E Premte, 05.10.2024, 10:21pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
GJERGJ META - BEN BLUSHI E SHEH KISHËN ME VIZION MARKSIST
Intervistoi: FATMIRA NIKOLLI

E Premte, 04.11.2014, 03:49pm (GMT+1)



TIRANË - Në shumë raste Blushi evidenton saktë sidomos kur flet për shembull për "nënprefektët" që janë si puna e parazitëve, do të shtoja unë, në trup, që konsumojnë gjithë ushqimin duke e lënë trupin thatik. Ai e njeh nga brenda këtë "racë" ndaj mund të flasë me saktësi. Ai ka gjëra të tjera që nuk i njeh e aty bëhet deri diku provokues si me punën e kritikës ndaj Kishës Katolike".

Dom Gjergj Meta, e lexon në këtë mënyrë librin e ri të (deputetit) shkrimtarit Ben Blushi. Duke u ndalur më gjerësisht tek mënyra se si i sheh kritikat e Blushit për Kishën Katolike, Krishtërimin e më gjerë, Dom Meta, tregon ku ka të njëjtat qëndrime e ku përplaset ai me shkrimtarin. Në këtë pikë, prifti katolik (Famullitar i Durrësit) shton se Kisha nuk është e papërlyer e në këtë bie dakord me Blushin, por nga ana tjetër, Krishtërimi i ka dhënë shumë Europës dhe Botës. Meta, nuk lë jashtë vëmendjes edhe një detaj tjetër që ka të bëjë me kritikat e shumta në numër të Blushit për islamin e krishtërimin, por përkundër kësaj, shkrimtari asnjëherë nuk përmend besimin ortodoks apo protestant, e aq më tepër hebraizmin.

E mbas gjithë dasive në ide e mendime, në fund Dom Meta bën paqe me politikanin shkrimtar, kur thotë se "mënyrën se si Blushi merret me religjionin unë e shikoj te vetja kur merrem me laicizmin dhe ateizmin militant marksist apo iluminist. Kushedi që edhe pse në dy 'llogore' të ndryshme një ditë mund të takohemi dhe pse jo?". Më poshtë intervista.

"Hëna e Shqipërisë" së Ben Blushit, është një esse me ide dhe debate, që përçon një frymë pesimiste mbi një të ardhme të zymtë të Shqipërisë. E shihni edhe ju si ai të ardhmen?
 Sigurisht që nuk e shoh me pesimizëm të ardhmen. Dhe madje shenjat e një vetëdijeje për përmirësim kanë filluar. Vetë libri i Blushit dhe shumë kalime të librit të tij shprehin një vullnet për ndryshim të status quo-së pavarësisht se me nota rebelimi apo ironie. Ndoshta duke i evidentuar disa probleme Blushi ofron edhe një lloj rrugëdalje. Gjithë çështja mbetet se ku dhe si i kërkojmë këto zgjidhje të problemeve. Mendoj se ka një problem të madh në akuzën sociale që bëhet në Shqipëri. Ajo ofron shumë kritikë e pak zgjidhje dhe sidomos pak bashkëpunim.

Papa Françesku i fton komunitetet e krishtera që të mos jenë vetëm kritikues shterpë, por të bashkëpunojnë. Evidentimi në vetvete megjithatë përbën një fillim të mirë. Në shumë raste Blushi evidenton saktë sidomos kur flet për shembull për "nënprefektët" që janë si puna e parazitëve, do të shtoja unë, në trup, që konsumojnë gjithë ushqimin duke e lënë trupin thatik. Ai e njeh nga brenda këtë "racë" ndaj mund të flasë me saktësi. Ai ka gjëra të tjera që nuk i njeh e aty bëhet deri diku provokues si me punën e kritikës ndaj Kishës Katolike. Meqë në librin e tij Blushi e citon Fishtën dy herë mund të them, për t'iu përgjigjur pyetjes tënde, duke cituar Fishtën te poema satirike "Nën hajat të parrizit" se "per inát te Djallit e te Shqyptarëvet, Zoti ka me e mbajtë Shqypnin më kambë me nderë e me lumni".

Blushi shkruan se kisha nuk e ka ndihmuar shoqërinë të luftojë varfërinë, urinë dhe etjen, risjell në vëmendje inkuizicionin, përmend edhe çështje të tjera për të cilat Kisha ka mbajtur qëndrimin e saj kundër. Ku bini dakord dhe ku e kundërshtoni ju atë?
Në fakt për këtë pyetje do të orientoja lexuesit drejt një shkrimi që këto ditë ka pasur Imzot Gjergj Frendo, Ipeshkëv Ndihmës i Dioqezës Tiranë - Durrës dhe një erudit i vërtetë, në gazetën "Panorama" të cilën mund ta gjejnë edhe në website-in Peregrinus.al. Meqë ra fjala është shembulli i një mënyre të dialoguari dhe të shkruari shembullor që kemi nevojë ta ndjekim edhe ne mendjet e reja e të rrëmbyeshme. Në atë shkrim është gjithçka që edhe vetë mendoj, pavarësisht se i referohet një shkrimi të Blushit të para një viti e që ky i fundit e ka integruar në libër. Vizioni marksist që Blushi ka në këtë shkrim, dhe që Imzot Frendo e vë mirë në dukje, duket që është e vetmja lente me të cilën autori i librit e sheh Kishën dhe krishtërimin. Mendoj që duhet të provojë të lexojë edhe këndvështrime të tjera nga autorë jo detyrimisht të krishterë katolikë. Mund të përmend një për të gjithë, historianin francez i vetëquajtur ateist i cili vdiq këto ditët e fundit, Jacque le Goff, i cili ka bërë studime të hollësishme pikërisht mbi periudhën e mesjetës së cilës edhe Blushi i referohet. Kisha nuk është e papërlyer e në këtë bie dakord me Blushin, por që Krishtërimi ka vetëm një vlerë morale, pse bën njerëzit më të butë, kjo e redukton historinë 2000 vjeçare të krishtërimit i cili, për të përmendur vetëm dy fakte, me benediktinët, domenikanët, françeskanët dhe jezuitët si dhe me universitetet e para në botë, i ka dhënë shumë Europës dhe Botës.
 
Përveçse me kishën, në libër ai trajton çështje që lidhen me islamin, problematika të kohëve të fundit. Si i keni lexuar ju ato?
Mund të them në përgjithësi që ekstremizmat dhe fondamentalizmat janë një e keqe e bashkëjetesës njerëzore. Bota sot vuan nga ekstremizmi me matricë fetare, por edhe nga ekstremizmi laicist, sidomos në disa vende europiane, nga ekstremizmat nacionalistë etj. Shqipëria është një vend laik kur religjioni ka vendin e tij dhe funksionin e tij të ndryshëm nga ai i shtetit. Në vend që të jenë aleatë shpesh ata përpiqen të ndikojnë te njëri-tjetri në kuptimin e ushtrimit të pushtetit. E kjo është keq. Por ama religjioni aq sa ka detyrë të edukojë besimtarë të mirë, po aq ka për detyrë të edukojë qytetarë të mirë e të frymëzojë veprime politike që kërkojnë të mirën e përbashkët të të gjithë njerëzve. E mira e përbashkët qëndron në themelet e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike. E kjo e mirë e përbashkët jo gjithmonë mund të përkojë me një të mirë religjioze. Në realitetin aktual duhet të ruhemi edhe nga ndjenja religjionofobie që nxjerrin krye aty këtu shpesh në diskursin publik. Mendoj që Blushi ka problem qoftë me Islamin e qoftë me Krishtërimin sidomos atë katolik, duke qenë se ai asnjëherë nuk përmend atë ortodoks apo protestant, e aq më tepër hebraizmin. Sigurisht, çështja e ekstremizmit me matricë islamike, ka shqetësuar dhe shqetëson një pjesë të botës. Për këtë çështje ndoshta nuk më takon mua të flas në këtë intervistë.

A shihni ju në të ardhmen, sikundër ai, rritjen e rolit të feve në politikë?
Do të shpresoja që jo. Është një rrugëtim i gjatë që duhet bërë me dialog dhe jo me përplasje apo përjashtime reciproke. Feja dhe politika kanë fushat e veta të veprimit, por të dyja duhet të ndikojnë në mirëqenien qoftë të brendshme e qoftë publike të shoqërisë dhe të individëve. Ndërhyrjet e njërës palë të tjera sjellin problem, ngatërrime dhe pështjellime të panevojshme. Ne nuk duam një shtet teokratik, sikurse nuk duam një shtet mafioz apo "nënprefektësh", por një shtet demokratik që respekton të gjithë personat dhe ndjeshmëritë e tyre. Do të doja të citoja përsëri Imzot Frendon kur thotë se nuk duhet të ngatërrojmë shekullarizimin me shekullarizmin. Autonomia e dy rendeve atij fetar dhe atij politik janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike, ndërsa ndërhyrjet reciproke duhen shmangur. Megjithatë është shumë e dobishme që në politikë të ketë persona me të vërtetë besimtarë, sepse kështu bëhen garant për një shoqëri më të drejtë, vëllazërore, dhe më pak të korruptuar.
 
Në një shkrim që keni publikuar në "Peregrinus.al", ju cekni edhe një lloj portreti psikologjik të Blushit, duke lexuar në nëntekstin e atyre që ai shkruan, vetë Blushin, parë kësaj radhe, me një tjetër sy. "Blushi sulmon atë çka ai do të jetë", thoni ju, duke e ilustruar këtë ide, me këto fjali: "Studimet thonë p.sh. se Nietzsche sulmoi Krishtin në pamundësinë për ta imituar". Kush është Blushi sipas jush? A është ai një "Profet", apo parashikimet e tij nuk janë të sakta?
Unë shkrimin tim e kam botuar në një website që është e rrethshkruar, por u bë menjëherë publik duke shkaktuar ku dakordësi e ku mosdakordësi. Nëse do ta rishkruaja do t'i rrija thelbit, por ama do të ndryshoja pak termat. Unë mendoj që çështja e religjionit jo vetëm te Blushi, por te shumë të tjerë është një çështje e brendshme para të cilës nuk mund të rrihet indiferent. Vite më parë Habermas, që nuk shquhet për fetar, pranoi se çështja religjioze nuk mund të anashkalohet dhe se me gjithë përpjekjet që u bënë për ta mbytur religjionin, nëpërmjet iluminizmit apo komunizmit, nuk dhanë efekt. Në këtë kuptim duke e lexuar vazhdimisht kur Blushi shkruan mendoj që Blushi është në një proces ende të pazgjidhur. Dikush thotë që ai temat fetare i përmend vetëm për të provokuar, por mua nuk më mbushet mendja. Feja sipas këndvështrimit tim ushtron te ai një atraktivë dhe një shqetësim, meqenëse i rikthehet asaj gjithmonë. Por ky është një rrugëtim personal që për Blushin e të ardhmes jam i sigurtë do të paraqesë zhvillime shumë interesante. Ndoshta unë shikoj te Blushi një alterego timen. Atë dhe mënyrën se si Blushi merret me religjionin unë e shikoj te vetja kur merrem me laicizmin dhe ateizmin militant marksist apo iluminist. Kushedi që edhe pse në dy "llogore" të ndryshme një ditë mund të takohemi dhe pse jo?
FATMIRA NIKOLLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DE JURE ENVER HOXHA VAZHDON TË JETË "HERO I POPULLIT" (04.11.2014)
SOT TË GJITHË NË PRISHTINË TË DËGJONI NË DIAMOND HOTEL MUZIKË NGA BELLINI, RUSHITI E CHOPEN INTEPRETUAR MREKULLISHT NGA ÇIFTI LAZO-BEJLERI (04.11.2014)
SISTEMI PIRAMIDAL I TRANZICIONIT TASHMË ËSHTË I PASHËRUESHËMNga FATOS LUBONJA (04.10.2014)
ANTIKOMUNISTËT - SHTATORJA E ZOGUT FITOI E VETME MBI KOMUNISTËT TERRORISTË, PARTITË KOMUNISTE TË SHPALLEN TË JASHTËLIGJSHME (04.10.2014)
To Vima - FOTOT E TORTURIMIT TË ILIA KARELIT (04.10.2014)
SI E TAKOVA TË BIJËN E CHARLS ERICKSONNga MAL BERISHA*, ambasador (04.10.2014)
VETEN E PAÇ NË QAFË O BACA ADEM!Nga AGIM GASHI (04.10.2014)
7 PRILL 1939 - KUJTIME E SHQETËSIMENga Prof. SAMI REPISHTI (04.09.2014)
QINDRA SHQIPTARË PROTESTUAN KUNDËR GJUKANOVICIT PARA SHTËPISË SË BARDHË DHE AMBASADES SË MALIT TË ZI (04.09.2014)
MBI 'PËRGJEGJËSITË'Nga BUJAR NISHANI (04.09.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]