E Premte, 05.03.2024, 01:50pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
MIGJENI, VETVRASJA E TRUMCAKUT
Esé nga MOIKOM ZEQO

E Premte, 08.15.2014, 08:47am (GMT+1)



Në vend që të shkruante një roman ciklik ose një eposmodern të parodizuar, Migjeni, ndoshta jo pa pikëllim, po pa mëshirë për veten, - shkroi skicën fabulore të jashtëzakonshme të një trumcaku melankolik e inteligjent që vret veten.
Natyrisht, kjo gjë është jashtë traditës shekullore ezopike. La Fonteni i ditur do të skandalizohej po ta lexonte këtë shpërdorim subjekti, kurse animalistët e këtij fundshekulli kibernetik e plot smog, vetëvrasjen e trumcakut mund ta kuptojnë simbolikisht si një protestë ndaj vdekjes ekologjike në përgjithësi të planetit tonë tragjik e vetëshkatërrues.
Po ta kishte lexuar Albert Kamyja skicën migjeniane do t'i kushtonte - me siguri - një kapitull në traktatin e vet "Miti i Sizifit", që zbulon pa asnjë mëdyshje, se problemi i vetëm i filozofisë është "vetëm vetëvrasja", gjë që Migjeni, po të kishte mundësi që ta lexonte këtë kapitull (që nuk u shkrua kurrë), nuk do ta aprovonte me modesti e jo thjesht për një ves, ose virtyt kundërshtimi, ose debati.
Migjeni trillin e imagjinatës e shndërron në një realitet të vrazhdë, të pangjashëm, joidentik me peizazhet e përçudnuara të ferrit dantesk. Trumcaku u gjend befas në një natyrë (më saktë antinatyrë), ku në vend të barit kishin mbirë qimet e derrit e në vend të drurëve degëzoheshin brirët e një kafshe prehistorike (gjë që e kapërcen edhe përfytyrimin plot truke të Spilbergut për filmat e tij të famshëm hollivudianë për dinozaurët e dikurshëm!).
Në këtë botë ndërruese e butaforike është njësoj si ta sjellësh epokën dinozaurike në fund të shekullit XX, jo me anë të imazheve filmikë, që janë fantazma, por në formën e një realiteti konkret të padukshëm (duke zhdukur njëkohësisht realitetin e urbanizuar, qytetërimet, elektrikun, teorinë e kuanteve, sekretin e kobshëm të shpërthimit atomik, transplantimin e zemrës apo trurit etj, etj.).
Franc Kafka, më i kursyer, me një fantazi më pak të bujshme me subjektin marramendës të "Metamorfozës", bën fjalë për shndërrimin e njeriut të vetëm në zvarranik. Migjeni, më i paturpshëm, me krenari e shndërron - as më pak e as më shumë - tërë natyrën e planetit në një shumësi të frikshme brirësh, duke nënkuptuar se vetë toka është koka e shtazës prehistorike, që tmerron e tkurr me tërsëllimë të humnershme hapësirat, galaktikat, vetë infinitin e pakonceptueshëm nga askush. Migjeni përfytyron një Meduzë me brirë në vend të gjarpërinjve hakmarrës e dogmatikë të mitit. Ndoshta kjo është një ardhmëri e gabuar e njerëzimit, një pasion evangjelik i apokalipseve që nuk i dimë, por që i parandiejmë.
Interesant është ndër të tjera, se përfytyrimi surrealist i Migjenit është shkruar në të njëjtin vit kur Pikasoja bëri kompozimin e frikshëm e rrëqethës të "Guernikës", që është një shfytyrim antimistik i gjymtyrëve të copëtuar në erë të Tezeut dhe Minotaurit, në një labirint formash e ëndrrash të shkatërruara nga fashizmi i përkushtuar doktrinor, pa ndërdyshje, pa ndërgjegje.
I dimë pasionet e Kitsit në odën e tij për bilbilin, ose lejlekun alpin të Mjedës, që lan pendët e moçme në lumin Drin, ose albatrosin e Bodlerit, ose akoma më në zanafillë kultin e zogut feniks të faraonëve, ose hyjnitë me koka shpendi.
Po nuk dimë saktësisht, pse trumcaku i Migjenit na ndikon e na turbullon më në thellësi, në thellësirat e padukshme e të shenjta të gjakut, që shpërdorohet marrëzisht, fare i pakushtueshëm e pa çmim në Shqipëri.
Nëse realiteti i tjetërsuar si një "nightmare" bën të vetëvriten zogjtë, ahere kjo duhet të zgjojë urtinë e njerëzve, ta bëjë shpërthimin e mendimit të tyre të vërtetë.
Fabula tronditëse e Migjenit nuk i përmend njerëzit, por brenda trumcakut është vetë poeti, njeriu "˜par exellence' i së ardhmes.

***

POST SCRIPTUM: Skica intelektuale migjeniane citon thënien biblike të krijimit "... të bahet dritë! Dhe drita u ba!" - A shihni? Një fjalë magjike! Hokus - Pokus! Sa bukur!"
Antibiblizmi i Migjenit është i dyfishtë. Këtu është e habitshme e vulgare të shpjegosh formulën magjike "Hokus - Pokus!".
Në fakt, kjo formulë është kuptimi i latinishtes jeronimase "hoc est corpus meum", d.m.th. "ky është trupi im", që shpreh sakramentin e ngrënies së bukës, të eukaristisë (fjalë të Jezusit për dishepujt e tij).
Në të vërtetë, roli i shkrimtarit është një rol mesianik - Migjeni shumë shpejt, 27 vjeç, ia dha krejt trupin e vet vdekjes ritualiste - duke bashkuar e njësuar veten me trumcakun filozof e kryengritës, që është për artin e Migjenit si bufi fluturues i Minervës së diturisë së lashtë, simbol i rrugëtimit në infinit, i mosndaljes!

MOIKOM ZEQO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A DO TË KONVERTOHEJ FAIK KONICA?!Nga FOTAQ ANDREA (08.12.2014)
NËPËR GJYMTYRËT E MJEGULLAVEVëllim i ri poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (08.11.2014)
TESTAMENTI I NJË SHKRIMTARI FANTASTIKO-SHKENCORNga NATASHA LAKO (08.11.2014)
”SHTËPIA PA DYER” E VALBONA HAKLAJNga SOKOL DEMAKU (08.10.2014)
DHIMBJA QË DEL NGA SHPIRTIVështrim për librin: ” Gurë të ngulun në Nokshiq” Autor: Shaban Bali NokshiqiNga TAHIR BEZHANI (08.10.2014)
DASHURIA SHQIPTARE E GERD MYLERITEsé nga ALEKO LIKAJ (08.08.2014)
TË LUTEM, FALËM!Tregim nga PËRPARIM HYSI (08.08.2014)
'MUZGU I PERËNDIVE TË STEPËS', PASQYRIM I NJË KULTURE TË PARANOJËS DHE DYSHIMITNga ALAN TAYLOR, shkrimtar, HERALDSCOTLAND, e shtunë 2 gusht 2014 (08.07.2014)
Në nderim të veprës së madhe të Esad Mekulit me rastin e 21 vjetorit të vdekjesPOPULLI TIMPoezi nga ESAD MEKULI (08.07.2014)
Bisedë:MIMOZA EREBARA: KUR SHKRUAJ, DUA T’I SHPREH TË GJITHA MENDIMET E NDJENJAT…Nga Prof MURAT GECAJ, publicist e studiues Tiranë (08.06.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]