Ministri i Jashtëm gjerman, Gido Westerwele, ka deklaruar në Begrad se Serbia duhet të përballet me faktin se Kosova është e pavarur dhe bëri thirrje për bisedime mes Beogradit e Prishtinës lidhur me çështjet praktike.
Ministri i Jashtëm gjerman është në një turne ballkanik dhe qëndron të premten në Kosovë.
Njoftohet se në Beograd ai ka diskutuar me zyrtarët më të lartë serbë për projekt-rezolutën serbe në OKB, dhe ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është tashmë fakt.
"Pavarësia e Kosovës është realitet dhe u konfirmua pa mëdyshje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë," tha zoti Westerwelle në Beograd.
"Harta gjeografike e Evropës Juglindore është përcaktuar dhe ka përfunduar," tha ai duke vënë në dukje se problemet e Evropës duhet të zgjidhen në Bruksel e jo në Nju Jork.
Ministri gjerman këmbëngul se është e domosdoshme të zhvillohet dialog, që "të ketë gatishmëri për koncesione e jo të shkohet kaq shumë në konfrontim".
Ai tha se është optimist se një ditë përfaqësuesit e Kosovës me ata të Serbisë së bashku me përfaqësuesit e vendeve të tjera do të jenë në një tavolinë për vendosur bashkarisht për çështje të BE-së.
Qëndrimi serb
Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq tha pas bisedimeve me homolgun e tij gjerman se vendi i tij është i gatshëm për "bisedime konstruktive me partnerët evropianë", por rikofirmoi qëndrimin e Serbisë se çështja e statusit të Kosovës nuk është mbyllur.
"Serbia nuk do të tërheqë rezolutën e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara," tha zoti Jeremiq.
"Ne jemi të gatshëm për bisedime konstruktive për të gjitha çështjet, përfshirë edhe çështjen e rezolutës, por ajo që është e sigurt është se Serbia nuk mund ttë mbështesë konkluzionin që eventualisht mund të propozohet nga Asambleja e Përgjithshme e me të cilin nuk vihet në pikëpyteje pavarësia e Kosovës," tha zoti Jeremiq.
Presidenti Boris Tadiq ia ka përcjellë ministrit Westerwelle se Serbia llogarit ndihmën e BE-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ka vënë në dukje se Serbia angazhohet që zgjidhja për Kosovën të arrihet me anë të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Edhe kryeministri serb Cvektoviq ka shprehur bindjen se dialogu është rruga e vetme për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe ka nënvizuar se "jemi të gatshem të konsultohemi afër për çdo gjë me BE-në".
Spekulime për rezolutën
Shtypi serb spekullon se pas takimeve me ministrin e Jashtëm Gjerman Serbia është e gatshme që bashkë me BE-në të punojë në rezolutën e vet, që nënkupton në modifikimin e tekstit të rezolutës së tashme.
Gazeta Beogradase Blic shkruan se Serbia dhe BE-ja do të orvaten që me anë të rezolutës të gjejnë zgjidhje për hapjen e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës rreth çështjeve kontestuese.
Kjo do të thotë se Beogradi e Brukseli mund të gjejnë mënyrën si të modifikohet Rezoluta e Serbisë e dërguar në Kombet e Bashkuara, shkruan gazeta.
(http://www.bbc.co.uk/albanian)