E Martë, 05.26.2020, 04:06am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DEMISTIFIKIMI I NJË GËNJESHTRE TË PROPAGANDËS SERBE!
Nga SAMI REPISHTI

E Enjte, 10.04.2012, 11:37am (GMT+1)




Shtatëmbëdhjetë vite ma parë, Jusuf Buxhovi botonte një shkrim me titull “SPEKULIME MBI KANCELARIN GJERMAN, BISMARK”. Ja riprodhimi i tij sipas gazetës “Rilindja” të Kosovës.

Ka kohë që thuhet se Kancelari i parë gjerman, (Otto von) Bismark, gjatë Kongresit të Berlinit (l878), gjoja ka thënë se “Shqipëria është vetëm një koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”. Faktet historike tregojnë se Bismarku… në mbledhjen e 7-të të Kongresit të Berlinit dhe në atë të 13-të, shqiptarët i zen me gojë si “popull etnik europian që ka hapësirën e vet, e cila duhet të ruhet e paprekur në kuadër të Perandorisë Otomane”.

U bënë më shumë se njëqind vjet qëkur spekulohet me një thënje të Kancelarit të parë gjerman (Otto von) Bismark, se gjoja ka thënë se “Shqipëria është nji koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”. Farkuesit e këtij konstatimi, në radhë të parë historianët serbomëdhenj në krye me Cubriloviçin, Haxhivasileviçin, Grashaninin etj., që vijnë deri në ditët tona, gjithnjë kanë cituar një “studim” të Vlladan Gjorgjeviçit (përndryshe Kryeministër i Serbisë në prag të Luftës së Parë Botërore), ku ai në një libër pamflet (L’Albanie et les Grandes Puissances, SR.) kundër shqiptarëve, të botuar në vitin l913 në disa gjuhë dhe në disa qendra evropiane, sjell mendimin e Bismarkut “të cituar” nga dokumentet e Kongresit të Berlinit. Këtë “zbulim spektakolar historik” Gjorgjeviçi e përdor qëllimisht për të ushqyer qarqet e priruna antishqiptare gjatë dhe pas mbajtjes së Konferencës në Londër (1913) në mënyrë që ata të kenë një “argument” më tepër që të mos u lejohej shqiptarëve shteti, sepse diçka e tillë nuk ka qenë asnjëherë në projektet e kancelerive europiane që nga Kongresi i Berlinit e tutje, kur është hartuar harta e Ballkanit.

E vërteta, megjithatë, është tjetër fare. Gjykuar nga dokumente origjinale të Kongresit të Berlinit që ruhen në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të qeverisë gjermane në Bonn, si dhe nga dokumente që u botuan në Gjermani me rastin e kremtimit të njëqindvjetorit të Kongresit të Berlinit (1978) në një vëllim të madh nga “Herald Bokit Geiss”, mund të thuhet se ky “konstatim” i Gjorgjeviçit nuk ekziston fare. Në seancën e 10-të, së cilës i referohet Gjorgjeviçi, shihet qartë se çështja shqiptare nuk është zanë në gojë fare. Përkundrazi, për shqiptarët dhe problemet e tyre që lidhen me Serbinë dhe Malin e Zi bëhet fjalë në dy seanca të tjera, në atë të 7-tën dhe në të 13-tën.

Në seancën e shtatë, të datës 26 qershor 1878, në të cilën u bë fjalë për Serbinë dhe kufirin e saj të ri në drejtim të Bosnjës dhe të Portës (Turqisë), në “pikën katër” të vendimeve të seancës, në mënyrë recidive, vetë Bismarku formuloi këtë konstatim:
“Kazatë shqiptare Veshtrria, Kurshumlia, Yrkyp (Prokuplje) dhe Leskovaci nuk duhen ndarë nga Porta (Turqia). Nëse Kongresi do të vendoste që një pjesë e kësaj hapësire të shkëputet, pjesa Prepolac-Shlubt (Takhali Khan Getsidt) pjesët midis Kurshumlise dhe Prishtinës duhet të mbeten në Turqi, në mënyrë që të ruhet rrethi i Prishtinës dhe i Vranjës, të cilat njëheri duhet të paraqesin pjesën veriore të kufirit të Portës (Turqisë)”.

2

Ky pasus i Protokollit të Kongresit gjendet edhe në botimin komplet të materialeve të Kongresit të Berlinit nga Immanuel Geiss (në faqen 238).

Në paragrafin shtesë të Protokollit 8, në “pikën dy,” po ashtu Bismarku, gjatë diskutimit fjalë për fjalë angazhohet që:
“Rrethet shqiptare Rozhaja dhe Gusia, si dhe Malësia e Hotit dhe e Kelmendit, po ashtu të banuara me popullatë shqiptare, t’i mbesin Portës (Turqisë)”.

Ne pikën “c” të të njëjtit Protokoll, prapë ndeshim propozimin e Bismarkut në këtë formë decidive që i është paraqitur Kongresit, e ku thuhet:
“Pasi që rrethi i Tivarit, bashkë me qytetin banohet ekskluzivisht prej shqiptarëve, duhet të mbetet nën mbikëqyrjen e Portës”. (shih faqe 259.)

Nga Protokolli i seancës së 7-të dhe anekset që iu bënë Protokollit të seancës së 8-të, angazhimet e Bismarkut janë të qarta në të mirë të ruajtjes së etnisë shqiptare. Ato që gjenden në proceset e mbledhjeve flasin se Bismarku ka qenë tepër preciz dhe decidiv në përcaktimin e territoreve etnike shqiptare. .…Përfaqësuesi turk, Mehmed Ali Pasha, në mbledhjen e 4 korrikut (1878), pas insistimit të Bismarkut, do të deklarojë, dhe kjo do të shënohet në Protokoll, se Porta do të respektojë veçoritë etnike të qyteteve dhe krahinave shqiptare si Plava, Gusia, Tivari. Në të njëjtin Protokoll, madje shënohet fjala përfundimtare e Mehmed Ali Pashës, ku thuhet:
“…Tivari shqiptar nuk mund të shkëputet nga Shqipëria”. (faqe 296.)

Në seancën e 13-të të Kongresit të Berlinit, të mbajtun më 5 korrik (1878), ku bahet fjalë për disa privilegje dhe njifarë si autonomi e Mirditës, që përkrahet nga Austro-Hungaria dhe Franca, Bismarku diskutimin e tij e mbaron me këto fjalë:
“Duhet të bisedojmë edhe për një përmasë të çështjes shqiptare”.

Pra, ai edhe veçimin e qëllimshëm të Mirditës nga ana e Austro-Hungarisë dhe Francës, që kërkonin të shtrohet në kuadër të “disa privilegjeve”, e konsideronte si segment të çështjes shqiptare. Po të ishte, si pohon Vladan Gjorgjeviçi dhe historiografia serbe, Bismarku nuk do ta zinte fare me gojë çështjen shqiptare apo edhe bisedimin për dimensionin e një përmase shqiptare, siç e konsideronte çështjen e Mirditës.

Në dobi të këtij konstatimi flet edhe një material tjetër që ruhet në Arkivin Shtetror gjerman në Bon. Fjala është për hartën e re të Ballkanit dhe të pjesës europiane të Perandorisë Otomane që iu prezentua diplomateve në Berlin nga ana e Bismarkut, pas mbylljes së Kongresit. Në këtë hartë shihet qartë përkufizimi etnik i tokave shqiptare dhe i Shqipërisë, së mbetur në kuadër të Portës (Turqisë) – në Veri shkon deri te Vranje, në Lindje zbret kah Tetova deri në Ohër dhe shkon në Jug deri në Janinë dhe Artë. Kjo hartë ka qëndruar një kohë të gjatë në kabinetin e Bismarkut.
Megjithatë, spekulimet e qëllimshme të Gjorgjeviçit dhe të historiografisë serbe rreth Bismarkut janë bërë “fakt historik” edhe për shumë historianë shqiptarë, të cilët edhe sot e gjithë ditën citojnë atë që nuk e ka thënë kancelari gjerman. Nga mosnjohja e fakteve, veçanërisht e materialeve origjinale të Kongresit të Berlinit, dhe dokumenteve të tjera që janë botuar rreth kësaj konference tepër të rëndësishme për Ballkanin dhe për ne, historiografia shqiptare këtë kapitull ende e trajton në bazë të ngarkesave ideologjike apo të referencave spekulative të të huajit.

“Është koha që të hulumtohen të gjitha dokumentet dhe të dilet me një qëndrim të qartë, të plotë dhe shkencor rreth Kongresit të Berlinit dhe çështjeve të tjera, të cilat ende gjithnjë janë të mistifikuara, të pandriçuara apo të keqinterpretuara”. (Jusuf Buxhovi, marrë nga RILINDJA (Prishtinë) 11 shkurt 1995, f. 10 )

* * *

Koment: Në lidhje me shtrembënimin e historiografisë serbe të qëndrimit të kancelarit gjerman Otto von Bismark, për çështjen shqiptare, kemi nji konfirmim edhe me studimin e Prof. Stavro Skendi: The Albanian National Awakening. (Princeton University Press Princeton, N.J.: l976) te cilin po e riprodhojmë pa shkurtime. (SR)

“ …Më 31 tetor 1880, u mbajt nji mbledhje e përgjithshme e parisë shqiptare në xhaminë kryesore të Janinës; aty u vendos që shqiptarët duhet të ishin gati me mbrojtë atdheun e tyne nga agresioni grek. Në atë moment, i gjithë Epiri ishte akoma në duert e shqiptarëve, të cilët kishin marrë sigurime nga Komiteti i Lidhjes (së Prizrenit) Shkodër, se do të ndihmonte në momentin që grekët do të kalojshin kufinin (e tokave shqiptare). Autoriteti i tyne (shqiptarëve) ishte i fortë në Epir, ai i Sulltanit ishte i dobët. Prandej, nuk ishte e sigurtë nëse Sulltani do të ishte i aftë me u dorëzue grekëve (qytetet) e Artës e Prevezës.

…Nji Konferencë e dytë e Ambasadorëve u mblodh atëherë në Istanbul. Më 21 shkurt 1881, Konferenca kërkoi që Sulltani të paraqesë propozimet e veta. Delegati turk propozoi që Janina, Metsovo dhe Preveza mos t’i jepen Greqisë, sepse do të dilnin vështirësi të mëdha nga shqiptarët. Nji propozim me shkëmbye Epirin me (ishullin) e Kretës u sugjerue nga (kancelari gjerman) Bismark, dhe që ma vonë u njoh si “politika e kompensimit”. Rusia e përkrahu fuqimisht, siç duket nga dëshira që të shtyhet Greqia sa ma shumë nga kontinenti (i Europës) dhe të jetë e kufizueme në ishujt, d.m.th. të jetë sa ma pak e damshme për interesat sllave. Propozimi dështoi…(f. 81)

…Dy mendime të shprehuna në atë ditë janë të mbështetuna në logjikë të shëndoshë, përsa i përket marrëdhanjeve në mes të shqiptarëve dhe grekëve.

I pari u paraqit në revistën franceze Journal des Debats (26 mars 1879) që kërkonte të mos bahen llogaritë pa shqiptarët. Sepse “do të ishte nji gabim i madh me mendue se shqiptarët nuk janë nji komb. Ekziston nji komb shqiptar i vërtetë që sot mendon pa asnji dyshim të fitojë vetëqeverisjen. … Dhe kështu duhet të mendojnë edhe grekët…”.
I dyti u çfaq nga (Kancelari) Bismark, cili ma parë kishte mohue ekzistencën e nji kombsie shqiptare. (*) Në shkurt 1881, kur filluen përleshjet në mes të turqëve dhe shqiptarëve në Veri (Tuz, Hot, Grudë, Plavë, Gusi etj., SR) (Kancelari gjerman Otto von) Bismark deklaroi se ishte në interesin e Greqisë të jetë në marrëdhanje të mira me shqiptarët, meqenëse ata janë aleatët e tyne natyral kundër sllavëve dhe turqëve”.
(f. 86, dhe shënim 144: L.Tandschau, “Durchfuerung des Berliner Kongressakte (1880-81) në “Dr. Busch.Deutsche Rundschau, CXXXXVII-April, May, June 1911, ff. 222-248)

(*) Prof. Stavro Skëndi i referohet autorit francez A. Mousset. L’Albanie devant l’Europe (l912-1929) f. 7; si dhe Federal Writers’ Project, Massachusetts. The Albanian Struggle in the Old World and the New, l939; “… At the Congress of Berlin, however, Albanian demands for autonomy and protests against the partition of their land were dismissed with (Chancelor) Bismarck’s curt: There is no Albanian nationality. (f. 35)

Gënjeshtra e Dr. Gjeorgjeviçit arriti të penetrojë edhe shkollarët shqiptarë. Në botimin e vitit 2002, Historia e Popullit Shqiptar, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, kjo shprehje përsëritet pa kritikë: “…Abdyl Frashëri, kryetar i delegacionit, u përpoq të bindëte kryetarin e Kongresit, Kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi, duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”. (f. 162)

Kjo gënjeshtër e trillueme nga Prof. Vladan Gjeorgjeviç vazhdon të përsëritet edhe sot e kësajë dite në shtypin shovinist serb.


SAMI REPISHTI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HESHTJA KRIMINALE E SHTYPIT DHE MEDIAVE TË TIRANËS NDAJ GREVISTËVE – MOS HARRONI SE INDIFERNCA VRET!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.03.2012)
BOTA KU SOT NE JETOJMËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (10.01.2012)
LETЁR E HAPUR FEDERATЁS PAN-SHQIPTARE VATRANga ILIR HYSA (09.30.2012)
PROFESOR ARTAN FUGA KËRKON SHUMËNga REXHEP SHAHU (09.29.2012)
TË NDEZIM QIRINJ PËR SHUARJEN E DIPLOMACISË SË KOSOVËS NË GJERMANINga Mr. sc. NUE OROSHI (09.26.2012)
ZYRTARIZIMI I ANTIAMERIKANIZMIT NË KREMLINNga SHABAN MURATI (09.24.2012)
VIJAT E ASHPRA, VIJAT E KUQE DHE VIJAT E VERDHANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (09.23.2012)
VOA TERHEQ GJITHNJË NOBELISTËTNga FRANK SHKRELI (09.23.2012)
225 VJETORI I KUSHTETUTËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA - NOVUS ORDO SECULORUMNga FRANK SHKRELI (09.20.2012)
SHQIPËRISË ORA E PRONËS I KA NGECUR NË VITIN 1946Ese nga SKËNDER BUÇPAPAJ (09.18.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2020  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]