VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GRIMCA BOTËRORËSH, REKORDI I HIDHUR I BELGJIKËS

                                                                                      

E Mërkurë, 05.15.2024, 06:18am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
GRIMCA BOTËRORËSH, REKORDI I HIDHUR I BELGJIKËS
E Djelë, 06.13.2010, 06:58am (GMT+1)

 

Kualifikimi për Botërorin 1974, mbrojtja e pathyeshme e Raymond Goethals provon që të kalojë Hollandën e futbollit total dhe pothuajse ia arrin. Bile, në një moment të caktuar ia arrin tamam...

 

Asnjë revolucion i madh nuk ka ndodhur pa një thërmijë, sado të vogël, rastësie. Sa herë, duke dëgjuar të flitet për ngjarje, histori, mite dhe legjenda, kemi dëgjuar pyetjen "Çfarë do të kishte ndodhur sikur...?". Duke luajtur Sliding Doors me historinë e Botërorëve mund të mbushen qindra faqe. Hollanda e Gjeneralit Michels finaliste në Gjermaninë Perëndimore e vitit 1974 është shembulli.

Jongbloed, Suurbier, Rijsbergen, Haan, Krol, Jansen, Neeskens, Van Hanegem, Rep, Cruijff, Rensenbrink. Një njëmbëdhjetësh për t'u lexuar i gjithi me një frymë, sikur të ishte një entitet i vetëm. Viti 1974 shënon konsakrimin definitiv të futbollit total, që fiton edhe pse nuk arrin të ngrejë lart Kupën e Botës, pasi ngec në aktin e fundit. Por për kë shikon Hënen dhe jo gishtin që e tregon, pak rëndësi ka. Viti 1974 konsakron Mitin. Në zanafillën e të cilit kish kontribuar edhe pse në mënyrë minimale dhe në mënyrë absolutisht të pavetëdijshme, një arbitër rus me emrin Khazakov, që më 18 nëntor të vitit 1973 në Olympisch Stadion të Amsterdamit kish anulluar, pas paralajmërimit të vijërojtësit të tij, një gol të rregullt të belgut Jan Verheyen. Ishte ndeshja e fundit e grupit kualifikues për Botërorin e vitit 1974. Nëqoftëse Belgjika do ta mundte Hollandën, atëhere do të merrte biletën për Gjermaninë Perëndimore, duke lënë në shtëpi pikërisht tulipanët. Kjo është historia e dy fateve futbollistike të përmbledhur në një flamur vijërojtësi të ngritur.

Çekosllovaku Frantisek Fadrhonc ishte një trajner pak i dashur nga Federata e Futbollit holandeze, por shumë prej lojtarëve, të cilët nuk hezituan që ta demonstrojnë në fushë vlerësimin e tyre kundrejt trajnerit, duke i shpëtuar stolin të nesërmen e kualifikimit të mungur për Europianin e vitit 1972. Ishte parashikuar një ndeshje miqësore kundër Greqisë, për atë që pëshpëritej se sipas të gjitha gjasave do të ishte akti i fundit i Fadrhonc në stolin oranje. "Sot luajmë për Fadrhonc" është mesazhi i lëshuar nga Cruijff shokëve të skuadrës në dhomën e zhveshjes përpara fillimit të ndeshjes. U tha, u bë, Hollanda në fushë i vë Greqisë në kurriz një rezultat 5 me 0, në atë kohë fitorja e tretë më e thellë në historinë e futbollit të saj, pas 7 me 2 të arritur ndaj Belgjikës në vitin 1958 dhe 6 me 1 ndaj Francës në vitin 1936. Domethënë stol i shpëtuar dhe Hollanda që fillon të nxehë motorin.

Grupi i 3-të i zonës Europë për kualifikimin në Botëror paraqitej pakashumë i lehtë, me vetëm Belgjikën kundërshtar që mund të ngjallte ndonjë frikë, ndërsa Norvegjia dhe Islanda dukeshin praktika të thjeshta për t'u arkivuar me zgjuarsi. Mision të cilin Hollanda e kreu pa probleme (norvegjezët u shkatërruan 9 me 0), duke arritur në mbrëmjen e mundimshme të 18 nëntorit 1973 me një diferencë golash më të mirë sesa Djajtë e Kuq. Ama pikët në klasifikim qenë të njëjta.

Trajneri belg Raymond Goethals sigurisht që nuk ishte një i papërgatitur. Mjaft i vetëdijshëm për inferioritetin teknik të lojtarëve të vet (midis të cilëve spikaste një Paul Van Himst, lojtari më i mirë belg i të gjitha kohërave) ndaj hollandezëve, filozofia e lojës së tij mund të përmblidhej me një shprehje: "Kush nuk lejon gola, nuk i humbet ndeshjet". Dhe kështu bënte Belgjika e tij, skuadër e vështirë dhe mediokre, shumë fizike. Filozofia e "më parë mos pëso gol" shpërblente. Një 4 me 0 i dyfishtë ndaj Islandës, një 2 me 0 i dyfishtë ndaj Norvegjisë, 0 me 0 në Anversë ndaj Hollandës, e ndalur nga barrikadat e ngritura nga Djajtë e Kuq dhe e mbështetur 54923 spektatorë ulëritës.

Dhe ja 18 nëntori. Kartëvizita e Belgjikës janë në fakt 12 golat e shënuar dhe 0 golat e pësuar. Një mur. Por kësaj radhe nuk mjafton. Përballë 60000 spektatorëve që mbushin shkallët e Olympisch Stadion duhet fituar, pasi tulipanët kanë shënuar më shumë gola në ndeshjet e mëparshme dhe kështu që mund të kënaqen me barazimin. Është një ndeshje e fortë, me pak futboll. Belgjika faktikisht e përsosur, Hollanda e varfër nga frymëzimi. Pastaj shkëndija e Verheyen. Stoli belg shpërthen, por është një flamur i ngritur që i ftoh të gjitha entuziazmet. Rusi Khazakov është gati për të treguar rrethin e mesit të fushës. Goli është anulluar. Hollanda në Botëror, për herë të parë nga viti 1938, dhe Belgjika në shtëpi.

Pas ndeshjes Fadrhonc falënderon perëndeshën e fatit që e ka asistuar. Do t'i shërbejë pak, pasi për të drejtuar skuadrën në Gjermaninë Perëndimore Federata e Futbollit holandeze do të zgjedhë t'ia besojë trajnerit më të mirë të disponueshëm në qarkullim për momentin: Rinus Michels. Kurse Goethals kafshon gishtërinjtë. Zero humbje dhe zero gola të pësuar nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të shkuar në fazën finale të Kupës së Botës. Një primat i paarritur dhe ndoshta i paarritshëm. Belgjika e tij është skuadra më e mirë e eliminuar në historinë e kualifikimit në një Botëror.

Barriera sipas Mwepu

A mund të arrihet në fazën finale të një Botërori pa i njohur rregullat bazë të futbollit? Përgjigja është po, duke kujtuar Zairenë e vitit 1974. Leopardët përfaqësonin në atë kohë vërtet ajkën e futbollit afrikan, përveç se një vend që sportit i kish kuptuar potencialin propagandistik.

Nuk është rastësi që po atë vit, diktatori Mobutu do ta bënte të njohur Kinshasën dhe Zairenë (Republikën demokratike të Kongos të sotme) në të gjithë planetin falë miliona dollarëve të investuara në organizimin e "Rumble in the Jungle", sfidës historike për kurorën botërore të peshave të rënda midis boksierëve Muhammad Alì dhe George Foreman. Në kundërshtim nga boksi, futbolli mund të mbështetej mbi kampionë të vendit që e kishin fituar kualifikimin, duke kaluar më të mirët e kontinentit, nga Kameruni tek Maroku. Jo vetëm kaq: pak muaj më parë kishin fituar në Egjipt edhe Kupën e Afrikës. Me pak fjalë, në vigjilje të atij Botërori gjermanoperëndimor mendohej se në Grupin e 2-të, sëbashku me Brazilin, Jugosllavinë dhe Skocinë, gjendej një skuadër e dobët, por të paktën serioze.

Westfalenstadion i Dortmundit, 14 qershor: mbrojtje e ndershme kundër një Skocie pak krijuese që arrin të kalojë vetëm me gola të markës Leeds, të Lorimer dhe të Peshkaqenit të ardhshëm milanist, Joe Jordan. Për Zairenë shumë komplimenta, ndonjë editorial i pashmangshëm lidhur me "futbollin e së ardhmes" dhe shpresa për të kufizuar dëmet kundër Jugosllavisë.

Parkstadion i Gelsenkirchen, 18 qershor: dëmet nuk kufizohen, pasi skuadra e frymëzuar nga Dushan Bajeviç fiton 9 me 0. Diferenca në nivel është e tillë sa që në rezultatin 3 me 0 portieri Kazadi i kërkon (i plotësohet dëshira, shënimi im.) trajnerit të tij Vidiniç që të zëvendësohet. Kundër kampionëve në fuqi objektivi në këtë pikë është që të mos kalohet kuota e 10 golave të shënuar.

Me 22 qershor në Parkstadion hyn në skenë legjenda: jo për rezultatin final (3 me 0 për Selecao jeshilflorinjtë), por për një goditje dënimi të Roberto Rivelino. Asgjë e habitshme në një goditje dënimi të Rivelino. Shumë të habitshme tek Zaireja që nuk do të respektojë 9 metra e 15 centimetrat e largësisë nga barriera. Në fund, arbitri rumun Nikolae Rainea vendos. Jepet fishkëllima, por nuk niset Rivelino. Më i shpejtë se ai është Mwepu Ilunga (i njohur si Mwepu, në të vërtetë mbiemri i tij është Ilunga), që del nga barriera dhe si vetëtimë përshkon 9 metrat. Asnjë prej të pranishmëve në stadium nuk u beson syve të vet, si gjithmonë kur gjendesh përballë gjenisë së pastër. Mbrojtësi karikon të djathtën dhe me një forcë të paparë e dërgon topin drejt gjysmëfushës së Brazilit. Rainea nuk e ka parë kurrë një gjë të ngjashme, në karrierë ka dënuar njerëz të dalë nga barriera, por kurrë një që të ketë dalë prej saj dhe të ketë arritur ta godasë topin përpara kundërshtarit. E tërheq menjanë Mwepu dhe i kërkon shpjegime që nuk do t'i jepen. Karton i verdhë, ndërsa Rivelino i qesh në fytyrë një kundërshtari që është i bindur se nuk e ka merituar dënimin.

Përtej të qeshurave dhe të mitit popullor, një reklamë e vërtetë kundër besueshmërisë së futbollit afrikan të kohës. Me një prapaskenë që patjetër të bën më pak të qeshësh nga sa është parë në fushë, policët e dërguar nga Mobutu në ndjekje të skuadrës në fakt i kishin kërcënuar lojtarët e tyre: nëqoftëse do të humbnin me më shumë se 3 gola diferencë me Brazilin, atëhere me rikthimin në atdhe jeta e tyre do të bëhej e vështirë për ta. Shumë e vështirë. Ka mundësi që prapa të kenë qenë si urdhra të dhëna nga Mobutu, ashtu dhe një xhiro bastesh, e sigurtë që e gjitha kjo e ka futur në fushë skuadrën në një situatë tensioni të jashtëzakonshëm. Me sytë e sotëm, ai gjest i Mwepu nuk qe barcaletë apo shenjë injorance, por gjesti i dëshpëruar i një djaloshi që e ndjente jetën e tij në rrezik.

Sheiku zbret në fushë

Patroni i shenjtë i të gjithë drejtuesve vullkanikë, fjalë që zakonisht shërben për të shmangur definicione të kritikueshëm, është padyshim Sheiku Fahad Al-Ahmad Al-Sabah. Botërori i vitit 1982, stadiumi José Zorilla i Valladolid, pasi ka barazuar me Çekosllovakinë, surpriza Kuvajt ndeshet me Francën e Michel Platini.

Carlos Alberto Parreira, trajneri i ardhshëm i Brazilit kampion të vitit 1994, provon që të ndërtojë një ndeshje me tipare mbrojtëse, por mesfusha e ndërtuar nga Michel Hidalgo është tepër e fortë. Portieri Al-Tarabulsi, palestinez i natyralizuar dhe kapiten ushtrie, pret të pritshmen, por diferenca e cilindratës është menjëherë e dukshme. Goditje dënimi - gol që niset nga e majta e Genghini, asist i Giresse për Platini që feston me rezultatin 2 me 0 përvjetorin e 27-të të tij, asist i Platini për Six që mbyll takimin. Një çerek ore nga përfundimi, kuvajtiani i ri Al-Buloushi gjen golin e flamurit, me një të djathtë të afërt, të cilën portieri Ettori nuk mund ta bllokojë. Por Franca nuk shpërbëhet dhe shënon menjëherë rezultatin 4 me 1 me anë të Alain Giresse. Por jo, nuk shënon, pasi mbrojtësit e Parreira fillojnë të protestojnë ndaj arbitrit Stupar: theksojnë se kanë ndaluar, pasi kanë dëgjuar një fishkëllimë, por ajo fishkëllimë nuk ka dalë nga bilbili i arbitrit sovjetik që kështu menjëherë e jep golin. Ka mundësi që të ketë dalë nga tribunat, ka mundësi që kuvajtianët ta kenë dëgjuar në ëndërr. Në këtë pikë eksponenti i familjes mbretërore të emiratit e nuhat se çfarë po ndodh dhe zbret në fushë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Me veshjen e tij tradicionale, lë tribunën e nderit dhe drejtohet për nga fusha e lojës, futet në të dhe i drejtohet arbitrit Stupar. Francezët nuk u besojnë syve, disa fillojnë që të qeshin. Por qeshin më pak disa sekonda më para, kur goli i Giresse anullohet, për shkak të një pozicioni jashtëloje të shpikur për momentin. Rezultati final 4 me 1 nuk do të vijë veçse në minutat e fundit të lojës, për meritë të qendërmbrojtësit Bossis. Kjo ndeshje do të jetë e fundit në arenën ndërkombëtare e Stupar, i cili do të skualifikohet pothuajse menjëherë, ndërsa Kuvajti do ta përfundojë ekspeditën e tij me një humbje të nderuar kundër Anglisë. Është faza finale e Botërorit e para dhe e fundit e historisë së tij. Al-Ahmad, vëllai i Emirit të Kuvajtit dhe President i Federatës së Futbollit, kthehet në shtëpi i kënaqur: FIFA i ka vënë një gjobë prej 10000 dollarësh, paratë që ai i lë si bakshish në restorant, por skuadra ka shkuar përtej çdo shprese të imagjinuar. Askush jashtë Kuvajtit nuk do të dëgjojë të flitet më për të deri kur, në vitin 1991, do të vdesë si hero gjatë pushtimit iraken. Me armë në dorë, me pak njerëz në krahun e tij, mbron deri në pikën e fundit të gjakut një kazermë të vogël. Kurajoja nuk i mungonte.

Miti i lindur rastësisht

Telé Santana i shpjeguar nga Zico, markimi i Gentile, Dirceu që nuk pëlqehej dhe statistikat e ftohta.

Për të folur për historinë kapemi pas gjithçkaje, kështu me Brazilin e vitit 1982 shumë herë të përmendur nga Leonardo (dhe në ndonjë ndeshje të Milan të marrë si model) është luks. Domethënë 4-4-2 dhe fantazi për gëzimin e drejtuesve dhe të titulluesve të gjinisë "jeta në rozë". Por paradoksalisht janë shumë më afër atij modeli imituesit sesa origjinali, siç e ka shpjeguar vetë i madhi Arturo Antunes Coimbra, i njohur ndryshe me emrin Zico.

Bashkë me Claudio Gentile, natyrisht që është kujtuar markimi i famshëm i atij 5 korriku 1982, me Zico që e ka quajtur "normal" dhe sigurisht më pak të dhunshëm se shumë të tjera që ka pësuar gjatë karrierës së tij. Edhe pse kartoni i verdhë i dhënë Gentile nga arbitri Klein për një ndërhyrje të gabuar nga prapa e kushtëzoi mbrojtësin italian për gjithë pjesën tjetër e mbetur të pjesës së parë dhe gjithë pjesën e dytë: bluza e shqyer (mbi të gjitha e zhdukur fare, pasi Gentile në shtëpinë e tij ka atë me numër 10 të pjesës së dytë) ka hyrë në mit, por më shumë se nga viktima, ai gjatë viteve është përdorur nga xhelati. Falë edhe injorancës gazetareske: ndërhyrja e gabuar e tmerrshme që i theu një këmbë Romarios në një ndeshje të vitit 1990 midis PSV-së së tij dhe Den Haag, qe vepër e njëfarë Marco Gentile, të cilin shumë gazeta (të marra natyrisht dhe nga ato italiane, të cilat të paktën mund ta kishin pyetur të interesuarin) e quajtën për ditë të tëra "kushëriri i Claudio Gentile".

Por, pjesa më interesante e ndërhyrjes së Zico ka qenë ajo lidhur me modulin e përdorur nga Brazili në Botërorin e Spanjës 1982: Galinho, nofka me të cilën thërrisn Zico, ka shpjeguar se ai nuk lindi nga një intuitë e megjithatë të madhit Telé Santana, por nga rastësia. Në ndeshjen e parë të atij Botërori, atë kundër Bashkimit Sovjetik, Toninho Cerezo ishte i padisponueshëm dhe u zëvendësua nga Falcao, i cili në fakt gjatë dy viteve të mëparshme nuk ishte thirrur asnjëherë në kombëtare. Jo vetëm kaq, por moduli mbeti ai i ndeshjeve kualifikuese, domethënë... një 4-3-3. Zico ka kujtuar në atë ndeshje debutuese praninë e Paulo Isidoro në krahun e djathtë, por në realitet Santana filloi me Dirceu titullar: ai në të djathtë të sulmit (duke u kthyer nga e majta, alla...Leonardo), Serginho në mes dhe Eder nga e majta. Në pushimin e ndeshjes Dirceu u zëvendësua nga mesfushori sulmues i Gremio dhe Brazili, në disavantazh prej golit të Bal, nxori 45 minuta të bujshme, duke barazuar fillimisht me Socrates dhe duke arritur fitoren përfundimtare 2 me 1 me golin e Eder.

Problemi taktik u paraqit për ndeshjen e radhës me Skocinë, kur u rikthye Toninho Cerezo: trajnerit nuk i kish pëlqyer as Dirceu dhe, pavarësisht mendimit të Zico, as Paulo Isidoro, kështu që u shpik dyshja Falcao e Toninho Cerezo sëbashku (asnjëherë e provuar më parë!), Serginho qendër tërheqëse dhe prapa tij nga e djathta në të majtë treshja Socrates - Zico - Eder me marzhe të mira lirie. Me formacionin që të gjithë e kujtojnë 4 me 1 me skuadrën e drejtuar nga Jock Stein, 4 me 1 me Zelandën e Re dhe 3 me 1 me Argjentinën në ndeshjen e dytë të grupit me 3 skuadra të Sarriàs. Pastaj Italia, Claudio Gentile, e të tjera.

E gjitha kjo për të kujtuar se miti, me ne krenarë së qeni midis mitizuesve, mund të lindë nga rastësia dhe me këto statistika: një fitore kundër një skuadre inferiore (edhe pse Skocia në atë kohë kishte kampionë të ndryshëm: emra të paharruar si Souness, Dalglish, Strachan, Hansen, Wark, Archibald...), një tjetër kundër një skuadre goxha më inferiore, një fitore dhe një humbje kundër skuadrave të të njëjtit rang. Po markimi i hyrë në histori? Për 6 ditë me radhë, Bearzot e përgatiti Gentile që të merrej me Eder dhe Gabriele Oriali me Zico, duke ndryshuar ide vetëm disa minuta përpara ndeshjes. Pastaj thonë që vlejnë vetëm trofetë e ngritura, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

 

Përgatiti ARMIN TIRANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KOSOVA DHE FUTBOLLI SIPAS FADIL VOKRRIT (06.12.2010)
MIGRACIONI NUK ËSHTË SHKAK PËR POPULIZMIN E DJATHTË (06.09.2010)
FAJDEXHINJTË DHE BORXHLINJTË (06.08.2010)
BIZNESI QË LULËZON! TREGTIA ME NJERËZIT DHE VIKTIMAT E HARRUARA (06.07.2010)
FRANCESCO COSSIGA: POLITIKANËT JANË TASHMË MARIONETA NË DUART E BANKIERËVE DHE NË LUMIN E PARASË KORRUPSION LUNDROJNË KARRIERAT DHE PASURITË PERSONALE (06.06.2010)
MASAKRA E TIVARIT, SI U VRANË 8 MIJË SHQIPTARË (06.02.2010)
KRIZA MORALE MË E RËNDË SE KRIZA EKONOMIKE - SKANDALI I MITMARRJES NË GREQI (06.01.2010)
TË KRIJOSH JETËN, A NUK ËSHTË PUNA E ZOTIT? (05.29.2010)
TA NJOHËSH SHQIPËRINË NGA VALËT E RADIOS - PËRSHTYPJE TË NJË VIZITE (05.26.2010)
"DIELLI" DHE "VATRA" E SHQIPËRISË NË AMERIKËNga RAIMONDA MOISIU (05.24.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]