VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - CAM ALCANITregim nga ZIJA ÇELA

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 03:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

CAM ALCANI

Tregim nga ZIJA ÇELA


E Djelë, 07.03.2011, 10:18am (GMT+1)

Pasi lëngoi në shtrat për disa vjet, më në fund u duk se i erdhi ora e vdekjes. Trupi i kishte mbaruar, ndërsa fryma vetëm sa linte shenjë në faqe të pasqyrës. Megjithatë, vdekja nuk po e merrte. Truri herë i binte në errësirë, herë i sillte rradhazi si në film ca pamje të paharrueshme nga zabeli i Kalumit. Në një ditë behari, ai kishte parë një femër të re që i kishte farfuritur ndër sy veshur ashtu me tesha të lehta, përplot gufime në gjoks, teksa kapërcente gur më gur jazet e përroit, që lëshonin dritë si fije kllapodani dhe ia bënin më të zjarrtë nxitimin për të hyrë në zabel. Në këmbësoren përkundruall, duke pritur i etur, përshkohej hijshëm një mashkull i shëndetshëm me shokën ngjyrëshege në brez, jelek të qëndisur e potina me gajtana. I zënë në beft dhe pa e ditur përse, Cam Alcani e kishte kthyer kokën nga maja e kodrinës ku përndëriste kambanarja e kishës, pastaj në shpatin me luadhe, pastaj në dushk e në larushk, gjithandej ku ishin bardhokat e hënorët, sepse deshve e cjepëve që mbaheshin për ndërzim, në katundin e tyre s'u thoshin as përçakë e as përçorë, por hënorë. Pas një grime, atij iu bë se shkrepëtiu në të thatë, ca tafte flake që llapsën fluturimthi ia përcëlluan fytyrën dhe ai, i shushatur e me drithma në trup, mbuloi sytë me shuplaka. Sa zgjati? Pikërisht këtu i shuheshin pamjet dhe truri i binte përsëri në terr.

Grahma s'po kishte të sosur, askush nuk e kuptonte se në ç'pejzë a qenëz të fshehtë i qëndronte shpirti, prandaj provuan gjithçka që zakoni këshillonte për raste të tilla. Të parin i propozuan shkalcin. Në bazë të një riti të vjetër, kush ishte për vdekje e nuk i dilte shpirti, e vinin me dyshek në shkalc dhe i bënin një shëtitje rretheqark, që të nxirrte mallin e fundit për visin ku kishte lindur. Mirëpo plaku u xhindos kur ia përmendën shkalcin. Atëherë, për t'ia lehtësuar vdekjen, njerëzit e familjes, e shoqja, djemtë e nuset, vajzat dhe dhëndurët i vajtën me radhë në dhomën e dergjës, u përkulën mbi kokën e tij dhe i thanë se çfarëdo gabimi apo faji të rëndë që në vitet e gjata të jetës mund të kishte bërë ndaj tyre, ata ia kishin falur. Si mbaruan njerëzit e oxhakut, ia dhanë hallallin edhe vëllezërit e motrat, që kishin lënë konakët e tyre për të ardhur pranë tij. Pastaj pritën që të vdiste. Por lala Cam prapë nuk dha shpirt.

Atëherë e zgjeruan rrethin me kushërinj nga degët e gjakut e të tamblit, por as përfalja e tyre nuk e ndihmoi për të shkuar në atë botë. S'u mbetej veçse të hapeshin akoma, duke grishur kumbarë, miq e dashamirë të largët, me shpresën se pengu që i kishte mbetur në zemër dhe nuk e linte të vdiste, ndodhej te ndonjëri prej tyre. Por përsëri asnjëri s'e ndihmoi për gjumin e përjetshëm. Për dreq, plaku diku kishte ngecur, mirëpo se në ç'gozhdë i varej shpirti aq keq, përsëri askujt s'i shkonte mendja.

Ndërsa hjeka vazhdonte dhe bijtë ngulmonin te koka e tij, Cam Alcani arriti të nxirrte një fjalë. Për t'ia plotësuar dëshirën e fundit, ata vrapuan menjëherë në adresën që kishin dëgjuar. Por sapo njeriu i thirrur hyri në dhomë, hapi librin e lutjeve dhe nisi t'i këndonte La ilahe il-lallah, plaku përmblodhi veten e kundërshtoi:

- Jo hoxhën, por Hoshën!

Prej asaj kërkese të çuditshme gjithë sa u ndodhën në dhomë mbetën të meruar, por kleriku i dijshëm u tha se njeriu atje ku ka syrin, ka edhe shpirtin. Si t'ia bënin tani, kush kishte sy e faqe që të shkonte te Radi i Zarishit dhe t'i thoshte se Hoshën, gruan e tij të bukur, më të bukurën në lagjen e katolikëve e për të cilën i shoqi, për ta marrë, dikur kishte kërcënuar se qiste pushkë, plaku i tyre e lakmonte në dhomë, sindozot me kërkesën më të mbrapshtë:

- Vetëm për vetëm me Hoshën, - kishte mundur të shtonte zavalli, pas atij keqkuptimit qesharak.

Radi, burri kokëkrisur, e kishte bërë dasmën rreth nëntë vjet më parë dhe njerëzit e shtëpisë u kujtuan se tamam qysh prej asaj kohe, i mbërthyer nga një sëmundje pa emër, plaku Cam kishte zënë shtratin dhe s'e kishte kapërcyer më pragun e derës. Të gjithë e mbanin mend, gjithashtu, se në atë dasmë ai kishte kënduar për herë të fundit, sado që shumëkush s'ia kishte vënë veshin ose ishte mahitur me të. Kur Hoshën e bukur, veshur nuse, e kishin nxjerrë në oborr dhe trimat e shtruar në tyeza e kishin pushuar ahengun një copë herë, për t'ua lënë radhën grave dasmore, mes heshtjes dhe atij kundrimi të përgjithshëm kureshtar, befas ishte dëgjuar një zë burri.

Të gjithë kishin kthyer kokën në një drejtim dhe në atë drejtim të gjithë kishin parë lalën Cam, më këmbë, me shpatullat e rrasura në gurët e avllisë, duke çalltisur me dy duart për çiftelinë, ndërsa dhëmbët me kapsula platini i

praronin si fluturashka zjarri në gojën e hapur. Sipas këngës që sapo kishte zënë, Cami nuk ndodhej në oborr; se ku ndodhej, kënga nuk e thoshte, thoshte vetëm se çfarë shihte ai:

Ooo,

kur po luanin cicat nën fustan,

ia bënin kumbonat drang e drang...

I mjeri unë, i mjeri!

Ooo,

kur po zgjidhej matanë shoka,

thashë nën këmbë po çahej toka...

I mjeri unë, i mjeri!

Ooo,

kur u ndezën vetëtimat,

vetëtimat me m'verbue,

cicat tuaja qenë zbulue...

I mjeri unë, i mjeri!

Ooo,

m'u mbush mendja veten me e mbytë,

për qind vjet mos me t'i pa sytë...

Ooo ooo ooo,

I mjeri unë, i mjeri!..

Natyrisht, dasmorët patën shkaqe të ndryshme për t'u argëtuar, aq më tepër që ajo këngë ose ishte aq e vjetër, sa askush s'e sillte në hatër, ose ishte aq e re, sa askujt s'i mbeti në kujtesë.

Megjithatë, njëri prej burrave që e kishte në krah dhe që e kishte dëgjuar plot kërshëri, pranoi se të gjitha fjalët e tjera i kishte kuptuar, por një gjë nuk ia rrokte truri: "Mirë, ai taravoli e vret veten nga dalldia, por asaj tjetrës si do t'ia shohë sytë mbas qind vjetësh?!" Lala Cam ia ktheu: "Brenda dheu është i errët dhe i plleshëm si barku i gruas, prandaj mbin fara aty. Jeta na ndan, kurse varri..." Filluan gratë dhe s'pati qetësi për ta mbaruar përgjigjen, sepse dihet që grifshat në ferrë, pelat në lëmë e gratë në valle, nuk lodhen kurrë.

 

Por proçka e plakut, ndonëse ato ditë u përfol, sidoqoftë u harrua.

- Lala Cam, - e pyeti më i madhi nga djemtë, - po ta sollëm Hoshën, e mban fjalën: vdes e shkon?

- Them se shkoj, - u hamend ai.

- Veçse po e lëndove gruan e huaj dhe na bën me turp, unë të vras me dorën time.

- Më vrit, - i dha leje të birit.

Bënë si bënë dhe, nëpërmjet një kunate, i çuan lajm Hoshës. Ajo tashmë po hynte në të tridhjetat, ishte bërë nënë, por bukurinë e ruante si në ditën e dasmës. I folën për dëshirën e pakthyeshme të plakut, e siguruan se, për të mos i lënë të shoqit ndonjë koritje, ishin të gatshëm që gjakun ta bënin vetë, duke e ruajtur prapa derës me pushkë. Dhe Hosha nuk kundërshtoi.

Kur hyri, iu duk se plaku po flinte. Kur u afrua, pa se sytë i kishte kapak. Ndërmjet kapakëve notonte brymë e mjegull. Ajo e nxori nga mjegulla duke qeshur:

- Më ke kërkuar, teveqel?!

- Të kam kërkuar, Hoshë, dhe ta di për nder që erdhe. A jemi vetëm?

-Vetëm jemi, - tha gruaja, - derës i vura shulin.

- Ashtu, moj Hoshë, - u kënaq plaku, - vetëm një derë nuk mbyllet kurrë: varri. Njerëzit jeta i ndan, kurse varri i përzien. Si thua, i përzien?

Hosha pranoi se vdekja është daulle për kokë dhe shtoi:

- Varri i bën bashkë. Mbas një qind vjetësh, ndoshta edhe andej kërcehet dërrasë më dërrasë, si me thënë gur më gur.

- Eee, - u kënaq edhe më plaku, - e mbake mend, gur më gur! As vesa s'paska rënë hala në fiqirin tënd, Hoshë.

Pastaj rënkoi, derisa u duk se humbi në jerm. Ishte shtrirë në shpinë dhe disa herë u rrek ta kthente kokën nga Hosha, por eshtrat e qafës nuk iu bindën. Nuk iu bindën as kur Hosha u përpoq t'ia kthente vetë. Ndoshta i kishte ngrirë tërë trupi. Jo, njëri krah po i lëvizte ngadalë. Pikërisht atë krah e shtriu drejt saj dhe, me mundim, arriti ta fuste dorën nën fustan. Gruaja u drodh. Për të mos nxjerrë zë, kafshoi buzën.

Pastaj, përballë ngërçeve të tij, pyeti:

- A po do që Hosha ta ngrejë fustanin?

-Jo, jo, - tha ai, - perdja po bie, nuk është duke u ngritur, Hoshë.

Pas një grime, dora e rreshkur vazhdoi të ngjitej përgjatë kofshëve të saj, pak e nga pak, derisa pëllëmba i preku barkun. Hosha prapë u drodh, por as thirri, as lëvizi. Edhe plaku, ndërkaq, aty u ndal.

- Lala Cam, - bëzani ajo.

Ai u përgjigj me bulat e gishtërinjve. Në fillim nisi t'ia lëmonte kraterin e mbyllur të kërthizës, pastaj tërë hapësirën tjetër, faqe më faqe dhe kulm më kulm. Kapakët e syve i qenë puthitur, nofullat po i nguroseshin, e nuhati edhe ngurosjen e krahut dhe deshi të thoshte diçka. Por u pajtua me të kundërtën: ishte më mirë t'i rrëshqiste dora, sesa goja. Dhe dora i rrëshqiti. I rrëshqiti pa jetë nëpër shpatin ballor të Kodrës së Venusit dhe arriti te pjerrina e lëmuar, lulëzuar me eshkë e krrela myshku.

- Hë? - u dëgjua të pyeste garanti, djali që kishte pritur me pushkën ngrehur pas derës.

- Vdiq, - i dha mandatën Hosha.

- Tha gjë, la ndonjë amanet?

- Asgjë, para se të vdiste, u shmall pak me vendlindjen. Nganjëherë, pleqtë kanë mendje fëmije.

Varrimi u bë të nesërmen. Kësaj here, kur hapi librin e lutjeve për t'i kënduar talkinën, kleriku i dijshëm u ndie i sigurt se ai zullumqari nuk do të kundërshtonte më.

ZIJA ÇELA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PO TË ISHA RREZE, DO T'I PËRKËDHELJA FËMIJËT JETIMË, ZOGJTË, LULET, YLBERINPoezi nga LIMAN ZOGAJ (06.27.2011)
SHPIRTI I POETITPoemë kushtuar poetit rebel Vehbi SkënderiNga BEDRI MYFTARI (06.25.2011)
NATËN NËPËR KALVARIN E KANALIT TË OTRANTOS NJERËZIT I MBANIN SYTË VETËM DREJT QIELLITPjesë nga romani "IMAZH" i ZEF MULAJT (06.24.2011)
GRUMBULLI I ESHTRAVEPoezi nga VISAR ZHITI (06.12.2011)
TESTAMENTI PËR FËMIJËT: DUAJENI VENDIN DHE GJUHËN DERI NË VUAJTJENga MITRUSH KUTELI (06.07.2011)
TI TRIUMF I PAKAPSHËM ANDËRRASH DHE YJESHTriptik poetik nga NDJOCK NGANA përkthyer nga DANIEL GÀZULLI (06.04.2011)
HISTORIA E KËNGËS SË LEONARD COHEN - KËRCE ME MUA DERI NË FUNDIN E DASHURISË - DANCE ME TO THE END OF LOVENga ELIDA BUÇPAPAJ (06.03.2011)
LOTËT E NËNAVE TË SREBRENICËSPoezi nga ABULLAH SIDRAN (1944) (06.01.2011)
MASKA NEGRA   Pablo PicassosPoezi nga LEOPOLD SEDAR SENGHOR (1906-2001) përkthyer nga DANIEL GAZULLI (05.28.2011)
KOLIQI I RINGJALLURDossier i përgatitur nga VISAR ZHITI (05.26.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]