E Djelë, 04.28.2024, 09:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

POEZI E FRYMËZIMEVE NEOIMAZHISTE, E TUNDIMEVE SIMBOLISTE DHE E REBELIMEVE TRONDITËSE SUREALE

Për librin poetik "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" të ELIDA BUÇPAPAJT

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ<
E Shtunë, 06.30.2012, 06:20am (GMT+1)

Poezi e imazheve tronditëse, poezi-dramë. Nëse trille hyjnore si poezia do të pranonin përkufizime, atëherë them se ky do t'i shkonte më shumë krijimtarisë së Elida Buçpapajt përmbledhur në librin e saj të ri "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit".

Imazhi në qendër të frymëzimit poetik do të pagëzonte në fillim të shekullit të shkuar imazhizmin, një lëvizje poetike angloamerikane, të cilën Thomas Stearns Eliot, i shqipëruar tejet mjeshtërisht nga Elida, e konsideron lëvizjen e parë moderniste në arte. Eliot vetë do të ndikohej gjithë jetën nga imazhizmi, sidomos nga njëri prej themeluesve të imazhizmit, Ezra Pound. Madje poezitë e tij të personazheve, poezitë e tij portrete do ta kishin pikënisjen drejtpërdrejt nga vinjetat epigramatike të Pound.

Siç është në natyrën e poezive të kësaj prirjeje, edhe tek "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit", personazhi, qoftë ai në vetën e parë, i gjithëpranishëm, qoftë personazhi me emër të përveçëm, qoftë personazhi alegorik apo personazhi simbol, qoftë në njëjës apo në shumës, priren drejt konkretizimit, drejt sendëzimit. Ku realiteti jepet si lojë e fantazi nga më spektakolaret, që të merr mendjen e të rrëmben shpirtin, por që mban vulën e kohës të cilën e jetojmë autorja dhe ne. Kjo bën që peizazhi të marrë frymë si njeri, ndërsa frymorët mitikë apo të mitizuar si engjëjt, shtrigat, lubitë, kanibalët, ujqit, çakejtë, kojotat, tartabiqet, magjistricat të marrin fytyra të bashkëkohësve tanë. Në këtë terren hedhin shtat simbole si "faraonët", "Ramsesët", "hunët dhe gotët e Jugut", "Kali i Trojës në Veri", "Kleopatra", "Klu-klus-klanet", "Sodomat dhe Gomorrat".

Poezi e frymëzimeve neoimazhiste, do ta zgjeroja më tej përkufizimin tim për krijimtarinë e re të Elidës. Si kudo tjetër në art, ndjeshmëritë edhe në poezi çojnë drejt një prirjeje të caktuar, drejt formave dhe mjeteve të parapëlqyer, drejt zgjedhjes së aleatëve estetikë, filozofikë dhe etikë, drejt kërkimeve, drejt eksplorimeve dhe drejt zbulimeve artistike. Në art të gjitha këto bëjnë pjesë në pafajësinë e krijimit. Frymëzimet ndërtohen mbi bazën e një imazhi dhe shprehen poetikisht një ritëm të lirë. Ato janë sublimim i përjetimit emocional dhe i përsiatjes intelektuale, janë ndjenjë dhe mendim. Parimi estetik qendror i kësaj poezie është se objekti dhe pasqyrimi janë e njëjta gjë, pra sa objekti është pasqyrim, aq edhe vetë pasqyrimi është objekt.

Zbulime të mirëfillta poetike janë formanse si "lotët e urrejtjes", "të njohurit s'më njohin", "qielli refugjat", "kockat e imta të yjeve", "qielli me thesaret e tij personale" deri tek fjala "drithërenja" e përftuar nga ngjashmëria me "ngashërenja". Të tilla janë edhe metaforat e përftuara nga metamorfozat e shumëfishta të njëpasnjëshme si "kurmin e bardhë/ si mështeknat/ ta kthyen në xham/ të thyeshëm si kristalet e borës"; "e dëshiron botën vetëm të bukur/ të paktën të bukur/ sa gishtat e tij të këmbës"; "qielli iu arratis prangave/ të reve dhe zinxhirëve të mjegullave për në Jug"; "gjurmët e gishtave/ të këmbëve të mia janë fotografi/ të eshtrave të ditëve të shkuara". Nga të gjitha llojet e shkrimit letrar, poezia është e vetmja që ka privilegjin të rilexohet pafundësisht, të mësohet përmendsh, të deklamohet dhe të citohet. Poezitë e Elidës, në çdo lexim, i japin kënaqësi befasuese, zbulimesh si ato më sipër lexuesit të thjeshtë, kritikut apo eseistit.

"Shqipëria asht diell,/ andërr, zhgjandërr,/ asht shi, breshër, borë,/ furtunë, stuhi,/ stuhi në gotë;/ delir,/ gënjim, zhgënjim/ asht pranverë, verë,/ verë e kuqe, e bardhë,/ dehëse,/ dehje/ verë e dielltë,/ Drin, Bunë, Vjosë,/ Shkumbin, Valbonë;/ asht Liqen, kodër, mal,/ fushë e ultësirë;/ asht ofshamë...." Këto janë vargjet e para të poezisë së parë ("Shqipëria asht") të librit të ri të Elida Buçpapajt. Autorja, pra, parapëlqen vargun e bardhë, organizimet jostrofëshe, jometrike, monokolone. Poezia e saj pajton dhe kundërvë asimetrinë me simetrinë, rregullin me çrregullin, kaosin kozmik me monotoninë tokësore, abstrakten e kulluar me konkreten e vrazhdë, duke i manifestuar parimet e saj estetike deri edhe në rrafshin gjuhësor.

E gjithë kjo dramë luhet në një atmosferë simboliste, çka përbën një përmasë qendrore të frymëzimeve neoimazhiste të poezisë së Elida Buçpapajt. Simboli që do t'i shprehë lidhjet poete-atdhe, Elidë-Shqipëri do të jetë Jugu: "Mbetem e shushatur/ prej mungesës së qiellit/ të gllabëruar/ nga retë e mugëta/ dhe kur vjen nata/ e njëtrajtshme/ kur mungojnë/ yjet/ si gurët kilometrikë/ që ndrisin prej fosforit/ të eshtrave/ nëpër rrugën e kthimit/ drejt Jugut/ dhe arsyes/ Por arsyeja e humbi rrugën/ në natën/ pa qiell/ që si lubi i gëlltiti yjet dhe hënën/ dhe shpresa humbi/ si një monedhë/ në oqeanin e zi të natës/ pa zbardhëllimën/ e gurëve kilometrikë." Nën këtë frymë përftohen simbole si "Kuçedra flokëkuqe" që na e pati zili fluturimin, "bastardët e tranzicionit", "çakejtë e urbanizmit". Përballë tyre, sa hajthëm aq dhe fisnikërisht qëndrojnë simbole ku poetja e mban të hedhur ankorën e lidhjeve me atdheun, si Ura e Tabakëve, "ciceronia që më nxjerr nga ngujimi i ankthit".

Nuk mungojnë situatat surealiste, çka i bën të panevojshme edhe shenjat e pikësimit sidomos në poezitë e mallit të skajmë dhe rebelimit të shfrenuar. Shembull i fatalitetit surealist, ndoshta më i spikaturi në libër, është poezia "Vargje për përbindëshat e tranzicionit": "Ne njerëzit e çliruar nga bunkerët e rrathëve/ të ferrit/ tash e mbas/ e të gjitha herët/ jemi të ngopur/ nginjtas/ me shëmtimin/ postum/ dikur në emër/ të tutës/ sot në emër të mostutës/ dje në emër/ të kuçedrës së diktaturës/ sot në emër të prostituimit të lirisë."

Më kulmin e shfrimeve dhe shfrenimeve poetike, në trajektoren mes atdheut dhe poetes e anasjelltas, një vend qendror zë cikli kushtuar Kosovës, tragjedia më e madhe e përjetuar deri sot nën kupën qiellore , "Kosova vendi ku Zoti i shumon fëmijët si fijet e barit", i paraprirë nga thënia e Ibrahim Rugovës, "Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Zoti". Cikli hapet me "Unë vij në Prekaz", përjetim thellësisht dramatik, ku poetja ngrin "e palëvizur si mermeri i varreve/ nën harkun/ e violinave të vajit/ të fijeve të barit/ që qajnë/ nga mungesa/ e hapave/ të fëmijëve. Pastaj vijnë tri poema: "Kur vjen qershori vritet Bardhyl Ajeti", "Balada e 3500 nënave shqiptare që presin 3500 fëmijë të zhdukur" dhe "Vajza e vogël me emrin Lule", kushtuar vogëlushes pa emër, të pagëzuar prej poetes Lule, është një simfoni tejet e përkryer imazhesh kushtrimtare: "Vajza e vogël/ me trupthin e zvogëluar/ prej frikës/ nga nata që e rrëmbeu/ prej shtëpie/ duke ia grisur dhe shqyer lodrat/ prej të cilave ajo shpëtoi/ vetëm vizatimin e fundit/ të saj/ ku me lapsat me ngjyra/ kishte vizatuar/ lule dhe shtëpinë e saj/ në Kosovë/ Vajza e vogël... / me zemrën që vazhdon/ t'i dridhet/ si një fije bari,/ nëpër ujërat e ftohtë/ të Danubit të largët..."

Me librin e saj të ri "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit", Elida Buçpapaj e vendos veten në një pozicion paraprijës (avangardë ) poetik, në një rrymë kundër-rrymë. Krijimet e saj janë të përkora në strukturë dhe shqiptim, pajtojnë në vetvete frymën mistike dhe teknikat simboliste për të krijuar një formë poetike me tingëllim klasik e njëherësh modern, njëherësh të thjeshtë e të kursyer sa të ndërlikuar dhe kompleks, njëherësh të butë sa edhe të ashpër, sa të bukur aq dhe antidekorativ, njëherësh të butë dhe provokativ, njëherësh subjektiv dhe objektiv, njëherësh ritmik dhe jo metrik, njëherësh ledhatues sa edhe tronditës dhe shokues. Metafora e kësaj poezie nxit zbulimin dhe shpalosjen intuitive të realitetit në thelbin e tij të vërtetë. Kambanat e imazheve të kësaj poezie bien për zhdukjen e frikës, bien për shpërgjumjen, bien për zhdehjen, bien për zgjimin, bien për t'i dhënë fund ankthit dhe makthit të kalvarit të përbindshëm posttotalitar që ka pllakosur deri sot e gjithë ditën anembanë hapësirës së qenies shqiptare. Është një Rapsodi virtuoze e Golgotës së Trazicionit shqiptar.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BAMIR TOPI: KOSOVA ËSHTË NJË DHE E PANDASHME (06.29.2012)
MBROJTJE DHE PENGESË-Gjeografi… nga vendlindja-Nga ZEQIR LUSHAJ (06.29.2012)
"New York Times": TREGU I ZI I ORGANEVE NJË FENOMEN I RI NË SERBI (06.29.2012)
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" (06.29.2012)
DEPUTETËT E KOSOVËS JANË RRAHUR ME NJËRI TJETRIN NË MJEDISET E KUVENDIT - KDI REAGON (06.28.2012)
VIDOVDANI DHE POLITIKA MITOMANE E SERBISË (06.28.2012)
VIDOVDANI I INCIDENTEVE ME 32 POLICË TË PLAGOSUR (06.28.2012)
PËRPLASJE TË POLICISË SË KOSOVËS ME SERBËT NË MERDARE (06.28.2012)
HRW: QEVERIA E KOSOVËS TË HEQ NENET QË RREZIKOJNË LIRINË E MEDIAVE (06.28.2012)
ZYRA E ZNJ. JOZEFINA FERRI I PRESIDENTËVENga BEN ANDONI (06.28.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]