E Enjte, 05.02.2024, 12:28am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
BABAI I ELHAIDËS - IME BIJË NUK DONTE TË FITONTE, IU DRUHEJ PARAGJYKIMEVE

E Enjte, 06.06.2013, 04:19pm (GMT+1)



Shaban Dani nuk resht së foluri për të bijën. Herë-herë përlotet. Fundja, cili do ishte ai prind që nuk do qante nga gëzimi për një fëmijë aq të mbarë sa Elhaida, që sapo është shpallur fituese e "The Voice of Italy". "E dini, unë kisha dy djem dhe kur ime shoqe ishte shtatzënë, doja sërish djalë. Kishin filluar trazirat dhe një djalë ishte më mirë... Kurse tani lë kokën pas saj". Finalen e "The Voice", Shabani me të shoqen e ndoqën në Tiranë, në shtëpinë që kanë marrë me qira këtu e 5 vite të shkuara, përpara se Elhaida të fillonte studimet për muzikologji në Universitetin e Arteve. Do kishte qenë e vështirë për t'u përballuar emocionalisht, aq më tepër nga e shoqja, së cilës i ra të fikët, kur prezantuesi i programit thirri emrin e Elhaidës si fituese. Tashmë Shaban Danin e njohin të gjithë si babain e Elhaidës apo Elit, siç i thonë ata (edhe pse në Shkodër e njohin si drejtues të një televizioni privat). E ndalojnë në rrugë, e urojnë. Ka dhe nga ata që nuk thonë asnjë fjalë, por vetëm qajnë nga gëzimi... Një emocion që ata nuk e kishin menduar më parë. Në një kafe në rrugicën e shtëpisë, përballë me Parlamentin, ai pi kafen e zakonshme me një shokun e tij të ngushtë. E bashkë me kafen ia vlen të tregosh për rrugëtimin e Elhaidës, që nga dëshira e së ëmës që të shihte tek e bija realizimin e ëndrrës së saj, për t'u marrë me muzikë, te konkurset, zhgënjimet... deri te fitorja e madhe në Itali.

Ç'e lidhi Elhaidën me muzikën, nga kush e ka trashëguar talentin?
Elhaida zërin e ka të trashëguar nga e ëma. Ajo këndonte shumë kur ishte e vogël, merrte pjesë në aktivitetet e shtëpisë së kulturës. Kur ishte 14 apo 15 vjeç, duhej të merrte pjesë me ansamblin në një koncert në Egjipt. Ime shoqe është dibrane me origjinë, familje patriarkale, i ati ishte fanatik dhe nuk e la. Kështu që atëherë nuk u mor më me këngën.

Me sa duket, ajo e ka shtyrë Elhaidën drejt muzikës...?
Kur Elhaida u bë për shkollë, ajo më tha ta çonim në shkollë muzike, donte të shihte tek ajo ëndrrën e vet të parealizuar. Sa kishim ardhur në Tiranë nga Shkodra, ishte viti 1997. Ndërsa ende nuk kishim vendosur se ku ta çonim vajzën, kishte kaluar koha e konkurseve. Shkuam të tre në Lice dhe atje na thanë se tashmë gjithçka ishte mbyllur, por mund të provonim në një shkollë tjetër muzike, te "Servete Maçi". Fatmirësisht atje sapo ishin hapur regjistrimet dhe nuk ishte zhvilluar ende konkursi. Na thanë që ta provonin një herë vajzën nëse kishte vesh muzike. Sigurisht që ajo i kaloi këto prova. Ime shoqe kishte qejf që ajo të mësonte violinën, por kur pyetën Elhaidën, ajo u drejtua te pianoja. Tashmë e kishte zgjedhur. Kështu studioi për piano. Qëndruam këtu deri sa mbaroi klasën e tetë e pastaj vazhdoi shkollën e mesme në Shkodër te "Prenk Jakova".

Po përse në Shkodër?
Në atë kohë unë sapo kisha riblerë televizionin që shita në 1997- n në Shkodër. Ndërkohë që shkolla "Prenk Jakova" është shumë e mirë, me profesorë shumë të talentuar. Atje ishte në të njëjtën klasë me Dorina Garucin dhe një djalë shumë të talentuar, Branimir Agovi, që sot studion në Konservatorin e Vjenës për Kanto. Me gjasë shumë shpejt do t'i ndihet emri atij djali.

Si ndodhi që u lidh me këngën?
Ajo vazhdimisht thoshte se donte të këndonte e unë e këshillova që t'i vihej seriozisht pianos, se jo më kot ia kisha blerë. Megjithatë mori pjesë në "Ethet e së premtes". Fitoi audicionin që u zhvillua në stadium. U zgjodh deri në 30-she, por kur erdhi puna për në 10 finalistët, nuk e panë të arsyeshme që ta zgjidhnin. U mërzit shumë atëherë, tha që nuk do të këndonte më. Ishte e vogël atëherë.

E megjithatë, ajo konkurroi dhe fitoi te "Star Academmy", si iu mbush mendja?
Ajo është një aventurë më vete. Ne ndodheshim në Shirokë dhe në Shkodër kishin ardhur organizatorët e Star Akademisë për të bërë audicione. Kishte rënë shumë borë, por ajo nguli këmbë dhe shkuam me makinë qysh në mëngjes, por nuk kishte asgjë.
Pritëm pak dhe u kthyem me idenë se nga moti do ishte anuluar. Audicionet u kryen më vonë. Ishte përzgjedhur një tjetër shok i saj, Stefani, që i jep një numër telefoni të organizatorëve. Morëm në telefon dhe na thanë të shkonim në audicionet e Tiranës. Fitoi. Morëm një shtëpi me qira për të ndenjur 3 muaj. Kur e çova ditën e parë në prova, vajza u kthye duke qarë. "Ata janë të mrekullueshëm mor bab, kemi ardh kot, ata këndonin me kitarë...", më tha vajza. "Po prit mor bab, i thashë, mos u ngut, rrimë dhe një ditë". Shkoi sërish të nesërmen dhe gjithçka ndryshoi. Kur i kishte parë të këndonin me bazë muzikore, ajo e kuptoi se cili ishte niveli i vërtetë. Kështu fitoi.

"Star Academmy" i hapi asaj rrugën drejt aktiviteteve ndërkombëtare, apo jo?
Hera e parë që mori pjesë në një festival ishte në Mal të Zi, ku konkurroi me një kompozim të Adrian Hilës. Aty merrnin pjesë të rinj nga gjithë Europa dhe juria ishte ndërkombëtare. As e prisnim që të fitonte, por ajo zuri vendin e parë me pikë maksimale me dyfishin e pikëve të vendit të dytë. Prej aty mori pjesë në një festival në Petriç në Bullgari, ku mori sërish çmim të parë. Një festival shumë i rëndësishëm ishte ai në Brajla të Rumanisë, pastaj edhe në tri festivale të tjera, ku ka fituar gjithnjë çmime të para. Unë kam tetë kupa në shtëpi.

Ka pasur ndonjëherë ndonjë mbështetja nga ana e shtetit?
Jo, jo asnjë. Gjithçka e kemi bërë në rrugë private, duke financuar vetë gjithçka e duke bërë shumë sakrifica.

Pse i duhej "The Voice" Elhaidës, kur tashmë ajo e kishte një emër në Shqipëri?
Ajo këtu mori pjesë në disa festivale. Mori pjesë kur ishte 14 apo 15 vjeç te "Kënga Magjike", por nuk e futën as në finale. Më pas në festivalin e RTSH-së, me një këngë të Endri Sinës që mori çmimin si "Muzika më e bukur", por që juria nuk i dha asnjë pikë, ishte tërësisht absurde, ndërsa shumë na kishin thënë se ajo ishte favorite për çmim. E kundërta ishte në "Top Fest". Kur ishim në Bullgari e Elhaida kishte fituar çmimin e parë, ajo vjen shumë e gëzuar, por jo pse kishte fituar në Bullgari, por kishte dalë në finale në "Top Fest". Gjithë dëshira dhe ambiciet e saj ishin në Shqipëri. Natën finale ajo fitoi çmimin "Artisti i ri më i mirë". Kur pashë që Argjentina Ramosajn e kthyen ta këndonte këngën dy herë, thashë, po iki të fle, u mor vesh tash se kush do ta fitojë. Kur më zgjuan e më tha që Eli ka fituar, nuk doja ta besoja, u treguan vërtet profesionistë. Aty askush nuk e njihte vajzën time, s'kishim asnjë të njohur...

Me pak fjalë, i ka pasur ca zhgënjime në Shqipëri?
Oh, po, po, i ka pasur ca zhgënjime. Fitoi gjithë ato çmime e nuk e ftuan një herë në televizion, as në "Klan", që ishte produkt i tyre. Por ka pasur edhe mbështetës. Unë do përmendja Shpëtim Saraçin që gjithmonë e ka mbështetur, pavarësisht se nuk kemi asnjë njohje me të, madje dhe tani që është andej, e merr në telefon, i jep ndonjë këshillë. I është gjendur gjithmonë.

Po në Itali, a pati shqiptarë që e ndihmuan (përveç atyre që e votuan)?
Atje e ka ndihmuar shumë konsullja shqiptare e Milanos, Nausika Spahia. Sidomos javën para finales, kur ne nuk ishim atje, ajo i ka ndenjur shumë pranë për çdo nevojë që mund të kishte Eli. Mendoni ajo ishte vetëm me finalistët atje. Rrinte vetëm në dhomë dhe lexonte. Duke pasur një njeri tjetër pranë për të shkëmbyer një fjalë apo për të pirë një kafe, gjithçka të bëhet më e lehtë. Dhe në finale ajo ka kënduar më mirë se gjithë herët e tjera. Ndërsa nuk mund të thosha të njëjtën gjë për Ambasadën rumune, që s'u kujtuan as të na takonin, edhe pse vajza fitoi çmimin e parë...

Ka qenë një kompani që menaxhonte talentet e reja, që e drejtoi Elhaidën te "The Voice", si u njoh ajo me ta?
Me ta u njoh në Rumani. Një kompani italiane kishte këngëtarët e vet në festivalin ku merrte pjesë Eli. Ata i bënë ofertën që të merrte pjesë në Sanremo, por gjërat nuk shkuan si duhej. Më vonë, ata i propozuan të merrte pjesë te "The Voice of Italy", duke i siguruar leje qëndrimi e leje pune.


www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Fate njerëzish nën diktaturën komunisteÇAMËRIA, KRYETRADHTIA KOMBËTARE E ENVER HOXHËSNga IDRIZ ZEQIRAJ (06.06.2013)
TROPOJANI MË I PUSHTETSHËM NË 50 VJET MONIZËMOse njeriu me dy nekrologji!Nga ZEQIR LUSHAJ (06.06.2013)
KRERËT E VETËVENDOSJES U TAKUAN ME KONGRESMENIN ELIOT ENGELL (06.06.2013)
'ELEGJI' PËR KOMUNIZMINNga LUAN MYFTIU (06.05.2013)
MJAFT MË ME JU - GAZETARË LLOGORESHNga FATOS LUBONJA, Panorama (06.05.2013)
MOS JA VRANI ZOTIN KOSOVËSPersiatje nga AGIM GASHI (06.05.2013)
PROFESOR SELMAN RIZA DHE PROJEKTET E INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS 1953-1955Nga BEGZAD BALLIU (06.05.2013)
PERIPECI TË GJITHNJË E MË SHUMË VITIASVE NË UDHËN ILEGALE PËR NË HUNGARINdërkohë më shumë se 1 000 emigrantë kosovarë janë bllokuar në burgjet dhe qendrat hungareze të mbajtjes (06.05.2013)
ENVER HOXHA MBAN PËRGJEGJËSI PENALE PËR GENOCIDIN E TIVARIT (IV)Nga ROMEO GURAKUQI (06.04.2013)
AKTIVITETET E DELEGACIONIT TË LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË BOSTON (06.04.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]