E Martë, 05.21.2024, 06:50pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MENTALITETI PERANDORAK I RUSISË
Nga ARSHIN XHEZO

E Enjte, 10.09.2014, 01:04pm (GMT+1)


Gazeta e njohur ruse "Komersant" njoftonte këto ditë, se presidenti Vladimit Putin i është drejtuar presidentit Bush me këto fjalë, në takimin e tyre në Soçi, më 6 prill: "Ti nuk e kupton, Xhorxh, se Ukraina, nuk është, madje, as shtet. Nëse Ukraina bashkohet me NATO-n, ajo do të pushojë së qeni shtet." Plani "˜Putin' synon ringjalljen e ish-superfuqisë sovjetike" (Shaban Murati: "Një sfidë e re ruse ndaj NATO-s", 28. 04. 2008). "Është e pakuptueshme, të mos reagohet ndaj procesit të integrimit të Serbisë në bllokun ushtarak rus, CSTO, siç është i pakuptueshëm mosreagimi i vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, për bazën ushtarake logjistike ruse në Nish." (Sh. Murati: "Serbia po sjell bllokun ushtarak rus në Ballkan", 17. 12. 2012). "Rusia u pranua me nxitim nga NATO-ja, si pjesëtare e Programit të Partneritetit për Paqe." (Sh. Murati: "A po vijnë raketat ruse në Serbi?", 02.12.2007)

Çfarë ndodhi disa vite më pas?.. Në gusht të këtij viti, 2014-ës, 1000 trupa ruse, njësi tankiste dhe artileri të saj, kishin hyrë në Ukrainë dhe Putini përsëriste, se "Rusia ka të drejtë të përdorë të gjitha opsionet për të mbrojtur rusët që jetojnë në territorin e Ukrainës". Ndërkaq, Krimea ishte pushtuar. Në maj të 2014-ës, Nato-ja vendosi të pezullojë Rusinë nga "Programi i Partneritetit për Paqe". Në Samitin e 26-të të NATO-s, gusht, 2014, u mor vendimi, që trupat e Aleancës Atlantike të vendosen në Ukrainë.

AFTËSI PARASHIKUESE, FORCË SUGJERUESE

Aftësia parashikuese, sinteza, prognoza e ngjarjeve dhe forca sugjeruese është, mendoj, vlera kryesore e librit më të ri, "Rusia ballkanike", të gazetarit dhe diplomatit Shaban Murati, një-herësh, konstante e analizave dhe librave të tij. Këtu nuk është Orakulli, as Kasandra. Veç talentit dhe mendjes së hapur, edhe në këtë libër është kronikani dhe vëzhguesi i përditshëm i problemeve ndërkombëtare. Duhet vullnet dhe një punë e mundimshme të mbash një ditar 47 vite me radhë dhe të regjistrosh në sizmografin tënd të gazetarit çdo lëvizje dhe nuancë të politikës ndërkombëtare. Por, ndryshe nga një ditar i zakonshëm i një njeriu të zakonshëm, një gazetar apo analist i marrëdhënieve ndërkombëtare i shpall publikisht, "i vë në provë" mendimet dhe idetë e tij. Dyzetë e shtatë vite kanë qenë te mjaftueshëm, besoj, që ai ta konfirmojë veten publikisht si studiues dhe analist elitar.

Sintezat dhe forca parashikuese dalin nga analiza e prognoza shkencore dhe jo thjesht, nga renditja dhe ripërtypja e fakteve dhe deklaratave, që shiten si erudicion me një megalomani e fodullëk të padurueshëm, nga një ekran në tjetrin dhe nga një gazetë në tjetrën nga gjithfarë "analistësh" e gazetarësh. Veçanërisht tani, në epokën e internetit, kur, përmes aparateve celularë, edhe në dorën e një fëmije vjen sot gjithë informacioni i botës, këta lloj analistësh bëhen krejt banalë.

Në fjalorin politik, fjala "shpërbërje" (e perandorisë Austrohungareze, fjala vjen; asaj ruse, jugosllave, apo e ish-perandorive më të reja në kohë, si ajo e ish-Bashkimit Sovjetik, e ish-Republikave Socialiste Federative të Jugosllavisë), rëndom, për fat të keq, nënkuptohet, thjesht, si ndarje, copëtim, copëzim mekanik në shtete të shpallura, "të pavarura" dhe "demokratike". Por, për Shaban Muratin, termi "shpërbërje", në këtë kontekst, ka kuptimin e shkencës ekzakte të kimisë, sipas së cilës "shpërbërja" e vërtetë realizohet vetëm kur në "trupat" që kërkohet të jenë vërtetë të shpërbërë, futen elementë të tillë, të cilët, në procesin e reaksioneve të brendshme me "elementët rezistentë", lindin, sjellin ndryshime thelbësore, elementë të rinj. Shpërbërësit e vërtetë të ish-perandorive, si ajo e ish-Bashkimit Sovjetik, janë reformat e thella e të guximshme demokratike. Përndryshe, këto shtete të reja, të sapodala nga "shpërbërja" formale, nuk janë as plotësisht "të pavarur", as "demokratikë". Pa këto reforma, këto "pjesë", "copa", apo "copëza", mund të ngjiten prapë, dhe ish-perandoria e ish-Bashkimit Sovjetik, në këtë rast, të kujton gjarprin gjigand të mitologjisë, i cili, sa herë që ia copëtonin trupin e bishtin, mjaft t'i prekte me gjuhën e tij, dhe ato ngjiteshin menjëherë dhe i bashkoheshin kokës.

Qysh në analizat e njëzet e ca viteve më parë, Shaban Murati argumentonte dhe paralajmëronte, se vetëm, thjesht, marrëveshjet që nënshkruante Rusia, nuk ishin aspak garantuesit e "shpërbërjes" së ish-Bashkimit Sovjetik në shtete të reja, sovrane e demokratike."Rusia shkeli marrëveshjen e shkrirjes së ish-Bashkimit Sovjetik të 21 dhjetorit 1991, sipas së cilës, dalja e republikave të reja, do të bëhej mbi bazën e kufijve ekzistues të republikave". "Rusia shkeli marrëveshje, traktate, e referendume të tjera ndërkombëtare për të realizuar "korrigjimet historike", sipas Putinit, i cili është edhe avokati i doktrinës tipike për një mentalitet perandorak, sipas së cilës, shtetet që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, kanë "˜integritet territorial të kufizuar'."Rusia i shkel marrëveshjet edhe përmes aplikimit të së drejtës absurde të dhënies së shtetësisë kolektive të gjithë qytetarëve rusë, që kanë qenë shtetas të ish-Bashkimit Sovjetik, duke krijuar të ashtuquajturin "Komonuelthi i Shteteve të Pavarura" (CIS), me 11 shtete." "Rusia shkel..." Rusia shkel marrëveshjet, që, më pas, të dërgojë ushtarë, armë e tanke rusë, që të shkelë tokat dhe sovranitetin e shteteve të tjera, për t'i futur nën ombrellën e saj dhe për të krijuar Rusinë perandorake. Kjo është konstantja shumëvjeçare e analizave dhe e parashikimeve të gazetarit dhe diplomatit Sh. Murati.

GUXIM INTELEKTUAL, MENDIM KRIJUES DHE I PAVARUR


Ka një arketip tradicional dhe klishe të njohura në shkrimet e shumicës së gazetarëve e studiuesve, sidomos, të problemeve të politikës së jashtme. Nën alibinë e "specifikës" së këtyre problemeve apo "gjuhës diplomatike" fshihet paaftësia, druajtja, dhe, veçanërisht, kompleksi i inferioritetit dhe nënshtrimi ndaj të huajve, që cenojnë interesat dhe dinjitetin kombëtar. Shaban Murati nuk vuan nga këto komplekse. Kompetenca profesionale, njohja e gjatë e kapilare e problemeve, dhe, sidomos, guximi intelektual dhe mendja e hapur, kanë bërë që, edhe ky libër të dallohet për qëndrime personale kritike dhe forcë sugjeruese ndaj politikave dhe diplomacisë zyrtare gjatë të gjitha qeverive, të djathta apo të majta në pushtet. Nuk është e lehtë të kesh mendim kritik, të kundërt, madje, edhe, thjesht, të ndryshëm, me atë zyrtar, sidomos, në politikën e jashtme e në diplomaci. Në përgjithësi, politika e jashtme dhe diplomacia janë më konservatore e "protokollare". Veçanërisht, në vendet e sapodala nga perandoria e ish-Lindjes komuniste, sikurse edhe Shqipëria, ku provincializmi, mediokriteti, servilizmi dhe nepotizmi kanë rrënjë goxha të thella, të shfaqësh "një mendje tënden", apo një mendim kritik, ngjan sakrificë dhe duhet të llogaritësh edhe vendin e punës.
Diplomati Shaban Murati ka provuar ndëshkimin primitiv në qeverisjet e majta, dhe në ato të djathta, edhe për shkak të analizave të tij të guximshme publike. Por, në vend që ta falënderonin dhe inkurajonin, në kohë të ndryshme, e përjashtuan për vite me radhë nga shërbimi diplomatik. Jo më pak shtinjake e cinike u shfaq në ato raste, edhe heshtja e disa kolegëve që ia njihnin mirë meritat dhe nuk harronin t'i bënin komplimente për çdo artikull që botonte në shtyp. Falë zotit, ka ende njerëz që kanë respekt për veten dhe nuk e përtypin dot zanatin e jesmenit. Diplomati dhe gazetari i njohur, Dritan Hila, para 4-5 vitesh, karrigen e tij në ministrinë e jashtme, "ia hodhi te këmbët" ministrit të jashtëm të kohës, kur pas disa artikujsh të tij që denonconin publikisht marrëveshjen e njohur antikombëtare të detit me Greqinë, e kërcënuan të mbyllte gojën, ose të largohej nga shërbimi diplomatik. E akuzoi, se "shkeli statusin e nëpunësit", një qeveri që "shkeli statusin" e sovranitetit të vendit. Në një shtet normal, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e bëri "nul", e anuloi "marrëveshjen e detit", qeveria duhej t'u kërkonte ndjesë shqiptarëve, kurse ministria e jashtme, veç ndjesës, Dritan Hilës, duhej edhe t'i thoshte: "Urdhëroni në vendin ku keni punuar". As që mund të mendohej. Në momentet, kur një vend është në depresion ekonomik, shpirtëror e moral, paradokset janë të mëdha dhe fjalët "trim", "patriot", "i ndershëm", tingëllojnë si gjeste naivësh e budallenjsh.

Për t'u rikthyer tek libri i Sh. Muratit: qëndrimet kritike apo sugjeruese janë karakteristikë e analizave të tij, edhe kur ato bëhen ndaj qendrave kryesore vendimmarrëse, në Bruksel, në NATO, apo kudo. Edhe në këtë libër mund të lexojmë analiza të kësaj natyre, si "Heshtja e pashpjegueshme e NATO-s", "Lëshimi i parë i Obamës ndaj Rusisë" (shtator, 2009, për të hequr dorë nga dislokimi i mburojës antiraketë në Poloni e Çeki); shkrimet kritike ndaj qeverisë së Izraelit në marrëdhëniet "delikate" Izrael-Palestinë; analizat që i sugjeronin qeverisë shqiptare "vijën e kuqe" në raport me fqinjët tanë, Greqinë e Serbinë, në rastet kur cenoheshin drejtpërdrejt interesat tona kombëtare. Ndërkaq, kur në maj të këtij viti NATO-ja e pezulloi Rusinë si pjesëtare e "Partneritetit për Paqe", u duk si "profetike" analiza e Shaban Muratit e dhjetorit të vitit 2007, ku argumentonte mendimin, se "Rusia u pranua me nxitim nga NATO-ja, si pjesëtare e këtij Programi". ("A po vijnë raketat ruse në Serbi?", 02.12.2007)

NGJASHMËRI
UDHËHEQËSISH...

"Ka shumë ngjashmëri mes problemeve të sotme të ish-Rusisë komuniste me ish-vendet komuniste të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, sidomos, ngjashmëri udhëheqësish." "Revolucionet, zakonisht, dështojnë, kur e identifikojnë veten me individin që i udhëheq, ose, më saktë, kur individi që i udhëheq imponon identifikimin e glorifikuar me veten. Historia e re evropiane u pasurua me një shembull domethënës në rastin e Ukrainës, ku revolucioni i portokalltë demokratik, i udhëhequr nga presidenti Viktor Jushçenko, ndjeu gozhdën e fundit në arkivolin e vet më 7 shkurt, kur raundi i dytë i zgjedhjeve rezultoi me fitoren e mikut të Rusisë, Viktor Janukoviçit." "Burbonët u rikthyen përsëri në pushtet." Nën këtë përcaktim meta-forik në analizën e tij, autori argumenton dhe evidenton disa nga shkaqet e dështimit të revolucionit të portokalltë në Ukrainë. Por, në këtë analizë të tijën, "Edhe revolucionet demokratike vdesin", (15 shkurt, 2010), ndoshta më të bukurën e librit, siç mendoj, autori Sh. Murati, veçon me inteligjencë dhe argumenton një nga shkaqet më kryesore të dështimit të revolucionit të portokalltë në Ukrainë: modelin autokrat të udhëheqësit. Duket fatalitet i pashpjegueshëm ngjashmëria kaq e madhe mes problemeve të sotme të ish-Rusisë komuniste me ish-vendet komuniste të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Sidomos, ngjashmëri udhëheqësish. Megjithëse të shpallura "vende demokratike", mentaliteti perandorak i ish-udhëheqësve të Bashkimit Sovjetik: Brezhnjevit, Stalinit, e më thellë, i vetë Carit të Rusisë, vizatohet në portretin e Putinit, por edhe të, pothuajse, gjithë udhëheqësve të vendeve të dala nga ish-Lindja komuniste. Emërtimi President apo Kryeministër, dhe jo Sekretar i Parë, duket, thjesht, maska e Stalinit me idiolatrinë dhe arrogancën tipike të sundimtarit.

Cilat janë shkaqet që udhëheqësit "e vegjël", aktualë të ish-vendeve komuniste "e kopjojnë" dhe imitojnë atë, si dikur paraardhësit e tyre komunistë? Në esenë "Edhe revolucionet demokratike vdesin", Sh. Murati, tek tiparet e portretit të protagonistit të revolucionit të portokalltë të Ukrainës, Viktor Jushçenko, sheh edhe ato të vëllezërve të tij siamezë të Ballkanit:

1- Revolucioni i portokalltë në Ukrainë dështoi, sepse u identifikua me tiparin e udhëheqësit të tij, presidentit të deriatëhershëm, Viktor Jushçenkos. Si shumica e udhëheqësve të demokracive të reja ne vendet ish-komuniste, ai u përpoq të impononte figurën e vet, dhe jo të krijonte dhe të konsolidonte institucionet dhe marrëdhëniet e reja demokratike në vend, sepse vetëm ato do të ishin promovuesit dhe garantuesit e vërtetë të revolucionit demokratik. 2- Revolucioni i portokalltë dështoi, sepse autokracia e udhëheqësit pengoi demokratizimin e mënyrës së të menduarit të masave të thjeshta, që votojnë. 3- Revolucioni i portokalltë dështoi, sepse, në vend të transformimit të institucioneve, protagonistët e tij u angazhuan në luftën e paskrupullt për pushtet, për t'i ngrënë kokën njëri-tjetrit. Për lexuesin dhe shqiptarët, në përgjithësi, vetëm kaq "linja" të portretit të udhëheqësve të Ukrainës janë të mjaftueshme, që, për analogji, të vijojnë vetë të plotësojnë portretet e udhëheqësve të tyre. Mund të vazhdojnë me plot e plot "linja" të tjera: 4- Sepse udhëheqësit e rinj, në vend që të luftojnë për pasurimin e vendit, me një makutëri të pashembullt, bëjnë gjithçka për të pasuruar veten dhe familjet e tyre. 5- Sepse udhëheqësit e rinj, megalomanë e fodullë, në vend që të mendojnë për fatet e vendit dhe për demokracinë, mendojnë, madje, edhe e shpallin publikisht, si do të mbeten në histori: njëri është i sigurt se historia i shkon prapa, tjetri, se është historia ajo që e detyron të qëndrojë në politikë, i treti, se është duke e bërë historinë, etj., etj. 6- Dorëheqjen nuk e njohin dhe nuk e japin kurrë, edhe kur turmat, me mijëra, protestojnë shesheve dhe skandalet e tyre bëjnë xhiron e botës. 7- Kanë fjalor agresiv, banal e të turpshëm, dhe kur ata flasin, prindërit nxitojnë t'ua mbulojnë me duar sytë fëmijëve dhe i largojnë menjëherë nga ekrani i TV-së.

Dhe, si në një garë të ethshme, të gjithë dhe, secili veç e veç, shkruajnë "historinë" e tyre: në çdo 10-15 ditë hedhin në Facebook foto të tyret: me presidentin ame-rikan, me Papën, foto me Nënë Tere-zën, me ambasadorin amerikan; foto me kreun e komunitetit mysliman, me atë të bektashinjve, ortodoksëve, sidoqë në vitin 1967 ka qenë në radhët e para të militantëve që shqyen dyer e dritare kishash e xhamish dhe hodhën në flakë Bibla, e Kuranë e ikona, ç'u zuri dora; foto në det a në mal, vetëm a me familjen, duke ekspozuar bar-qet e rëndë, shoqë-ruar me diçitura optimiste për jetën, si përshembull, se do të mbeten gjithmonë të rinj e të fortë, dhe japin deklarata garancie, se do të rrojnë edhe 100 vjet të tjera (në politikë, d.m.th.), dhe sigurisht, në krye të politikës dhe të popullit. (P. S: Foto me prindërit, asnjëherë. Hiç fare, as në Facebook, as në zyrë, si me të tjerët. Prindërit vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre si dikur, në fshat apo në lagjet periferike të qytetit. Me ç'duket, nuk duan t'i përziejnë me politikën...) Të gjithë udhëheqësit e rinj e portretizojnë veten, siç e dëshirojnë, jo ashtu siç janë realisht,- sëmundje e vjetër dhe e përjetshme e të gjithë sundimtarëve të botës.

KËSHILLTARËT E UDHËHEQËSVE, OSE VIJIM I "KAPITULLIT": "NGJASHMËRI UDHËHEQËSISH"

Një ish-kryeministër shqiptar, tepër korrekt në orar, i thërriste çdo mëngjes këshilltarët e tij, dhe u jepte këshilla, secilit, sipas specialitetit dhe sektorëve përkatës. Një tjetër ish-kryeministër, bënte të njëjtën gjë me këshilltarët e tij, por me ndryshimin e vogël,- jo domosdo që në mëngjes kur fillonte orari zyrtar, dhe jo me çdo kusht në zyrë, por në kafe, dhe duke pirë ndonjë gjë... Një sentencë, fjalë e urtë e hershme, thotë: "Nëse do të dish, si është udhëheqësi, pyet cili është këshilltari i tij". Në botën e sotme, veçanërisht, në atë perëndimore, siç dihet, kryetarët e shteteve, kryeministrat, drejtues institucionesh të rëndësishme, kompanish etj., etj., ftojnë si këshilltarë të tyret profesorë, studiues të njohur, shkencëtarë, gazetarë, autorë librash; njerëz që opinioni i njeh dhe i nderon. Padyshim, se vetëm ata mund të japin këshilla specialistësh të vërtetë, sepse presidentët, kryeministrat apo ministrat, janë zgjedhje të politikës dhe kanë detyrë të orientojnë gjithë segmentet e shtetit apo qeverisë.

Dhe, ndërsa rrotacioni politik, zakonisht, ata i kthen atje ku kanë qenë, në politikë, a diku tjetër dhe mund të harrohen, këshilltarët, specialistë të shquar, mbeten po ata, po aq të njohur e të nderuar, njerëz publikë, dhe, po aq të nevojshëm për presidentin, a kryeministrin e radhës. Është një gjë e njohur, që bota, të mos i kujtojë dot të gjithë presidentët e Amerikës, përshembull, deri tek ai i 44-ti, aktuali, Barak Obama, kur largohen nga pushteti. Por, nuk i harron emrat e disa këshilltarëve të tyre, si Henry Kissingeri apo Zbigniev Brzezinski. Të dy kanë qenë njerëz të njohur dhe publikë, edhe para se të emëroheshin këshilltarë të Presidentit. I pari, Prof. Henry Kissinger, ish-këshilltar i presidentit Nikson, ka qenë edhe sekretar shteti, por ka qenë personalitet tepër i njohur edhe më herët. Ka mbaruar shkëlqyeshëm universitetin e Harvardit, ka qenë profesor, pedagog në këtë universitet me emër te madh, dhe çmimin "Nobel për Paqen" ia dhanë aftësitë dhe talenti i tij dhe disa libra të botuar në mjaft gjuhë të botës.
Po aq i njohur është edhe amerikano-polaku Zbigniev Brzezinski. Bota politike dhe shkencore e njeh si një mendje të hapur, inteligjente dhe, gjithashtu, autor të shumë librave. Sigurisht, edhe si këshilltarë presidentësh. Por, ndërsa Brzezinski njihet dhe vazhdon të botohet e studiohet në universitetet më me emër të botës, pakkush mund të mbajë mend emrat e presidentëve me të cilët ai ka qenë këshilltar, si Lindon Xhonsoni apo Xhimi Karteri. Jo pak të njohur në botën politike dhe shkencore janë këshilltari i Kancelares gjermane Merkel (më herët, këshilltar edhe i Helmut Kolit), diplomati i shquar Nikolas Meyer, ish-këshilltari i kryeministrit të Turqisë, Prof. Ahmet Davutoðlu, deri para pak muajsh, ministër i jashtëm i Turqisë, aktualisht, kryeministër i Turqisë; apo amerikano-irlandezja, Samantha Power,- vite më parë, këshilltare e Barak Obamës - senator; aktualisht, ambasadore e SHBA në OKB,- gazetare tepër e njohur, autore e disa librave, fituese e çmimit prestigjioz "Pulitzer", etj.

Kush janë këshilltarët e udhëheqësve tanë? Për fat të keq, anonimë, me ndonjë përjashtim fare të rrallë që nuk e shmang fenomenin. Le të publikohen CV-të e tyre dhe ata vetë. Të dalin në publik, përmes shkrimeve dhe bisedave në TV, dhe opinioni do të mësojë, se nga kush merr mend presidenti apo kryeministri i tyre, ministri i arsimit apo ai i kulturës. A është këshilltari i ministrit të financave ndër financierët dhe shkencëtaret më të mirë të vendit? Po ai i ministrit të Shëndetësisë, të Bujqësisë apo i Energjetikës? Siç dihet, mosha nuk është meritë. Guximi dhe freskia e mendimit nuk është monopol i të rinjve. Veçanërisht, këshilltari i një udhëheqësi shteti, përpos kompetencës profesionale, duhet të ketë, mendoj, edhe një barrë përvoje dhe vitesh mbi supe. Së paku, praktika e vendeve më të mëdha perëndimore, dhe shembujt që cituam, këtë sugjeron. Patriotizmi ynë kombëtarist dhe folklorik ka fobi primitive edhe ndaj specialistëve të huaj. U bënë barrikadë gjokset e politikanëve, sapo u hodh ideja e një guvernatori të huaj për zëvendësimin e ish-guvernatorit Fullani. E njëjta shëmti dhe i njëjti primitivizëm u shfaq edhe gati një vit më parë, kur ish-kryeministri britanik, Toni Bler, i njohur edhe si mik i shqiptarëve, u ftua nga kryeministri ynë për të këshilluar qeverinë shqiptare. Ky burrë shteti që bëri histori në qeverisjen e Britanisë së Madhe dhe ftohet me nderim të këshillojë qeveri të ndryshme të botës apo të mbajë leksione në universitetet më në zë të botës, për patriotët tanë të mejhaneve rrezikonte paratë e shqiptarëve! Ishte nga gjërat më të turpshme.Është e njohur për këdo: nuk janë të huajt, por zyrtarët shqiptarë ata që i kanë zhvatur miliona këtij vendi. Për paradoks, janë po të njëjtët njerëz, që dëgjon të thonë të kundërtën, kur bëjnë "politikën e madhe": "Mbreti Zog? Ah, Zogu, për të bërë shtet, edhe nga Holanda i pruri specialistët! Edhe këshilltarë çifutë kishte..."

Gjithsesi, nëse kemi në vend kapacitete të tilla, le t'i ftojmë të këshillojnë udhëheqësit tanë. Por, me ç'duket, pengon edhe mendësia totalitare, e trashëguar, e udhëheqësve tanë, sipas së cilës, "koka" që është më lart, se e tyrja, pritet, sepse kontrasti profesional dhe kulturor bëhet tepër i dukshëm dhe komprometues. Kompleksi i inferioritetit, përveçse i dëmshëm, është edhe tepër agresiv. Nëse dikur "kokat" priteshin apo dergjeshin qelive të burgjeve, sot, shmangen dhe denigrohen.Sidoqë përjashtimet apo rastet e veçanta nuk e shmangin fenomenin e "këshilltarëve anonimë", kur vijnë, sado rrallë, ato janë të gëzueshme, të bëjnë të ndihesh mirë, dhe duhen mirëpritur.
Pikërisht, autorin e këtij libri, publicistin dhe diplomatin Shaban Murati e ftoi për këshilltar të tijin, gati një vit më parë, ministri aktual i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Diplomat karriere, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, analist politik me një përvojë mbi 45-vjeçare në fushën e politikës së jashtme, pedagog i Estetikës, për shumë vite, Shaban Murati ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Maqedoni, në Suedi, Finlandë, Norvegji, Irlandë, dhe në Ministrinë e Jashtme si zëdhënës shtypi e si drejtor i Drejtorisë së Analizë-Prognozës, i drejtorisë së Ballkanit dhe i Akademisë Diplomatike në MPJ. Është autor i shumë librave dhe i qindra analizave të botuara në shtypin vendas dhe atë të huaj. Ndërkaq, para pak vitesh, presidenti i Republikës e ka dekoruar me Urdhrin "Mjeshtër i Madh". E, megjithë këto vlera të publicistit dhe diplomatit, Shaban Murati, sidoqë sentenca e njohur, raportin midis këshilltarit dhe udhëheqësit e ka krejt të balancuar, në rastin konkret, personalisht, preferoj të anoj nga udhëheqësi. Sepse, përveçse diti të zgjedhë, zgjodhi dikë që disa nga paraardhësit e tij, megjithëse Shaban Muratit, gjithashtu, ia njihnin vlerat, e larguan jo një herë e dy nga shërbimi diplomatik, se "ashtu është puna", se "kështu e ka politika", reforma e platforma, për ta zëvendësuar me miq e shokë, nipër e mbesa, krushq e krushka. I aftë profesionalisht, kurajoz, pa komplekse (I keni parë disa zyrtarë të lartë, se si ngërdheshen e shtrembërohen para shefit të tyre, sidomos para të huajve?), ministri aktual i Punëve të Jashtme, me dinjitetin e tij i ka dhënë dinjitet diplomacisë shqiptare,- vetë shtetit.
ARSHIN XHEZO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
CURRAJ I EPËRM - SEKRETI I FUNDIT I SHQIPËRISË (10.09.2014)
QYTETARËT E KANË HUMBUR BESIMIN NË KËTË KASTË POLITIKENga SKËNDER MULLIQI (10.08.2014)
BBC - DJALI NGA KOSOVA I CILI U RRIT PËR T'U SHNDËRRUAR NË NJË SULMUES VETËVRASËS (10.08.2014)
HARTA FETARE E BOTËS (10.08.2014)
TURQIA - KY ALEAT I VYERNga DRITAN HILA (10.08.2014)
TIRANA SOT, FIKS SI 80 VITE MË PARËKrahasimi mes Tiranës së viteve ’40 dhe Tiranës sot. Përveç ndërtesave shumëkatëshe asgjë nuk ka ndryshuarNga DORJANA BEZAT (10.08.2014)
LIBËR I RI PËR ATDHETARIN E SHQUAR ALI IBËR NEZAJ(Përgatitur: Ganimete Thaçi)Nga Prof. MURAT GECAJ (10.08.2014)
NOTOJ ME ATA QË FUNDOSENNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (10.07.2014)
VETËVENDOSJA E BËN KALË ENVER HASANIN (10.07.2014)
NË LURË PËRUROHET KISHA E SHËN MËRISË (10.07.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]