Profesor Artan Fuga shkruan bukur e saktë si askush tjetër rreth vendimit të
autoriteteve të fesë katolike për shkishërimin e atyre që vrasin dhe shpifin se
vrasin gjoja në emër të Kanunit.
Vrasjet që kanë ndodhë në këto dy dekada në Shqipëri janë në masën mbi 90
përqind vrasje mafioze dhe jo vrasje në bazë të rregullave të arta të kanunit.
Krahas vrasjes së njerzve, krahas privimit të lirisë për gratë e fëmijët e
ngujuar, krejt antikanunore, ata që kanë bërë vrasje në këto dy dekada kanë
therë me thikë me helm edhe vetë Kanunin e Lekë Dukagjinit, këtë vlerë të
pallogaritshme të trashëgimisë sonë kombëtare. Sa here është vrarë një njeri
gjoja në emër të kanunit, aq plumba i janë ngulë edhe Kanunit.
Po aq herë sa plumba janë derdhë mbi njerëzit në emër të Kanunit, aq plumba janë
derdhë në fytyrën e në zemrën e Kishës katolike, urës që lidh shqiptarët me
qytetërimin perendimor.
Mendoj se keto vrasje në këto dy dekada, siç kanë ndodhë, përveçse kanë marrë
jetë njerzish, janë ngujuar fëmijë e gra, kanë pasuruar biznes-negociatorët dhe
biznes-shoqatat e pajtimit-nxitjes-pajtimit-nxitjes së gjakmarrjes, kanë
shëmtuar jo pa qëllim dy gjera thelbësore të qenies së shqiptareve: Kanunin e
lashtë shqiptar dhe Kishen katolike.
Ky shemtim, nuk me bind dot askush ndryshe, ka qenë krejt i qëllimshëm, krejt i
financuar, krejt antishqiptar, krejt i studiuar e programuar me platformë
antishqiptare.
Sepse Kanuni shqiptar është themel i trashëgimisë sonë, kushtetutë që bind edhe
dreçin se shqiptarët kanë jetuar me ligje, rregulla e kode përfekte që
shumëkush nga kombet e mëdhenj ua kanë zili. Dhe sepse Kisha katolike ka qenë
urë e pashembshme që ka lidhë shqiptarët me qytetërimin perëndimor. Ndaj duhen
përdhosur e shkërmoqur si Kanuni ashtu edhe Kisha katolike. E sidomos Kisha
katolike, kjo urë që lidh shqiptarët me perëndimin. Ndaj shumica e vrasjeve,
shumica e shëmtive në emër të Kanunit të Lekë Dukagjinit kanë ndodhë në pjesën
katolike të Shqipërisë.
Ky konstatim që po bëj, ose që po artikuloj, pasi s'është vetëm i imi, nuk
është thirrje apo nxitje që sponsorizuesit e gjakmarrjes e biznesi i
gjakmarrjes të shtrijnë aktivitetin e tyre të biznesit kriminal edhe në zonat
myslimane apo ortodokse shqiptare. Jo, por është vetëm kujtesë dhe argument.
Kujtesë për Kishën katolike që duhet ta mendojë thellë se pse vetëm në trevat
ku ajo vepron bëhen vrasje, dhe argument për të pohuar se duke goditur zonat
katolike me vrasje të shëmtuara, duan të godasin e të shembin urën e
shqiptarëve me perëndimin.
Profesor Artan Fuga apelon për gazetarët që nuk arritën të informojnë e të
ndriçojnë në thellësi aktin madhështor apo vendimin që morën autoritetet
kishtare për shkishërimin e atij që vret.
Profesor Fuga po kërkon ca si shumë. Gazetarëve tanë u pjell lopa dy herë në
vit profesor. Jam pjesë e atij komuniteti, por më duhet ta pranoj se gazetarëve
tanë ju pjell lopa dy herë në vit.
Veç pyetjeve të shumta që duhet të bënin gazetarët, siç ua tregon profesor
Artan Fuga, unë po shtoj edhe një tjetër.
Gazetarët shqiptarë duhet tua bënin në vijim autoriteteve kishtare edhe këtë
pyetje: Pse kaq vonë, pas kaq humbje jetësh njerzore, u mor ky vendim nga
Kisha.
Shteti tani gjeti aleat Kishën më në fund. Kisha të shkisheron. Lum kush nuk e
provon këtë ndëshkim. Flasim gjithmonë për njerzit. Shteti duhet të ndryshoje
ligjin : kush vret të denohet me burgim të përjetshëm, pa alternativë tjetër,
pa asnjë nen, paragraf apo nënparagraf tjetër, pa i dhënë mundësi asnjë
gjyqtari apo prokurori të bëjë interpretime, pa i dhënë mundësi asnjë
institucioni të bëje falje apo amnisti asnjëherë për të paktën 100 vjet, deri
në 200 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë. Dhe të harrohet e ndalohet me ligj
për avokatët, prokurorët e gjyqtarët e të gjitha niveleve deri në Strasburg apo
në hënë po deshe, shprehja se edhe krimineli ka të drejtë...
Jam thellësisht i bindur tani që u aktivizua Kisha, se po të ndryshohet urgjent
kodi penal, duke vënë taksativisht nenin se kush vret në emër të gjakmarrjes,
siç e cilësojnë gazetarët kur ndodh vrasja në Veri, apo të hakmarrjes kur ajo
ndodh në Jug, denohet me burgim të përjetshëm, të padiskutueshem, të
paapelueshëm, të pafalshëm, të paamnistueshëm nga asnjë individ, institucion
apo gjykatë, vrasjet në Shqipëri do të ndalen.
Se shqiptaret qe vrasin nuk jane
as aq trima e as aq budallenj sa duken.