VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - "Për një shtet të fortë me vlera kombëtare" - Portret i presidentit të vdekur polak Lech Kaczynski

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 12:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
"Për një shtet të fortë me vlera kombëtare" - Portret i presidentit të vdekur polak Lech Kaczynski
E Djelë, 04.11.2010, 08:20am (GMT+1)

 

 

Lech Kaczynski ishte president i Polonisë prej 2005-ës dhe donte të rikandidonte në vjeshtë të këtij viti. Ai vdiq në mënyrë tragjike në moshën 60 vjeç.

 

Lech Kaczynski ishte prej dhjetorit 2005 president i shtetit polak. Ai u bë i njohur në mbarë vendin që në moshën 12 vjeç. Bashkë me vëllain binjak Jaroslaw ai ishte yll i filmave kinematografikë me përralla për fëmijë. Vëllezërit lindën më 18 qershor 1949 në Varshavë. Gjatë Luftës II Botërore prindërit e tyre luftuan në kryengritjen e Varshavës kundër pushtimit gjerman.

 

Vëllezërit binjakë Lech Kaczynski (djathtas) dhe Jaroslaw Kaczynski (majtas) në Varshavë. 01.08.2005 

 

Besimtari katolik studjoi drejtësi dhe hyri në politikë. Kur në fillim të viteve tetëdhjetë punëtorët polakë krijuan kundër vullnetit të pushtetmbajtësve komunistë sindikatën Solidarnosc ai ishte në anën e opozitës dhe ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të udhëheqësit sindikalist Lech Walesa.

 

"Synimi më i rëndësishëm për ne ishte zgjedhja e Lech Walesës si president i Polonisë. Ai duhet të zgjidhej, me gjithë dallimet që ekzistonin",  - kujton ai më vonë. Por me marrjen e pushtetit politik në vitin 1990 prej Solidarnoscit rrugët e dy veprimtarëve u ndanë. Kaczynskin e tërhoqi gjithmonë e më shumë ana e djathtë dhe në kësisoj edhe opozita politike. Bashkë me vëllain e tij Jaroslawin ai krijoi Partinë nacional-konservatore për të Drejtë dhe Drejtësi (PiS). Ai u angazhua për një shtet të fortë dhe theksonte vlerat kombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2001 Lech Kaczynski ishte ministër i drejtësisë. Në 2005-ën u zgjodh kryetar shteti.

 

Takim me Papën Benedikti i XVI-të - Kaczynski ishte besimtar katolik.

 

"Ky është një sistem politik i ri. Kjo është prerja e urave me traditat post-komuniste, me të gjitha hallkat e dobëta dhe sëmundjet s shoqërisë", - deklaronte atëherë Kaczynski.

 

Që atëherë Polonia konsiderohej si "republika e binjakëve", sepse vëllai i tij, Jaroslawi, që i ngjante jashtëzakonisht, ishte nga 2006-a deri në 2007-ën kryeministër. Gjatë kësaj kohe vendi u zhvendos me shpejtësi të madhe drejt së djathtës në kampin nacional-konservator ose nacional-katolik. Atje presidenti i ri Kaczynski u profilua para së gjithash me kërkesat për një shtet të fortë me tone kritike ndaj Evropës dhe shpesh anti-gjermane. Kulmi i fushatës ishte kërkesa e afro 50 miliardë dollarëve, që Kaczynski e bëri në vitin 2004 kur ishte ende kryetar i bashkisë së Varshavës për dëmet nga Lufta II Botërore dhe donte t'ua vinte në faturë gjermanëve. Por pas zgjedhjes si president (në vitin 2005) ai nuk donte të dinte më për akuzat e veta dhe u përpoq që t'i afrohej sërish Evropës e veçanërisht gjermanëve.

 

"Më gëzon mirëdashja e kancelares në luftën tonë për një buxhet optimal të Bashkimit Evropian", shprehej Kaczynski.

 

Lech Kaczynski vdiq të shtunën (10.4.) bashkë me të shoqen. Ai lë një vajzë të rritur. Kryetari i parlamentit polak Bronislaw Komorowski vendosi një javë zi shtetërore pasi mësoi për lajmin e rrëzimit të avionit, në të cilin vdiqën presidenti polak Lech Kaczynski dhe politikanë të tjerë.

--

Aksident ajror vdekjeprurës - Vdes presidenti i Polonisë Kaczynski

 

Presidenti polak Lech Kaczynski humbi sot jetën bashkë me shumë personalitete të tjera polake që gjendeshin në bordin e një avioni të rrëzuar në Smolensk të Rusisë.

Televizioni rus shfaqi ndërkohë pamje nga vendi i fatkeqësisë. Pjesë të avionit të aksidentuar ishin shpërndarë në një pjesë pylli. Sipas të dhënave të ndryshme, avioni i tipit Tupolev 154 kishte në bord midis 87 dhe 132 vetë. Nuk pati të mbijetuar. Kjo u konfirmua ndërkohë prej ministrisë ruse për mbrojtjen nga katastrofat. Në lidhje me arsyen e fatkeqsisë u shpreh guvernatori i Smolenskut Sergej Antufjev:  "Gjatë uljes aeroplani nuk ia doli të arrinte pistën e uljes. Sipas të dhënave aktuale aeroplani preku pemë dhe ju dëmtuan krahët. Si pasojë ai u copëtua."

 

Pjesët e avionit të shkatërruar Tupolev 154 - pamje e televizioni polak.

 

Në aksident humbën jetën ushtarakët më të lartë polakë

 

Sipas listës zyrtare të pasagjerëve, të publikuar prej qeverisë polake, në aksidentin e sotëm humbën jetën edhe shefi i shtabit të ushtrisë polake Franciszek Gagor, gjeneral-majori Bronislaw Kwiatowski, komandant i forcave operacionale, gjenerali Tadeusz Buk, komandant i forcave tokësore, Andrzej Blasik, komandant i forcave ajrore, Wojciech Potasinki, komandant i forcave speciale, dhe zëvendësadmirali i forcave detare Andrzej Karweta.

 

Delegacioni do të merrte pjesë në ceremoninë përkujtimore për vrasjen e ushtarëve polakë nga shërbimi i fshehtë sovjetik në Luftën e II-të Botërore.

Në lidhje me masat për nxjerrjen e viktimave një zëdhënëse e Ministrisë ruse për Mbrojtjen nga Katastrofat tha: "Aktualisht janë të angazhuar mbi 80 vetë si dhe 18 njësi teknike. Tre avionë qëndrojnë në gatishmëri në Moskë për të dërguar forca të tjera shpëtimi. Me urdhër të presidentit së shpejti në vendin e fatkeqësisë do të vijë ministri për Mbrojtjen nga Katastrofat, Shoigu. Informacionet aktualizohen vazhdimisht dhe ju përcillen medieve."

 

Ngrihet komision hetimor nën drejtimin e kryeminstrit Putin

 

Presidenti rus Medvedev caktoi menjëherë një komision hetimor, i cili qëndron nën drejtimin e kryeministrit Putin. Konstantin Kosaçov, kryetari i komisionit të Dumës ruse për çështjet e jashtme, shprehu ngushëllimet e tij. Ai tha se fatkeqësia është një katastrofë e madhe për popullin polak dhe atë rus. Rusia ndien në këtë orë me Poloninë, tha ai.

Polonia në zi pas rrëzimit të avionit - lule dhe qirinj para pallatit presidencial në Varshavë. 10.04.2010

 

Merkel, Westerwelle dhe BE-ja të tronditur thellë

 

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, u shprehën të tronditur thellë nga vdekja e presidentit polak Lech Kaczynski. Merkel deklaroi se ishte "e tronditur thellë". Westerwelle, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut tha se "kjo është një orë tragjike" për popullin fqinj polak. Me Kaczynski-n dhe viktima të tjera "të tragjedisë së tmerrshme" edhe Evropa humbet personalitete mbi të cilat mund të mbështetej "kur ishte e nevojshme" Edhe për Gjermaninë ky është një moment "për të ndalur një çast". Gjermanët janë pranë polakëve në këto momente të vështira, tha Westerwelle. Ai shtoi se e kishte njohur vetë Kaczynski si një bashkëbisedues shumë të zgjuar dhe energjik. Për këtë arsye vdekja e tij më prek nga afër personalisht, tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.

 

Bashkimi Evropian dërgoi një mesazh mbështetjeje për Poloninë për vdekjen e papritur të presidentit. "Dua t'ju përcjell mbështetjen tonë për popullin polak përballë kësaj tragjedie," tha Ministri i Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit mban aktualisht kryesinë në Bashkimin Evropian. Ai tha se donte të përcillte "një sinjal solidariteti" në këtë kohë të rëndësishme për gjithë polakët dhe evropianët.

 

Pasoja për peisazhin politik në Poloni

 

Zëdhënësi i qeverisë polake Pawel Gras tha se pas vdekjes së Kaczynskit, president prej 2005-ës, vendi do të zhvillojë zgjedhje. "Në përputhje me kushtetutën do të na duhet të duhet të mbajmë zgjedhje të parakohshme presidenciale, tha Gras. "Tani, kryetari i dhomës së ulët të parlamentit, Bronislaw Komorowski, është automatikisht presidenti në detyrë." Polonia do të mbajë një javë zi për fatkeqësinë që ndodhi sot në Rusi.

--

Zi në Poloni - Humbje e rëndë për jetën politike të vendit

 

Vdekja e presidentit polak Lech Kaczynski dhe e shumë personaliteteve të tjera të vendit, si pasojë e rrëzimit të avionit në Rusi, është një goditje e rëndë për jetën politike të vendit.

 

Si shpesh në raste të tilla, fillimisht mbizotëroi konfuzioni për numrin e viktimave të aksidentit ajror, deri në orët e vonëta të paradites, kur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake indirekt saktësoi shifrën:  "Tragjedia kapërcen përmasat e gjithçkaje, me të cilën kemi pasur të bëjmë ndonjëherë. E papërfytyrueshme, nuk mundemi ta marrim me mend. Të 88 pasagjerët në bord të avionit kanë humbur jetën. Në librat e historisë polake, kjo tragjedi do të jetë një faqe e zezë. Një tragjedi e papërfytyrueshme."

 

Rrëzimi i avionit të qeverisë polake është një plagë e thellë edhe për jetën politike të Polonisë. Në bord të avionit krahas presidentit Lech Kaczynski gjendeshin edhe personalitete të tjera drejtuese të vendit. Sipas njoftimeve në televizionin polak, guvernatori i Bankës Qendrore polake, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, shefi i autoritet polak për administrimin e dokumentave të ish-sigurimit të shtetit, politikanë, klerikë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

 

 Lule dhe qirinj para pallatit presidencial në Varshavë.

 

Goditje e rëndë - shuhen personalitete të shquara të elitës polake

 

"Ka vdekur elita e vendit tonë", citohet të ketë thënë ish - presidenti Lech Walesa. Ndërsa pasuesi i tij si president, Alexander Kwasniewski, tha: "Presidenti me bashkëshorten humbën jetën, një grup i madh parlamentarësh të shkëlqyer, komandanti suprem i ushtrisë polake, ipeshkvët e ushtrisë: çdo emër është një thikë në zemër."

 

Cinizëm i fatit - 70 vjet më parë në Katyn u zhdukën mijëra intelektualë polakë

 

Për shumë polakë është një goditje cinike e fatit, që tragjedia ndodhi pikërisht rrugës për në Katyn, ku 70 vjet më parë oficerë polakë dhe intelektualë të tjerë u pushkatuan me urdhër të Stalinit. Sipas polakëve, kjo ishte atëherë një përpjekje për të eliminuar krerët e vendit dhe për t'i prerë kokën polakëve në përgjithësi.

 

Kaczynski donte të kujtonte në Katyn viktimat polake, por edhe sovjetike të regjimit stalinist. Ndryshe nga takimi i kryeministrit polak Donald Tusk me homologun rus Vladimit Putin, takimi nuk do të kishte karakter zyrtar, por do të ishte një ceremoni përkujtimore kryesisht polake. 100 të afërm të familjeve të viktimave ishin nisur me tren; ata reaguan të tronditur nga lajmi dhe organizuan një meshë në Smolensk.

 

Guvernatori i rajonit Smolensk kishte informuar që në mëngjes se nuk kishte të mbijetuar nga rrëzimi i avionit. Rrëzimi ndodhi sipas tij në 10:50 sipas orës lokale. Gjatë zbritjes në aeroportin e Smolenskut, avioni i tipit Tupolev u rrëzua në një pjesë pylli dhe mori zjarr. Presidenti rus Medvedev urdhëroi ngritjen e një komisioni për hetimin e ngjarjes.    

 

 Flamuri në gjysmë shtize në pallatin presidencial. Varshavë, 10.04.2010.

 

Kryeminstri polak Donald Tusk mblodhi qeverinë në një takim krize dhe u kthye para kohe nga pushimi i fundjavës në qytetin e lindjes Dansk. Sipas kushtetutës polake, në rast vdekjeje të kryetarit të shtetit funksioni i tij merret nga kryetari i parlamentit. Këtë funksion e mban aktualisht Bronislav Komorovski, nga partia e kryeministrit Tusk.

(http://www.dwelle.de)

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Në Kosovë shënohet sot dyvjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës (04.09.2010)
Craig Venter dhe zbërthimi i gjenomit njerëzor 10 vjet më parë (04.08.2010)
Topat e Çeçenisë, rrënjët e një lufte "asimetrike"/Kaukazi po ndizet flakë (04.05.2010)
IU SHËRBEU TETË PRESIDENTËVE, NGA TRUMANI TEK REGANI (04.03.2010)
Drogë në vend të qepëve (04.01.2010)
Helmut Kohl - Kancelari i ribashkimit shfaqet rrallë në publik (03.30.2010)
Spiun i shërbimeve sekrete në Bundestag (03.26.2010)
Uji i pijshëm shumë i çmueshëm (03.22.2010)
Zotërinjtë e Vatikanit/Pushteti i Papëve (03.21.2010)
GJERMANËVE IU RRËNQETHET MISHI (03.19.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]