E Shtunë, 05.18.2024, 12:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
'RILINDJA' SI DIMENSIONIM SOCIADEMOKRAT I REALITETIT!
Nga Dr. PËRPARIM KABO

E Martë, 07.16.2013, 05:55am (GMT+1)


Beteja elektorale përfundoi. Të gjithë jemi fitues. Realizuam zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pritet një dorëzim i pushtetit me rregulla dhe me dokumentacion, me bilance dhe me detyrime në proces, që do të vijojnë si shprehje e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përgjegjësisë ndaj tyre, si palë në veprim. Nëse qeveria e re do të nisë punën në muajin shator, është me interes që deri në muajin dhjetor, kur dhe pritet të hartohet Ligji i ri për Buxhetin e Shtetit, në secilin dikaster qendror të ekzekutivit të lartë dhe në strukturat e tyre të ndërvarura, të realizohet një auditim i plotë, se çfarë është bërë me fondet publike dhe donacione të ndryshme të përfituara. Në fund të vitit 2013 të publikohet me tejdukshmëri situata reale me shifra konkrete.

A ka abuzim dhe korrupsion, informalitet dhe shkelje ligji? Kjo duhet të thuhet që në fillim, tre muaj janë të mjaftueshëm. Nëse kjo punë nuk bëhet tani, me kalimin e kohës është më e vështirë, madje edhe e pamundur. Të bësh kalimin normal të pushtetit falë një dorëzimi me dokumentacion, ky është një proces me përgjegjësi të dyanshme, si për atë force politike që e dorëzon pushtetin, por më shumë për atë që e merr atë. Rilindja si ringjallje?! "Shenja e gjashtë mesianike", - Jezusi është ai që do të ringjallë popullin e tij". (Jehezkeli 37) - Ungjilli sipas Gjonit. "Kur erdhi Jezusi në Bet-Anije, Lazri kishte katër ditë që shtrihej në varr". Si duhet ta lexojmë në realitetin tonë?! Kur erdhën socialdemokratët në pushtet në vitin 2013, ekonomia dhe vendi kishin tetë vjet që ishin shtrirë në varr?! Maria motra e Lazrit ia lau këmbët Jezusit me gjysmë litri parfum të shtrenjtë prej Nardit. Po në realitetin tonë që pret të rilindë, kush do të duhet ta bëjë këtë ritual parfum-hedhës? Apo në vend të tij do të kemi derdhjen e lumëfjalëve "O Kryetari ynë", ti do të na ringjallësh dhe ne po derdhim për ty "parfumin" e besnikërisë deri në përunjësi! "Lazër dil jashtë", - ishin fjalët e Jezusit. I vdekuri doli. "Hiqjani fashat që të mund të shikojë", - ishin fjalët e Jezusit dhe Lazri pa dritën dhe u ngjall. Hiqni çdo gjë që është realizuar deri më sot në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, dhe ajo do të ringjallet, e bashkë me të do të ringjallet 95% e popullsisë?! Kështu do të duhet t'a konvertonim thënien biblike në realitetin tone që lypet të rilindi?!

* * *

Detyrat e forcave politike të majta (për korrektes identifikimi po e quajmë socialdemokracia) janë të koduara si shkollë e filozofisë politike socialdemokrate. Ato janë të artikuluara tek ne, në atë që është shpallur si "Programi Rilindjes". Festa mbaroi. Sazexhinjtë janë larguar. Hyzmeqarët janë darovitur. Kapari është llogaritur dhe mbeturinat e ahengut janë hedhur në kazanin e tyre. Po tani, çfarë do të ndodhë?! Nga duhet filluar?! Kush i ka idetë dhe projektet?! Cili është modeli?! Nga do t'ia nisim? Si duhet përllogaritur qeseja, çfarë kemi "në sepete"? Po Banka e Shtetit Shqiptar, çfarë ka brenda thesarit? Nëse Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, si forca socialdemokrate, do të ndërtojnë një politikë dhe realitetbërje bazuar tek principet e kësaj shkolle politike, atëherë ato do të duhet që të konsiderojnë tri shtylla, ku bazohet një program i tillë; së paku nga socialdemokracia gjermane të cilat janë: Rritja-Drejtësia Sociale-Mbështetja.

RRITJA: OKB e ka përcaktuar që njeriut duhet t'i krijohen kushte që të jetojë "i lirë nga frika dhe nga nevoja". E shprehur më konkretisht, çdo njeriu duhet t'i ofrohet mundësia për qëndrueshmëri ekonomike, zhvillim social dhe kulturor, dhe një punësim të plotë e produktiv në periudhën e jetës aktive. Nëse shohim me vëmendje realitetin në Shqipëri, larg pozicionimeve partiake dhe përfshirjes në retorikat shtrembëronjëse, ka gjasa të identifikojmë se ku jemi, si jemi, dhe se si do të mund të ecet në të ardhmen. "Të lirë nga frika, a jemi"?! Ende nuk jemi. Njerëzit kanë frikë nga eprorët partiakë, kanë frikë nga zyrat abuzive të tatim taksave, kanë frikë nga krimi, kanë frikë nga gjyqtari i korruptuar, kanë frikë nga pasiguria e qarkullimit në rrugë me mjete ose si këmbësor, kanë frikë se asnjëherë nuk do t'i marrin pronat e të parëve të trashëguara, sa kohë që qeverisjet bëjnë marrëveshje antiligjore me informalë dhe lënë të braktisur qytetarin që zbaton ligjin. Po të lirë nga nevoja a jemi?!

Njeriu në nevojë nuk e do ligjin (Necessitas non habet legem-thonin latinët) jo se ka gjë me të, por se nuk i zbaton dot kërkesat e tija, dhe kështu shndërrohet në "informal-subject". Ai e dëmton homogjenitetin e "komunitetit civil të ligjit". Mua nuk më ka rënë në sy dhe nuk më ka ardhur në veshë që, "ProgramRilindja" të ketë shtruar si objektiv një analizë të tillë antropo-institucionale, që të ketë me shifra, se sa është "informaliteti i nevojës". Si është struktura sociale e njerëzve në nevojë, si moshë, si gjendje shoqërore e civile, si shtrirje gjeografike, si përcaktim etnik?! Para disa javësh shikoje me keqardhje që, ca socialdemokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës luftonin "me mish e me shpirt" që të mos u hiqej vendi i punës", kazanët e plehrave" pakicës etnokulturore rome. Si komunitet informal, ata njerëz duhej të ndihmoheshin në nevojën e tyre dhe jo të programohej punësimi formal mbi baza të ligjshmërisë. Po gjatë këtyre viteve kemi parë veprime direkte dhe mosveprime, që lejonin një komunitet informal, i cili nën peshën e nevojës, të mos pengohej të kultivonte bimë narkotike në fshatin e largët jugor. Lejohet komuniteti i nevojës në minierat e kromit, atje ku gratë dhe fëmijët punojnë si të jenë skllevër. Vetëm rritja largon këto dy lloj gjendjesh dhe e sjell e njeriun në subjekt aktiv dhe formal. Kështu ai e njeh, e respekton dhe e zbaton ligjin, ndërsa shoqëria njeh zhvillimin. Kur themi rritje, është në qendër rritja ekonomike. Në kuptimin e përgjithshëm, "rritja ekonomike" do të thotë: rritje në prodhimin e përgjithshëm bruto. Por jo vetëm kaq, sepse kjo nuk mjafton. Aq më tepër, në vendet në zhvillim dhe me demokraci të brishtë, duhen konsideruar edhe faktorë të tjerë. "Një vend në zhvillim që është thjeshtë i hapur ndaj botës së jashtme, me domosdo vjel edhe frytet e globalizmit. Madje edhe nëse GDP e tij rritet, rritja mund të mos jetë e qëndrueshme, apo e bazuar. Edhe kur rritja është e mbështetur, shumica e popullit të tij mund të gjendet edhe më keq". (Joseph STIGLITZ,Making Globalization Work", page 26) Kjo ishte "arsyeja-kurth" e forcave politike që humbën zgjedhjet. Ato mateshin sukses-plota me hijen e GDP-së, që në shikimin e tyre rritej ose ishte në shifra pozitive, pa shkuar ekonomia në recesion apo më keq akoma në krizë. Ndërsa nuk vlerësonin gjendjen reale në strukturat dhe kapilaret shoqërore, deri në ato të komuniteteve të caktuara në nevojë. Ky qëndrim është tipik për neoliberalët e tregut.

Po "ProgramRilindja", a ka një diagram të mundshëm se si do të ecë kjo çështje themelore?! Është e thjeshtë të thuash se do të qeverisim tetë vjet, se do të hapim kaq mijë vende pune dhe se do të bëjmë këtë mrekulli me "bishtin e palloit" në treqind ditët e para, si edhe ëndërronin alkimistët. Por se çështja që qëndron pezull është: si parashikohet të ritet GDP-ja në vitet që pasojnë, psh, në 2014, 2015-ën dhe kështu me radhë? A ka prognoza bazuar në analiza të fizibilitetit ekonomik? Nëse do të ulesh nesër në karrigen e "kryeshërbëtorit" të institucioneve ku është deleguar sovraniteti popullor, si për ata që votuan pro teje dhe atyre që votuan kundër teje, duhet "të të mos të flerë syri gjumë". Je duke marrë në dorëzim një "varkë" ekonomike të shpuar në shumë vende dhe që nuk ka brenda as Karontin mitik që e di udhën, së paku për në Hade. Shifra e premtuar për punësim është e pabesueshme, jo thjesht si teprim shifror, por edhe si konceptim. Para disa ditësh Ministria e Punës e RFGJ, Zonja Ursula von der Leyen, në një intervistë për radion BBC, shpjegoi qartazi dhe ishte kategorike se, "nuk është qeveria që hap vende pune, por është ekonomia që e bën këtë". Qeveria ndihmon me legjislacion dhe me mbështetje për kualifikime, rikualifikime edhe duke bashkëpunuar me tregun, me bankat, me ekonominë dhe me biznesin. Sjell në vëmendje se qysh me Republikën e Vajmarit në 1919, në Gjermani u themelua Ministria e Punës, e rikthyer në vitin 1949 sërish dhe u hartua ai që quhet "German labour Law". Ligji gjerman i punës. Edhe tek ne ka një Ligj mbi Punësimin, por se ai duhet rishikuar në themel.

Modeli që pritet të vihet në zbatim bazuar në programin e publikuar nga Partia Socialiste e ka profilin socialdemokrat, si një kombinim i tregut me një ekonomi të komanduar dhe kjo praktikë është e provuar edhe gjetiu. Jozeph Stiglitz është Nobelist në ekonomi ka qenë këshilltar i ish-presidentit Bill Clinton. Ai e pranon rolin e qeverisë në ekonomi edhe në SHBA kur sjell argumentet se, e citoj: " ...Edhe sot qeveria e SHBA-ve për momentin luan një rol në financë. Ajo ofron garanci për fraksionizime të dallueshme për të gjitha kreditimet si, me programet për hipotekimet, me kreditë e studentëve, me eksportet dhe importet, me kooperativat, me biznesi vogël. Qeveria jo vetëm që rregullon bankimimin dhe siguron depozitat, por gjithashtu përpiqet të sigurojë lëvizjen e kreditit në grupet më pak të shërbyera, në të gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm në qendrat e mëdha të parasë." (Libri cituar faqe 19-20). Autori Henry Milner në librin e tij "Sweden Social-Democrasy in Practice", sjellë këtë formulim për modelin socialdemokrat suedez: "Institucionet ekonomike dhe politikat shtetërore që qeverisen nga partitë socialdemokrate janë trajtuar si "përzjereje" specifike e tyre, e tregut dhe e ekonomisë së komanduar. Kur është aplikuar në mënyrë të suksesshme, ky program ekonomik hybrid, është lajmëruar se ishte "gjetur një rrugë e mesme". (Libri përmendur faqe 22) Implementimi i këtij lloj sistemi është një sfidë që duhet përballuar nga Partia Socialiste dhe aleatët në bashkëqeverisje.

Tetë vjet të qeverisjes së Partisë Demokratike instaluan një formë qeverisje ku u kombinua shërbimi ndaj kapitalit të madh të huaj, me kujdesin populist ndaj njerëzve në nevojë. Një i papunë nuk është thjesht në gjendje të rëndë ekonomike, por ai është i dërrmuar gjithashtu në dinjitetin e tij. Ai/ajo është i shpërfillur dhe jeton pa mundur të ndërtojë historinë e tij, profilin shoqëror dhe karrierën. Një i varfër i papunë sjell në jetë dhe rrit fëmijë të varfër, dhe kjo e poshtëron thellësisht. Drejtuesi që do ketë përgjegjësinë e Ministrisë së Punës nga muaji shtator 2013, nuk duhet të jetë një plotësues që thjesht do të konfigurojë ekipin rilindas të ekzekutivit qendror.

Rritje në kuptimin e vlerave të tregut, sipas socialdemokratëve gjermanë, ka kuptimin e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve në një ekonomi kombëtare. Por nuk mund të thuash se ka një rritje normale ekonomike, ndërkohë që çmimet rriten në mënyrë të pakontrolluar. Në tetë vitet e fundit, rritja e çmimeve është në përmasa të frikshme, po të mbajmë parasysh që jo vetëm mallrat e përdorimit të përditshëm, por edhe shërbimet e nevojshme si uji pijshëm, energjia elektrike, janë bërë tejet të kushtueshëm. Pranohet pa mëdyshje që 50% e konsumatorëve të energjisë elektrike nuk paguajnë faturat. Kështu, ngritja e çmimit përballohet në masën më të madhe, vetëm nga ata që paguajnë. Për socialdemokracinë gjermane, struktura kryesore e politikës ekonomike është, Ligji-Stabiliteti-Rritja. Kjo realizohet me një nivel të ulët të papunësisë, me nivel të ulët të inflacionit dhe me ekuilibër në tregtinë e jashtme. Zbatimi ligjit si shlyerje detyrimi ndaj shërbimit të përftuar, kjo a do të sigurohet nga ekipi rilindas? A do të ndërtohet "komuniteti civil i ligjit", "morali civil i ligjit", "autoriteti civili i ligjit"?!

Në kushtet e globalizmit financiar, ekonomitë kudo janë të kredituara nga monedhat ndërkombëtare dhe operojnë me ato kombëtare. Në këtë lloj transaksioni lind fenomeni i fluktacionit. Humbjet për shkak të zhvleftësimit të vlerës së monedhës në kursin e shkëmbimit. Shteti duhet ta mbrojë ekonominë nga fluktacioni parasë. Ai do të duhet të prevenojë recesionin, nëse do të di të zbatojë parimet Keynseniane. Ata që nuk ushqehen mirë, vishen keq, dhe nuk janë në gjendje të paguajnë detyrimet janë në % të lartë në shoqërinë tonë. Kjo tregon se ekonomia nuk ka rritje reale. Ky ishte realiteti ynë në këta vitet e fundit. Madje në një sens moskompetence, tek ne u injorua deflacioni që solli zhvleftësimin e pasurive të patundshme dhe e detyroi qeverinë të shesë pasuri kombëtare në kushtet më të pafavorshme, thjesht për të shlyer borxhet e prapambetura. "Të gjitha vendet që janë duke reduktuar deficitin, në kohën e një niveli të lartë papunësie, venë në lëvizje rënien në spiralen e deflacionit". (George Soros-Financial Turmoil, page 78.) Mungesa e parasë në qarkullim ul konsumin dhe ngadalëson ritmin e prodhimit. Njëkohësisht borxhet a bartura si kreditime, kthehen me shitjen e pasurisë kombëtare në periudhën më të pafavorshme.

Rasti i fundit ishte shitja e dy hidrocentraleve për t'i shlyer borxhin e bartur firmës KURUM. Një sjellje e tillë është shumë e dëmshme. Pasuria kombëtare dhe pronat publike nuk janë të qeverisë së radhës, apo të parlamentit të një mandati. Janë investime në breza dhe prona të të gjithë shoqërisë. Unë jam dyshues nëse "RilindjeProgram", të ketë skenarët e mundshëm se si do të dilet nga gjendja deflacioniste. "Rilindasit" nuk e kanë përmendur as si term, asnjëherë. Borxhi ynë i jashtëm është kryesisht në Euro, e cila ka jo pak probleme, mes të cilëve edhe deflacionin. Ja si konkludon George Soros në librin lartpërmendur: "Një tjetër krisje strukturale tek Euro është se ajo u ruajt vetëm nga rreziku i inflacionit dhe injoroi mundësitë e deflacionit". (po aty faqe 81). E gjithë ajo që është propaganduar si rritje e pagave dhe pensioneve gjatë tetë viteve të qeverisjes së PD-s ka qenë një politikë kujdestarie, për të përballuar inflacionin për shkak të ngritjes së çmimeve. Polarizimi i skajshëm ekonomik, i krijuar vetëm në këta 23 vite, ku "skifterët" rrëmbyen pasuritë kombëtare, pronat publike dhe ato private, është një deformim shoqëror dhe ekonomik që pengon rritjen.

Vende si Brazili, India, Kina, kanë projekte për të krijuar realisht klasën e mesme, ndërsa Shqipëria jo. As "Program Rilindja" nuk artikulohet për këtë problematikë tejet komplekse dhe që ka terma konkrete e tregues të dallueshëm përcaktues. Vendit tonë i duhet një rritje ekonomike që do të sigurojë prosperitetin në shtrirje të gjerë, për të gjitha shtresat dhe për secilin individ. Anthony Giddens, ai që këshilloi Tony Blair dhe Gordon Brawn, shprehet në librin e tij shumë të shitur, "Rruga e Tretë& dhe Ripërtëritja e Socialdemokracisë" se demokracia është: "gjithëpërfshirja në mundësinë e vetëndryshimit". Kjo mund të ketë kuptimin e një rilindjeje tek ne, por si dhe me cilën faturë? Brenda cilave afate dhe me cilën kosto sociale?! Cilët do të jenë faktorët kryesorë, qeverisës, shtetërorë, publikë dhe socialë?! Këtë ende nuk e dimë. Ndaj "Rilindasit" e dehur duhet të bëhen esëll dhe të mendojnë. Nëse nuk janë të zotët, le të pyesin. Dhe që të dinë të realizojnë këtë komunikim, fillimisht u duhet të kuptojnë se ata që mund t'u japin përgjigje, janë më të zotët. Ata përbëjnë elitarizimin që nuk mund të jetë konsultativ, por se domosdoshmërisht të përfshirë në vendimmarrje.

Po qe se "Rilindasit" nuk e kuptojnë këtë gjë, të më falin, por se kanë (ri)lindur "të vdekur". Kështu, ata nuk mund t'a rilindin vendin, ekonominë dhe jetën social-kulturore. Nuk mjaftojnë thirrjet 'ejani!'. Ka fusha ekspertize të adresuara dhe kritere bashkëpunimi. Në programin e Hamburgut, çështja e rritjes është e artikuluar si, e citoj: "Jeta me cilësi të lartë dhe e shëndetshme është gjithnjë prioritet i politikës ekonomike të socialdemokracisë. Në të kaluarën, progresi kuptohej kryesisht në termat e rritjes sasiore. Në ditët tona ne jemi të detyruar nga ndryshimi shumë i shpejtë i klimës, mbingarkesat në sistemin ekonomik dhe rritja e popullsisë botërore, ndaj duhet t'i japin zhvillimit një drejtim të ri orientimi në të ardhmen". Tri janë orientimet në kushtet e problematikës së mileniumit të ri dhe rrethanave të krijuara në hapësirë globale e në relief lokal, nga ku prej është i varur progresi; Ekonomi dinamike. Edhe për Rilindasit tanë, ky duhet të jetë nordi i qeverisjes dhe jo retorika e premtimeve asistenciale. Nuk ka në "ProgramRilindjen" të shkruajtur e zeza mbi të bardhë, se çfarë do të bëhet me sistemin bankar, si do të shëndoshen financat publike, si do të ritet kreditimi, si do të rregullohet bilanci negativ i tregtisë së jashtme? Si do zbutet deficiti buxhetor? Si do të mund të zgjerohet rrjeti i shërbimit bankar në Shqipëri, duke ndërtuar banka shqiptare dhe jo vetëm të huaja? Si do të mund të futen në qarkullim bankar përmes bondeve, paratë e emigrantëve me qëllim që remitancat e emigrantëve të mos jenë para buke e faturash elektriku për familjarët? Si do të rregullohen sigurimet shoqërore të shëndetit dhe për pensionet në vitet që do të vinë? Si do të rikuperohen kreditë e këqija? Si pra zotërinj Rilindas?! Në cilin afat kohor, me cilët mekanizma? Me çfarë kosto që duhet të bjerë mbi shpatullat dhe xhepat e qytetarëve? Drejtimi dytë është Drejtësia sociale (do të shkruaj gjerësisht më vete për këtë çështje) dhe së treti Përgjegjësia për mbrojtjen e ambientit.

Të tria këta drejtime duhen marrë së bashku. Realiteti ynë, si është?! Ambienti tek ne është shkatërruar. Cilësia e ajrit dhe ujit është rrezik për jetën. Lumenjtë janë shkatërruar në bengjet e tyre dhe një shi behari i nxjerrë nga shtrati si për qejf, ndërsa shirat e dimrit i sjellin brenda në qytete në mundësi mosrefuzimi. Pyjet janë shfarosur si të ishin pushtuesit e territorit tonë dhe, ripërtëritja e tyre është çështje dekadash. Ndërtimi pa kriter i hidrocentraleve po shkatërron tërë sistemin lumor të vendit, morfologjinë e relievit dhe mikro e makroklimën. Në bazë të principeve të shfrytëzimit të lumenjve që janë pesë, rreshtuar sipas prioriteteve ndërkombëtare shkencore, i katërti prej tyre është për prodhim energjie. Ndërsa tek ne është kthyer i pari dhe kështu, natyra po shkatërrohet. E megjithatë, "superfuqi e vogël energjie nuk është se po kthehemi". Të gjitha këto vendime nuk kanë marrë në konsideratë kërkesat apo mendimin e komuniteteve dhe as që është shtruar si mundësi shprehja me referendum, nëse janë apo jo dakord popullatat e atyre rajoneve.

Është emergjente, hartimi i programeve afatgjata për punimet inxhinierike nëntokësore në të gjithë Shqipërinë, ku ujërat e zeza janë indipendente të gëzuara. Hartimi i programit për mobilimin e tokës, sepse rrjeti i mbrojtjes së tokës nga ujërat është shkatërruar barbarisht. Hartimi i programit për rigjenerimin e morfologjisë së relievit, të shkatërruar keqas nga erozioni. Matja kryhet si ton/metra kub dheu që rrëshqet jashtë parametrave të lejuara të standarteve ndërkombëtare. Në këndgjykimin e Socialdemokracisë, progresi ka të bëjë me "kërkesat për rritje cilësore në kombinim me reduktimin e konsumimit të burimeve." Nëse e shohim këtë problematikë tek ne, sjelljen ndaj burimeve që janë pasuri kombëtare, psh, në lidhje me kromin, dhe minierat ku ende nxirret minerali, nisur nga fakti se si është katandisur kjo pasuri; kuptojmë se keqpërdorimi po bën që pas 4-5 viteve të mos kemi më mundësi shfrytëzimi. Kështu u shkatërrua flota detare dhe po shkatërrohet dita-ditës transporti hekurudhor. Ky quhet rrënim. Dalja prej tij quhet ndalim-ngritje.

Socialdemokratët tashmë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, e quajnë Rilindje, është e drejta e tyre. Shqetësimi është se si do të rregullohet gjendja?! Ka projekte, ka strategji, ka kapacitete njerëzore e specialistë? Ka vizione, ka elitarizëm që të udhëheq mendjen dhe vendimmarrjen?! Apo kemi vetëm ca lista se si janë rritur çmimet e ushqimeve? Njerëzit në breza do duhet të kenë mundësit për të jetuar, çka nënkupton sipas programit të Hamburgut", punën e denjë të lirë nga shfrytëzimi". "Çdo person - thuhet në këtë program - do duhet të marrë ndershmërisht pjesën e vet, duke u ndarë të mirat që krijohen". Rritja është e lidhur pazgjidhshmërisht edhe me sjelljen jo barbare ndaj burimeve të lëndëve të para. Shumë prej tyre që vijnë të gatshme nga natyra duhet që të mbrohen në ciklet e tyre vegjetative, nëse kanë të tilla dhe, në shfrytëzimin me nikoqirllëk duke menduar edhe për brezat që vijnë, nëse janë lëndë me përbërje materiale. Rritja nuk është ndryshimi imediat që, kapet duke shtrirë dorën dhe që mund të sjellë rregullime të pjesshme, por edhe që hap në të njëjtën kohë një hon për të ardhmen. Është me vend të ripërsërisim, se ndryshimi dhe zhvillimi nuk janë e njëjta gjë.

Çdo zhvillim është edhe ndryshim, por se jo çdo ndryshim është zhvillim. Zhvillimi duhet të sigurojë progresin e pandërprerë, pa dëmtuar natyrën, pa shkatërruar burimet, pa pasuruar një pakicë të kapitalit të madh, ndërkohë që shumica të humbasë pasuritë kombëtare, të cilat shiten për të shlyer borxhet për shkak të asaj që, George Soros e quan "fondamentalizmi i tregut". Me fjalë të tjera është shlyerja e kredive të pakthyera, me shitjen e burimeve dhe pasurive kombëtare që janë ende rentabël. Ky lloj keqkuptimi është i shumë takuar në tranzicionin shqiptar të këtyre 23 viteve. Rritja ka qenë jo e bazuar, sa kohë që është rritur borxhi. Pasuritë i kanë kaluar kapitalit të madh, shpesh jo vendas, dhe njerëzve u është premtuar punësimi. Metamorfoza? Nga pronarë të pasurive kombëtare, në të punësuar tek firmat e huaja. Ky lloj "laissez fair", i neoliberalizmit ekstrem, lyer me joshjen e "taksës së sheshtë", për të huajt ka qenë një parajsë e vërtetë pasurimi. Edhe në këto kushte borxhi u rrit. Modeli e nxori shoqërinë jashtë stabilitetit që gjeti në vitin 2005.

Shifrat e rritjes krijuan iluzionin e një mrekullie antikrizë të modelit shqiptar, deri sa erdhën shifrat reale te FMN-s dhe Bankës Botërore, që e shfrynë tollumbancen. Rritja ka gati dy vjet që është minimale, me tendencë në rënie sa kohë që rrezikohet sigurimi i fondit të pagave. Kështu kemi hyrë në një rreth vicioz sepse: "Sa më gjatë të mos ketë rritje reale e të qëndrueshme, për aq kohë pesha reale e borxhit do të vijojë të rritet". Ndryshimi si keqkuptim! "Ndryshim i madh", kështu i quajtëm firmat piramidale dhe si rezultat, erdhi shkatërrimi i sistemit bankar, i ushtrisë, i shtetit dhe i pasurisë së publikut që besoi me naivitet, se këto ishin "filizat" e kapitalizmit rentier. "Ndryshim i madh", u quajtën kioskat dhe betoni rreth qyteteve. Dhe më pas shkatërrimi i investimeve milionëshe. "Ndryshim i madh" u konsideruan ndërtimet kudo në fushat e bukës në Ultësirën Bregdetare, që si thoshte burri i mençur Mehdi Frashëri: "Vetëm atë të mos na e marrin të huajt sepse nuk do të ketë më Shqipëri". Mirëpo ja, që na e mori betoni. Dhe bashkë me të na mori malet e zonës së bukur të Lezhës. Atë relievbukuri që Venecianët e dëshironin, ndërsa sot na e morën koncesionet e çimentos. Dhe tymi e pluhuri mbërrijnë në qytete e deri në kryeqytet, madje më shpejtë se autobusët urbanë të linjës dhe furgonët e çmendur. Rrugët e reja një "ndryshim i madh", dhe i quajtëm autostrada, superstrada, por se ato janë udhë me asfalt që nuk plotësojnë kriteret e sigurisë, e ku mund të hash kokën sa hap e mbyll sytë. Ndërtimi si sektor, një "ndryshim i madh", por kalimi i masës ka sjellë mijëra apartamente të pashitura, kredi bankare të pakthyera nga investitorët e kredituar dhe uljen e normës së interesit për ata që kanë kredituar bankat me kursimet e tyre. Ja përse sot ka një diskutim principial, e mjaft intensive në kuadër ndërkombëtar, në lidhje me atë që quhet rritje apo zhvillim progresiv.

Në gjykimin e Socialdemokracisë gjermane, koncepti për rritjen, lyp që kërkesat e tij të jenë të tilla ku të kombinohen, inovacionet teknologjike me mbrojtjen e ambientit, dhe të dyja këto të jenë në harmoni me ripërtëritjen e kohezionit social. Në këndvështrimin e së majtës amerikane", zhvillimi është një proces që përfshin çdo aspekt të shoqërisë duke angazhuar përpjekjet e secilit prej tyre, të tregjeve, të qeverisë, të kooperativave, OJF-ve dhe institucioneve të tjera jo fitimprurëse". Vendet e zhvilluara nga ato të pazhvilluara, sipas Stiglitz, nuk dallohen nga burimet por nga investimet në edukim dhe teknologji". Pa këto investime nuk mund të shndërrohesh në vend të zhvilluar. Arsimi është çimento nga do të duhet të fillojë zhvillimi, ose si dëshirojnë ta quajnë Rilindje. "ProgramRilindja" ka disa teza për arsimin, por nuk përmend programin e Bankës Botërore me afat 2005-2015, brenda të cilit ka orientime nga ato reformuese strukturore, deri tek ato kurrikulare. Duhet (a sa i lumtur do të isha, madje jo vetëm unë) që vendimi i parë i Parlamentit të ri të ishte: Arsimi i Mesëm i detyrueshëm. E ka Maqedonia, ne jo. Po a ka vend anëtarë në Bashkimin Europian, pa këtë realitet në fushën e edukimit? Mjaft me modelet më të dështuara të rajonit, si sistemi 9 vjeçar huazuar nga Greqia në kohën e socialistëve para 2005-s, dhe tani sistemi me 6 klasë që na kthen shumë thellë në dekada. Këto reformime veç se sjellin tendera për tekste të reja, asgjë nuk ndryshojnë. Mjaft më, mjaft! Ka një kufi përtej të cilit nuk shkohet se fillon moçali që quhet turp? Ta ringremë arsimin që të mos vrasim të ardhmen! Le të vijmë tek realiteti ynë për të qenë më konkret dhe më të prekshëm edhe për ambientin.

Nëse futëm teknologji të reja përpunimi ose prodhimi, pasi zbulime teknologjike tek ne duken të ekzagjeruara, sa janë ato në kombinim me mbrojtjen e ambientit? Jo më larg se para disa ditësh, shfaqej në një kronikë televizive se "Kurumi vret", "Ndal ndotjeve kancerogjene". A është e monitoruar cilësia e ajrit në Elbasan dhe në hapësirat për rreth? Po cilësia e ujit të lumenjve dhe deteve a është e kontrolluar?! Këtu duhet rilindje në kuptimin e plotë të fjalës. Uji i pijshëm me ligj është ushqim dhe cilësia e tij është kusht për jetën e shëndetshme. Por se ndotja e deteve me ujëra të zeza dhe lumenjve me mbetje urbane, janë krime që vrasin jetën çdo ditë.


Profesor Eqerem Çabej, shpjegonte se emri i lumit Lana, vjen nga fjala lan, me la, sepse sqaronte profesori në leksionet e tij mbajtur në vitet '70-të në Prishtinë, ai ishte një lumë i pastër ku gratë lanin rrobat. Tani buzë Lanës nuk kalon dot se të mbyt era e tmerrshme dhe bakteret vallëzojnë në shtatë palë qejfe. "Tek zhvillimi-argumenton Stiglitz-nuk llogaritet vetëm e ardhura, por të gjitha standardet e jetës. Zhvillimi është i shoqëruar në mënyrë tipike me urbanizimin, sepse shumë qytete në vendet në zhvillim janë të ndryrë, të mbytur nga zhurma, nga pengimi në qarkullimin rrugor, nga një sanitet i varfër dhe ajër i qelbur". (po aty faqe 46).


* * *

Europa e Bashkuar që në vitin 2000 në atë që u quajt Strategjia e Lisbonës, ra dakord që qëllimi në dekadën që do të vinte do të ishte ta bënte Europën më konkurruese dhe hapësirën me ekonominë më dinamike në botë. Mirëpo dekada e dytë e pas vitit 2000, po përballet me krizën që u shfaq në vitin 2008. Në një nga studimet e tija për Euron, George Soros e krahason situatën me shoferin në timonin e makinës që është duke rrëshqitur. Ai duhet që në të njëjtën kohë me shpejtësi maksimale, të ndalojë rënien dhe me njëherë të ndryshojë drejtimin, duke u futur në korsinë e rregullt. Dhe kështu hap pas hapi të fitojë shpejtësinë e duhur dhe ritmin e përshpejtuar. Në kuptimin e logjikës formale, rritja është të qenit subjekt i ndryshimit të pandërprerë. Socialdemokracia që pritet të marrë drejtimin e ekzekutivit së shpejti, është përball kësaj tabloje që është shumë pesimiste. Financat publike të rrënuara, papunësia e lartë. INSTATI thotë se është diku në frekuencën 14-17%. Kjo do të ishte një mrekulli.

"Rilindasit" në fushatën elektorale flisnin për 1 milion të papunë. Nëse nga numri i popullsisë në vend, zbritet ai i fëmijëve, i të rinjve që studiojnë ose edhe që jo, për që nuk janë në punë, dhe mosha e tretë, shifra 1 milion të papunë trondit, madje thellë. Kjo do të thotë që 50-60% e popullsisë nuk ka të ardhura dhe jeton në varfëri, ndërsa në rastet ekstreme në mizerje, dhe të tillë ka. Kush nuk i sheh, ose nuk do, ose është i verbër. Po qe se janë 1 milion të pa punë, dhe shumica burra, pra "Bread Winner", kjo do të thotë se familjet e tyre janë në rrëpirë të fatit. Nuk është i mundur ushqimi i fëmijëve, shkollimi i tyre, çiftet janë në rrezik divorci dhe e ardhmja është e humbur. Nuk paguhet dot detyrimi i sigurimeve shoqërore. Këta të papunë nuk paguajnë dot faturat e energjisë dhe ujit të pijshëm, sepse për telefon dhe internet as që mund të bëhet fjalë. Urojmë që të jetë një shifër manipulatore që nuk është se nuk dha rezultat në zgjedhje. Por nëse është e saktë, atëherë rritja është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, së paku për tre katër vjet, nëse realizohet që në vitin e parë të punësohen diku tek 250-300 mijë të papunë. E keqja është se si kudo në Europë, veçanërisht në Greqi dhe Spanjë, ka shumë të rinj të papunë, madje edhe me diploma universiteti. Këta të fundit largohen për të gjetur punë në vendet e zhvilluara europiane, dhe kështu bashkë me shtegtimin e tyre, ikën pa kthim dhe e ardhmja, dhe rritja mbetet përball kurthit të fatit që duket në rastin më të mirë në ngjyrën gri. Ja përse lypset sipas socialdemokracisë gjermane, një balancë mes rritjesme mbështetjen- dhe barazinë sociale. Historia vazhdon me trajtimin e barazisë sociale.

Si e shohin Rilindasit tanë pas 23 qershorit, tani që erdhi koha të provohet, si mundësi apo si realitet?! A ka gjasa që "ProgramRilindja" të realizojë rritjen dhe të bëj realitet barazinë sociale?! Do ta analizojmë me qetësi sepse zhvillimi vendit është qëllimi ynë, dhe jo retorika boshe me të vdekur e të gjallë. Në jemi të përgjegjshëm për sovranitetet që deleguam në votimin e përgjithshëm, si të tillë do të kontrollojmë dhe monitorojmë çdo ditë dhe në çdo hap gjithçka që ndodh. Kështu i bëjmë mirë vetes, vendit por edhe fituesve të radhës të vetëquajtur Rilindas! KryeRilindasi na tha: "Ju jeni pushteti, mos e harroni,"- ndaj ne do ta ushtrojmë atë. "Transit umbra, lux permanent." "Hija kalon, drita mbetet." Le ta quajmë këtë Rilindje!
Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
E ARDHMJA E SË DJATHTËSNga ALFRED ÇAKO (07.16.2013)
Moj e mirë që del në shkallëPse i trajton mërgimtarët budallë!AGIM GASHI: LAMTUMIRË (07.15.2013)
LORINA NAÇI - SHQIPTARJA QË KOMUNIKON ME PACIENTËT NË KOMA (07.15.2013)
Radio Evropa e Lirë - JANJEVA, QYTEZË E HARRUAR (Fotoreportazh) (07.15.2013)
ËNDRRA BLU RIKTHEHET ME BASHËN!KUJTESË DHE APEL PËR DEMOKRATËT QËNDRESTARË SHQIPTARËNga AZGAN HAKLAJ (07.14.2013)
KOSOVË - FSHATARËT SHQIPTARË VENDOSIN BARRIKADA KUNDËR XHANDARMËRISË SERBE (07.14.2013)
PLAKAT E NARTËSNga GËZIM LLOJDIA (07.14.2013)
MIT'HAT FRASHËRI - KOMUNIZMI, NJË KOLERË QË SHKATËRRON SHPIRTINLetrat e Mit’hat Frashërit-Për miqtë e mi t’Amerikës (07.14.2013)
MALËSIA E GJAKOVËS NË LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARENga VELI HAKLAJ, studiues (07.13.2013)
U MBAJT AKADEMIA PËRKUJTIMORE PËR GJENERALMAJOR AGIM QELAJFotoreportazh nga XHAFER LECI (07.13.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]