E Shtunë, 05.18.2024, 01:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
E ARDHMJA E SË DJATHTËS
Nga ALFRED ÇAKO

E Martë, 07.16.2013, 05:50am (GMT+1)



Këto ditë jemi duke ndjekur të gjithë fushatën e dy kandidatëve për kryetar të PD, njëri prej të cilëve do të zëvendësojë kryetarin historik të dorëhequr të kësaj partie, pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Ajo që na bën përshtypje është fakti se të dy rivalët nuk i shkreptijnë shpatat e tyre me njëri-tjetrin por dalin dhe paraqiten, sekush, si sfidanti më radikal i Edi Ramës. Tashmë qytetarët dhe anëtarësia e PD e kanë një imazh mbi dy kandidatët nga biografia e tyre politike. Një kandidat me origjinë toske e ortodokse (Olldashi) e tjetri me origjinë gege e mysliman (Basha). Zgjidhje shumë e mirë në aparencë nga profesori i tyre. Por në rast se do konkurrohet, rezultatin mund ta ndikojë, përveç backgroundit të tyre, edhe mënyra e prezantimit të së ardhmes së PD nga secili kandidat. Pra, nëse ata do të fitonin, çfarë do të bënin ndryshe nga njëri-tjetri dhe nga deri më sot? A do të ishin ata "˜atvrasës', siç ka ndodhur rëndom me udhëheqësit në Shqipëri, por edhe me grupet e ndryshme identitare në historinë e përbotshme? Kjo pjesë, për kushtet e sotme të garës duket se nuk guxohet të diskutohet, të paktën për një afat tranzitor. Kësisoj, thelbi i fushatës së të dy kandidatëve bazohet në dy pika: (a) tek konservatorizmi (pra pohimi i vlerave pozitive të liderit dhe politikave historike të PD nën udhëheqjen e tij) dhe (b) te mohimi i tipizimit të identitetit të tyre, te mos ngacmimi në thelbin e dobësive të njëri-tjetrit; të dy thërresin për ndihmë armikun matanë, Ramën dhe Metën ose PPSH-në. Për këtë pikën (b) mund të themi se ka një lloj fushate pa alternativa të brendshme programore që do të krijonte dy imazhe të ndryshme për dy kandidatët dhe për të ardhmen e PD.

1. Nëse do ta shohim me kujdes historinë e PD, ajo në fillim të viteve "˜90 përbëhej nga shumë flukse antikomuniste, por bërthama e saj ishin familjet nacionaliste dhe të persekutuara nga regjimi sllavo-komunist i E.Hoxhës si edhe ish-pronarët (ish-kulakët e persekutuar dhe të shpronësuarit nga asetet financiare). Por PD, dalëngadalë, duke pasur kryesisht një mision tranzicional për të mos lejuar një përplasje dhe për të ndaluar ndonjë banjo gjaku midis klasave, arriti të kthehej gjenialisht në një parti që diti t'i jepte tonin jetës politike të vendit për 23 vjet dhe duket se do të vazhdojë të jetë një parti e rëndësishme edhe në të ardhmen e afërt të shqiptarëve, në sajë të aftësive të shkëlqyera për të sunduar, të liderit të saj real, që ka qenë e mund të mbetet gjatë po ai, S.Berisha. Pasi u shoshit elektorati i saj i parë në disa shosha me vrima të ndryshme, PD arriti të mbijetojë ndër vite në sajë të strukturave të saj udhëheqëse, të cilat i mbante së bashku jo çeliku i vjetërsuar i antikomunizmit dhe dëshira për të funksionalizuar një shtet kapitalist të së drejtës, modern e cilësor për shqiptarët, por "˜çimentoja' e egoizmit, arrivizmit, kleptokracisë si dhe aftësia e "˜muratorit' që e përpunonte këtë çimento të llojllojshme, nëpërmjet demagogjisë histerike, me "˜zhavorrin' e turmave, të cilave PD ka arritur bukur gjatë t'ju paraqitet si një ylber fatndjellës.

2. Nëse do ta mikroskoponim historikisht se kush ka qenë spektri i fuqisë në lidershipin blu, do të shohim se në aspektin e pozitës reale të fuqisë si dhe klasës së saj ekonomike me pasuri të tundshme e të patundshme, dora-dorës kjo fuqi është formësuar si një piramidë ku në krye ka qëndruar lideri i saj, z.Berisha, me familjen dhe të afërmit e tij. Ky ka qenë dhe mbetet "Syri i Horusit" mbi piramidën blu të pushtetit aktual. Më poshtë, realisht dhe jo formalisht, ka qenë një grup krahinarist ose nepotik, që qëndronte i lidhur mbi bazat e gjakut dhe të krushqive, ose në rangjet e pozitave zyrtare, ose në fushën e biznesit. Edhe kur elementë të këtij grupi qëndronin në nivelet e dyta të drejtimit të institucioneve shtetërore, kubeja e pushtetit dërgonte në krye të tyre një marionetë, e cila kontrollohej me rigorozitet nga grupi krahinarist i Trustit të Gështenjave të Tropojës, po të huazonim një shprehje të përdorur së fundmi nga ndonjë analist. Në brezin e tretë qëndronin, në përgjithësi, në administratë dhe në bizneset që milnin buxhetin me tendera ose përfitonin ankande për të shfrytëzuar pasuritë mbi e nën tokësore - veriorët. Mjafton të shikonim dialektin në shumicën e administratës dhe do të shihnim se ajo ishte mbushur cit me veriorë në të gjitha pikat kyçe ku vileshin paratë. Kundër këtij fenomeni të ulët unë kam shkruar e debatuar edhe kur Shqipërinë e "˜milte' grupi i Zonës së Parë Operative të lebërve të fashës gjeografike Vlorë-Tepelenë dhe kur Shqipëria ishte e ndarë në votime, në veri të hartës me ngjyrë blu e në jug të saj me ngjyrë rozë. Sot Edi Rama, i cili ka marrë mrekullisht shumë vota në veri, ka përgjegjësinë të mos e bëjë të njëjtin gabim të Nanos dhe Berishës në përzgjedhjen krahinariste të administratës dhe në mbështetjen e firmave të biznesit. Ai lipset të ketë një administratë profesioniste dhe aspak krahinariste e thellësisht politike dhe të mos u sulet firmave të biznesit që kanë ecur përpara me djersë e punë të madhe këto 8 vjet e t'i plaçkisë për të realizuar disa objektiva të tij utopike e thellësisht elektorale ekonomike. Për ta mbyllur, baza e parafundit e pushtetit të PD në koloritin e pamasë që ka vendi ynë në raport me sipërfaqen e numrin e banorëve, ka qenë e mbështetur pa u ndjerë edhe mbi principet fetare dhe këtu duket se më shumë pushtet kanë pasur personat me origjinë myslimane e katolike dhe më pak ata me prejardhje ortodokse, për shkak se, në përgjithësi, ortodoksizmi ka qenë i lidhur me komunizmin nga e cila rrjedhin sot politikanët pink apo rozë të së majtës. Në fund të piramidës blu të lidershipit të PD, sa për imazh, ndodhen ish-të persekutuarit, por me ndonjë personazh si E.Alibeaj ata ndjehen aty si në shtëpinë e komshiut.

Edhe pse z.Berisha është përpjekur shumë, duke ecur në skajin e kundërt, ta korrigjonte realitetin e imazhit thellësisht lab e tosk të administratës rozë që ai gjeti më 2005; edhe pse ai u rrek dështueshëm ta makiazhonte piramidën reale të fuqisë blu që ndërtoi - për të cilën ai bëhet vërtet keq sa herë që dikush ia përmend këtë realitet të hidhur e për të cilën ai është vetë shkaku, - kjo panoramë nuk mund t'i shpëtojë një syri zhbirilues normal e të pakompromis të çdo qytetari. Edhe pse ka përzierje të ujërave me karakteristika të tjera historike, krahinariste e religjioze brenda PD, këto nuanca nuk e ndryshojnë thelbin përmbajtësor të tablosë së pushtetit berishian.

3. E përmendëm pak në pikën (a) se në garën për kryetar të PD, kandidatët përpiqen të fitojnë simpatinë e anëtarëve të shumtë, të cilët shohin te z.Berisha cilësitë e një lideri që i riktheu ata dhe i mbajti 8 vjet në pushtet, pas një nokdauni të rëndë në vitin "˜97. Po të shohim në retrospektivë, duket se ka dy modele karakteristike në Shqipëri, sipas së cilës sunduesit e momentit të jetës politike kanë qenë ose "˜atvrasës' revolucionarë ose konservatorë. Është fakt se "˜atvrasësit' kanë sunduar gjatë dhe kanë qenë të suksesshëm në karrierë, kurse konservatorët kanë sunduar pak dhe kanë pasur lëkundje të pushtetit dhe ndikimit të tyre në jetën politike. Kështu, Zogu mohoi parinë e vjetër të elitës turkoshake dhe pashallarët, Hoxha mohoi Zogun, Berisha mohoi Alinë, Rama mohoi Nanon. Të gjithë këta "˜atmohues' të sundimtarëve paraardhës kanë qëndruar shumë gjatë në politikë. E kundërta ka ndodhur me "˜konservatorët', që e kanë quajtur veten "˜vazhdues' të rrugës së profetëve të tyre politikë paraardhës. Ata janë rrëzuar shpejt nga pushteti. R.Alia që u mbështet te diktatori Hoxha, Nano që nuk u divorcua hapur e fuqishëm nga trashëgimia e Alisë. Po kështu ka ndodhur edhe me religjionet jetëgjata: monoteistët e krishterë evropianë persekutuan monoteistët çifutë; islami persekutoi krishterimin gjatë kohës së ekspansionit të tij evropian dhe anasjelltas, u persekutua kur u tkurr nga Evropa; protestantët në Evropën Perëndimore dhe Angli ishin "˜atvrasës' të katolikëve të kishës së Shën Pjetrit.

4. Por pa u shkëputur shumë nga tema jonë, duket se në skakierën e fuqive të brendshme të PD janë krijuar dy klane që punojnë tinëzisht për secilin kandidat. Ndërsa këta publikisht luftojnë si donkishotë me mullinjtë pink të erës, në terren grupet e tyre po përpiqen të ndikojnë rezultatin. Grupi i afërt i z.Berisha duket hapur se mbështet kandidatin Basha, për të ruajtur trashëgiminë e pushtetit, të origjinës religjioze e krahinariste të kryetarit të ri, i cili do vazhdojë të sundohet gjatë nga "˜Syri' i Horusit. Grupi i z.Olldashi duket se ka në përbërje figura të tjera me ndikim krahinarist apo edhe religjioz tek anëtarësia e PD, siç është znj. Topalli e z.Bode. Dy kandidatët nuk japin modele të ndryshme. Pika e tyre më e fortë duket se shihet mbrojtja e anëtarëve të PD që është pjesë e administratës, nga goditjet e pritura të qeverisë së re të majtë që vjen në shtator. Nëse votimet nuk do të jenë formale, ka shumë gjasa që garën ta fitojë z.Basha. Po kështu, edhe vektori i huaj atlantikas e me ndikim në këtë ngjarje të rëndësishme për politikën, ekonominë e diplomacinë e katër mandateve të ardhshme në Shqipëri, duket se është në favor të z.Basha, i cili tashmë ka një mbështetje nga grupi Skull&Bones në SHBA (për këtë grup kemi folur edhe herë të tjera), me të cilin, nëpërmjet lidhjeve të siguruara ndër vite nga z.Mediu, ka relacione të shkëlqyera, të cilat kulmuan me dhënien e disa koncesioneve ekonomike disa kompanive të këtij grupi shumë të fuqishëm, ku përfshihet Rruga e Kombit, mbrojtja dhe energjia e nëntokës shqiptare. Ka gjasa se një nga arsyet e ardhjes së z.D.Ramsfeld para dt.23 qershor, ka qenë edhe marrja e një garancie për suksesorin e ri Basha në krye të PD, ashtu si ai u mbështet prej tyre në vitin 2011 në kryebashki. Pavarësisht se z.Olldashi ka qenë një "˜berishian' në miniaturë me sjelljet e tij si "˜më katolik se Papa', në fund ka shumë gjasa se do të shpallet "fitues" z.Basha. Ndoshta z.Berisha e ndjen që një ambicioz tosk si Olldashi, me lidhje të vjetra me Bllokun, i cili i ka ngjitur shkallët e suksesit step by step e me shumë lidhje historike me militantët e saj, mund ta mënjanojë shumë shpejt influencimin e tij për shkak të xhelozive të ndikimit në Kuvend e PD, ku ata do të silleshin si dy gjela në një kotec.

Në fund të fundit, nga ata që luajnë fijet e kukullave, mund të mendohet se dy ortodoksë në krye të shtetit shqiptar (Rama dhe Olldashi), bëhen pak si shumë për ta komanduar këtë vend. Nuk dihet se sa do të jetë në gjendje z.Berisha, kryetari de facto i PD, që t'i pajtojë më pas këto dy grupe rivale e të ruajë kohezionin e kësaj partie, e cila ndodhet përpara dilemave të mëdha drejt së ardhmes.

5. Po kush mund të jetë e ardhmja e së djathtës në këto katër vjet? A do të jetë në gjendje PD ta dominojë e vetme skenën e së djathtës, ashtu si deri më sot, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Kjo do të duket në radhë të parë se sa e përqendruar do të jetë fuqia e kësaj partie pas zgjedhjes së kryetarit të ri e deri në zgjedhjet lokale pas dy vjetësh. Dihet se kërcënimi më i madh për pushtetin e PD në elektoratin e djathtë do të jetë FRD. Kjo parti, e cila në zgjedhjet e fundit pati zyrtarisht 30 mijë vota, realisht, pas manipulimeve të shumta me votën e saj, raporti mes tyre përafron në 10:1. Pra FRD ka sot rreth 10% të votave të PD dhe duket se aktualisht kjo parti ka kredencialet më të forta morale në të gjithë tregun politik, çka përkthehet se kjo parti mund të vijë duke e rritur shpejt profilin e vet politik. Themi mund, pasi kjo do të varet se si do të reagohet prej saj deri në zgjedhjet lokale. Nëse kjo parti do të bëjë një oponencë të fortë ndaj qeverisjes Rama-Meta dhe do të dijë të rezistojë me shumë dhimbje, në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo mund ta rrisë elektoratin e saj dukshëm. Nëse PD do të ndjekë një politikë refraktare e me shenja të forta xhelozie ndaj FRD, duke u përpjekur si deri më sot ta mohojë atë si një realitet i rëndësishëm i së djathtës dhe, nëse të majtët këto dy vjet do të qeverisin normalisht, atëherë ka shumë gjasa që z.Basha e lëshon kryebashkinë dhe PD-ja nuk do të mund të rritet dukshëm, madje mund të tkurret, nëse grindjet e brendshme do të prevalojnë mbi kohezionin e saj. Pas këtij pluskimi dyvjeçar brenda dy territoreve kundërshtues, pas një rritjeje të FRD dhe stopimi ose tkurrjeje të PD, ndoshta mes dy palëve mund të hapet një dritare dialogu e bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e mund të krijohen rrethanat për të rrëzuar të majtën nga pushteti. Por kjo kërkon shumë punë, nisur nga imazhi negativ patriarkal i qeverisjes aktuale dhe historia e "˜teogonisë' blu me në krye "˜perëndinë' Berisha, si dhe një minimizim i ndikimit të "˜Syrit të Horusit' nga Trusti i Gështenjave të Tropojës në punët e politikës së ardhshme opozitare në vitin 2017. Në të kundërt, është i sigurtë dështimi edhe në mandatin tjetër, duke hapur alternativat e pashmangshme të bashkëpunimit pas vitit 2017. Opozita e sotme ka vetëm një alternativë suksesi të radhës: bashkëpunimin PD-FRD, pasi të krijohen rrethanat objektive që përmendëm. Në realitetin e së djathtës, partitë e tjera të këtij spektri kanë një ndikim dhe elektorat jo stabël, të siguruar kryesisht për shkak të pushtetit dhe rrethanave favorizuese të ofruara nga PD dhe Kodi Zgjedhor.

ALFRED ÇAKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Moj e mirë që del në shkallëPse i trajton mërgimtarët budallë!AGIM GASHI: LAMTUMIRË (07.15.2013)
LORINA NAÇI - SHQIPTARJA QË KOMUNIKON ME PACIENTËT NË KOMA (07.15.2013)
Radio Evropa e Lirë - JANJEVA, QYTEZË E HARRUAR (Fotoreportazh) (07.15.2013)
ËNDRRA BLU RIKTHEHET ME BASHËN!KUJTESË DHE APEL PËR DEMOKRATËT QËNDRESTARË SHQIPTARËNga AZGAN HAKLAJ (07.14.2013)
KOSOVË - FSHATARËT SHQIPTARË VENDOSIN BARRIKADA KUNDËR XHANDARMËRISË SERBE (07.14.2013)
PLAKAT E NARTËSNga GËZIM LLOJDIA (07.14.2013)
MIT'HAT FRASHËRI - KOMUNIZMI, NJË KOLERË QË SHKATËRRON SHPIRTINLetrat e Mit’hat Frashërit-Për miqtë e mi t’Amerikës (07.14.2013)
MALËSIA E GJAKOVËS NË LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARENga VELI HAKLAJ, studiues (07.13.2013)
U MBAJT AKADEMIA PËRKUJTIMORE PËR GJENERALMAJOR AGIM QELAJFotoreportazh nga XHAFER LECI (07.13.2013)
MBËRRITJA NË BRINDISI-Si sot 23 vjet më parë u larguam nga Shqipëria. Ky shkrim është një rrëfim i thjeshtë i atyre përjetimeve të paharruaraNga ARJAN A. BEJKO (07.13.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]