VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - E vërteta është interpretimNga Skënder BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 11:48pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

E vërteta është interpretim

Nga Skënder BUÇPAPAJ


E Enjte, 06.18.2009, 07:11pm (GMT+1)

 

 

 

 

"E vërteta është interpretim." Kështu thoshte filozofi gjerman i  shekulli të njëzetë Hans-Georg Gadamer në kryeveprën e tij "E vërteta dhe metoda" ("Warheit und Methode"), botuar më 1960. Gadamer e ndërtoi filozofinë e tij mbi moton "Asgjë nuk ekziston përveçse nëpërmjet gjuhës", duke zhvilluar një teori të përgjithshme të kuptimit dhe të interpretimit të formësuar nga përvoja e artit.

 

Sistemi i tij i filozofisë hermeneutike, themeluar dhe përfaqësuar prej tij, ardhur pjesërisht nga idetë e filozofëve Wilhelm Dilthey, Edmund Husserl dhe Martin Heideger, është me ndikim në fusha të ndryshme të dijes dhe të kulturës.

 

Hermeneutika lindi si nevojë e studimit të parimeve të përgjithshme të interpretimit të Biblës dhe kishte si qëllim kryesor zbulimin e të vërtetave dhe të vlerave të Biblës, e cila shihej si një shpallje hyjnore. Kështu hermeneutika u profilizua në katër tipe të saj: literal, që synon në interpretimin e tekstit në kuptimin e tij të plotë; moral, që synon në formulimin e parimeve nga të cilat mund të nxirren mësimet; alegorik, që synon në nxjerrjen e kuptimeve të brendshme që ndodhen nën cipën e kuptimit të sipërfaqshëm; dhe analogjik apo mistik, që synonin interpretimin e ngjarjeve biblike të pasqyruara në jetën e mëvonshme të njerëzimit. Përgjatë kohës hermeneutika mori kuptimin e leximit të "thellë" të teksteve. Në këtë shtrat lindi edhe poststrukturalizmi, një nga përfaqësuesit kryesorë të të cilit është Roland Barthes, dhe që insistonte në të vërtetën nëpërmjet gjuhës, pra nëpërmjet tekstit.

 

Jo më kot Gadameri përsëriste se ai lexonte vetëm libra të shkruar deri para dy mijë vjetësh. Sa më në zanafillë të saj, aq më e lexueshme, prandaj aq më e interpretueshme është e vërteta, së cilës, siç është dhënë metaforikisht në romanin e Umberto Ekos "Emri i trëndafilit", strukur nëpër skuta labirintesh të pafundme ku çdo gërme, çdo shtrese gërmash në gurë, në pergamena, në papiruse, në lëkura kafshësh apo drurësh, në fletë, në gjethe, në letra e tjerë i bëhet rojë, aq sa edhe i ngrihen gracka të pafundme së vërtetës, në fakt interpretimit të saj.

 

Të parëve tanë, qëkur iu lindi ideja për shkrimet dhe për librat, madje me siguri edhe më herët se aq, iu lindi ideja për ta zëvendësuar realitetin me shkrimin, për ta zëvendësuar të vërtetën me interpretimin e saj. Jo më kot interpretimi i tekstit si shkencë lind pikërisht si nevojë e leximit të këtyre shkrimeve dhe librave.

 

Pra e vërteta është tejet relative, është absolutisht relative, ajo i shtrin kështu kufijtë e saj aq sa ia lejon interpretimi.

 

Ideja për këtë temë më ka lindur kohë më parë. Pikërisht kur në veri të Mitrovicës, në lagjen Kroi i Vitakut, vazhdonin për javë të tëra protestat e organizuara nga Beogradi kundër rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve, shkatërruar në pranverën e vitit 1999 nga militarët, paramilitarët dhe nga policia e pushtuesit. Atë pranverë pushtuesi përzuri rreth një milionë shqiptarë nga Kosova. Rreth një milion të tjerë u zhvendosën brenda Kosovës. Disa dhjetëra mijë shqiptarë të përzënë jashtë vendit ishin nga veriu i Mitrovicës. Atyre nuk iu lejua dhe as sot e kësaj dite nuk iu lejohet kthimi në trojet e veta dhe në vatrat e veta. Protesta te Kroi i Vitakut, ndonëse me një pjesëmarrje tejet të pakët, prej disa "kokrra militantësh ekstremistë serbë", siç thuhej, ishte tejet e mediatizuar. Në vlerësimet zyrtare paraqitej si një veprim spontan i këtyre individëve, i cili po haste në vendosmërinë e trupës së EULEX-it dhe të Shërbimit Policor të Kosovës. Jemi mësuar të përballemi me veprime të tilla "spontane" të eksponentëve të Beogradit në radhët e pakicës serbe. I kemi parë që në vitet 1970. Ndonëse paraqiteshin si të rastësishme, ato kishin strategji dhe prapa tyre fshihej gjithmonë dikush tjetër që kërkonte atëherë rrënimin e Autonomisë së vitit 1974. Përvoja e kësaj periudhe ka treguar se asnjë veprim dhe asnjë qëndrim i këtyre eksponentëve nuk ka qenë spontan, nuk ka qenë i shkëputur, por ka qenë sistamtik, ka qenë i organizuar dhe i qëllimshëm, ka qenë pjesë e një sistemi të tërë kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

 

E vërteta e veriut të Mitrovicës, bazuar në çdo logjikë, duhej të ishte e vërteta e pikërisht atyre dhjetëra mijë shqiptarëve të cilëve dhjetë vjet rresht nuk iu lejohet të kthehen në vatrat dhe në trojet e tyre. Dhjetë vjet më parë thuhej se shifra e tyre e saktë ishte 30 mijë veta. Më vonë nuk zuri në gojë askush ndonjë shifër. Fati i këtyre të përzënëve u shpërfill. Dhjetë më vonë është përmendur, si nën zë, shifra 10 mijë veta. Në mesin e qershorit 1999 ata u ndalën tek Ura e Ibrit dhe nuk u lejuan të kthehen në Kosovën ku kishte hyrë NATO. Veriu i Mitrovicës mbeti nën kontrollin e të ashtuquajturave Roja të Urës, struktura të Beogradit, të cilat asnjëherë nuk janë shpërbërë zyrtarisht. Pra, veriu i Mitrovicës, në mënyrë flagrante dhe absurde, u bë pjesë e së vërtetës së interpretuar si gjoja përzënie e popullsisë me përkatësi serbe, për të cilën u përmendën e vazhdojnë edhe këto ditë të përmenden shifra stratosferike. Një interpretim i tillë e shndërroi një trillim në një të vërtetë deri më sot de fakto të pranuar nga të gjithë dhe që rezulton me përmbysjen demografike të veriut të Mitrovicës, me mbetjen e kësaj zone jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës edhe një vit pas zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit, me vënien në dyshim të integrimit të saj në kuadrin e pjesës tjetër të vendit.

 

Moskthimi i shqiptarëve të veriut të Mitrovicës u ligjërua kështu si kundërveprim i Beogradit ndaj gjoja përzënies nga shqiptarët të kaq e aq qindra mijë serbëve të Kosovës në qershorin e vitit 1999 si gjoja revansh antiserb. U ligjërua si pjesë e interpretimit serb të së vërtetës përkartëse, interpretim i ngulitur në trurin e bashkësisë ndërkombëtare, të opinionit zyrtar botëror në mënyrë sistematike, si një tërësi e plotë, sipas së cilës pjesëtarët e atij populli janë viktima të fqinjëve të tyre dhe çdo veprim i tyre, sado i diskutueshëm apo i papranueshëm, është thjeshtë kundërveprim, përpjekje për të vënë në vend drejtësinë. Si të tillë edhe sot e kësaj dite veriu i Mitrovicës, fati i shqiptarëve të përzënë, integriteti dhe sovraniteti i Kosovës mbeten viktimë e një të "vërtete" të interpretuar në mënyrën më të sofistikuar në kurrizin e së vërtetës shqiptare.

 

E vërteta tragjike e veriut të Mitrovicës është pjesë e së vërtetës tragjike njëshekullore të Kosovës, e cila u kulmua me spastrimin etnik që ndërmori Serbia në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kjo finale pati rezultat 11 mijë shqiptarë të vrarë, 10 mijë shqiptarë të zhdukur, disa mijërave prej të cilëve ende nuk iu dihet fati. Kjo e vërtetë duhej skalitur në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të Evropës dhe të njerëzimit. Duhej shkruar për hir të mos-harresës, për hir të mospërsëritjes së saj në asnjë lloj forme. Duke rënë në grackën e burokracisë ndërkombëtare që u vendos në Kosovë, kjo e vërtetë dita ditës u hesht dhe pa vonuar u shndërrua në tabu. Ismail Kadare para disa ditësh, në emisionin Rubikon të Kohavizion thoshte se krimet serbe në Kosovë duhet ndriçuar, Evropa nuk i di ato.

 

Pra, e vërteta tragjike e veriut të Mitrovicës, është pjesë një të vërtete që asnjëherë nuk e ka interpretuar vetveten, gjithherë e kanë interpretuar të tjerët, pjesë e një vërtete interpretimi i së cilës mbetet monopol i të tjerëve.

 

Duke përfituar nga e vërteta e interpretuar keq e Kosovës, Serbia, nga xhelate deri në mesin e qershorit 1999, do të ngulmonte në perceptimin e saj si viktimë. Dhe do të vinte dita që do të dilte me akuzën për trafikim të organeve të serbëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës nëpërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Kjo frymë revanshi do të merrte hov veçanërisht pas daljes së librit të ish kryeprokurores së Hagës Karla Del Ponte "Gjahu" ku cekej kjo temë. Kundërvënia njëcope që ia bënë mediat shqiptare këtij trajtimi linte përshtypjen sikur i gjithë libri i kushtohej kësaj teme. Kjo kundërvënie bëhej mbi bazën e citimeve dhe perifrazimeve nga mediat e huaja dhe jo mbi bazën e leximit të librit. Me mijëra faqe kundërvënie në mediat shqiptare në fakt nuk merreshin aspak drejtpërdrejt me tri katër faqet e tekstit të librit disa qindra faqesh të Del Pontes. Mediat shqiptare, gjithnjë të kontrolluara nga fije të padukshme, edhe në këtë rast bënë shumë dëm dhe hiç dobi. Ndërkohë që me përgjigjen ndaj thënieve të librit duhej të merreshin institucionet e specializuara të Shqipërisë e të Kosovës. Dhe, në kohën e duhur, duhej të jepnin përgjigjen institucionet qeveritare e ato shtetërore.

 

E pra, do të kishte qenë e udhës që ato faqe të librit "Gjahu" të ishin përkthyer, mundësisht në mënyrë eksperte, dhe, nga njëra anë, interpretimi i Del Pontes t'i nënshtrohej në media qortimit të nevojshëm të niveleve të publikut shqiptar, nga ana tjetër, institucionet eksperte të dilnin me qëndrimin e përshtatshëm zyrtar.

 

Kam përmendur se kur Vlladan Gjorgjeviq, ministër i Jashtëm e më vonë Kryeministër i Serbisë së asaj kohe, botonte librin "Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha", me një interpretim absolutisht flagrant, tejet emocional dhe tejet fyes ndaj shqiptarëve, shqiptarët e asaj kohe patën durimin ta përkthenin e ta botonin. Dhe, meqë libri merrej kryesisht me interpretime rreth racës shqiptare, atëherë intelektualët shqiptarë do t'ia jepnin përgjigjen nëpërmjet interpretimeve që qenies natyrore shqiptare ia bënin autoritetet shkencore të disiplinave përgjegjëse, siç ishte antropologjia. Në këtë kontekst botohej, për shembull, edhe libri "Raca shqiptare" i Jakov Milajt, një libër i ndërtuar krejtësisht mbi fakte shkencore të deriatëhershme, pa asnjë retorikë, ndonëse në periudhën e socializmit i gjykuar mbrapsht.

 

Me të njëjtën strategji si ndaj Kosovës dhe nëpërmjet rrethanash të tjera Serbia arriti të zbehë të vërtetën e Bosnjës në favor të interpretimit serb të të "vërtetës". Qeveria e Bosnjës e akuzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ International Court of Jusice) Serbinë për përfshirje në genocid në Bosnjë gjatë luftës së viteve 1992-1995. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 26 shkurt 2007 e përcaktoi natyrën e luftës si ndërkombëtare, pra duke e shkarkuar kështu Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për genocid të kryer nga forcat serbe të Republikës Serbe. Në një lëvizje boshe, e cila mua më tingëllon edhe cinike, ndërkaq, ICJ doli në përfundimin se Serbia nuk ia arriti të parandalojë genocidin e kryer nga forcat serbe dhe dështoi në ndëshkimin e atyre që kryen genocidin, në mënyrë të veçantë ndaj Ratko Mlladiçit, dhe t'i sjellë ata para drejtësisë. E njëjta gjykatë, pra ICJ, doli me vendimin se kriteri për genocid me qëllim specifik (dolus specials) për t'i shkatërruar muslimanët boshnjakë gjendet vetëm në Srebrenicë ose në Bosnjën Lindore më 1995. Gjykata arriti në përfundimin se krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1992-1995, mund të jenë krime kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar, por këto akte nuk përbëjnë në vetvete genocid. Gjykata më tej vendosi se, në vijim të deklaratës së Malit të Zi për pavarësi në maj 2006, Serbia është vetëm një përgjegjëse e pjesëshme në këtë rast, por se "çdo përgjegjësi për ngjarjet e shkuara e ndërlikojnë në kohën përkatëse shtetin e Serbisë dhe të Malit të Zi". Një vit e diçka pas këtij interpretimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Serbia do të kërkonte zyrtarisht që, nëpër hetimeve të posaçme, të ndriçohet e vërteta e krimeve të kryera ndaj serbëve në Bosnjë, ngaqë, sipas saj, kjo vërtetë është vënë në hije të pretendimeve se janë bërë krime vetëm kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

 

Hans Georg Gadamer, më tej, në librin "E vërteta dhe metoda" thoshte: "Çdo kuptim i një elementi të vetëm është i kushtëzuar nga kuptimi i së tërës. Çdo shpjegim i një elementi të vetëm parakupton kuptimin e së tërës." Pra një e vërtetë e pjesëshme mund të qëndrojë vetëm në kuadrin e një të vërtetë të tërë e të plotë dhe mund të shpjegohet vetëm në këtë kuadër."

 

Nga logjika e ndërtimit të së "vërtetës" së vet, të interpretuar në mënyrë të tërë dhe të plotë, në fakt udhëhiqet në veprimet e saj Maqedonia. Me ato veprime që duken si sharlatane, në thelb qëndron synimi i këtij vendi për të marrë në duart e veta të "vërtetën" e vet, për ta monopolizuar atë dhe për ta imponuar atë në marrëdhënie me të tjerët, pra qoftë në marrëdhënie me jomaqedonët e atjeshëm, qoftë në marrëdhënie me vendet e tjera. Në gati njëzet vjet të pavarësisë së saj, Maqedonia ka synuar të imponojë interpretimin e saj rreth identitetit gjuhësor, identitetit kulturor, identitetit historik, me një fjalë identitetit kombëtar që ashtu t'i përgjigjet identitetit shtetëror. Në këtë kontekst janë edhe investimet e bëra në Shkup për t'ia dhënë identitetin përkatës kryeqytetit, si i krishter lindor, si sllav, si maqedon. I fundit i tyre ishte investimi për kishën e madhe në qendër të qytetit.

 

Sa ia vlen të investosh për interpretimin e së vërtetës e kuptonte më herët, ndoshta se të gjithë të tjerët, në kohën e tij Fridrih Niçe (Friedrich Nietsche), kur thoshte: "Gjithçka është subjekt i interpretimit, cilido interpretim që mbizotëron në një kohë të dhënë është në funksion i fuqisë dhe jo në funksion të të vërtetës." Është po ai Niçe që thoshte. "Faktet nuk ekzistojnë. Ekzistojnë vetëm interpretimet."

 

Kohët e fundit bëri bujë edhe ndërtimi i monumentit të Aleksandrit të Madh po në qendër të Shkupit. Ky veprim ngjalli reaksionin e madh të Greqisë. Ekspertët botërorë, duke u marrë me këtë rast, nënvizuan se kemi të bëjmë me një spekulim si nga ana e maqedonëve, ashtu edhe nga ana e grekërve, sepse Aleksandri i Madh, siç e njeh historia, nuk ka të bëjë me të vërtetën e mirëfilltë të asnjërit prej këtyre dy vendeve dhe as të ndonjë vendi tjetër ballkanik.

 

Dikush mund ta ketë quajtur veprim të trashë të Maqedonisë humbjen e shansit të hyrjes në NATO duke mos pranuar ndryshimin e emrit. Përtej dukjes së vrazhdë edhe kjo ka pasur në thelb të njëjtën strategji. Edhe sjelljet ndaj Kosovës, mosftesa e Presidentit, ndryshimi i protokollit në mënyrë të njëanshme, mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike kanë qëllim të përcaktuar qartë. Këto ditë ky vend hapi tri pika të reja kufitare me Serbinë. Në kontekstin ku ndodhet, Maqedonia e shikon të ardhmen e saj në rajon në ndërtimin e marrëdhënieve përparësore me serbët, duke vënë në rrafsh të dytë shqiptarët, bullgarët dhe grekët. Ndërsa si strategji afatgjatë do të ketë katërcipërisht shfrytëzimin e çdo koniunkture të favorshme.

 

Jo pa njëfarë habije me "trashësi» të tilla të Maqedonisë, mediat botërore i bënë jehonë këto ditë daljes dhe propagandimit të librit "Historia e popullit maqedonas", ku, siç thonë këto media, bazuar në lajmin e së përditshmes Dnevnik të Shkupit, pohohet se maqedonët e sotëm janë më shumë pasardhës të maqedonëve antikë sesa të sllavëve:"Maqedonasit e sotëm janë përzierje e maqedonëve antikë dhe sllavëve, me ç'rast etnosi antik ka mbizotëruar në simbiozën e dy popujve." Po sipas Dnevnik, në libër thuhet se epoka e Aleksandrit III duhet të quhet "maqedonizëm" e jo "helenizëm", dhe se fiset sllave nuk kanë qenë aq të numërta sa të mund ta asimilojnë popullatën vendase. Duket çmenduri fakti që, me një të rënë të lapsit, në Shkup mendohet se mund të çinterpretohen ato koncepte të cilat janë ngulitur në një interpretim të njohur dhe të pranuar botërisht, tashmë në mënyrë absolutisht të pacënueshme. Vetë Dnevnik komenton se libri "Historia e popullit maqedonas", në gjuhën maqedonase dhe angleze, i botuar nga Instituti për Histori Kombëtare në Shkup, përmban ndryshime të rëndësishme krahasuar me botimet e mëhershme të këtij institucioni shtetëror. Krejt theksi bie tek fjalia e mëposhtëme: "Libri, të cilin e ka financuar Qeveria e Maqedonisë, do t'u shpërndahet ambasadave të huaja në Shkup." Pra librin e ka porositur qeveria e Maqedonisë, e ka financuar qeveria e Maqedonisë, e ka udhëhequr qeveria e Maqedonisë. Dhe do ta përdorë atë si version zyrtar të të vërtetës të cilën kërkon ta imponojë.

 

Kjo ndodhi tregon se interpretimet kanë, në fund të fundit, versionin e tyre zyrtar. Versioni zyrtar mbrohet nga politika zyrtare e vendit apo faktorit të interesuar drejtpërdrejt për të. Në rast shtrembërimesh, me ose pa dashje, shkeljeve dhe të gjitha formave të tjera të daljes jashtë versionit zyrtar të interpretimit, politikat zyrtare, nëpërmjet instancave përkatëse, protestojnë, në shkallë të ndryshme, duke e konsideruar të rëndësisë së veçantë në marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe të vendit respektimin e versionit zyrtar të së vërtetës për të cilën janë drejtpërdrejt të interesuara.

 

Sa më të pabazuara në vetvete të jenë interpretimet, aq më provokuese, më të dëmshme dhe më të rrezikshme bëhen të vërtetat sapo të jenë eksportuar jashtë kontekstit të brendshëm të një vendi a të një shoqërie, pra në marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe. Prandaj pajtimi, i heshtur, me këto interpretime është i pjesëshëm dhe i përkohëshëm. Një ndjeshmëri të tillë e shpreh gazeta amerikane "Wall Street Journal" në editorialin "Krimet e Kremlinit" të 11 qershorit 2009. Ajo ia kujton Perëndimit dhe botës se, edhe falë heshtjes së tyre, teksa njerëzimit kremton 20 vjetorin e çlirimit të tyre nga komunizmi dhe sovjetët, Moska po synon ripërtëritjen e dominimit ndaj satelitëve, ku rishkrimi i historisë së Rusisë është pjesë e këtij plani. "Ideja putiniste e sistemit progresiv sovjetik në të kaluarën, është e përpiluar ta arsyetojë qëndrimin e fortë aktual të Rusisë në rajon." Më në fund, pas njëzet vjetësh të heshtjes në anën perëndimore të botës, gazeta e qarqeve financiare amerikane dhe botërore ia lejon vetes një interpretim si ky: "Megjithëqë Rusia ishte njëra nga fuqitë fituese në fund të Luftës së Dytë Botërore, Moska vazhdon ta fshehë faktin historik se vetë Bashkimi Sovjetik e pati ndihmuar fillimin e luftës në aleancë të ngushtë me Gjermaninë naziste." Gazeta ia kujton Moskës faktin se nëpërmjet marrëveshjes Ribentrop Molotov, Stalini kishte bërë plane me Hitlerin për copëtimin e Evropës Lindore. Ajo i kundërvihet drejtpërdrejt atij interpretimi putinian që e shikon Moskën në dritë absolutisht të ndryshme nga realiteti. Dhe përmend faktin që zgjedha e Kremlinit ndali zhvillimin e gjithanshëm të shumë vendeve dhe kombeve për më shumë se një gjysmë shekulli. Përmend faktin se Stalini ka vrarë më shumë rusë dhe shtetas të tjerë sovjetikë se nazistët. Përmend shifrën disa milonëshe të viktimave të shkaktuara nga Stalini gjatë deportimeve sovjetike të civilëve dhe spastrimeve ushtarake. Kështu nga fajtore dhe humbëse Rusia intepreton veten si viktimë dhe fituese. "Wall Street Journal" ia kujton Moskës se, ndërsa Gjermania ka paguar deri në centin e fundit reparacionet e luftës, Rusia nuk ka paguar asgjë. "Rusia ka ndërmarrë edhe një hap tjetër për rishqyrtim të historisë së saj, kur ka formuar një komision presidencial për promovimin e versionit sovjetik të historisë dhe, siç thuhet, për ta kundërshtuar propagandën "anti-ruse", që e dëmton imazhin ndërkombëtar të këtij vendi. Derisa Rusia i jep shkëlqim të rrejshëm të së kaluarës së saj të errët dhe i tregon muskujt e vet, ekziston frika se ata që e rishkruajnë historinë, mbase mund të jenë të përkushtuar për ta përsëritur atë." Në kuadrin e krimeve sovjetike, siç e kujtonte këto ditë ambasadori afgan në Romë, është edhe tragjedia e Afganistanit, e cila në thelb ka pikërisht autorësinë sovjetike të vitit 1979. Ndonëse shoqëria ruse mëtonte të ishte ndarë nga Stalini që prej mesit të viteve 1950, logjika e njëjtë e shndërron Stalinin, një gjeorgjian, në simbol të krenarisë sovjetike të Rusisë.

 

Interpretimet në formën e qëndrimeve zyrtare paraqiten drejtpërdrejt nga instancat shtetërore ose nga institucionet pranë qeverive. Akademitë e Shkencave janë rëndom shprehëse të tyre. Në rastet e shoqërive jolaike këto qëndrime i shprehin edhe institucionet klerikale. Atje ku ekziston shtypi partiak, ai konsiderohet si shprehës i tyre. Ndërsa në shoqëritë me media të pavarura si shprehëse më të mirëfillta të qëndrimeve zyrtare apo pothuajse zyrtare konsiderohen mediat që janë më të parapëlqyera për qeveritarët për të dhënë deklaratat apo intervistat e tyre.

 

Jo pak provokuese dhe të dëmshme nga këndi aktual dhe sidomos perspektiv për rajonin, siç i përmenda edhe më lart, janë edhe prirjet maqedone për ta bërë çorbë historinë. Ndër të tjera, Maqedonia mëton të zhvatë nga shqiptarët figurën e Nënë Terezës. Ia ka vënë syrin edhe Skënderbeut. Në fund të fundit, të vetmit që humbasim figura dhe që jemi gati t'ua japim me të dyja duart të tjerëve duket se jemi ne shqiptarët.

 

Rishikimi i figurave në kuadrin e revizionimit të përhershëm të historisë është në logjikën e çdo kombi të qytetëruar. Por, nga ana tjetër, rrënimi i tyre është rrënim i figurës së kombit. Sikurse individët, edhe kombet kanë ndjenjën e tyre të autoironisë, pra të ndreqjes dhe të përkryerjes së përhershme nëpërmjet vetëkritikës, nëpërmjet vënies në dukje të të metave me qëllim që t'i ndreqin ato. Por askujt nuk i falet vetëposhtërimi. As nga Zoti, as nga njeriu.

 

Rishikimet e historisë bëhen për ta pasuruar atë dhe kurrsesi për ta varfëruar. Çdo herë ato pasqyrojnë në vetvete shkallën e vetëdijshmërisë së një kombi për vlerat e veta.

 

Është koha, pra, që ne shqiptarët t'i dalim zot të vërtetës sonë. Në këtë të vërtetë nuk mund të lihet jashtë për kurrnjë çast as Shqipëria, as Kosova, as hapësirat e tjera shqiptare në Maqedoni, Mali të Zi apo kudo tjetër në gadishull, nuk mund të lihet jashtë Diaspora. Pa pasur një të vërtetë të plotë në duart tona ne nuk mund t'iu dalim zot me dinjitet fateve tona. Pa pasur ne monopolin e së vërtetës sonë, nuk mund t'ia imponojmë askujt këtë të vërtetë. Dhe nuk do të arrijmë të parandalojmë asnjë nga fatkeqësitë të cilat mund t'i kanosen kombit. Dhe fatkeqësi për kombin është secila fatkeqësi që i kanoset çfarëdo pjese të tij, kudo që ndodhet ajo.

--

Shënim: Ky shkrim është referati i mbajtur nga autori më 13 qershor 2009 në Tryezën e Rrumbullakët të Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kosova hyn në vitin e njëmbëdhjetë të lirisë (06.11.2009)
Dy Vjet pas vizitës të Presidentit Bush në Tiranë - Ky editorial është botuar më 10 Qershor 2007DHJETË MILIONË SHQIPTARË JANË ME XHORXH W. BUSHNga Elida Buçpapaj (06.10.2009)
Editorial: Zgjedhjet ta afrojnë klasën politike me zgjedhësit (06.06.2009)
Hashim Thaçi nuk ka nevojë për "leksionet" e Mero BazesNga Elida Buçpapaj (06.04.2009)
REAGIM "DISKRET" PAS MIRATIMIT TË REZOLUTËS NGA 57 VENDE TË OKI-TNga Elida Buçpapaj (05.29.2009)
Shkrim i Elida Buçpapajt botuar më 31 dhjetor 2001 - ribotohet pa asnjë ndryshim, bashkë me poemën e Carl Sandburg  - KULTI I AMERIKËS DHE KULTI I KOSOVËS -    Nga Elida Buçpapaj (05.21.2009)
Portret - Xhoe Bajden misionar i pavarësisë së Kosovës (05.21.2009)
Mesazhet e Bajdenit (05.20.2009)
Shkupi ngurron edhe më tej të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën (05.19.2009)
Shënim: SHBA kërkon një fillim të ri diplomatik në Ballkan    Nga Adam Tanner (05.18.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]