VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Tri fytyrat e RomësNga Andrew McCarthy

                                                                                      

E Mërkurë, 05.01.2024, 06:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Tri fytyrat e Romës

Nga Andrew McCarthy


E Hënë, 01.11.2010, 11:22am (GMT+1)

 

 

Eshtë mesnatë - kambanat e Kishës sapo ranë. Hëna është një ditë pas të plotës. Jam duke ngrënë akullore teksa qëndroj në shkallët e shatërvanit në mes të Sheshit "Santa Maria di Trastevere" në Romë. Jam ndërmjet një të dehuri dhe një çifti që puthen plot gusto. Qindra njerëz të tjerë "gumëzhijnë" përreth meje. Jam thellë në një eksperiment që do të shndërrohet në një ide shumë të mirë.

 

E kam vizitur edhe më parë Romën. Kam qëndruar në hotele superluksozë, në pensione të familjeve romane, dhe në apartamente privatë, dhe në secilin prej këtyre rasteve kam patur nga një ndjesi të ndryshme për qytetin. Por këtë herë kam vendosur të kombinoj të tre llojet e strehave në një udhëtim. Do ta filloj duke jetuar në bollëk, do të zbres më pas në një nivel të arsyeshëm jetese dhe më pas në një nivel të lirë - në tre lagje shumë të ndryshme. Dua të shoh se si vendndodhje dhe akomodime të ndryshme ndikojnë në eksperiencën time. E kam çliruar vetveten nga detyrimi për të parë gjëra të veçanta; jam këtu për të zbuluar ritmin dhe sjelljet e secilës lagje, dhe ndoshta disa prej sekreteve të tyre.

 

Kështu që, e filloj nga maja.

 

"Mirëse vjen zotëri", më thotë një burrë me fytyrë të nxirë nga prapa banakut. Më pas sheh pak vëngër. "Apo duhet të them, mirë se u riktheve. Kështu mendoj. Apo jo?"

A mos më mban mend nga 10 vjet më parë? "Jam mirë me kujtesën, thotë duke më lexuar atë që mendoj dhe duke buzëqeshur. Mbërritja në një hotel shumë të mirë është një prej ndjesive më të kënaqshme në një udhëtim. Dhe kur nuk je thjeshtë i mirëpritur, por edhe i pranuar, kjo ndjesi është themelore.

 

Hotel "Hassler" është një prej adresave më të mira në botë. Tendencat venë e vijnë, por "Hassler" mbetet gjithmonë. Por, dil përjashtë derës që rrotullohet, dhe ndesh në një botë krejt tjetër. Të famshmet shkallë spanjolle, të 136-a varen tëposhtë "Hasslerit" në kaosin poshtë Piazza di Spagna. Projektuar nga një italian, paguar nga një francez, dhe emërtuar për shkak të ambasadës spanjolle aty pranë, këto shkallë të mermerta janë një vendtakimi për italianë dhe turistë - një spot i hirshëm që shpesh të ngjan sa emocionues, aq edhe ligështues.

 

 

Nuk më duhet shumë kohë për të gjetur strehë në historiken Antico caffe Greco, në Via Condotti. Me muret e ngjyrosur, tryezat e mermerta dhe pikturat pastorale poshtë dyerve me hark, kjo kafene në kulmin e saj ka qenë frymëzimi i shkrimtarëve si Gëte, Stendali dhe Bajroni, dhe sot vazhdon të magjepsë. Po, hoteli im është i kushtueshëm, por unë e ndjej veten që kam mbërritur në Romë vetëm kur hyj tek Greco. Eshtë një vend ku rikthehem gjthmonë, ndonjëherë duke zënë një tryezë, ndonjëherë duke rrufitur një espresso në bar bashkë me vendasit, për një çerek çmimi.

 

Mund të thuash se, gjërat në lagje kanë ndryshuar që kur poeti John Keats vdiq në një banesë pranë shkallëve spanjolle në 1821. Ish-shtëpia e tij është sot Keats-Shelley House, një vend i shenjtë për romantikët. Që nga dhoma e gjumit në muzeumin që vizitohet jo pak, poeti duke vdekur nga të pirët, shihte jashtë tufat e dhive, si dhe panairët e skalitësve dhe mozaikëpunuesve. Sot, nga po e njëjta dritare, unë shoh dyqanet e Dior dhe Yves Saint Laurent, si dhe kokën e rruar të një burri që pozon për një fotografi, ndërkohë që laget në shatërvanin me formë barke të Pietro Berninit.

 

I kthyer në mjediset e rafinuar të restorantit në çatinë e "Hasslerit", hutueshëm pij dhe vështroj Romën, ndërkohë që dielli perëndon prapa Vatikanit. Duke shijuar piten time me haviar, e kam të vështirë të imagjinoj se çmund të duash më shumë nga jeta. Por deri në ëmbëlsirën e tretë sigurisht që jam i gatshëm të fërkoj pakëz bërrylat me njerëzit në rrugë. Dhe këta fërkohen në Fontana di Trevi. I mbushur në çdo orë, shatërvani më i madh dhe më i famshëm i Romës mund të duket si një detyrë e mundimshme për viziotorët. Megjithatë, ejani këtu natën, dhe eksperienca transformohet në një kënaqësi sensuale - një kënaqësi e vërtetë komuniteti.

 

Gjej një vend pranë dy njerëzve që hanë akullore, njëri shumë i ri dhe tjetri shumë i moshuar, të dy të kënaqur. Të dashuruar në forma dhe madhësi të ndryshme më japin aparatët që t'u bëj fotografi. Dëgjoj italisht dhe anglisht, sigurisht dhe koreançe, portugalisht, gjermanisht dhe spanjisht. Askush nuk duket i huaj. Ka vetëbesim lozonjar në turmë. Realizimi monumental prej skulptorit Nicola Salvi i kocisë së perëndisë greke Oceanus që tërhiqet nga kuaj deti të ngarë prej tritonëve është një vend për të lartësuar jetën - jetën romake. Praktikisht, të gjithë shkojnë në skajin e shatërvanit, kthehen, ndalen dhe në një moment dobësie që i bën të gjithë të barabartë, hedh një monedhë prapa krahëve për të siguruar një udhëtim rikthimi në Romë.

 

Shëtitja ime e natës vonë përmes rrugëve të kalldrëmta më çon në një bllok të qetë, ku përjetoj një prej atyre momenteve të rallë të qetësisë që janë të mundur vetëm në një qytet të rrëmujshëm që pret të marrë frymë sërish. Edhe në këtë orë të vonë është dikush aty që më mban derën tek "Hassler". Mendoj që do të uroja të ishte në shtëpi duke fjetur - dhe nga pamja e fytyrës, mendoj se po kështu po mendon edhe ai.

 

Ndërkohë, që koha që kaloj në "Hassler" është për t'u patur zili, ajo ofron vetëm një eksperiencë të maskuar të Romës. Tekat më plotësohen, por zbuloj që sa herë që largohem nga hoteli, e bëj këtë me drojen e një fëmije për të cilin kujdesi ka qenë i tepruar. Nis e rebelohem ndaj asaj që më rrethon. Ashtu si një adoleshent që shkon në kolegj, rend tëposhtë shkallëve spanjolle dhe nisem përgjatë Via Condotti për në qendrën historike të Romës, aty ku zë dhomën numër 13 të Hotel teatro di Pompeo, një pension familjar në 8 Largo del Pallaro.

 

Teksa hyj në ashensorin për dy persona, me duart plot, Paolo, njeriu tek recepsioni, vjen nga pas qoshes, merr një çadër dhe me një precizion që më ngjan si i Zorros shtyp numrin "3" në panelin e ashensorit. Dera mbyllet. 'Grazie", thërras unë.

 

Një "Prego" e mbytur vjen nga dera e ashensorit që po ngjitet. "Hassler" tashmë i përket të shkuarës.

 

Dhoma ime është një papafingo me tavan ngjyrë të errët. Nga dritarja, pamja që shoh është ajo e një fasafe ngjyrë kafe të një ndërtese në anën tjetër të sheshit në formë trekëndëshi. Shoh një burrë të moshuar me T-shirt që përkulet për të hapur kanatat. Pamja është shumë larg asaj që shoh prej shtëpisë time në kodër, por është gjithsesi një pamje ku e gjej veten. Detaji dhe shkalla njerëzore janë të kuptueshme dhe rehatuese. Ndihem i relaksuar.

 

Qendra historike ka qenë zemra e Romës së rilindjes dhe asaj baroke. Arkitektura e saj i detyrohet shumë arkitektëve rivalë të shekullit 17 dhe skulptorëve Gian Lorenzo Bernini - që ka projektuar të famshmin Shatërvan të katër Lumenjve në Piazza Navona - dhe Francesco Borromini, kryeveprat e të cilit përfshijnë Kishën e Saint Agnes në Agone, edhe kjo në Piazza Navona. Rrugët këtu janë më të ngushta dhe përthyhen me kënde më rastësore se sa bulevardet e rregulluar mirë pranë shkallëve spanjolle. Rehatohem në një rutinë që më jep më shumë lidhje me vendin se sa luksi që kisha mbi shkallët spanjolle.

 

Çdo mëngjes blej fruta nga i njëjti shitës, ulem në të njëjtën kafene në Piazza Farnese dhe shoh një djalë të rritur që takon të ëmën në tryezën pranë meje për kafe. Vijnë nga drejtime të ndryshëm. Ajo është shumë e mbajtur, ndërsa ai është shumë i çrregullt. Ajo rrufit kapuçino, ndërkohë që ai pi një espresso. Ai i rrëfen për telashet e tij, ndërsa ajo pohon me kokë dhe mbledh supet. Më pas, ngrihen. Ai përkulet për ta puthur në faqe, dhe pastaj nisen të dy në drejtimet nga erdhën. Eshtë një variacion i një skene që e shoh në të gjithë Romën, dhe shumë domethënës për italianët.

 

Mes gjërave që na bëjnë të ngecim në një lagje janë pikat vendase të referimit, si dhe marrëdhënia jonë gjithnjë e ndryshueshme, por e papërfundueshme me to. Ndërtesa apo parqe me të cilët lidhemi apo të cilët i injorojmë përditë shndërrohen në gurët tanë të provës, pikat tona të familjaritetit dhe të nisjes. Nuk bën dëm që në Romë rallë duhet të shkosh larg për të parë një gjë "të madhe". Pika e referimit në qendrën historike ku unë vazhdoj të rikthehem, duke e admiruar e duke ikur e duke e admiruar sërish - shpesh disa herë në ditë - është Panteoni 2000-vjeçar. Një ndërtesë rrethore me një portik kolonash, Panteoni ka mbijetuar që në kohërat e lashta (pjesërisht falë faktit që u konsakrua si Kishë në shekullin 7). Mikelanxhelo studioi kubenë dhe okulusin - vrimën në formë syri në kube - përpara se të dizenjonte kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit.

Duke jetuar si vendas, e përjetoj Panteonin gjatë të gjithë ditës: herët në mëngjes, gjatë pasditeve kur ka trafik të madh këmbësorësh dhe në mbrëmje, kur i është rikthyer romanca. Nis e formohet një marrëdhënie, e cila penetron në një mënyrë, të cilës nuk mund t'i qaset as edhe një vizitë e vetme, sado magjepsëse të jetë.

 

Hyj në një marrëdhënie të një lloji shumë të ndryshëm me një ndërtesë pranë pensionit ku banoj. Trattoria del Pallaro është më tipiku i vendeve të vizituar shpesh. Që nga kuzhina e saj e vogël, Paola Fazi ka 46 vite që nxjerr gatime.

 

Der Pallaro nuk ka menu./ Ti ha atë që bën Fazi - dhe çfarëdo që të jetë në atë ditë të caktuar, ajo po gatuan shumë. Me sytë e thellë dhe një hundë si shqiponjë, ajo patrullon trotuarin e sa me autoritet. Nuk guxoj të lë pa ngrënë një zito. Kur ndalet pranë tryezës sime dhe sheh që e kam pastruar pjatën, ajo mbështet fortë krahun mbi supin tim. Me frikën e një djaloshi në klasë të dytë, unë ngre sytë lart. Rathë të zinj i rrethojnë sytë. Ajo tund kokën ngadalë. Unë pushoj së marri frymë. Më pas, ajo lëshon një buzëqeshje të madhe. Unë marr frymë sërish dhe mbështes kokën në gjoksin e saj.

 

Der Pallaro është më shumë se një restorant vendas me kuzhinë rustike. Historia, ose të paktën kështu thotë Fazi, është bërë pikërisht në këtë qoshke. Teksa bëj të largohen, ajo më merr krahun dhe më afron tek vetja. Jam i frikësuar nga vëmendja e saj, por edhe krenar që kam fituar simpatinë e saj.

 

"Jul Cezarin, e njeh?"

 

"Personalisht jo, por sigurisht që e njoh"

 

"Ka vdekur këtu"

 

"Këtu? Ku po qëndrojmë ne?"

 

"Po ka vdekur". Zëri i shihet, sytë i zvogëlohen. "Poshtë kuzhinës". Nuk është një fakt që mund ta konfirmoj me lehtësi, por asnjëherë nuk kam qenë dikush që ka vënë në dyshim mamanë. Ndoshta Cezari nuk e kish përfunduar zitin e tij.

 

Jeta në dhomën time në katin e sipërm është plot kënaqësi, por një mëngjes, marr çantën dhe largohem. Koha për të ikur. Një espresso i fundit në kafenenë time në Piazza farnese dhe nisem poshtë drejt lumit Tiber si dhe kaloj urën vetëm për këmbësorë, Ponte Sisto. Ura është bosh, përveç një çifti të moshuarish që vijnë të kapur përdore nga drejtimi tjetër. Vatikani duket në të djathtën time.

 

Kur kaloj urën, ndodhem në lagjen e klasës punëtore në Trastevere, që fillimisht nuk ka qenë pjesë e qytetit. Që kur është përfshirë, ajo është transformuar në një kazan zierës për artistë, imigrantë e punëtorë. Eshtë një lagje që e kam vizituar fillimisht 20 vjet më parë dhe kam kujtime të ëmbla. Kam pritur shumë të rikthehem.

 

Këtë herë po e bëj si një vendali i vërtetë, duke zënë me qera një apartament. Pas disa kthesash të gabuara përgjatë rrugëve shumë të ngushta për të kaluar me një makinë për të cilën ia vlen të kujdesesh, fus çelësin në derë, ngjitem në disa shkallë, kthej një tjetër çelës dhe hap kanatat. Jam në shtëpi. Në çast, përjetoj një ndjesi lirie që e shijoj plot ëndje, një ndjesi që më bën të ndihem vetvetja. Me kalimin e ditëve, sa herë që dal nga dera ime e jashtme goditem nga drithërima e shanseve - një drithërimë që më kap sa herë nisem në udhëtime.

 

Nuk ka shumë pamje për libra guidash që mund të shohësh në Trastevere; është një lagje për të jetuar. Piazza di Santa Maria në Trastevere është në qendër të kësaj bote të re, ashtu si shkallët spanjolle dhe panteoni në dy lagjet e mëparshme. Që nga vendi i ri i mbipopulluar, Caffe di Marzio, admiroj mozaikun e fasadës romaneske të Bazilikës së Santa Marias. Mozaiku është një imazh që ka jetuar për dy dekada në kujtesën time. Ndërsa e vështroj, duke rrufitur kafenë, mendoj se çfarë udhëtimi i gjatë nëpër vite ka qenë për t'u rikthyer këtu. Disa herë udhëtimi na ndihmon të shohim se sa me fat që jemi. Nuk mund ta heq buzëqeshjen nga fytyra ime.

Në Trastevere, bota ime bëhet e vogël në një mënyrë që më kënaq. Këtu, detaje të jetës që shumë rrallë e lejoj veten t'i shoh kur jam në shtëpinë time, zbulojnë një model të sjelljes njerëzore që më lidh me botën. Identifikohem me pothuajse gjithçka. Herët në mëngjes, kur ende askush nuk ndodhet përreth shatërvanit të sheshit, shoh një prift me një valixhe si dhe një murgeshë që shtrëngon në duar një kopje të palosur të gazetës "La Repubblica", të dy shkëmbehen rrugës pa e njohur njëri-tjetrin. Më tutje, një grua me një fustan të purpurt kalon pranë mbi një Vespa. Vërej një burrë të moshuar në një tryezë pranë times që shijon një kupë me akullore me vanilje për mëngjes. E shoh dhe shpresoj që fëmijët e mi do të bëjnë edhe vetë të njëjtën gjë kur të kenë moshën e tij.

 

Një blloj më tutje, rrugës për në apartamentin tim, kaloj pranë Museo di Roma në Trastevere, një muze qyteti në një manastir të konvertar. Pak më lart është një ekspozitë e një piktori roman të shekullit 19, i quajtur Ettore Roesler Franz. Duke patur parasysh koleksionin e jashtëzakonshëm roman të artit të rilindjes dhe atij barok, duket pak e çuditshme të shohësh ngjyra uji të jetës së rrugës në Romën e viteve 1800. Por vendi është shumë i errët. Në fakt, dritat kanë ikur. Pas pak roja e kupton që ka shoqëri - unë jam vizitori i vetëm i këtij mëngjesi - dhe shkon të ndezë çelësin.

 

Nëse këto piktura do të ishin diku tjetër veç Romës, do të tërhiqnin shumë më tepër vëmendje. Plot detaje, ato paraqesin skena nga një jetë jo shumë e ndryshme nga ajo që unë bëj në Trastevere - e thjeshtë, e gëzueshme. Ndjej një cimbim zbulimi teksa endem nga një galeri në tjetrën. Dyshoj që Ettore Roesler Franz ka patur ndonjëherë një publik më admirues.

 

Më pas, marr një aperitiv në barin tipik të klasës punëtore, Bar San Callisto. Njerëzit tymosin duhan, fëmijët lozin përreth. Pak metra më tutje, disa punëtorë janë ulur në një tavolinë të vogël në mes makinash të parkuara dhe luajnë me letra. Ndërsa shumë të tjerë rrinë rreth tyre, duke parë letrat tek përplasen përtokë. Jemi shumë larg ditëve të mia të luksit në Shkallët Spanjolle.

 

Më duket se kam jetuar tre jetë gjatë këtij udhëtimi tim në Romë. Udhëtimi ka qenë jo thjeshtë një eksplorim i vendit, por, ashtu si një udhëtim që vlen, ka qenë më shumë një zbulim dhe iluminim i vetvetes. Vetëm përmes eksperiencës mësova se vëmendja dhe plotësimi i fantazisë që më ofroi "Hassleri" do t'i hapte rrugë një ndjenje dëshirimi. Që ulja e vështrimit tim tek ai pensioni familjar do të frymëzonte një dëshirë për investim në vend. Që kalimi i lumit tiber drejt pavarësisë do të më bënte të zbuloja një ndjesi lidhjeje dhe thjeshtësia që e dua aq shumë, si në udhëtim, ashtu edhe në jetë.

 

Tani, në orën e mesnatës në Piazza di Santa Maria, qindra njerëz bëjnë xhiro përreth. Asgjë e veçantë nuk po ndodh, askush nuk është se ka ndonjë vend të caktuar ku të shkojë. Ashtu si unë, janë të kënaqur që vetëm të enden. Jam si në shtëpi në mes të turmës, i lumtur që jam pjesë e saj. Përfundoj akulloren time dhe ngrihem nga vendi që kam zënë pranë shatërvanit, duke u larguar ngadalë prej Piazzas. Mendoj që të kthehem dhe t'i hedh edhe një vështrim të gjithë kësaj skene, por vazhdoj të eci. Vazhdoj rrugën, rrëmoj në xhepat e mi, nxjerr çelësin dhe e fus në drynin e apartamentit tim të thjeshtë. (http://www.rilindjademokratike.com)
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
El Dorado vërtetë ekziston (01.08.2010)
Google nxjerr në treg supertelefonin (01.06.2010)
Shanse të vogla për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndalimin e Armëve Bërthamore (01.06.2010)
Bashkimi Evropian (BE) i ri duhet të merret më 2010 me probleme të vërteta (01.05.2010)
Gjykata Supreme e Malajzisë lejon fjalën Allah për të krishterët (01.04.2010)
Shkenca që ndryshoi botën në vitin 2009Nga Richard Solash (01.01.2010)
Burj Dubai, kulla rekord botëror e cila ka me e përzënë krizën botërore (12.29.2009)
"The American Interest": Dy shtyllat e "shekullit të ri" amerikan. Sekreti i vogël i modelit amerikan të luftës (12.29.2009)
Intervistë me Henry Kissinger dhe Hillary ClintonNga Jon Meacham (12.28.2009)
Si u bë 25 dhjetori Krishtlindje/A është e vërtetë ditëlindja e Krishtit? (12.25.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]