VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KATRAHURA URBANE NUK ËSHTË FATKEQËSI NATYRORENga MENTOR KIKIA

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 04:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
KATRAHURA URBANE NUK ËSHTË FATKEQËSI NATYRORE
Nga MENTOR KIKIA

E Enjte, 08.29.2013, 11:31am (GMT+1)


Pasi mblodhi një grup urbanistësh të huaj, të cilët shëtitën nja dy ditë si turistë të hutuar nëpër zemrën e katrahurës urbane të Shqipërisë, siç janë Bathorja, ish-Këneta e Durrësit dhe madje edhe vetë qyteti i Durrësit, politikani që pritet të marrë drejtimin e vendit për pak ditë, tha se situata e territorit (pra ndërtimet) është një emergjencë, një fatkeqësi kombëtare.

Njësoj sikur natyra të na kishte zbrazur tërë zemërimin e saj mbi kurriz. "Ne jemi në kushtet e një emergjence kombëtare dhe jemi të vendosur që gjendjen jashtë kontrollit në territorin e vendit ta trajtojmë dhe përballojmë si gjendje të jashtëzakonshme. Ne kemi sfidën e një transformimi të madh social, që nis me ato dhjetëra familje që janë afruar drejt qyteteve", - tha Rama në një takim, që e quajti me emrin domethënës "Shqipëria, gjenerata tjetër".

Nuk është e nevojshme të jesh urbanist për të kuptuar se çfarë katrahure është shkaktuar me ndërtimet në këtë vend. Dhe nuk është vetëm Bathorja, si simbolikë e kësaj katrahure. Madje është Ksamili, ai që dikur përdorej nga fotografët për kartolina, që tashmë është katrahurë me 5 yje. Por është edhe vetë Tirana, Durrësi, Saranda.... Nuk është aspak hiperbolë të thuash se shumë zona turistike janë shkatërruar tashmë pa kthim mbrapa. Durrësi dhe Golemi janë maskarada më e madhe e këtij vendi, ku flenë të betonizuara qindra miliona euro, pasi janë me mijëra konviktet (hotelet), të cilët as nuk shiten e as nuk frekuentohen. Pasi ne nuk vëmë mend nga gabimet, nën shembullin e Durrësit, ia vumë kazmën edhe asaj që ende na pëlqen ta quajmë perlën e turizmit, Sarandës. Edhe nëse do të paguash administratën më të urryer për t'i bërë gjëmën një qyteti, nuk do ta bëjë dot atë që i ka bërë këtij qyteti bashkia e tij. Edhe Vlora është në atë rrugë.

Ndërtimet brenda detit janë tashmë një gjë e zakonshme dhe çdo vit, nga Uji i Ftohtë deri në Orikum, shtohen molet private që ndërtohen me gurë, të cilët prodhojnë një pamje të shëmtuar, mes një natyre që është treguar kaq bujare me atë që ka ofruar. Por jo vetëm bregdeti. Mjafton të hedhësh një sy nga avioni dhe kupton menjëherë se je duke fluturuar mbi Shqipëri. Poshtë shtrihet një vend ku nuk kupton dot se ku fillon njëri fshat e ku mbaron tjetri. Gjithkush ndërton ku dhe si të dojë. Për 20 vjet, tokat që mbilleshin me kultura bujqësore, u mbollën me shtëpi, motele, pika karburanti, lokale e lloj-lloj mejhanesh. Shtëpi u ndërtuan madje edhe mbi diga, mbi kolektorë, në kanale kulluese e në shtretër lumenjsh. Nga Veriu në Jug shikon vetëm ndërtime, të hallakatur sipas një kaotizmi më të mirë të mundshëm, ku tashmë nuk mund të ndërtosh as rrugë, as kanalizime ujërash të zeza e as linja ujësjellësi. Pra, e pamundur që ata që jetojnë në ato banesa të jetojnë si njerëz, ose të bëhen urbanë, siç thuhet në gjuhë teknike.

Kaotizmi shqiptar mund të ndahet në dy kategori, apo dy faza. Faza e parë është ajo e dyndjes së banorëve të Veriut dhe zonave të tjera rurale në periferi të zonave të mëdha urbane, për të ndërtuar shtëpi e për t'i ikur fshatit të izoluar. Si pasojë e së cilës lindën qyteti i Kamzës, Bathorja, Paskuqani, ish-Këneta e dhjetëra zona të tjera informale. Ky kaotizëm nuk zhbëhet më dhe nuk ka as fajtorë. Nuk ka qeveri në botë që të shkulë qindra mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre sot, ndaj dhe u shpik legalizimi si formulë kompromisi. Kaotizmi i dytë është ai, i bërë me vullnetin dhe koshiencën e pushtetit vendor. Ky nuk u bë për shtëpi, por për biznes dhe u bë duke pasur si shkaktarë paaftësinë, korrupsionin dhe në shkelje të hapur me ligjin. Është ai që shkatërroi Durrësin, Golemin, Vlorën, Sarandën... Por ky mund dhe duhet zhbërë dhe mbi të gjitha, ky duhet dënuar. Sepse ky ka autorë, pasi këto qytete janë shkatërruar me leje ndërtimi të dhëna nga bashkitë. Dhe ky është një problem edhe më i madh.

Perspektiva turistike e këtij vendi është shkatërruar me lejen e pushtetit vendor. Ato që ia kanë bërë gjëmën Durrësit, Vlorës dhe Sarandës nuk janë kasollet dhe lavazhet pa leje, por pallatet shumëkatëshe me lejen e bashkive, që në babëzi vazhdojnë t'i afrohen vijës së ujit. Ndërsa Rama shëtiste nëpër Durrës, turistët urbanistë që kishte sjellë kuratori Anri Sala nga Europa e qytetëruar, dhe u shpjegonte se si do të lindte Durrana (nga bashkimi i Durrësit me Tiranën) kishte në krah pikërisht kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, njeriun që i dha dorën e fundit shkatërrimit të qytetit që drejton, duke mos lënë lulishte pa mbushur me beton. Të gjitha ndërtesat që tani i frekuentojnë vetëm laraskat në Golem, (mijëra apartamente si furriqe që nuk guxon të futet kush brenda) janë ndërtuar me leje. Mbi ç'plan turistik, mbi ç'studim për të parë nevojën e tregut u dhanë këto leje? Me leje është ndërtuar edhe Saranda e re, shëmtia më e madhe e Shqipërisë turistike. Është një njeri, ish-kryetari i bashkisë Edmond Gjoka, që duhet të përgjigjet për qindra palo hotele që janë ngulur në shkëmbinj, e të tjerë që kanë bllokuar pamjen e detit në rrugën dikur piktoreske nga qyteti deri tek Kanali i Cukës, që e kanë bërë Sarandën të duket si ato zonat e shkreta të vendbanimeve për të cilat lufton Izraeli me Palestinën. Po, edhe këto duhet të shemben.

Në Ksamil janë ende përtokë rrënojat e ndërtimeve që shembi Gjergji Bojaxhi, kur i hipi vetë fadromës, pasi Berisha e gënjeu pasi i tha se do bëjmë shtet. Por edhe ato ndërtime mbanin firmën e kryetarit të komunës, i cili madje e kushtëzonte lejen e ndërtimit edhe me shitjen e projektit për shtëpitë. Po, edhe këto duhet të shemben. Por, para se të shemben të gjitha këto, duhet të shkojnë në burg ata sharlatanë që janë pasuruar duke shitur lejet e ndërtimit, duhet të shkojnë në burg ata drejtues vendorë që janë pasuruar duke shkatërruar qytetet dhe të ardhmen e tyre, e duke dënuar përfundimisht ekonominë jo vetëm të këtyre qyteteve, por të të gjithë vendit. Të huajt që vijnë të na japin mend se ç'duhet të bëjmë me këtë të shkretë vendin tonë dhe të na flasin për hartime strategjirash. Por unë mendoj se ky vend nuk ka nevojë për strategjira, pasi kemi 20 vjet që dëgjojmë vetëm për miratim strategjish. Ky vend ka nevojë vetëm për strategjinë e zbatimit të ligjit. Dhe, nëse zbatohet ligji, ata që kanë firmosur leje ndërtimi në Durrës mbi rrënojat romake duhet të shkojnë në burg, ata që shkatërruan Golemin, Vlorën, Sarandën e Ksamilin duhet të shkojnë në burg. Pastaj të ndizen fadromat dhe të prishet ç'mund të prishet. Nëse Rama do të shkojë të prishë ndërtimet duke pasur në krah atë që ka dhënë lejen e ndërtimit, atëherë i ka hipur mbrapsh fadromës. Rama tha se ne do ta trajtojmë këtë si një gjendje të jashtëzakonshme. Në fakt, gjendjet e jashtëzakonshme, zakonisht shkaktohen nga natyra, e cila nuk na merr leje për çfarë bën dhe nuk i kërkojmë dot llogari e as e ndëshkojmë dot. Por kjo gjendja e jashtëzakonshme me të cilën ka zgjedhur (apo është i detyruar) të përballet Rama, është shkaktuar nga njeriu. Dhe njeriu duhet të mbajë përgjegjësi. Kështu vendoset shteti, kështu u pritet rruga ndërtimeve të tjera dhe shkatërrimeve të tjera, me dhe pa leje. Në fund të fundit kështu fillon edhe rilindja.
MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ËNDRRA E PAREALIZUAR E BABAIT TIMPesëdhjetë vjet më vonë, ende punë për të bërëNga MARTIN LUTHER KING III, aktivist i të drejtave të njeriut, Washington Post (08.28.2013)
FJALËT E NËNË TEREZËS TINGËLLOJNË GJITHNJË AKTUALE(Në kujtim të 103-vjetorit të lindjes)Nga FRANK SHKRELI (08.27.2013)
NJË GRUSHT SHTETI I NISUR NJË VIT MË PARËNga SHABAN MURATI (08.26.2013)
RRËNIMI EGJIPTIANNga ROGER COHEN, New York Times (08.26.2013)
KARRIERAT E RASTËSISHME OSE AKSIDENTET POLITIKENga AFRIM KRASNIQI (08.25.2013)
RibotimPD DHE PS MËTOJNË SE 23 QERSHORI 2013 KA TË NJËJTËN RËNDËSI ME 22 MARSIN 1992Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.24.2013)
KRYEQYTETI I SHQIPTARËVE QË NUK FLET... SHQIPVëzhgim nga NAMIK SELMANI (08.24.2013)
QETËSOHUNI TË GJITHË - 2013 NUK ËSHTË 1992Nga FRANK SHKRELI (08.23.2013)
QYTETARËT I KEMI, TANI NA DUHET SHTETINga MENTOR KIKIA (08.22.2013)
TIRANA DHE PRISHTINA NË GARË PËR DESHQIPËZIMIN E SHQIPESNga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.21.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]