Kush nuk e ka
parë lakuriq të paktën njëherë? E re yll, joshëse dhe shpërthyese mbi atë çarçaf ngjyrë
purpuri. Ose grua e shkrifët në bregun e një pishine, një Venerë në filmimet me
ngjyra. Ose gruaja më sekrete me vel, në bardh e zi të shërbimit të fundit
fotografik. Marilyn Monroe është shikuar nga gjithkush gjatë pesëmbëdhjetë
viteve të ngjitjes së saj nëpër shkallët e famës, nga kalendarët për
garazhistët e Kalifornisë së pastluftës deri tek autorët e kalendarëve
hollivudianë të Amerikës së Eisenhower dhe Kennedy. Periudhë pas së cilës, në
gjysmë shekulli të pasvdekjes së saj, trupi i Marilyn është shndërruar (sipas
nuhatjeve të sakta të Andy Warhol) një mall konsumi më shumë i dëshëruar se i
zhvlerësuar: gruaja e të gjithëve, miliona e miliona Marilyn që përdoren e
hidhen në mbajtëset e çelësave apo në shkrepset, në bluzat apo në tasat e
çajit.
Një qenie e
paarritshme, por që mund ta kesh kur e ku ta duash. Një perëndeshë, por e
gatshme për gjithkënd. Kjo ka qenë Marilyn Monroe në shikimin mashkullor të
Perëndimit krejt, para se në moshën 36 vjeçe nga një mbidozë qetësuesish që
ndoshta i mori posaçërisht, ndoshta jo. Gruaja e vdekur nën emrin e rremë,
krejt vetmitare atë të shtunë natën, 4 gusht 1962, e pastaj prapë vetmitare në
frigoriferin e morgut të Los Anxhelosit, trup pa emër, "rasti nr.
81128". Por gjithmonë grua lakuriqe, natyrisht: si për faj të fatit. Dhe
ende sot, kur gjithsesi plot gjëra kanë ndryshuar prej atëherë, përfshirë
teoria e bukurisë femërore dhe praktika e kostumeve tunduese, nuri i Marilyn
Monroe duket tek përplas flatrat diku në atmosferë. Edhe në vitin 2011 (vit kur
Marilyn do të mbushte tetëdhjetë e pesë vjet) trupi i saj duket trup special.
Vite më parë në
Amerikë ringjallej debati për Marilyn Monroe si sex symbol- gjithnjë në
rrafshin e "zbulimeve" të partnerëve sekretë apo të
vetëvrjasjes-vrasje- nga dalja e një libri inteligjent e origjinal: The Many
Lives of Marilyn Monroe, "Shumë jetët e Marilyn Monroe", e Sarah
Churchwell, është një histori e historive: flet sesi është treguar jeta e
Marilyn. Nga gazetarët, kur diva ishte gjallë; pastaj nga romancierët dhe
kinematografët, ish burrat e saj dhe ish të dashurit e saj, nga mjekët ligjore
e nga kamarieret, nga mashkullistët dhe nga feministet... Por këndshikimet e
tërthorta ia vlen të mbështeten në teza të drejtpërdrejta dhe provokatore.
Sipas Churchwell, të gjithë ata që kanë mëtuar ta ringjallin Marilyn, e kanë
vrarë për herë të dytë. Sepse duke iu bindur një refleksi të kushtëzuar, o një
zakoni të pashmangshëm, të gjithë kanë parë trupin, askush nuk e ka parë
shpirtin e saj.
E vështirë, e
pamundur të moq përqëndrohesh në atë trup që i imponohej shikimit nëpërmjet
tiparave fizike ndjellëse aq sa të përkryera: flokët bjondë të platintë,
vetullat e zeza, sytë gjysmë të mbyllur dhe goja gjysmë e hapur, nishani në
faqe, lëkura ngjyrë qumësht, gjinjtë e bollshëm, vithet e gjera, këmbët e
gjata. Revistat e viteve Pesëdhjetë nuk bënin gjë tjetër veçse e tkurrnin
Marilyn brenda trupit të saj: ballina e numrit të parë të Playboy, 1953
("Për të parën herë në mënyrë absolute, me ngjyra, e famshmja Marilyn
Monroe nudo"), por edhe Time dhe Life, kishin kryetitujt "Marilyn
Monroe, një trup që ka ndërtuar një karrierë", ose (më keq) "Marilyn
Monroe, trupi tashmë është paguar". Të pafundme diskutimet pas vdekjes,
kanë vazhduar të njëjtën logjikë.
Sarah Churchwell
e di mënyrën sesi diva e ka trimëruar këtë kult trupor. Për shembull, duke
lejuar të fotografohet mijëra herë në pasqyrë, si duke propozuar një vijë të
ndërmjetme mes narcisizmit të saj dhe vuajarizmit: mos u ngopni duke më parë,
unë nuk ngopem duke parë veten time! Por Churchwell kundërshton se përparësinë
numër një i trupit në jetën e Marilyn i përgjigjet sovranitetit tërësor,
absolut të mishit. Brneda atij trupi ishte një zemër dhe një tru, ndërsa
parabola ekzistenciale e Marilyn është vijëzuar pamungueshëm rreth sferës së
saj mishërore. Marilyn ninfomane, sepse frymëzohej nga modeli luçiferrian i
nënës. Marilyn e ftohtë, sepse dhunohej kur ishte e vogël nga njerku dhe nga
një kushëri adoleshent. Marilyn e shthurur, sepse interesohej vetëm për
karrierën. Marilyn histerike, sepse tërbohej nga dëshira për të qenë nënë.
Marilyn drogmene, sepse ishte e zhgënjyer në kënaqësitë e saj nga burra tepër
më të vjetër se ajo. Marilyn e helmuar, sepse ishte gruaja sekre e një apo dy
Kennedy. Me një fjalë, gjithçka është kundër gjithçkaje, megjithëse brenda një
trupi të vetëm.
"Stradivari
i seksit": përkufizimi më banal i Marilyn Monroe i përket penës së një
shkrimtari të njohur, Norman Mailer. I njëjti Mailer nuk nguronte të
përshkruante orët përgjatëve të cilave Marilyn kishte qëndruar e mëgjunjur mbi
një qilim për t'i kënaqur orkeset e producentëve të Hollivudit. Por vetë
Marilyn, tashmë e famshme, pranon: "Sa kohë kam kaluar e mëgjunjur!",
e vazhdon të komentojë martesën me Arthur Miller: "Kështu do të shpëtoj
nga bajgat." Ja e vetmja pikë ku biografët përputhen: shthurja në kohën e
lirë të jetës së saj. Kjo nuk e habit Sarah Churchwell, kur ka parasysh se kemi
të bëjmë me një grua tepër vitale (edhe pse e dëshpëruar), tepër e pavarur
(edhe pse e dobët) e tepër inteligjente (edhe pse personifikim i bjondes së
marrë) për të arritur të jetë e pranuar vërtetë në Amerikën konfromiste të
viteve Pesëdhjetë, por edhe në Amerikën e Klintonit dhe Bushit. Ku deri edhe
një shkrimtare liberale si Joyce Carol Oates ka bërë që t'ia paguajë Marilyn-
në romanin bestseller "Blonde"- taksën e një personaliteti tepër
kompleks saqë të mos mësohej dot me bukurinë e saj joshëse. Kush ka frikë nga
Marilyn Monroe? Shumë, tejet shumë burra, dhe jo pak gra të djeshme e të sotme
përgjigjet Churchwell. Por mbi gjithçka është shpirti i saj ai që ngjall frikë.
Mrekullia e saj buronte nga ato që nuk i sheh syri i
njeriut
Më 5 Gushtin e
1962 Marilyn Monroe ishte ndarë fizikisht nga kjo botë, duke u kthyer në një
legjendë që nuk vdes kurrë. Sepse biondja legjendare që në takimin e parë me
ekranin, që në skenën e parë, u vendos në qendër të vemendjes të Hollywoodit.
Njeriu i parë që e ka shikuar atë në ekran, njeriu që i ka bërë asaj provimin e
parë, ku ajo ka dhënë provën e parë, përpara se të bëhej Marilyn, kur ishte
vetëm një grua e zakonshme emrin Norma, e ka ndjerë i pari se kishte përpara
një artiste të dimensioneve universale. "Kur i kam bërë provën e parë
përpara kamerës kinematografike më kanë shkuar nëpër trup djersë të
acarta," tregon ai. "Vajza kishte diçka që unë nuk kisha arritur ta
kundroja dot. Kjo ishte vajza e parë që të kujtonte ato bimët e harlisura
gjithë lëng, që të dehnin që me vështrimin e parë dhe të bënin memec. Në çdo të
qindtën e sekondës gjatë xhirimit në provën e parë përpara kamerës, ajo
rrezatonte hir dhe hijeshi që kishte mundësi të çarmatoste një ushtri." I
famshmi Billy Wilder, që ka qënë edhe regjizor i Monroes, e përkufizonte
magjinë e yllit biond si një "reaksion mishëror", "reaksion të
kurmit", të shtjellës fizike. Ky lloj reaksioni është tepër i rrallë,
vazhdon ai. "Si profesionist unë kujtoj vetëm tri raste të ngjashme, me
tri yje të tjera të kinematografisë, që kanë qenë Clara Bow, Jean Harlow dhe
Rita Hayworth. Këto vajza edhe në ekran- por edhe në fotografi- duken si të
mishta, janë aq të vërteta sa të bëjnë që në fotografi t'i prekësh me dorë. E
tillë ishte edhe Marilyn Monroe."
Adhuruesit e saj
ishin gati që të paguanin 200 milionë $ për të prekur atë diçka magjke që
mishëronte Monroe. Asnjë tjetër sex-simbol i të gjitha kohëve, përveç Brixhit
Bardosë nuk mund të matej me popullaritetin e Monroes. Mjerisht, në fund të
karieres ajo arriti që të bindë edhe kritikën, sikur e kishte bindur publikun
që në fillimet e saj, se Monroe ishte mrekullia e ekranit të madh. Gjatë viteve
kur ajo ishte në majat më të larta të lavdisë, ajo pa me keqardhje se si dy
martesat e saj përfunduan me ndarje. Ajo ka vuajtur po ashtu tmerrësisht se nuk
pati kurrë mundësi që të shtrëngonte në gji një fëmijën e saj.
Marilyn ka
lindur në Los Angeles më 1 Qershor 1926, me emrin Norma Jean Mortenson, dhe
mbiemrin që tregon emrin që duhej të ishte babai i saj, i cili e braktisi atë
foshnje dhe të jëmën. Për këtë arsye Marilyn mbante mbiemrin e së jëmës Norma
Jean Baker.
Por megjithëse
fëmijërinë e kishte kaluar në kushte ferri, Norma e vogël kishte filluar që në
fëmijëri ta shihte veten si një yll të kinematografisë. Më vonë Nunnally
Johnson, producent, skenarist dhe shkrimtar do të shihte tek Marilyn, diçka të
jashtëzakonshme "një fenomen të natyrës, si Ujvara Niagara..." Shtjella
e kurmit dhe figurës së saj i tejkalonte që të gjitha analizat e përmasve të
saja trupore. Dimesionet e saj ishin -37-23- 37. Ishte tmerrësisht e kolme, por
po ta gjykoje vetëm prej përmasave nuk ishte e jashtëzakonshme. E megjithatë
ajo ishte e jashtëzakoshme, sepse mrekullia e saj buronte nga ato që nuk i sheh
syri i njeriut. Marilyn Monroe ishte e gjatë 1 metër e 67 cm, me flokë të butë
biond, e plotë, ëndërrimtare me sy të kaltër-gri. Ajo e kishte kumtin si të një
foshnjeje, dhe fliste me zë të lartë dhe kumti i saj i ngjante më tepër një
fëshfërime të shqiptuar ashtu sikur të merret fryma.
Adhuruesit i
shkruanin asaj të paktën 5000 letra në javë dhe të paktën gjysma e tyre i bënin
lutje për martesë. Komunistët e akuzonin atë si një truk kapitalist për ta bërë
popullin Amerikan që të harronte mjerimin. Në Turqi, një djalë i ri duke e parë
magjinë bionde në filmin "How to Marry a Millionaire" "Si të
martohem me një Milioner", e humbi mendjen dhe i nguli vetes në gjoks një
thikë. Ajo u martua tri herë, dy herët e fundit, me dy meshkuj idolë të
Amerikës, i pari ishte një atlet, i dyti ishte një intelektual. Joe DiMaggio,
ishte kampion i beizbollit, ndërsa dramatirgu Arthur Miller ishte një fitues i
Çmimit Pulitzer. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur u martua për të parën herë, dhe
dhëndëri 21 vjeçar ishte James Dougherty, një teknik avionësh, me të cilin u
nda pas katër vitesh, më 1946. Marilyn Monroe u bë e famshme, që me rolin e
parë dhe filmin e parë tek "The Asphalt Jungle,", më 1950. Roli i saj
i parë ishte i shkurtër, episodik por i paharrueshëm, sepse që të gjithë
spektatorët pyesnin "e kush është kjo bionde"..." Ndërsa sot pas 44
vjetësh vazhdojnë që ta kërkojnë se ku është ajo bionde ?
Mestitulli/Intervista
e fundit e Monroes
"But please
don't make me look like a joke..."(...por ju lutem, mos më bëni të dukem
si një lojë ...): janë fjalët e fundit të Merilin Monrosë (Marilyn Monroe), në
përmbyllje të një interviste që ka zgjatur 8 orë, të cilën Richard Maryman,
gazetar i revistës "Life", e ka regjistruar në një kasetë në mënyrë që
pastaj ta shkruante për numrin e revistës që do të publikohej me 3 gusht 1962.
Dy ditë më vonë, në një vilë në Brentwood, pak jashtë Los Anxhelosit, Merilin
është gjetur e vdekur, zyrtarisht e vetëvrarë. Prej atëherë kanë kaluar 44
vjet, por miti i saj vetëm lartësohet. Lexuesit po i sjellim pjesë nga
intervista.
"...Kam
hyrë në shtëpinë e saj, në një sallon praktikisht të zbrazur ku ishin vendosur
vetëm dy ndenjëse...e kam vendosur në tokë regjistratorin dhe jam ulur vetë
këmbëkryq, kur kam parë një palë pantallona të verdhë dhe kam dëgjuar një zë që
më pyeste "ka diçka që duhet të bëj për ju. Pikërisht kështu jam ndarë për
të fundit herë nga Merilin Monro". Objekti i intervistës ishte 'Suksesi'
por në realitet aftësia e gazetarit dhe gjendja shpirtërore e Monrosë bëjnë që,
nga pyetja në pyetje, nga ora në orë, rezultati përfundimtar të jetë një portret
i plotë i aktores dhe me hijedritat më pikante të personalitetit të saj. Pak pushime gjatë
bisedës. Merilin
nuk ha asgjë dhe vetëm pi shampanjë. Dhe vetëm dy telefonata i janë bërë asaj
gjatë asaj dite. Gjatë intervistës Merilin e ka porositur gorvernanten që të
mos ia japë një telefon një person të caktuar në se e kërkon atë. Marilin thotë
disa fraza që kanë mbetur të famshme, si: "suksesi është si haviari, por
nëse han shumë të vjen të përzjerë". Ose, në kontekstin e depresionit:
"kur më ndodhin ato ditë të vështira nganjëherë mendoj: të paktën të isha
njëra nga ato gratë fshesare. Tek e fundit, megjithatë, jam e kënaqur që jam
kjo që jam". Maryman mbyll intervistën dhe kthehet në Nju Jork për ta
shkruar artikullin. Kur në mëngjesin e 5 gushtit, një reporter e thirri nga Los
Anxhelosi për t'i thënë se Merilin kishte vdekur, ai kishte mbetur pa frymë.
Pavarësisht thekseve nganjëherë të përndezura e dramatike të asaj dite, në
fakt, asgjë nuk linte të mendoje se ajo do të bënte vetëvrasje, siç raportuan,
ndërkaq, mjekët zyrtarë.