E Mërkurë, 05.15.2024, 03:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
NE, (MENDER) GAZETARËT
Nga IVA TIÇO, Mapo

E Enjte, 03.21.2013, 06:32pm (GMT+1)



Më ka ndodhur shpeshherë gjatë 15 viteve të punës si gazetare të gjendem përballë njerëzve që jo thjesht shprehin mosbesimin ndaj atyre që shkruhen dhe thuhen në media, por që edhe sulmojnë hapur këtë "racën" tonë. Jam munduar t'i kuptoj në rastet kur më është dukur se kanë pasur të drejtë apo t'i sqaroj nëse është bërë fjalë thjesht për paragjykime, por nuk e kisha menduar se do isha dhe unë palë me ta deri dhjetë ditë më parë... Deri të dielën e shkuar kur familjarët e mi, të tronditur nga vetëvrasja e njeriut të tyre, duhej të vuanin edhe dhunën e shtypit, që rrëmonte pikërisht në atë plagën e sapohapur për të nxjerrë prej saj ca "të vërteta" që i ndjeri i kishte marrë me vete në atë ikjen e nxituar dhe të paparalajmëruar.

Familjarët e Agron Janos nuk ishin të parët, e fatkeqësisht as të fundit, që do të provonin mbi kurriz këtë dhunë mediatike, sidomos i biri, që duhej të udhëtonte i vetëm për të mbërritur nga Amerika dhe ndërsa të afërmit nëpër telefona i kishin thënë një të vërtetë gjysmake, që mos ta trondisnin, e mësoi atë që kish ndodhur përmes faqeve elektronike të gazetave... Pikërisht nga ato gazeta që i ati Agroni, arkitekti i njohur, ndër të paktët lexues të rregullt në qytet, i blinte gati të gjitha, sidomos fundjavave, si një zakon i vjetër, edhe pse gjithmonë e më shumë ankohej për shkrimet a brendinë e tyre. Më ka ndodhur shpesh të bisedoja me të për atë turrën e gazetave që shfletonim fundjavave, kur shkoja në shtëpinë e tij të plazhit në Qerret: flisnim për tirazhin gjithmonë e më të ulët të shtypit të shkruar, shqetësimi im, po aq sa dhe për projektet gjithmonë e më të pakta të ndërtimit, shqetësimi i tij... Dhe teksa për këtë shqetësimin e tij kishte kaq e kaq shumë arsye që nisnin me krizën globale e përfundonin me politikën e politikat klienteliste, bashkë me dhjetëra arsye të tjera përmidis, për atë shqetësimin tim në lidhje me tirazhet kishte dhe një arsye tjetër, që mua si e "zanatit" nuk më ka pëlqyer kurrë ta them me zë të lartë: cilësia e shtypit. A ia vlen që ata pak njerëz që kanë ende zakonin e të ndjerit Jano, për të blerë çdo mëngjes gazetat, të vijojnë të shkojnë tek tezgat e shtypit? Si zor!

Ç'do lexosh në një gazetë në mëngjes? Po ja ta bëjmë shpejt e shpejt përmbledhjen: një titull të madh politik, frymëzuar nga konferenca e shtypit e liderëve partiakë apo prononcimet e tyre në rrjetet sociale. Pastaj ca tituj më të vegjël për lajmet politike, që përmbajnë konferenca, takime apo replika në distancë. Pastaj kemi ekonominë dhe socialen: tituj konferencash apo deklaratash shtypi, pa kemi dhe kronikën, pikë për pikë deklaratat e policisë, diku në ndonjë cep titull për ndonjë ekspozitë apo shfaqje, thjesht informues të tipit ku po ndodh e ça po bëhet, sporti dhe horoskopi. Disa gazeta kanë nga dy faqe me komente dhe analiza, të vetmet gjëra të veçanta nga lajmet që ke parë një natë më parë në të gjitha televizionet dhe që i ke dhe tani faqe pas faqeje në gazetë dhe kaq... Asgjë që t'ia vlejë për të harxhuar edhe ato pak qindarka që kushton një gazetë... Përveç rasteve kur ndodh ndonjë ngjarje makabre. Atëherë pooooo!!!! Atëherë gazetarët ngjallen. Befas nuk u mjaftojnë më ato deklaratat e shtypit, për të cilat gjithmonë u ankohen zëdhënësve që pse i shkruajnë me "e" dhe jo me "ë" që t'i botojnë kollaj me "copy and paste". Befas iu del në krye instinkti prej gazetari dhe nisen për "skupin"... Do e shohin tani të gjithë ata që i kanë sharë dhe i kanë marrë nëpër këmbë, se e hanë bukën kot redaksive apo konferencave të shtypit, duke zbardhur fjalime. Do e shohin tani të gjithë se si bëhet gazetaria në terren, se si raportohet nga vendi i ngjarjes. Ja për shembull, bie një autobus me studente në humnerë, gazetarët janë fill aty. Jo për t'u marrë me mënyrat se si organizohen udhëtimet turistike e bëhen prokurimet në agjencitë mike me autobusë të vjetër, por për të bërë skupin: intervistën me viktimat. "Si re?" "a të dhemb?", "çfarë mban mend nga aksidenti?", "ç'kishe ngrënë në mëngjes para se të niseshit?", janë pyetjet që u bëhen viktimave që po mbarten në barelë drejt ndihmës së shpejtë, që duhet të presë dhe ca, sa të bëhen intervistat.

Apo ndodh për shembull që një grua e martuar, nënë e një fëmije është vrarë nga dikush, që mendohet se ka qenë i dashuri i saj. Gazetarët të gjithë bashkë vrapojnë të intervistojnë të shoqin. Të ngratit i është shembur bota: qëndron te shkallët e shtëpisë dhe thith një cigare. Gazetarja bën punën e saj. I vë mikrofonin në gojë: "A kthehej gruaja natën në shtëpi?", e pyet. Sepse ky është skupi, publiku duhej ta dijë nëse viktima kishte lënë apo jo të kuptohej, se është kurorëshkelëse. Ose dhe rasti tjetër: merret vesh se motra e një ministri ka vrarë veten, duhet bërë direkt lajm, duke përfshirë dhe vëllanë e famshëm, që ndërkohë kërkon me ngut një mjek psikolog, që t'i japë lajmin nënës së shkuar në moshë, pa arritur ta bëjë këtë më parë sesa gazetat apo gazetarët, që kanë harruar apo nuk duan ta dinë, se viktima në fjalë është gruaja e profesorit të tyre të Etikës...

Pikërisht asaj etike që u bë kryefjala e ditës së djeshme, teksa në gjithë forumet online shumica e njerëzve dënonin publikimin nga mediat shqiptare të dëshmisë makabër përpara policëve të "monstrës" përdhunues e vrasës fëmijësh...

Shumë do flitet këto ditë për këtë ngjarje dhe sidomos për rolin e medias në të. Dhe shpresoj të mos ndalet, jo së paku derisa t'i kemi shkuar së keqes në rrënjë. Jo vetëm për sistemin gjyqësor apo ligjet e dënimet më të rrepta, por dhe për atë që duket se ka më pak rëndësi krahasuar me gjëmat e mëdha: etikën. Një ligj për deklaratat e shtypit, për prezumimin e pafajësisë, për mospërmendjen e viktimave me emër mbiemër për njëfarë kohe a çdolloj gjëje e ngjashme duhet bërë për të mos lejuar që të lëndohen edhe më shumë ata që pësojnë tragjedi.

"Ne nuk jemi punonjës socialë, por gazetarë", iu përgjigj një koleg revoltës sime në facebook, të nesërmen e vetëvrasjes së Agron Janos, ku për 24 orë u kujdesa që asnjë nga "kolegët" e mi të mos depërtonte deri në dhomën e ndenjjes për të mësuar detaje të "vakisë", që do i përdorte të nesërmen në shkrimin skup. Vërtet nuk jemi punonjës socialë, por si gazetarë njerëz, në mos duhet të respektojnë zinë e të tjerëve, duhet ta dimë që lajm me interes për publikun e gjerë nuk është se si përjetohet një tragjedi familjare, por investigimi se pse në moment krizash si kjo, kudo në botë intelektualë e artistë i japin fund jetës... Shifrat, faktet, historitë, përse-të, pa shkelur mbi dhimbjen e të tjerëve, kjo është puna jonë. Ajo punë që nëse do ta kishim bërë mirë këto dhjetë vitet e fundit, nuk do i kishte shpënë mediat në pikën më të ulët të besimit.

Nëse Agron Jano këtë të shtunë do ishte me ne, bashkë me turrën e gazetave, kur të bisedonim për makabritetet e ditëve të fundit në shtyp, jam e bindur që do i kisha thënë: Mos ua qaj hallin gazetave që po zhduken. E meritojmë këtë fund ne, mender, gazetarët!


IVA TIÇO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TEFTA TASHKO, KËNGËTARE E MUZIKËS OPERISTIKE, TË DHOMËS DHE LIRIKËS SHQIPTARE URBANE (03.21.2013)
OLIVER SCHMITT KA TEORI PANSLLAVISTENga MYZAFER KORKUTI (03.21.2013)
Aleksander Kondo: Vdekja misterioze e shtangistit që emigroi në Amerikë, si antikomunist....!PËRSE E KËRKOI TË 'GJALLË BASHKIM PITARKA ALEKSANDËR KONDON???...Nga BEQIR SINA, New York (03.21.2013)
PLURI-PAR-TITIZMI POLITIK DHE RICOPËTIMI I TROJEVE SHQIPTARE TË KOSOVËS HISTORIKENga ISUF BAJRAMI (03.20.2013)
Intervistë me gazetaren e RadioTorino International Gerarta Zhej BalloNGA E MADHJA NËNË TEREZA MËSOVA SE NË PRAKTIKËN E JETËS SË PËRDITSHME, DUHET TË TREGOSH BESIMIN ME VEPRA, JO THJESHTË ME FJALËNga SOKOL DERMAKU (03.20.2013)
PAJTIMI DO TË NISTE ME KËRKIM FALJEN E SERBISË (03.19.2013)
FOTO E DITËS: SOT FLAMURI SHQIPTAR NË SAN PJETËR NË KRAH TË PAPA FRENCESKUT I (03.19.2013)
VLORA PO IA HEQ VIZAT KOSOVËS ME HY NË EUROPË (03.19.2013)
GËZIM ALPION - POLITIZIMI I DIPLOMACISË SHQIPTARE NË KURRIZ TË SHQIPTARËVE QË JETOJNË JASHTË VENDITAlpion - Bashkëpunimi që duhet ndërmjet Qeverisë dhe Opozitës për promovimin dinjitoz të Shqipërisë (03.19.2013)
PAPA FRANÇESKU SOT ZYRTARISHT NË KRYE TË KATOLIKËVE TË BOTËS: "LE TË ECIM SË BASHKU" (Updated) (03.19.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]