E Enjte, 11.14.2019, 07:12am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
RREZIQET E NIVELIT TË ULËT NEGOCIATOR
Nga CHRISTOPHER HILL

E Djelë, 12.01.2013, 02:24pm (GMT+1)




Është ende herët që marrëveshja me Iranin të cilësohet si arritje historike, por po ashtu është shumë herët që ta quajmë atë dështim, apo të sugjerojmë se negociatorët më të mirë kanë mundur disi të kryejnë punë më të mirë apo të nxjerrin koncesione prej homologëve të tyre iranianë

Denver – Marrëveshja e arritur në Gjenevë midis Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania (e ashtuquajtur P5+1), është një fillim i shkëlqyeshëm i një procesi të vështirë për ta bindur Iranin që të heqë dorë nga përpjekjet për t’u bërë fuqia më e re botërore e armatimit bërthamor. Është ende herët që marrëveshja të cilësohet si e arritur historike, por po ashtu është shumë herët që ta quajmë atë dështim, apo të sugjerojmë se negociatorët më të mirë kanë mundur disi të kryejnë punë më të mirë apo të nxjerrin koncesione prej homologëve të tyre iranianë.

Negociimi në tavolinë dallon shumë nga bisedat në programe televizive. Ashtu si edhe me shumë përpjekje të këtij lloji, marrëveshja duhet që të krahasohet me rezultate alternative, duke filluar me mundësinë e njëmendtë të mosarritjes së marrëveshjes. Kritikët e marrëveshjes duhet që të tregojnë se si më shumë sanksione mund të arrijnë rezultate më të mira, sesa deri më tani.

Marrëveshja do të jetë temë e nxehtë debati, në rend të parë për shkak se vjen pikërisht në kohën e tensioneve të papresedencë në Washington. Dështimi i politikës së jashtme amerikane, që mbështetet prej të dy partive në këtë shtet, kurrë nuk ka qenë më i dukshëm sesa sot. Debati tradicional i të butit me radikalin tashmë është shndërruar në një përballje të përkrahësit të izolimit dhe atij të angazhimit, gjë kjo e cila po nxit mosbesim të thellë tek të gjitha institucionet qeveritare në SHBA.

Për më tepër, për shkak se vjen në kohën e trazirave të mëdha në Lindjen e Mesme, marrëveshja do të duhet të përballet me kritika të shumta. Duke e lënë anash skepticizmin e njohur të qeverisë izraelite rreth sinqeritetit dhe synimeve të Iranit, të thuash se kundërshtimi i Arabisë Saudite ka të bëjë thjesht me përballjen gjeopolitike me Iranin fqinj paraqet shpërfillje të një prej faktorëve kryesorë gjatë krizave aktuale në Lindjen e Mesme.

Dimensionet sektare të Lindjes së Mesme sot, që përqendrohen në vijën ndarëse sunite-shiite, janë më të shprehura sesa që kanë qenë me shekuj të tërë. Pa marrë parasysh nëse ndërrimi në Irak prej sundimit të pakicës sunite në sundim të shumicës shiite është shkak apo simptomë e ndarjes aktuale rajonale, është e qartë se ndasitë sektare janë manifestuar në krizat në Irak, Siri, Bahrejn, Jemen dhe pjesë tjera të Arabisë Saudite.

Natyrisht se ekziston një armiqësi e veçantë në raportet saudite-iraniane, posaçërisht duke e pasur parasysh qëndrimin saudit se Irani është duke nxitur trazirat shiite në rajon. Çështja bërthamore është vetëm një prej shumë shqetësimeve saudite, dhe ndikimi i saj është i zbehtë, po qe se marrim parasysh përplasjet sektare që po zhvillohen në Lindjen e Mesme arabe.

Disa minuta pas shpalljes së marrëveshjes, shumë kritikë e dënuan atë, duke argumentuar se pasi që sanksionet kishin arritur të sjellin iranianët në tavolinën e bisedimeve, atëherë ato do t’ia dilnin edhe t’i gjunjëzonin ata. Por, argumenti se sanksionet do të funksiononin më mirë sesa negociatat, paraqet shpërfillje të fakteve: me gjithë sanksionet më të ashpra, Irani ka rritur në masë drastike kapacitetet e pasurimit të uraniumit.

Për më tepër, është ky një argument që shpesh bëhet prej atyre që nuk kanë mbështetur ndonjëherë ndonjë proces diplomatik dhe të cilët kanë pak përvojë në negociatat ndërkombëtare. Sipas pikëvështrimit të tyre, çfarëdo koncesioni përgjatë negociatave paraqet shenjë dobësie. Mbase është mirë që atyre që mendojnë se një shtet si Irani do të kapitullonte për shkak të ngrirjes së disa llogarive bankare, t’u bëhet pyetja nëse ata vetë do të dorëzoheshin përballë shtrëngimeve që vijnë nga sanksionet.

Një kritikë tjetër e shpeshtë e bisedimeve në Gjenevë është se ato u ngjasojnë negociatave me Korenë Veriore, në lidhje me programin bërthamor të shtetit. Në të vërtetë, dy negociatat kanë përcjellë struktura krejtësisht të ndryshme. Pesë shtetet që negociuan me Korenë Veriore u pajtuan që të marrin hapa vetjakë, përfshirë dispozita për furnizim me sasi të caktuara të naftës, në shkëmbim të hapave të marrë nga Veriu.

Pasi që verikoreanët nuk kishin ndërmarrë hapa, në rend të parë në formën e refuzimit për t’u marrë vesh rreth një regjimi të verifikimit, ndërmjetësuesit ndalën furnizimin me naftë. Ishte një rast i ngrirjes së llogarive bankare me 23 milionë dollarë, që kishte të bënte me zbatimin e “Aktit Patriot” të ShBA-së ndaj një banke në Makau, që madje nuk vepronte në tregun amerikan. Koreja Veriore në fund ktheu paratë e veta, por madje edhe ky “lehtësim nga sanksionet” nuk mund të krahasohej me miliardat që ishin në pyetje në Gjenevë.

Në fund të 2008-s, pas shumë muajsh përpjekjeje, SHBA-ja, së bashku me shtetet tjera në proces, u dha fund negociatave me verikoreanët, për shkak të pamundësisë për të siguruar verifikimin se pala verikoreane ishte duke përmbushur zotimet e veta. Veriu ishte i përgatitur që ta lejojë verifikimin e mbylljes dhe demontimit të reaktorit të vet (që mund të prodhonte plutonium të mjaftueshëm për disa bomba), por nuk ishte i gatshëm që të lejonte inspektimet në vendet e padeklaruara. Dyshimet se këto vende mund të ishin të përfshira në aktivitetet e pasurimit dolën të ishin të bazuara.

Ajo që i ofrohet Iranit nuk është vetëm lehtësim prej sanksioneve ekonomike; Iranit po i ofrohet anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare – një gjë kjo të cilën disa liderë iranianë (ndonëse jo të gjithë), e duan në mënyrë të qartë. Bisedimet dypalëshe midis ShBA-së dhe Iranit duhet të vazhdojnë në ndonjë formë, në mënyrë që të prezantohet se çfarë të ardhme mund të presë Irani, në rast se ky shtet heq dorë nga përpjekjet për t’u bërë me armë bërthamore dhe i jep fund përkrahjes së organizatave terroriste.

Asnjë nga këto gjëra nuk do të jetë e lehtë, por marrëveshja e Gjenevës ishte një fillim i mirë. Në vend se të merremi me negociatorë, ne të gjithë duhet të kuptojmë më mirë atë se për çfarë po negociohet.



(Autori, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Azinë Lindore, ishte ambasador amerikan në Irak, Kore Jugore, Maqedoni dhe Poloni, i dërguar i posaçëm për Kosovën, negociator i marrëveshjeve të posaçme të Dejtonit dhe kryenegociator me Korenë Jugore gjatë viteve 2005-2009. Ai është aktualisht dekan i Shkollës Korbel për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”) 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RUSIA - KU KANË SHKUAR TË GJITHA PARATË?Nga WILLIAM E. POMERANZ, Reuters (12.01.2013)
DREJTËSIA E KORRUPTUAR SI FATKEQËSI KOMBËTARENga MENTOR KIKIA (11.30.2013)
JO 29 NËNTORIT - E MAJTA TË MOS RILINDË ME RETORIKË, POR ME VEPRA!Nga Elida BUÇPAPAJ (11.29.2013)
PËRGJIGJE BASHKËVUAJTËSIT TIM AGIM HAMITINga RESHAT KRIPA (11.28.2013)
DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË DHE MIRËNJOHJA E NJË SHQIPTARO-AMERIKANI NDAJ KËTIJ VENDINga FRANK SHKRELI (11.28.2013)
PËRVEÇ MESILA DODËS, PD HARRON TESTAMENTIN E OLLDASHIT DHE VAZHDON STILIN QË DENONCOI SOKOLI MË 14 NËNTORNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.27.2013)
GËZUAR 28 NËNTORIN – DITËN E FLAMURIT, DITËN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISËNga FRANK SHKRELI (11.26.2013)
ANTIAMERIKANIZËM NË SHQIPËRI? UNË DYSHOJNga SAMI REPISHTI (11.26.2013)
RUSIA PO MBUSH VAKUMIN GJEOPOLITIK NË LINDJEN E MESMENga SHABAN MURATI (11.25.2013)
50-VJETORI I VRASJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDINga FRANK SHKRELI (11.21.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]