VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POPULLI I ËNDËRRAVE

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 12:44am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

POPULLI I ËNDËRRAVE


E Premte, 11.20.2009, 10:32am (GMT+1)

Australia. Një prej vendeve më të lashtë të planetit. Një vend sa misterioz, aq edhe i pasur me burime. Një kontinent që, në periudha të caktuara të vitit bëhet i frikshëm dhe aspakmikpritës. Këtu, në këtë tokë të pamatë, më shumë se 50 mijë vjet më parë, mbërriti ai që konsiderohet edhe sot qytetërimi më i lashtë që ekziston. Burra dhe gra që duket se kanë kapacitete misteriozë të shqisave dhe që në pjesën tjetër të botës janë humbur tashmë.

Një popull që rrëfen histori antike të asaj që ata e quajnë Dremiing - Koha e ëndrrave, apo më saktë, ajo që ishte, ajo që është, dhe ajo që gjithmonë do të jetë. Ky popull janë aborigjenët.

1770. Kapiteni anglez, James Cook është i pari njeri i bardhë, që ka eksploruar brigjet e Australisë. Në atë kohë, aborigjenët kanë qenë në një numër midis 300 mijë dhe 1 milion individësh. Ata ishin të ndarë në mijëra tribu, apo klane, secili prej të cilëve fliste një gjuhë të ndryshme. Numëroheshin më shumë se pesëqind, e megjithatë, popullsitë e aborigjenëve ishin të lidhura mes tyre në një ndërthurje territoriale spirituale. Po prej sa kohësh jetonin në Australi aborigjenët?

Sitet arkeologjikë më antikë datojnë që rreth 40 mijë vite më parë, por ka një debat të ndezur mes arkeologëve në lidhje me epokën kur paraardhësit e aborigjenëve mbërritën në këtë vend. Kur europianët mbërritën në australi, aborigjenët ishin të shpërndarë në të gjithë kontinentin. Ata flisnin me gjuhë dhe me dialekte të ndryshëm. Mes atyre grupeve që flisnin gjuhë të ndryshme organizoheshin ceremoni që sanksiononin marrëdhëniet mes komuniteteve dhe me Tokën.

Të ndodhur në mesin e shkretëtirës, për mijëra vjet me radhë ata jetonin me produktet e tokës, detit, të gjuetisë dhe të peshkimit. Nuk dihet me saktësi se nga vinin aborigjenët, dikush thotë se, origjina e tyre ishte nga Azia, por për këtë nuk ka siguri. Sipas zbulimeve gjeografikë, këto popullsi kanë jetuar në kontinent për më shumë se 40 mijë vjet. Gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë të vetmit banorë të Australisë, me përjashtim të tregtarëve makasanë që vinin nga Indonezia, të cilët vinin herë pas here në zonën veriore të Australisë gjatë shekujve të fundit. Aborigjenët jetonin me gjueti dhe me bujqësi. Ata kishin një teknologji relativisht të thjeshtë, por të mjaftueshme për të prosperuar dhe për t'u rritur.

Popujt aborigjenë të Australisë u kanë mbijetuar me kalimin e shekujve, ndryshimeve të shumtë socialë dhe klimaterikë. Në të gjithë kontinentin australian, prania e tyre tashmë nuk ekziston më, përveçse në një vend të vetëm, në veri të Australisë, ku dendësia e tyre arrin sa një e katërta e popullsisë së bardhë.

Eshtë një trashëgimi kulturore në qiell të hapur, e banuar në mënyrë të pandërprerë në popullsitë aborigjene për më shumë se 50 miijë vite. Por është një vend ku përqendrohen edhe interesa të mëdha ekonomikë. Në fakt, nëntoka është shumë e pasur me uranium. Sipas legjendave, paraardhësit mbërritën këtu, plazmuan sheshet, krijuan bimët, kafshët dhe njerëzit këtu futën gjuhë, ceremoni, lidhje gjaku dhe rregulla jetese, histori të dokumentuara përmes pikturimeve dhe skalitjeve në gurë, që përbëjnë një prej gjurmëve më të lashta të ndërveprimit të njeriut me ambientin. Po nga vinin ata që aborigjenët i quajnë shpirtëra.

Sipas asaj që rrëfejnë legjendat, ekzistojnë qenie që nuk kanë një trup të dukshëm prej nesh, sepse kanë një frekuencë vibratore të ndryshme nga e jona. Këto qenie, zakonisht quhen shpirtëra. Ekzistojnë shumë, disa prej të cilëve posedojnë fuqi të mëdha, ata mund të shfaqen, të zhduken, të udhëtojnë nën tokë, të përshkojnë malet, të ndryshojnë formë dhe dimension dhe ndonjëherë, të shfaqen si kafshë që flasin me gjuhën e qenieve njerëzore. Po cilët janë në të vërtetë?

Shpirti nuk është diçka e padukshme, nuk është diçka që nuk mund të preket apo shihet. Shpirti është tërësisht fizik, por forma shpirtërore varet nga vëzhguesi, varet nga lidhja e vëzhguesit me objektin.

470 kilometra larg nga Elis Springs, një qytet në qendër të Australisë, ndodhet një prej vendeve më misteriozë të tokës australiane, Uluru, monoliti më i madh në botë. Ai është një gur shumë i lashtë, edhe më i lashtë se vetë kontinenti australian ku e gjejmë, një vend magjik, një gur që thuhet se ka cilësi të veçanta që ndoshta vijnë për shkak të kuarceve që e përbëjnë. Aty zhvillohen ende ceremoni të ndryshme, ka shpella me pikturime shumë antike. Aborigjenët që jetojnë në ato anë nuk duan që njeriu i bardhë t'i afrohet gurit. Ata e konsiderojnë kohën tonë si një ëndërr që ka lindur dhe është rrënuar, ndërsa vendi ku ndodhet guri konsiderohet një udhëkryq i kohës së ëndrrës.

Bob Randell është plakushimë i rëndësishëm i tribusë Jankuni Chara Chara. Prej kohësh është i angazhuar në rekuperimin e kulturave aborigjene si dhe për njohjen e të drejtave civile të popullsive të diskriminuara. Eshtë një prej personaliteteve më autoritarë dhe të respektuar të të gjithë territoreve të veriut.

"Chukupa është termi që antropologët kanë lidhur me dreaming - ëndërrimin - koha e ëndrrës", thotë ai. "Për ne aborigjenët është koha e krijimit që përfshin fillimin, të tashmen dhe të ardhmen - të gjitha në një të vetme.

Në kohën kur ndodhi zgjimi nga errësira, në kohën kur u çliruan vibrime të mira, dhe kur u gjenerua shumë dritë. Shkrepëtimi i dritës u shndërrua në shkreptimë të vetëdijes. Nuk ka ndodhur rastësisht. Të gjithë gjerat gjetën në një farë mënyre rendin e tyre. Dielli dhe Toka ishin në vendin e tyre, por Hëna dhe planetet ishin të shpërndarë. Chukupa i vendosi në rregull, secili në vendin e vet dhe gjërat filluan më pas të funksionojnë sipas idesë që çdo gjë i shërben asaj që do të vijë. Por se si ndodhi kjo, ky është ende një mister". Por gjumët që kanë lënë paraardhësit, janë të dukshme edhe sot, ato janë pjesë e territorit dhe përbëjnë një rrjet vendesh të shenjtë që janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes ndjesive.

Eshtë një lidhje e natyrës shpirtërore, e cila rigjen pasqyrim me një lidhje me një element natyror, që mund të jetë një pemë, mund të jetë një kafshë, apo mund të jetë një ngjarje. Krijuesit e lashtë kompozuan këngë dhe muzikë, që sipas aborigjenëve janë pjesë e tokës dhe për këtë arsye kanë një fuqi të madhe rigjeneruese ndaj saj.

Muzikat përbëjnë rrugët e këngëve, rrjeti kompleks i komunikimit që lidh mes tyre shumë tribu. Disa studiues thonë se, janë linja force gjeomagnetike, të cilat një aborigjen është në gjendje ti perceptojë falë ndjeshmërisë së tij. Disa prej këtyre rrugëve ndiqeshin gjatë migrimeve. Po si arrijnë aborigjenët që të hyjnë në kontakt me paraardhësit krijues të tyre? Janë dy lloje ritualesh. I pari, është ai i INICIIMIT. Zakonisht, këtu rikrijohen episodë të kohës së ëndrrave përmes vallëzimeve, muzikës dhe një varietet formash artistike, mes të cilave pikturimi i trupit.

Lloji i dytë i ritualit bëhet për të rritur pjellorinë. Zakonisht zgjidhet një vend i shenjtë, për shembull, një vend ku është ndalur dikur një paraardhës i lashtë. Këtu pjesëmarrësit mund të ripikturojnë gurin, të derdhin gjak apo të kryejnë kërcime. Qëllimi i këtyre ritualeve është rigjallërimi i fuqisë së paraardhësit dhe totemit të tij.

Ellis Springs, ndodhet në qendrën gjeografike të Australisë, në territorin e veriut, pikërisht në të vetmen arterie që lidh bregun lindor me Darvin. Kur mbërrin në Ellis, e kupton menjëherë që nuk është një qytet dosido. Peisazhin e dominon ngjyra e kuqe. Kudo përreth ka shkretëtirë.

Ky rajon banohet prej 500 mijë vitesh nga Arendët, mbrojtësit tradicionalë të kësaj toke. Janë të panumërta historitë e krijimit që aborigjenët rrëfejnë prej mijëvjeçarësh.

Qendra e Australisë, e njohur gjithashtu si zera e kuqe për shkak të ngjyrës së tokës, është një vend i pasur me shkretëtirë, e cila fsheh në vetvete mistere ende të pazgjidhur, si për shembull format gjeologjike të disa vendeve, si ai që folëm më lart, apo si katachuta. Gjeologjia i konsideron format e çuditshme shkëmbore që mund të gjenden kudo në Tokë si pasoja të veprimtarisë gërryese të agjentëve atmosferikë. Por për aborigjenët, bëhet fjalë për dëshmi të prekshme të kalimit aty të paraardhësve të tyre. Ajo që në përgjithësi përcaktohet dhe quhet strukturë e një territori këtu është kur janë shënuar një herë e përgjithmonë udhëtimet dhe veprimet e krijesave të lashta.

4700 vjet më parë, disa meteorë ranë pikërisht në këtë zonë, duke prodhuar kraterë të ndryshëm. Më i madhi është 180 metra i gjatë dhe me një thellësi 15 metra. Në brendësi të tij është zhvilluar një vegjetacion i ndryshëm nga ai rrethues. Por, sekretet e këtyre vendeve nuk janë vetëm një origjinë natyrore. 20 kilometra më në jug të Alice Springs ndodhet një bazë amerikane me 800 vartës. Ajo quhet Pine Gap. Çfarë bëjnë këtu këta 800 persona. Eshtë një bazë sekrete ku asgjë nuk del dhe asgjë nuk depërton.

Shumëkush ka hedhur hipotezën se të gjithë këta njerëz punojnë për Echelon, Veshi i madh që është në gjendje të dëgjojë të gjithë llojet e komunikimit të planetit, ndërsa të tjerë thonë se aty janë duke u studiuar mundësitë për të arritur një ditë që të dëgjojmë diçka me origjinë jashtëtokësore.

Në fakt, në këtë zonë, gjatë dekadave të fundit janë regjistruar shumë pretendime për shfaqje jashtëtokësorësh dhe disqesh fluturues. Që nga kohërat e Luftës së Dytë Botërore, pilotë avionësh, punëtorë të hekurudhës si dhe aborigjenë kanë dëshmuar se kanë parë drita të çuditshme, mjete fluturues dhe krijesa jo të zakonshme. Banorët e këtyre vendeve njohin shumë të vërtetë, por nuk është aspak e lehtë të vihesh në dijeni të tyre, si për njerëzit e bardhë, ashtu edhe për aborigjenët që brenda komuniteteve të tyre nuk kanë arritur ende një nivel të mjaftueshëm vetëdije dhe dije. Njerëzit e ditur, ata që rrëfejnë për historinë e kulturës së tyre, thonë se mund t'ua rrëfejnë sekretet e kulturës së tyre vetëm atyre që janë gati që t'i njohin.

Dhe ka një seri ritesh inicimi për të mbërritur në njohuri të caktuara. Disa prej këtyre njohurive janë të përhapura për këdo dhe ato ndahen nga i gjithë komuniteti. Disa lloj njohurish të tjera janë specifike, ndoshta vetëm për gra, ndoshta vetëm për burra, ndoshta për një grup të caktuar burrash, ndoshta për një grup burrash në nivel fillestar. Shumë vende të shenjtë janë të ndaluar për jo aborigjenët, sepse energjia e këtyre vendeve konsiderohet kaq e fuqishme, saqë të bjerë në kontrast me ata që nuk janë në gjendje që ta durojnë. Kjo, sepse frekuencat e këtyre personave do të vibronin në një nivel të ndryshëm nga ai i vendit të shenjtë.

Pra, a është e vërtetë që popullsitë e lashta australiane duket se kanë aftësi, të cilat racat dhe popujt e tjerë i kanë humbur me kalimin e kohës? Profesor Elkin, gjatë shekullit të njëzetë ka studiuar për një kohë të gjatë fuqitë dhe aftësitë e aborigjenëve. Ai rrëfen se, antropologët e parë që mbërritën për të studiuar popujt aborigjenë kishin parë njerëz me fuqi të jashtëzakonshme, si ajo e ngjitjes, duke u kapur në një litar që nuk është lidhur asgjëkundi, e fluturimit, e shfaqjes dhe zhdukjes sipas dëshirës, të parit përmes trupave, përshkimit të distancave të gjata në një moment të vetëm apo komunikimit në mënyrë telepatike.

Nga burojnë këto aftësi mbinjerëzore? Përse nuk i kanë të gjithë qeniet njerëzore? Koncepti i lidhjes së mendimeve nuk është domosdoshmërisht një lidhje telepatike ku mendimi i formuar në mënyrë verbale i transmetohet një tjetër individi, më shumë ka të bëjë me perceptimin e gjërave të ngjashme, e ndjeshmërive të ngjashme, përshembull dëgjimi i erës në mënyrë të njëjtë si dhe vetëdija e përbashkët se era rrëfen të njëjtën histori. Pra, ndoshta nuk bëhet fjalë për fuqi njerëzore të paarritshme, ndoshta më shumë ka të bëjë me ndjesi të zgjeruara, me njerëz që janë të mësuar të jetojnë në harmoni me botën.

Afro njëqind kilometra larg Melbournit, në shtetin e Victorias, shfaqet një prej formacioneve gjeologjikë dhe vullkanikë më misteriozë që ekzistojnë sot në botë, Hanging Rock. Ndryshe nga Uluru, historia aborigjene alternative e Hanging Rock ka qenë në pjesën më të madhe të saj e parrëfyer dhe e fshehur. Pavarësisht asaj që ky vend përfaqësonte për popullsitë e lashta, në asnjë prej shkëmbinjve të tij nuk gjendet asnjë shenjë, asnjë gjurmë, pavarësisht të gjithë tentativave që janë bërë nga ana e historianëve.

Tributë që banonin në zonat përreth nuk kanë rrëfime të saktë për të dhënë. Si ka mundësi?

Sipas disa studimeve, Hanging Rock qëndron pikërisht në kufijtë mes territoreve të tribuve të ndryshme dhe për këtë arsye ishte një vend takimi shumë i rëndësishëm. Nga pikëpamja gjeologjike, ky vend është një vullkan, i cili ngrihet në një lartësi 711 metra mbi nivelin e detit. I përbërë nga një lloj i veçantë llave që, në ngrirje ka prodhuar fraktura vertikale, mendohet që ai është 6 milion vjeçar. Përbërja e tij është shumë e rrallë. Një formacion i këtij lloji gjendet në shumë pak vende të botës.

Eshtë shumë interesant fakti, që në përgjithësi Australia nuk njihet për prani të strukturave vullkanike dhe prania e shkëmbinjve me cilësi të veçanta alkimike ushqen teori dhe interpretime të ndryshme. Ndoshta manteli në brendësi të zonës së Hanging Rock ka pësuar ndryshime në përbërje dhe ndoshta prej kësaj është e mundur sot të shohim një shkëmb me një përbërje kaq të veçantë.

Hanging Rock u bë i njohur për publikun e madh në vitin 1975, falë filmit të Piter Ueir, Piknik në Hanging Rock. Filmi frymëzohej nga një fakt që ka ndodhur me të vërtetë. Në 14 shkurt të vitit 1900, një grup vajzash të Kolegjit Aristokrat të Apple Yard shkuan në zonën e quajtur Hanging Rock. Disa prej vajzave dhe një prej instruktoreve, si për aventurë nisën të sillen vërdallë nëpër shkëmbinjtë e malit. Tre prej tyre u zhdukën. Vetëm pas disa ditëve kërkime, një i ri anglez dhe shërbëtori i tij gjetën një prej tyre ende të gjallë, por që gjithësesi nuk ishte në gjendje të tregonte asgjë për shoqet e saj. Një tjetër vajzë u gjend e vdekur pak më vonë.

Çfarë ndodhi? Cila është e vërteta? Ku u zhdukën vajzat? Ka nga ata që thonë, se shkaqet e vërteta ndoshta duhet të gjenden tek natyra e vërtetë e vetë terrenit, një terren vullkanik, me të çara që krijohen në mënyrë krejt të papritur dhe të cilave nuk u shihet fundi. Por të tjerë mendojnë për një tjetër zgjidhje të enigmës...

Edhe sot e kësaj dite, gjithçka duket e mbështjellë nga një tis magjik dhe enigmatik. Sipas një hipoteze të pabesueshme dhe në të njëjtën kohë magjepëse, vajzat me sa duket kanë pësuar një shndërrim, duke u futur në një dimension ëndrre. Por këta nuk janë të vetmit fakte të pashpjegueshëm që kanë ndodhur në Hanging Rock. Administrata e Parkut merr edhe sot e kësaj dite shumë pako postare që vijnë nga e gjithë bota. Ata përmbajnë copëza gurësh që i dërgojnë ish-turistë në këtë vend, të cilët thonë se janë goditur nga një seri fatkeqësish, pasi kanë marrë me vete nga një kujtim, pasi kanë vizituar këtë vend. Ka nga ata që flasin për ora që bllokohen krejt papritur, apo që "çmenden" fare apo edhe alterime të kohës. Janë thjeshtë sugjestione?

"Mendohet që të jenë të vërteta, pasi disa prej njerëzve të lashtë i kanë konfirmuar këta zëra", thotë një banor aborigjen i zonës. Shkëmbinjtë e Hanging Rock të çojnë vetvetiu tek skulpturat humanoide të Ishullit të Pashkëve, si dhe megalitët enigmatikë të stonehenge, figura totemike që kanë një veprim hipnotik ndaj njerëzve, duke i bërë ata që të humbasin çdo lloj kontrolli.

Një pjesë e madhe e kulturës aborigjene u humb gjatë periudhës së kolonizimit anglez. Pasoja më e menjëhershme e mbërritjes së europianëve në territorin australian ishte një valë epidemish nga kontinenti i lashtë. Vetëm njëra prej tyre shkaktoi vdekjen e më shumë se gjysmës së popullsisë aborigjene. Pasoja e dytë e kolonizimit ishte pushtimi i tokave dhe i burimeve ujore. Kombinimi i sëmundjeve, konfiskimit të tokave dhe dhuna e reduktuan me 90 përqind popullsinë aborigjene. Shumë aborigjenë adoptuan stilin europian të jetesës, duke punuar si krah pune.

Disa grupe të zonave më të brendshme, në një moment të parë rezistuan. Por më pas, që të mbijetonin, ata u bënë gradualisht të varur prej kolonizuesve. Mes viteve 1910 dhe 1970, shteti u mori me forcë familjeve të tyre afro 100 mijë fëmijë aborigjenë, për ti sistemuar ata në jetimore apo në familje private. Pjesa më e madhe e tyre humbi çdo lloj kontakti me familjen. Shumë prej tyre pësuan abuzime. Pothuajse të gjithë u përdorën si forcë pune pa pagesë. Pasoja e parë e këtyre veprimeve ishte asimilimi i detyruar dhe humbja e kulturës origjinale. Shumë persona ndër ata që sot quhen Brezi i Vjedhur nuk e kanë kaluar asnjëherë traumën sociale dhe kulturore. Por tentativa për t'u integruar me njeriun e bardhë nuk e shpërbën asnjëherë identitetin origjinal të njerëzve aborigjenë.

Edhe në një qytet shumë modern siç është Sidney, vendasit ruajnë në lidhje shumë të fortë me origjinën e tyre, me kulturën, duke demonstruar respekt për vendet e shenjtë. Ndodh kështu në Barry Island, një prej shumë ishujve në gjirin e Sidneyt. Këtu ka simbole të vjetër deri 2000 vjeçarë. Alen Maden, një i moshuar që i përket tribusë gadigal, është ndoshta një prej zërave më autoritarë të komunitetit aborigjen të Sidneyt.

"Këta "shënime mbi gurë" rrëfejnë për kohën tonë të ëndrrës, pjesa më e madhe e skalitjeve paraqesin balenat e shumta që duken në ujërat pranë Sidneyt. Janë riprodhuar ashtu si shiheshin nga larg. Falë këtyre simboleve totemë tregohej se, cila tribu ishte e pranishme në këtë territor. Kështu, kur mbërrinte një tribu e ndryshme, kuptonte se cila kishte kaluar në këtë vend", thotë ai. "Dhe nga riprodhimi i këtyre simboleve mund të kuptohej edhe se me çfarë jetohej në këtë vend".

Në vitin 1789, njeriu i bardhë mbërriti në këta brigje. Ishin të mikpritur, sepse vëllezërit dhe motrat aborigjene të asaj kohe nuk e kishin kuptuar se të bardhët kishin mbërritur këtu për të qëndruar. Filluan që të bëjnë rezistencë, por nuk mund të bënin shumë. Ata kishin armë. Njeriu i bardhë filloi që të vijë me anije të mëdha dhe të shtyjë larg aborigjenët nga kjo zonë. Sëmundjet e përgjysmuan popullsinë. 70 përqind e atyre që ndodheshin përreth kësaj zone gjetën vdekjen.

E megjithatë, ata vazhdojnë të jenë këtu. Vazhdojnë të praktikojnë kulturën e tyre dhe janë krenarë për të. E konsiderojnë këtë vendin e tyre, kulturën e tyre, tokën mëmë. Këtu kanë lindur e vdekur, dhe këtu do të qëndrojnë përgjithmonë.

 

 

O Q E A N E T/Një "produkt" jashtëtokësor?

Përkundër ideve që janë krijuar prej kohësh tashmë, atmosfera dhe oqeanet ndoshta nuk janë krijuar prej avujve të lëshuar gjatë vullkanizmave intensivë në momentet e parë të krijimit të planetit tonë. Francis Albarede i Laboratorit të Shkencave të Tokës në Universitetin e Lionit thotë se uji nuk ishte pjesë e "inventarit" fillestar të Tokës, por ai vjen nga turbulencat e shkaktuara në sistemin e jashtëm diellor nga planetët gjigantë. Asteroidë të mbuluar me akull kanë mbërritur në tokë afro njëqind milionë vjet më parë, pas lindjes së planetëve.

Kështu që, uji në Tokë mund të jetë jashtëtokësor, ka mbërritur vonë në histori dhe prania e tij mund të ketë lehtësuar tektonikën e pllakave edhe përpara se të shfaqej jeta. Konkluzionet e studimit të kryer nga Albarede shfaqen në një artikull të botuar në 29 tetor 2009 në revistën "Nature".

Agjencitë hapësinore e kanë marrë mesazhin: kudo ku ka jetë, duhet të ketë ujë. Afro 4.5 miliardë vjet më parë, Tokës iu la trashëgim ujë i mjaftueshëm për të krijuar oqeanet dhe që jeta të gjente qoshe të ngrohta në detet dhe në kontinentet që rezultuan prej tektonikës së pllakave. Në krahasim me të, Hëna dhe Mërkuri janë shkretëtira të thata dhe shumë të ftohta, Marsi u tha shumë shpejt dhe sipërfaqja e Venusit është një ferr që djeg.

Sipas librave, oqeanët dhe atmosfera u krijuan nga gazrat vullkanikë dhe brendësia e Tokës është burim i elementëve të luhatshëm. Megjithatë, shkëmbinjtë e mantelit të tokës kanë mangësi në ujë (gjeokimistët e vlerësojnë përqendrimin e tij në dy të qindat përqind). E njëjta gjë është e vërtetë për planetët simotra të Tokës, Venusi dhe Marsi. Arsyeja kryesore që propozon Albarede është se, gjatë formimit të sistemit diellor, temperatura nuk ka rënë asnjëherë sa duhet ndërmjet Diellit dhe orbitës së Jupiterit, që elementët e luhatshëm të ishin në gjendje të kondensonin me material planetar. Mbërritja e ujit në Tokë korrespondon kështu me një periudhë të vonë të historisë planetare.

Pranohet gjerësisht se planetët tokësorë janë formuar gjatë disa milionë viteve përmes grumbullimit të asteroidëve (me përmasa kilometrike), më pas protoplanetëve (me përmasa sa Marsi). Mbërritja e të fundmit nga këta objekte të mëdha korrespondon me impaktin hënor, 30 milionë vite pas formimit të Sistemit Diellor. Fillimisht, kjo poterë ndodhi ndërmjet objekteve planetarë të ndodhur brenda vijës së dëborës, me fjalë të tjera ndërmjet Diellit dhe brezit të asteroidëve. Kjo hapësirë, e fshirë prej erërave elektromagnetike të diellit të sapokrijuar, ishte atëherë shmë e nxehtë për ujin dhe elementët e luhatshëm që të kondensoheshin me të. Shpërndarja madhore e elementëve të luhatshëm në planetin tonë mund të kishte korresponduar me një fenomen që ndodhi disa dhjetëra miliona vite pas impaktit hënor: ky ishte pastrimi i parë i sistemit të jashtëm diellor që u iniciua prej planetëve gjigantë. Për shkak të gravitetit të tyre shumë të fuqishëm, ata dërguan mbetjet e fundit akullnajore lanetare në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe drejtimin e vet. Pasi ka penetruar në mantel përmes sipërfaqes, uji më pas do të ketë zbutur Tokën dhe ka reduktuar tendosjen e përplasjen e materialeve. Më pas nisi veprimtaria e pllakave tektonike dhe bashkë me të edhe krijimi i kontinenteve, kushte këto ndoshta të dmosdoshme për shfaqjen e jetës.

Marsi u tha përpara se uji të arrinte të penetronte në thellësi, ndërsa sa i përket Venusit, kushtet që mbizotëroinn përpara rimodelimit të dhunshëm të sipërfaqes së tij 800 milionë vjet më parë, përmes vullkanizmit intensiv janë ende të panjohur. Në një kohë kur banueshmëria e planeteve jashtëtokësorë po fillohet që të eksplorohet seriozisht, të kuptosh se çfarë e bëri Tokën të vetmin vend ku ka jetë është një pikëpyetje e madhe.

 

 

F U N D I/5 skenarë

JOSHUA KEATING

1. ASTEROID

Si mund të ndodhë: Objekte nga hapësira godasin Tokën gjatë gjithë kohës, përgjithësisht duke u djegur në atmosferë. Herë pas here, një objekt i madh depërton, duke rezultuar në impakt masiv. Skenari më i fundit i një impakti ishte në 1908 në tunguska, ku u sheshua një sipërfaqe 2000 milje katrorë në pyllin siberian me një shpërthim afro 1000 herë më i fuqishëm se sa bomba në Hiroshima. Objekti, që me sa duket ka qenë vetëm disa dhjetëra metra në diametër, mund të kish fshirë një zonë të madhe metropolitane. Rreziku i vërtetë mund të vijë nga një objekt më shumë se një km në diametër, i cili do të ngrinte sedimentë të mjaftueshëm për të shkaktuar dëm mjedisor dhe shkatërruar mbjelljet në gjithë botën. Një objekt me madhësi 15 km në diametër, që mendohet se është përmasa e atij që vrau dinosaurët 65 milionë vjet më parë, me shumë gjasa do të na fshinte edhe ne.

Sa gjasa ka? Një tjetër objekt i madh ka gjasa që të godasë Tokën, por me siguri jo gjatë kohës së jetës sonë. Një objekt aq i madh sa të vrasë një pjesë të madhe të popullsisë së botës godet vetëm dy herë çdo një milion vjet. Asnjë nga objektet e zbuluar nga programi i NASA-s për objektet pranë Tokës nuk ka shanse të mëdha që të godasë Tokën - ndonëse njëri, i njohur si 1950 DA do të jetë shumë afër në vitin 2880. Duke parë përpjekjet relativisht të pakta që bëhen për të identifikuar objektet pranë tokës, nuk ka garanci që toka do të kish shumë paralajmërim para një goditjeje. Një asteroid që më parë nuk njihej kaloi vetëm 1 mijë kilometra pranë sipërfaqes së tokës në 6 nëntor dhe u pikas nga NASA vetëm 15 orë më herët.

2. KLIMA

Si mund të ndodhë: Në skenarin më të keq, të parashikuar nga Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimin e Klimës, temperatura e sipërfaqes së tokës do të rritej me 4-5 gradë deri në fund të këtij shekulli. Një skenar i tillë do të sillte një rritje deri gjysmë metri në nivelin e deteve, që do të sillte përmbytje të rajoneve bregdetarë, duke përfshirë shumë prej qyteteve të mëdhenj të botës. Ndërkohë, afro një e treta e planetit do të shndërrohej në shkretëtirë dhe më shumë se gjysma do të zhytej në thatësirë. Kripëzimi i ujërave nëntokësorë të Tokës do ta përkeqësonte situatën. Paneli zbuloi se edhe një rritje 3.5 gradë do të vinte në rrezik shfarosjeje 40-70 përqind të specieve dhe mundësia e konflikteve gjeopolitikë të kall datën.

Sa gjasa ka? Një studim i kohëve të fundit zbuloi se tendencat aktuale të lëshimit të karbonit i përmbahen apo madje dhe kalojnë të dhënat e skenarit më të keq. Nivelet globalë të karbonit janë sot 380 pjesë për një milion krahasuar me 280 që ishin para Revolucionit Industrial. Shumica e shkencëtarëve konkludojnë se efektet katastrofikë do të fillojnë të ndihen pasi këto nivele të kalojnë shifrën 450. Nëse toka arrin 800-1000 pjesë për një milion, siç parashikojnë skenarët më të këqinj, këtë nuk e dimë.

3. LUFTE BERTHAMORE

Si mund të ndodhë: Aktualisht janë më shumë se 23000 armë bërthamore në botë, nga të cilat 8000 janë aktualisht në gjendje pune dhe 2000 janë në alarm dhe të gatshme për t'u lëshuar. Ndërkohë që apokalipsi bërthamor ka qenë prej një kohe të gjatë subjekt i librave dhe filmave, skenari i Dr. Strangelove në fakt ka pak gjasa të ndodhë. Edhe në 1977, kur arsenalet bërthamorë ishin në kulmin e Luftës së Ftohtë, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA parashikoi një numër maksimal prej 265 milionë viktimash nga një luftë totale bërthamore SHBA-BS. Sigurisht, një numër i tillë viktimash do të shkatërronte të dy superfuqitë, por nuk do të ishte fundi i jetës, si e dimë ne. Megjithatë, shkencëtarët në vitet '80 zhvilluan modele që tregonin se tymi dhe pluhuri që do të shkaktonte një luftë bërthamore superfuqish do të sillte ndryshime temperature të paprecedenta në histori - "një dimër bërthamor". Një studim i ekologut të Vcornell, Mark Harwell parashikonte që bujqësia globale do të zhdukej për një vit, duke shkaktuar uri që do të fshinte pjesën më të madhe të njerëzimit. Një studim i vitit 2007 nga ekologët në Universitetin Rutgers zbuloi se stoqet e sotëm bërthamorë globalë mund të shkaktojnë një gjë të tillë.

Sa gjasa ka? Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë krijoi të famshmen "Orën e Fundit të Botës" në 1947 për të tregur se sa pranë shkatërirmit ishte njerëzimi. Ora e arriti kulmin - "dy minuta para mesnate" - pas testit të parë me bombën me hidrogjen në vitin 1953. Më pas ajo shkoi 17 minuta larg pas fundit të Luftës së Ftohtë, por që atëherë ka vazhduar të ecë drejt mesnatës, me shtete si Korea e Veriut që prodhojnë armë bërthamore dhe me tensionet mes shteteve të tjerë bërthamorë. Sot ajo është 5 minuta para mesnate. Pavarësisht këtyre, skenari më i keq me një luftë totale bërthamore mes dy superfuqive ka shumë pak gjasa të ndodhë. Teoria e dimrit bërthamor mbetet gjithashtu shumë e diskutuar, ku disa shkencëtarë thonë se efektet e parashikuara kanë qenë të ekzagjeruara.

4. EPIDEMI

Si mund të ndodhë: Përgjatë gjithë historisë, epidemitë kanë ulur në gjunjë qytetërimet. Vdekja e Zezë vrau më shumë se gjysmën e popullsisë së Europës në Mesjetë. Në vitin 1918, një epidemi gripi vrau 50 milionë vetë, afro 30% e popullsisë së botës, një impakt shumë më i madh se Lufta e Parë që sapo kish përfunduar. Për shkak të globalizimit, sëmundjet sot përhapen edhe më shpejt - shikoni përhapjen e shpejtë të gripit të derrave. Një përhapje e shpejtë e një sëmundjeje si virusi i ebolës apo një formë e ndryshuar dhe rezistente ndaj ilaçeve e gripit në një shkallë globale, mund të ketë impakt që mund t'i japë fund qytetërimit.

Sa gjasa ka? Trajtimi i sëmundjeve vdekjeprurëse është përmirësuar që nga 1918, por kjo ka ndodhur edhe me sëmundjet. Teknikat e reja që përdoren në ferma janë fajësuar për shpërthimin e sëmundjeve, si gripi i derrit dhe teksa popullsia e botës rritet dhe njerëzit zhvendosen në zona më parë të papopulluara, rreziku i ekspozimit ndaj patogjenëve më parë të panjohur rritet. Më shumë se 40 viruse të rinj kanë dalë që nga 1970, duke përfshirë ebolan dhe HIV AIDS. Eksperimentimi me armë biologjike ka shtuar edhe një komplikim.

5. E PANJOHURA QE S'DIHET

Si mund të ndodhë: Ka një numër teorish se si qytetërimi - bota siç e njohim ne - mund të përfundojë. Disa janë natyrore: supervullkanë që shpërthejnë si ai në Parkun Kombëtar të Yellowstone, i cili mund të ndryshojë klimën e Tokës apo një shpërthim rrezesh gama nga një yll, që do të mund të shkaktonin rrezatim të rrezikshëm në atmosferën e Tokës.

Të tjera mund të krijohen nga njeriu: mbipopullimi do të sillte një krizë ushqimi, apo zhvillimi aksidental i teknologjive të reja të rrezikshme.

Sa gjasa ka? Herët a vonë, bota do të marrë fund. Sipas vlerësimeve të astronomëve, pas 5-8 milionë vjetëve, dielli ynë do të djegë pjesën e fundit të hidrogjenit në helium dhe do të fryhet në një gjigant qindra herë më të madh se sa përmasat e sotme, duke sjellë fundin e pashmangshëm të Tokës. Edhe nëse planeti i shpëton shkatërrimit, atmosfera dhe oqeanet e tij do të shkrumbohen. Qeniet njerëzore kanë qenë këtu vetëm për një fraksion shumë të vogël të kësaj kohe - afro 200 000 vite - dhe sido që të jetë, shanset që të jemi këtu kur të vijë ky lloj fundi janë shumë të vogla.

 

 

L U S I T A N I A/Vrasje në det të hapur

Kim SEABROOK

Në maj të vitit 1915, RMS Lusitania, e njohur ndryshe edhe si Lucy, ishte një prej anijeve transoqeanike më elegante dhe të bukura. Ajo e kish bërë udhëtimin e saj të parë vetëm në vitin 1907 dhe që atëhere kishte përshkuar më shumë se 200 herë rrugën transatlantike ndërmjet Liverpulit dhe Nju Jorkut. Më herët kish qenë fituese e Shiritit Blu për kohën më të shpejtë të përshkimit të Atlantikut dhe, edhe në një epokë elegance, ajo shihej si shumë speciale e madje edhe pasagjerët e klasit të tretë udhëtonin në një farë luksi. Por gjithë kjo ndryshoi në gusht të vitit 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Tani Lusitania u përshtat për luftë dhe u riklasifikua si një anije tregtare ushtarake dhe asaj iu montuan armë. Ndonëse armët nuk u instaluan asnjëherë dhe luksi mbeti, që tani e tutje ajo do të transportonte materiale lufte. Që nga shkurti 1914, me shpalljen prej gjermanëve të luftës detare të pakufizuar, udhëtimi drejt Amerikës dhe nga Amerika ishte mbushur me rrezik. Por Lucy ishte e shpejtë, ajo e kish përshkuar edhe më parë oqeanin dhe kish mbetur e paprekur, kështu që nuk kishte arsye të besohej që nuk do të vazhdonte ta bënte këtë edhe në të ardhmen.

Me fuqi të plotë

Lusitania mbërriti në Nju Jork në 27 prill të vitit 1915 dhe nisi menjëherë përgatitjet për udhëtimin e kthimit. Ndërkohë, kapiteni i saj, Daniel Dow hoqi dorë nga komanda, thuhet se kishte nevojë për pushim për shkak të stresit të drejtimit në kohë lufte dhe William Turner, kapiteni më me përvojë mori komandën. Në anije ndodheshin 4.200.000 fishekë, 1250 gëzhoja predhash si dhe 18 ndezës joshpërthyes. Të paktën, kjo ishte ngarkesa e deklaruar zyrtarisht. Edhe kaq, mjaftonte që gjermanët ta konsideronin kontrabandë lufte. Disa pasagjerë, të shqetësuar se ngarkesa do ta bënte Lusitanian shënjestër për nëndetëset gjermane, shkuan në ambasadën e Gjermanisë për sqarime. Si rezultat, ambasada gjermane botoi një njoftim që do të shfaqej poshtë posterave që lajmëronin udhëtimin në kthim të Lusitanias. Në të thuhej: "Udhëtarët që kanë ndërmend të bëjnë udhëtimin e Atlantikut duhet të kujtohen që ekziston një gjendje lufte mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, dhe zona e luftës përfshin ujërat pranë Ishujve Britanikë, në përputhje me njoftimin formal të dënë nga Qeveria Imperiale Gjermane, mjetet që mbajnë flamurin e Britanisë së Madhe mund të shkatërrohen në ato ujëra dhe se udhëtarët që lundrojnë në ato ujëra në anije britanike, duhet të kenë vetë parasysh rrezikun".

Paralajmërim!

Paralajmërimi pati efekt sepse trembi disa pasagjerë, por kur ata panë madhështinë e anijes vendosën të udhëtojnë me të, pasi dukej e pamundur që mund të fundosej. Kapiteni William Turner i siguroi ata se Lucy ishte shumë e shpejtë për t'u kapur nga një nëndetëse; dhe kështu, Lusitania u largua nga porti i Nju Jorkut në 1 maj 1915.

Ditët e para të udhëtimit të Lusitanias ishin të patrazuara dhe dukej sikur lufta po ndodhte diku tjetër. Por të gjithë në bord e dinin që ende nuk i ishin afruar zonës së vrasjes. Kapiteni Turner, që kish vendosur të injoronte këshillën e admiralëve dhe të mos ndiqte një kurs me zig-zage, duke u besuar kështu instikteve si një marinar me përvojë, kishte zgjedhur të mbështetej tek shpejtësia. Ai kishte vendosur gjithashtu të lundronte në brigjin irlandez, pavarësisht se ky ishte vendi i preferuar i gjahut për U-boat-et.

Teksa Lusitania iu qas Ishujve Britanikë, atmosfera në bord ndryshoi dhe pati një lloj ankthi mes pasagjerëve, teksa shumë prej tyre dolën dhe nisën të kërkojnë me sy për silura që mund të afroheshin. Në 6 maj, Kapiten Turner mori mesazhin: "Nëndetëse aktive në bregun jugor të Irlandës". Ai mori menjëherë gjithë masat e nevojshme; të gjithë dyert u mbyllën, u fikën dritat dhe u nxorën barkat e shpëtimit. Pavarësisht këtyre masave, Lusitania vazhdoi të lundrojë në vijë të drejtë dhe kishte ulur shpejtësinë për shkak se kishte ndeshur në një mjergull të lehtë. Tashmë ishte një shënjestër thuajse e palëvizshme.

Në orën 1:20 të 7 majit, teksa Lusitania po kalonte pranë Kokës së Kinsale, U20, nën komandën e kapitenit Walther Schwieger doli në sipërfaqe për të rikarikuar bateritë. Në distancë ai pikasi anijen më të madhe oqeanike që ishte në shërbim në atë kohë. Nuk mund të besonte një fat të tillë, por nga ana tjetër ishte gjithashtu i kujdesshëm, sepse i kishin mbetur vetëm dy silura. U zhyt menjëherë, po çfarë të bënte?

Ishte një anije pasagjerësh, mund të kishte gra dhe fëmijë mes tyre. Ai kishte fundosur edhe më parë anije pasagjerësh, por pa humbje jetësh njerëzish, pasi kishte lejuar ekuipazhin që më parë të braktisnin anijen. Por në këtë rast nuk do të ndodhte kështu.

Kapiteni Schwieger mund të shihte qartë ngarkesën me armë dhe ishte i vetëdijshëm se anija mund të qe e armatosur. Ai dinte gjithashtu se këto anije kishin marrë urdhër të sulmonin nëndetëse kudo ku ishte e mundur. Në orën 2:10, Schwieger lëshoi një silurë të vetme. Vendimi për të bërë këtë shkaktoi pak fërkim mes ekuipazhit dhe njëri prej tyre, Charles Voegele, refuzoi të marrë pjesë në një sulm ndaj grave dhe fëmijëve, gjë për të cilën do të bënte burg.

Një njeri mbi bord pa silurën të afrohej dhe lëshoi alarmin: "PO afrohet një silurë në anë!" Por ishte shumë vonë për të vepruar. Vetëm 70 sekonda pasi ishte lëshuar silura goditi, pati një shpërthim të tmerrshëm, por ky u shoqërua më pas nga një shpërthim i dytë shumë më i madh. Një silurë e vetme nuk do të kishte qenë e vetme për të fundosur Lusitanian, por një e dytë kish vulosur fatin e saj.

Kapiteni Turner e dinte që nuk mund ta mbante mbi ujë Lusitanian, ai dinte gjithashtu se tashmë toka dukej me sy, kështu që urdhëroi që anija të drejtohej nga bregu irlandez dhe me shpejtësi të plotë ai shpresonte të arrinte në breg me të.

Ndërkohë, dha urdhër të braktisej anija. Mbi bord mbizotëronte kaosi dhe shumë shpejt u përhap paniku teksa ikën dritat. Disa njerëz ngecën në ashensorët elektrikë dhe nuk mund të dilnin prej aty. Por tani anija po fundosej kaq shpejt saqë pasagjerët po luftonin shumë të qëndronin lart.

Gjithashtu, po bëhej pothuajse i pamundur lëshimi i varkave të shpëtimit. Disa u përplasën në anë duke hedhur njerëzit si kukulla fëmijësh, të tjera u përmbysën duke vënë përfund njerëzit në detin e ftohtë. Nga 48 varkat e shpëtimit, vetëm 6 u lëshuan me sukses. Vetëm 18 minuta pas goditjes nga silura, Lusitania shkoi në fund të detit duke marrë me vete 1198 nga 1959 njerëzit që kish në bord.

Anijet irlandeze të peshkimit, ekuipazhet e të cilave kishin qenë dëshmitarë të skenës që nga bregu, nxituan që nga Queenstown për të ndihmuar ata që luftonin mbi ujë. Kapiteni Turner mbijetoi. Cunard ofroi shpërblim në para për trupat që do të gjendeshin, por vetëm 289 u gjetën.

Tragjedia e Lusitanias ishte një grusht propagande për qeveritë britanike dhe ato aleate, pasi mes viktimave ishin 128 qytetarë amerikanë. Presidenti Wilson nuk do ta fuste asnjëherë Amerikën në luftë për shkak vetëm të fundosjes së Lusitanias, por ai protestoi me termat më të fortë të mundshëm dhe gjermanë, nga frika e ndërhyrjes së amerikanëve në luftë e braktisën përkohësisht politikën e luftës detare të pakufizuar. Ata e rinisën në shkurt 1917 dhe si rezultat në 10 muajt që pasuan, Britania shkoi shumë pranë krizës së urisë.

Pa fundosjen e Lusitanias, lufta e vazhdueshme e pakufizuar me nëndetëse mund ta kish gjunjëzuar Britaninë. Kjo e bëri gjithashtu më të lehtë shkuarjen në luftë të amerikanëve në prill 1917. Ndërkohë, gjermanët kishin nxjerrë një medalje për të përkujtuar ngjarjen. Ajo kish një pikturë të Lusitanias që fundosjes me fjalët: No Contraband!

 

 

L E G J E N D A/Në kërkim të Genghis Khan

Sipas legjendës, kur Genghis Khan vdiq në vitin 1227 në atë që sot është Kina veriore, ndjekësit e tij donin ta mbanin vdekjen të fshehtë nga armiqtë e mongolëve. Kështu, teksa grupi që shoqëronte trupin kthehej në Mongoli, ata vranë çdo person që u dilte para rrugës - më shumë se 20000 - kështu që lajmi për vdekjen nuk do të përhapej. Më pas, kur e varrosën, ata ose riorientuan një lumë për të mbuluar vendin e varrimit, ose vunë kuajt që të shtypnin tokën me qëllim që të mos mbetet asnjë gjurmë, ose i vranë të gjithë ata që e varrosën, dhe më pas vranë edhe vrasësit. Nuk ka prova të forta që tregojnë, se ndonjë nga këto gjëra kanë ndodhur. Ndoshta mund të jenë garnitura të mëvonshme që janë hedhur me qëllimin për të shpjeguar një rrethanë të spikatur të historisë: vendndodhja e varrit të Khan mbetet mister.

Perandoria mongole u tkurr me po atë shpejtësi që u zgjerua - një fakt që mund të ketë luajtur rol të madh në mbajtjen sekret të vendndodhjes së varrit të Genghis Khan. Për shekuj, popujt e Mongolisë ruajtën një stil jetese tradicional nomad që linte shumë pak kohë për të medituar për të kaluarën e largët. Në shekullin 20, Bashkimi Sovjetik dominoi Mongolinë dhe, ndërkohë që e modernizoi, ai i druhej nacionalizmit mongolez dhe kështu që nuk lejonte hulumtime në historinë e kombit.

Por në 20 vitet e fundit është parë një shpërthim interesi për Genghis Khan. Jashtë vendi, reputacioni i tij si një barbar i etur për gjak ka pësuar një rishikim të thellë, pjesërisht falë librave si Genghis Khan dhe krijimi i botës së re.

Në Mongoli, Genghis nderohet në një masë që i afrohet Hyut. Imazhi i tij shfaqet kudo. Aeroporti i Ulanbatar dhe marka të njohura të birrës dhe vodkës kanë marrë emrin e tij. Ndaj nuk është habi, që është rizgjuar interesi për gjetjen e vendit të varrosjes së tij. Që nga shembja e komunizmit në vitin 1991, janë bërë dy përpjekje madhore për të gjetur varrin. Të dyja u zhytën në batakun e polemikave.

E para ishta në fillim të viteve 1990, kur gazeta japoneze "Yomiuri Shimbun" sponsorizoi një ekspeditë që zgjati katër vjet dhe gjeti vendin e një qyteti që kish qenë kryeqytet mongol, Avraga, si dhe një strukturë rrethore shumë intriguese tre kilometra në perimetër, e quajtur Muri i Almsgiver. Por ajo nuk gjeti asnjë shenjë për varrin e Genghis-së. Ekspedita shkaktoi megjithatë dyshime mes mongolëve, shumë prej të cilëve ende besojnë se, japonezët po e përdornin në fakt Genghis si një pretekst për të kërkuar fshehtaz për minerale.

Ende qarkullojnë thashetheme në Mongoli se qeveria, në një përpjekje për të penguar ekspeditën e huaj, ka ndaluar grupi që të shohë Burkhan Kaldun, një mal pranë kufirit me Rusinë, ku studiuesit besojnë se është varrosur Genghis Khan. Pikërisht në Burkhan Halduni, pasi gruaja e tij ishte rrëmbyer nga rivalët, Genghis u lut dhe mori frymëzimin që ishte i destinuar për të ndërtuar një perandori.

"Mongolët nuk do të pranonin që ata të gjenin varrin, për shkak të besimit tonë", tha D. Tumen, kreu i Departamentit të Arkeologjisë në Universitetin Kombëtar të Mongolisë. "Kjo ishte hera e parë, që një ekspeditë ndërkombëtare ishte ndërmarrë dhe mongolët patën frikë se ata do të shkatërronin ose vidhnin disa gjëra nga varri, kështu që ata nuk donin që t'i prekte kush".

Ekspedita tjetër e madhe ishte udhëhequr nga një tregtar mallrash në pension, Maury Kravitz, dhe një historian i Universitetit të Çikagos, John Woods. Kjo ekspeditë, gjithashtu, nuk pa në Burkhan Kaldun, por në Murin e Almsgiver. Edhe kështu, grupi u detyrua të përfundojë herët kërkimin, në vitin 2002, pasi një ish-kryeministër i Mongolisë vizitoi dhe shkroi një letër publike, duke pretenduar se amerikanët kishin përdhosur vendin me makinat që lëviznin mbi të, me ndërtimin e objekteve të përkohshme shumë afër murit etj.

Tani është një tjetër grup që synon gjetjen e varrit. Ajo quhet Projekti Lugina e Khanëve, dhe filloi punë vitin e kaluar. Ajo është e udhëhequr nga Albert YU-Min Lin, një ekspert i shkencave materiale në Universitetin e Kalifornisë-San Diego, pa një bekgraund arkeologjike. Faqja e parë e projektit në internet përmban një citim nga libri i "Genghis Kha", nga John Man, i cili lë të kuptohen pritshmëritë e ekipit: "Sigurisht, është pranuar gjerësisht, se varri i sundimtarit të gjysmës së Eurazisë do të rivalizonte atë të Tutankhamun. Në fakt, kërkimi nuk është vetëm për një varr, por për një varrezë të tërë, një lloj Lugine Mongoliane e Mbretërve, ku familja Genghis dhe trashëgimtarët ... duhet të qëndrojnë të varrosur, së bashku me gratë, konkubinat, skllevërit, kuajt dhe Parajsën e Përjetshme dhe sende prej ari, bizhuteri, veshje dhe armë e çdo gjë që mund të sjellë në mendje imagjinata".

"Nëse varri ekziston dhe nëse gjendet ndonjëherë, atëherë do të krijonte një revolucion në arkeologji, studime, prurjen e të ardhurave dhe - përderisa Kina pretendon se Genghis është i saji - në marrëdhëniet ndërkombëtare".

Por në faqen e internetit te Lugina e Khanëve nuk citohet rreshti tjetër i librit të Man: "Zbulimi i varrit do të sinjalizonte fillimin e një furie ushqimi, duke tërhequr fonde, shumica e të cilëve ndoshta në dollarë, për kënaqësinë e institucioneve që tashmë ekzistojnë dhe shumë të tjerëve që do të krijoheshin brenda natës. Universitetet do të rivalizonin agjencitë e udhëtimit për kontrollin e aksesit, me qeverinë që do të vepronte si arbitër, duke u përpjekur të marrë një pjesë të të ardhurave për kombin, dhe ndoshta duke dështuar, duke parë pasionin aktual për privatizime si dhe mbizotërimin e rryshfetit". Mundësia e këtij lloj kaosi përreth vendit të prehjes së heroit të Mongolisë ka krijuar dyshime në Mongoli në lidhje me kërkimet, dhe një tjetër pyetje e madhe është duke u ngritur këto kohë: A duhet të gjendet varri i Genghis Khan?

(http://www.rilindjademokratike.com)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Revolucioni i mëndafshtë në Çekosllovaki - Figura kyçe Vaslav Havel (11.18.2009)
Numra & simbole (Triptik) (11.14.2009)
Miti Shiler - Si u nderua, tabuizua dhe instrumentalizua (11.12.2009)
9 Nëntori - Dita e Fatit të Gjermanëve (11.09.2009)
Grupet opozitare gjermane që paraprinë rënien e Murit të Berlinit (11.07.2009)
"Normaliteti" i një përbindëshi (11.04.2009)
Rënia e Murit të Berlinit, e çara më e madhe e sistemit komunist (11.03.2009)
Ana e Panjohur e Murit të Berlinit/Prapaskenat e Presidentit Kenedi (11.01.2009)
Hallouini ose nata e të gjithë shenjtorëve (10.28.2009)
Dita e fundit e komunizmit (10.25.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]