VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË GRUSHT SHTETI I NISUR NJË VIT MË PARËNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 03:29am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NJË GRUSHT SHTETI I NISUR NJË VIT MË PARË
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 08.26.2013, 02:35pm (GMT+1)


Ngjarjet dramatike në Egjipt, shteti epiqendër i pranverës arabe nuk mund të konsiderohen një çeshtje vetëm egjiptiane, por janë panarabe, mesdhetare dhe ndërkombëtare. Janë ngjarje, ku përplasen e ndërthuren shumë interesa strategjike të shteteve të rajonit, arabe dhe joarabe, por edhe në një plan më të gjerë, të Perëndimit e të Lindjes. A është i papritur grushti i shtetit që organizuan gjeneralët në Egjipt dhe që ndezi në debatin politik, diplomatik e gjeopolitik ndërkombëtar pikëpyetjen e madhe nëse mori fund pranvera arabe? Nuk mund të quhet e papritur kthesa negative e zhvillimeve në atë shtet, sepse përpjekjet e restaurimit të një regjimi të përmbysur janë një komponent shoqërues historik i të gjitha revolucioneve demokratike dhe popullore në gjithë rajonet e botës dhe në gjithë historinë e njerëzimit. Nuk mund të bënte përjashtim Egjipti.

Para më shumë se një viti, në 18 qershor 2012, kam botuar në faqet e kësaj gazete analizën me titull "Kundërrevolucioni egjiptian", ku kam ngritur shqetësimin e fillimit të një grushti shteti nga ana e gjeneralëve, që nisi me shpërndarjen arbitrare të parlamentit të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në këtë analizë kam theksuar se "junta ushtarake ka aktualisht pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, duke zhvleftësuar me aktin e grushtit të shtetit 'juridik', gjithë sakrificat e mëdha të revolucionit 18-mujor egjiptian, që përmbysi Mubarakun, dhe ku u vranë me qindra të rinj e të reja në kërkim të lirisë, demokracisë dhe shporrjes së pushtetit të diktatorit".

Tani kundërrevolucioni egjiptian u sanksionua në formën e tij klasike të grushtit të shtetit me rrëzimin në 3 korrik të presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në historinë e Egjiptit, me rrëzimin e qeverisë së dalë nga zgjedhjet demokratike dhe me masakrat barbare ndaj popullsisë civile të paarmatosur në 14 gusht, ku vetëm në një ditë forcat e ushtrisë dhe të policisë vranë me gjakftohtësi mbi njëmijë vetë, sipas mediave të huaja, dhe mbi 4000 vetë, sipas burimeve egjiptiane. Masakra të tilla masive nuk mund të quhen ndryshe veçse si hakmarrje e regjimit të ish-diktatorit Mubarak, ndaj rinisë dhe popullit, që e përmbysën dy vjet më parë. Që simbolika e restaurimit të jetë sa më e plotë dhe më sinjifikative, nga Egjipti erdhën këtë javë dy njoftime. Lajmi i parë është se junta e gjeneralëve e liroi nga burgu në 22 gusht ish-diktatorin Mubarak, të akuzuar për vrasjen e mijëra vetëve gjatë pranverës egjiptiane. Lajmi i dytë është se në njëjtën kohë, kundër ish-nënpresidentit të caktuar nga vetë junta ushtarake, Mohamed El Baradei, laureat i çmimit Nobel, i cili dha dorëheqjen në 14 gusht, në shenjë proteste ndaj masakrës së forcave ushtarake kundër popullsisë civile, është shpallur padi gjyqësore me akuzën pse dha dorëheqjen.

Në qarqet diplomatike perëndimore pikëpamjet janë të ndara mes atyre, që e përkrahin grushtin e shtetit të gjeneralëve dhe atyre që nuk justifikojnë veprimet e dhunshme të ushtarakëve. E panjohura e parë e madhe strategjike është se, pavarësisht nga pakënaqësitë, që mund të ketë shkaktuar në vend dhe në perëndim presidenti i zgjedhur demokratikisht Mohamed Morsi me hapat e tij gjatë vetëm një viti të presidencës, a janë dhe a mund të vendosin në Egjipt demokracinë junta e ushtarakëve të regjimit të vjetër? Mund të konsiderohet naiv, dhe madje cinik, iluzioni se junta e gjeneralëve, që ka dominuar me dorë të hekurt vendin prej 60 vjetësh, do të ecë drejt demokracisë dhe lirisë së popullit. Junta e ushtarakëve, me në krye gjeneralin Mubarak, e kishte pushtetin prej 30 vjetësh deri në vitin 2011 dhe populli ndodhej në një varfëri dhe shtypje të tejskajshme. Junta ushtarake vetëm mund të restaurojë klanet, qarqet, mënyrën e drejtimit të pushtetit të korruptuar dhe represiv, duke instaluar autokracinë. Emri mund të ndryshojë nga Mubarak në El Sisi, por Egjipti do të veshë këmishën e forcës. Sepse demokracia nuk mund të jetë kurrë me uniformë ushtarake dhe çdo shoqëri me uniformë ushtarake e mbyt demokracinë. Ky është mësimi më i madh që Perëndimi dhe sistemi i vlerave perëndimore i ka dhënë botës me historinë e civilizimit të tij modern. Si alibi përdoret edhe teza tjetër e juntës ushtarake se ata me grushtin e shtetit po mbrojnë sekularizmin. Sekularizmin, ashtu si dhe demokracinë, nuk mund ta garantojnë regjimet ushtarake, por institucionet dhe qeveritë demokratike.

Masakrat e ushtarakëve mbi popullsinë civile vulosën funeralin e revolucionit demokratik egjiptian. Dilema që shtrohet është nëse pas vdekjes së pranverës egjiptiane ka marrë fund pranvera arabe. Këtë mund ta shohësh në dy plane. Në planin e parë, të drejtpërdrejt politik, ekzekutiv dhe legjislativ, pranvera arabe po shkon drejt fundit. Sepse Egjipti është shteti më i madh dhe më i rëndësishëm arab dhe revolucioni demokratik egjiptian i vitit 2011, që përmbysi satrapin Mubarak ishte lokomotiva që i dha impulsin dhe dimensionin rajonal pranverës arabe.

Grushti i shtetit apo fitorja e kundërrevolucionit egjiptian është një bllokim i dhunshëm i gjithë lëvizjeve dhe etapave të veçanta të pranverës arabe në shtetet e tjera. Sepse ai do të nxisë dhe do të konsolidojë procesin e restaurimit të forcave dhe të regjimeve, që humbën pushtetin nga pranvera arabe. Kjo që ndodhi në Egjipt do të inkurajojë të gjithë regjimet e përmbysura në shtetet arabe si në Libi apo Tunizi, ku po konstatohet rikthimi i forcave apo i njerëzve të satrapëve të rrëzuar.

Kundërrevolucioni egjiptian është një inkurajim i madh për regjimin e Bashar El Asadit në Siri. Ironia është se juntat ushtarake në Egjipt apo në shtetet e tjera arabe e kanë gjetur alibinë e kundërrevolucioneve dhe grushteve të shtetit, duke afishuar rrezikun e Islamit politik, alibi, e cila për fat të keq po tingëllon atraktive në veshët e disa qarqeve diplomatike dhe zyrtare në Mesdhe dhe në Perëndim.

Grushti i shtetit në Egjipt rindez aktualitetin e dilemës strategjike mes stabilitetit dhe demokracisë. Teoria e favorizimit të juntave diktatoriale ushtarake, që sjellin siguri, në vend favorizimit të proceseve dhe qeverive të dobëta demokratike, ka ende shumë përkrahës në qarqet konservatore të diplomacisë perëndimore. Por historia e re e jetës ndërkombëtare në çerekshekullin e fundit ka provuar se satrapët nuk mund të jenë aleate të sigurt gjeopolitikë dhe kosto e përkrahjes së tyre nuk ka justifikuar rezultatet e dhimbshme për popujt dhe është deziluzionuese për stabilitetin dhe ekuilibrat ndërkombëtarë.

Forcat që bënë grushtin e shtetit në Egjipt dhe bllokuan pranverën arabe, po u bëjnë një shërbim të madh strategjik shteteve me ambicie globale dhe rivalizuese të Perëndimit si Rusia dhe Kina, të cilat në shpërthimin e revolucioneve arabe u rreshtuan krahas satrapëve arabë. Rusia dhe Kina mund ta konsiderojnë këtë zhvillim negativ një fitore politike dhe strategjike, sepse pozicioni i tyre në Lindjen e Mesme favorizohet nga restaurimi i regjimeve ushtarake. Në të njëjtën kohë, restaurimi i juntave ushtarake komprometon strategjinë e drejtë të përkrahjes së fuqishme, që Perëndimi ndoqi ndaj kryengritjeve demokratike dhe popullore në pranverën arabe. Në tendenca të tilla të zhvillimeve duhet pritur krijimi i kushteve më të favorshme për influencën ruse në vendet arabe, siç ishte dikur në Egjipt dhe siç është aktualisht në Siri. Ministri i Jashtëm i juntës ushtarake egjiptiane, që ka qenë 9 vjet ambasador në Rusi, deklaroi në 23 gusht se ai është në biseda të vazhdueshme me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe se do të revizionojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet, duke përfshirë edhe SHBA. Burime diplomatike bëjnë të ditur se presidenti i Rusisë, V. Putin, po nxiton të mbushë vakuumin e krijuar dhe ka njoftuar regjimin e gjeneralëve se është gati të bëjë një vizitë në Kajro. Ndërkaq, Rusia ka njoftuar zhvillimin e manovrave të përbashkëta ushtarake me Egjiptin, në sfidim të vendimit të SHBA për të anuluar manovrat e përbashkëta me Egjiptin, për shkak të pakënaqësisë ndaj masakrës së 14 gushtit.

Është naive, në mos implikuese, teza që qarkullon në disa qarqe diplomatike se grushti i shtetit ishte i nevojshëm përballë rrezikut të Islamit politik. Është një tezë, produkt i islamofobisë, e cila synon të zhvlerësojë pranverën egjiptiane dhe arabe. Është një tezë, e cila ka krijuar një farë konfuzioni dhe në disa kancelari diplomatike perëndimore, ku vazhdon debati i brendshëm teorik, nëse është apo nuk është grusht shteti vepra e përgjakshme e gjeneralëve egjiptianë. Ish- ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher, shprehet pa ekuivok lidhur me këtë: "Askush nuk duhet ta mohojë se çka ka ndodhur në Egjipt ishte një grusht shteti ushtarak, ose se forcat e regjimit të presidentit të mëhershëm, Hosni Mubarak, janë kthyer në pushtet".

Argumenti kryesor që hedh poshtë tezën e legjitimistëve të grushtit të shtetit si mbrojtje nga rreziku i Islamit politik është fakti se grushti i shtetit i juntës së gjeneralëve ka nisur prej një viti, që në ditën e parë të presidentit dhe të qeverisë së zgjedhur në rrugë demokratike.

E parë nga një pikëpamje shqiptare, nuk mund të harrohet dhe të mos mbahet shënim me mirënjohje se qeveria e presidentit Morsi, që doli nga revolucioni demokratik, e njohu Kosovën në muajin qershor të këtij viti. Restaurimi i regjimit të vjetër mund të sjellë efekte negative edhe në politikën e jashtme të vendit dhe ministri i Jashtëm i juntës ushtarake paralajmëroi se do të ketë rishikim të veprimeve të qeverisë së mëparshme.

Në një plan më të gjerë, historik dhe perspektiv, pranvera arabe nuk mund të quhet e vdekur në drejtimin moral dhe doktrinar. Sepse pranvera arabe zgjoi miliona e dhjetëra miliona ndërgjegje dhe mendje në botën arabe dhe u tregoi atyre ëndrrën dhe rrugën e lirisë dhe të demokracisë. U tregoi se forca e rinisë dhe e popujve të etur për liri është më e madhe se ajo e tankeve dhe mitralozëve të ushtarakëve, që vrasin me burracakëri protestuesit nga tarracat e godinave qeveritare. Grushti i shtetit, i nisur një vit më parë, vendosi regjimin e sundimit ushtarak. Por populli egjiptian pas revolucionit demokratik është tjetër dhe junta ushtarake do ta ketë shumë më vështirë se regjimi i Mubarakut për të kontrolluar vendin. Ëndrra për liri dhe demokraci tashmë është zgjuar. Në këtë kuptim, pranvera arabe nuk ka vdekur dhe ajo pritet të ketë në të ardhmen zgjimet e saj të natyrshme, legjitime dhe historike.
SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RRËNIMI EGJIPTIANNga ROGER COHEN, New York Times (08.26.2013)
KARRIERAT E RASTËSISHME OSE AKSIDENTET POLITIKENga AFRIM KRASNIQI (08.25.2013)
RibotimPD DHE PS MËTOJNË SE 23 QERSHORI 2013 KA TË NJËJTËN RËNDËSI ME 22 MARSIN 1992Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.24.2013)
KRYEQYTETI I SHQIPTARËVE QË NUK FLET... SHQIPVëzhgim nga NAMIK SELMANI (08.24.2013)
QETËSOHUNI TË GJITHË - 2013 NUK ËSHTË 1992Nga FRANK SHKRELI (08.23.2013)
QYTETARËT I KEMI, TANI NA DUHET SHTETINga MENTOR KIKIA (08.22.2013)
TIRANA DHE PRISHTINA NË GARË PËR DESHQIPËZIMIN E SHQIPESNga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.21.2013)
SHQIPËRI-KOSOVË, NJË LUFTË JO VETËM TREGTARENga SHABAN MURATI (08.19.2013)
OBAMA, SNOWDEN DHE PUTINNga THOMAS FRIEDMAN, New York Times (08.19.2013)
REVOLTA VERORE E PRESIDENTIT NISHANINga AFRIM KRASNIQI (08.18.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]