E Djelë, 04.28.2024, 12:04pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Tirana Observer - ARTUR VREKAJ, NJË ZË SHQIPTARO-AMERIKAN PËR HAPËRIMIN E KOMBIT (Intervistë)

E Premte, 12.12.2014, 09:25am (GMT+1)


Artur Vrekaj është poeti, studiuesi dhe publicisti shqiptaro-amerikan i cili me krijimtarinë e tij në disa zhanre lobon ndjeshëm në dobi të çështjes shqiptare. U diplomua oficer Kundërajror në Universitetin Ushtarak Skënderbej më 1989 në Tiranë. Edhe duke shërbyer në Mbrojtjen kundërajrore të Tiranës ka shkruar në shtypin ushtarak. Më 2002 emigron familjarisht në SHBA. Është autor i librave me poezi në gjuhën shqipe: "Dashuri që më kthen pas", 2012 dhe "Klithmëlindje", 2013, si dhe në Anglisht "Love letters", 2013. Aktivist i komunitetit të Shqiptarëve në Worcester, Massachusetts për organizimin e mësimit të Gjuhës Shqipe, veprimtarive të përbashkëta akademike për ngjarje dhe figura kombëtare me Shqiptaro-Amerikanë nga disa shtete, si dhe përkujtimet tradicionale për ditën e Flamurit në qytetin e Worcester Massachusetts.

Veprimtar për njehsimin e veprimtarisë së shqiptarëve të Amerikës me program të njehsuari për përbashkimin programor të organizatave shqiptare të Mërgatës në dobi të çështjes shqiptare. Ndihmues në promovimin e letërsisë Shqipe që shkruhet në Amerikë edhe në vendlindje,në SHBA, Shqipëri dhe Kosovë. Shkruan në shtypin shqiptar të vendlindjes dhe të mërgatës kombëtare studime dhe publicistikë për probleme që preokupojnë historinë e origjinës së kombit shqiptar me rrënjë pellazgo-ilire, çështjen shqiptare, ardhmërinë e shqiptarëve të Ballkanit, si dhe shqiptarët e Amerikës.


Kam lexuar mbresa dhe mendime, komente të shumta për krijimtarinë tuaj poetike,të botuar tashmë në vëllimet "Dashuri që më kthen pas", "Klithmëlindje" në shqip, si dhe "Love letters" i shkruar në gjuhën angleze. Përpos urimeve, dëshiroj të di, se si jeni ndjerë rreth këtyre vlerësimeve?
Së pari, ju falenderoj për kohën dhe vëmendjen që më kushtuat për këtë intervistë, zonja Raimonda. Botimet e para janë për mua një përballje e vërtetë me kritikën, me lexuesin, dhe me bashkësinë e letërsisë. Kështu, këto tre vëllime poetike, krahas edhe punëve të tjera publicistike janë edhe fryt i një pune të vazhdueshme disadekadëshe të krijimit në vazhdimësi. Unë jam shprehur edhe në komunitetin ku jetoj, në Massachusetts, por edhe në prezantimet e librave poetikë në Përmet dhe në Tiranë, që më shumë se kurrë unë ndihem jo vetëm i vlerësuar nga kolegët krijues dhe nga lexuesit drejtpërdrejtë, por edhe prezantimi i këtyre përmbledhjeve poetike më bën më përgjegjës për të krijuar. Poezia është pasioni im i hershëm, por edhe një mundësi ku unë mund të shprehem më mirë, jo vetëm me mendimin krijues, por edhe duke përzgjedhur një tematikë më të larmishme i frymëzuar nga jeta e njerëzve, nga natyra si dhe nga vetë krijuesit më në zë të poezisë.

Keni botuar poezi e publicistikë. Si u gjendët prozator e gazetar? Emocionet e para në udhëtimin tuaj krijues?
Qysh në klasën e tetë e më pastaj në shkollë të mesme kam shkruar në revistat e kohës për veprimtaritë që zhvillonin shkollat ku kam mësuar. Kemi qenë tre shokë që shkruanim, si poezi dhe artikuj në shkollën e mesme. Njëri nga këta është shkrimtari dhe poeti Dashnor Selimi. Pastaj, ngaqë unë studiova në Shkollën e Bashkuar, mu dha edhe mundësia të shkruaj në gazetën e Ushtrisë dhe të jem në kontakt me gazetarë ushtarakë shumë të përkushtuar siç ishte Bibë Kaza që vërtetë më ka inkurajuar në bashkëpunimin me botimet në shtypin ushtarak. Një nga punët më të mira që është vlerësuar në vitin 1988 kur isha student në vitin e fundit, ka qenë edhe shkrimi mbi studimin eksperimental për qitjen kundër parashutistëve me armët e këmbësorisë me metodën shqekëz-harkore që udhëhiqej nga pedagogu Pirro Xheli ku pjesë e grupit të studentëve në realizimin e këtij studimi në terren, në bregdet, kam qenë edhe unë. Ishte me të vërtetë një eksperiencë e bukur që kam fituar në jetën time ushtarake që më frymëzoi më shumë të shkruaj me dashuri për armën e Kundërajrorit Shqiptar, për mësimdhënësit e mi që vërtetë bënin shkencë dhe ishin model për ne, që ishim në vitin e fundit për tu diplomuar oficerë të AKA-së. Pra, të shkruarit në gazetë ka qenë një shtysë e bukur për të ecur paralel edhe me poezinë. Ruaj ende të freskët qëndrimin jombështetës të komandave superiore për shkrimin kryesor të botuar në faqe të parë në gazetën Bashkimi në Gusht të vitit 1991, një shkrim kritikues për gjendjen e Ushtrisë Shqiptare me titullin "Kur Ballkani bie erë luftë". Mendo luftën e kishim në derë, në trojet Shqiptare, pasi po çmontohej Jugosllavia e Titos dhe ne ndodheshim në gjendje të mjerë në Shqipëri. Pra, të jetoje me orën e atdheut (mendo unë kam fjetur në repart 7 vjet) mëndja të shkonte tek e ardhmja që e priste atdheun, ndërkohë që situatat zhvilloheshin para syve tanë në Shqipëri, apo rreth saj. Ndaj, edhe motivi për ti thënë gjërat shkoqur siç i shihja e i ndjeja në të vërtetë më ka shtyrë të shkruaj në gazetë dhe jam ndjerë i respektuar.

Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
Për prindërit ka qenë një kënaqësi e veçantë botimi i vjershave në fillim të viteve tetëdhjetë. Ndërkohë, leximi i librave artistikë kanë zënë një pjesë të madhe të kohës së lirë. Unë besoj se edhe tek unë të shkruarit erdhi vetvetiu, por Përmeti ku linda dhe u rrita unë është vërtetë një tokë që ta ushqen krijimin me natyrën dhe njerëzit, me historinë dhe pasurinë shpirtërore të njerëzve që krijojnë. Në shkollën e mesme kemi patur mbështetjen edhe të poetit Rrapo Këllëçi, që na ka ndihmuar e prezantuar me dashamirësi. Kurse mundësia e fillimit studimeve të larta dhe punësimit si oficer në Tiranë ishin pa dyshim edhe një mirësi për ta vazhduar rrugën e krijimit, pasi edhe kontaktet dhe veprimtaritë letrare bëheshin më reale, me njerëz të letrave që frymëzonin ardhmëri. Kam qenë me fat që kam takuar e biseduar me poetin Ndoc Gjetja kur erdhi në një takim letrar në shkollën e bashkuar. I thjeshtë si njeri, i vendosur, i kthjellët e frymëzues si krijues. Kështu, poezia mu bë bashkudhëtare edhe në kohët më të vështira si ushtarak apo si mërgimtar.

Ju jeni poet. Dhjetëra vargje poetike, poezi të përmbledhura në libra apo edhe që presin dritën e botimit. Ç'mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional, nivel e cilësi artistike- letrare?
Të jesh poet, për mua është përgjegjësi qytetare në radhë të parë, sepse me krijimin përçon një mendim më të freskët, më të kohës. Kuptohet, për krijuesit si ne, që jetojmë në SHBA, në një vend të lirë, krijon me shpirt të lirë, me ndjenjën e bukur të mërgimtarit e krenarinë e të qenit shqiptar. Unë e shoh pasurimin e plotësimin e vetvetes si krijues edhe duke mësuar nga krijues shqiptarë në mërgim, por dhe nga amerikanë, që e kisha ëndërr në Shqipëri ti lexoja veprat letrare në gjuhën e nënës së autorit të huaj, siç është rasti i veprave të shkruara në Anglisht. Anglia e Re (New England) është djep i poezisë më të bukur Amerikane. Jam mrekulluar që këtu kanë shkruar pena të arta si Eliot, Frost, Longfellow, Bishop, Kunz, O'Hara e shumë të tjerë deri edhe të sotmit me të cilët jemi në kontakt. Vargu i poezisë Amerikane të bën vërtet për vete me mënyrën e të shkruarit të drejtpërdrejtë. Ashtu siç ka shkruar Eliot, i pandikuar nga askush në fillimet e tij, para se të udhëtonte në Europë e të takonte Pound, ashtu edhe shumë krijues Shqiptarë që mërguan qoftë pas Luftës së Dytë Botërore, qoftë pas 1990-ës krijuan në vetmi të plotë, të ndikuar edhe nga rrethanat e vendit që zgjodhën për të jetuar me largësi të konsiderueshme nga atdheu apo edhe nga krijues të tjerë, sepse jo të gjithë fjala vjen kanë mundësi të takohen fizikisht edhe për faktin e largësisë. Por me lulëzimin e rrjeteve sociale, sot është më lehtë si konsultimi apo bashkëbisedimi ndërmjet krijuesve. Rruga e krijimit është e bukur, e gjatë, e pafund. Për mua krijimi poetik është një shkollë më vete, që kërkon kujdes e vëmendshmëri për të lexuar e shprehur bukuritë e natyrës e të njerëzve, të vendit ku linde dhe të vendit pritës ku jeton, të respektimit e vlerësimit të bashkësisë së krijuesve në gjuhën shqipe apo edhe të gjuhës së dytë që flet e shkruan. Është një eksperiencë e mrekullueshme, akoma më shumë të shkruash në një gjuhë tjetër, siç është anglishtja, por edhe një sfidë e vështirë për vetë faktin se shqipja është më e larmishme kur krijon dhe për mua tingëllon më ëmbël. Poetët amerikanë të Worcester e kanë mirëpritur librin "Love Letters" për motivet e përzgjedhura të krijuara me dashuri për gruan, fëmijën, atdheun, natyrën deri në detaje, shpresën për një Shqipëri më të lulëzuar dhe ëndrrën e kësaj jete të re që nisëm të shkruar me një gjuhë të thjeshtë. Bashkëpunimi me krijuesen amerikane zonjën Carrie Hooper, që zotëron edhe gjuhën shqipe, por edhe shkruan poezi në shqip e në gjuhë të tjera ndikoi patjetër për tu prezantuar edhe këtë përmbledhje poetike.

Ju keni një karrierë krijuese edhe në publicistikë. Ç'mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Publicistika është një mundësi ku të shkruarit merr rrugë bazuar edhe në një studim paraprak për temën që do të trajtosh apo edhe në përpunimin e asaj çfarë afron sot mendimi i kualifikuar Shqiptar dhe Perëndimor. Duhet të shpenzosh kohë që të analizosh një situatë të caktuar me këndvështrimin tënd nën dritën e fakteve historikë apo shkencorë që janë të shkruar në libra e gërshetuar kjo edhe me faktet e jetës së përditshme për ta bërë shkrimin më të besueshëm nga lexuesi. Paanësia dhe këmbëngulja për të shkruar bukur, si dhe përgjegjësia qytetare si krijues më shtyn për të shprehur mendimin e lirë për të frenuar një veprim të keq, një problem social që dëmton shoqërinë, atdheun, kombin. Kjo të ndodh, kur vërtetë je i ndjeshëm për çka ndodh edhe kur je larg Shqipërisë, kur rron me orën e ardhmërisë së saj. Të jetosh me kohën, me realitetin është edhe një sakrificë e përditshme, sepse nuk mund ta vlerësosh të sotmen e të mundesh të parashikosh të ardhmen e afërt duke e parë e menduar përciptazi atë çfarë ndodh në realitet. Në këtë botë të lirë sot kanë më shumë prioritet njerëzit që shkruajnë atë që ndiejnë dhe frymëzojnë për më shumë ardhmëri për të gjithë qytetarët, jo atë që u kërkojnë gazetarëve Shqiptarë punëdhënësit. Kështu, që unë e kam këtë fat, të shprehem ashtu siç e ndjej dhe shkrimet e mia kanë jo vetëm frymë kritike, por edhe kanë edhe mundësinë e zgjidhjes bazuar në përfshirjen e komunitetit apo edhe guximin e elementëve të pushtetit që kërkojnë demokraci të pastër për të gjithë. Janë disa punime studimore që keni sjellë për shqiptarët, pellazgët dhe ilirët.

Çfarë të ka shtyrë të kontribuosh edhe në këtë fushë të historisë?
Ne kemi mësuar pak në shkolla për rrënjët tona të lashta pellazge dhe ilire. Na e kanë fshehur origjinën me qëllim shkrimtarët filhelenë të Europës të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë dhe të gjithë ata që e fshinë emrin Pellazgji dhe në vend të asaj vunë emrin Greqi, edhe pse ka dëshmi si ajo Dodonës pellazgjike, që është edhe Vatikani i kombit pellazgjik dhe është në tokë Shqiptare. Aq më tepër që edhe Trebeshina, mali ku kam lindur unë, në faqen lindore nga e puth Dielli ka afër majës një vend që quhet Dejan është Dea jonë ose emri i perëndisë së Dheut. Trebeshina është një nga malet e Dodonës ku poeti dhe studiuesi Kujtim Mateli ka bërë një studim interesant të autorëve të lashtë e të sotëm dhe pas vlerësimit të gjeografisë së terrenit nga Janina në Përmet përcakton, që pikërisht në brinjë të Trebeshinës ka qenë edhe kryeqendra e Dodonës me tempullin e saj. Pritet që ekspeditat me specialistë të fushës së antikitetit të thonë fjalën e tyre. Tjetër. Interesante është të mësosh se simbolet tona kombëtare si gjuha Shqipe, thirrja e Zotit, shqiponja dykrerëshe, veshja e plisit apo kapuçit kanë hapëruar njësh me Pellazgët dhe Ilirët dhe janë trashëguar edhe sot. Popujt Pellazgë dhe Ilirë të Europës kontinentale dhe të Azisë së Vogël, Anatolisë e më tej janë edhe stërgjyshërit tanë të mërguar ose janë shpërngulur nga trojet Shqiptare, nga Dardania në drejtim të lindjes apo edhe nga Adriatiku, si edhe nga Azia e Vogël, nga Dodona apo trojet e tjera Shqiptare në Italinë e sotme që kanë shkëlqyer me perandoritë dhe mbretëritë e tyre, me gjuhën që ne kemi edhe sot, me artin dhe kulturën, me besimin dhe perënditë e thirrura Shqip. Këto i kam sjellë nga çfarë kanë shkruar si autorët e lashtë dhe këta që kanë folur Anglisht. Këto punime janë mirëpritur edhe për faktin se, duke qenë në mërgim tema të tilla janë më të ndjeshme. Më vjen mirë që po pasurohet gjithnjë e më shumë me dëshmi të reja nga gjetjet arkeologjike historia e qytetërimit Pellazg dhe Ilir në trojet Shqiptare. Vetëm kështu, duke e promovuar lashtësinë tonë ne mund të hapërojmë më shumë kombin.

Pse shkruan Arturi...
Të shkruarit është një pasion që lind vetvetiu tek njeriu. Kështu më ka ndodhur edhe mua. Vetëm se duhet ushqyer ndjenja herë pas here, për ta mbajtur të kthjellët mendjen. Të shkruarit për mua është edhe një mënyrë komunikimi me të gjithë audiencën që krijon nëse vërtet ke diçka për të thënë. Gjithashtu, është edhe një mundësi që ta jep bota e lirë demokratike, që të shprehësh mendimin tënd të lirë, si një e drejtë qytetare që nuk duhet të heshtësh kur vërtetë vendi yt ka nevojë edhe për fjalën e mërgimtarit. Mërgimi është shkollë më vete ku mëson nga kulturat e popujve, nga njerëzit, nga vendet, nga çdo gjë që e shikon si pjesë të lëndës që do të krijosh. Për mua të shkruarit është një lloj shërbimi vullnetar që i bëjmë shoqërisë Shqiptare dhe atdheut që na krijoi kushtet dhe na shkolloi për atdheun, por edhe për veten tonë. Është shprehje e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë qoftë edhe me një poezi dystishe kur krijon enkas për vendlindjen. Ndihem vërtetë i lumtur kur shkruaj Shqip në Amerikë.

Ju jeni një veprimtar me reputacion për rolin tuaj atdhetar, patriotik për çështjen shqiptare në Mërgatë, të Kosovës, Çamërisë, Maqedonisë perëndimore, Preshevës dhe Malit të Zi. A po bëhen shqiptarët një lob i fuqishëm në Diasporë? Dhe çfarë bëni ju konkretisht për komunitetin shqiptaro-amerikan?
Në gjithë mërgatën kombëtare disamilionëshe ne kemi mundësi financiare e potenciale njerëzore të mëdha, që kanë nevojë të mirëorganizohen me një platformë të vetme të të gjitha organizimeve aktive duke filluar që nga këtu në SHBA për të lobuar më fuqishëm për Çështjen Shqiptare. Ne kemi treguar edhe së fundi, se po të organizohemi e përbashkohemi ndërmarrim veprimtari shumë domethënëse e sensibilizuese me Shqiptarët e Amerikës dhe veçanërisht të atyre të trojeve Shqiptare që ende janë nën presionin e regjimeve Sllave për të mos u hapëruar me Shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Ne jemi të gjithë bashkë në këto ngjarje të Mërgatës, si rrallë në Mërgatë, nga të gjitha krahinat e trojeve Shqiptare. Kështu e duam edhe kombin, edhe truallin si qiellin pa kufij, bashkë, që ta gëzojnë të gjithë shqiptarët pa dallim. Kur kemi parasysh veprimin e njësuar të lobit shqiptar në Mërgatën kombëtare, duhet të kemi parasysh se ne ende nuk e kemi një strategji të përbashkët kombëtare edhe me Shqiptarët e Trojeve e kryesisht me të shteteve Shqiptare. Shpresat janë, sepse kemi mes nesh njerëz që spikatin për veprimtarinë e tyre lobiste në fusha të ndryshme, por që tek e fundit ata promovojnë edhe çështjen Shqiptare me anëtarë të Kongresit, Senatit dhe qeverisë amerikane apo dhe në kancelaritë e BE-së. Duke kuptuar mirë mundësitë dhe problemet e brendshme të organizimit dhe funksionimit të organizimeve aktive të shqiptarëve të Amerikës unë kam ndihmuar me mundësitë e mia me botime, me ndihmesën për organizimin e veprimtarive akademike dhe letrare për përbashkimin e organizimeve për të përballuar sfidat e shekullit të ri, për një platformë programore të përbashkët jo vetëm për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar, por edhe për të mbështetur më qartë çështjen e pazgjidhur Shqiptare. Të jetosh në shtetin e Massachusetts nuk ke si të mos frymëzohesh nga atdhetarizmi i Shqiptarëve të fillimshekullit të XX, që bënë gjithçka për Shqipërinë. Në këtë qytet ku banoj, në Worcester, ne kemi treguar që mbajmë gjallë identitetin kombëtar me veprimtaritë e përvitshme sipas kalendarit të përkujtimit të figurave dhe ngjarjeve kombëtare. Mendo që ne kemi më shumë me rrënjë Shqiptare që jetojnë jashtë trojeve Shqiptare në çdo kontinent e më shumë në vendet mesdhetare ku dëshmitë pellazgjike dhe Ilire janë ende të gjalla. Prandaj, shihet një rizgjim i vetëdijes së origjinës së kombit Shqiptar në tërësi, sepse gjithnjë e më shumë qytetarë të vendeve Mesdhetare apo në Turqi e në Lindjen e Mesme po mësojnë të vërtetën se janë me rrënjë shqiptare, por që prindërit e tyre i kanë shpërngulur me dhunë perandoritë apo luftërat grabitqare apo edhe i kanë ndaluar të përdorin gjuhën shqipe apo edhe emrat Shqip për fëmijët e tyre kur kanë qëndruar në trojet shqiptare. E ardhmja, besoj se do të risjellë në skenë më shumë Shqiptari, sepse brezi i ri në Amerikë po edukohet gjithnjë e më shumë me ndjenjën e krenarinë e të qenit me rrënjë Shqiptare. Këtë kam patur parasysh edhe unë kur jam shprehur për largpamësinë e përbashkimit tonë si komunitet, për tu integruar më mirë në tërësi. Megjithëse ne kemi programe të mësimit të Gjuhës Shqipe në Amerikë, prapëseprapë ne duhet të tregojmë më shumë vëmendje për këtë simbolikë kombëtare, që pak e nga pak po e përpin asimilimi, pasi disa qindra mësojnë Shqip të organizuar në Amerikë, ose më pak se një nxënës, për njëmijë Shqiptarë. Mbetet të bëjmë më shumë punë me çdo mënyrë që të flasim sa më shumë Shqip në shtëpitë tona si në veprimtaritë tona atdhetare. Edhe shtetet Shqiptare, në veçanti shteti amë duhet ta marrë në konsideratë përkujdesin për Mërgatën kombëtare.

Si e shikojnë Shqiptarët e Amerikës, këtu kam parasysh shoqatat shqiptaro-amerikane ku bëjnë pjesë disa nga emrat më të spikatur të shqiptarëve, mes tyre edhe Ju, marrëveshjen detare me Greqinë për spostimin e kufirit detar në favor të shtetit Grek? Por për bashkimin e trojeve shqiptare?
Shqiptarët e Amerikës janë treguar të ndjeshëm, të ngrenë zërin me protesta, deklarata, ndihma në vendlindje e shkrime sa herë që kombi, Shqiptarët dhe trojet Shqiptare kanë qenë nën presionin e regjimeve policore apo në planet e asimilimit të shteteve fqinje. Këtë e kemi bërë duke qënë të vetëdijshëm, se ne nuk mbajmë anën e politikës, ne mbajmë anën kombëtare për çdo rast. Jo vetëm marrëveshja detare për spostimin e vijës kufitare detare në dobi të Greqisë, por unë mendoj se Tirana zyrtare dhe Kuvëndi Popullor në veçanti duhet të shfuqizojë marrëveshjen e Varrezave Greke në Shqipëri dhe të vendosë për shpërnguljen e tyre në Greqi, sepse edhe kjo marrëveshje ka sjellë cënim të shpirtit kombëtar duke pleksur në to eshtra Shqiptare, siç është rasti i Kosinës së Përmetitë; ka sjellë cënim të sovranitetit kombëtar, sepse nderimi i pushtuesve Grekë me varreza në tokë Shqiptare bie erë tradhëtie të interesave kombëtare pasi janë varrosur pikërisht në atë tokë ku Grekët bënë Masakra të Vërteta se dogjën e vranë, therën e kryqën, mbytën e përzunë me përdhunë Shqiptarët e Jugut me qëllim të ngjallnin fantazmën e Vorio-Epirit më 1913-1914. Këto janë dëme të mëdha, janë vepra antikombëtare që segmente të politikës Shqiptare i kanë ndihmuar duke u bërë palë me Athinën zyrtare në këto 25 vjet të paskomunizmit dhe duhen zgjidhur duke parë më qartë Kushtetutën dhe respektimin e të drejtave Shqiptare në tokën tonë. Mos të harrojmë, se në luftën Italo-Greke, në Shqipërinë e Jugut u vranë Shqiptarë të pafaj dhe veçanërisht në zonën e Korçës u vranë djem-ushtarë Shqiptarë nga ushtria Greke, efektivë të batalioneve Shqiptare në krah të Ushtrisë Italiane, por që ende edhe sot e kësaj dite nuk e kanë një varr. Kjo plagë si dhe plagët e Masakrave Greke të padënuara dhëmbin edhe sot.Nëse shtetarët Shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës po punojnë së bashku për të afruar me marrëveshje shtetërore ekonomike dhe kulturore këto dy pjesë të truallit kombëtar, unë besoj që shtetkombi Shqiptar fillimisht i Shqipërisë londineze me Kosovën është i domosdoshëm për hapërimin më mirë të kombit tonë. Kështu, do ta bëjmë më të lehtë edhe paqen reale për atë, se jemi vëndalinj me gjuhë, truall, dëshmorë, flamur, kulturë, besim, rrënjë të lashta,etj, për çfarë sheh e vlerëson edhe NATO, edhe BE sot në Ballkan, në hartë dhe në terren. E pamë dhe vetë këtë verë se Shqiptarët e Kosovës që vijnë për të pushuar në detet Shqiptare mbajnë radhë në doganën e Morinës, doganë brenda truallit amtar. E pakuptimtë, sepse dy shtete sovrane që kanë një rrënjë gjaku nuk kanë nevojë të numërohen në një shteg që vetë e mbajmë. Ne jemi një vëllazëri. Ndaj edhe koha vetë i kërkon këto ndryshime, jo vetëm Shqiptarët që thërrasin Shqipërinë natyrale në Amerikë, në Prishtinë, Tiranë e Shkup. Hapërimi kombëtar po ndodh në realitet. Ndaj, po pritet më shumë nga shtetarët që të vendosin për insitucionalizimin e shtetkombit.Është ora e Shqiptarëve, ndaj edhe Europa Perëndimore po e trajton me përparësi Ballkanin si një rajon ku bashkohen interesa të pista të fqinjëve dhe të Rusisë që po grabit me tradhëti nga brënda dhe me luftë përsëri toka në Ukrainë e Gjeorgji, por me ndikim të fortë edhe tek Sllavët e rajonit.Në Mërgatë kemi parasysh platformën e Prizrenit të vitit 1878 dhe të Vlorës së 1912-ës që ta ndihmojmë sa të mundim bashkimin kombëtar në Ballkan. Prandaj, lypset të kemi një strategji kombëtare të përbashkët, që trualli kombëtar i Shqiptarëve të Ballkanit të jetë pa pengesa doganore e shtetërore, që tu njihet vëndlindja Çamëve, tu njihet e drejta e mësimit Shqip , por edhe e përdorimit zyrtar të Gjuhës Shqipe edhe në Preshevë, edhe në Mal të Zi edhe në Maqedoni në çdo zyrë , institucion shtetëror apo privat. Këto janë të drejta njerëzore që edhe na mohohen ende. Ne vetëm nuk duhet të flemë se jemi në NATO dhe kandidatë për në BE, apo NATO është siguria për ne. Është siguri NATO pa dyshim, por me një komb Shqiptar të Bashkuar e të hapëruar qytetarisht në trojet tona, NATO është më e fortë. Kështu bëhet edhe më e lirë dhe më qytetare Europa. Po kur nuk e ngremë zërin ne për shtekomb, si në Tiranë dhe Prishtinë, edhe fqinjët hedhin të njëjtën valle.

Kur ktheni kokën pas si e shikoni krijimtarinë dhe aktivitetin tuaj patriotik gjatë viteve? Cilat janë synimet për të ardhmen?

Krijimtarinë, sidomos poezinë e shoh si një pjesë të jetës sime, të një kënge të shpirtit dhe zemrës që ende e këndoj me të njëjtin ritëm për energjinë dhe frymën që i jap. E shoh si një lëndë që ushqen shpresë dhe ardhmëri për këdo që do të vazhdojë të ecë me këmbët e veta për të bërë ëndrrën e tij kudo ku është. Poezia është më e preferuar për mua për t'ju përkushtuar edhe me botime të tjera në vazhdimësi. Përsa i përket veprimtarisë atdhetare gjatë këtyre viteve në Amerikë, unë mund të them se kam bërë atë që kam ndjerë, si pjesë e një Mërgate që ka potenciale intelektuale ku secili jep kontributin e tij për Shqiptarinë, nëse vërtet e ndjen se duhet ta japë me përkushtim.
Autorët tuaj më të preferuar...

Poeti që kam më për zemër është poeti kombëtar Naim Frashëri. Njeriu që bashkë me të tjerë Rilindas përmes vargut poetik ngriti më këmbë shqiptarët. Është nga poetët më të vlerësuar e të lexuar sot për sot në trojet shqiptare dhe në Mërgatën kombëtare përmbi një shekull. Po të shohësh dramat e demokracisë Shqiptare që kalojnë sot shqiptarët nuk ke si të mos ndjesh Nolin, Fishtën, Pashën, Asllanin e të tjerë. Kurse nga poetët Amerikanë më pëlqen Eliot, Frost, Longfellow, Bishop.

Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Kritika letrare ekziston, por nuk e ka fuqinë që duhet të ketë për të ndikuar me profesionalizëm në lëvrimin e poezisë a çdo krijimi letrar në vënien në dukje si anëve pozitive dhe anëve negative në prurjen me botimet e reja. Kritika duhet të jetë me zë më të fortë. Vetëm njerëzit e letrave që krijojnë pa u favorizuar nga askush, që kanë si qëllim prezantimin e një letërsie të arrirë mund të vlerësojnë edhe profesionalisht edhe qytetarisht një krijues.

Çfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?
Thjesht të jesh vetvetja, duhet të punosh me këmbëngulje të plotësosh vetveten edhe me krijimtari, edhe me punë të ndershme. Çdo gjë arrihet me punë edhe pa u ndihmuar nga miq. Vetëm kështu identifikohesh për çfarë je dhe çfarë krijon ashtu si burimet që kanë vetëm ujërat e pastra të tyre. Thjesht bëj ëndrrën që ke parë dhe gëzoje ëndërrbërën.

Mesazhi tuaj për inteligjencën shqiptare..
Inteligjenca shqiptare në trojet Shqiptare si edhe këtu në SHBA nuk duhet të heshtë kur shoqëria, atdheu, kombi ka nevojë më shumë se kurrë për fjalën e saj. Kambana vazhdon të bjerë edhe për mirëorganizimin e saj. Ne si komb jemi duke u ringritur dhe kushdo ndihmon me mendimin e tij, por edhe me zërin e tij. Por me zëra të përbashkuar mund të afrojmë më shumë ardhmëri.

Bisedoi: RAIMONDA MOISIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
QANTE SI FËMIJË LUMI MITIKADEM ZAPLLUZHA – Katër poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (12.11.2014)
LE TE LUTEMI PER SHKRIMTAREN ROZI THEOHARI (12.10.2014)
JERONIM DE RADA DHE ROLI I TIJ NË ZHVILLIMIN E ALBANOLOGJISË GJERMANENga INA ARAPI (12.10.2014)
TRISHCikël me poezi lirike nga PËRPARIM HYSI (12.10.2014)
SHPRISHEN RETËTrevargshCikël poetik nga QAZIM D.SHEHU (12.10.2014)
PAS GJURMËVE TRAGJIKE TË 'IKJES SË MADHE'Mpakja dëshpëruese e popullsisë së vendit tonëNga Prof. dr. ESHREF YMERI (12.10.2014)
KALËROJ NËPËR ËNDRRAT E MIAADEM ZAPLLUZHA – Katër poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve” (12.09.2014)
NË NDERIM TË 70 VJETORIT TË ZONJËS VIVRANga Prof. dr. ESHREF YMERI (12.08.2014)
DY POEZI NGA MARIJA KONOPLJAPërktheu: FASLLI HALITI (12.07.2014)
DJEMTË E LIRISË SË BURGOSUREse për librin e shkrimtarit, Kadri Rexhaj, „Pikëtakime letrare“Nga RRUSTEM GECI (12.06.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]