E Hënë, 04.29.2024, 04:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
TOM DOSHI I BËN SELAM LLALLËS - TËRHIQU NGA KËRKESA PËR ARRESTIMET

E Martë, 03.24.2015, 08:04pm (GMT+1)



Deputeti socialist Tom Doshi, i cili denoncoi një komplot për vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit, i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të tërhiqet nga kërkesa për arrestimin e tij. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, avokatët e ligjvënësit Doshi, Vladimir Meçe e Ferid Muçaj, rendisin një sërë argumentesh, sipas të cilave, Prokuroria e Përgjithshme ka kryer shkelje të rënda të procedurës në rastin e çështjes "Doshi". "Në rastet kur Prokuroria e Përgjithshme nuk i ka kryer veprimet proceduriale sikurse e kërkon ligji, ajo duhet të tërheqë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit Tom Doshi, dhe të vazhdojë normalisht me hetimin e kësaj çështjeje", theksojnë avokatët.
Mandej, mbrojtësit ligjorë kërkojnë t'u vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe provat që fajësojnë të mbrojturin prej tyre Tom Doshi, pasi kjo, theksojnë ata, i shërben respektimit të ligjit, e mbi ligjin nuk duhet të dalë askush, as prokurori i përgjithshëm.

KERKESA E PLOTE

Lënda: Mbi procedimin penal nr.1/2015 në ngarkim të shtetasit Tom Doshi.
Drejtuar: Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë
Z. Prokuror i Përgjithshëm,
Me shkresën nr.1118/1, datë 20.03.2015, Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z. Tom Doshi, është vënë në dijeni nga Sekretari i Përgjithshëm se nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, me shkresën e tij 1004/2 prot., datë 20.03.2015 është depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë "Kërkesa për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Tom Doshi".
Nga kërkesa e sipërpërmendur rezulton se Prokuroria e Përgjithshme, mbi bazën e vendimit "Për shpalljen e moskompetencës lëndore" të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të Rënda, datë 20.03.2015, ka regjistruar procedimin penal nr.1 për veprat penale të "kallëzimit të rremë", "kanosjes për deklarim a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë" dhe "deklarata të rreme përpara prokurorit", vepra këto që parashikohen respektivisht nga nenet 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal, në ngarkim të deputetëve të Kuvendit, Tom Doshi dhe Mark Frroku dhe shtetasit Durim Bami.
Rezulton sa nga më sipër, se Prokuroria e Përgjithshme ka kryer vetëm regjistrimin e procedimit penal dhe ka adresuar në Kuvendin e Shqipërisë "Kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Tom Doshi", pa kryer asnjë veprim tjetër hetimor a procedurial.
Ndryshimi që i është bërë dispozitës së nenit 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.88/2012, datë 18.09.2012, botuar në Fletoren Zyrtare nr.132, datë 11.10.2012, lejon organin e procedimit që edhe pa marrë leje në Kuvendin e Shqipërisë, të fillojë procedimin penal ndaj një deputeti të tij. Por, kjo nuk do të thotë që deputetit të Kuvendit t'i mohohen dhe shkelen të drejtat dhe garancitë proceduriale, të cilat i garantohen çdo shtetasi nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Akteve të tjera ndërkombëtare të miratuara dhe ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës Penale.
Ligji Procedurial Penal, në dispozitën e pikës 4 të nenit 34 të K. Pr. Penale, përcakton se:
"Dispozitat që zbatohen për të pandehurin zbatohen edhe për personin nën hetim, me përjashtim të rasteve, kur ky Kod parashikon ndryshe. Ndaj këtij personi shtrihen edhe të drejtat dhe garancitë që janë parashikuar për të pandehurin".
Interpretimi logjik e gramatikor i dispozitës së sipërshënuar është i qartë; pozita e personit nën hetim është e barabartë me atë të të pandehurit, në mënyrë të veçantë për sa u përket të drejtave dhe garancive proceduriale.
Përjashtimin nga ky rregull, ligji duhet ta bëjë shprehimisht. Në fakt, në Kodin tonë të Procedurës Penale nuk konstatohet asnjë rast përjashtimor. Ndërsa, për sa u përket të drejtave dhe garancive proceduriale që duhet të gëzojë personin nën hetim, dispozita e mësipërme nuk bën asnjë dallim mes dy cilësive; në këtë rast, pozita e personit nën hetim është e barabartë me atë të të pandehurit.
Pra, me regjistrimin e emrit të personit në regjistrin e personave të cilëve u atribuohet vepra penale, ai duhet të njoftohet që ndaj tij po zhvillohen hetime, duhet t'i njoftohen faktet për të cilat po hetohet dhe provat që kanë krijuar për të dyshimin serioz se ai ka kryer veprën penale për të cilën po hetohet. Edhe pse ligji procedurial nuk ka vendosur në mënyrë të shprehur detyrimin e organit të procedimit që të marrë një vendim, siç veprohet në rastin e vendimit për njoftimin e akuzës të pandehurit, shenja e barazimit që vetë ligjvënësi ka vendosur mes dy cilësive, e detyron organin e akuzës që të kryejë të njëjtat veprime me personin nën hetim, sikundër edhe me të pandehurin.
Kodi i Procedurës Penale, qysh në nenin 1 të tij përcakton se:
"Legjislacioni procedurial penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve".
Në rastin e deputetit Tom Doshi, nga ana e organit të prokurorisë nuk janë respektuar kërkesat e ligjit, janë shkelur garancitë dhe të drejtat e tij kushtetuese dhe proceduriale.
Sqarojmë se kompetente për hetimin e deputetëve, ministrave etj., është Prokuroria e Përgjithshme e Republikës.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, pikërisht për këtë arsye ka marrë edhe vendimin "Për shpalljen e moskompetencës lëndore".
Ajo prokurori, duke mos qenë kompetente, nuk mund të kryente veprime që do të fajësonin deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, pasi këto veprime do të konsideroheshin "nul".
Kjo, vendos përpara detyrimit prokurorinë kompetente që të kryejë të gjitha veprimet për të konstatuar nëse ka përgjegjësi deputeti apo jo, t'i komunikojë deputetit faktet objekt akuze dhe provat që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ai e ka kryer veprën për të cilën akuzohet, ta vërë atë në kushtet që të mbrohet vetë apo me një avokat mbrojtës, t'i krijojë mundësinë, që të japë ai versionin e tij të fakteve dhe të paraqesë provat që e shfajësojnë, e më pas, nëse krijon bindjen se ndaj tij duhet marrë edhe një masë sigurimi, t'i drejtohet Kuvendit, sikurse e kërkon edhe Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 73 të saj.
Në rrethanat e sipërpërmendura, duke qenë se Prokuroria e Përgjithshme, nuk i ka kryer veprimet proceduriale sikurse e kërkon ligji, ajo duhet të tërheqë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit Tom Doshi, dhe të vazhdojë normalisht me hetimin e kësaj çështjeje.
Ndërkohë, duke u deklaruar si mbrojtës të deputetit Tom Doshi, sipas prokurës së posaçme, kërkojmë që të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe provat që fajësojnë, të mbrojturin dhe të përfaqësuarin prej nesh, të na komunikohet urdhri për regjistrimin e emrit të tij në regjistrin e personave të cilëve u atribuohet vepra penale, të lejohemi të japim shpjegime dhe të paraqesim prova, në këtë cilësi të re, pra të personit nën hetim.
Gjithë çka po kërkojmë i shërben respektimit të ligjit, e mbi ligjin nuk duhet të dalë askush, as prokurori i përgjithshëm, i shërben gjithashtu garantimit se procedimi do të jetë një procedim i rregullt ligjor, ku të respektohen të gjitha të drejtat që individit Tom Doshi, ia garantojnë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të Drejtat e njeriut, të gjithëpranuara dhe ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Me konsideratë,
Av. Ferid Muçaj
Av. Vladimir Meçi
Klodiana Lala


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RADIO EVROPA E LIRË - SHTATË MUAJ NGA NJOHJA E FUNDIT E SHTETIT TË KOSOVËS (03.24.2015)
BANKA BOTËRORE JEP 32 MILIONË EURO HUA PËR MJEKËSINË SHQIPTARE (03.24.2015)
BEOGRAD - DIGJEN FLAMUJT E NATOs, BEsë, SHBA DHE KOSOVËS (03.24.2015)
Western Balkans’ 6 - KOSOVA, MIKPRITËSE E KRYEDIPLOMATËVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR (03.24.2015)
ZËRI I AMERIKËS - PËRVJETORI I FILLIMIT TË BOMBARDIMEVE TË NATOs KUNDËR FORCAVE SERBE (03.24.2015)
RAMA - MBAJTJA E KOSOVËS NËN REGJIMIN E VIZAVE, TURP PËR BE-NË (03.24.2015)
14 SHQIPTARË TË KOSOVËS NË KOMBËTAREN E FUTBOLLIT (03.24.2015)
HYMNI I RI I KOMBËTARES SHQIPTARE 'KUQ E ZI JE TI' (03.24.2015)
HASHIM THAÇI - SHUMICA E KOSOVARËVE IU BASHKUAN UÇK-së PAS LUFTËS (03.24.2015)
A1 Report, ILIR META - SPARTAK BRAHO I TREGOI SALI BERISHËS 2 VIDEO (Intervista e plotë) (03.24.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]