E Premte, 04.26.2024, 11:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

Shqiptarët e Maqedonisë dhe manipulimi i tyre...

Nga Agron Alibali


E Djelë, 09.27.2009, 12:51pm (GMT+1)



Maqedonia e Evropës, Maqedonia e Ohajos është themeluar në vitin 1824 dhe ka rreth 10.000 banorë. Gjithsesi, deri më sot nuk kemi dëgjuar që ambasadë greke në SHBA të ketë paraqitur ndonjë notë proteste apo të ketë kërkuar ndërrimin e emrit të Maqedonisë së shtetit Ohajo. Një kërkesë e tillë hipotetike me siguri do të ishte hedhur poshtë nga Departamenti i Shtetit.

Kuptohet se afërsia apo largësia në hapësirë dhe kohë e rrit ndikimin apo reagimin ndaj një ngjarjeje të caktuar. Për shembull, nëse do të bëhej sot reforma monetare e Mbretit Zog, ku ai vendosi ta quajë monedhën e shtetit të tij pas Aleksandrit të Madh, ndofta leku nuk do ta kish ruajtur të drejtën e qytetarisë përballë trysnisë së pandehur sikur kinse historia dhe kultura botërore qenkan monopol.

Dihet se shumica e qeverive të vendeve anëtare të OKB-së, përfshirë edhe qeverinë amerikane, e kanë njohur Maqedoninë me emrin që ajo ka zgjedhur, që lidhet me parimin e pashkruar se, përgjithësisht, çdo bashkësi ka të drejtë të quhet ashtu siç dëshiron.

Mirëpo, problemi i emrit kushtetues të Maqedonisë u paraqit në trajtën e vet akute kur Greqia pengoi pranimin e saj në NATO në prill 2008. Ky veprim, i cili për fat të keq, pati edhe miratimin e heshtur të Francës, ishte pika kulmore e pasioneve nacional-shoviniste të lëshuara më 1992 nga ish-ministri famëkeq i punëve të jashtme i qeverisë Micotaqisis, Andon Samarasi.


Ajo çka po del e qartë çdo ditë është se qëndrimi bllokues i Greqisë përbën cenim të së drejtës ndërkombëtare që, e përsërisim, nuk pengon një shtet apo komb ta quajë veten sikurse dëshiron.

Po ashtu, vetoja greke bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Përkohshme midis dy vendeve (Marrëveshja e Nju Jorkut e 13 shtatorit 1995 midis ministrave Papulias e Cervenkovski). Neni 11.1 i saj përcakton se "[Greqia] pranon të mos kundërshtojë kërkesën ose anëtarësinë e [Maqedonisë] në organizata dhe institucione ndërkombëtare, shumëpalëshe ose rajonale". Dhe më tej, "[Greqia] rezervon të drejtën për të kundërshtuar anëtarësimin e referuar më lart nëse, dhe në masën kur [Maqedonia] nuk do të quhet [IRJM]".

Mirëpo Maqedonia e përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes dhe pranoi që të pranohet në NATO me emërtimin IRJM, e jo me emrin kushtetues. Kësisoj, veprimi i qeverisë greke shkel parimin themelor të së drejtës ndërkombëtare Pacta Sunt Servanda ose që "marrëveshjet midis palëve duhen zbatuar".

Prandaj duhet përshëndetur qëndrimin i Maqedonisë që, jo vetëm nuk u thye apo u përul, por madje më 17 nëntor 2008 e hodhi çështjen për shqyrtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke i kërkuar asaj Gjykate të nderuar që të urdhëronte Greqinë për të përmbushur detyrimet sipas Marrëveshjes Dypalëshe.

Në korrik 2009, Maqedonia i ka paraqitur Gjykatës Përkujtesën me argumentet e saj. Greqia ka afat deri në 20 janar 2010 për të paraqitur Kundër-Përkujtesën.

Në gjithë këtë betejë të ashpër, por edhe interesante, juridike, paraqesin shqetësim, gjithsesi, përpjekjet e Athinës për ta marrë kalanë nga brenda duke përdorur për këtë qëllim shqiptarët e Maqedonisë.

Edhe më përpara ka patur shenja të ndërhyrjes së maskuar të Athinës në këtë fushë të minuar, të shfaqur kryesisht në zigzaget dhe qëndrimet e skajshme të disa individëve shqiptarë me role përkohësisht drejtuese në politikë, individë të cilët janë përfshirë edhe në listën e zezë të qeverisë amerikane për  sekuestrimin e mjeteve të tyre financiare në SHBA.


Në të ardhmen mundet që këto përpjekje të Athinës të marrin trajta më të drejtpërdrejta dhe më të hapura, çka nënkuptohet edhe nga një koment në gazetën e rëndësishme "Kathimerini" [Politika e Jashtme e Epokës Obama,
Aristotel Xampiris, 22 shtator 2009], ku kërkohet që qeveria greke "të punojë me minoritetin e rëndësishëm shqiptar për të mundësuar lehtësimin e marrëveshjes [me Maqedoninë]".

Përzierja e Athinës në raportet shqiptaromaqedonase nuk është e mirëpritur për shumë arsye që nuk po i shtjellojmë këtu.  Sidoqoftë, nëse Athina është vërtet serioze për të drejtat e shqiptareve, atëherë para së gjithash le t'ua njohë të drejtat e njeriut shqiptarëve të Greqisë, përfshirë çamët, arbërorët si dhe emigrantët e dekadave të fundit.

Shqiptarët e Maqedonisë do të bënin gabim historik po ta shndërronin veten në kukulla të qarqeve nacional-shoviniste në Greqi. Pavarësisht nga problemet e këtyre dekadave të fundit, ata kanë jetuar prej shekujsh në paqe e mirëkuptim me fqinjët e tyre maqedonas. Rrugë tjetër përveç bashkëjetesës paqësore midis shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka. Zgjidhja e problemeve të mbetura që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve nuk mund të mos sjellë detyrimin e tyre për t'i dhënë mbështetje maksimale dhe të patundur dëshirës së popullit maqedonas për ta quajtur veten sikurse dëshiron. Me siguri që respekti dhe mbështetja ndaj kësaj çështjeje, për të cilën maqedonasit janë tejet të ndjeshëm, do të pritej me mirënjohje dhe do të mbahej mend.
Sigurisht, këtë mjedis nuk e ndihmoi aspak botimi ditët e fundit i Enciklopedisë Maqedonase. Pavarësisht nga gabimet e përfshira aty, shqiptarët duhet të tregohen të matur dhe gjakftohtë. Debati dhe reagimet të
largohen nga rruga, të zhvendosen në qarqet akademike dhe le të mbeten atje.

As shtypi dhe mediat nuk duhet t'i fryjnë zjarrit më tej.

Në vend të mbylljes po përmendim vëzhgimin e mprehtë të historianit të njohur britanik Noel Malcolm gjatë qëndrimit të tij në Harvard para disa vitesh. Gjëja e fundit që u intereson shqiptarëve të Maqedonisë do të ishte
ndarja e vendit, theksonte Malcolmi. Sipas tij, kjo do të sillte pasoja shumë të rënda për të gjithë, kurse për shqiptarët edhe humbjen përfundimtare të qytetit më të madh shqiptar jashtë Republikës së Shqipërisë, d.m.th. Shkupit.
Agron Alibali


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Ahmeti: Lojaliteti ynë do të varet nga lojaliteti i shtetit (09.26.2009)
Komisioni Evropian mbështet financiarisht Kosovën (09.25.2009)
BBC: SIDNI SI ASNJËHERË TJETËR (Fotoreportazh) (09.25.2009)
Shkencëtarët gjejnë prova të qarta të pranisë së ujit në Hënë (09.25.2009)
RTK: 10 mijë 500 qytetarë serbë janë pajisur me letërnjoftime të Kosovës (09.24.2009)
Kosova promovon pavarësinë në Nju Jork (09.24.2009)
Kim Mehmeti: Maqedonia po na shpall luftë hapur (09.23.2009)
Zëri i Amerikës: Rifillon prodhimi i verës në Rahovec (09.23.2009)
BBC: Mbyllen zyrat për pasaporta të Serbisë (09.23.2009)
Enciklopedia politike (09.22.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]