VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË SHENJË ATROFIZIMI E DIPLOMACISË DHE E QEVERISË SHQIPTARENga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 02:50pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NJË SHENJË ATROFIZIMI E DIPLOMACISË DHE E QEVERISË SHQIPTARE
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 01.08.2013, 07:34am (GMT+1)




Një heshtje e habitshme e diplomacisë dhe e qeverisë shqiptare po shoqëron disa zhvillime negative në disa shtete të Ballkanit, ku qeveri dhe personalitete të larta zyrtare atakojnë publikisht apo prekin interesa të drejtpërdrejta të shtetit të Shqipërisë. Gjatë muajit dhjetor autoritetet e Beogradit u bënë të njohur ambasadave të shteteve të mëdha dhe të të gjithë vendeve anëtare të BE të ashtuquajturën platformë politike të bisedimeve të qeverisë së Serbisë me Kosovën, e cila pritet të diskutohet në parlamentin serb në 11 janar. Sipas një logjike profesionale, Tirana duhet të ketë marrë informacion që në atë kohë. Pas një qarkullimi disaditor dhe fragmentar në disa organe serbe, platforma u botua e plotë në gazetën serbe "Danas" në 21 dhjetor dhe Tirana nuk mundet më të justifikohet me mungesën e informacionit. Përveç aspekteve të zakonshme të dinakërive diplomatike dhe juridike serbe për zhbërjen e shtetit të pavarur të Kosovës, për të cilat i takon qeverisë së Prishtinës t'i përgjigjet, (ndonëse sipas Kushtetutës dhe përgjegjësisë kombëtare i takojnë edhe asaj të Tiranës), platforma e Serbisë përmban një propozim zyrtar, i cili i adresohet drejtpërdrejt qeverisë së Shqipërisë. Në nenin "E" të propozimeve të paraqitura në platformë formulohet tekstualisht se "Garant i sigurisë dhe i statusit të demilitarizuar të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë mund të jenë forcat e armatosura të BE-së (EUROCORPS), Ushtria e Serbisë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".

Kemi një propozim të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, hartues kryesor i platformës, i cili pohon se e ka punuar atë gjatë shumë viteve, drejtuar direkt qeverisë së Shqipërisë, që forcat e saj të armatosura të bëhen garante të sigurisë në të ashtuquajturën "krahinë autonome të Kosovës", së bashku me forcat e armatosura të Serbisë. Para se të hyjmë në atë se çfarë nënkupton ky propozim, duhet të vëmë në dukje se "abc"-ja e diplomacisë dhe e politikës së jashtme kërkon që një propozimi të tillë të rëndësishëm zyrtar duhet t'i jepet një përgjigje zyrtare nga pala, të cilës i drejtohet propozimi. Forma nuk ka rëndësi dhe vetëm profanët mund të mbrohen pas justifikimit se propozimi serb nuk ka ardhur ende në Tiranë në kanale diplomatike. Beogradi e lëshoi ballonin e vet të provës në drejtim të Shqipërisë dhe ai po fluturon në qiellin diplomatik të Tiranës. Jo rastësisht Serbia e "konsultoi" me ambasadat kryesore në Beograd, e qarkulloi në qarqet diplomatike në Beograd e në Bruksel dhe e botoi edhe në shtyp, me qëllim që të bënte testin. Serbisë i duhej të regjistronte se si do të reagojnë qendrat e rëndësishme të diplomacisë perëndimore si Brukseli e Uashingtoni, por edhe si do të reagojnë dy shtetet më të interesuara për objektin e platformës, Kosova dhe Shqipëria. Uashingtoni, Brukseli dhe Prishtina, në forma të ndryshme, menjëherë e hodhën poshtë platformën serbe.

Diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë po hesht në një mënyrë të papërligjshme dhe me një mungesë të tejtheksuar përgjegjshmërie shtetërore dhe kombëtare. Propozimi i Serbisë don të thotë që Shqipëria duhet të heqë dorë nga njohja dhe mbrojtja e Kosovës si shtet i pavarur, duhet të pranojë statusin e ri të saj si "krahinë autonome e Serbisë" dhe për më tepër, duhet të dërgojë forcat e saj të armatosura, që bashkë me forcat serbe të garantojnë varësinë e Kosovës nga Serbia dhe rendin e qetësinë serbe në këtë të ashtuquajtur krahinë. Me një fjalë, ka një propozim zyrtar serb për të krijuar një forcë policore të përbashkët të Serbisë dhe të Shqipërisë, për të bërë xhandarin e Serbisë në Kosovë.

Pyetja e parë që lind vetiu është se përse Serbia i drejton një propozim të tillë të çuditshëm Tiranës dhe çfarë sigurie apo informacioni ka ajo se qeveria e Tiranës mund të tregohet e gatshme të lëshojë Kosovën dhe të mbështesë Serbinë në këtë strategji. Çfarë sigurie ka Beogradi që mendon se qeveria e Tiranës mund të jetë e gatshme të dërgojë forcat e saj ushtarake, që krah për krah me forcat ushtarake dhe xhandarmërinë serbe të patrullojnë territorin dhe popullin shqiptar të Kosovës. Është një pyetje që lind natyrshëm po të kemi parasysh se u bë disa herë që Serbia po i ofron Tiranës propozime "gjeneroze" në dëm të pavarësisë së Kosovës dhe "në dobi" të qeverisë së Shqipërisë. I tillë ishte edhe propozimi i presidentit të mëparshëm serb, Boris Tadiç, drejtuar Tiranës qershorin e vitit të kaluar për të prishur dhe ndarë Kosovën përgjysmë mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe Beogradi ofronte lejimin e krijimit të "Shqipërisë së Madhe". "Pse"-të janë të shumta. Një përgjigje mund të gjendet te shpella e errët, e pazbuluar, e marrëdhënieve të nëndheshme mes politikës serbe dhe asaj shqiptare, hulumtimi i së cilës natyrisht shkon përtej kufijve të një shkrimi dhe detyrës së analistit.

Serbia mund të jetë inkurajuar nga shumë veprime dhe qëndrime të qeverisë së Tiranës, e cila pas vitit 2005 ka krijuar për biznesin dhe për penetrimin serb në Shqipëri klimën më të favorshme të heqjes së dyerve, më shumë se Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha në kulmin e tyre të miqësisë me Serbinë. Serbia mund të jetë inkurajuar nga fakti që diplomacia dhe qeveria shqiptare kanë ndjekur në politikën e tyre të jashtme kursin idiot se "çfarëdo të bëjë dhe sido që të sillet Serbia ndaj Kosovës, marrëdhëniet dypalëshe serbo-shqiptare nuk preken nga kjo gjë". Serbia mund të jetë inkurajuar nga fakti se Tirana nuk ngre asnjëherë çështjen e reparacioneve, që Serbia duhet t'i paguajë Kosovës për shkatërrimet dhe masakrat në vitet 1998-1999. Nuk ngre asnjëherë Tirana çështjen e reparacioneve, që duhet t'i paguajë Serbia Shqipërisë për minat dhe predhat serbe të hedhura në territorin e Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë dhe nga të cilat janë shkaktuar qindra viktima të pafajshme në malësitë e Shqipërisë së Veriut, nga është edhe vetë kryeministri i Shqipërisë. Serbia mund të jetë inkurajuar edhe nga fakti se Shqipëria praktikisht ka përkrahur në Këshillin e Europës rezolutën famëkeqe të Dik Martit dhe madje në mënyrë skandaloze ka votuar pro saj, në një kohë kur katër deputetë turq votuan kundër. Lista e mëkateve është tepër e gjatë dhe do të meritonte një libër.

Mungesa e reagimit të diplomacisë dhe të qeverisë së Shqipërisë ndaj propozimeve apo provokimeve zyrtare të Serbisë nuk mund të mos shihet me dyshim në Kosovë, kur shohin se vëllai i madh, që u bie tumpanave dhe çiftelive patriotike nga mëngjesi deri në darkë për gjithë shqiptarët në një shtet, nuk shprehet as me gjysmë fjale e as me gjysmë zëri për veprime, plane, propozime dhe qëndrime të politikës dhe të diplomacisë serbe, të cilat godasin interesat jetike të kombit shqiptar dhe interesat shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë. Heshtja e Tiranës nuk mund të mos shkaktojë dyshime edhe në NATO, ku kreditet atlantike të Tiranës janë në nivelet minimale, sepse Brukseli e sheh se Beogradi me platformën po kërkon dëbimin e forcave të NATO-s nga Kosova dhe për çudi, në vend të tyre, i bën ftesë një shteti anëtar, nga më të dobëtit e aleancës, të dërgojë forcat e armatosura atje.

Pika e mbingopjes ka kaluar prej kohësh dhe qytetarët kanë të drejtën demokratike të kryqëzojnë përgjegjësit e një situate të papranueshme, kur kemi kapur nivelin e mjerueshëm të shtetit me aksionet më të ulëta ndërkombëtare në Ballkan. Sepse në atë kuotë arrihet, nëse nuk reagon ndaj Serbisë, që të nëpërkëmb, ose nuk reagon kur ish-presidenti i Greqisë,K. Stefanopullos, del dhe deklaron në 22 tetor 2012 se "Korça është tokë greke", nëse nuk reagon kur një parti parlamentare në Greqi në 1 janar 2013 deklaron se "nacionalistët grekë do të vendosin rendin në tokën e lashtë greke të Ilirisë". Nëse një diplomaci dhe një qeveri nuk reagon ndaj cenimit të interesave, të sovranitetit dhe të dinjitetit të shtetit dhe të kombit, ajo i krijon shtetit gjendjen ku, siç thotë një filozof i vjetër, "nuk është vështirë të bëhesh krimb, mjafton të mos ankohesh kur të shkelin". Kjo ka të bëjë me njerëzit, por kjo ka të bëjë edhe me shtetet. Nga filozofia dhe mentaliteti i nënshtrimit nuk të shëron as anëtarësimi në NATO e as anëtarësimi në BE, sepse ka të bëjë me genin e atyre, që drejtojnë shtetin dhe kombin.

Mungesa e reagimit kur të prekin interesat jetike të shtetit dhe të kombit është shenjë e qartë e atrofizimit të diplomacisë dhe të qeverisë.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HOSSANA, BARJABA!Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.07.2013)
PUSHTETI DHE PERVERSITETINga XHEMAL AHMETI (01.06.2013)
DIASPORA SHQIPTARE SI PJESË E VENDIMMARRJES NË SHQIPËRI DHE KOSOVËNga ARTUR VREKAJ - WORCESTER, MA, SHBA (01.06.2013)
EPIRI DHE PËRKATËSIA ETNIKE E EPIROTËVE’’S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë!’’. "Correspondence de Lord Byron",Paris,1825Nga ISUF B. BAJRAMI (01.05.2013)
'SHEKSPIRIANIZMI' SI ARSYE UNIVERSALEStudim nga Dr. PËRPARIM KABO (01.04.2013)
Reagim ndaj shkrimeve të R. Xhungës dhe N.SpahiutNEXHMEDIN SPAHIU BËN SHQYTARIN PROFAN TË RUDINA XHUNGËS!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (01.04.2013)
USHTRINË TIME DO TA BËJNga FRANK SHKRELI (01.04.2013)
ROBERTO BENIGNI I THURI HYMN 'MË TË BUKURËS SË BOTËS' – DHE SHQIPËRINË AKTUALE E KRAHASOI ME MESJETËNNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.02.2013)
GËZUAR VITIN E RI 2013Nga FRANK SHKRELI (12.30.2012)
XHORXH H. W. BUSH DHE PARALAJMERIMI I KRISHTLINDJES 20 VJET MË PARËNga FRANK SHKRELI (12.28.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]