendshëm i shtatëshes dhe Putini mbeti jashtë këtij diskutimi. Sidoqoftë, prania e Putinit në samitin e Gjenevës, ishte ngjarja kryesore e asaj vere. Rusia kishte filluar të arrinte ca suksese të pjesshme. Kështu, pas një pauze 5-vjeçare për mungesë mjetesh financiare, rifilloi punën uzina e madhe e ndërtimit të anijeve në Amur. Por arritjet e pjesshme nuk tregojnë gjithmonë një tendencë të qëndrueshme. Perëndimi premtonte ndihmë, por jo pa kushte. Një nga kërkesat më befasuese në forumin e Salcburgut, p. sh. ishte që Siberia dhe Lindja e Largët t'iu jepej për shfrytëzim konsorciumeve ndërkombëtare, por jo Kinës. Atëherë, Rusia do të pranohej anëtare e BE me të drejta të plota. Ajo që ndiqej me vëmendjen më të madhe ishin takimet dypalëshe ruso-amerikane. Putini i quajti ato modeste, megjithatë ftohja e gjatë midis dy vendeve dukej se po merrte fund. Krerët e tetëshes, diskutuan në samit për tre tema të mprehta: lufta me varfërinë, mjedisi dhe konfliktet rajonale. Putini, pavarësisht se kishte në dorë një armë provokative si traktati me Kinën, i nënshkruar para pak kohe, nuk e përdori atë dhe ra dakord me Bushin për "Modernizimin e marrëveshjes për Mbrojtjen Antiraketë të vitit 1972".

 

Mospërdorimi i "kartës kineze" dhe ca më tepër lajmi se në fund të qershorit ishin bërë provat e suksesshme të kompleksit S-400, "Djajtë" e brezit të ri si u quajtën këto raketa për shkak të largësisë së fluturimit dhe përpikëria e goditjes, ndikuan që Pentagoni të hiqte dorë nga doktrina e mëparshme e luftës. Menjëherë pas Samitit, amerikanët nxituan t'i konkretizojnë propozimet ruse. Kondolesa Rais në çdo takim përsëriste "koha nxiton, ne kemi pak kohë". "Rusia u dorëzua" e komentonte nën këtë titull gazeta "Komersant-Dejli" heqjen dorë nga marrëveshja e vitit 1972. Pas vizitës së Xian Xeminit që u përcoll fare zbehtë nga mediat, analistët thanë se Rusia po prirej në politikën e saj të jashtme më shumë nga Perëndimi sesa nga Lindja. Mendohej gjithashtu se, ky ishte një investim i Putinit për të siguruar një mandat tjetër presidencial. Të djathtët po diktonin më fort në politikën e jashtme. Demokrati liberal Njemcov rrekej të bindte opinionin publik se, Rusisë nuk i vjen rreziku nga Perëndimi, por nga Lindja e Mesme dhe Kina.

* * *

"Bashkësia e Shteteve të Pavarura" (SNG) që ishte themeluar me ambicien për të shkëmbyer një BE të dytë, ndërkaq po shkonte si gjym pa vegël. Në 10-vjetorin e themelimit, në samitin e 9 kryetarëve të shteteve pjesëmarrës në Soci, as që mund të vihej në rendin e ditës ndonjë analizë rezultatesh. E vetmja arritje ishte krijimi i një bashkimi doganor. Skandali i parë plasi midis Rusisë e Ukrainës për tubacionet e naftës e gazit. Presidenti ukrainas, Kucma deklaroi se nuk kishte pasur asnjë "ndërhyrje" nga ana e tyre në tubacionet që kalonin në Ukrainë. Marrëveshjet e mëparshme për borxhet, u tha që të zeroheshin. Politikanët ukrainas që ishin në pushtet, rivalë me rusët kush do të pranohej më parë në OBT, i mbanin shpresat te simpatia e ndihma e Perëndimit. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi krizën qeveritare. Pas dorëheqjes së nënkryeministres Julia Timoshenko, ishte e qartë që kabineti i Jushcenkos i kishte ditët e numëruara. Të dy krahët e politikës ukrainase, ai properëndimor e ai prorus, nuk e reshtën polemikën. Përkohësisht, u duk se krahu prorus po merrte revanshin. U fol madje për një ribashkim të Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë e Moldavisë, një projekt i mbetur vetëm në sëndukët e grupeve të veçanta që besojnë se sfidave të jashtme mund t'iu kundërvihet me sukses vetëm rilindja e bashkimi të tre shteteve sllave. Po lëviznin edhe republikat e Azisë Qendrore e të Kaukazit. Në heshtje, pa asnjë njoftim, Turkmenia vendosi regjimin e vizave për qytetarët rusë. Në takimin e Socit, nuk vajti presidenti gruzin Shevarndaxe që e quanin "Gorbaçovi numër dy". Të njëjtën gjë bëri edhe lideri turkmen Nijazov, tani i "pagëzuar" Turkmenbashi (babai i turkmenëve) që do të krijonte derisa vdiq një nga sulltanatet më koloristike të kohëve moderne. Bushi priti në Shtëpinë e Bardhë presidentët e Armenisë e Azerbajxhanit si ndërmjetës për kontradiktat e tyre në Nagorni-Karabah. Me sa dukej, SHBA synonin të rritnin ndikimin e tyre në Kaukaz për arsye gjeopolitike. Por më i dukshëm se kudo, ndikimi i Perëndimit ndihej në Ukrainë. Pas vizitës së Papës, për të tretën herë vajti për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Robertson. U bënë manovra ushtarake të përbashkëta me trupat e SHBA-së. Në zgjedhjet në Bjellorusi, Kremlini u distancua dukshëm nga përkrahja e Llukashenkos, i cili mbështetej nga aparati shtetëror. Komunistët bjellorusë krijuan një bashkim kundër tij. Në Minsk, shkoi Zjuganovi, që deklaroi se komunistët rusë mbështesnin Llukashenkon, gjë që solli një çarje midis komunistëve rusë e atyre bjellorusë. Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, u ngrit një valë akuzash kundër presidentit Kucma për tregti armësh, në bashkëpunim me mafien ukrainase. Kremlini për zgjedhjet e pritshme bëri haptazi zgjedhjen e tij në favor të Kucmes. Prokuroria ruse ngriti dy akuza për vepra penale kundër liderit të opozitës Julia Timoshenko, gjë që ia lehtësoi fushatën Kucmas. U arrit kështu një pajtim, që me futjen në sistemin e gazit të Ukrainës, 14 ish-republikat e BRSS të lidheshin në një rrjet. Putini bëri çmos që të fuste një frymë bashkëpunimi të ngushtë midis vendeve të SNG, por me përjashtim të disa marrëveshjeve dypalëshe, në marrëdhëniet ekonomike-tregtare, nuk ia doli aspak të harmonizojë një kurs të njëjtë politik, një qëndrim të njehsuar ndaj perëndimit, synimeve të NATO-s e BE-së.

Teodor LAÇO

(Marrë nga libri "Një dritare në Kremlin, nga Hrushovi te Putini")

(http://www.rilindjademokratike.com)

Teodor Laço


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Si erdhi Putini në krye të RusisëNga Teodor Laço (11.24.2009)
Ismail Kadare: Letërsia dhe jeta, dy botë në luftë (11.23.2009)
POPULLI I ËNDËRRAVE (11.20.2009)
Revolucioni i mëndafshtë në Çekosllovaki - Figura kyçe Vaslav Havel (11.18.2009)
Numra & simbole (Triptik) (11.14.2009)
Miti Shiler - Si u nderua, tabuizua dhe instrumentalizua (11.12.2009)
9 Nëntori - Dita e Fatit të Gjermanëve (11.09.2009)
Grupet opozitare gjermane që paraprinë rënien e Murit të Berlinit (11.07.2009)
"Normaliteti" i një përbindëshi (11.04.2009)
Rënia e Murit të Berlinit, e çara më e madhe e sistemit komunist (11.03.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]